Njohjet që s’i erdhën kurrë: Kush ia mbylli dyert Kosovës?

Në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008, kryeministri i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, premtoi njohje nga 193 shtete, që i binte të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus një.

“Unë konfirmoj përsëri se shteti i Kosovës do të njihet jo nga 100, por nga 193 shtete. Po të krahasohen njohjet e Kosovës me republikat e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, te ne ka ndodhur mrekullia”, tha Thaçi.

Ai i bëri këto komente në një seancë të Kuvendit të Kosovës në mes të korrikut 2008, pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë.

Me gjithë kundërshtimet e Serbisë, vendi, atëkohë, njihej nga 43 shtete të botës, përfshirë SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane.

Dy vjet më vonë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – në përgjigje të kërkesës së Serbisë për opinion – shpalli vlefshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Për autoritetet në Kosovë atëkohë, kjo ishte edhe një shtysë që demokracia më e re në botë të njihej ndërkombëtarisht.

“… sepse, më në fund, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – një institucion i vlerësuar i drejtësisë – konfirmoi se populli i Kosovës bëri gjënë e duhur, duke shpallur pavarësinë e tij më 17 Shkurt 2008”, tha ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, pas vendimit të GJND-së.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën – ende larg shifrës së premtuar prej 193.

Shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021. Kjo njohje ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë. Para saj, shteti i fundit që e njohu, ishte Barbadosi në vitin 2018. Por, intensiteti i njohjeve filloi të binte që nga viti 2015.

Në këtë dhjetëvjeçar, Kosovën e njohën vetëm 9 shtete. Vendi vazhdon të mos njihet nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor – Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe pesë shtete të Bashkimit Evropian – Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë qysh më 10 shkurt, për ta pyetur rreth aktiviteteve të saj lobuese, por nuk mori asnjë përgjigje.

E cituar nga mediat në Prishtinë, tetorin e kaluar, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se “njohjet nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konstelacione të tjera”.

Aidan Hehir, nga Universiteti Westminster në Londër, numëron disa arsye për stagnimin e njohjeve: nën një, shtetet properëndimore tashmë janë shterur dhe shumica prej tyre e kanë njohur Kosovën, dhe nën dy, vendet që janë të rreshtuara me Rusinë dhe Kinën, ose dashamirëse ndaj Serbisë, nuk mund të binden lehtë.

Hehir thotë se edhe lobimi i Kosovës ka qenë i centralizuar.

“Fatkeqësisht, qeveritë e Kosovës që nga viti 2008 kanë qenë shumë, shumë të fiksuara me Shtetet e Bashkuara dhe nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për kultivimin e marrëdhënieve me vende jashtë sferës së ndikimit të SHBA-së. Këtu mendoj sidomos në botën arabe, në Lindjen e Mesme, ku janë disa shtete me shumicë myslimane që nuk e njohin ende Kosovën”, thotë Hehir për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Hehir pranon se ndikim ka pasur edhe fushata e çnjohjeve e Serbisë. Autoritetet në këtë vend thonë se kanë arritur t’i bindin disa vende për të tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana e të tjera, ndonëse autoritetet në Kosovë nuk konfirmojnë ndonjë çnjohje.

Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Hehir, stagnimi i viteve të fundit reflekton, gjithashtu, botën në të cilën jetojmë.

“Fuqia po zhvendoset nga Perëndimi drejt Rusisë dhe Kinës. Këto vende kanë tani më shumë ndikim. Ato u ofrojnë vendeve të vogla ndihmë ushtarake ose financiare, duke i kushtëzuar – ta zëmë – me pesë gjëra, një prej të cilave është anulimi i njohjes së Kosovës”.

“Në vitet 2008/9/10, Shtetet e Bashkuara u kanë thënë të kundërtën shteteve të vogla: ne do t’ju japim para, nëse ju i bëni këto pesë gjëra, përfshirë njohjen e Kosovës. Pra, Kosova goditet fort nga erërat e ndryshimit”, thotë Hehir.

