Agroturizmi shqiptar ishte në qendër të vëmendjes në ITB Berlin

Përvoja të reja si Turi i Kullave dhe Turi Folklorikme pionierët Kulla HUPI dhe Farma Sotira Agroturizem, po zgjerojnë ofertën turistike dhe po shkojnë drejt qëndrueshmërisë, përcjell albinfo.ch.

Shoqatat zvicerane, bashkë me Ambasadën e Zvicrës, shprehen krenare që mbështesin këto hapa së bashku me GIZ Albania, përmes projektit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural.

Vlen të theksohet se në panairin ITB Berlin, Panairit më të madh Ndërkombëtar në botë të Turizmit, Shqipëria ishte përzgjedhur si “Vendi i Nderit” për vitin 2025.

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e kërkesave për azil

Agjencia Evropiane e Azilit, në raportin e saj vjetor të sapo publikuar, bën të ditur se gjatë vitit 2024, 7,325 shtetas shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për azil në një vend të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë dukshëm listën e kërkesave për azil nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Azilin, 6,791 shtetas nga Kosova kanë kërkuar azil në Evropë, ndërsa nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur 3,506 kërkesa. Nga Serbia u regjistruan 3,227 kërkesa, nga Bosnja dhe Hercegovina 1,432, dhe nga Mali i Zi 337 kërkesa.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet europiane shënoi rënie krahasur me vitin 2023 ku sipas të dhënave kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Franca vijon të jetë vendi më i pëlqyer për banorët e Shqipërisë për të kërkuar azil dhe më pas renditet Gjermania pasuar nga dy vendet fqinje Italia dhe Greqia.

Raporti i Agjencisë europiane për Azilin thotë se në vitin 2024 vendet e Bashkimit Europian morën rreth një milion kërkesa për azil për të tretin vit radhazi.

Ndërkohë, sipas të dhënave, në fund të vitit 2024 kishte rreth 4.4 milionë përfitues të mbrojtjes së përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kishin ikur nga Ukraina. Gjysma e tyre u pritën në Gjermani dhe Poloni, ndërsa Çekia priti më shumë përfitues në raport me numrin e popullsisë, raporton VOA.

Të dhënat e raportit tregojnë një rënie të lehtë të kërkesave për azil krahasuar me vitin 2023. Sirianët mbetën grupi më i zakonshëm që kërkonte mbrojtje në vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse gjatë vitit 2024 ata paraqitën më pak aplikime sesa në vitin 2023, pas rënies së regjimit të Asadit.

Stokholm, prezantohet kultura shqiptare në muajin e Frankofonisë

Mars është muaji i Frankofonisë. Si vend vëzhgues në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), Ambasada e Kosovës në Stokholm mori pjesë në këto aktivitete, duke festuar gjuhën dhe kulturën frankofone së bashku me shtetet e tjera anëtare, përcjell albinfo.ch.

Më 5 mars morëm pjesë në Ditën e Frankofonisë në Folkuniversitetet, ku prezantuam ushqime tradicionale të Kosovës për pjesëmarrësit dhe vizitorët e shumtë.

Më 25 mars do të shfaqim dokumentarin “Sans Le Kosovo” (Pa Kosovën), të realizuar nga regjisorja kosovare Dea Gjinovci, në kinemanë Zita Folkets Bio.

Për të përmbyllur aktivitetet tona, më 26 mars do të mirëpresim Nisa Sherifin, një profesioniste nga Kosova me vendbanim në Paris, në një aktivitet të veçantë diskutimi librash në gjuhën frënge. Ajo do të debatojë rreth romanit Moi, Tituba, Sorcière të autores Maryse Condé, duke sjellë një perspektivë unike mbi këtë vepër të rëndësishme letrare.

Duke festuar diversitetin dhe pasurinë e botës frankofone, forcojmë lidhjet tona kulturore!

https://www.facebook.com/share/p/1XtnFTqjZG/?mibextid=wwXIfr

Trump pezullon për një muaj tarifat ndaj mallrave nga Meksika

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka shtyrë vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj shumicës së mallrave nga Meksika, një muaj pasi ai zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten meksikane.

Njoftimi i Trumpit vjen pasi sekretari amerikan për Tregti, Howard Lutnick, tha se tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës “me gjasë” do të shtyhen. Kjo është hera e dytë që Trump shtyn hyrjen në fuqi të tarifave, që fillimisht u prezantuan në fillim të shkurtit.

Vendimi vlen për mallrat që janë në përputhje me marrëveshjen tregtare që Trump ka negociuar me Kanadanë dhe Meksikën gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

“Ne po punojmë shumë, së bashku, për kufirin si në aspektin e ndalimit të hyrjes të emigrantëve të paligjshëm në SHBA, po ashtu edhe në ndalimin e fentanilit”, shkroi Trump në Truth Social.

Kërcënimet e Trumpit me tarifa ndaj importit kanë trazuar tregjet financiare dhe kanë ulur besimin e konsumatorëve si dhe kanë krijuar pasiguri për shumë biznese. Lutnick tha se tarifat e ndërsjella, që SHBA-ja aplikon ndaj importeve ndaj shteteve që vendosin taksa për eksportet amerikane, do të hyjnë në fuqi më 2 prill.

Po ashtu të enjten, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, la të kuptohet se pret që shteti i tij të jetë në një luftë tregtare me SHBA-në.

Ai tha se pezullimi njëmujor “përputhet me disa nga bisedat që kemi pasur me zyrtarët e administratës” së Trumpit.

Udhëheqësi kanadez tha se vendimi i administratës së Trumpit është “shenjë premtuese”, por gjithashtu “do të thotë se tarifat mbeten në fuqi dhe, për pasojë, përgjigja jonë do të mbetet në fuqi”. (REL)

Një shqiptar në mesin e katër të arrestuarve pas të shtënave në Cyrih

Të hënën ka pasur një këmbim të shtënash nga një makinë në Albisriederplatz të Cyrihut.
Pas të shtënave janë arrestuar fillimisht pesë persona, transmeton albinfo.ch. Njëri prej tyre, një zviceran u la i lirë.

Ndërkaq, Gjykata e Masave të Detyrueshme caktoi masën e paraburgimit për dy 32-vjeçarë zviceranë, një 31-vjeçar me dyshtetësi të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe një portugez 29-vjeçar.

Sfondi i të shtënave është ende duke u hetuar.

Sipas raportimit të policisë, të bërë të hënën, personat e përfshirë në grindje ishin larguar  nga vendngjarja me të paktën dy automjete dhe kishin ndjekur njëri-tjetrin, shkruan srf.ch.

Gjatë drejtimit të automjetit, nga njëri prej dy automjeteve të përfshira është qëlluar me armë në tjetrën, përcjell albinfo.ch. Po ashtu mënyra e drejtimit të dy makinave rrezikonte palët e treta.

