Arrihet marrëveshja paraprake, CDU dhe SPD drejt formimit të koalicionit qeverisës

Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani, Friedrich Merz dhe Social Demokratët (SPD), partia e Olaf Scholz kanë përfunduar bisedimet paraprake për formimin e një koalicioni.

Sipas njoftimit, ata premtuan se do të ashpërsojnë masat me migracionin ilegal, do të mbështesin industrinë dhe do të nxisin rritjen e ekonomisë.

Kancelari në pritje, Friedrich Merz është shprehur se dëshiron të krijojë një koalicion deri në Pashkë, që i bie më 20 prill të këtij viti, transmeton albinfo.ch.

Të dyja partitë synuan një marrëveshje përpara javës së ardhshme, ku përmes Parlamentit të ringjallin rritjen e ekonomisë së Evropës dhe të rrisin shpenzimet ushtarake, shkruan Reuters.

“Ka një urgjencë të madhe, veçanërisht në lidhje me buxhetin (ushtarak) të Bundeswehr-it”, tha Merz.

Në Gjermani, ku koalicionet janë normë, qeveritë zakonisht formohen në dy faza: fillimisht, partitë zhvillojnë bisedime eksploruese dhe më pas hyjnë në negociata formale për koalicionin. Blloku konservator CDU/CSU i Merz-it dhe SPD-ja kanë diskutuar çështje si migracioni dhe pagesat e mirëqenies, duke u bashkuar pas një fushate të ashpër zgjedhore.

Merz premtoi masa më të ashpra për të trajtuar migracionin e paligjshëm, duke përfshirë largimin e njerëzve në kufijtë e Gjermanisë dhe zgjerimin e kontrolleve kufitare, duke premtuar se do të veprojë së bashku me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian.

Ai tha gjithashtu se Gjermania duhet të synojë rritjen ekonomike 1%-2% dhe kostot më të ulëta të energjisë për të ndihmuar bizneset.

“Në koordinim me fqinjët tanë evropianë, ne do të refuzojmë njerëzit në kufijtë tanë të përbashkët, duke përfshirë azilkërkuesit. Ne duam të marrim të gjitha masat ligjore për të reduktuar migrimin e parregullt në përgjithësi. Ne do të zgjerojmë masivisht kontrollet kufitare që nga dita e parë e qeverisë sonë të përbashkët dhe gjithashtu do të rrisim ndjeshëm numrin e refuzimeve me këto kontrolle kufitare,” tha Merz.

Kosovë: Ngritja e çmimit të rrymës pritet të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të tjera

Shtrenjtimi i mundshëm i energjisë elektrike nga 1 prilli, pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve tjera në vend. Kërkesa e kompanive energjetike për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, ka nxitur reagime te qytetarët, ekspertët e ekonomisë dhe bizneset, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti për të shmangur shtrenjtimin e rrymës.

Gjatë këtij muaji, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pritet të bëjë shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Njohës të ekonomisë thonë se rritja e mundshme e tarifave do të ndikojë negativisht tek bizneset, duke i detyruar ato të rrisin kostot e prodhimeve finale.

Megjithatë, njohësi i energjisë, Hamdi Malushaj, shpreh dyshime mbi transparencën e procesit të përcaktimit të çmimit të energjisë.

Ai thotë se qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht dhe të kryejë një auditim për të verifikuar nëse rritja e çmimit është e justifikuar apo jo, duke e bërë këtë proces më të hapur dhe të besueshëm.

“Patjetër se i dëmton dhe ndikon në ekonomi, inflacion, sepse rritja e energjisë është direkt e lidhur me kostot e produkteve…Pse po shtrenjtohet, a është e drejtë apo jo, cilat janë kostot? Për neve është e qartë se kostot e energjisë është e paqartë, nuk e dimë çka bënë KEDS, ZRRE, raportet mes tyre që gjithmonë kanë qenë të dyshimta, sepse në Kosovë ka ndodhë interferimi në institucione përmes kompanive dhe sa të sinqertë, sa e kanë kalkuluar dhe sa është e vërtetë rritja e çmimeve. Mendoj se qeveria duhet të ndërhyjë shpejtë, të bëjë një komision auditimi dhe të sqarohet a është e vërtetë apo jo, mos të “vajtojë” pastaj se paska qenë mashtrim. Nuk e besoj se është e analizuar deri në masën sa për qind kemi inflacion… Edhe ZRrE e cila ndikohet shumë prej kompanisë KEDS, nuk e dimë a është ZRrE e KEDS, a ZRrE e parlamentit, jam i dyshimtë tash sa mund të ketë të vërteta deklarata të ZRrE-së… Nuk është e bazuar në kalkulime të sakta profesionale (rritja)… Po ashtu s’është investuar, jo me standarde të EU-së”, thotë Malushaj.

Pronari i një kompanie në vend, Shaqir Palushi nuk përjashton mundësinë e rritjes së kostos së prodhimeve finale në rast se rritet çmimi i energjisë elektrike.

