Kori “Lulëkuqet“ nga Berna dhuroi emocione në festën e Pavarësisë së Kosovës

Si çdoherë, revista Albinfo.ch, bashkë me platformën e saj online është përçuese e vlerave kombëtare dhe kulturore nga diaspora shqiptare në Zvicër. Kësaj radhe, vëmendje i është kushtuar pikërisht korit të nënave shqiptare  “Lulëkuqet“.

Pavarësisht se jetojnë në një shtet tjetër, gratë shqiptare nga Zvicra kultivojnë atdhedashuri dhe përçojnë vlera burimore të shquara.

Kori “Lulëkuqet“ është i përbërë nga nënat shqiptare dhe është tregues i atdhedashurisë për vendin e tyre të lindjes. 

Ato për vite me radhë përmes këtij kori ruajnë vlera kulturore e kombëtare, si promovuese të kulturës së mirëfilltë shqiptare përmes këngës në Zvicër.

Duke qenë se jemi në prag të 17 vjetorti të Pavarësisë së Kosovës, kori “Lulëkuqet“ nga Berni janë duke organizuar një program festiv për të gjithë shqiptarët.

Vlen të theksohet se kori i grave “Lulëkuqet”, është themeluar më 10 qershor të vitit 2018 pikërisht në Bern, në kuadër të shkollës shqipe në Ostermundigen, si “Kori i Nënave“ të nxënëseve të shkollës shqipe, që ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e këngëve të vjetra qytetare nga të gjitha trojet shqiptare.

Duke parë interesimin që kishin gratë, anëtaret e këtij kori u japin mundësinë edhe tani, të gjitha nënave, grave dhe vajzave, nga të gjitha trojet shqiptare, që të bëhen pjesë e korit “Lulëkuqet”. /Albinfo.ch

Austria uron Kosovën me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë

Mes shumë urimeve, edhe presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, e ka uruar presidenten Vjosa Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë, përcjell albinfo.at.

Presidenca ka njoftuar se në mesazhin e tij, presidenti austriak ka folur mbi lidhjet e forta mes dy vendeve.

“Në mesazhin e tij, Presidenti Van der Bellen ka theksuar lidhjet e forta që bashkojnë Austrinë dhe Kosovën, duke vënë në dukje se të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta evropiane dhe qëndrime të ngjashme mbi shumë çështje”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Va nder Bellen ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën dhe ka siguruar se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej në rrugën evropiane të Kosovës.

SHBA-ja e Rusia pajtohen për 4 parime

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë pajtuar mbi katër parime, ka njoftuar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Pikat e dakorduara, sipas Rubios:

“Për të rivendosur funksionalitetin e misioneve tona përkatëse në Washington dhe në Moskë. Që ne të mund të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, duhet të kemi objekte diplomatike që operojnë dhe funksionojnë normalisht.

Ne do të caktojmë ekip të nivelit të lartë që të ndihmojë në negociata dhe punën për përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë që të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e angazhuara.

Të nisim diskutimet dhe të mendojmë e shqyrtojmë bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik, që mund të rezultojë nga fundi i konfliktit në Ukrainë.

Ne të pestë që ishim sot këtu… do të mbesim të angazhuar në këtë proces për t’u siguruar që po ecën përpara në mënyrë produktive”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë diskutuar për luftën në Ukrainë, në një takim të organizuar në Arabinë Saudite të martën, e në të cilin nuk mori pjesë Ukraina. Detajet se si shkoi takimi dhe deklaratat pas tij, mund t’i lexoni këtu

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se në takimin e parë me Shtetet e Bashkuara për çështjen e luftës në Ukrainë janë dakorduar “që sa më shpejt që të jetë e mundur” palët t’i kthejnë ambasadorët në dy vende dhe t’i heqin barrierat.

Siç ka raportuar TheGuardian, Lavrov ka thënë se pala amerikane e kupton pozicionin rus.

“Kam çdo arsye të besoj se pala amerikane e kupton pozicionin tonë”, ka thënë ai.

Sipas ministrit të jashtëm, Rusia do të presë konfirmimin e përfaqësuesit të saj për bisedime.

Ai e konsideron “plotësisht të papranueshëm” vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë.

“Ne vumë re se presidenti Trump ishte i pari nga udhëheqësit perëndimorë që tha se zvarritja e Ukrainës në NATO ishte një nga arsyet kryesore pas asaj që po ndodh, një nga gabimet më të mëdha të Bidenit. Nëse Trump do të ishte president, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Presidenti Putin theksoi më shumë se një herë se zgjerimi i NATO-s dhe ‘thithja’ e Ukrainës nga NATO-JA ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Federatën Ruse dhe sovranitetin tonë. Dhe ne shpjeguam sot se çdo paraqitje e forcave të armatosura nga vendet e NATO-s nën ndonjë flamur, nën flamurin evropian ose nën flamuj, nuk ndryshon asgjë…Sigurisht që është krejtësisht e papranueshme”, ka deklaruar Lavrov.