Gëzim Krasniqi nga Universiteti i Edinburgut përmend edhe një fakt tjetër shqetësues për Kosovën. Ai thotë se janë disa shtete brenda BE-së që e kanë njohur vendin relativisht herët, por që sot kanë qëndrim skeptik për pavarësinë e tij.

“Në radhë të parë mendoj për Hungarinë, një shtet që ka pozicion proserb në raport me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është shtet që e ka njohur Kosovën, por nuk është shtet që e përkrah avancimin e Kosovës në sferën ndërkombëtare, për shkak të raporteve të afërta që i ka zhvilluar me shtetin serb”, thotë Krasniqi për Exposenë.

Krasniqi thekson se përtej aspektit numerik të njohjeve, Kosova duhet të kujdeset të ruajë mbështetjen e shteteve me peshë të madhe ndërkombëtare.

Këtu, ai përmend rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, vitin e kaluar, kur i ka pasur numrat, por jo edhe mbështetjen për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.

“Fatkeqësisht, viteve të fundit, kemi parë një ftohje të raporteve të Kosovës me disa prej aleatëve kryesorë të saj. Të gjithë i kemi dëgjuar deklaratat e zyrtarëve qoftë në SHBA, në Gjermani apo në vende të tjera, që thonë se e kanë të pamundur të angazhohen aktivisht për rritjen e numrit të njohjeve apo anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, për shkak se janë të pakënaqur me hapat që i ka bërë Qeveria e Kosovës në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thotë Krasniqi.

Ai thekson se si njohjet, ashtu edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare kalojnë ekskluzivisht përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ky është edhe një kusht që BE-ja i ka vendosur formalisht si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit nëse duan të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

REL-i kontaktoi ministritë e Jashtme në të pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar ndryshimin e pozicionit ndaj Kosovës.

Përgjigje mori vetëm prej Ministrisë së Jashtme sllovake, e cila tha se ky vend nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket “pavarësisë së njëanshme” të Kosovës.

Krasniqi, ligjërues i Nacionalizmit dhe Sociologjisë Politike, thotë se kushdo që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës nuk do të ketë shumë mundësi manovrimi, jashtë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai vëren se në Prishtinë, aktualisht, nuk ka disponim të madh për të bërë koncesione në emër të normalizimit, por, pavarësisht kësaj, thotë se nuk duhet qëndruar në vendnumërim.

“Është me rëndësi që Qeveria e Kosovës t’i intensifikojë raportet me shtetet njohëse ose mossnjohëse, me të cilat ka interesa të përbashkëta, por edhe shkëmbime ekonomike, dhe ta forcojë diplomacinë ekonomike dhe kulturore. Në rrethanat aktuale, besoj se ka shumë hapësirë për thellim të bashkëpunimit pa njohje faktike, edhe pse njohja faktike do të ishte shumë e dëshirueshme për Kosovën”, thotë Krasniqi.

Edhe Hehir, nga Universiteti Westminster, thotë se Qeveria e re e Kosovës – kushdo që e formon atë – do të duhet të aktivizohet më shumë, fillimisht duke e prezantuar Kosovën si zgjidhje për konfliktet në Ballkan.

Edhe ambasadat e Kosovës në vendet perëndimore, sipas tij, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se konkurrojnë me ambasadat e Serbisë dhe të jenë më proaktive.

“Nëse Kosova vazhdon të mos njihet dhe nëse disa e çnjohin atë, një gjë e tillë do t’i trimërojë nacionalistët serbë, do t’i inkurajojë ata që të vazhdojnë të përpiqen t’i rishikojnë kufijtë e ish-Jugosllavisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje”.

“Ju mund të shihni se në dhjetë vjetët e fundit, retorika nga Qeveria e Serbisë dhe retorika nga Qeveria e Republikës Sërpska brenda Bosnjës, është bërë shumë më agresive, shumë më luftarake”, thotë Hehir.

Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por pak prej marrëveshjeve të arritura janë zbatuar.

Kosova thotë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia – e cila gëzon mbështetjen e Rusisë në arenën ndërkombëtare – kundërshton.