“Paralajmërimi nga ana e ZRrE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e amvisërive, por edhe të atyre komerciale, sigurisht se mund të ndikojë në rritjen e kostos së prodhimeve finale të kompanive prodhuese, por kjo varet edhe nga ajo se sa do të jetë rritja”, thotë Palushi.

Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, nënvizon se bizneset e Kosovës po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së kostos së prodhimit, përfshirë energjinë dhe pagat e punëtorëve. Ai ka kërkuar që shteti të mbështesë prodhuesit dhe bizneset vendore, duke ofruar mundësi financiare që të mund të ofrojnë produkte më konkurruese në treg.

“Bizneset në përgjithësi janë duke u përballur me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së përgjithshme të kostos së prodhimit, qoftë çmimeve që janë aktuale edhe të energjisë dhe të tjerave, po ashtu edhe çmimet që po rriten me koston e rritjes së pagave të punëtorëve. Është edhe një nga problemet që kohëve të fundit është shfaq shumë dhe të cilat po krijojnë vështirësi që të dalin me kosto më të ulët në shitje, sidomos për bizneset prodhuese. Nuk janë duke pasur përkrahje të mjaftueshme nga shteti në mënyrë që të jenë më konkurrent në treg, duke marrë parasysh që kemi bërë disa marrëveshje ndërkombëtare… Prandaj, rritja e këtyre çmimeve do të dëmtojë biznesin dhe qytetarët sepse do të marrin produkte shumë më shtrenjtë, sepse do të rriten çmimet e prodhimit… Do duhej shteti të intervenojë, t’i përkrahë, sidomos prodhuesit dhe bizneset vendore. Shteti të mos japë para, por t’ju ju jep bono që me pas mundësi qytetari të blejë produkte vendore me kod, në mënyrë që të ketë mbështetjenë këtë mënyrë, sepse janë para që po shkojnë në blerjen e produkteve të huaja”, thotë Krasniqi.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj shprehet se shtrenjtimi i mundshëm i energjisë elektrikë është goditje për bizneset dhe qytetarët.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike është ndër faktorët që do të ndikojë në të bërit biznes dhe në cilësinë e jetës së qytetarit. Qeveria duhet të reflektojë që të jetë në përkrahje të bizneseve dhe qytetarëve, sepse nëse vazhdohet me këtë trend do të ngulfatet çdo ditë e më shumë biznesi, por, njëherit do të bie cilësia e jetës së qytetarit dhe do të reflektojë në pakënaqësi”, thotë Kadrijaj.

Derisa të shqetësuar me këtë gjendje shprehen qytetarët. Qytetari, Selmon Bytyqi kundërshton rritjen e çmimit të energjisë dhe thotë se kjo do të ketë pasoja katastrofike për qytetarët, pasi shumë prej tyre nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë shtrenjtim.

“Çfarë të shtrenjtimi, a janë normal këta, qysh të shtrenjtojnë, duhet të lirojnë, jo të shtrenjtojnë. Sa janë pagat, pensionet, socialet? Edhe populli nuk është normal që nuk qohet në protesta e të ndalë shtrenjtimin…Diqysh duhet të nxehet njeri, normal se kthehen shporetet, e shumë sene mbrapa po na kthen. Kjo qeveri po na kthen prapa, duhet të lirojë rrymën se populli nuk ka mundësi”, thotë Bytyqi.

Edhe qytetari tjetër, Azem Azemi thotë se çdo shtrenjtim tjetër i rrymës është e “tepërt krahasuar me standardin që jetojmë”.

“Të shtrenjtohet nuk është mirë…Është e tepërt krahasim me standardin tonë”, thotë Azemi.

Nga ZRrE kanë thënë për KosovaPress se ky rregullator ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, për përshtatjet e rregullta tarifore, sipas kërkesave ligjore në fuqi.

“Pas pranimit të këtyre aplikacioneve, ZRRE-ja ka filluar procesin e analizimit të tyre. Ky proces përfshin vlerësimin e detajuar të kërkesave dhe dokumentacionit të dorëzuar nga operatorët, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi. Ju informojmë se ZRRE-ja, pas vlerësimit të detajuar të kërkesave të paraqitura në aplikacionet e operatorëve të licencuar, do të bëjë vlerësimin preliminar të këtyre kërkesave. Ky vlerësim do të publikohet nga ZRRE-ja. Pas publikimit të vlerësimit preliminar, palët e interesit kanë mundësinë të ofrojnë komentet dhe vërejtjet e tyre ndaj këtij vlerësimi”, thonë nga ZRrE.

Sipas ZRrE, ky proces pritet që të përfundojë deri ne fund të muajit mars 2025.

Kujtojmë se nga prilli i vitit 2023, deri më 31 mars 2024 konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës ishte ngritur në 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi ishte bërë prej 14.45 centësh, ose mbi 100 për qind më shtrenjt krahasuar me vitin 2013.

