Kosova

Doli numri festiv i revistës albinfo.at për Austri

Revista albinfo.at vjen falas si një dhuratë për Vitin e Ri, për të gjithë ju që na lexoni dhe mbështeteni në këtë në rrugëtim të përbashkët

Në prag të ndërrimit të motmoteve, në vlugun e atmosferës festive dhe shkëmbimit të dhuratave me njëri-tjetrin, numri i 9-të me radhë i revistës albinfo.at, edicioni për Austri, tashmë është në duart tuaja.

Edhe ky numër vjen falas si një dhuratë për Vitin e Ri, për të gjithë ju që na lexoni dhe mbështeteni në këtë në rrugëtim të përbashkët.

Redaksia albinfo.at në Austri, në bashkëpunim me redaksinë albinfo.ch në Zvicër kanë sjellë edhe kësaj radhe një numër me tema të larmishme, të cilat kryesisht lidhën me liberalizimin e vizave të Kosovës dhe me shqiptarët në Austri.

Cover: Lukas Mandl

Në ballinën e këtij numri të magazinës albinfo.at, kemi vendosur një nga miqtë austriak të popullit të Kosovës, deputetin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl.

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, në një intervistë ekskluzive për albinfo.at ka folur për liberalizimin e vizave, pengesat dhe pritjet e gjata që kosovarët hasën gjatë këtij rrugëtimi deri në finalizimin e kësaj çështje.

Ai thotë se kosovarët nuk kanë arsye për të festuar liberalizimin e vizave sepse sipas tij, liberalizimi nuk është dhuratë por meritë duke përmbushur shumë reforma dhe plotësuar shumë kritere.

Tutje, Mandl flet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për kandidimin e tij në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të cilat do të mbahen në qershor të vitit 2024.

Në lidhje me liberalizimin e vizave, albinfo.at ka marrë mesazhet e disa personaliteteve dhe politikanëve austriakë të cilët kanë dhënë kontribut të madh ndër vite për këtë proces: Ulrike Lunaçek, Andreas Schieder, Kati Schneeberger, Robert Pichler, Günther Fehlinger kanë uruar qytetarët kosovarë për lirinë e lëvizjes pa viza në Bashkimin Evropian.

“Të blesh shtëpi/banesë në Austri, luks apo nevojë”, është një temë që kemi shtjelluar me profesionistë të kësaj fushe dhe të cilën mund ta gjeni në këtë numër të revistës. Profesionistë të kësaj fushe na tregojnë se a është koha e përshtatshme për të investuar në patundshmëri

Edhe në këtë numër, albinfo.at prezanton bashkatdhetarë të suksesshëm, përmes portreteve dhe intervistave të realizuara me ta.

Po ashtu, shpalosim sukseset kompanive të suksesshme shqiptare në Austri. Arkitekti Dr. Dipl.- Ing. Kushtrim Riza, me zyrën e tij “Dr. RIZA Architekten ZT GmbH”,  është projektues dhe menaxhues i shumë projekteve me renome në Austri.

Një tjetër  personazh i suksesshëm është edhe Floriat Spahijaj. Dy vjet më parë, në moshën 24 vjeçare, djaloshi me prejardhje nga Peja bashkëthemelon kompaninë Revide GmBH në Vjenë. Sot, kjo kompani bën shitblerje të pasurive të paluajtshme që kapin shifra milionëshe.

Përveç tyre, prezantojmë edhe kompaninë “BrüderBau”. Vëllezërit Behadin, Sabajdin dhe Abidin Beluli të cilët dikur kishin migruar si refugjatë në Austri, sot udhëheqin një kompani të suksesshme ndërtimi. Poashtu në këtë numër gjenden edhe gastronomet e njohur, vëllezërit Besnik dhe Elhami Berisha të cilët në albinfo.at vijnë për të dytën herë. Ata tregojnë sukseset e vazhdueshme duke rritur biznesin e tyre nga dy lokacione të “Schnitzelhaus”, në katër lokacione. Këto dhe shumë shkrime të tjera, i gjeni në këtë numër të magazinës sonë.

Duhet theksuar se edhe ky numër i albinfo.at u bë i mundur falë ndihmës së kompanive shqiptare në Austri dhe Kosovë.

Magazina albinfo.at sikurse deri më tani shpërndahet falas dhe mund të gjendet në autobusët e linjës Austri – Kosovë dhe Austri – Maqedoni, në Aeroportin e Prishtinës, në Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë në Austri, si dhe një numër i konsiderueshme i magazinës shpërndahet përmes postës në shumë shoqata, lokale dhe vende të tjera që frekuentohen nga shqiptarët kudo në  Austri.

Albinfo,at është revistë e shqiptarëve, për shqiptarët në Austri.

Andaj, niseni vitin me albinfo,at, sepse është revista e juaj!

Gëzuar Vitin e Ri 2024!