Mësohet se të shtënat janë qëlluar pas një zënke mes disa personave. Policia kishte marrë një raport për të shtëna të mundshme në Hardstrasse pranë Albisriederplatz-it pak pas orës 17:00.

Cyrihu duhet të bëhet një “strehë e sigurt” për refugjatët

Qyteti i Cyrihut duhet të bëhet një i ashtuquajtur strehë e sigurt për refugjatët.

Parlamenti i qytetit miratoi një postulat përkatës për qeverinë, me 63 vota pro dhe 53 kundër. Streha e sigurt ka të bëjë me një nismë rrjeti qytetesh evropiane.

Këto qytete i kanë vënë si synim vetes që përveç kuotës së caktuar të shpërndarjes, të strehojnë lehtësisht edhe refugjatët që janë shpëtuar nga fatkeqësia në det.

Qyteti i Cyrihut, në një situatë të tillë do të pranonte vullnetarisht më shumë azilkërkues.

Sipas faqes së internetit të projektit, aktualisht ka mbi 320 streha të tilla të sigurta. Pothuajse të gjitha janë qytete gjermane. Qytetet zvicerane aktualisht mungojnë në hartë.

Donte t`i vriste policët me hanxhar: 8 vjet burg për shqiptarin islamist

M. kishte tentuar të shkaktonte një gjakderdhje natën në një stacion policie në Linz am Rhein në shtator. Por ai u kap nga policët në derisa për orë të tëra kishte goditur një bravë xhami antiplumb, në stacion, transmeton albinfo.ch

Prokurorja publike, e cila kishte kërkuar njëmbëdhjetë vjet burg, natën e krimit e përshkruan kështu: “Rreth orës 02:40 ka hyrë në komisariatin e Linzit i armatosur me një hanxhar me gjatësi tehu prej 47.3 centimetra me qëllim që të vriste të gjithë policët aty”, shkruan bild.de.

Prokurorja vazhdoi: “Ai goditi dritaret me hanxhar rreth 50 herë dhe bërtiti se ishte këtu për të vrarë policët dhe nuk do të ndalonte derisa të vdiste vetë”.

Sipas akuzës ai fjalë për fjalë ka bërtitur: “Unë do të ju vras, Allahu Ekber, Allahu Ekber, dhe do të shkoj drejt te Zoti!” Një polic më në fund i dha fund situatës së rrezikshme dhe mundi të mposhtte Arlindo M. me një Taser dhe ta arrestonte atë.

Në banesën e tij, hetuesit gjetën prova konkrete të radikalizimit të tij, si një flamur i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) i pikturuar në mur, përcjell albinfo.ch. Sipas mendimit të gjykatës, i pandehuri ishte radikalizuar paraprakisht – i ushqyer nga thirrjet në forumet e internetit të IS.

Me rastin e caktimit të dënimit, gjykata ka marrë parasysh se nga sulmi nuk është lënduar askush tjetër përveç të pandehurit.

Arlindo M., i cili vuan nga një çrregullim personaliteti, ka humbur punën pak kohë para krimit dhe po ashtu ishte prishur edhe martesa e tij.

Zvicër: Rënie e vogël e shkallës së papunësisë

Shkalla e papunësisë në Zvicër ka shënuar një rënie të lehtë në muajin shkurt, krahasuar me muajin paraürak, janarin. Norma ka regjistruar një rënie me 0,1 pikë përqindje në 2,9 për qind krahasuar me janarin, ka njoftuar të enjten Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike Seco.

Nëse i hiqen specifikat e punësimit sezonal, shkalla e papunësisë në vend ka mbetur e njëjtë, përkatësisht 2.7 për qind. Siç dihet, luhatjet sezonale mund të ndryshojnë normat e papunësisë në disa degë të ekonomisë si ndërtimtaria dhe restorantet.

Një vit më parë, në shkurt të vitit 2024, shkalla e papunësisë ishte 2.4 për qind, më e ulët se në shkurt të këtij viti.

Marrë në përgjithësi shkalla e papunësisë në dy muajt e parë të vitit 2025 është duke shënuar një rritje në krahasim me atë të vitit 2024 kur papunësia kishte shënuar një shkallë rekorde të ulët.

Sindikata e kompanisë SWISS kërkon përmirësime për stafin tokësor

Pasi kompania ajrore zvicerane  SWISS ka shpallur shifrat e saj vjetore të punës, sindikata zvicerane e stafit tokësor tani po kërkon kushte më të mira pune.

Rezultati i mirë vjetor i kompanisë është tregues se ajo ka hapësirën e dëshiruar për të përmirësuar kushtet e punës të punonjësve të saj, transmeton albinfo.ch.

Mbi të gjitha, sindikate pret kushte më të mira për punë me turne dhe për njerëzit që punojnë në aeroplane, raporton srf.ch. Lehtësimi sa i përket kohës së punës është po ashtu i nevojshëm.

Sipas sindikatës, Kompania Ajrore SWISS duhet të investojë të ardhurat nga zhvillimet e saj pozitive financiar në kushtet e punës të punëtorëve të saj.

Studentët takojnë liderët industrialë

“Më 13 mars në orën 18:00 në St. Gallen, studentët do të takojnë ekspertë kryesorë nga industri të ndryshme”, njofton siwssalbs në një ftesë drejtuar studentëve. “Ju presin njohuri emocionuese, folës frymëzues dhe këshilla të vlefshme për karrierën!”, thuhet më tutje në këtë  ftesë.

📌 Pikat kryesore:
✅ Rrjetëzimi me profesionistë të industrisë
✅ Diskutim në panel dhe pyetje dhe përgjigje
✅ Këshilla ekskluzive për biznesin dhe karrierën

📍 Vendndodhja: Guisanstrasse 20, 9010 St. Gallen
🎟️ Regjistrohu tani: linku në bio

Mos e humbisni këtë mundësi! Reghistrohu: swissalbs.ch

Rrëshqitja e dheut në Ticino shkakton dëme materiale dhe mbyllje të rrugës

Një rrëshqitje dheu në Pollegio të Kantonit të Ticinos shkaktoi dëme në ndërtesa dhe automjete. Policia kantonale njofton se pak para orës 11 të mëngjesit të sotëm (06.03.2025) është raportuar një rrëshqitje dheu në zonën Pollegio, duke prekur veçanërisht një pjesë të Via alle Vigne, transmeton albinfo.ch.

Nuk raportohet për të lënduar.

Ka pasur dëmtime në disa shtëpi dhe automjete të parkuara. Si masë paraprake, janë evakuuar rreth dhjetë persona që jetojnë pranë vendit të rrëshqitjes së dheut, shkruan srf.ch

Në vendngjarje, përveç policëve të Policisë Kantonale dhe mbështetjes së policisë bashkiake nga Polo di Biasca, për kontrollet e nevojshme, së bashku me specialistët teknikë të kantonit dhe komunës, kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit e Qendrës Kantoale të Shpëtimit, nga Biasca, tekniku i pyjeve dhe gjeologu kantonal.