Në 17 vjet të pavarësisë, Kosova ka arritur të bëhet pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por ka dështuar në UNESCO, Interpol e Këshill të Evropës.

Në një intervistë dhënë javën e kaluar televizionit shqiptar Top Channel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se në katër vjetët e fundit nuk ka pasur njohje të reja, por ka thënë se ai as që i ka premtuar ato.

E, kur Thaçi i ka premtuar 17 vjet më parë, ai ndoshta nuk ka pritur që peizazhi gjeopolitik të ndryshonte në mënyrë dramatike – si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.

Sot, Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së dhe në grindje me aleatët, për shkak të tensioneve në veri. Bota, ndërkaq, nuk di ku të godasë më parë – nga luftërat në Ukrainë e Lindje të Mesme e deri te rritja shqetësuese e Kinës./REL

Presidenti i Shqipërisë viziton Kosovën

Më datë 17-18 shkurt 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me një delegacion shoqërues.

Policia e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Gjithashtu me rastin e shënimit Ditës së Pavarësisë, aktiviteteve në shesh dhe vizitave të personaliteteve të ndryshme në Republikën e Kosovës, për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj kërkojmë mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kurti në Mbledhjen e Qeverisë: Kosova sot është më e fortë se kurrë

Kryeministri Albin Kurti ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke thënë se Republika sot është më e fortë se asnjëherë më parë.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur me rastin e pavarësisë, Kurti ka thënë se sot janë forcuar institucionet demokratike dhe është normalizuar funksionimi i tyre.

“Nga heronjtë, dëshmorët e martirët që e dhanë jetën e tyre, te invalidët dhe veteranët e UÇK-së, te veprimtarët dhe mbarë qytetarët që qëndruan pa lëkundur përball sfidave që të gjithëve u jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyre. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci, që mundëson të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve. E demokracia nga ana tjetër kërkon institucione të forta. Institucione që mbrojnë sundimin e ligjit, garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe sigurojnë që pushteti iu shërben qytetarëve”, ka thënë ai nga mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës.

SHBA uron për Pavarësinë e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar për Pavarësinë e Kosovës.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehim urimet me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës”, uron SHBA-të, përcjell albinfo.ch.

Tutje thuhet se mbështetja vazhdon për popullin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës.

Ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj, ne nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes njerëzve tanë”, thuhet në urim.

Ambasadori gjerman në Kosovë uron për 17-vjetorin e Pavarësisë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka uruar për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një video, Rohde thekson se Kosova ka bërë përparim në shumë fusha për këto vjet.

“Marrëdhëniet tona bilaterale janë dëshmi e një lidhjeje të fortë mes vendeve tona. Së bashku kemi arritur shumë suksese e do të vazhdojmë akoma”, thotë ambasadori gjerman i cili është në përfundim të mandatit.

Presidenti i Shqipërisë uron për Pavarësinë e Kosovës

Në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Kosovën.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”, ka shkruar Begaj, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës uron 17-vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar 17 vjetorin e Pavarësisë. Ai mori pjesë në ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës.

“Dimri i ftohtë por zemrat e ngrohta, teksa urojmë njëri tjetrin për 17 vjetorin e 17 shkurtit e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si shtet sovran, demokratik me integritet territorial, me progres social me avancim demokratik dhe me rritje shembullore ekonomike”, tha Kurti, përcjell albinfo.ch.

Adresimi i plotë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti:

Adresimi i kryeministrit Kurti ne mbledhjen festive te Qeverise së Kosovës per 17 vjetorin e Pavaresisë

Presidentja e Kosovës uron 17-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 17 vjetorin e Pavarësisë. Ajo mori pjesë në ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës.

Tha se kjo ditë shënon sukseset e Kosovës e njëkohësisht është falënderim për ata që sakrifikuan.

“Urime 17 Shkurti, 17-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët tanë. Është një ditë kur kujtojmë sakrificën shekullore që ka bërë populli ynë, në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur festojmë sukseset që ka arritur republika jonë në këto 17 vjet, duke forcuar sovranitetin dhe shtetësinë. Por, është edhe një ditë kur ju themi faleminderit të gjithë atyre që sakrifikuan”, ka thënë Presidentja Osmani, përcjell albinfo.ch.

