Kosova

Dallime të mëdha të çmimeve të karburanteve në Evropë

Tensionet në Lindjen e Mesme dhe politikat fiskale kombëtare po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen dhe ndryshimet e çmimeve të naftës në Evropë.

Ekzistojnë dallime të mëdha në çmimet e karburanteve midis vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa në disa raste çmimet e dizelit janë rritur edhe deri në 30 për qind. Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës. Si pasojë, çmimet e derivateve të naftës janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, kjo rritje nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në disa shtete anëtare, çmimet janë rritur vetëm pak, ndërsa në të tjera shumë më tepër, duke krijuar diferenca të theksuara nga një vend në tjetrin.

Një nga arsyet kryesore për këto dallime janë politikat fiskale kombëtare. Taksat mbi karburantet, përfshirë TVSH-në dhe taksat për emetimet e CO₂, ndryshojnë nga një shtet në tjetrin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët.

Në disa vende, si Gjermania dhe Holanda, çmimet janë ndër më të lartat në Evropë, pjesërisht për shkak të taksave më të larta dhe politikave mjedisore më të rrepta. Ndërkohë, shtete të tjera kanë arritur të mbajnë çmime më të ulëta falë taksave më të ulëta ose ndërhyrjeve të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimeve.

Në përgjithësi, tregu evropian i karburanteve po përballet me një periudhë të paqëndrueshme, ku faktorët globalë dhe politikat kombëtare po ndikojnë në mënyrë të ndryshme, duke krijuar dallime të mëdha të çmimeve mes vendeve të BE-së.

Ndryshe, të mërkurën, Ministria e Tregtisë vendosi shifrën maksimale prej 1.89 euro për litër për shitjen e naftës, ndërsa çmimi i benzinës mbeti i pandryshuar në krahasim me një ditë më parë, në nivelin 1.46 euro për litër./Albinfo.ch