Sport

Futbollistët që luajnë jashtë vendit: Krenarë me Kosovën

Futbollistët që përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare kanë sakrifikuar shumë. Megjithatë, ata shprehën të lumtur që luajnë për Kosovën dhe kanë kontribuar për futbollin dhe shtetin e Kosovës

Futbollistët e kësaj gjenerate të Kosovës kanë hyrë në histori, si të parët, që kanë përfaqësuar zyrtarisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ata kanë sakrifikuar shumë, duke lënë luksin, duke u stërvitur në kushte jo shumë të mira e pa infrastrukturë, megjithatë, përkundër të gjitha këtyre, ata janë krenarë që janë nga Kosova dhe përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kur jemi në prag të dhjetë vjetorit të Pavarësisë, futbollistët për albinfo.ch flasin për rëndësinë e Pavarësisë së Kosovës dhe sa e çmuar është kjo festë.

Ujkani:  Asnjëherë nuk e harroj vendlindjen

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ka theksuar se çdo kush ëndërron të luajë për vendin e tij. “Sigurisht se jam krenar që jam nga Kosova, sepse edhe pse jam rritur në mërgim, kam lindur në Kosovë dhe gjithnjë kam qenë i lidhur shumë me vendlindjen time, për të cilën jam shumë krenar. Ëndrra e çdo futbollisti është që të luaj për vendin e tij, për shtetin e tij. Neve na ishte mohuar kjo e drejt për një kohë të gjatë, por fal Zotit, tani e kemi këtë mundësi dhe e prezantojmë Kosovën me shumë krenari”, është shprehur Ujkani për albinfo.ch. Ai ka shtuar se në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës i uron gjithë shqiptarët në Kosovë dhe në diasporës, duke shpresuar që emri i Kosovës të ngritet sa më lartë.

Kryeziu: Me zemër për Kosovën

Ndërkohë, mesfushori i palodhur Hekuran Kryeziu ka pasur disa oferta tjera, që i ka refuzuar për të luajtur për Kosovën. “Duke rrjedhur nga një familje që gjithnjë më ka edukuar në frymën e atdhedashurisë, normalisht se ndihem shumë krenar që jam nga Kosova, një vend që ka histori të lavdishme, por edhe të dhimbshme, një vend që ka shumë krenari, të cilën unë e barti me kënaqësi”, deklaroi për albinfo.ch, futbollisti i cili luan dhe jeton në Zvicër.

Ai shpreson se të rinjve të Kosovës t’u realizohet ëndrra, si çdo të riu në Evropë. “Unë e kam marrë vendimin për të luajtur për Kosovën me zemër, pavarësisht mundësive tjera që kam pasur për të prezantuar Përfaqësuese tjera. Unë e kam zgjedhur me zemër Kosovën dhe pa menduar shumë për vendin tim. Shpresoj që në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës të rinjtë kosovarë t’i realizojnë ëndrrat e tyre, ashtu si çdo i ri në Evropë”, nënvizoi futbollisti i Luzernit.

Pnishi,  e përfaqëson Kosovën në Zvicër

Njëri ndër futbollistët e parë që pranoi të luajë për Kosovën është Alban Pnishi, qendërmbrojtësi që luan në Zvicër. “Jam shumë krenar se jam nga Kosova dhe se jetoj në Zvicër. Në Zvicër e ndjej veten kosovar dhe gjithmonë sa herë që të jam në Kosovë ndihem shumë mirë. Ndihem sikur në vendlindjen time”, është shprehur në fillim Alban Pnishi për albinfo.ch. Pnishi gjithmonë i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kosovës për të luajtur. “Unë jam shumë krenar që luaj për vendlindjen time. Është gjithmonë kënaqësi e madhe kur shkoj të luaj për vendin tim, dhe në çdo ndeshje emocionohem kur luaj para popullit tonë. Gjithmonë jam i gatshëm të luaj për Kosovën”, shton tutje mbrojtësi, i cili uron Kosovën për dhjetë vjetorin e Pavarësisë. “I uroj festën të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe shumë suksese për të ardhmen”, përfundoi Alban Pnishi.

Lika, luan në Zvicër, me mendje në Kosovë

Ndërkohë, në Zvicër, ka shumë futbollistë të Kosovës që luajnë me sukses. Njëri ndër ta është edhe Bujar Lika. Ai së fundi është transferuar në Grasshoppers Zurich, në skuadër ku ka disa futbollistë shqiptarë. “Është kënaqësi dhe lumturi që jemi shumë futbollistë shqiptarë në Zvicër. Ndihem shumë krenar që jam nga Kosova dhe i përshëndes të gjithë. Festa e Pavarësisë është e veçantë dhe i uroj të gjithë. Ne ndihemi të lumtur që kemi prejardhje nga Kosova dhe ky fakt na gëzon shumë”, ka theksuar Lika për albinfo.ch.

 

 

Edhe në Zvicër ka shumë futbollistë nga Kosova, të cilët thonë me krenari se janë krenarë nga vijnë, duke qenë ambasadorët më të mirë të një vendi. Në Përfaqësuesen e Kosovës luajnë tre futbollistë nga Zvicra: Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli dhe Alban Pnishi. Përfaqësuesja e Kosovës debutoi në kualifikimet për Kampionatin Botëror, duke regjistruar një barazim dhe nëntë humbje