Zvicër: Nënshkruhen 27 mijë kontrata për punë praktike, por ka ende vende të lira

Në Zvicrën gjermanisht-folëse, shkruan Sekretariati Shtetëror për Arsimin (SERI), ndarja e vendeve të praktikës është tashmë në një fazë të avancuar, ndërsa në Zvicrën romantike dhe italisht-folëse procesi i rekrutimit fillon më vonë.

Ka ende vende të lira, dhe do të shtohen të tjera në muajt në vijim, për ata që duan të fillojnë një praktikë: sipas Sekretariatit Shtetëror për Arsimin (SERI), deri në fund të janarit janë nënshkruar mbi 27,000 kontrata praktike nga 29,000 që aktualisht janë të listuara në faqen e internetit orientamento.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve fillestare nga kantonet, shkruan SERI, gjendja për vendet e trajnimit për praktikë është e qëndrueshme për fillimin e vitit. Siç është tradicionale, në Zvicrën gjermanisht-folëse ndarja e vendeve tashmë është avancuar mirë, ndërsa në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe italisht-folëse procesi i rekrutimit fillon më vonë, transmeton tutje albinfo.ch.

Për të bërë zgjedhjen e duhur të profesionit dhe për të gjetur një pozicion të përshtatshëm, SERI rekomandon kontaktimin në kohë të një shërbimi të orientimit profesional, universitet dhe karrierë. Këshillohet gjithashtu që të fitoni një përshtypje fillestare për botën e punës duke marrë pjesë në ngjarje informacioni në kompani, në panaire karriere ose duke kryer një praktikë orientuese. Një përmbledhje e ngjarjeve është e disponueshme në swiss-skills.ch, në orientamento.ch ose në faqet e internetit të sektorëve të ndryshëm profesional.

 

Tina Abdulla ftohet nga përfaqësuesja më e mirë e hendbollit në botë

Më 15 dhjetor Norvegjia e fitoi titullin e kampionit të Evropës në hendboll. Hendbollistet e Norvegjisë në finalen e zhvilluar në Vjenë fituan bindshëm 31:23 ndaj Danimarkës.

Norvegjia ka fituar tre titujt e fundit të Evropës, ndërsa ka fituar dhjetë prej 16 kampionateve kontinentale të zhvilluara deri më tani. Norvegjia është po ashtu kampione olimpike në fuqi.

Rrjedhimisht është përfaqësuesja më e mirë në botë në hendboll. 

Dhe për përfaqësuesen më të mirë në botë do të paraqitet edhe një hendbolliste me prejardhje shqiptare. Bëhet fjalë për lojtaren e krahut, Tina Abdulla. 

27-vjeçarja luan për skuadrën elitare të Norvegjisë, Storhamar. Për Norvegjinë ka luajtur një ndeshje, më 22 korrik të vitit 2023, dhe tani është ftuar sërish. Pritet të luajë edhe ndeshje të tjera.

“Jam e lindur në Shkup dhe kam jetuar atje deri në moshën trevjeçare. Më pas jemi vendosur në Norvegji. Familja ime është nga Maqedonia e Veriut, por është shqiptare”, ka thënë Abdulla më herët për KOHËN.

Abdulla më herët ka luajtur për Norvegjinë U19. Karrierë ka bërë te Vikingu e Tertnesi në Norvegji, kurse prej vitit 2020 deri në vitin 2022 ishte te Borussia Dortmundi në Gjermani. Prej atëherë është te skuadra Storhamar, që luan në Ligën e Kampionëve dhe fitoi Kupën e Norvegjisë në fund të dhjetorit.

Edicionin e ardhshëm do të paraqitet për Odensen në Danimarkë.

Selektori i ri i Norvegjisë, Ole Gustav Gjekstad, ka liruar nga grumbullimi i marsit shumicën e lojtareve që kanë fituar medaljen e artë në Evropian. Ai ka ftuar kryesisht lojtare që kanë luajtur pak për Norvegjinë në të kaluarën dhe po ashtu tri debutuese. 

“Skuadra përfshin shumë lojtare që nuk kanë shumë përvojë në ekipin nacional, por që janë paraqitur mirë për klubet e tyre në këtë edicion”, ka thënë Gjekstad.

Prej 3 deri më 10 mars përfaqësuesja e Norvegjisë mblidhet në Holandë. Norvegjia luan me Danimarkën, Poloninë dhe Holandën në kuadër të një turneu ndërkombëtar.

Norvegjezet kanë edhe tri medalje të arta olimpike dhe katër medalje të arta botërore.