Si masë paraprake, ekipet e shpëtimit nga Tre Valli Soccorso ishin gjithashtu në vend. Seksionet rrugore të prekura aktualisht janë mbyllur deri në njoftimin e dytë për shkak të rrëshqitjes së dheut. Popullatës i kërkohet të respektojë shenjat e sigurisë të vendosura në zonë.

Pse nuk është çudi që shtetet evropiane po ashpërsojnë kërkesat gjuhësore?

Me shumë vende në Evropë që imponojnë kërkesa të reja ose më të ashpra gjuhësore për rezidencën ose shtetësinë, ekspertët thonë se nuk është befasi duke pasur parasysh rritjen e partive nacionaliste dhe rëndësinë e gjuhës për identitetin kombëtar.

Disa vende evropiane kërkojnë njohjen e gjuhës vendase për të marrë qëndrim të përhershëm ose shtetësi, dhe më shumë po vendosin politika të tilla ose po forcojnë nivelin e kërkuar.

Në vitin 2024, Franca miratoi një ligj që kërkon teste të gjuhës frënge për lloje të caktuara të kartave të qëndrimit.

Suedia aktualisht po ecën përpara me kërkesat gjuhësore për shtetësinë. Italia gjithashtu filloi të kërkojë një test gjuhësor kur aplikoi për natyralizime me martesë në 2018.

Dhe përtej Atlantikut, Presidenti Donald Trump sapo ka nënshkruar ligjin që anglishtja do të jetë gjuha zyrtare e SHBA. Pse gjuhët po bëhen një faktor kaq i rëndësishëm në politikat e qëndrimit dhe të nënshtetësisë?

Carmen Silvestri, një gjuhëtare dhe studiuese postdoktorale në Universitetin e Reading në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se “ky trend nuk është befasues në kohët aktuale duke pasur parasysh rritjen e partive nacionaliste”.

Gjuhët si element i identitetit dhe përkatësisë kombëtare janë historikisht të lidhura me lindjen e shtetit-komb, në vitet 1700-1800, thotë ajo, transmeton albinfo.ch.

“Nacionalizmi mbetet themeli i shtetit-komb. Nuk ka nacionalizëm pa ‘ngjitës social’ dhe gjuha është më e dukshme,” argumenton Dr Silvestri.

Identiteti kombëtar

Sipas një raporti të kohëve të fundit nga Pew Research Centre, një institut kërkimor me bazë në SHBA, shumë njerëz thonë se të folurit e gjuhës vendase është ajo që e bën dikë që t’i përkasë “vërtetë” një vendi, e ndjekur nga ndarja e zakoneve dhe traditave të tij dhe lindja atje, shkruan thelocal.ch.

Pikëpamjet ndryshojnë sipas vendit, moshës, arsimit dhe ideologjisë. Njerëzit më të rinj dhe të arsimuar kanë më pak gjasa ta shohin gjuhën si të rëndësishme për përkatësinë, ndërsa mbështetësit e partive populiste të krahut të djathtë kanë më shumë gjasa ta konsiderojnë atë thelbësore.

Në Evropë, Hungaria ka pjesën më të madhe të të anketuarve (74 për qind) duke thënë se të folurit e gjuhës lokale është çelësi për identitetin kombëtar.

Franca dhe Holanda pasojnë me 64 për qind. Greqia qëndron në 63 për qind, Gjermania në 62 dhe Polonia me 60 për qind. Në Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar përqindja ishte 58 për qind dhe në Suedi 52, megjithëse arriti në 83 për qind për mbështetësit e partisë së ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë.

Silvestri thotë: “Përpara shtetit-komb, feja ishte shënuesi i identitetit ose ‘ngjitësi shoqëror’ që lidhte komunitete të ndryshme nëpërmjet një mesazhi të shenjtë të përbashkët dhe traditë shpirtërore.

“Lindja e shtetit-komb krijoi një konstrukt të ri shoqëror duke përdorur mjete të tjera për t’i imagjinuar njerëzit si një komunitet, dhe gjuha ishte më imediate.

“Ky proces u përshpejtua nga shpikja e shtypit dhe ardhja e gazetave, të cilat filluan të përhapin informacione duke përdorur një gjuhë të përbashkët, dhe procesi i sekularizimit pas Revolucionit Francez.”

Sot në Evropë, hulumtimi Pew zbulon se të qenit pjesë e fesë mbizotëruese të një vendi është faktori më pak i rëndësishëm për perceptimin e identitetit, me normat më të larta të regjistruara në Greqi dhe Poloni (19 për qind), e ndjekur nga Italia (15 për qind), Holanda (12), Hungaria (8), Gjermania dhe Spanja (6), Franca (5) dhe Suedia (3).

Shoqëritë multikulturore

Krahasuar me Evropën, në Kanada dhe SHBA, vetëm 49 dhe 48 përqind e pjesëmarrësve në sondazhin e Pew thanë se gjuha është një faktor i rëndësishëm i përkatësisë.

Dr Silvestri shpjegon qëndrimin e ndryshëm duke thënë se “si Kanadaja ashtu edhe SHBA-ja kanë një histori të rëndësishme migrimi dhe kanë filluar si shoqëri multikulturore, kështu që ka faktorë të tjerë në lojë për të përcaktuar identitetin kombëtar”.

Nga ana tjetër, respektivisht 38 dhe 34 përqind thanë se është “shumë e rëndësishme të ndiqen zakonet lokale në mënyrë që t’i përkasim vërtet”, një përqindje e lartë deri në 62 dhe 60 përqind në Hungari dhe Greqi, 42 përqind për Italinë dhe Spanjën, por bie në 39 përqind në Francë, 25 përqind në Gjermani dhe 17 përqind në Suedi.

Kjo mund të shpjegohet gjithashtu përmes një lente nacionaliste pasi njerëzit i qasen zakoneve dhe traditave lokale “nëpërmjet njohjes së gjuhës”, thotë Dr Silvestri.

Shumëgjuhësia

Në një kontekst të tillë, dhe me partitë nacionaliste në rritje në të gjithë Evropën, cili është roli i shumëgjuhësisë?

Dr Silvestri thotë se “shumëgjuhësia nuk ka asnjë korrespondencë me identitetin kombëtar”.

“Nëse identiteti kombëtar ka korrespondencë me gjuhën, shumëgjuhësia nuk është faktor identiteti apo përkatësie. Është një mjet për të hyrë në tekste dhe për të komunikuar”, tha ajo.

“Ndihmon në lidhjen e grupeve shoqërore, dhe ndërsa është e rëndësishme të kesh një rrënjë socio-gjuhësore në gjuhën amtare, shumëgjuhësia ndihmon për t’u lidhur, bashkëpunuar, ndarë dhe gjithashtu të kuptuarit e tjetërsisë duke zhvilluar një pamje më të gjerë të komuniteteve përtej kufijve të identitetit kombëtar.”

