Ngjarje tragjike në Gjermani: Shqiptari nga Rahoveci vret gruan

Mësohet se një vrasje ka ndodhur në qytetin Thannhausen, në Gjermani. Një 54-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij. Mësohet se çifti është nga Rahoveci, por jeton në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Mediat gjermane kanë raportuar se, në qytetin Thannhausen të Gjermanisë, paraditen e të mërkurës, një i dyshuar 54-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij 55-vjeçare.

Reporteri ka mësuar se çifti është nga Rahoveci. Inicialet e emrit të të dyshuarit janë B.N., ndërsa të viktimës L.N.

Referuar mediave në Gjermani, të cilat citojnë autoritetet policore atje, pas vrasjes së bashkëshortes, dorasi kishte thirrur me telefon djalin e tij dhe i kishte thënë: “Ta vrava nënën.” Më pas, djali kishte njoftuar policinë, e cila menjëherë, bashkë me ekipet e tjera emergjente, kishte shkuar në vendngjarje.

Gjermania paralajmëron shtetasitë e saj: Hyrja në SHBA nuk është e garantuar

Gjermania ka përditësuar këshillat e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se një vizë amerikane ose leje hyrjeje nuk garanton automatikisht hyrjen për qytetarët gjermanë.

Ndryshimi vjen pasi tre shtetas gjermanë u ndaluan së fundmi gjatë përpjekjes për të hyrë në kufijtë amerikanë.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se autoritetet po i trajtojnë seriozisht këto raste, shkruan albinfo.ch.

Shqipëri – Angli, formacionet e mundshme

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, pritet t’i bëjë disa ndryshime për ndeshjen e sotme (e premte) ndaj Anglisë, përcjell albinfo.ch.

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sot, në udhëtim te Anglia, ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.

Ky takim është paraparë të zhvillohet në stadiumin Wembley, me fillim nga ora 20:45, dhe djelmoshat kuqezi janë gati për këtë përballje.

Megjithatë, përzgjedhësi Sylvinho duket se do të bëjë disa zgjedhje të detyruara, për shkak të lëndimit të disa lojtarëve.

Telegrafi mëson se trajneri brazilian do t’i besojë skemës 4-3-3, ku në portë do të jetë Thomas Strakosha.

Në mbrojtje, Ivan Balliu është i sigurt në të djathtë dhe Berat Gjimshiti në qendër, ndërsa dy vendet tjera pritet të zihen nga Naser Aliji në të majtë dhe Arlind Ajeti, i cili do ta zëvendësojë Ardian Ismajlin, që nuk është 100 për qind i gatshëm.

Marrëveshja Kosovë, Shqipëri, Kroaci, presidentja Osmani: Kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohërat që Serbia pyetet

Para pak ditësh, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar një marrëveshje trilaterale në fushën e mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Kjo kishte ngjallur reagimin e Serbisë, ku presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Bruksel se nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale.

Sot, lidhur me këtë marrëveshje dhe reagimin e Serbisë, është deklaruar edhe e para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo tha se është interesante që historikisht shtetet agresore, siç janë Serbia dhe Rusia, vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima.

“Nëse i shihni deklarimet e tyre qesharake, përkundër faktit që kanë histori sulmesh, pushtimesh, histori të gjenocidit e luftërave, shtetet agresore si Serbia dhe Rusia paraqiten sikur dikush po i sulmojka ata…

Në historinë e popullit tonë, ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar të pushtojmë asnjë centimetër të territorit të dikujt tjetër… Por, në historinë e kombit tonë, shqiptarë dhe Kosova në veçanti, e ka mbrojtur gjithmonë vetveten, pragun e shtëpisë. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial, shtetësinë tonë dhe të kontribuojmë në stabilitetin rajonal,” tha ajo.

E para e shtetit theksoi tutje se marrëveshja trilaterale ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërisht këtë: që t’i ndihmojnë njëra-tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur vetveten dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë, dhe në të njëjtën kohë, bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar se janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe fqinjësisë së mirë.