Një opsion i ri funerali mund të autorizohet në Cyrih

Në Zvicër, aktualisht nuk ka mundësi të tjera përveç varrimit tradicional ose djegies, përcjell albinfo.ch.

Por një opsion i ri funerali mund të shohë dritën e ditës në Cyrih – kompostimi i të vdekurve ose përfundimi.

Pas një mocioni për këtë të paraqitur nga një qytetar, parlamenti kantonal e miratoi atë me shumicë votash.

Madje, një deputet shkoi aq larg sa tha se ky opsion do të ishte shumë më i këndshëm sesa “të gjendeshit dy metra nën tokë në një arkivol të ftohtë dhe të lagësht”.

Megjithatë, të djathtët dhe grupet fetare e kundërshtojnë këtë veprim, duke argumentuar se kompostimi njerëzor “minon dinjitetin e të vdekurve. Dhe çfarë të bëjmë me produktin përfundimtar?”

Autostradat e Zvicrës në prag të shtimit të korsive të reja të emergjencës

Këshilli Federal dëshiron të përshtatë ligjin, në mënyrë që korsitë ekzistuese të emergjencës në autostrada të mund të përdoren për të lehtësuar pengesat.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi referendumi që kërkon të zgjerojë rrjetin e autostradave të Zvicrës duke shtuar më shumë korsi u refuzua në votime në nëntor 2024.

Qëllimi i Këshillit Federal është të shtojë korsitë e emergjencës kudo që është e nevojshme dhe ku terreni i përshtatet. Kjo metodë ofron disa avantazhe, thonë përkrahësit: është dukshëm më pak e shtrenjtë se një zhvillim i plotë në një pistë standarde dhe nuk kërkon punë të mëdha apo hapësirë shtesë.

Në shtrirjet e autostradave zvicerane ku ky sistem tashmë është vendosur, qarkullimi i trafikut është përmirësuar dhe ka 25 për qind më pak aksidente gjithashtu.

Aktualisht, disa projekte të tilla janë duke u studiuar nga Zyra Federale e Rrugëve në kantonin Vaud, veçanërisht midis Vevey dhe Montreux.

Jehon kënga e vallja shqipe në Londër

Sot, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, festuam 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një program të bukur dhe emocionues nga fëmijët e shkollës Shpresa Program, përcjell albinfo.ch.

Zv. shefi i misionit, Vlorat Gashi mirëpriti të pranishmit dhe mbajti një fjalë rasti për të shënuar këtë ditë të veçantë. Ishte një festë e mrekullueshme, ku fëmijët recituan dhe i kënduan Pavarësisë së Kosovës, duke e bërë këtë përvjetor edhe më të paharrueshëm.

Me një ceremoni madhështore të mbajtur në ambientet e shkollës “Ardhmëria Westminster, St. Augustine’s”, komuniteti shqiptar në Londër festoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky organizim, i udhëhequr nga një staf profesionistësh në bashkëpunim me të gjitha shkollat e Ardhmërisë dhe këshillin pedagogjik, mblodhi së bashku personalitete të rëndësishme nga Shqipëria, Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në mesin e të ftuarve nderi ishin Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Sh.T. Z. Uran Ferizi, Deputeti i Parlamentit Shqiptar dhe Kryetar i Bordit të Ardhmërisë, Z. Lavdrim Krashi, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve britanike, përfshirë Kryebashkiakun e Westminsterit, Këshilltarin Robert Rigby, dhe Kryetarin e Bashkisë Brent, Këshilltarin Tariq Dar.

Kryetari i Shoqatës Ardhmëria, z. Lutfi Vata, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe uroi popullin e Kosovës me rastin e kësaj dite të shënuar.

Koncerti festiv: Një shfaqje mbresëlënëse e trashëgimisë shqiptare

Programi artistik nisi me një sfilatë unike të nxënësve të shkollave shqipe “Ardhmëria”, të cilët parakaluan me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, një iniciativë e parë e këtij lloji në Mbretërinë e Bashkuar. Atmosfera u elektrizua me interpretimin e këngës “Mora fjalë” dhe kërcimin energjik “Xhamadani vija-vija”, për t’i lënë vendin poezive dhe këngëve të tjera kushtuar Kosovës, të realizuara me pasion nga nxënësit.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Moj e bukura More” nga Stina Gerbeshi, ndërsa kulmi i programit erdhi me vallen e Tropojës, një simbol krenarie i trashëgimisë kulturore shqiptare të mbrojtur nga UNESCO.

Pjesa e dytë: Muzikë e lartë cilësie dhe interpretim artistik

Në vijim, publiku u magjeps nga interpretimet e dy artisteve të kalibrit ndërkombëtar, pianistes Mariela Cingo dhe solistes Sofia Kola, të cilat sollën një repertor të përzgjedhur, mes të cilave spikati kënga ikonike “Baresha” e Nexhmije Pagarushës.

