Aeroporti i Cyrihut dyfishon çmimet për parkimin afatshkurtër

Rritja e çmimit në Aeroportin e Cyrihut: Ora e parë në një vend parkimi afatshkurtër përpara sallës së mbërritjeve kushton tani 57 franga dhe çdo minutë shtesë kushton 1 frang.

Aeroporti dëshiron të parandalojë që makinat të grumbullohen përpara sallës së mbërritjeve.

Çdo minutë shtesë kushton 1 frang – kjo është 60 franga në orë. Për krahasim, më parë ata që parkonin para Arrival duhej të paguanin 24 franga në orë.

E vetmja gjë që aeroporti nuk u rrit ishte çmimi i pesë minutave të para, i cili mbetet në 4 franga.

“Kjo masë synon ta mbajë zonën të lirë për marrjen e automjeteve afatshkurtra dhe të shmangë qëndrimet më të gjata në parkim”, tha një zëdhënëse për “Tages-Anzeiger”. Për çdo qëndrim më të gjatë ka garazhe parkimi.

15 minutat e para kushtojnë 2 franga, një orë 6 franga dhe dita 56 franga. Sidoqoftë, ecja deri në makinë është shumë më e gjatë.

Pavarësisht shpjegimit të kuptueshëm, parkimi afatshkurtër në Cyrih është jashtëzakonisht i shtrenjtë. Aeroportet e Frankfurtit, Mynihut dhe Bazelit ofrojnë të gjithë mundësinë e parkimit falas për një kohë të shkurtër, shkruan “Tages-Anzeiger”.

Në një krahasim nga faqja e internetit Billiger-Mietwagen.de në vitin 2024, edhe aeroporti më i shtrenjtë në botë në San Francisko ishte më i lirë se parkimi afatshkurtër në Cyrih me rreth 40 franga në orë./Blick

Sot pritet të përfundojë procesi i numërimit të votave

Numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta pritet të përfundojë sot.

Këto janë votat e fundit që po numërohen.

Kështu ka thënë zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

“Në QNR po vazhdon numrin e fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta. Po planfikojmë që ky proces të përfundojë sot, në mbrëmje”, tha Elezi.

Faqja e njohur turistike: Dhërmiu parajsa e rivierës së fshehur

Çdo vit miliona udhëtarë nga e gjithë bota ndihmojnë në formimin e listës përfundimtare të Destinacioneve më të Mira në Evropë (Best Destinations in Europe) dhe 2025 nuk bën përjashtim.

Kjo renditje prestigjioze pasqyron votat e mbi 1,2 milion udhëtarëve nga 158 vende duke nxjerrë në pah vendet më tërheqëse për përvojat e paharrueshme të udhëtimeve turistike evropiane, shkruan faqja e njohur e turizmit:

https://www.europeanbestdestinations.com.

“Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar për pushimet më të mira në qytetet e Evropës, arratisjet më të qeta në natyrë ose destinacionet kryesore të pushimeve me diell, kjo listë ka diçka për çdo udhëtar. Nga qendrat ikonike kulturore deri te xhevahiret e fshehura, këto destinacione ofrojnë përzierjen perfekte të historisë, kulturës, gastronomisë dhe bukurisë natyrore,” shkruan kjo faqe, që zgjedh Dhërmiun mes 20 vendeve më të kërkuara turistike.

Dhërmiu – Ikni në bukurinë e paprekur të Dhërmiut, në Shqipëri, një thesar i fshehur në Rivierën Shqiptare, ku ju presin ujërat e kaltra, plazhet mahnitëse dhe hijeshia mesdhetare.

Relaksohuni në brigjet idilike si Dhërmiu dhe Plazhin e Dhrimadhes, perfekt për not ose paddleboarding.

Shëtisni fshatin në kodër me shtëpitë e tij tradicionale prej guri, pamjet mahnitëse të detit dhe kishat historike.

Shijoni ushqime të freskëta deti, vaj ulliri vendas dhe shijet shqiptare në tavernat buzë detit dhe relaksohuni me bare plazhi elegant ose festivale verore me DJ ndërkombëtarë.

Me atmosferën e tij të qetë dhe shkëlqimin natyror, Dhërmiu është arratisja juaj perfekte mesdhetare, përfundon faqja e njohur turistike.

Të akuzuarit për spiunazh me Serbinë nuk deklarohen rreth fajësisë, ndërpritet seanca fillestare

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta shtyjë seancën fillestare për të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.

Ky vendim u mor pasi avokatët e të akuzuarve kërkuan, e seanca e shqyrtimit do të mbahet më 17 mars.

Avokati i Shabanit, Besnik Berisha, tha se klientit të tij i duhet më shumë kohë për t’u njohur me aktakuzën, në mënyrë të ai të vihet në dijeni në detaje mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.

