Pianistët kosovarë, të cilët janë pjesë e International Piano Balkan Academy, do të performojnë nën drejtimin e profesorit italian-spanjoll Giuseppe Devastato, duke përfaqësuar Kosovën në një nga hapësirat më të njohura të trashëgimisë muzikore evropiane.
Koncerti do të zhvillohet në Mozarthaus, shtëpinë historike në Vjenë ku ka jetuar kompozitori i famshëm Wolfgang Amadeus Mozart. Kjo ngjarje paraqet një mundësi të rëndësishme për muzikantët e rinj që të shfaqin aftësitë e tyre artistike përpara një publiku ndërkombëtar.
Në mesin e 16 pianistëve që do të përfaqësojnë Kosovën janë Liza Muhaxhiri, Aria Tamniku, Hira Haxhibeqiri, Puhiza Sadiki, Eni Ademi, Ted Berberi, Priam Jusufi, Elisa Fusha, Riola Susuri, Alea Ibrahimi, Berr Guzhda, Luan Molishti, Arbenita Ibrahimi, Dea Berisha, Nina Kqiku dhe Irem Krasniqi, transmeton albinfo.at.
Sipas International Piano Balkan Academy, kjo pjesëmarrje shënon një moment të veçantë, pasi për herë të parë një numër kaq i madh pianistësh të akademisë do të prezantojë Kosovën në këtë hapësirë historike të muzikës klasike.
Akademia është themeluar nga profesori Giuseppe Devastato dhe pianistja Melisa Ibrahimi, me synimin për të zhvilluar edukimin muzikor dhe për të krijuar mundësi të reja për talentet e pianos nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit.
Paraqitja në Vjenë konsiderohet një hap tjetër i rëndësishëm drejt promovimit ndërkombëtar të artistëve të rinj kosovarë, duke dëshmuar potencialin dhe përkushtimin e gjeneratave të reja në fushën e muzikës klasike.