Aktori i njohur Sokol Cahani përshëndeti të pranishmit me një interpretim poetik, ndërsa programi u moderua në mënyrë të shkëlqyer nga Ilira Mucaj, e cila, megjithëse e lindur dhe rritur në Kanada, dëshmoi një zotërim të përkryer të gjuhës shqipe.

Ky aktivitet i jashtëzakonshëm tregoi edhe një herë përkushtimin e komunitetit shqiptar në Londër për të ruajtur dhe promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, duke e përcjellë atë te brezat e rinj me krenari dhe dashuri.

Leje G për 2200 euro: Mashtruesit synojnë kandidatë për punë në Zvicër nga Franca

Sipas një raporti të transmetuesit publik RTS të hënën, shumë shtetas francezë që po kërkojnë pa sukses punësim në Zvicër si udhëtarë ndërkufitarë, mashtrohen nga ‘ndikuesit’ e mediave sociale të cilët premtojnë ndihmën e tyre për marrjen e lejeve dhe gjetjen e punëve me pagesë të lartë në Gjenevë.

Mashtruesit arrijnë deri aty sa të premtojnë se do të japin një leje G (të nevojshme për punësim ndërkufitar) për 2200 euro, kur normalisht kushton 80 franga.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) i tha RTS se ishte në dijeni të mashtrimit që synon punëtorët evropianë ndërkufitarë.

“Shitja e një leje qëndrimi ose një leje kufitare është padyshim krejtësisht e paligjshme,” tha zëdhënësi i SEM. “Është fakti i gjetjes së një pune në Zvicër që të lejon në bazë të kontratës së punës të marrësh leje kufitare dhe jo e kundërta siç sugjerojnë mashtruesit”.

Ndërpritet seanca në Gjykatën Speciale në Hagë për shkak të problemeve shëndetësore të Hashim Thaçit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën Speciale, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën e së martës për shkak të problemeve shëndetësore, përcjell albinfo.ch. 

Avokati i tij, Luka Misetiq, ka deklaruar se është njoftuar nga sekretari se klienti i tij nuk është mirë me shëndet.

“Sekretarja më njoftoi se klienti nuk ndihej mirë dhe nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme. Nuk jam konsultuar fare me klientin lidhur me këtë. Mendova se ishte zgjidhur prej jush”, tha Misetiq.

Edhe gjyqtari Charles Smith ka thënë se i vetmi komunikim që kanë pasur ka qenë lidhur me gjendjen shëndetësore.

“I vetmi komunikim ishte se nuk ka qenë mirë me shëndet dhe duhej të fliste me një mjek”, tha Smith.

Seanca e së martës po vazhdon, pasi avokati njoftoi se Thaçi ka dhënë leje për të vijuar.

“Më thanë se Thaçi dhe mjeku kanë nënshkruar dokumentin për ta vazhduar gjykimin”, njoftoi Misetiq.

Aktualisht, seanca në Speciale po mbahet me dyer të mbyllura.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim prej vitit 2020.

Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje, torturë e trajtim mizor në periudhën mes viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

KQZ: Ende vazhdon numërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 Qendra Komunale të numërimit.

KQZ ka bërë me dije se sipas të dhënave të fundit deri më 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve, ose gjithsej 1,855 nga 2,533, në kuadër të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

KQZ thotë se vazhdon të sigurojë transparencë dhe korrektësi gjatë procesit të numërimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

Kosovari punëson ilegalisht gjashtë persona nga Shqipëria dhe Kosova

Të enjten në mbrëmje (13 shkurt 2025), në orën 23:00, Policia Kantonale  e St.Gallenit ka realizuar një kontroll në një klub në Sägengasse në lokalitetin Sennwald, transmeton albinfo.ch lajmin e publikuar të hënën ngamdiat zvicerane.

Me atë rast policia ka konstatuar se drejtori menaxhues i lokalit, një 30-vjeçar kosovar dyshohet se ka punësuar katër punonjës dhe dy muzikantë nga jashtë vendit, pa lejet e duhura të punës .

Si drejtori menaxhues ashtu edhe gjashtë punonjësit nga Shqipëria dhe Kosova do të raportohen në prokurorinë publike në kantonin e St.Gallenit, shkruan polizeinews.ch

Zyra e migracionit do të shqyrtojë masat sipas ligjit të imigracionit.

Diskutimet SHBA-Rusi për Ukrainën, pa Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po diskutojnë për luftën në Ukrainë, në një takim të organizuar në Arabinë Saudite të martën, e në të cilin nuk po merr pjesë vetë Ukraina.

Bisedimet në Riad, zgjaten gati tri orë.

Lajmi në përditësim

Pas përfundimit të bisedimeve në Riad, zyrtarë të delegacionit rus kanë komentuar se çka ka ndodhur deri tash.

