CH-Ballkani

Falet namazi i Fitër Bajramit, liderët urojnë për paqe

Pas tridhjetë ditë agjërimi besimtarët myslimanë gjithandej botës festojnë Bajramin

Besimtarët myslimanë u mblodhën mëngjesin e kësaj të martë për faljen e namazit të Fitër Bajramit. Falja e namazit ka nisur në ora 05:36, të cilës i priu Vedat ef. Sahiti-këshilltar i Myftiut të Kosovës, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Hytben e Fitër Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, përcjell albinfo.ch.

“Fjala atdhe-vatan është fjalë që ta donë zemra dhe buron prej saj. Kosovë është fjalë e pa zëvendësuar që është mishëruar me shpirt, zemër dhe mendjen tonë. Të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë, por të punojmë për ditë më të mira të atdheut tonë. Fjalët e mia do të doja të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e Qeveri, të reflektojmë në të mirën dhe për të mirën e atdheut, tu krijohen mundësi të reja për punësim rinisë tonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy, që tek ne të rinjtë tanë të mos fitohet përshtypja se ky vend është i pa perspektivë e fatin e tyre për jetë më të mirë të mendojnë se mund ta gjejnë vetëm duke u larguar nga Kosova por edhe trojet tona tjera shqiptare”, thotë Tërnava.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për solidaritet me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Të dashur bashkëkombës të besimit islam që keni agjëruar këtë muaj të shenjtë. Sonte e përmbyllët me përkushtim dhe devotshmëri muajin e Ramazanit, muaj ky i afrimit dhe mbështetjes tek njëri-tjetri. Me shpresën e një agjërimi të pranueshëm, uroj që të jemi pranë njëri tjetrit me vetëmohim e solidaritet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

P residenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Fitër Bajramit, të cilës i gëzohemi bashkë me më të dashurit tanë. Duke dëshmuar bujarinë tonë, bamirësinë, tolerancën, fisnikërinë dhe çdo vlerë të shoqërisë sonë, duke i forcuar dhe besuar në to, ne e mbështesim njëri-tjetrin, përkujdesemi për njëri-tjetrin dhe bashkërisht, pa dallime, ecim përpara! HTH”.