Lajme
FBI paralajmëron rritje globale të shantazhit seksual ndaj të miturve
FBI-ja dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të katër vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara kanë ngritur alarmin për rritjen dramatike në skemat e shantazhit seksual që vendosin në objektiv të miturit, nëpërmjet aplikacioneve të lojërave dhe platformave të tjera dixhitale, situatë për të cilën thonë se është shndërruar në një krizë globale.
Skemat e tilla, ku viktimat shtrëngohen të dërgojnë fotografi intime dhe në vazhdim iu bëhet shantazh për përfitim financiar, janë përdorur ndaj personave të të gjitha grupmoshave, por incidentet më të fundit tregojnë se djemtë adoleshentë janë objektivi i tyre parësor.
Në faqet e lojërave në internet dhe në aplikacionet e komunikimit, personat që synojnë të shfrytëzojnë dhe shantazhojnë të miturit, të cilët janë shpesh persona të moshës madhore që banojnë në Afrikën Perëndimore dhe që shtiren sikur janë vajza, i mashtrojnë viktimat e tyre duke u kërkuar të dërgojnë filmime dhe fotografi intime. Në vazhdim, ata kërcënohen me publikimin e tyre, në rast se nuk paguajnë.
FBI-ja, dhe agjencitë homologe në Australi, Kanada, Zelandë të Re dhe Britani, deklaruan se kanë vërejtur një rritje tepër të madhe të numrit të rasteve gjatë vitit të kaluar dhe se problemi është shtrirë në të gjithë botën.
“Zhvatja financiare ka një ndikim shumë më të gjerë se thjesht tek vendi ynë apo fëmijët tanë – është një krizë globale që kërkon vëmendjen e të gjithëve”, shprehet në një deklaratë Drejtori i FBI-së, Christopher Wray. “FBI po bashkëpunon nga afër me partnerët tanë ndërkombëtarë për të parandaluar që fëmijët tanë të bien viktima të këtij krimi tragjik. Të gjithë ne kemi detyrën të mbështesim dhe të fuqizojmë viktimat që ata të tregojnë dhe që t’u demonstrojmë atyre se jeta vazhdon edhe pas këtyre imazheve”.
Paralajmërimi vjen ndërsa Departamenti i Drejtësisë njoftoi në dhjetor se mbi 3 mijë të mitur, kryesisht djem, ishin bërë objekt shantazhi seksual gjatë vitit 2022, një rritje e madhe kjo krahasuar me vitet e mëparshme. Mbi dymbëdhjetë viktima kanë bërë vetëvrasje.
Personat që synojnë të shfrytëzojnë dhe shantazhojnë të miturit vënë në objektiv fëmijë të moshës 14 deri 17 vjeç, dhe ka patur edhe raste viktimash të moshës deri në 10 vjeç, njoftoi Departamenti i Drejtësisë.
“Megjithëse shantazhi financiar seksual bëhet në rrugë elektronike, ai mund të ketë pasoja serioze përtej botës së internetit”, thuhet në deklaratën e FBI-së. “Pas kërcënimeve dhe agresionit, viktimat mund të ndihen të vetmuar, të turpëruar, të trembur, dhe këto ndjenja mund t’i detyrojnë fëmijët që t’i shkaktojnë dëm vetes”.
Michelle DeLaune, drejtore ekzekutive e Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar, thotë se qendra e saj ka marrë vitin e kaluar mbi 10 mijë raportime rastesh të lidhura me shantazhin seksual.
“E kuptojmë se si viktimat e moshës së re të këtij krimi mund të ndjejnë se nuk kanë zgjidhje tjetër, por ne duam t’ua bëjmë të ditur se ata nuk janë vetëm”, u shpreh zonja DeLaune në një deklaratë, ku i bën thirrje prindërve që të flasin me fëmijët e tyre./VOA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
SHBA
Festë për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e SHBA-së Ambasada e Kosovës në SHBA hap dyert për festimin e 18-vjetorit të Pavarësisë... -
Nju-Jork
Anila Aliu nderohet me mirënjohje zyrtare nga Asambleja e Shtetit të Nju-Jorkut -
Hanover
Hannover Airport dhe ADAC korrigjojnë emërtimin e vendbanimeve të Kosovës -
Ansambli “Arbëresha” festoi 22 vjetorin e themelimit -
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit
Jeta në Austri
-
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur Dy burra u arrestuan pafajësisht, një vjedhje me thyerje u sajua. Tani sistemi i drejtësisë po... -
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale












