Lajme

Finlanda në NATO

Finlanda tash është anëtarja më e re e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit në Bruksel të martën, 4 prill, në atë që Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti “ditë historike”. Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022, shkruan Radio Evropa e Lirë, përcjellë albinfo.ch.

“Putini kishte deklaruar se qëllimi i pushtimit të Ukrainës [ishte] të kishte më pak NATO, ai donte më pak NATO përgjatë kufijve të tij, donte ta mbyllte derën e NATO-s. Ai po merr pikërisht të kundërtën”, tha Stoltenberg pas anëtarësimit të Finlandës, raporton REL, përcjellë albinfo.ch.

Si akt të parë pas anëtarësimit, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, ia dorëzoi sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ratifikimin e kërkesës së Suedisës për anëtarësim në NATO. Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”, shkruan REL, përcjellë albinfo.ch.

Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.