“Dialog shumë pozitiv e konstruktiv ka nisur. Për dallim nga administrata Biden, që kurrë s’u përpoq të dëgjojë pozicionin e Rusisë, kjo ishte përpjekje shumë e qartë për të nisur dialogun, për të kuptuar pozicionin e Rusisë dhe për të diskutuar gjërat për të cilat pajtohemi”, ka thënë Kirill Dmitriev, shef i fondit sovran rus, për “TV Channel One” në Rusi.

“Ka shumë pika në të cilat pajtohemi… Duhet ta njohim më mirë njëri-tjetrin… E kuptojmë njëri-tjetrin më shumë tani”, ka thënë ai.

Ndërkohë, këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, ka thënë se bisedimet ishin “Jo keq, jo keq…”

“Është e vështirë të thuhet se Rusia dhe SHBA-ja po afrohen, por ajo që diskutuam ishte shumë serioze mbi të gjitha çështjet që donim t’i preknim. Jemi pajtuar të marrim parasysh edhe interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Washingtoni janë të interesuara në këtë”, ka thënë Ushakov, transmeton BBC.

 

Bislimi thotë se faqja e KQZ-së u sulmua, e cilëson si kërcënim të sigurisë evropiane

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar para takimit në Varshavë të Polonisë se Kosova është përballur me kërcënime të sigurisë në procesin zgjedhor, përcjell albinfo.ch.

Ai ka deklaruar të martën para takimit me zyrtarët e Bashkimit Evropian se ekziston shpërndarje intensive të informacioneve të rreme, derisa shtoi se bashkëpunimi është kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë.

“Ne patëm zgjedhje në Kosovë javën e kaluar dhe e përjetuam drejtpërdrejt këtë formë të kërcënimeve të sigurisë, për sa i përket sulmeve në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe një frekuencë shumë të sofistikuar dhe intensive të shpërndarjes dhe prodhimit të informacioneve të rreme, shumë të sofistikuar për sa i përket çështjeve dhe kohës së përzgjedhur”, ka thënë Bislimi para takimit në nivel ministrash për çështje evropiane, takim i organizuar nga Presidenca e Polonisë së Këshillit të BE-së.

Bislimi ka shtuar se kërcënimet e tilla janë e përbashkëta e vendeve të BE-së.

Prindërit zviceranë nuk janë shumë autoritarë

Prindërit zviceranë janë më pak autoritarë se mesatarja globale. Këtë e tregojnë rezultatet paraprake të një studimi global të kryer nga Universiteti i Cyrihut (UZH). Për “World Parenting Survey”, Ulf Zölitz dhe ekipi i tij analizuan dhe krahasuan stilet e prindërimit të rreth 48,000 prindërve në 42 vende, tha universiteti në një deklaratë për shtyp. Studimi ende nuk është publikuar. Të vetmet vende me prindër që janë më pak autoritarë se zviceranët janë Republika Çeke, Sllovakia dhe Holanda, tha Zölitz për Keystone-SDA, transmeton albinfo.ch.

Studiuesit kanë dalluar tre stile prindërimi: lejues, autoritar dhe autoritar. Prindërit lejues kanë vështirësi në disiplinimin e fëmijëve të tyre. Prindërimi autoritar bazohet në një vizion më diktatorial, ndërsa prindërimi autoritar është një rrugë e mesme: idetë e fëmijëve respektohen, por vendosen kufij të qartë. Të tre stilet, shpjegojnë ekspertët, nuk duhet të kuptohen si ndarje të papërshkueshme nga uji: dikush mund të jetë edhe lejues dhe autoritar. Numri më i madh i prindërve lejues gjendet në Finlandë, ndërsa Zvicra është në mesataren evropiane.

Arsimi është veçanërisht autoritar në Ugandë, Arabinë Saudite, Indonezi dhe Indi, vazhdon UZH. India është vendi ku ndëshkimi trupor praktikohet më shumë, e ndjekur nga vendet në Azinë Juglindore dhe Afrikë. Megjithatë, praktika nuk mungon në Zvicër: 14% e të intervistuarve kanë pranuar se i kanë ndëshkuar rregullisht fizikisht fëmijët. Kjo është një shifër “çuditërisht e lartë”, sipas studiuesve.

“1 në 3 kompani në sektorin e makinerive po mendojnë të largohen nga Zvicra”

Taksa e trashëgimisë e propozuar nga Nisma e Socialistëve të Rinj “Për të Ardhmen” (GISO) kërcënon një në tre kompani në sektorin e makinerive, inxhinierisë elektrike dhe metalurgjisë (MEM) dhe pothuajse një në dy po mendon të largohet nga Zvicra, sipas një sondazhi të anëtarëve të saj nga organizata e industrisë Swissmem, transmeton albinfo.ch.