Më 5 qershor të 2024-s, Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia i kishin arrestuar të pandehurit në Ferizaj.

Çka thotë aktakuza:

1.            I pandehuri Bedri Shabani;

I.             Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij më dt. 05.06.2024, i pandehuri Bedri Shabani, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si “BIA”) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes, dhe masakrën e Reçakut, në atë mënyrë që i pandehuri, të dhënat dhe informacionet në fjalë, ja u kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Srgjan ROSIÇ, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel, Bogoljub Janiçeviç, ish-Komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt gjatë kohës së Luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut, përmes komunikimeve telefonike , postës elektronike dhe takimeve fizike, të zhvilluara në territorin e Serbisë, çka me këto veprime, i pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-në në krijimin e një narrative të pavërtetë, me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së të Mollopolcit të Shtimes, me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç, që të ndërmarrin veprimeve operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.      

–              Me këtë i pandehuri Bedri Shabani, e ka kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK –së.

2.            I pandehuri Muharrem Qerimi,

II.            Nga viti 2012, e në vazhdimësi e deri në momentin e arrestimit të tij, me dt.05.06.2024, i pandehuri Muharrem Qerimi, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si “BIA”) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshëm që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ja ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Srgjan ROSIÇ, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë, çka me këto veprime, i pandehuri e ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

–              Me këtë i pandehuri Muharrem Qerimi, e ka kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin të KPRK –së.

III.           Po ashtu, nga data e pacaktuar e deri me dt. 05.06.2024 në Ferizaj, të pandehurit gjatë zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit Ekol Tuna me calibër 8mm, një karikator me gjashtë fishek në të, 20 fishek të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator tjerë me shenjën e gjysmë hënës dhe një rrumbullakë, të cilat i janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

–              Me këtë i pandehuri Muharrem Qerimi, e ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

Zvicër: Nga sot mund të aplikoni për një autorizim udhëtimi për të vizituar Britaninë e Madhe

Nga 2 prilli, shtetasit zviceranë (dhe evropianë të tjerë jo-shtetas të Mbretërisë së Bashkuar) do të kenë nevojë për një Autorizim Elektronik Dixhital të Udhëtimit (ETA) për të hyrë në vend, por nëse planifikoni të udhëtoni atje në të ardhmen, mund të aplikoni për të që nga data 5 mars, përcjell albinfo.ch.

Kushton 10 £, ekuivalente me 11,20 franga, por do të shkojë deri në 16 paund (18,10 franga) në një datë ende të pacaktuar.

Ju mund të aplikoni për ETA përmes kësaj faqeje zyrtare.

Sidoqoftë, nuk do t’ju duhet ETA nëse nuk qëndroni në vend për një kohë të gjatë, por thjesht kaloni tranzit përmes aeroportit, ose nëse jeni shtetas i dyfishtë i Zvicrës dhe Britanisë së Madhe dhe do të hyni në MB me një pasaportë britanike.

Pse nuk duhet t’i hiqni kurrë këpucët në aeroplan

Rehatia është çelësi kur udhëtojmë me avion. Megjithatë, ekziston një veshje që një stjuardesë rekomandon ta shmangim kur planifikojmë një fluturim

Zakonisht, veshja që zgjedhin shumica prej nesh gjatë një udhëtimi me avion është një triko e thjeshtë, xhinse dhe atlete.

Megjithatë, Christine Negroni, stjuardes, thekson rëndësinë që të dimë se nga çfarë materiali janë bërë veshjet tona përpara se të vendosim t’i veshim ato në avion.

“Mund t’ju duhet të shpëtoni nga një zjarr në kabinën ose mund të ketë një emergjencë në tokë pasi të dilni nga avioni”, tha ajo.

“Të gjithë veshin dollakë dhe pantallona në avion, por unë i shmang të gjitha fibrat artificiale, sepse ato kanë më shumë gjasa të digjen dhe të ngjiten në lëkurë në rast zjarri”.

Në vend të kësaj, ajo zgjedh pëlhura si pambuku.

“Unë do të këshilloja të vishni rroba pambuku ose ndonjë veshje të bërë nga fibra natyrale.”

Pse nuk duhet të heqim këpucët në avion?

Eksperti i udhëtimit ajror kishte edhe një paralajmërim të dytë për pasagjerët, duke i këshilluar që të mos i hiqnin çorapet apo këpucët kur hipnin në një fluturim.

“Një nga gjërat më të mira që mund të bëjnë pasagjerët është të mbajnë gjithmonë këpucët e tyre, veçanërisht gjatë ngritjes dhe uljes. Kjo ende nuk kërkohet nga shumë linja ajrore, por mendoj se duhet,” tha ai, duke përshkruar se çfarë mund të ndodhë në rast urgjence nëse jeni pa çorape dhe këpucë, citon Anabel.