Kantoni i Bernës pritet të ndalojë cigaret elektronike

Kantoni i Bernës pritet të ndalojë shitjen e cigareve elektronike. Këshilli miratoi një mocion përkatës të enjten me 92 vota kundër 49.

Një ndalim në të gjithë Zvicrën do të ishte edhe më mirë, u tha në debat. Përpjekjet për ta bërë këtë janë duke u zhvilluar në nivel federal. Por duke pasur parasysh rreziqet shëndetësore dhe humbjen e burimeve, ne nuk mund të presim për qeverinë federale, tha Hanspeter Steiner në emër të EVP.

“Atë që mund të bëjnë kantonet Jura, Valais dhe Basel-Stadt, mund ta bëjë edhe Berna,” tha Sarah Gabi Schönenberger (PS). Ligji do të hyjë së shpejti në fuqi në kantonin e Valais. Në Jura dhe Bazel, parlamenti ka votuar në favor të një ndalimi, shkruan Blick.

Rezistenca erdhi nga shumica e fraksionit SVP. Ato mund të blihen në çdo kohë në internet dhe në kantonet fqinje, tha Verena Aebischer (SVP). Një ndalim do të dëmtonte vetëm industrinë në kantonin e Bernës. SVP qëndron për lirinë; konsumatorët duhet të vendosin vetë.

Këtë e kundërshtoi Claudine Esseiva, që përfaqësonte një pjesë të fraksionit FDP. Ajo tha se ishin kryesisht të rinjtë nga mosha 13 deri në 20 vjeç që konsumonin. Ne duhet të marrim përgjegjësi për ta.

Përbërësit janë shpesh të panjohur, shtoi Sibyl Eigenmann (në qendër). Ne as nuk e dimë se çfarë po marrin frymë të rinjtë tanë”.

Puffet janë “një bombë me sahat për shëndetin e popullatës”, por gjithashtu një fatkeqësi për mjedisin, tha mocionisti Moussia von Wattenwyl (Të Gjelbërit). Përmbajtja – një bateri litiumi dhe shumë plastikë – zakonisht përfundojnë në kazanët e zakonshëm të plehrave. Disa vende kanë ndaluar tashmë importin e tyre ose janë në proces të një gjëje të tillë, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari qeveritar, Christoph Ammann (PS) bëri fushatë që propozimi të kalonte vetëm në formën jodetyruese të një postulati. Nëse qeveria federale fillon një konsultim, kantoni i Bernës do të bëjë fushatë për ndalimin e shitjeve. Megjithatë, baza ligjore për një ndalim kantonal të shitjeve mund të mungojë.

Pensionet gjermane pritet të rriten me 3.74 për qind

Duke filluar nga kjo verë, pensionistët në Gjermani do të shohin një rritje në të ardhurat e tyre, me pensionin standard që rritet me rreth 66 euro në muaj.

Sipas Ministrit të Çështjeve Sociale Hubertus Heil, pensionet e ligjshme do të rriten me 3.74 për qind më 1 korrik.

Për një ‘pension standard’, kjo do të rezultojë në një rritje prej 66,15 euro në muaj nga korriku, bazuar në të ardhurat mesatare dhe 45 vite kontribute.

“Zhvillimi i favorshëm i pagave do të çojë edhe një herë në një rregullim pensionesh që do të forcojë fuqinë blerëse të pensionistëve,” tha Heil në Berlin. “Pensionet e qëndrueshme nuk janë luks, por çështje drejtësie për njerëzit që kanë punuar shumë gjatë gjithë jetës së tyre”.

Sipas ligjit gjerman, pensionet në përgjithësi ndjekin zhvillimin e pagave dhe mëditjeve të punonjësve në vitin e kaluar. Për momentin, një nivel minimal i pensionit prej 48 përqind të pagës mesatare në Gjermani është vendosur. Kjo është fiksuar deri më 1 korrik 2025 si një rrjet sigurie afatshkurtër, tha Heil, transmeton albinfo.ch.

Kur niveli i ri i pensioneve të hyjë në fuqi më 1 korrik 2025, ai do të jetë mjaft i lartë për të arritur minimumin prej 48 për qind, shtoi ai.

“Vitin e kaluar, tregu i punës mbeti i qëndrueshëm pavarësisht të gjitha krizave dhe pati rregullime të mira pagash,” tha ministri i SPD për Süddeutsche Zeitung. “Pensionistët e kanë fituar këtë”.

Aktualisht, paga mesatare në Gjermani është rreth 3,260 euro, duke e vendosur normën standarde të pensionit prej 48 për qind në 1,565 euro pas kontributeve sociale.

Megjithatë, ashtu si shifra e premtuar prej 66,15 €, kjo bazohet në kontributet standarde mbi pagën mesatare gjermane gjatë 45 viteve, që do të thotë se shuma aktuale e marrë mund të jetë shumë më e ulët.

Debatet e koalicionit

Pensionet ka të ngjarë të jenë temë e rëndësishme në bisedimet e vazhdueshme të koalicionit midis aleancës së qendrës së djathtë CDU/CSU dhe SPD-së së qendrës së djathtë.

Pas fitores së CDU dhe CSU në zgjedhjet federale të 23 shkurtit, të dy partitë synojnë të formojnë një qeveri “Koalicioni i Madh” deri në Pashkë.

Megjithatë, mund të lindin tensione në fushën e politikës sociale. Me një valë punëtorësh nga brezi Baby Boomer që do të dalin në pension në vitet e ardhshme, fondi i pensioneve po sheh gjithnjë e më shumë rezervat e tij duke u tharë.

Heil i ka vënë në mënyrë të përsëritur synimet e tij në një fluks të punëtorëve të huaj të kualifikuar për të ribalancuar raportin e njerëzve që paguajnë në kazanin e pensioneve kundrejt atyre që paguajnë.

Përveç kësaj, SPD dëshiron të ruajë nivelin minimal të pensionit prej 48 për qind dhe ka refuzuar çdo rritje të moshës së pensionit. Kjo politikë mund të rezultojë në një rritje të kontributeve pensionale të paguara nga punëtorët në Gjermani, të cilat aktualisht janë vendosur në 18.6 për qind të të ardhurave.

Nëse është kështu, partia do të shkojë drejt një kursi përplasjeje me CDU-në dhe CSU-në, të cilët premtuan të shkurtojnë kontributet sociale në manifestin e tyre zgjedhor.

Kohët e fundit, kontributet sociale në Gjermani janë rritur në rreth 42 për qind të të ardhurave, të ndara në mënyrë të barabartë midis punëtorëve dhe punëdhënësve. Konservatorët duan ta reduktojnë këtë në të paktën 40 për qind ose më poshtë.

Shumë më pak të mitur të pashoqëruar aplikojnë për azil në Zvicër

Vitin e kaluar, numri i të miturve të pashoqëruar që kërkojnë azil në Zvicër ra me gati 40% krahasuar me vitin 2023.