Amendamenti kushtetues i propozuar që synon të taksojë trashëgiminë mbi 50 milionë me një normë 50%, më pas ndarja e fondeve për mbrojtjen e klimës, do të kishte ndikim në 33% nga 228 kompanitë që morën pjesë në anketë. 58% thonë se nuk janë të interesuar, ndërsa 9% nuk ​​e dinë.

Nëse do të pranohej, nisma do të zbatohej duke filluar nga e diela e votimit dhe jo nga hyrja në fuqi e rregulloreve në zbatim. Në pyetjen “si pronar i një shoqërie apo pronar i shoqërisë që menaxhoni, a keni bërë ndonjë sqarim për një transferim në kohë përpara datës së votimit?”. 43% e 66 personave u përgjigjën po, 36% jo dhe 21% “Nuk e di”.

“Më shumë se 40 për qind e kompanive po shqyrtojnë zhvendosjen. Kjo tregon se sa e madhe është pasiguria,” tha presidenti i Swissmem, Martin Hirzel. “Disa sipërmarrës madje ndihen të tradhtuar: ata kanë ndërtuar një kompani për breza dhe kanë krijuar vende pune. Tani duan t’ua heqin të gjithë këtë.” “Iniciativa godet në zemër bizneset familjare”, këmbëngul sipërmarrësi. “Trashëgimtarët nuk do të kishin likuiditet për të paguar taksat dhe për shumë do të ishte e vështirë të merrnin një kredi bankare”, shton ai. “Pasoja është se kompanitë do të duhej të ndaheshin dhe të shiten, realisht zakonisht jashtë vendit”.

Kuvendi i Shqipërisë miraton ndryshimet për votën e diasporës

PS e PD kanë bashkuar votat duke miratuar ndryshimet e reja në Kod Zgjedhor, për votën e diasporës, përcjell albinfo.ch.

Drafti i ndryshimeve u miratua me 108 vota pro dhe ndryshimet futen në fuqi menjëherë.

Me ndryshimet e fundit u hoqën pengesat, duke i hapur dritën jeshile votimit të diasporës në parlamentaret e 11 Majit.

Opozita u tërhoq nga të ngulmuarit e të votuarit të diasporës edhe me pasaporta jo shqiptare, por do të jetë komisioni rregullator në KQZ, i cili do të shqyrtojë këtë kërkesë të PD.

Ndër ndryshimet më të rëndësishme të Kodit Zgjedhor është se posta për votën e Diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do të paguhet nga shteti.

Në të njëjtën kohë, komisionit qëndror të zgjedhjeve i jepet 10 ditë më shumë kohë për të nisur me poste nëpër botë fletën e votimit dhe lista e kandidatëve për deputetë duhet të jetë gati 60 ditë para zgjedhjeve dhe jo 50 ditë siç ishte më parë.

Po ashtu, numërimi i fletëve të votimit të shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, do të bëhet me komisionerë partiake.

Me 107 vota pro u miratua edhe një vendim që rrit me 20 milionë lekë totalin e fondit që do tu shpërndahet partive politike për zgjedhjet e 11 majit.

“Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021, fondi i alokuar nga Buxheti i Shtetit për fushatat zgjedhore të partive politike ishte 130,000,000 lekë.

Komisioni në vijim të diskutimeve gjatë mbledhjes vendosi që ky Fond të caktohet në vlerën 150,000,000 lekë, ose 20 milion lekë më shumë se vlera dysheme e parashikuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor”, thuhet ne vendimin e miratuar.

Rikujtim, mirënjohje, muzikë dhe art – Kosova shënon Pavarësinë në Bernë

Më 17 shkurt 2025, në një atmosferë solemne, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë organizoi një ngjarje të veçantë për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kjo mbrëmje mblodhi bashkë shqiptarë nga diaspora, artistë, familjarë të dëshmorëve dhe personalitete të rëndësishme, të cilët përmes artit dhe kujtimeve përjetësuan sakrificën dhe ëndrrën e realizuar të një shteti të lirë dhe të pavarur.

Mbrëmja u hap me interpretimin e himnit të Kosovës. Të ftuarit ishin kryesisht familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe aktivistët që kanë kontribuar në rrugën e lirisë së Kosovës.

Ekspozita e artit – një homazh për heronjtë

Eventi u shënua me një ekspozitë të titulluar “Liria erdhi me mua”, një homazh artistik për dëshmorët dhe heronjtë e luftës, realizuar nga artistë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

Një nga momentet më domethënëse të kësaj mbrëmjeje ishte hapja e ekspozitës së artit, ku u prezantuan vepra të shumta që simbolizojnë historinë, sakrificat dhe krenarinë kombëtare.