Ndërkohë më 2 prill 2024, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte marrë vendim për lirim simbolik të çmimit prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Ky vendim erdhi si rrjedhojë uljes së çmimit të rrymës për import.

Sipas ZRrE-së, pas këtij vendimi, tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.

Sipas raportit vjetor të ZRrE-së, më 2023 për kategorinë e konsumatorëve familjar çmimi mesatar i energjisë elektrike është 7.12 centë për kilovat, që është më i lartë për 15.93 për qind se në vitin 2022 kur ka qenë 6.14 centë për kilovat, ndërsa për konsumatorët jo-familjar çmimi mesatar i energjisë është 9.36 centë kilovat që është më i lartë se çmimi mesatar në vitin 2022 kur ka qenë 9.27 centë për kilovat.

Dhjetë vjet më herët, në vitin 2013, çmimi mestar i rrymës për familjar ishte 5.15 centë për kilovat, ndërsa, 7.21 centë për ata jo-familjarë.

Ndërsa, sipas rregullatorit të energjisë, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjar dhe jo-familjar për dhjetë vitet e fundit, çmimet nuk përfshijnë TVSH-në.

Tarifa e natës, më e lirë, vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit. /KP

Propozohet uniforma e veteranit të UÇK-së

Ish-eprori i Brigadës 111 ‘Adem Jashari’, Ferid Berisha, i njohur me nofkë ‘Shkupi’, është ideatori, i cili për herë të parë dha idenë e dizajnit të një uniforme të veteranit të UÇK-së.

“E kam ndje vetën shumë keq kur kam shku në varrime të shokëve të mi pa uniformë. Fatkeqësisht shumica e veteranëve dhe luftëtarëve të cilët kanë qenë në luftën e Kosovës, disa prej tyre i kanë ruajtur uniformat e luftës, por shumica edhe nuk i kanë” – thotë Berisha. 

Për idenë e një uniforme të unifikuar e ceremoniale të veteranëve, Berisha thotë se është konsultuar me ish-pjesëtarë të brigadës së tij dhe se të gjithë janë pajtuar që të kenë një uniformë të tillë.

Ndërsa, gjatë punës me këtë projekt, Berisha thotë se ka lindur nevoja edhe për krijimin e një fondacioni, të cilin e quajtën “Don’t Forget” që në shqip do të thotë “Mos të harrojmë”.

“Ai fondacion është krijuar me qëllimin e kazermës, mirëpo tani mendimet janë zgjeruar edhe më tej që të bëjmë projekte në të mirën e historisë së lavdishme të UÇK-së dhe historisë kombëtare”- rrëfen Berisha.

Kjo uniformë, më 5 shkurt 2025, u testua për herë të parë në ‘Lutjet e Mëngjesit në Uashington nga Kryetari i shqiptarëve veteranë në Kroaci, Esat Qollaku dhe ish-eprori Ferid Berisha.

Miratimin më të mdh për këtë hap të tyre, thonë se e morën në Uashington, për çka thonë se nisma e tyre u përkrahë nga figura të rëndësishme dhe luftëtarë të tjerë të huaj.

Pas kësaj, ata dërguan kërkesën për zyrtarizimin e kësaj uniforme, pas diskutimeve për krijimin e rregullores për bartjen e saj.

Pasi u ftuan si veteranë të UÇK-së, ata kërkuan që të merrnin pjesë në këtë ceremoni me uniformën tashmë të re të UÇK-së.

Kjo kërkesë e tyre ishte aprovuar.

“Ajo që neve na ka identifikuar të gjithëve ka qenë emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe natyrisht me atë emblemë ne tani duhet ta evidentojmë si pasardhës, që si veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta kemi një uniformë të unifikuar”- thotë Qollaku.

Ndërkaq, simbolikat e emblemave që janë të paraqitur në veshje janë emblema e UÇK-së, shenja e Brigadës ku ata ishin pjesë e saj dhe poashtu emblemën e shtetit të Kosovës.

Ish-ushtari britanez dhe gazetari, i cili  xhiroi betejën e Jasharëve më 06 mars 1999,Vaughan Smith thotë se kjo uniformë duket dinjitoze dhe e dobishme për shoqërinë.

“Mendoj se duket e pjekur, duket dinjitoze, nuk mund ta ngatërroni me uniformën që do të vishte dikush që shërben sot, kështu që duket ndryshe dhe duket dinjitoze”- thotë Smith.

Ideatori i saj, Ferid Berisha thotë se uniforma tashmë do të jetë e gatshme të blihet edhe nga qytetarë, ndërsa thotë se janë duke punuar për krijimin e një rregulloreje se kur dhe si duhet të bartet ajo./KALLXO

Dita Ndërkombëtare e Gruas: Mijëra njerëz protestuan në Cyrih dhe Bernë

Sot pasdite, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Cyrihut për një demonstratë të paautorizuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Disa qindra njerëz dolën në rrugë edhe në Bernë.