Agjenda për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.
Dita nis me mbledhjen qeveritare dhe më pas me ngritjen e flamurit.

Në orën 12:00 do të ketë parakalim të Forcave të Sigurisë së Kosovë dhe Policisë së Kosovës.

Do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë. Homazhe te varri i ish Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, nderime te Monumenti “Heroinat”

Ndërkohë, për herë të parë mbahet edhe konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, amfiteatri i Institutit të Historisë.

Kosova, 17 vjet shtet

Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 Shkurt 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputetë, Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Flamuri shtetëror i Kosovës u shpalos që në ditën e shpalljes së pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Ligjshmëria e pavarësisë për një kohë të gjatë ka qenë temë e diskutueshme, pasi Serbia ka kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar të paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë më 22 korrik 2010.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës, u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Më 18 shkurt 2008, presidenca e Bashkimit Evropian vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit evropian e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin atë.

 

Komisioni i BE-së, i gatshëm t’i jap Kosovës opinion për statusin e vendit kandidat

Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimon Evropian.

Në deklaratën e përbashkët, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dërguar një sinjal që e presim nga dhjetori i vitit 2022, transmeton albinfo.ch.

Sipas tyre, Komisioni Europian është i gatshëm të përgatisë një opinion mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo Këshilli i BE-së ta kërkojë këtë dokument.

Profesori Dritëro Arifi ka deklaruar se mendon që kjo porosi është tregues se Bashkimi Europian e ka kuptuar që politika e neutralitetit është e padobishme dhe e dëmshme.

“Pra në njëfarë mënyre ne e kemi “shitur”  dialogun shumë lirë. Pra vetëm për status kandidat pa njohje të pesë vendeve. Pra njohja e pesë vendeve po vërehet se do të vonojë shumë, kështu që BE e ka gjetur si hapin e ndërmjetëm pranimin e Kosovës si vend kandidat për të lëvizur tutje”, ka deklaruar ai, pëcjell albinfo.ch.

Sipas Arifit, ky qëndrim nuk pasqyron ndonjë ndikim nga Kallas ose emisari Sorensen, por duket se është një dakordim i heshtur nga 27 vendet anëtare të cilat presin që Kosovë të lëvizë nga pozicionet dhe të shpërblehet me përkrahje.

Kushti sipas tij por edhe sipas ish zv. ambasadorit në Gjermani është zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme.

Krahas kësaj, ish-diplomati Blerim Canaj, mendon se përmendja e obligimeve për palët përkrahë mundësisë për statusin e vendit kandidat, figurativisht janë shkopi ose karota.

“Një që është ndër më kryesoret është se Bashkimi Europian nuk dëshiron të importoj probleme dhe konflikte dhe deri në përfundimin e dialogut nuk e besoj që as Kosova e as Serbia e plotësojnë parakushtin kryesor të saj”, ka theksuar Blerim Canaj – ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjemani.

Përkundër optimizmit të natyrshëm, Canaj nuk beson se Kosova do ta ketë fatin edhe për një kohë të fitojë të drejtën e vendit e kandidat e të shkojë në fund të pistës, pra të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Votat, iniciativat dhe referendumet zvicerane – historia e tyre

Zviceranët votojnë rregullisht për një gamë të gjerë propozimesh dhe vendimesh qeveritare.

Që nga viti 1848, përveç zgjedhjeve të përgjithshme, votuesit zviceranë janë thirrur të votojnë për 677 referendume dhe nisma. 48% e këtyre votave u pranuan. Midis 1848 dhe 1900 kishte afërsisht një nga këto vota në vit. Që nga viti 1991, ka pasur afër 10 në vit, transmeton albinfo.ch.

Në përgjithësi, jashtë zgjedhjeve të përgjithshme, në Zvicër ka tre lloje votash: referendume të detyrueshme, referendume fakultative dhe nisma popullore.

