Kosova

Familja Astrit Deharit e zhgënjyer, kërkon përjashtimin e prokurorit

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, tha se nuk kanë pasur kurrë komunikim të mirë me prokurorin tash e katër vjet.

Thonë se nuk kanë pasur asnjëherë komunikim të mirë me të, andaj po kërkojnë që të përjashtohet nga rasti. Familjarët e aktivistit të Vetëvendosjes nuk po duan më që Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, të merret me rastin e djalit të tyre.

Rasti i Astrit Deharit, nga Prokuroria Themelore në Prizren, ka kaluar në Prokurorisë Speciale nga tetori i viti 2019, përcjell Albinfo.ch.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, tha se nuk kanë pasur kurrë komunikim të mirë me prokurorin tash e katër vjet.

Ajo madje thotë se ekspertizën shtesë për rastin e djalit të saj më parë e patën mediat sesa familjarët.

“Puna e tij na ka detyruar që të bëjmë një kërkesë të tillë. Qe katër vjet duke e pritë as katër fjalë s’i kemi prej tij se si po shkon procesi. Kemi shkuar për të biseduar me të dhe s’na ka thënë asnjë sqarim, nuk na thërret kurrë dhe nuk bisedon kurrë. Ne nuk jemi armiq, jemi njerëz që kërkojmë të zgjidhim rastin që na ka ndodhë” tha ajo.

Ndërsa, babai i Astrit, Avni Dehari tha se procesin e djalit të tij e kanë manipuluar dhe keqpërdorur shumë.

“Për këtë arsye kemi kërkuar ekspert të jashtëm. Duke e pa që çdo gjë po fshihet dhe po keqpërdoret e morëm një hap të tillë. Më 10 prill avokati ynë, e ka marr raportin shtesë, që nuk e mohon konkludimin e raportit të parë.  vetëvrasja. Por ka kërkuar fakte plotësuese që të sqarohet më mirë rasti i vrasjes së Astrit. Në vend që të na e dërgojnë nëse si familje, ia ka dërguar avokatit dhe prokurori ka nxjerr në media duke manipuluar popullin si vetëvrasje”, ka thënë Dehari që është edhe deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e bëri kërkesën në emër të familjes, duke thënë se kjo ka ardhur nga mos veprimi apo veprimi i pamenduar mirë i Prokurorisë Speciale.

“Kërkesë për përjashtimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefiku, i cili është prokuror në hetimin e vrasjes së djalit të tyre, Astrit Dehari. Kjo konferencë ka qenë e nxitur prej mos veprimit apo veprimit të pamenduar mirë të Prokurorisë Speciale kur edhe vetë kanë publikuar dy raste si pjesë e ekspertizës shtesë të ardhur nga Zvicrra në prill të këtij viti”, tha Gashi.

Tutje shtoi se në ekspertizën shtesë faktikisht kanë menduar ta paraqesin krejtësisht ndryshe. “Por dihet se ekspertiza shtesë vetëm ka konfirmuar eksperzitën e vitit 2019 me të cilën është vërtetuar se është eliminuar teoria e vetëvrasjes së Astrit Deharit dhe është konstatuar pjesëmarrja e personave të tretë në vrasjen e tij”, tha Gashi.

Gashi tutje shtoi se në trupin e Astrit Deharit janë konstatu plagë të cilat i ngjajnë goditjes me boks.

“Prokurori nuk deklarohet fare me kërkesë të protokolluar që të ftoj ekspertët. Dëmtimet në kokë janë në pjesën e përparme të kokës afër njëra tjetrës. Këto janë me mjet të topitur. Dhe nëse dikush i sqaron këto plagë të astrit duhet të jetë prokurori. Prokurori e di më mirë se ne se këto plagë askush në botë nuk mund t’ia shkaktojë vetvetes. Dhe nëse prokurori nuk e sqaron se si janë shkaktuar këto. I kemi tri ekspertiza që e vërtetojnë vrasjen e Astritit”, ka thënë Gashi./Albinfo.ch/