Grupe nga mjedisi autonom i krahut të majtë kishin bërë thirrje për demonstrata.

Policia e qytetit të Cyrihut fillimisht lejoi që demonstrata të zhvillohej në Paradeplatz të qytetit në Limmat, por theksoi se kjo normalisht nuk lejohet. Ata dislokuan një kontigjent të madh dhe bllokuan rrugët anësore. Njoftimet thanë se demonstrata do të tolerohej nëse do të ishte paqësore.

Më pas, sipas agjencisë së lajmeve Keystone-SDA, pati dëmtime në pronë: demonstruesit hodhën shishe të mbushura me bojë në konsullatën italiane. Më pas policia u përgjigj me sprej piper. Disa pjesëmarrës më pas u gjendën përballë oficerëve të policisë me uniformë, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa tubimi vazhdoi, demonstruesit e maskuar hodhën gurë dhe shishe në ndërtesa të tjera, duke përfshirë selinë e Axa-s dhe kompaninë e sigurimeve shëndetësore Sanitas. Ata gjithashtu pikturuan grafite të shumta dhe ndezën fishekzjarre.

Marshimi demonstrues u drejtua nga Paradeplatz përmes qendrës së qytetit nëpërmjet Langstrasse në Helvetiaplatz. Policia vendosi një top uji dhe bllokoi hyrjen në Europaallee dhe Bahnhofstrasse.

Demonstruesit, kryesisht gra, tërhoqën vëmendjen për luftën ndërkombëtare, duke përfshirë atë të grave kurde dhe atë të grave në Iran.

Nëntë linja të tramvajit në qendër të qytetit janë ndërprerë pasdite. Transporti publik u devijua në një zonë të madhe.

Tubimi në Bernë “kundër zhvendosjes”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, qindra njerëz dolën edhe nëpër rrugët e Bernës. Ata demonstruan kundër “prirjeve të krahut të djathtë nacionalist, anti-queer, anti-feminist në politikën botërore”.

Rruga që çonte nga Bubenbergplatz afër Hirshengraben drejt perëndimit, siç vërejti një reporter nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA. Në të njëjtën kohë në qendër të qytetit po zhvillohej një paradë karnavalesh. Policia shoqëroi demonstratën, por fillimisht qëndroi në prapavijë. Megjithatë, ka pasur ndërhyrje të izoluara.

Ftesë për debat të hapur me kandidatët shqiptarë të zgjedhjeve në Gjenevë

Si rrjedhojë e kërkesave të shumë qytetarëve shqiptarë në kantonin e Gjenevës për të njohur më për së afërmi kandidatët zviceranë me origjinë shqiptare që këtë vit garojnë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 23 mars, organizojmë një debat të hapur publik.

Për t’iu përgjegjur po ashtu edhe dëshirës së kandidatëve që prezantohen në formacione të ndryshme politike të kantonit, e që kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit shqiptar të cilit ata i takojnë, është obligim yni qytetar që të jemi aty ku dhe kur të rinjtë tanë kanë nevojë për ne.

Të gjithë këta kandidatë që denjësisht angazhohen në shoqërinë shumëkulturore të Gjenevës që të sjellin edhe ndryshime të reja politike duke qenë njohësit më të mirë të nevojave të shqiptarëve, janë vlerë e shtuar e kulturës dhe origjinës sonë.

Andaj, me qëllim të njohjes së ndërsjellë dhe për t’iu mundësuar atyre shpalosjen më për së afërmi të projekteve të tyre, për t’i dëgjuar e për të mësuar më shumë rreth synimeve politike që ata kanë, organizojmë një Debat të hapur, jo vetëm për shqiptarët e Gjenevës por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë zviceranë që duan t’i njohin e t’i mbështesin kandidatët me origjinë shqiptare.

Takimi mbahet të shtunën me 15 mars në këtë adresë:
Swiss UMEF, 187 Route d’Aïre
1219 Aïre – Genève, Suisse.
Pritja: nga ora 18:30
Fillimi i debatit: në orën 19:00

Për informata më të hollësishme rreth kësaj ngjarjeje, ju mundeni të na shkruani një sms në 079 607 46 74 dhe ne iu kontaktojmë.
Mirëseardhjen ju uron, organizatorja e takimit,  Mirishahe Limani Hiler.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, iftar me përfaqësues diplomatikë dhe personalitete të diasporës

