Sport

Demhasaj e Zhegrova të pavendosur nëse do luajnë për Kosovën apo Shqipërinë

Së fundi, mediat në Shqipëri kanë raportuar se sulmuesi Demhasaj do të ftohet nga përzgjedhësi i kuqezinjve, Panuqi

Talentët nga Kosova, Edon Zhegrova dhe Shkëlqim Demhasaj janë dy futbollistët e radhës që duhet të përcaktohen se për cilën kombëtare do të luajnë.

Zhegrova e pranon se ende është në dilemë pasi nuk ka vendosur se për cilën kombëtare do të luajë. 18-vjeçari, që luan me Genkun në Belgjikë deklaroi se ka marrë ftesë nga ekipi i shpresave i Shqipërisë derisa shtoi se ka biseduar edhe me menaxherin e ekipit U21 të Kosovës, Zgjim Sojevën. Mesfushori tha se për momentin është i fokusuar vetëm në ekip dhe nuk po mendon për kombëtare.

Nga ana tjetër, sulmuesi i Luzernit, Demhasaj, që po shkëlqen këtë edicion në Superligën e Zvicrës, ka mohuar se ka zgjedhur Shqipërinë. Babai i futbollistit, Ahmet Demhasaj ka konfirmuar se deri tani nuk është kontaktuar nga asnjëra Federatë, raporton Kohavisioni. Së fundi, mediat në Shqipëri kanë raportuar se sulmuesi do të ftohet nga përzgjedhësi i kuqezinjve, Panuqi.