Rënia mund t’i atribuohet një numri në rënie të aplikimeve nga shtetas afganë, turq dhe sirianë.

Personat që udhëtonin vetëm që pretendonin se ishin të mitur dhe aplikuan në vend arritën në 2,639, një shifër e barabartë me 12.4% të të gjitha kërkesave për azil (17.9% në 2023), tha Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM), transmeton albinfo.ch.

Në vitin në shqyrtim, shumica e të miturve të pashoqëruar vinin nga Afganistani (1,295; 49%), një shifër që barazohet me një rënie prej 53% krahasuar me vitin 2023 (2,774), thekson shënimi. Nga Somalia erdhën 217, Algjeria 214, Maroku 202 dhe Guinea 111.

Grupmosha më e përfaqësuar ishte midis 16 dhe 17 (76.2%), ndërsa të miturit e pashoqëruar të moshës 13 deri në 15 vjeç ishin dukshëm më pak (22.2%), shkruan swissinfo. Nga ana tjetër, ata nga mosha 8 deri në 12 vjeç ishin vetëm 1.4%. Pothuajse të gjithë ishin meshkuj (95.2%), thekson SEM.

Të dhënat i referohen moshës së deklaruar nga vetë aplikantët kur kanë hyrë në një qendër federale azili. Auditimet e kryera në të kaluarën, megjithatë, kanë zbuluar se rreth një e katërta e azilkërkuesve të rinj janë qartësisht mbi moshën 18 vjeç.

Në vitin në shqyrtim, numri aktual i kërkesave për azil të paraqitura mund të pësojë gjithashtu një rregullim të mprehtë në rënie, tha SEM.

Politikanët zviceranë i kërkojnë SBB-së të kryejë linjën hekurudhore Gjenevë-Lyon

Politikanët zviceranë duan që kompania kombëtare hekurudhore SBB të marrë përsipër linjën Gjenevë-Lyon që aktualisht drejtohet nga operatori francez SNCF për t’i dhënë fund vonesave dhe ndërprerjeve të shpeshta.

“Problemet e shërbimit” që po i referohen politikanët përfshijnë vonesat e përsëritura dhe trenat e vjetëruara të TER, një kompani rajonale e hekurudhës kombëtare franceze, SNCF, e cila operon në linjën 149 km midis dy qyteteve.

Siç raportohet nga Tribune de Genève, “disa entitete zvicerane duan të korrigjojnë këtë situatë”.

Midis tyre është kantoni i Gjenevës, i cili po i kërkon SBB-së të ndërhyjë dhe të zhvillojë “një shërbim të shpejtë, që funksionon çdo dy orë” me vetëm një ndalesë të ndërmjetme, në Valserhône, në vend të shtatë që janë aktualisht, transmeton albinfo.ch.

Sipas propozimit, SBB nuk do të zëvendësonte plotësisht TER, por do të plotësonte shërbimin aktual me një opsion më efikas.

A mund të funksionojë një tren zviceran në territorin francez?

Aktualisht, jo.

Por sipas kushteve të marrëveshjeve dypalëshe që Zvicra përfundoi me Bashkimin Evropian në dhjetor, kompanitë e huaja të transportit mund të ofrojnë lidhje ndërkufitare me Zvicrën dhe SBB do të jetë në gjendje të bëjë të njëjtën gjë.

Jo një udhëtim i qetë

Megjithatë, disa sfida ende duhet të trajtohen nga pala zvicerane.

Njëra është se rryma elektrike që fuqizon linjat hekurudhore në Francë dhe Zvicër nuk është e njëjtë.

Gjithashtu, SBB aktualisht nuk ka trena ‘rezervë’ për t’u vënë në shërbim në linjën Gjenevë-Lyon.

Dhe fakti që shërbimi TER midis dy qyteteve (pothuajse tërësisht funksionon në territorin francez) subvencionohet nga rajoni Auvergne-Rhône-Alpes e ndërlikon më tej planin zviceran.

Megjithatë, një deputete e Gjenevës, Delphine Klopfenstein Broggini, tha se këto probleme nuk janë të pakapërcyeshme dhe i ka kërkuar Këshillit Federal të shqyrtojë këtë çështje, shkruan thelocal.

Kur do të hynte në fuqi ky plan?

Jo aq shpejt, duke pasur parasysh numrin e hapave që duhet të ndërmerren përpara se ky projekt të mund të vihet në rrugën e duhur – si në kuptimin figurativ ashtu edhe të fjalëpërfjalshëm.

Kosova pa asnjë kontratë lobimi në SHBA

Si rrallëherë në historinë e pasluftës së Kosovës, institucionet shtetërore, aktualisht, nuk kanë asnjë kontratë aktive lobimi në Shtetet e Bashkuara. Njohësit e politikave vendore dhe ndërkombëtare paralajmërojnë se kjo rrezikon ta lërë Kosovën nën hije dhe “pa një vend në tavolinë”.

Që nga viti 1992, Kosova ka pasur pothuajse vazhdimisht kompani lobimi, të kontraktuara për të shtyrë përpara agjendën dhe interesat e saj në SHBA.

Për momentin, asnjë kontratë e tillë nuk listohet si aktive në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Deri vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës i ka pasur dy marrëveshje të tilla, por ato tani kanë skaduar.

Edhe pse ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se do të shqyrtohet vazhdimi i atyre kontratave njëvjeçare, një gjë e tillë nuk është bërë.

Analistja politike, Donika Emini, paralajmëron se institucionet e Kosovës nuk duhet të mbështeten vetëm në diplomacinë konvencionale – pra përmes ambasadave e konsullatave – veçanërisht në kohën kur, siç thotë, “tensionet gjeopolitike po përshkallëzohen dhe përçarjet transatlantike po thellohen”.

“Kosova kërkon e pret mbështetje politike nga SHBA-ja pa ofruar asgjë në këmbim. Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Dhe, kush po zë vend në tavolinë? Serbia, thotë Emini.

Ajo argumenton se, përderisa Kosova nuk po arrin ta prezantojë veten si “kontribuuese e vlefshme në rendin e ri global”, Serbia “është pozicionuar si një aktore transaksionale, duke ofruar bashkëpunim ekonomik dhe duke shfrytëzuar burimet e saj natyrore”.

“Nëse Kosova nuk modernizon qasjen e saj diplomatike, rrezikon të bëhet një lojtare dytësore në politikën rajonale, me fatin e saj të diktuar gjithnjë e më shumë nga të tjerët, jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga rivalët e saj rajonalë, të cilët janë shumë më agresivë, strategjikë dhe transaksionalë në angazhimin e tyre me Uashingtonin”, shton Emini.

Aktualisht, institucionet shtetërore të Serbisë kanë pesë kontrata lobimi aktive në SHBA. Institucionet e Kosovës s’kanë treguar nëse do të nënshkruhen kontrata të tilla tani, pas ndërrimit të administratës në SHBA.