Të premten mbrëma, më 7 mars 2024, Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) në bashkëpunim me «Rrjetin e Miqësisë» ka shtruar iftar tradicional, në të cilin ishin të ftuar personalitete të shquara të jetës publike, drejtues të organizatave islame më të rëndësishme, publicistë, biznesmenë, filantropë, imamë dhe drejtues të xhamive shqiptare.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin kryetari i KMSHZ-së, Hafiz Mehas Alija, diplomatët shqiptarë në Zvicër: Ambasadori i Republikës së Kosovës, Mentor Latifi, Ambasadori i Maqedonisë, Rexhep Demiri, Valon Gashi, Sekretari i Parë në Ambasadën e Shqiperisë dhe Vigan Berisha, Konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih. Më tutje, në mesin e üpjesëmarrësve ishin edhe kryetari i Rrjetit të Miqësisë, Meti Krasniqi dhe mysafirë të tjerë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Diplomatët, Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi dhe ai i Maqedonisë Rexhep Demiri, përcollën urimet e tyre për muajin e shenjtë të Ramazanit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe vlerave shpirtërore gjatë kësaj periudhe të veçantë. Kryetari i Rrjetit të Miqësisë, z. Meti Krasniqi, theksoi në fjalimin e tij rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke vënë theksin te e ardhmja e brezave të rinj shqiptarë dhe mirëqenia e komunitetit.

Ndërsa kryetari i Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër, Hafiz Mehas Alija, duke ju drejtuar të pranishmëve ka falënderuar shoqërinë zvicerane për sigurinë që ofron dhe për hapjen e saj në drejtim të dialogut ndërfetar. Po ashtu ai ka vënë theksin në rolin e xhamive shqiptare në vendet ku jeton komuniteti shqiptar për ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar.

“Jemi me fat që jetojmë në një shoqëri dhe mjedis siç është  Zvicra, ku ka mbështetje, motivim dhe nxitje për dialog ndërfetar, ndërkulturor dhe ndërcivilizues. Jetojmë në shtetin më të sigurt në botë, andaj dhe rrugët për një bashkëjetesë më të mirë i kemi më të sigurta”.

“Xhamitë këtu në mërgatë janë kështjellat ku ruhen reliktet dhe inxhitë më të çmuara të fesë dhe të kombit tonë. Ato sot janë qendrat e jetës fetare islame dhe të asaj shqiptare. Në to sot i gjen të gjitha profilet e shoqërisë sonë, burra e gra, të rinj e të reja.

Nga ana tjetër, gjuha shqipe është një nga pasuritë më të mëdha që kemi. Ajo është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe simbol i unitetit dhe dashurisë për atdheun tonë. Ajo na lidh me historinë, me traditat dhe me njëri-tjetrin, pavarësisht se ku ndodhemi në botë.

Dua të apeloj fortë: Le të bëjmë përpjekje të përbashkëta për ruajtjen e gjuhës, sepse duke e ruajtur atë, ne do ta ruajmë indentitetin tonë. Gjuha na lidh me historinë, me traditat dhe më njëri-tjetrin, pavarësisht se ku jetojmë e veprojmë nëpër botë”, ka thënë veç tjerash Hafiz Mehas Alija.

Meqenëse iftari këtë vit përkonte me 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, organizatorët kishin paraparë edhe një bashkëbisedim me temën “Mërgata dhe mësimi shqip”. Ky aktivitet u mbajt në Xhaminë e Re në Winterthur, e cila sapo ka hapur dyert për besimtarët. Të pranishmit shprehën mesazhe të rëndësishme mbi rolin e diasporës në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, duke theksuar rëndësinë e edukimit në gjuhën amtare për brezat e rinj që jetojnë jashtë vendit.

Diskutimi nxori në pah sfidat dhe mundësitë për forcimin e arsimit shqip në mërgatë, si dhe nevojën për bashkëpunim mes institucioneve fetare dhe arsimore, në këtë rast me shkollat shqipe në Zvicër.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon përsëritjen e procesit të votimit me postë

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një ankese drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka kërkuar anulimin e votimit me postë për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe përsëritjen e këtij procesi.

Sekretari i këtij subjekti, Alim Rama, ka deklaruar se procesi i votimit me postë është dëmtuar.

“Po presim që PZAP-ja të vendosë për anulimin e votimit me postë dhe të kërkojë përsëritjen e procesit”, ka thënë Rama për Kohën.

LVV-ja po pretendon për manipulime të votave me postë nga Lidhja Demokratike (LDK). Gjithashtu, partia fituese e zgjedhjeve pati kërkuar të rishikohen disa fletëvotime me postë që janë shpallur të pavlefshme – diçka për të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi kundër, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një njoftimi ka bërë të ditur se po pret që të shqyrtohen ankesat e LVV-së e më pas të shpallen rezultatet përfundimtare.

Dita ndërkombëtare e gruas, Google feston me një Doodle për kontributin e femrave në teknologji

Google ka festuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas me një Doodle. Kombet e Bashkuara e njohën për herë të parë këtë festë në vitin 1975, për të nënvizuar rëndësinë e kontributit të grave në mbarë botën.

“Me Doodle-n tonë, ne nderojmë gratë vizionare,” shkruan Google. Vepra artistike e Doodle-it thekson kontributet novatore të grave që kanë revolucionarizuar eksplorimin e hapësirës, kanë bërë zbulime dhe kanë nisur kërkime laboratorike që kanë ndikuar rrënjësisht në kuptimin tonë për fizikën, kiminë dhe biologjinë. Këto arritje përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të kontributit të grave në shkencë.