“Në të drejtën ndërkombëtare, por edhe në praktikën e NATO-s, ka shumë shtete që janë anëtare të NATO-s dhe nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me shtete të tjera,” tha Osmani.

Ajo përmendi shembullin e SHBA-së, që ka marrëveshje me Greqinë dhe shembuj të tjerë.

“…Serbia tani del me propagandë që gjoja është shkelur një marrëveshje e vitit 1966, po kushdo që e lexon atë marrëveshje e vëren një gjë: që Serbia po e bën atë që e ka bërë gjithmonë – po gënjen. Nuk ka asnjë të vërtetë në atë që kanë thënë dhe nuk ka asnjë rrezik për të. Përkundrazi… Ekziston vetëm një burim destabiliteti në rajonin tonë, dhe kjo është Serbia. Për këtë pajtohet i gjithë rajoni…

Por, kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohët kur Serbia pyetej për çkadoqoftë. Ne jemi shtet sovran, i pavarur, vendimet i marrim vetë në përputhje me interesat e Kosovës dhe gjithnjë duke pasur për synim paqen dhe stabilitetin rajonal, që rrezikohet vetëm nga Serbia,” u shpreh e para e shtetit.

Anton Quni nga LDK-ja nuk përjashton koalicionin me LVV-në: Personalisht s’kam vija të kuqe

Anton Quni nga LDK-ja, në një deklaratë, nuk e përjashtoi mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, përcjell albinfo.ch.

“Unë nuk kam personalisht vija të kuqe, përkundër gjitha atyre frustrimeve dhe konfuzioneve që janë shkaktuar. Këto janë çështje që diskutohen në organet më të larta të LDK-së,” tha Quni.

Ai është shprehur se, për t’u arritur një gjë e tillë, duhet të implementohet programi i tyre qeverisës.

“Janë shumë të panjohura të cilat do të mund të diskutohen. Ne e kemi një program politik me të cilin kemi bërë ofertë qytetarëve dhe për të cilin besojmë se Kosovën e nxjerr nga ky qorrsokak. Edhe nëse ne arrijmë, si parti politike, të implementojmë programin tonë qeverisës, atëherë duhet të merren në konsideratë të gjitha opsionet,” shtoi ai.

Ndërkohë, Quni komentoi edhe kërkesën e ndërkombëtarëve për një qeveri stabile, duke thënë se qeverinë e ardhshme e presin procese komplekse.

“Kërkesa e ndërkombëtarëve është shumë e arsyeshme, për faktin se në agjendën e cilësdo qeveri do të jenë disa prioritete esenciale për të ardhmen e Kosovës – jo vetëm të Kosovës, por edhe për rajonin më gjerë. Prandaj, duke filluar nga partia fituese, e cila do ta ketë mundësinë ta ndërtojë koalicionin, deri te opsionet e tjera, duhet ta kenë parasysh këtë fakt: se një qeveri e radhës duhet të jetë kredibile, për faktin se do të menaxhojë procese shumë komplekse për të ardhmen e Kosovës,” deklaroi Quni për RTV21.

Konjufca: Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare, vështirë i gjindshëm

Është mbajtur tryeza “Dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar” në qendrën “Bogdanipolis”, në objektin e Katedrales “Nënë Tereza”, përcjell albinfo.ch.

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se ky model shqiptar i bashkëjetesës fetare duhet të promovohet në mënyrë akademike dhe organizative, duke qenë se është një nga fenomenet e rralla në shoqëritë e sotme.

“Unë besoj vërtet që ekziston një model origjinal shqiptar i bashkëjetesës fetare, një model i cili është vështirë të gjendet diku tjetër. Historia jonë e gjatë, e popullit tonë të përvuajtur, tregon se në asnjë moment nuk ka pasur një konflikt i cili ka bazë fetare, kurse kombi ynë është bartës i katër feve të mëdha monoteiste dhe është vërtet për t’u studiuar se si nuk mund të gjendet asnjë tronditje te populli ynë,” ka thënë ai.

A synon Osmani edhe një mandat si presidente, çfarë tha ajo para mediave?

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pyetur sot nga gazetarët nëse synon të mbetet presidente edhe për një mandat, përcjell albinfo.ch.