“Nëse nuk i mbani këpucët dhe ka një ulje emergjente ose ju kërkohet të evakuoni shpejt avionin, korridori mund të jetë shumë i nxehtë ose i ftohtë, ose mund t’ju duhet të dilni nga avioni në një terren të vështirë. Në asnjërën nga këto situata nuk do të donit të ishit pa këpucë, apo jo? Është më mirë të jesh i kujdesshëm dhe i përgatitur,” tha ai.

Nga ana tjetër, ai sugjeron që të zgjedhin atlete në vend të takave të larta, fibra natyrale në vend të atyre sintetike dhe rroba të lirshme që të mund të lëvizni pa vështirësi.

Zvicra zgjeron sanksionet kundër Rusisë

Qeveria zvicerane miratoi 16 sanksionet e reja të BE-së kundër Moskës, përcjell albinfo.ch.

“48 individë të tjerë dhe 35 subjekte janë sanksionuar me ngrirje të aseteve dhe ndalim të ofrimit të fondeve dhe burimeve ekonomike,” njoftoi Këshilli Federal.

“Individëve u ndalohet gjithashtu hyrja apo kalimi tranzit në Zvicër.”

Paketa më aktuale e sanksioneve parashikon gjithashtu një sërë masash të mëtejshme kundër Rusisë, “përfshirë në fushën e mallrave, financave dhe shërbimeve”.

Nget veturën 220 km/h dhe e filmon: Kosovari “shpëton për pak” nga dëbimi

Një kosovar i cili ka vozitur gjashtë herë makinën nëpër autostrada me shpejtësi deri në 220 km/h është dënuar me një dënim të pjesshëm me tre vjet burg. Burgu efektiv që ai duhet të vuajë, është dhjetë muaj.

Personi tashmë 25-vjeçar nga kantoni Schwyz ka filmuar gjashtë udhëtime në autostradë me shpejtësi deri në 220 kilometra në orë me celularin e tij gjatë viteve 2020/2021, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë ai “ka siguruar” vetë provat për akuzë.

Në prill 2021 ai kishte garuar me një serb në autostradën A3, duke zhvilluar një shpejtësi prej të paktën 200 km/h. Dy personat nuk njiheshin me njëri-tjetrin, ishte një garë spontane – ata kanë vepruar me pëlqim të heshtur reciprok, thuhet në aktakuzë. Në fund ata qenë ndaluar nga policia në Horgen dhe ishin arrestuar. Përveç kësaj, në celularin e kosovarit janë gjetur katër filma me pornografi të ndaluar – përfshirë pornografinë për fëmijë.

Në procesin para Gjykatës së Qarkut në Horgen të martën, i akuzuari ka pranuar veprën. “Ishte një ndjenjë dehjeje,” tha ai, duke shpjeguar shpejtësinë e tepërt që kishte zhvilluar, shkruan 20minuten.ch. Ai donte të përdorte filmimet e celularit për t’u dukur para kolegëve të tij. Ndërsa tani ai ka krijuar ndërkohë një marrëdhënie pozitive me makinën përmes kurseve dhe terapisë dhe ka dy vjet e gjysmë që drejton makinën në mënyrë perfekte.

Atij i është hequr leja e drejtimit për dy vjet. Ai punon në biznesin familjar të prindërve të tij dhe nuk ka precedentë penalë.

Prokurori publik ka kërkuar dënim me burg të pakushtëzuar prej katër vjetësh për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit dhe kundërvajtje të tjera. “Ka shumë akuza dhe jo të lehta që nuk mund të justifikohen më me pakujdesi rinore,” tha ai dhe foli për një sjellje prej macho-je të të riut, të drejtuar nga testosteroni. “Është vetëm falë rastësisë që nuk ka pasur të lënduar apo edhe vdekje”.

Avokati mbrojtës flet për sjellje prej pubertetliu

Për shkak se dy nga katër filmat në celular ishin pornografi për fëmijë, kosovari do të duhej të dëbohet nga vendi për gjashtë vjet – pornografia e fëmijëve është e ashtuquajtura shkelje e katalogut. “Jeta ime do të mbaronte”, është shprehur kosovari, për kërcënimin e dëbimit, përcjell albinfo.ch. Në Kosovë atij do t`i duhej të ndërtonte një jetë krejtësisht të re, pasi ai i kishte rrënjët këtu, në Zvicër.

I akuzuari ka lindur në Zvicër dhe ka një leje qëndrimi të përhershme C. Ai ishte ende i papjekur në atë kohë dhe nuk e dinte se çfarë pasojash do të kishin filmat.