Puna e tyre simbolizon progresin e vazhdueshëm drejt barazisë gjinore. Megjithatë, STEM mbetet një nga fushat ku ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme. Aktualisht, gratë përbëjnë vetëm 29% të fuqisë punëtore globale në STEM, por ky numër rritet çdo vit.

Dita Ndërkombëtare e Gruas shërben si një kujtesë e fuqishme se arritjet e grave kanë formësuar botën tonë përgjatë historisë. Falë shkëlqimit të tyre kolektiv, ne jemi në gjendje të përjetojmë mrekullitë e botës moderne.

Deputeti gjerman jep lajmin e mirë: Këto janë planet e qeverisë së re gjermane për ta integruar Kosovën në BE

Gjermani para pak ditësh ka mbajtur zgjedhjet e reja parlamentare. Në këto zgjedhje ka fituar subjekti i CDU me kancelarin e ri, Friedrich Merz.

Pjesë e bundestagut gjerman do të jetë sërish edhe deputeti Knut Abraham. Ai ka treguar mbështetjen që qeveria e re gjermane do ta jap për Kosovën.

Madje, ai ka thënë se Gjermania është shumë e interesuar ta ndihmojë Kosovë drejt integrimit evropian, dhe se këtë qëllim e kanë orientuar në dy hapa.

Sa i përket qeverisë së re në Kosovë, deputeti Abraham ka thënë se është ҫështje politike e brendshme, por që Kosovës i uron një qeveri të qëndrueshme për sfidat që e presin.

U kidnapuan për një shpërblim 1 milion franga, shpëtohen dy qenushë nga policia zvicerane

Së fundmi, policia zvicerane ka zgjidhur një rast kidnapimi që përfshinte dy qen dhe një kërkesë për shpërblim prej 1 milionë frangash, përcjell albinfo.ch.

Policia ka thënë se dy qentë ishin vjedhur nga shtëpia e një 59-vjeçari në Schlieren afër Cyrihut javën e kaluar, kur pronari i tyre nuk ishte aty.

Kur burri u kthye, qentë s’ishin dhe gjeti një letër me kërkesën për para nëse donte t’i liroheshin qentë, shkroi AP.

Në vend se të paguante, burri thirri policinë.

Policët arrestuan një norvegjez 30 vjeç në Aeroportin e Cyrihut, pasi thanë se ai besohet të ketë qenë i përfshirë në vjedhje.

Gjatë hetimit dhe bashkëpunimit evropian, policia në Poloni më pas arrestoi një 38-vjeçar dhe zbuloi qentë e kidnapuar të cilët ia kthyen pronarit.

Në Ditën e Gruas, presidentja Osmani me urim të veçantë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Osmani në një postim në Facebook ka publikuar fotografi nga takimi me gratë që punojnë në fushën e sigurisë.

“Me gratë që mbrojnë dhe që shërbejnë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Përkushtimi, profesionalizmi dhe sakrifica e grave police janë shembull frymëzimi për të gjithë ne. Në këtë ditë, riafirmojmë angazhimin tonë për mbështetjen dhe fuqizimin e grave në çdo sektor, veçanërisht atyre që mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për shoqërinë tonë.

Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë në uniformë të cilat shërbejnë me nder, krenari dhe guxim!”, shkruan ajo.

Një grua myslimane paditi për leje të posaçme për të veshur nikab në trafik, gjykata gjermane ia hedh poshtë kërkesën

Një myslimane ngriti padi, se donte të drejtonte makinën me nikab, me fytyrë të mbuluar. Gjykata Administrative gjermane në Trier e hodhi poshtë padinë. Myslimanja nuk ka të drejtë për leje të posaçme si përjashtim nga ligji i trafikut rrugor në lidhje me ndalimin e mbulimit të fytyrës. E drejta e të tretëve për pacënueshmërinë trupore qëndron më lart se ndërhyrja në lirinë e fesë që ndalon mbulimin e fytyrës, thuhet në argumentimin ligjor. Veshja e nikabit zvogëlon spektrin e vështrimit, e rrit rrezikun e dëmtimit të pjesëtarëve të tjerë në trafik. Krahas kësaj në kontrolle nuk mund të verifikohet identiteti i shoferes. Ligji rrugor gjerman u ndalon shoferëve të mbulojnë fytyrën në atë formë që nuk është më e dallueshme.

Nëna myslimane që i rrit e vetme dy fëmijët në një fshat në Trier kishte akuzuar LMB, Shoqatën e Transportit në Renani-Pfalc, se nuk ia dha lejen e posaçme. Në zonën e saj të banimit nuk ka trafik urban. Stacioni më i afërm është rreth 1 km larg. Por gjykata vendosi, se paditësja e përballon vështirësinë e përdorim të trafikut urban rreth 1 km larg. Po ashtu gruaja mund të përdorë edhe biçikletën për distanca të shkurtra. Vendimi i Gjykatës u dha në fund të shkurtit, në media vendimi u publik të enjten (06.03.)