Para mediave, Osmani u shpreh se vendimet e saj gjithmonë i ka marrë duke e pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, prandaj kështu do të veprojë edhe në vazhdim.

“Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Përgjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh vetëm dhe vetëm interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj. Edhe kësaj radhe, vlerësimi se ku mund të kontribuoj do të bëhet vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj,” u shpreh presidentja.

Osmani po ashtu deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë e varur nga politika dhe se nuk varet as tash.

Ajo ritheksoi se do të jetë në shërbim të qytetarëve, për aq kohë sa duan ata.

Ndryshe, Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente e vendit më 4 prill të vitit 2021. Pro zgjedhjes së Osmanit kishin votuar 71 deputetë.

Pa makinë, fshati malor zviceran që vizitohet vetëm përmes teleferikut

Quhet Mürren, fshati malor zviceran që vizitohet vetëm përmes teleferikut, përcjell albinfo.ch.

Ky është fshati që konsiderohet një nga më të izoluarit në shtetin zviceran dhe tani zotëron një lidhje të drejtpërdrejtë me botën e jashtme.

Fshati është i populluar me 430 banorë dhe ndodhet 1,638 metra mbi nivelin e detit. Para pak kohësh u inaugurua teleferiku më i pjerrët në botë, Schilthornbahn, duke i dhënë fund udhëtimeve të mundimshme që vendasit kishin bërë për shekuj me radhë.

Gjykata e Hagës lejon Hashim Thaçin të shkojë në Kosovë disa ditë pas ceremonisë mortore të të atit

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka mbërritur në Kosovë, me leje nga Gjykata e Hagës, disa ditë pas ceremonisë mortore të babait të tij, përcjell albinfo.ch.

Një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan se kanë pranuar një korrespodencë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë për rastin e moslejimit të Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait.

Për këtë zhvillim reagoi ashpër ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili thotë se ky vendim është “sa për sy e faqe”.

“E sollën sot, në kohë të pakohë, sa për sy e faqe, e që nuk e kanë asnjë pikë në vetvete, e lëre më ajo njerëzorja që ju mungon në total,” shkruan në një postim në “Facebook” Nasim Haradinaj.

Ish-presidenti i Kosovës nuk mundi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të atit të tij. Kjo iu pamundësua nga Gjykata Speciale, e cila nuk i dha leje të përkohshme për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij.

Ai ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzën për krime lufte dhe, së fundmi, edhe për pengim të drejtësisë.

Ministrja e Jashtme e Austrisë: Dialogu Kosovë-Serbi, çelësi për rrugën drejt BE-së

Së fundmi, ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë – Serbi dhe të ecin përpara me normalizimin e marrëdhënieve, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në platformën X, ajo ka bërë të ditur se ka zhvilluar biseda me dy zyrtarë të lartë: Donika Gërvallën, ministre për Punët e Jashtme të Kosovës, dhe Marko Gjuriqin, ministrin e Jashtëm serb.

Gjatë bisedës me Gërvallën, ajo ka theksuar mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe perspektivën e saj për në Bashkimin Evropian.

Ministrja austriake ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, pasi kjo është çelësi për rrugën e tyre drejt BE-së.

Në bisedën e saj me Gjuriqin, ajo ka shprehur mbështetje për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe ka theksuar se Austria do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe nxitjen e një dialogu të vërtetë për të kapërcyer ndarjet në shoqëri.

Në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve do të mbahet koncert-recital klasik

Bëhet e ditur se sopranoja e njohur Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli-Dehiri do të interpretojnë një koncert-recital klasik sot, në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve. Ky koncert i është dedikuar komunitetit arbëresh, të cilët kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar për mbi pesë shekuj, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se në këtë koncert do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo nga kompozitorët më të shquar shqiptarë, duke përfshirë Rafet Rudin me Arbëresh Song dhe Këmbanat Arbëreshe, si dhe Rauf Dhomin me Aria e Marlulës, nga opera Dasma Arbëreshe, së bashku me vepra të tjera me motive arbëreshe dhe kombëtare.