Një referendum i detyrueshëm zakonisht kërkohet kur parlamenti dëshiron të modifikojë kushtetutën. Për t’u pranuar këto vota duhet të arrijnë një shumicë të dyfishtë. Një shumicë e dyfishtë arrihet kur shumica e votuesve në të gjithë vendin votojnë në favor të referendumit dhe ajo arrin një shumicë në shumicën e kantoneve. Që nga viti 1848 ka pasur 242 vota të tilla dhe 73% e tyre janë pranuar, transmeton tutje albinfo.ch.

Një referendum fakultativ zhvillohet në përgjigje të një ligji të miratuar nga parlamenti. Kryesisht, ligjet e modifikuara nga parlamenti futen automatikisht. Megjithatë, votat mund të thirren për të parandaluar futjen e tyre. Vota të tilla, të cilat mund të inicohen me mbledhjen e 50,000 nënshkrimeve brenda 100 ditëve, njihen si referendume fakultative. Për t’u pranuar këto vota kërkojnë vetëm një shumicë popullore. Që nga viti 1848 ka pasur 215 të tilla dhe 58% e tyre janë pranuar.

Lloji i tretë i votës, një nismë popullore, fillon jashtë qeverisë. Partitë politike janë zakonisht shumë të përfshira, megjithatë këto vota nuk janë iniciuar nga parlamenti apo Këshilli i Shteteve, dhoma e lartë e Zvicrës. Me qëllim ndryshimin e kushtetutës, nismat popullore kërkojnë që të mblidhen 100,000 nënshkrime brenda 18 muajve. Që nga viti 1848 ka pasur 236 vota të tilla, por vetëm 11% e tyre janë pranuar.

Në përgjigje të nismave popullore, parlamenti dhe Këshilli Federal, ekzekutivi i Zvicrës, mund të paraqesin një kundërpropozim. Këto mund të jenë direkte ose indirekte.

Një kundërpropozim i drejtpërdrejtë është një alternativë ndaj nismës. Nëse organizatorët e iniciativës pranojnë kundërpropozimin, atëherë elektorati voton për pranimin e kundërpropozimit. Nëse nisma nuk tërhiqet, atëherë zgjedhësve u paraqitet si iniciativa ashtu edhe kundërpropozimi. Kjo do të thotë se votuesit hedhin një votë po/jo dhe zgjedhin midis nismës dhe kundërpropozimit nëse vota pranohet.

Kundërpropozimet indirekte janë propozime të bëra nga parlamenti për të modifikuar ligjet si një alternativë ndaj ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga një nismë. Këto hyjnë në fuqi nëse nisma tërhiqet nga organizatorët ose refuzohet nga votuesit dhe askush nuk nis një referendum të suksesshëm kundër kundërpropozimit. Organizatorët e iniciativës mund të pranojnë me kusht kundërpropozime indirekte. Kjo do të thotë se iniciativa u paraqitet votuesve nëse kundërpropozimi refuzohet në referendum.

Këto tre lloje votash mund të thirren në nivel federal, kantonal dhe komunal. Pra, përveç një mesatare prej 10 votash federale në vit, votuesve mund t’u paraqiten referendume dhe iniciativa në nivel kantonal dhe komunal. Për fat të mirë, procesi është i automatizuar dhe i thjeshtë. Formularët e votimit shfaqen automatikisht në kuti postare shumë përpara ditës së votimit dhe formularët janë të thjeshtë për t’u plotësuar dhe postuar.

Shkalla e pjesëmarrjes së votuesve zakonisht varion ndërmjet 40% e 50%. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes që nga futja e të drejtës së votës së grave në një nivel federal në 1971 është 78.7% kur zviceranët u pyetën në vitin 1992 nëse Zvicra duhet të anëtarësohet në BE. 50.3% votuan për të mos u anëtarësuar. Ky votë ndau kombin.

Ukraina refuzon propozimin e SHBA-së për mineralet e rralla

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se i ka udhëzuar ministrat e tij që të mos nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar për t’i dhënë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të tokës të Ukrainës.

Ai ka deklaruar se, dokumenti ishte shumë i fokusuar në interesat e SHBA-së.

