Lajme

Dy ministra shqiptarë në Qeverinë e Abazoviçit

Qeveria e re e Malit të Zi do t’i ketë 20 ministra, dy prej të cilëve nuk kanë portofol, si dhe katër nënkryetarë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë që zëvendëskryeministrja për Politikë të Jashtme, Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Rajonal dhe ministre për Çështje Evropiane është Jovana Maroviq, zëvendëskryeministre për Sistemin Ekonomik dhe ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të jetë Vladimir Jokoviq.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministër për Sistemin Politik dhe ministër i Politikës së Brendshme dhe Mbrojtjes është Rashko Konjeviq dhe zëvendëskryeministër për Zhvillim Rajonal dhe ministër i Investimeve Kapitale është Ervin Ibrahimoviç.

Ndërkaq, ministër i Drejtësisë është Marko Kovac, ministër i Brendshëm, Filip Axhiq, ministër i Financave është Aleksandar Damjanoviq, ministër i Punëve të Jashtme Ranko Krivokapiq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Goran Gjuroviq, ministër i Sportit dhe Rinisë Vasilije Laloseviq, ministër i Administratës Publike Marash Dukaj, ministri i Punës dhe Mbrojtjes Sociale Admir Adroviq, ministri i Arsimit Miomir Mijo Vojinoviq, ministri i Shëndetësisë Dragoslav Shqekiq dhe ministrja e Kulturës dhe Medias, Masha Vlaoviq.

Ministre e re e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit është Ana Novakovigj Gjuroviq. Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve është Fatmir Gjeka, ministre e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik është Biljana Shqepanoviq dhe ministra pa portofol janë Zoran Milaniq dhe Adrijan Vuksanoviq.

Por kush janë dy ministrat shqiptarë të kabinetit të ri?

Emiri i parë është Fatmir Gjeka, i propozuar si ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, i lindur në Tivar në vitin 1975, i diplomuar për ekonomi, ish-kryetar i Komunës së Ulqinit, deputet shumëvjeçar i Kuvendit të Malit të Zi.

I dyti është Marash Dukaj,  i propozuar si ministër i Administratës Publike, i lindur më 1985 në Tuz, Master i Psikologjisë Shkollore, gazetar dhe profesor, drejtor shumëvjeçar i Drejtorisë në Ministrinë e Arsimit, ish-drejtor i Komunës së Tuzit./News33