Ky koncert, që do të mbahet sot në orën 18:30, në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, ofron një mundësi të veçantë për të shijuar muzikën e pasur kulturore të komunitetit arbëresh dhe për të nderuar trashëgiminë e tij.

Shemsi MAKOLLI vjen në Sallonin e Gjenevës me “Hyjnesha të përdhosura”

Shemsi Makolli është krijues letrar, i lindur në Marec, Prishtinë. Në vitin 1990 u vendos në Zvicër, ku gjeti paqen dhe dashurinë krah gazetares dhe shkrimtares Liliane Perrin.

I apasionuar pas literaturës dhe i inkurajuar nga Bertil Galland, Makolli shkruan kryesisht poezi dhe ka botuar në dy gjuhë: shqip dhe frëngjisht.

Libri i tij “Hyjnesha të përdhosura” është një libër madhor, një elegji për njëzet mijë femrat shqiptare të dhunuara nga ushtria dhe policia serbe në Luftën e Kosovës 1998–99.

Këtë libër dhe autorin e gjeni në Panairin e Librit në Gjenevë.

Me librat e tij, ai është pjesëmarrës i të gjitha salloneve të librit në Zvicër që nga vitet e 90-ta.

Lidhur me sallonin aktual të librit ai thotë: “Pres që të shoh sa më shumë shtëpi botuese dhe autorë/autore shqiptarë/re në sallonet ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket eksperiencave të mia, ato kanë qenë shumë pozitive dhe më kanë ofruar mundësi të krijoj kontakte të reja me shkrimtarë të njohur ndërkombëtarë, por edhe me shqiptarë që ndoshta pa sallonin e Gjenevës nuk do të kisha pasur rast t’i takoj.”

Pas vendosjes në Zvicër, ai studioi gjuhën frënge moderne, pastaj i vazhdoi studimet në mikroteknikë dhe menaxhment në industri, si dhe vitin 1999/2000 specializimin në Normat Ndërkombëtare të Cilësisë ISO 9001.

Që prej shumë vitesh, Shemsi Makolli shkruan në të dy gjuhët: shqipe dhe frënge.

I edukuar me dashurinë për punën, edhe pse me një fillim aspak të lehtë, kualifikohet në mikroteknikë. Krahas punës në industri si ekspert i standardeve ISO, ai nuk e braktisi asnjëherë pasionin e tij të hershëm për vargun.

Brenda dy-tre viteve të qëndrimit në Zvicër, Shemsiu nis të shkruajë vargje edhe në gjuhën frënge.

Shemsi Makolli më 1995 vjen përpara lexuesve frankofonë me librin dygjuhësh: shqip-frëngjisht, me titull “Mos qaj” / «Ne pleure pas», shtëpia botuese Bastian në Lozanë.

Librat e tij të tjerë: “Jeta e bukur – La belle vie” – pjesë teatrale (komedi) në dy gjuhët, shqip dhe frëngjisht – Lozanë 1997; “Pika që shpon gurin” – poezi, shtëpia botuese Faik Konica – Prishtinë 2016; “L’anatomie du Rêve – Anatomia e ëndrrës” – poezi në dy gjuhët, shqipe dhe frënge – shtëpia botuese Éditions de l’Aire 2017 në Vevey – Zvicër; “Élégie d’automne – Elegji vjeshte” – poezi në gjuhën frënge – shtëpia botuese Éditions de l’Aire, 2019 në Vevey – Zvicër; “Déesses profanes” – (Hyjnesha të përdhosura) poezi në gjuhën frënge – shtëpia botuese Éditions de l’Aire 2022 në Vevey – Zvicër, dhe tani e adaptuar në gjuhën shqipe “Hyjnesha të përdhosura” – Sh.B. Faik Konica, Prishtinë 2023.

Ky libër ka qenë në konkurrencë me librat më të mirë në Frankofoni dhe është i përzgjedhur në dhjetë librat më të mirë për çmimin “Guillaume Apollinaire”.

