Sport

Gabimet i kushtuan me humbje

“Bëmë një ndeshje shumë të mirë. Edhe ata kanë patur raste, por kur nuk arrin të shënosh asnjë nga tre rastet e pastra që kishim nuk meriton asnjë pikë”, deklaroi Burim Kukeli

Futbollistët kuqezi janë shprehur shumë të pikëlluar për humbjen ndaj Zvicrës, derisa u shprehën se gabimet i kushtuan me humbje, shkruan albinfo.ch.

Shkëlzen Gashi kishte një rast të artë në minutat e fundit, por ai ka falënderuar tifozët shqiptarë. “Shumë faleminderit për ndihmën tuaj të madhe. Faleminderit shumë! Ne u munduam deri në sekondën e fundit për të shënuar golin e barazimit. Megjithëse ishim dhe një lojtar mangët dhe nuk u shpërblyem! Ne provojmë që të japim gjithmonë më të mirën. Tani duhet të shohim të ardhmen, të fokusohemi në ndeshjen tjetër”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, në një intervistë për “UEFA.com” ka falënderuar fansat që ishin në stadium në takimin kundër Zvicrës, për të cilët ka thënë se janë të jashtëzakonshëm. “Atmosfera ishte e veçantë, si gjithmonë me këta tifozë, të cilët vërtetë ishin prapa nesh gjatë gjithë takimit dhe kanë qenë aty gjatë gjithë rrugëtimit që ka qenë shumë i rëndësishëm për ne dhe për këtë dua t’i falënderoj ata nga thellësia e zemrës sime”, ka thënë Hysaj.

“Ndërsa sa i përket takimit, ishte një ndeshje fantastike, besoj se luajtëm shumë mirë dhe krijuam shumë raste të mira shënimi, prandaj duhet të fokusohemi në gjërat pozitive”, është shprehur ai.

  • (KEYSTONE/Jean-Christophe Bott)

Mbrojtësi Mërgim Mavraj ka thënë se nuk e kanë merituar këtë humbje. “Kemi luajtur shumë mirë dhe nga ana morale ka qenë një fitore e madhe e jona. Kemi luajtur me 1 lojtar më pak dhe ka qenë një paraqitje shumë e mirë”, u shpreh ai. Mërgimi thotë se ekipi ka vuajtur edhe faktorin psikologjik. “Në minutat e para kemi qenë me emocione dhe na kanë vënë në presion. Përgjigja jonë ka qenë fantastike. Kishim rast me Sadikun dhe Gashin. Luajtëm si të barabartë’, deklaroi ai. “Asgjë nuk është e vendosur. Nëse luajmë me zemër dhe shpirt, besoj që edhe me Francën kemi për të bërë një surprizë të madhe”, thotë Mavraj.

Edhe Etrit Berisha u shpreh se kishin emocione në fillim. “U futëm në lojë ndoshta me shumë emocione. Ishte një shpërqendrim, Mendova se do ta grushtoja topin mirëpo në atë moment erdhi një lojtar i tyre duke përfituar nga rrëshqitja e Mërgimit dhe ndërhyri para meje duke shënuar. Më pas u çliruam disi nisëm të bënim lojën tonë. Mendoj se kemi bërë një lojë mjaft të mirë dhe për këtë i përgëzoj të gjithë çunat. Në minutat e fundit mund ta barazonim rezultatin. Duhet ta harrojmë këtë humbje dhe te korrigjojmë gabimet.”

Edhe Armando Sadiku kishte disa raste, por nuk ia doli të realizojë. “Erdhi rasti që prisja, erdhi ai moment që e kishim aplikuar në stërvitje por fati deshi që t’ia përplasja portierit në këmbën e djathtë. E kishim përgatitur shumë mirë këtë ndeshje, në çdo detaj, por një gabim njerëzor me Mavrajn që rrëshqiti në markim që i dha mundësi kundërshtarit të shënonte. Kemi reaguar mirë, unë pata rastin përballë portierit, jemi mbrojtur dhe kemi sulmuar si skuadër. Në pjesën e dytë çdo lojtar ka dhënë më të mirën. E dinim që do të ishte shumë e vështirë por dhamë 120 %. I patëm rastet, unë dhe Shkëlzeni. Atëherë kur të gjithë mendonim se ishim ekip i vdekur, atëherë treguam veten, luftuam, por fati nuk ishte me ne”

Ermir Lenjani tashmë është i përqendruar te ndeshjet e ardhshme. “Gjatë 15 minutave të lojës nuk ishim të përqendruar, më pas patëm 2-3 raste të mira që nuk i shfrytëzuam. Momenti kur më rrëzoi Lihtstainer ishte penallti, por tani s’kemi carë të bëjmë duhet të fokusohemi te ndeshja me Francën. Po të luajmë me zemër si në pjesën e dytë, me siguri do të marrim pikë me Francën. Po bëjmë disa gabime pa lidhje që po na kushtojnë shumë. Në këtë nivel gabimet kushtojnë shtrenjtë. Duhet t’i analizojmë këto gabime dhe të shohim përpara të tentojmë të fitojmë me Francën dhe Rumaninë.”

Ndërkohë, Burim Kukeli ka thënë se kur humb raste, nuk meriton më shumë. “Edhe të klubi ku luaj e kam bërë rolin e qendërmbrojtësit. Sigurisht që kam patur edhe ndihmën e ekipit që gjithçka më shkoi mirë. Në fillim kishim shumë presion, secili s’mund të dilte në lojën e tij. Në pjesën e dytë treguam se çfarë vlerash kemi. Bëmë një ndeshje shumë të mirë. Edhe ata kanë patur raste, por kur nuk arrin të shënosh asnjë nga tre rastet e pastra që kishim nuk meriton asnjë pikë.”