Ndër veprat më të spikatura ishin:

  • Agim Ramadani – Katana, me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një ikonë e pavdekshme e qëndresës shqiptare.
  • Gursel Sylejmani, me autoportretin e tij, duke mishëruar simbolikën e luftëtarit të palodhur për liri.
  • Sylë Mujaj, me dy portrete të titulluara “Gjergji ynë, apo pasaporta jonë kombëtare”, realizuar në mermer dhe qeramikë.
  • Arsim Berisha, me portretin e Adem Demaçit, “Gandhi i Ballkanit”, dhe një shqiponjë të copëzuar si simbol i tragjedisë kombëtare.
  • Naim Selmonaj, me skulpturën “Liria erdhi me mua” dhe pikturën “Kosova, gur i çmuar në botë”.
  • Marigona Toma me portretet e Skënderbeut dhe Nënë Terezës.
  • Visar Kryeziu, me punimet “Gjergj Kastrioti, Adem Jashari dhe Agim Ramadani”, duke përdorur teknikën “Vija e zezë në fushën e bardhë”.
  • Dorina Ukgjini, me portretin e Skënderbeut dhe një pikturë të veçantë kushtuar nënës, si simbol i dashurisë dhe sakrificës.
  • Pren Berisha, me portretin e Adem Jasharit dhe Bekim Berisha – Abeja, realizuar me mjeshtëri në akril.
  • Vesel Xhaferi, me punimet e tij në polintelizëm, “Vallja jonë shqiptare” dhe “Ura e vashës”, krijuar nga pupla shqiponje me ngjyra unike.
  • Riad Mehmeti, me punimet e tij në dru, duke paraqitur figurat historike të Agim Ramadanit dhe ciklin “Ringjallja”.

Këta artistë dhe shumë të tjerë i kanë sjellë veprat e tyre si një homazh për heronjtë, duke treguar se arti është një formë e fuqishme e kujtimit dhe nderimit të historisë.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës:

Ambasadori Mentor Latifi: “Kemi një ditë historike, një ditë që mbush zemrat tona me krenari dhe dashuri të thellë për atdheun tonë, Kosovën e lirë, Kosovën shtet. Kjo ditë na kujton sakrificat e paimagjinueshme dhe guximin heroik të brezave të kaluar, të cilët dhanë gjithçka për të na mundësuar të jetojmë në një Kosovë të lirë. Tema e kësaj ngjarje është shumë e veçantë, “Liria erdhi me mua”, një homazh për ata që luftuan për lirinë dhe për ata që i dhanë Kosovës fytyrën e saj të pavdekshme përmes artit dhe sakrificës. Ne duhet të jemi mirënjohës dhe të vazhdojmë të ndihmojmë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt prosperitetit. Falënderoj organizatorët, sidomos znj. Shukrije Ramadani, e cila me përkushtimin e saj sjell në vëmendje vetëmohimin e njerëzve tanë. Gjithashtu, falënderoj kolegët nga Ambasada e Shqipërisë, znj. Monika Zguro dhe z. Valon Gashi”.

Pas fjalës së ambasadorit, ekspozitën e hapi zëvendësambasadorja Shukrije Ramadani, e cila nënvizoi rëndësinë e kujtesës historike dhe përkushtimin e vazhdueshëm për të ruajtur dhe mbrojtur lirinë e fituar me gjak dhe sakrificë.

Zëvendësambasadorja Shukrije Ramadani: “Në këtë ditë të veçantë, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nuk mund të gjejmë publik dhe mysafirë më të nderuar se ju. Juve që jetoni me dhimbje dhe plagë për ata që dhanë gjithçka për liri. Ata që ia falën jetën Kosovës për të krijuar të ardhmen tonë të lirë. Ata që fizikisht nuk janë më me ne, por që përjetësisht jetojnë në zemrat tona. Liria nuk është thjesht një fjalë, por një testament i forcës, guximit dhe dashurisë për atdheun. Kjo ditë është një kujtesë se liria duhet të mbrohet dhe të nderohet gjithmonë”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme u ndanë edhe dy mirënjohje për sukseset e arritura nga dy vajza të dëshmorëve: Nertila Konushevci, vajza e Ilir Konushevcit, dhe Kaltrina Sulejmani, vajza e Gursel Sulejmanit, të cilat në një moshë të re kanë arritur të hapin dyert e universiteteve më të mira në botë.

Programi artistik vazhdoi me interpretimin e këngëve “Moj e bukura More” dhe “Xhamadani vija vija” nga kori “Lulëkuqet”, si dhe dy këngë të interpretuara nga këngëtarja Gentiana Tafili. Flautistja Anila Tasholli solli gjithashtu një performancë të veçantë për të pranishmit.

Në përfundim të mbrëmjes, Ambasadori Latifi njoftoi se më 12 mars 2025 do të mbahet një koncert i Filharmonisë së Kosovës në sallën madhështore “Casino Bern”, duke ftuar të gjithë të interesuarit të regjistrohen online për të ndjekur këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor.