 

16 turistë belgë festojnë ditëlindjen në Gjirokastër sipas traditave shqiptare

E çuditshme dhe interesante: një grup turistësh nga Belgjika kanë gjetur një mënyrë sa të veçantë, aq edhe origjinale për t’i uruar ditëlindjen një miku të tyre, përcjell albinfo.ch.

Të 16 pjesëtarët e grupit udhëtuan drejt Gjirokastrës dhe, të veshur me kostume popullore shqiptare, festuan përgjatë rrugëve të kalldrëmta. Disa prej turistëve belgë e vizitonin për të disatën herë qytetin e gurtë, duke vlerësuar natyrën e bukur dhe mikpritjen e banorëve.

“Unë e dashuroj kulturën dhe traditën shqiptare. Patëm ditëlindjen e një miku tonë dhe menduam që ta festonim këtu, në këtë qytet të bukur.”

“Ne kemi ardhur këtu si turistë. Një miku ynë ka ditëlindjen dhe menduam të vinim si grup për ta kaluar dhe festuar këtu, në Shqipëri. Moti është i qëndrueshëm, natyra e bukur – kështu që po ia kalojmë shumë mirë.”

Elvana ZAIMI-TUFA prezanton në Gjenevë antologjinë “Letra në nëntor”

Elvana Zaimi-Tufa ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi në Fakultetin Filologjik të Tiranës. Ajo mban gradën “Doktor Shkencash” në studime letrare, me punimin “Skicë për konceptimin e një shkolle gege të përkthimit”.

Ka dhënë mësim në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, gjatë viteve 2012–2019. Ka filluar të botojë përkthime që në fillim të viteve 2000, në revista letrare shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve.

Disa nga veprat e përkthyera prej saj janë: Dita të qeta në Klishi – Henry Miller, Njolla në mur dhe tregime të tjera – Virginia Woolf, Dera dhe lamtumira – Li-Young Lee, E dashura ime Sputnik – Haruki Murakami, Mëngjes te Tifania – Truman Capote, Ferma e kafshëve dhe 1984 – George Orwell, etj.

Përkthimet e saj të autorëve të ndryshëm në poezi dhe prozë përfshijnë: Thomas Pynchon, Gertrude Stein, Joseph Brodsky, Sylvia Plath, Anne Sexton, Louise Glück, Linda Pastan, etj.

Përkthimet e poezive të përfshira nën titullin “Letër në nëntor” përbëjnë një antologji personale të lirikës botërore, ku mbizotëron – me pak përjashtime – peizazhi modern i zërave dhe traditave poetike të shekujve XX–XXI.

Ideja e antologjisë është përftuar relativisht vonë, me zgjerimin e repertorit të teksteve të përkthyera përgjatë 25 viteve, derisa në një moment (gjithmonë vjen një moment i tillë), m’u dha edhe ideja e një filli lidhës që t’i mbante bashkë këto poezi në një kornizë konceptuale. Dhe nëse do t’i vija, pak a shumë, një përcaktim kësaj kornize, atëherë, sipas bindjes sime, një përcaktim i përshtatshëm do të ishte “Lirika metafizike”, që është një shkrirje e vizioneve ndjesore dhe botëkuptimore.

Rimarrja dhe rishikimi i këtyre përkthimeve të kryera përgjatë shumë vitesh, ripërjetimi me tekstin dhe frymën e origjinalit, më ka bërë shpesh ta harroj këtë botë – për njëfarë shkalle – dhe t’i besoj ndjeshmërisë sime gjuhësore, të krijoj një botë të re, e cila do të jetë e varur nga ajo tjetra, e mëparshmja, nga origjinali, sikundër kujtesa e një dite varet nga po ajo ditë e mëparshme.

#lizesbookstore #salondulivre

 

 

Londër: Mbyllet aeroporti Heathrow dhe anulohen fluturimet për shkak të zjarrit

Aeroporti Heathrow i Londrës do të qëndrojë i mbyllur këtë të premte për shkak të një zjarri që ka përfshirë një nënstacion elektrik, përcjell albinfo.ch.