Avokati i tij thotë: “Klienti im ka mësuar mësimet e tij”. Dënimi pa kushte me burg i kërkuar nga prokurori publik do ta largonte të riun nga jeta e tij profesionale. Prandaj ai kërkoi një dënim me kusht me dy vjet burg për klientin e tij dhe që të mos dëbohej nga vendi. “Është një rast i vështirë, klienti im vështirë se ka lidhje me Kosovën”.

Avokati tha gjithashtu se Zvicra ishte atdheu i të pandehurit dhe se dëbimi nga vendi do të ishte një “makth absolut” për të. Ai i ka përshkruar katër filmat e ruajtur në celular si sjellje prej pubertetliu dhe aktet nuk ishin të motivuara seksualisht.

Dëbimi nga vendi do të ishte joproporcional

Gjykata e Qarkut në Horgen e ka dënuar kosovarin me burgim të pjesshëm prej 36 muajsh, me ç’rast duhet të vuajë dhjetë muaj një “gjysmë burgim” (burgim me të drejtë për të vazhduar punën gjatë ditës).

“Ka pasur vozitje të shumta me shpejtësi”, shpjegoi gjyqtari. Gjykata vendosi që megjithatë të mos e dëbojë atë në Kosovë. Ishin “filma pornografikë” të neveritshëm dhe qesharak, por për shkak se ishin vetëm katër sish, dëbimi nga vendi do të ishte “joproporcional”.

Osmani: Familja Jashari është themeli i ngritjes së lirisë

Në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se familja Jashari e Prekazit është themeli i ngritjes së lirisë, përcjell slbinfo.ch.

Osmani ka thënë të mërkurën se sot kujtohet me krenari komandanti Adem Jashari dhe familja e tij heroike.

“Familja Jashari ishte shembulli më i mirë si duhet vendi e si duhet liria. Hamzë e Adem Jashari qëndruan të palëkundur në luftë, duke dëshmuar se s’ka sakrificë më të madhe se flijimi për atdheun e lirinë. Nga 5 marsi ndodhi ndër betejat më heroike të kombit shqiptar”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo ka shtuar para të pranishmëve se Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por edhe një kështjellë e lirisë “dhe fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë”.

Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se rreshtimi i kuadrateve ka traditën nga 6 marsi i vitit 1999.

“Që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmorëve dhe martireve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovë, sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shok filluan të flasin e të punojnë për në ushtri të Kosovës dhe deri sot kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, me ta pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, ka deklaruar Kurti.

Prokuroria urdhëron rinumërimin e votave në këtë komunë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rinumërohen të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.

Ky vendim i Prokurorisë vjen pasi kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi ka akuzuar se ka pasur keqpërdorimin e votave në disa qendra.

Sipas vendimit të Prokurorisë, e që është siguruar nga Telegrafi, thuhet se ekziston dyshimi se ka pasur manipulim të vota për ta ndihmuar kandidatin tjetër të LDK-së, Xhafer Tahiri.

Mes tjerash, Krasniqi ka deklaruar se edhe komisionerët kanë qenë familjarët të Xhafer Tahirit.

“Të bëhet rinumërimi i votave që kanë rezultuar nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë, si dhe rinumërimi për kandidatët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të organizuara më 9 shkurt”, thuhet në vendimin e prokurorisë..

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Kurti: Epopeja e UÇK-së, ritmi i lirisë dhe historisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Epopeja e UÇK-së është një prej ngjarjeve më të lavdishme, derisa po shënohet 27 vjetori i saj, përcjell albinfo.ch.

“Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur si Epopeja e UÇK-së. Ngjarja që përmblidhet nën fjalën epope, krejt sikurse emri që i është vënë na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore të më shumë se një çerek shekulli. Emrat Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë, gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrdhënies mes gruas së popullit autokton dhe mëkimit të ndjenjës së atdhedashurisë. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë”, ka deklaruar Kurti gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë së Kosovës.

Kurti theksoi se në atë lëndinë të Prekazit emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta janë emrat absolut të lirisë.

“E në atë datë kur lindi edhe Ademi i madh në datën më historike të shqiptarëve 28 nëntorin, shpallet publikisht edhe UÇK-ja. Na takon neve si popull e shoqëri, në qeverisje e zhvillim ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë”, tha Kurti.

Kryeministri nuk citoi edhe disa nga fjalët e Rifat Jasharit, për të cilat tha se janë rikujtim i ritmit të lirisë së plotë.

“Çfarë themi kur themi se Epopeja na ka përcaktuar një ritëm, ç’është ky ritëm e gjejmë në fjalët e bacës Rifatë në 25 vjetorin e Epopesë ku tha “mbi luftën e gjakun të gjejmë një gjuhë të përbashkët”. Në Kuvend e artikuloi edhe më tej “të jemi të një gjuhe për tu ndarë njëherë e mirë prej Serbie, e pastaj kemi kohë për tu marrë me të gjitha të tjerat”. Baca Rifat na kujtoi edhe njëherë ritmin e lirisë së plotë”, tha Kurti.