44.224 vota nga mërgata për Lëvizjen Vetëvendosje

Në këtë fazë të përmbylljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje falënderoi përzemërsisht mërgatën, që vazhdon t’i mbështesë duke numëruar në këto zgjedhje 44, 224 vota, përcjell albinfo.ch.

Postimi i plotë nga LVV:

Vota ka qenë vetëm pjesa e fundit e një angazhimi të gjatë, të përditshëm e me mund për ju, me votime nëpër ambasada, konsullata e me postë, siç edhe me udhëtime me avionë, autobusë apo vetura. Për të gjitha e për të gjithë: mirënjohje e plotë dhe falënderime zemre!

Mërgata e ka bërë Kosovën gjithmonë edhe më demokratike. Një vend demokratik e definon në thelb masa, karakteri dhe intensiteti i pjesëmarrjes së qytetarëve të tij në përcaktimin e fateve të përbashkëta, për më të mirën e vendit e për të gjithë. Pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje parlamentare i ka shtuar vlerë të posaçme demokracisë tonë, duke e bërë atë edhe më gjithëpërfshirëse.

Dikur bashkëkombasit tanë gjenin në mërgatë një vend nga ku ushtronin veprimtarinë e tyre për çlirimin e Kosovës. Kontributi i tyre ka qenë pjesë e pazëvendësueshme e përpjekjes për liri. Në kontekstin e sotshëm të ambicieve të shtetit të Kosovës për zhvillim, kontributi i tyre mbetet kyç në çdo drejtim, që nga ai i zhvillimit të proceseve politike e deri tek ai ekonomik. Në programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mërgata jonë është përbërës shumë i rëndësishëm, i cili do të rrisë gjithnjë e më shumë pjesëmarrjen në ekonominë e Kosovës, jo vetëm përmes remitancava, por edhe si rritje e mëtejshme e prirjes për investim në atdhe.

Mërgata jonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë tejet aktive në Kosovë; ajo ka qenë dhe do të mbetet diplomacia dhe mbartësi që merr përsipër interesat e Kosovës dhe kombit shqiptar në botë.

Falënderimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i secilit prej nesh nuk do të reshtë kurrë, por dhe as nuk do të mjaftojë ndonjëherë.

Faleminderit dhe mirënjohje të pafundme mërgatë! Është fat që ju kemi dhe detyrë që të bëjmë për ju, sa ju bëni për Lëvizjen dhe Republikën e Kosovës!

Rama për 8 Marsin: Kemi bërë progres në zgjerimin e hapësirës për gratë në çdo nivel

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë në një aktivitet me gratë dhe vajzat nga i gjithë vendi me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kreu i qeverisë theksoi se gratë janë të përfshira në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe se kjo është meritë e PS.

“Duke ju parë të gjithave këtu, po mendoja se çfarë do të ndodhte me burrat dhe çfarë do të ndodhte me djemtë tuaj nëse ju për një muaj nuk do të ktheheshit në shtëpi. Madje, edhe për një javë… po imagjinoni për një muaj! Në fakt, kjo është mënyra më e thjeshtë për të kuptuar të vërtetën e ekuilibrit të çdo shtëpie: pa gruan, ajo është pa çati. Po ashtu, e njëjta e vërtetë vlen për shoqërinë tonë. Nëse sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, por edhe në hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet një emri të vetëm: PS. Një grua shqiptare që ju e keni dëgjuar të gjitha, Elena Gjika, thoshte se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar gruas,” u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama vijoi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë e rolit të gruas në shoqëri dhe progresin e Shqipërisë në këtë drejtim.

“Dhe nëse e matim Shqipërinë me vendin që i ka rezervuar gruas, mendoj se progresi në zgjerimin e hapësirës për gratë është një pasqyrë kuptimplotë e vetë progresit që ka bërë vendi ynë. Për këtë, ne socialistët dhe socialistet shqiptare kemi të gjithë arsyet të jemi më krenarë se të gjithë të tjerët.

Duke vazhduar me Dora d’Istria, ajo thoshte se të luftosh për gratë do të thotë të luftosh dhe fitosh edhe për burrat. Sa më të forta të jenë gratë, aq më të fortë janë burrat dhe sa më të dobëta të jenë gratë, aq më e dobët është fuqia në dukje e burrit. Besoj se duke zgjeruar hapësirën për gratë, duke u dhënë atyre më shumë vend në të gjitha nivelet e përfaqësimit, ne të gjithë së bashku luftojmë për t’i bërë burrat më të vetëdijshëm, më të arsyeshëm dhe më të urtë, në kuptimin e mençurisë.

Thënë të gjitha këto, në 11 maj Shqipëria ka sfidën për të mos humbur asnjë minutë në një proces ku rrethanat tona të brendshme dhe rrethanat e brendshme të Evropës janë bërë një. Për herë të parë në historinë tonë, mundësia për t’u bërë pjesë e familjes evropiane është reale dhe është në duart tona,” përfundoi Rama.