“Për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, Heathrow do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 23:59 të datës 21 mars. Pasagjerët këshillohen të mos udhëtojnë drejt aeroportit dhe duhet të kontaktojnë linjën e tyre ajrore për informacione të mëtejshme,” thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Zjarri i rënë në nënstacionin në Haines la mijëra shtëpi pa energji elektrike dhe shkaktoi evakuimin e rreth 150 njerëzve nga zonat përreth.

https://x.com/TheInsiderPaper/status/1902885277162701288?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1902885277162701288%7Ctwgr%5E844fef5e943868dcb4274400dfcea9097fbeebcc%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.arbresh.info%2Fbota%2Fzjarri-perfshin-nenstacionin-elektrik-ne-londer-mbyllet-aeroporti-heathrow-dhe-anulohen-fluturimet%2F&fbclid=IwY2xjawJJ9HlleHRuA2FlbQIxMQABHX7zyT_0s3wQ11x9yt5-FheqQ67RsSu3uGvzyoQCMMYpYk40psoUM8UXGg_aem_hPv80zB11JRzDR03NmvYvw

Rihapet shkolla shqipe në Gränichen, në kantonin e Argaut

Mësohet se Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm për mërgatën shqiptare në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Pas gati tetë muajsh ndërprerjeje, shkolla shqipe në Gränichen ka rinisur mësimet, duke i ofruar mundësinë fëmijëve shqiptarë të kësaj zone të vazhdojnë mësimin e gjuhës amtare.

Thuhet se kjo arritje është rezultat i përpjekjeve të pandërprera të aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar, si znj. Ilmije Luma, veprimtari Riza Demaj — kryetar i Këshillit Kantonal — dhe mësuesi Vaxhd Sejdiu. E veçantë është edhe kontributi i znj. Ilmije Luma, e cila është bija e veprimtarit të njohur Milaim Rexha, një figurë që ka lënë një gjurmë të thellë në organizimin e shkollave shqipe gjatë dekadave.

Mësuesja Vjollca Kapsolli, e cila ka marrë përsipër drejtimin e mësimit të gjuhës shqipe, është kthyer në një udhëheqëse të dashur për nxënësit, të cilët janë të interesuar për mësimin e gjuhës shqipe. Në shkollë ata mësojnë shqipen dhe zhvillojnë një lidhje të veçantë me trashëgiminë e tyre, duke mbajtur gjallë traditat dhe identitetin shqiptar.

Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në mërgatë është më shumë se një nevojë edukative – është një mundësi për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe historinë e tyre. Prindërit e këtij komuniteti shfaqin një përkushtim të madh për edukimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare, duke i sjellë ata në shkollë.

Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, nxënësit si Flamuri, Shabani, Ajana, Vendimi, Alea, Haneta, Rodoni dhe shumë të tjerë kanë mundësinë të mësojnë dhe të ruajnë gjuhën shqipe, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të identitetit të tyre. Ata gjithashtu bëjnë thirrje për fëmijët e tjerë që të bashkohen me shkollën dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një thesari të çmuar: gjuhën e të parëve të tyre.

Shkolla shqipe në Gränichen është një hapësirë ku mësimi dhe dashuria për kulturën shqipe janë të pasqyruara në çdo kënd, duke përforcuar lidhjet me atdheun dhe identitetin shqiptar.

5 vjet pas, studiohen pasojat që la Covid-19

Kanë kaluar gati pesë vite, por njerëzit vijojnë të dyshojnë për simptomat e Covid-19. Të paktën, në këtë përfundim bazohet studimi i National Health Service (NHS), i cili shkruan se një në dhjetë persona janë të paqartë nëse e kanë ose jo këtë virus në trupin e tyre.

Studimi, i cili anketoi më shumë se 750 mijë persona, u përqendrua në ndikimin që pati ky virus në jetën e tyre pesë vite pasi pandemia i detyroi të qëndronin të izoluar në shtëpi për një kohë të gjatë.

Kështu, një në 20 persona u shpreh se ndjen ende simptoma të Covid-it. Simptomat me të cilat përballeshin pjesëmarrësit kishin të bënin kryesisht me gjendje post-virale, si lodhja, marramendja dhe dhimbjet e muskujve.