Ai shtoi se në mandatin e tij qeverisës, përcaktimin më të lartë e kanë pasur në zhvillimin e kësaj linje në mbajtjen e këtij ritmi.

“Shtet si sovranitet, për liri të popullit në territor me integritet. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë, liri nga pushtuesi serb dhe vetëm një horizont, bashkimin tonë. Që nga ajo ditë çdo politikë e jona është në parim e përcaktuar. Emri Epope për një ngjarje të tillë nuk është vetëm për ato tri ditë por për tërë kohën liridashëse e shtetformuese”, tha Kurti.

Kurti e cilësoi Prekazin si një monument i vullnetit për liri duke theksuar se ai përbënë një nga realizimet tona më të rëndësishme.

“Ky monument prezanton gurthemelin e çlirimit të vendit tonë dhe shembullin botëror të flijimit për liri. Çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj, është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë tonë, i cili sjell më pak liri, pa sjell robëri. Sovraniteti është një emancipim, çdo lëshim në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se zotimi i tyre si qeveri mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Organizimi më i madh i krimit e ka burimin në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti dhe sovranitetin e tij. Sot jam krenar që, si kryeministër, të deklaroj se jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje kemi ecur me ritmin e saj”, tha Kurti.

Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së

Mësohet se në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë mësimore i është kushtuar Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, përcjell albinfo.ch.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, në orën e parë mësimore u zhvilluan aktivitete të ndryshme për nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtoresha e kësaj shkolle Merita Haxhiu Hasani tha se kjo shkollë ka filluar që nga sot me aktivitete të ndryshme dhe se këto aktivitete sipas saj do të vazhdojnë deri më 7 mars.

“Për nderë të Epopesë së UÇK-së, sikurse të gjitha institucionet edukative arsimore edhe shkolla jonë fillon me aktivitete të ndryshme që nga data e sotshme më 5 mars, pastaj vazhdon më 6 dhe 7 mars deri te përfundimi i natës së zjarreve. Nxënësit tonë janë të inkurajuar nga mësimdhënësit që të zhvillojnë aktivitete të ndryshme qoftë artistike, qoftë sportive, qoftë me ese të ndryshme, qoftë me dokumentar, qoftë me prezantime”, tha ajo.

Pajtim Hodolli mësimdhënës i Edukatës Qytetare në këtë shkollë tha se ora e parë po i kushtohet lavdisë së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare së Kosovës me aktivitete të ndryshme.

“Sot si në të gjithë Kosovën edhe shkolla jonë orën e parë po ja kushton mësimit të rreth lavidisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të datës 5, 6 dhe 7 mars, ku nxënësit së bashku me mësimdhënësit kanë bërë aktivitete të ndryshme, në mënyrë që ta përkujtojnë këtë datë historike për mbarë vendin”, tha ai.

Sot në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë e mësimit i është kushtuar Epopesë së lavdishme të UÇK-së ku janë zhvilluar diskutime dhe aktivitete të ndryshme për të shënuar një nga momentet më të rëndësishme të luftës për liri.

231 674 mërgimtarë kanë të drejt vote në Zgjedhjet e Shqipërisë

Procesi i regjistrimit të emigrantëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përfundoi me hyrjen e datës 5 mars.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i kërkesave të aprovuara është 231 674. Por, ky nuk është numri final pasi janë edhe 20 465 kërkesa të tjera të pashqyrtuara nga KQZ, ç`ka praktikisht mund ta çojë numrin e votuesve nga jashtë në rreth 250 mijë.

Shtetet me më shumë shqiptarë janë Italia me rreth 86 400 zgjedhës, ndjekur nga Greqia me 62 470. Në vend të tretë sa i përket aplikimeve është Gjermania me rreth 24 400, më pas SHBA me 20 000 dhe Mbretëria e Bashkuar me 16 470.

Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, votat e diasporës do të përllogariten në zonat zgjedhore, ku figurojnë të regjistruar dhe qarku me numrin më të madh të kërkesave të aprovuara e ka Tirana me rreth 49 mijë, ndjekur nga Fieri me rreth 30 mijë e Durrësi me rreth 23 760. Qarku me numrin më të ulët e ka Kukësi me 3 750 votues të regjistruar.

Sipas afateve të Kodit Zgjedhor, KQZ brenda datës 9 mars duhet të publikojë listën finale të zgjedhësve, dhe në datën 12 dorëzohen kandidatët për deputetë.

Bërnabiq: Është tërhequr nga agjenda kërkesa e Kosovës për status special në Këshill të Evropës

Është tërhequr nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës, ka thënë të mërkurën kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, përcjell albinfo.ch.