Si lobojnë vendet e rajonit?

Institucionet shtetërore të Serbisë – Qeveria, Republika, Ambasada dhe Oda Ekonomike – kanë pesë kontrata me firma amerikane të lobimit.

Njëra prej tyre është lidhur këtë vit me kompaninë BlackSummit Capital, për të ndihmuar Serbinë në raport me “sanksionet e vendosura së voni ndaj sektorit të energjisë”.

Vlera e kësaj kontrate nuk është specifikur, ndërsa Serbia do ta paguajë 65 mijë dollarë në muaj kompaninë Valcour dhe 60 mijë dollarë në muaj kompaninë KARV Commnications, Ambasada e Serbisë do ta paguajë 50 mijë dollarë në muaj kompaninë BGR Group dhe Oda Ekonomike do ta paguajë 840 mijë dollarë për një vit kompaninë Yorktown Solutions.

Nga Bosnje e Hercegovina, ndërkaq, janë gjashtë kontrata – të gjitha nga entiteti i Republikës Sërspka (RS).

Njëra prej tyre – me kompaninë Zell&Associates International Advocates – është lidhur këtë vit.

Në kontratën e publikuar në FARA është censuruar vlera e saj, por tregohet se, mes tjerash, synohet heqja e sanksioneve ndaj presidentit të RS-së, Millorad Dodik.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk kanë asnjë kontratë lobimi, ndërsa nga Shqipëria kontratë “pro bono” ka lidhur vetëm politikani Lulzim Basha.

Pak pasi Kosova ka mbetur pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, atje është ndërruar administrata, në krye të së cilës është presidenti republikan, Donald Trump.

Deri më tani, komunikimi i vetëm zyrtar i tij me Kosovën ka qenë një letër urimi për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, dërguar presidentes Vjosa Osmani.

Ajo letër ka ardhur pas disa kritikave që i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i ka bërë ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Grenell ka thënë se SHBA-së i duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e Kurtit nuk është e tillë.

Grenell ka thënë, po ashtu, se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Pikërisht shkaku i këtyre tensioneve në raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë, ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, thotë se kontraktimi i lobuesve në SHBA, do të ishte kyç.

“Duhet të them se nëse ne i krijojmë hapësirë të zbrazët Serbisë për të lobuar, atëherë kjo është në dëmin tonë. Ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë të zbrazët në këtë kohë, kur na duhet më së shumti mbështetja e SHBA-së”, thotë Spahiu.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, në periudhën 2017-2021, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Por, ajo marrëveshje nuk është zbatuar në plotësi në terren, njëjtë si shumë nga marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Tani, Kosova pret të ketë qeveri të re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i ka fituar partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje – por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar e vetme qeverinë.

Emini shpreson që qeveria e re ta ndryshojë qasjen ndaj SHBA-së. Ajo e cilëson këtë si “çështje mbijetese diplomatike”.

“Nëse Kosova nuk merr masa urgjente, rrezikon të mbetet në hije në Uashington, e paaftë për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Serbisë dhe e anashkaluar në qarqet kyçe të vendimmarrjes”, paralajmëron Emini.

Ajo thotë se fakti që Kosova nuk i ka dhënë rëndësi SHBA-së, reflektohet edhe në numrin e vogël të diplomatëve të angazhuar në ambasadë, në krahasim me Serbinë.

Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse do të ketë ndonjë kontratë të re lobimi, nga MPJD-ja kanë thënë se nuk mund t’i komentojnë kontratat e lobimit pasi që “ato janë konfidenciale”.

Këto kontrata, megjithatë, publikohen të plota e të pacensuruara në ueb-faqen e FARA-s, pasi që ligjet në SHBA i detyrojnë lobistët t’i raportojnë të gjitha aktivitetet e ndërmarra gjatë kohës sa janë të kontraktuar nga “agjentë të huaj”.

Nga raportet në këtë ueb-faqe, REL-i ka raportuar në të kaluarën për punën e dy shqiptarëve të kontraktuar në vitin 2023 për lobim njëvjeçar nga MPJD-ja, Avni Mustafaj dhe Afërdita Rakipi.

Shumë prej shpenzimeve gjatë gjashtëmujorit të parë të atyre kontratave janë raportuar për dreka dhe darka pune në Kosovë, ndonëse me to është paraparë ofrimi i këshillave dhe përfaqësimit të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.

Ndërsa, në gjashtëmujorin e dytë, ata kanë raportuar punë pothuajse identike – duke kontaktuar të njëjtit persona, në të njëjtat ditë, me të njëjtën përmbajtje të emaileve – edhe pse kontratat e tyre kanë qenë individuale.

Megjithëse pa lobues të kontraktuar tash për tash, MPJD-ja thotë se është “e përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe afatgjate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Nga kjo ministri thonë se këtë synim do ta arrijnë përmes “instrumenteve të ndryshme të diplomacisë, duke përfshirë edhe kontratat e lobimit”.

Konferenca Kombëtare amerikane e Legjislaturave Shtetërore e përkufizon lobimin si “përpjekje për të ndikuar në veprimet e qeverisë përmes komunikimit me shkrim ose me gojë”.

Pra, përmes lobimit, shtete të huaja mund të tentojnë në mënyrë të ligjshme të ndikojnë politikat e SHBA-së.

“Në Uashington, lobimi nuk është luks; është domosdoshmëri. Është mënyra se si vendet e vogla e forcojnë zërin e tyre në korridoret me fuqi politike”, thotë Emini.

Në të kaluarën, edhe institucione të tjera shtetërore, si Presidenca dhe Kryeministria e Kosovës, kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA. Një javë më parë, REL-i i ka pyetur të dyja këto institucione se pse nuk kanë aktualisht kontrata lobimi, por nuk ka marrë përgjigje.

Për miliona eurot e shpenzuara ndër vite, në Kosovë kanë qenë të kontraktuara kompani të njohura amerikane për lobim, si Podesta Group dhe Ballard Partners.

Njëra kontratë me Podesta Group është nënshkruar gjatë kohës sa Avni Spahiu ka qenë ambasador i Kosovës në SHBA.

Spahiu, i cili ka shërbyer si ambasadori i Kosovës në Uashington në vitet 2008-2012, thotë se edhe në atë kohë, kur Kosova ka gëzuar përkrahje të madhe nga SHBA-ja, lobimi, prapëseprapë, ka pasur efekt.

“Mirëpo, tani mendoj se duhet të ketë përpjekje të re për t’i rikrijuar këto raporte, në kuptim të përforcimit dhe përmirësimit – edhe për shkak të ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë, por edhe për shkak të disa gjërave që kanë ndodhur në raportet mes dy vendeve”, thotë Spahiu.