Zyrtarë ukrainas kanë deklaruar se propozimi, nuk ofroi ndonjë garanci specifike sigurie në këmbim, përcjell albinfo.ch.

Bëhet e ditur se propozimi u përqëndrua në mënyrën se si SHBA mund të përdorë mineralet e rralla të Ukrainës “si kompensim” për mbështetjen e dhënë tashmë.

 

Turizmi austriak po rimëkëmbet pas pandemisë

Pesë vjet pasi pandemia e Covid solli ndalesë në industrinë e turizmit të Austrisë, udhëtimet jo vetëm që janë rikuperuar, por, në disa raste, kanë tejkaluar nivelet para pandemisë, sipas Institutit Austriak të Kërkimeve Ekonomike (Wifo).

Ndërsa udhëtimet e biznesit nëpër Evropë janë zbehur, Austria ka parë një rritje befasuese.

Në kulmin e pandemisë, ekzistonte frika se “të gjitha bizneset do të kalonin poshtë” ose se “njerëzit do të udhëtonin më pak edhe pas pandemisë”, thotë Oliver Fritz, një ekspert i turizmit në Wifo. Në vend të kësaj, kërkesa është ringjallur ndjeshëm, me sektorin e turizmit të Austrisë që rezulton “mjaft elastik”.

Ndërhyrja e qeverisë luajti një rol kyç. Nga prilli 2020, autoritetet dhanë ndihmë të konsiderueshme financiare, duke parandaluar mbylljet e përhapura, shkruan theinternational. Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se të gjitha paratë janë shpenzuar mirë.

“Mbështetja ishte padyshim bujare – kritikat se kishte mbisubvencionim nuk është krejtësisht e pajustifikuar,” thotë Fritz. “Ne shpëtuam shumë biznese, duke përfshirë disa që mund të kishin falimentuar gjithsesi në vitet e ardhshme dhe të tjera që do të kishin mbijetuar pa ndihmë.”

Ai vëren se, në disa raste, pasqyrat financiare të hoteleve dukeshin më mirë gjatë pandemisë sesa tani.

A shkoi shumë larg mbështetja e qeverisë?

Urgjenca e krizës nënkuptonte që ndihma financiare duhej të shpërndahej shpejt, duke e bërë të vështirë synimin vetëm për ata që kishin nevojë të vërtetë.

“Fondet duhej të paguheshin shumë shpejt – është jashtëzakonisht e vështirë të jesh i saktë në raste të tilla”, thotë Fritz. Në pamje të pasme, ai beson se Austria mund të kishte frenuar mbështetjen më shpejt. “Shumë mbi-subvencione ndodhën përmes zëvendësimit të qarkullimit, i cili më pas u ndërpre në janar 2021”.

Austria dallon nga pjesa tjetër e BE-së

Pavarësisht pandemisë dhe erërave të mëvonshme ekonomike, industria e udhëtimeve në Austri është rimëkëmbur me një ritëm që nuk shihet në shumicën e vendeve të tjera evropiane.

“Kemi vënë re se Statistik Austria raportoi një rikuperim të jashtëzakonshëm në udhëtime për vitin 2023, madje edhe për vitin 2022. Ky duket të jetë një fenomen unik austriak – nuk reflektohet në shumicën e vendeve të tjera evropiane,” thotë Fritz.

Udhëtimet për pushime nëpër BE sapo po kthehen në nivelet e vitit 2019, por njerëzit nga Austria tashmë po udhëtojnë më shumë se përpara pandemisë, shkruan albinfo.at.

Pandemia përshpejtoi ndërrimet ekzistuese

Ndërsa Covid transformoi shumë aspekte të jetës së përditshme, Fritz argumenton se ai kryesisht përshpejtoi tendencat që tashmë ishin në lëvizje.

“Pandemia nuk ishte arsyeja që takimet në internet u bënë të njohura, por ajo i dha një shtysë një zhvillimi që tashmë ishte duke u zhvilluar,” shpjegon ai. E njëjta gjë vlen edhe për qiratë e pushimeve, të cilat panë një rritje gjatë bllokimeve pasi njerëzit kërkuan izolim.