Kërkesa e Kosovës ishte paraparë në agjendën e takimit të së mërkurës (5 mars), por u tërhoq në nisje të seancës.

Në Serbi e kanë cilësuar “lajm të jashtëzakonshëm”. Kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ka thënë se tërheqja e kërkesës së Kosovës për këtë status “është fitore e rëndësishme”.

Mysafiri special ka kompetenca të kufizuara, sipas rregullores së Asamblesë Parlamentare. Mysafiri special mund të ulet në Asamblenë Parlamentare, por nuk ka të drejtë vote. Kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.

Kosova i ishte afruar anëtarësimit në Këshill të Evropës vitin e shkuar, por aplikacioni u bllokua pas kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

KOHA është duke provuar të kontaktojë me delegacionin e Kosovës që janë aktualisht në Paris. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Numërohen rreth 80 për qind e votave me kusht, prin LVV-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është drejt përfundimit të numërimit të votave me kusht nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Sipas përditësimit të fundit në ueb-faqen e KQZ-së të mërkurën në orët e hershme, janë numëruar 78.57 për qind e votave me kusht.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 40.21 për qind, apo 2.634 vota me kusht.

E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 18.11 për qind, apo 1.186 vota, pastaj vijnë Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.54 për qind, apo 887 vota, Lista Serbe me 11.37 për qind, apo 745 vota, si dhe Aleanca për Ardhmeninë e Kosovës dhe Nisma me 6.21 për qind, apo 407 vota.

Numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara nisi këtë të martë, në ditën kur përfundoi numërimi i votave me postë, dhe pritet të përfundojë sot, sipas zyrtarëve të KQZ-së.

Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë më 5 mars.

Me rezultatet e tanishme, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.

27 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars bëhen 27 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kjo është agjenda:

08:00 Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së

10:00 Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës

10:00 Seanca solemne nga Kuvendet e Komunave të Republikës së Kosovës

Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 12:00.

14:00 Turne në Futsall, palestra “Ilaz Kodra” në Skënderaj

14:30 Turne në Volejboll në Skënderaj.

E enjte, 6 mars

10:00 Krerët e shtetit homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

10:00 Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve;

12:00 Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

19:00 Akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së në Prishtinë.

E premte, 7 mars

19:00 Ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Republikës së Kosovës;

19:00 Nata e zjarreve në Prekaz;

19:30 Programi artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Nga 1 prilli, kalimi Kosovë-Maqedoni e Veriut do të bëhet pa ndalesë të dyfishtë

Së fundmi, në një deklaratë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se nga 1 prilli pritet të hyjë në fuqi sistemi i kalimit të kufirit me një ndalesë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, njësoj si mes Kosovës dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Sipas Gashit, përgatitjet teknike janë në fazën finale, ndërsa aspektet politike dhe administrative tashmë janë të rregulluara.

“Në bazë të informacioneve që i kam, mendoj se janë përgatitjet finale. Po testohen pajisjet, softuerët, po flasim për finalizim në aspektin teknik. Në aspektin politik, administrativ, protokollar, gjithçka është në rregull”, tha Gashi.

Ai tha se kjo marrëveshje do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, duke shmangur ndalesat e dyfishta në kufi.

“Për ta pasur më të qartë shikuesit tuaj, por edhe shqiptarët këtu te ne, bëhet fjalë për një kalim të ngjashëm me atë që ka Kosova me Shqipërinë. Nëse niseni nga Shkupi, ndalesa do të bëhet vetëm në Han të Elezit, pa u ndalur në Bllacë. Ndërsa kur vini nga Prishtina në Shkup, ndalesa do të bëhet vetëm në hyrje të Maqedonisë së Veriut. Të dhënat do të ndahen mes dy policive dhe kjo do të përshpejtojë ndjeshëm qarkullimin”, u shpreh Gashi.

Dy shqiptarë në Britani u dënuan me 10 vjet burg për këtë arsye

Pas dhënies së dënimit të dy personave me origjinë shqiptare policia britanike ka publikuar kamerat CCTV të momentit tronditës kur ata nisën një sulm ‘të egër’ ndaj një burri në një lokal, sulm i cili e la atë me plagë të rënda në kokë, përcjell albinfo.ch.

Dy personat janë Lulzim Sinimati, 27 vjeç dhe Fatos Kertolli, 36 vjeç, të cilët u dënuan me 10 vjet burg. Ata sulmuan një burrë gjatë një sherri në orën 3 të mëngjesit në Bar 42, në Peterborough, Londër më 20 korrik të vitit të kaluar.