Ai e përmend lobimin në vitet e 90-ta si histori suksesi të lobit shqiptar në SHBA dhe thotë se sërish duhet të ketë një angazhim të tillë për “kthimin e besimit të plotë të SHBA-së ndaj Kosovës”.

“Kjo është me rëndësi dhe mendoj se duhet të bëhet sa më parë. Ndonëse nuk është i mjaftueshëm vetëm angazhimi i ndonjë kompanie, por duhet edhe një diplomaci më proaktive e Kosovës, një angazhim edhe i ambasadës dhe i të gjitha forcave diplomatike që kemi aktualisht”, shton Spahiu.

Për Eminin është shqetësuese që Kosova, edhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mbështetet në Uashington për garanci sigurie dhe përkrahje politike si në vitin 1990 dhe në fillim të viteve 2000.

“Ndryshe nga viti 2008, kur mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës ishte e palëkundur, sot politika e jashtme drejtohet nga ajo që një vend mund të ofrojë, jo vetëm nga ajo që kërkon”, thotë Emini.

Ajo i ka të qarta kërkesat për institucionet e Kosovës: investoni në lobim, zgjeroni prezencën diplomatike në Uashington, krijoni vizion të qartë për atë që Kosova mund të ofrojë si aleate dhe ringjallni angazhimin me diasporën./REL

Pse më shumë se 600,000 banorë të Vjenës nuk mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme?

Më shumë se 600,000 banorë të Vjenës – 35.6 për qind e popullsisë së rritur të qytetit – nuk do të jenë në gjendje të votojnë në zgjedhjet e ardhshme duke çuar në akuza se kryeqyteti austriak ishte një “gjysmë demokraci”.

Vjena po shkon drejt asaj që disa e quajnë “gjysmë demokraci”, pasi një numër rekord njerëzish nuk do të mund të votojnë në zgjedhjet komunale të dielën, 27 prill për shkak të statusit të tyre të shtetësisë.

Sipas të dhënave të reja nga Statistikat e Austrisë, 611,000 banorë të moshës për të votuar—35.6 për qind e popullsisë mbi 16 vjeç—nuk kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet rajonale (qytetarët e BE-së mund të votojnë në nivel qarku).

Numri në rritje i jovotuesve ka ngjallur kritika nga organizatat e të drejtave të njeriut, me SOS Mitmensch që bën thirrje për reforma urgjente në ligjet e shtetësisë së Austrisë.

“Shifrat aktuale tregojnë se Vjena nuk është më një demokraci e dy të tretave. Tendenca po shkon qartë drejt gjysmës së demokracisë, ku vetëm çdo i dyti person lejohet të votojë,” tha zëdhënësi i SOS Mitmensch, Aleksander Pollak.

Ai theksoi se shumë nga të përjashtuarit nga votimi kanë jetuar në Vjenë prej vitesh ose madje kanë lindur dhe janë rritur në Austri.

Ligjet e shtetësisë prapa përjashtimit

Rritja e jovotuesve nuk është vetëm për shkak të emigracionit, por edhe të ligjeve strikte të shtetësisë së Austrisë, të cilat e bëjnë të vështirë natyralizimin e banorëve afatgjatë.

Austria ka shkallën më të ulët të natyralizimit në BE, me më pak se 0.7 për qind të banorëve të huaj që marrin shtetësi çdo vit. Vendi kërkon që aplikantët të plotësojnë pragjet e larta të të ardhurave, të kalojnë teste të rrepta të gjuhës dhe integrimit dhe të heqin dorë nga shtetësia e tyre e mëparshme pothuajse në çdo rast, transmeton albinfo.at.

“Sfondi i përjashtimit në rritje nga votimi nuk është aspak vetëm imigrimi në Austri, por edhe aksesi shumë kufizues në shtetësinë austriake, me pengesa të larta të lidhura me të ardhurat dhe burokratike,” shtoi Pollak.

Në të gjithë Austrinë, çështja shtrihet përtej Vjenës. Gati 20 për qind e popullsisë totale të vendit nuk ka të drejtë të votojë në zgjedhjet federale dhe shtetërore për shkak të kombësisë së tyre. Por në disa rrethe vjeneze, shifrat janë edhe më dramatike: mbi 45 për qind e popullsisë në Rudolfsheim-Fünfhaus dhe 44 për qind në Brigittenau dhe Favoriten janë joqytetarë, sipas Statistikave të Austrisë.

Një qytet që shkon drejt ‘gjysmë demokracisë’

Sipas parashikimeve të SOS Mitmensch, nëse trendet aktuale vazhdojnë, Vjena mund të arrijë një pikë deri në vitin 2050 kur më shumë se gjysmës së banorëve të saj nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet komunale.

Organizata ka bërë thirrje prej kohësh për reforma, duke përfshirë bërjen e shtetësisë më të qasshme dhe lejimin e banorëve afatgjatë të votojnë në zgjedhjet lokale, pavarësisht nga kombësia.

Qeveria austriake deri më tani i ka rezistuar thirrjeve për ndryshime të rëndësishme në ligjet e shtetësisë dhe votimit, duke pohuar se kombësia duhet të jetë një parakusht për pjesëmarrjen demokratike.

Megjithatë, ndërsa numri i banorëve të huaj rritet, debati mbi përfaqësimin politik të popullsisë ndërkombëtare të Vjenës nuk ka gjasa të zhduket.

Zgjedhje simbolike për joqytetarët në Vjenë

Në përgjigje të shqetësimeve në rritje, SOS Mitmensch do të organizojë edhe një herë simbolin e tij “Pass Egal Wahl”, ku joqytetarët mund të votojnë në një zgjedhje paralele për të theksuar përjashtimin e tyre.

Veprimtaria, e cila do të zhvillohet nga data 27 mars deri më 23 prill, lejon të gjithë që jetojnë në Vjenë të hedhin një votë simbolike, pavarësisht nga kombësia.

Nisma, e organizuar nga SOS Mitmensch dhe partnerë të ndryshëm, do të ngrejë qendra votimi në të gjithë Vjenën. Për partitë që do të garojnë në zgjedhjet komunale do të mund të votojnë në votim paralel edhe joqytetarët, shkruan thelocal. Austriakët gjithashtu mund të hedhin një votë solidariteti në mbështetje të një demokracie më gjithëpërfshirëse.

Vendvotimet do të shpallen në www.passegalwahl.at në mes të marsit dhe votuesit do të mund të gjejnë detaje se si të marrin pjesë. Ata që nuk mund të marrin pjesë personalisht do të kenë gjithashtu mundësinë të votojnë me postë dhe informacione të mëtejshme do të jepen më afër periudhës së zgjedhjeve.

Nisma do të përfundojë me një festival demokracie në Yppenplatz në 23 prill, me muzikë të drejtpërdrejtë, shfaqje kulturore dhe numërimin përfundimtar të votave.

