Lajme

Escobar udhëton sot drejt Serbisë

Mësohet se Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot viziton Serbinë, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përcjell albinfo.ch.

Siç merr vesh REL, Escobar do të vizitojë edhe Kosovën gjatë kësaj jave.

Sipas mediave në Serbi, takimi do të zhvillohet në orën 15:15, në ndërtesën e Sekretariatit të përgjithshëm të presidentit serb. Kurse, pas takimit, siç është paralajmëruar, do të lëshohet një komunikatë për media.

Në Serbi dje përfundoi vizitën dyditore edhe i dërguari evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili në një intervistë për Radio Televizioni Serb, RTS, ka thënë se pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk ka marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, qëllimi i marrëveshjes nuk është që dikush të fitojë apo të humbë, por përkundrazi qëllimi është krijimi i një situate të favorshme dhe hapja e derës evropiane.

Lajçak ka thënë se propozimi franko-gjerman i mishëruar tashmë në një marrëveshje për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan të paktën gojarisht, flet për normalizim, jo për ndonjë lloj kapitullimi.