Dyshja pretenduan se po vepronin në vetëmbrojtje kur kryen sulmin, por të dy u gjetën fajtorë për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore (GBH) dhe grindjeve në dhjetor. Një juri dëgjoi se viktima u dërgua me urgjencë në spital me gjakderdhje në tru dhe fraktura në shpinë dhe fytyrë, ndërsa një burrë i dytë mbeti gjithashtu me lëndime të lehta në fytyrë.

Në Gjykatën e Kurorës së Cambridgeshire, Kertolli u burgos për pesë vjet e gjysmë, ndërsa Sinimati, i parë duke buzëqeshur në fotografinë e tij të policisë, u dënua me katër vjet e gjysmë.

Pas dënimit, Policia e Cambridgeshire lëshoi CCTV të momentit kur u krye sulmi i furishëm.

Pamjet tregojnë Sinimatin, i veshur me një bluzë të zezë dhe xhinse, me një grup në zonën e jashtme të lokalit përpara se ai befas të lëkundet për viktimën që ndodhet brenda.

Ndërsa dyshja u përplasën, Sinimati e shtyn më tej brenda lokalit dhe e godet me grusht rreth fytyrës dhe në pjesën e pasme të kokës, ndërsa i bërtet.

Atletja shqiptare humb jetën në Irlandë, përplaset nga makina teksa vraponte

Quhet Anila Muçaj, iahte atlete shqiptare dhe nënë e dy fëmijëve, e cila humbi jetën tragjikisht në moshën 48-vjeçare pasi u përplas nga një fuoristradë teksa vraponte në urën Blennerville, në Irlandë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një zonë të njohur për vrapim, çiklizëm dhe ecje.

Muçaj po stërvitej me dy miq të saj kur automjeti e goditi fatalisht, përcjell albinfo.ch.

Dy personat që po vraponin me të pësuan lëndime të lehta, ndërsa shoferi i moshuar i makinës u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Anila Muçaj ishte anëtare e klubit të atletikës “Born to Run” me bazë në Tralee dhe një atlete e pasionuar, e cila kishte marrë pjesë në disa maratona gjatë viteve të fundit.

Klubi i saj e kujtoi me dhimbje përmes një mesazhi në rrjetet sociale:


“Sot jemi të shkatërruar nga lajmi tragjik për humbjen e Anilës, mikes sonë të dashur. Lutjet tona shkojnë për bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, si dhe për gjithë familjen e Anilës në këtë moment të vështirë. Ne gjithashtu lutemi për shërimin e plotë të Klerës dhe Klarës, të cilat vraponin me Anilën në momentin e aksidentit.”

Kryetari i Bashkisë së Tralee, Mikey Sheehy, e cilësoi këtë ngjarje si një tronditje të madhe për qytetin. “Një mëngjes i bukur i së dielës u kthye në një tragjedi. Vdekja e Anilës ka prekur thellë komunitetin tonë,” tha ai gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal të Tralee.

Banorët e zonës e kujtojnë Muçajn si një grua të sjellshme, të kujdesshme dhe gjithmonë të gatshme për të ndihmuar të tjerët.

Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e aksidentit.

Nën drejtimin e zviceranit, ‘Filharmonia e Kosovës’ ka dëshmuar profesionalizëm

Filharmonia e Kosovës ka vulosur edhe një herë profesionalizmin me një tjetër koncert të suksesshëm ku kushtet janë shndërruar në refren.

Nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier, Orkestra ka sjellë kultura të vendeve të ndryshme që gërshetohen bashkë me atë vendore, përcjell albinfo.ch.

Sopranoja Besa Llugiqi ka zbërthyer vargjet e këngës lirike, ndërsa saksofonisti Vitaly Vitulya tingujt e muzikës bashkëkohore.

Kulturat muzikore të vendeve të ndryshme janë bërë bashkë një në këtë koncert. 

Ritmet e pasura me përplot harmoni si dhe shkëmbimi i temave midis harkorëve dhe frymorëve janë të dallueshme në këtë vepër. Të njëjtat tema përsëriten shumë herë. Ka motive të muzikës tradicionale shqiptare. 

“AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër e Valton Beqirit ka qenë tjetër vepër e zbulimit të ritmeve shqiptare e të kësaj ane. Kur Orkestra hap një temë të zymtë të harkorëve, aty përfshihet edhe saksofoni. Loja e perkusioneve sikur ilustron imazhet e ngjarjeve dramatike në Ballkanin e trazuar.

Saksofoni solo me ksilofonin përcjellin temat e njëri-tjetrit në disa partitura. Vepra merr ngjyra xhazi në dialog midis kontrabasit e saksofonit.

Solisti i kësaj vepre, Vitaly Vitulya, ka konsideruar se kjo vepër është investim për literaturën e muzikës klasike të vendit. 