Disa prej të anketuarve thanë gjithashtu se, duke i përjetuar këto simptoma çdo ditë, ata nuk janë në gjendje të bëjnë një jetë normale.

“Këta pacientë me Covid-19 kanë të drejtë të ndihen të zhgënjyer. Covidi zgjeron pabarazitë shëndetësore. Ne duhet të jemi shumë të ndjeshëm në lidhje me këtë dhe t’i mbështesim personat që janë më pak të favorizuar, nëse kanë përjetuar për një kohë të gjatë simptomat e Covid-it,” u shpreh Alwan.

Gjërat ndryshuan shumë dhe shumë prej pjesëmarrësve humbën punën e tyre të mëparshme si dhe stilin e jetesës.

 

Zelensky kërkon me urgjencë 5 miliardë euro nga BE për artileri dhe sigurinë e Evropës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga liderët e Bashkimit Evropian ndihmë financiare prej 5 miliardë eurosh për mbështetje në “raundet e artilerisë” që do t’i dorëzohen Ukrainës, duke theksuar urgjencën e kësaj ndihme. Ai i bëri këto komente gjatë fjalimit të tij në Këshillin Evropian, raporton Ukrinform.

“Ne kemi nevojë për fonde për predha artilerie dhe do të ishim shumë mirënjohës për mbështetjen e Evropës, me një shumë prej të paktën 5 miliardë eurosh, sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Zelensky.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve evropiane në prodhimin e armëve, duke nënvizuar se kjo është e nevojshme për sigurinë e Ukrainës dhe të gjithë kontinentit. “Evropa ka nevojë për pavarësi teknologjike, duke përfshirë prodhimin e armëve. Gjithçka që është e nevojshme për mbrojtjen e Evropës duhet të prodhohet këtu, brenda Evropës. Ne duhet të punojmë së bashku për këtë,” tha ai, përcjell albinfo.ch.

Presidenti Zelensky u shpreh gjithashtu optimist për fillimin e programit ReArm Europe, duke e cilësuar si një nismë shumë të rëndësishme për forcimin e sigurisë në Evropë. Ai theksoi se Ukraina ka zhvilluar teknologji moderne dhe efektive, sidomos në fushën e dronëve dhe luftës elektronike, që mund të shërbejnë për forcimin e sigurisë në të gjithë Evropën.

“Sot, këto teknologji shërbejnë për mbrojtjen tonë, por zhvillimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i tyre, së bashku me investimet tuaja, do të jenë çelësi për një siguri më të fortë dhe më të qëndrueshme për të gjithë Evropën,” përfundoi ai.

Nestlé përballet me hetime për ujin mineral në Belgjikë

Rregulloret dhe proceset e prodhimit të ujit mineral nga Grupi Nestlé janë duke u hetuar në Belgjikë. Të martën, fabrika e Valvert, një markë e Nestlé Waters, u kontrollua në qytetin Étalle.

Lajmi, i raportuar nga disa media belge, u konfirmua të mërkurën nga zyra e prokurorit publik për agjencinë e lajmeve AFP. Hetimet janë të ngjashme me ato të nisura në Francë. Nestlé Waters — që zotëron markat si Vittel, Contrex dhe Perrier — është subjekt i padive në Francë për mbushjen e ujit me procese të paligjshme të filtrimit, përcjell albinfo.ch.

Nga ana e saj, Nestlé Waters Benelux ka deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. “Të gjitha ujërat tona janë plotësisht të sigurta për konsum dhe përbërja e tyre minerale i korrespondon informacionit të dhënë në etiketa,” shpjegoi kompania.

Kosova triumfon ndaj Islandës pas një ndeshje spektakolare

Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Islandës, pas një përballjeje të fortë dhe emocionuese.

Fillimisht, Kosova kaloi në epërsi në minutën e 18-të, me një gol të bukur të shënuar nga Lumbardh Dellova. Megjithatë, gëzimi i “Dardanëve” zgjati vetëm tre minuta, pasi Islanda arriti të barazojë rezultatin shpejt, duke e çuar sfidën në 1-1.