 

Mbrëmja festive përfundoi mes duartrokitjeve të ngrohta dhe emocioneve të forta, duke lënë në zemrat e të pranishmëve një ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje për sakrificën që bëri të mundur këtë ditë historike.

Kosova, në këtë përvjetor të rëndësishëm, vazhdon rrugën e ndërtimit, me ndihmën dhe përkushtimin e të gjithë bijve të saj, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatë.

Flamuri i Kosovës valvitet në sheshin e Bashkisë Kitchener

Më datë 17 shkurt  në orën 10:00 u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës pranë Bashkisë Kitchener, transmeton albinfo.ch.

17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua me këngë e valle.

Mes të pranishmëve, ishin edhe disa policë kanadezë nga Waterloo Regional Police Service.

“Ne ishim të nderuar të merrnim pjesë në festën e Ditës së Pavarësisë së Kosovës me @albanian.community.waterloo. Ishte një mbrëmje e bukur për të njohur kulturën e gjallë dhe kontributin e komunitetit shqiptar në të gjithë rajonin”, shkruhet në postimin e Waterloo Regional Police Service.  /Albinfo.ch

 

Stokholm: Atmosferë festive në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ambasada e Kosovës në Stokholm shënoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me një pritje solemne, me pjësëmarrës nga mërgata, diplomatë, shoqata e OJQ dhe miq të  Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja u zhvillua në ambientet e ambasadës në një atmosferë festive dhe të ngrohtë, duke reflektuar rëndësinë e kësaj date historike.

Pjesë e veçantë e programit ishte performanca e duetit “Kandi & Nora”, të cilët sollën interpretime të veçanta të perlave të muzikës shqiptare nga kompozitorët tanë të njohur.

Po ashtu, të pranishmit patën mundësinë të shijojnë ekspozitën “Të lirë” të artistes Leonora Morina, e cila përmes ciklit të saj të pikturave pasqyroi ndjesinë e lirisë dhe identitetit.

Pritja u pasurua edhe me degustimin e verërave të Kosovës dhe ushqimeve tradicionale.

Manchester, festohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Mësohet se komuniteti shqiptar në Manchester kremtoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në këtë ngjarje të veçantë mori pjesë edhe Kryetarja e Komunës së Trafford, znj. Amy Whyte, e cila shprehu mbështetjen e saj për komunitetin shqiptar dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor.

Zv. Shefi i Misionit të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, z. Vlorat Gashi, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke përgëzuar organizatorët për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në kremtimin e kësaj date historike për Kosovën. Ai ishte i shoqëruar nga diplomati z. Ilir Bytyqi.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte inaugurimi i Shoqatës së Shqiptarëve të Manchesterit “Eagle Bee”, një nismë e ndërmarrë nga z. Hamit Bujupi dhe znj. Besarta Shurreci, e cila synon të shërbejë si një qendër mbështetëse dhe lidhëse për shqiptarët e këtij qyteti.

Ky event konfirmoi edhe një herë frymën e bashkimit dhe përkushtimin e diasporës shqiptare për të ruajtur dhe promovuar kulturën dhe identitetin kombëtar. /Albinfo.ch

Festohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës në Uster

Dje, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shoqata Kulturore “Bashkimi” në Uster të Cyrihut organizoi një aktivitet kulturor me të rinjtë shqiptarë, të cilët me performancat e tyre artistike emocionuan publikun e pranishëm, përcjell albinfo.ch. 

Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë Ambasadori i Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Valon Gashi, si dhe shkrimtarë, artistë dhe veprimtarë të shquar të diasporës shqiptare në Zvicër. Gjatë fjalës së tij, z. Gashi përgëzoi organizatorët për këtë aktivitet domethënës që promovon kulturën dhe identitetin shqiptar në diasporë, duke vlerësuar kontributin e të rinjve në ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare. Ai gjithashtu uroi të gjithë të pranishmit dhe mbarë popullin shqiptar Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Postimi:

🇦🇱🇽🇰 𝐔𝐫𝐢𝐦𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯ë 𝟏𝟕-𝐯𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐏𝐚𝐯𝐚𝐫ë𝐬𝐢𝐬ë!

Në këtë ditë të rëndësishme për kombin shqiptar, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë i uron kolegëve, popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë!

Kosova është një histori suksesi e qëndresës dhe përpjekjeve për liri e shtetndërtim. Në këto vite, ajo ka treguar përkushtim për demokracinë, zhvillimin dhe forcimin e institucioneve të saj.

Le të vazhdojmë së bashku për një të ardhme të ndritur për kombin tonë!

#GëzuarPavarësinë 🇽🇰

#ShqipëriKosovë 🇦🇱🤝🇽🇰