“Shkoi suksesshëm dhe është nder e kënaqësi e madhe të luaj për këtë publik entuziast. Veçmas vepra e kompozitorit vendor, i cili e shkroi këtë vepër për saksofon dhe orkestër. Ai përdor ritme e motive tradicionale ballkanike e shqiptare. Mendoj se është investim i madh për të ardhmen e muzikës klasike të Kosovës”, është shprehur saksofonisti, i cili në skenën e muzikës klasike vendore interpreton për të pestën herë, përfshirë një koncert të mëparshëm me Filharmoninë e Kosovës. 

“Nuk është hera e parë që interpretoj me këtë orkestër dhe tani që jam sërish këtu mund të vërej se niveli është rritur në mënyrë enorme. Kjo sepse ata kanë pasur mundësinë të punojnë me dirigjentë të ndryshëm nga e gjithë bota dhe mund të ndihet ky imput i këtyre ftesave të dirigjentëve”, është shprehur saksofonisti me famë ndërkombëtare. 

Ai është fitues i më shumë se njëzet konkurseve dhe performon si solist dhe si pjesëtar i ansambleve në Evropë dhe jashtë saj. Vatulya bashkëpunon me orkestrat më të njohura dhe si muzikant i muzikës kamerale, së bashku me pianisten Maria Nemtsova, ka themeluar “VitaDuo”. Ka mbajtur masterklase në më shumë se njëzet vende të botës, duke përfshirë Akademinë e Muzikës në Zagreb, Konservatorin Shtetëror të Jerevanit, Akademinë e Muzikës të Universitetit të Lubjanës dhe institucione të tjera. 

Që nga viti 2007, Vatulya ka publikuar tre CD me vepra nga Hindemith, Debussy, Franck, Mendelssohn. Ai është një ndër iniciatorët e projektit ndërkombëtar bamirës “Muzika për paqe”, i cili ka për qëllim organizimin e koncerteve dhe masterklasave në zonat pas konfliktit, duke sjellë një dimension të ri në jetën e njerëzve.

Dirigjenti francez Antoine Marguier, i cili e ka drejtuar koncertin, ka thënë se me veprat e kompozitorëve nga Kosova po zbulon muzikë komplet të re për të.

Projekti zviceran – Si po ndikon digjitalizimi në ekonominë e Shqipërisë?

Projekti zviceran “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” studioi tre sektorë kyç: TIK, energji dhe turizëm dhe paraqiti gjetje dhe rekomandime, projekt ky shumë me rendësi për shtetin e Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Shumica e kompanive kanë një infrastrukturë digjitale, por nuk përdorin teknologji të avancuara.

Ata janë të hapur për të përdorur tendencat e reja, si AI, por nuk përdorin modele biznesi digjitale.

Në turizëm dhe energji, vendimmarrësit kanë nevojë për më shumë njohuri digjitale.

Këto dhe rekomandime të tjera po ndahen me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe institucione të tjera përkatëse, për të vazhduar me hapat e mëtejshëm në procesin e digjitalizimit – një kërkesë e BE-së.

Kosova promovon turizmin në “ITB Berlin 2025”

Nga data 4 deri më 6 mars 2025, Kosova po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin”, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij panairi, shtatë kompani kosovare të sektorit të turizmit po prezantojnë para një audience globale ofertat e tyre të veçanta dhe mundësitë e jashtëzakonshme që Kosova ofron në fushën e turizmit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka siguruar një hapësirë ekspozuese prej 69 m2 për këto shtatë kompani.

Kompanitë kosovare që po marrin pjesë në panair janë: Superxplorers, Balkan Destination, Swiss Diamond Hotel, Butterfly Outdoor Adventure, OutdoorKosova, Balkan Natural Adventure, Kosovo Holidays.

Ofertat që po prezantohen përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh, si: ecje, aktivitete në natyrë, vizita në vende me trashëgimi kulturore dhe historike dhe shumë mundësi të tjera për aventurë.

Shtandi i Kosovës po tërheq vizitorë nga e gjithë bota, përfshirë agjenci turistike dhe operatorë të industrisë, të cilët po shprehin interes për potencialet që ofron vendi ynë.

Shtandin e Kosovës e ka vizituar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani z. Faruk Ajeti , si dhe ambasadori i  Maqedonisë së Veriut në Gjermani z. Ylber Sela.

Ky aktivitet ndërkombëtar është një mundësi për zhvillimin e industrisë së turizmit dhe ofron një platformë për rrjetëzimin, shkëmbimin e ideve dhe prezantimin e destinacioneve të reja turistike.

Pjesëmarrja e Kosovës në “ITB Berlin” është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar bukuritë natyrore dhe pasuritë kulturore të vendit.

Vizitorët mund të vizitojnë stendën e Kosovës në Sallën 3.1, Nr. 104 dhe të zbulojnë më shumë rreth mundësive që Kosova ofron.