Numër rekord pasagjerësh udhëtuan në hekurudhat zvicerane në vitin 2024

Numri i njerëzve të transportuar nga Hekurudhat Federale të Zvicrës nuk ka qenë kurrë më i lartë. Vitin e kaluar, 1.39 milionë pasagjerë udhëtonin çdo ditë në trena në distanca të gjata dhe rajonale.

Në konferencën e saj vjetore për shtyp të enjten, Hekurudhat Zvicerane shprehën kënaqësinë për rritjen e lehtë të fitimit vjetor në 275 milionë CHF. Njësitë e saj pronësore dhe infrastrukturore gjithashtu shënuan fitime, ndërsa Cargo International shënoi një humbje të konsiderueshme prej 76 milionë CHF.

Në afat të mesëm, kompanisë shtetërore do t’i duhet një fitim vjetor prej 500 milionë CHF për të përmbushur kërkesën në rritje për zgjerim të mëtejshëm të shërbimeve hekurudhore, transmeton albinfo.ch. Zbatimi i masave të kursimit të kostos dhe efikasitetit ka frenuar rritjen e borxhit.

Në 12.1 miliardë CHF, borxhi është më i lartë se një vit më parë, për shkak të investimeve në mjetet lëvizëse.

Përpikëria përmirësohet

Rrjeti hekurudhor përmirësoi përpikmërinë e tij vitin e kaluar – veçanërisht në Zvicrën frëngjisht-folëse dhe Ticino, shkruan swissinfo. Përpikëria e trenave nga jashtë, nga ana tjetër, mbetet e pakënaqshme.

Pasagjerët ishin më të kënaqur se vitin e kaluar, pavarësisht niveleve më të larta të frekuencës së trenave. Hekurudhat zvicerane raportojnë se përveç përpikmërisë, një kontribut ka dhënë edhe zgjerimi i gamës së tiketave në ofertë.

Anasjelltas, kënaqësia e klientëve me shërbimet e ngarkesave vendase ra. Arsyeja kryesore për këtë raportohet të jetë rritja e çmimeve.

Linja ajrore SWISS ka arritur fitimin e dytë më të madh në histori të kompanisë, gjatë 2024-ës

Swiss International Air Lines pati një vit të mirë në vitin 2024, pasi të ardhurat u rritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, duke kontribuar në fitimin e dytë më të mirë në historinë e kompanisë.

Filiali i Lufthansa nuk ishte në gjendje të përputhej me fitimin rekord të vitit 2023.

Qarkullimi u rrit me 6% në 5.6 miliardë CHF, niveli më i lartë ndonjëherë, njoftoi linja ajrore të enjten.

Megjithatë, me 684 milionë CHF, fitimi operativ mbeti nën rekordin e vitit të kaluar prej 718.5 milionë CHF. Marzhi i korrigjuar i fitimit operativ (EBIT) arriti në 12.1% vitin e kaluar. Kjo është 1.4 pikë përqindje më pak se në vitin 2023.

Swiss përmendi disa arsye për këtë. Për shkak të kërkesës së lartë, linjat ajrore kishin rritur kapacitetet e tyre, shkruan swissinfo. Kjo ka intensifikuar konkurrencën. Për linjat ajrore, kjo do të thotë se ato nuk mund të vendosin më çmime  aq të larta sa të mundnin gjatë fazës së rimëkëmbjes pas pandemisë. Kjo ka bërë presion mbi rendimentet mesatare, deklaroi SWISS, transmeton albinfo.ch.

Përveç kësaj, ndërprerjet më të gjata të flotës me distanca të shkurtra ndikuan në efikasitetin, veçanërisht për shkak të mungesës së pjesëve rezervë për motorët. Në të njëjtën kohë, presioni i kostos është i lartë. “Pa efekte të ndryshme të njëhershme që kishin një ndikim pozitiv në zhvillimin e të ardhurave, rënia e të ardhurave nga viti në vit do të kishte qenë më e lartë,” tha SWISS.

Në total, linja ajrore transportoi rreth 18 milionë pasagjerë vitin e kaluar. Kjo ishte 9.2% më shumë se një vit më parë. Numri i fluturimeve u rrit me 9.1% në mbi 142,000.

KQZ refuzon rivlerësimin e 177 kutive të votimit nga diaspora, të shpallura të pavlefshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar rekomandimin e Sekretariatit për rivlerësim të votave, të ardhura me postë, e që u shpallën të pavlefshme.

Propozimi u refuzua pasi u votua me katër vota për dhe tri abstenime. Tre anëtarë munguan duke e pamundësuar që me katër vota të miratohej propozimi.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, pas vendimit u ankua duke thënë se “rasti përbën çështje penale”.

Rekomandimi i Sekretariatit ishte që të hapeshin 177 vendvotime për vlerësim të votave të pavlefshme, bazuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Në këto vendvotime ishin 1631 fletëvotime që ishin shpallur të pavlefshme.

Besnik Buzhala nga sekretariati i KQZ-së, rekomandoi hapjen e 177 kutive të votimit përmes postës me qëllim të vlerësimit të fletëvotimeve që janë shpall të pavlefshme.

“Këto 15 fletëvotime përbëjnë gjithsej 11 vendvotime ku këto 11 vendvotime janë të përfshira gjithsej gjashtë komuna. Lidhur me këtë dhe duke u mbështet në vendimin e PZAP-së për këtë lloj të pavlefshmërisë së fletëvotimeve, sekretariati i KQZ-së i rekomadon KQZ-së të marrë vendim për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës me qëllim që të vlerësohen fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme. Pra bëhet fjalë për gjithsej 1631 fletëvotime të pavlefshme që përfshihen edhe fletëvotime të zbrazëta dhe të papërdorura”, ka thënë Besnik Buzhala, kryesues i Sekretariatit, në propozimin e tij, transmeton albinfo.ch.

Kosova, pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin 2025”

Turizmi i Kosovës është prezantuar në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin 2025”, i cili u mbajt nga data 4 deri më 6 mars në Berlin të Gjermanisë, e që shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme globale në fushën e turizmit.

Kosovo Investment and Enterprise Support Agency – KIESA, përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se Kosova ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen në këtë panair, transmeton albinfo.ch.

“Gjatë tri ditëve, shtatë kompani nga sektori i turizmit në Kosovë – Superxplorers, Balkan Destination, Swiss Diamond Hotel, Butterfly Outdoor Adventure, OutdoorKosova, Balkan Natural Adventure dhe Kosovo Holidays – prezantuan ofertat e tyre turistike para një audience të gjerë nga vende të ndryshme të botës. Kompanitë pjesëmarrëse e vlerësuan këtë panair si një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, pasi realizuan një sërë takimesh me agjenci turistike dhe operatorë të industrisë, të cilat presin t’i finalizojnë me marrëveshje konkrete në të ardhmen. Duke shfaqur potencialin e vendit si një destinacion unik turistik në rajon, shtandi i Kosovës tërhoqi interes të madh nga vizitorët e huaj”, thuhet në njoftim.”