Presionet ekonomike tani po shtojnë një shtresë tjetër kompleksiteti.

“Ne kemi pasur inflacion, luftë dhe tani jemi në një recesion,” thotë Fritz. “Shumë kanë ndodhur menjëherë, të gjitha këto ka të ngjarë të kenë një ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si njerëzit udhëtojnë.”

Megjithatë, pavarësisht kostove në rritje, njerëzit hezitojnë të heqin dorë nga pushimet e tyre krejtësisht. “Njerëzit ende duan të udhëtojnë – por ata mund të jenë më të kujdesshëm për sa shpenzojnë,” thotë ai.

Tabelat e reja me ndryshime në autostradën Shkup-Tetovë, largohet gjuha shqipe

Tabelat e reja në autostradën Shkup-Tetovë janë vendosur në tre gjuhë, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, teksa gjuha shqipe është hequr, ndryshe nga tabelat e kaluara.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nuk ka dhënë sqarim se pse gjuha shqipe nuk figuron, raporton TCH.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar ashpër ndërrimin e tabelave të komunikacionit në autostradën Shkup – Tetovë.

“Ky ndryshim është një goditje e rëndë ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në RMV dhe shkelje flagrante e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo përpjekje e rrezikshme dhe e ulët për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe kjo tendencë për mohimin e gjuhës shqipe është një vendim në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Marrëveshjen e Ohrit, ligjet dhe vlerat e demokracisë dhe barazisë, të cilat janë themelore për paqen dhe stabilitetin në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) konsideron që paaftësia e humbësve të zgjedhjeve dhe shërbëtorëve të VMRO-së nga radhët e VLEN po i kthen shqiptarët në vitet ‘90 në aspektin e të drejtave kombëtare dhe barazisë. BDI do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim, transmeton albinfo.ch

Presidenti francez uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten Vjosa Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Macron, transmeton albinfo.ch.

Tutje, përmes urimit, Macron shprehi gatishmërinë që të dy vendet të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.

“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë. Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Zviceranët po shpenzojnë sërish më shumë

Zviceranët po shpenzojnë sërish më shumë: në janar, treguesi i konsumit i llogaritur nga PostFinance bazuar në pagesat me karta të klientëve të saj u rrit me 1.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Në një shënim, kompania specifikon se kërkesa e brendshme vazhdon trendin pozitiv të parë në fund të vitit dhe mbështet zhvillimin makroekonomik, i cili ndikohet nga dobësia e produkteve të eksportit, transmeton albinfo.ch.

Sipas analizës së PostFinance, shpenzimet për konsumin e përditshëm ishin të ngjashme me ato të fundit të vitit të kaluar në fillim të këtij viti. Zërat si librat dhe gazetat shënuan një rritje të lehtë, ndërsa shpenzimet për makina u ulën. Në sektorin e bukurisë dhe mirëqenies, shpenzimet për veshje mbetën në një nivel relativisht të ulët. Në të kundërt, shpenzimet për trajtimet shëndetësore u rritën paksa gjatë gjashtë muajve të fundit. Shpenzimet për kohën e lirë dhe rekreacionin mbetën kryesisht të qëndrueshme në janar. Rënia e ndjeshme e vizitave në restorante u kompensua pjesërisht nga një rritje e lehtë e shpenzimeve për kompjuterë dhe mallra elektronike.

Pas arritjes së një rekord të ri në dhjetor 2024, shpenzimet e udhëtimeve u stabilizuan sërish në një nivel më të moderuar në janar 2025. Rënia ishte e dukshme në të gjitha nënkategoritë, si qëndrimet në hotele dhe rezervimet e makinave me qira. PostFinance vlerëson në mënyrë anonime transaksionet e pagesave të 2.4 milionë klientëve të saj çdo muaj. Treguesi i konsumit i llogaritur në këtë mënyrë tregon ndryshimin e shpenzimeve konsumatore në bazë vjetore, të përshtatura për efektet e ditëve të ndryshme të shitjeve dhe festave.