Në pjesën e dytë, Kosova riktheu avantazhin, kësaj radhe me një gol të shkëlqyer nga Elvis Rexhbeçaj në minutën e 55-të. Mesfushori i talentuar u gjend në momentin e duhur për të çuar topin në rrjetë dhe për të rikthyer epërsinë e Kosovës në 2-1, përcjell albinfo.ch.

Pas këtij goli, Kosova menaxhoi mirë lojën deri në fund, duke mbajtur rezultatin dhe duke marrë një fitore të merituar.

Rezultati përfundimtar: Kosova 2 – 1 Islanda

 

 

Eksportet gjermane të makinave rriten, pavarësisht kërcënimeve të Trump për tarifa të reja

Eksportet e makinave nga Gjermania u rritën në vitin 2024, edhe pse Shtetet e Bashkuara kërcënojnë me tarifa të larta doganore.

Sipas të dhënave nga Zyra Federale e Statistikave, Gjermania eksportoi rreth 3.4 milionë makina të reja në mbarë botën, me vlerë 135 miliardë euro. Eksportet u rritën me 2.5% në sasi, megjithëse vlera e tyre ra lehtë me 1.3%.

SHBA-ja ishte tregu më i madh për makinat gjermane, duke përbërë 13.1% të eksporteve, ndjekur nga Britania me 11.3% dhe Franca me 7.4%.

Ndërkohë, importet e makinave në Gjermani ranë me 11.5% në volum dhe 12.8% në vlerë, duke zbritur në 1.8 milion njësi, përcjell albinfo.ch.

Këto shifra vijnë në një moment kur Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 25% për makinat e importuara nga Bashkimi Evropian — një rritje e ndjeshme nga tarifa aktuale prej 2.5%.

Nëse këto tarifa hyjnë në fuqi, ato do të godasin fort industrinë evropiane të automobilave, veçanërisht prodhuesit gjermanë, për të cilët tregu amerikan mbetet jetik. Pothuajse një në tre Porsche dhe një në gjashtë BMW janë shitur në Amerikën e Veriut gjatë vitit 2024, ndërsa Volkswagen, Audi dhe Mercedes-Benz kanë raportuar një pjesë të shitjeve në këtë treg nga 12% deri në 15%.

Sondazh: Më shumë se gjysma e pakicave në Gjermani përballen me diskriminim

Më shumë se gjysma e njerëzve që i përkasin pakicave etnike ose fetare në Gjermani përballen rregullisht me diskriminim.

Sipas një sondazhi të fundit nga Monitori Kombëtar i Diskriminimit dhe Racizmit, 54 për qind e të anketuarve me prejardhje etnike ose fetare të ndryshme raportojnë përjetime të vazhdueshme të racizmit.

Situata është edhe më shqetësuese për personat me ngjyrë: mbi 60 për qind e tyre kanë përjetuar diskriminim të paktën një herë në muaj gjatë vitit të fundit. Arsyeja kryesore? Ngjyra e lëkurës.

Shifra të ngjashme vijnë edhe nga gratë myslimane, ku 60 për qind e tyre raportojnë diskriminim të paktën një herë në muaj.

Por diskriminimi nuk prek vetëm pakicat: edhe 32 për qind e atyre që nuk konsiderohen pjesë e një pakice janë ndjerë të diskriminuar rregullisht për shkak të gjinisë, moshës apo karakteristikave të tjera, përcjell albinfo.ch.

Sondazhi është kryer nga gushti 2024 deri në janar 2025, me pjesëmarrjen e 9,500 personave të moshës 18 deri 73 vjeç.

Përveç shifrave të larta të diskriminimit, sondazhi zbulon edhe qëndrime shqetësuese: 23 për qind e gjermanëve mendojnë se pakicat “kërkojnë shumë” të drejta, ndërsa 22 për qind besojnë se grupet e pakicave kanë përfituar ekonomikisht më shumë sesa duhet.

Ky sondazh është pjesë e një monitorimi afatgjatë të zhvillimeve sociale mbi racizmin dhe diskriminimin, i realizuar nga Qendra Gjermane për Hulumtime mbi Integrimin dhe Migracionin (DeZIM), me mbështetje të qeverisë federale