Integrimi

Fytyra e Gonetës, imazhi i javës kundër racizmit

“Një fëmijë që lind në Zvicër pa “fajin” e vet dhe që këtë vend e ka atdhe, papritur një ditë në oborr të shkollës e kupton se është i huaj”

Fytyra e Goneta Jakurtit është bërë imazh i fushatës “java kundër racizmit” që mbahet nga 21 deri më 28 mars në Bernë. Pllakatet ku duken fytyrat me gjurmë dhune të Gonetës dhe dy personave tjerë me prejardhje të huaj, pritet të sensibilizojnë zviceranët me problemin e diskriminimit racial.

Por kush është kjo vajzë dhe çfarë ndjen ajo lidhur me këtë fushatë?

“Marr pjesë vazhdimisht nëpër aktivitete kulturore, bëj moderimin në veprimtari të ndryshme, paraqitem në sfilata të modës të organizuara qoftë nga agjensionet zvicerane apo nga komuniteti shqiptar në Zvicër, Itali etj”, thotë ajo duke bërë me dije se ky angazhim nuk është krejt i rastësishëm.

Ndërsa e pyetur se si ndodhi të zgjidhej fytyra e saj për javën kundër racizmit Goneta thotë: “Një ditë mora një thirrje telefonike nga udhëheqësja e kësaj fushate. Ajo më shpjegoi se për çka është fjala duke me pyetur në fund nëse jam e gatshme të bashkëpunoj në një projekt të këtillë. Meqë bëhet fjalë për një projekt shumë të rëndësishëm dhe human, pranova të konkurroj. Dhe u zgjodha”.

Racizmi ose në përgjithësi, ksenofobia, urrejtja ndaj të huajve, ndonëse jo shumë haptazi, hasen edhe në Zvicër. Por a e ka ndjerë Goneta në lëkurën e saj këtë urrejtje?

“Personalisht nuk jam ballafaquar me racizmin. Natyrisht se jam dëshmitare e bisedave që zhvillohen rreth kësaj teme, kam dëgjuar rrëfime për viktimat e racizmit dhe të ksenofobisë dhe jam ndjerë keq. Si të gjithë qytetarët në këtë vend, edhe unë ballafaqohem në vende publike me pllakate dhe afishe që kanë përmbajtje raciste dhe ksenofobe. Kjo assesi nuk më lë indiferente”, përgjigjet 18 vjeçarja.

A janë të huajt, edhe shqiptarët, viktima të kësaj urrejtjeje? Goneta mendon se gjithsesi janë. Një pjesë të fajit, sipas saj, e kanë mediet. “Mendoj se po. Dhe mediet kam përshtypjen se shpeshherë, në mungesë të lajmeve sensacionale, përdorin temën e të huajve si „Jocker“ për të shtuar tirazhin e tyre. Qytetarët e thjeshtë u besojnë teksteve të tilla dhe kjo, natyrisht se i frustron ata”.

Goneta përkujton se ka pasur edhe fushata ksenofobike të drejtuara kundër komunitetit tonë. “Shqiptarët, si grupacioni më i ri i migrantëve, shpeshherë u gjendën në fokus të vështrimeve negative. Ka pasur tituj madje edhe pllakate fyese që bien ndesh edhe me nivelin e civilizimit të popullit zviceran”, thotë ajo.

Dhe më e keqja në këtë mes është se gjithë kjo godet edhe brezin e dytë. “Situatat e tilla janë mjaft të rënda për të rinjtë, pasardhës të migrantëve: Një fëmijë që lind në Zvicër pa “fajin” e vet dhe që këtë vend e ka atdhe, papritmas një ditë në oborrin e shkollës e kupton se është i huaj! Kjo është shumë e dhimbshme dhe lë vrragë në zhvillimin e personalitetit”, thekson vajza që ka huazuar fytyrën e saj për “Javën kundër racizmit”, që mbahet në Bernë në fund të këtij muaji.

Goneta Jakurti është një vajzë 18 vjeçare e lindur në Zvicër nga prindërit shqiptarë, Jeton në Langenthal ku po ndjek mësimet në vitin e fundit të shkollës së mesme komerciale („Kaufmänische“) me maturë – drejtimi bankier.

“Gjatë këtyre viteve të punës praktike në bankën UBS më është bërë e qartë se perspektiva ime profesionale do të jetë puna në bankë. Me të përfunduar shkollën komerciale, në vjeshtë, do t’i vazhdoj studimet e larta, për t’u kthyer sërish në bankë. „Investment Banking“ është sektori i punës që më fascinon: Kërkon shumë përgjegjësi, njohuri të shumanshme (jo vetëm ekonomike por edhe politike e kulturore), njohje të gjuhëve të huaja, që është një afinitet i imi”, shprehet Goneta.