Prishtinë: Gratë kërkojnë barazi e drejtësi

Në ditën e ndërkombëtare të tyre, me qindra gra kanë hequr dorë nga festa të shtunën dhe kanë marshuar nëpër sheshet qendrore të Prishtinës për të kërkuar barazi dhe drejtësi për to.

Ato kanë mbajtur në duar pankarta të ndryshme. “Marshojmë për njana-tjetrën”, “Grua, Jetë, Liri”, “Trupi jem, e drejta jem”, ishin disa prej tyre.

Janë parë edhe flamuj të Palestinës.

Që nga fillimi i shekullit të kaluar, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet çdo 8 Mars dhe përkujton lëvizjen për barazi. Në këtë datë, gratë anembanë botës bashkohen për të kërkuar më shumë të drejta.

Laura Fazliu e ka kaluar pengesën e parë në Grand Prix Upper Austria

Laura Fazliu e ka kaluar pengesën e parë në Grand Prix Upper Austria që po mbahet në Linz.

Në xhiron e dytë të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti italianen Carlotta Avanzato.

Ndaj saj realizoi hedhje për Ippon në kohën shtesë.

Lufta ishte e vështirë për xhudisten kosovare. Që në fillim, ajo pësoi një lëndim në fytyrë dhe mori trajtim mjekësor. Pavarësisht kësaj, u kthye në tatami me një fashë në fytyrë dhe vazhdoi garën, duke arritur të sigurojë fitoren në fund.

KQZ-ja s’mund të procedojë me shpalljen e rezultateve shkaku i tri ankesave të LVV-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimare të zgjedhjeve të 9 shkurtit tek pas vendimmarrjeve të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme ndaj tri ankesave që janë paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje, përcjell albinfo.ch.

KQZ-ja ka bërë të ditur se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik, e se deri pas shqyrtimit të tyre nuk do të shpallen as rezultatet përfundimtare. 

“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së.

Ankesat janë dorëzuar nga Lëvizja Vetëvëndosje. Zëdhënësi i saj, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se ankesat lidhen me votimin me postë.

“Po, kemi dërgu ankesë në PZAP për votimin me postë. Dy ankesa, një për manipulimin e votave të LDK-së e tjetra për përfshirjen e të gjithë votave të pavlefshme sipas vendimit të parë të PZAP”, ka thënë ai.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar të mërkurën. Subjektet kanë pasur kohë 48 orë për të paraqitur ankesat.

Abdixhiku: Fuqizimi i gruas është garanci për një Kosovë më të drejtë, barabartë e të zhvilluar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me rastin e 8 Marsit, ka uruar të gjitha vajzat dhe gratë në ditën e tyre.

Përmes një mesazhi, Abdixhiku shpreh mirënjohje dhe respekt ndaj të gjitha grave, i cili thotë se ato me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre lartësojnë vlerat më të mira të shoqërisë.

“Sot kujtojmë përpjekjet e tyre të mëdha për barazi, drejtësi dhe paqe. Rikujtojmë gjithashtu rolin dhe kontributin e të gjitha grave në kohërat më të vështira të vendit tonë, duke qenë pjesë e çdo procesi të themelimit dhe ndërtimit të shtetit tonë, të barabarta në përgjegjësi dhe kontribut. Sot, ato janë forca lëvizëse e shumë ndryshimeve dhe një shtyllë e jashtëzakonshme e shoqërisë sonë, duke dhënë kontribut në çdo fushë. Prandaj, e themi me zë të lartë se jemi krenarë për punën e tyre të pashoqe në kauzën për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Ne rreshtohemi krah tyre në luftën për të drejta të barabarta.”

“Në këtë ditë është e rëndësishme që të gjithë të reflektojmë mbi arritjet e grave dhe të angazhohemi për të krijuar një të ardhme më të ndritur, ku ato kanë mundësi të barabarta dhe gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Fuqizimi ekonomik, social dhe politik i gruas është një investim i drejtpërdrejtë në forcimin dhe zhvillimin e shtetit. Ai është garanci për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar.

Ju falënderoj nga zemra për kontributin tuaj të çmuar dhe ju siguroj se ky angazhim për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë do të vazhdojë, sot e gjithmonë,” ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai thotë se bashkë do të ndërtojnë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi e më shumë mbështetje.

“Bashkë do ta ndërtojmë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi, më shumë mbështetje dhe më shumë hapësirë për të udhëhequr proceset e rëndësishme për të ardhmen e vendit!”

Për nder të 8 marsit, Ambasada e Kosovës në Paris organizon event për gratë shqiptare

Një mbrëmje e mrekullueshme u organizua nga Ambasada e Kosovës në Paris dhe F’ODA, për të shënuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, përcjell albinfo.ch.

Ambasada e Kosovës në Paris falenderon të gjitha vajzat dhe gratë pjesëmarrëse që kontribuan në këtë bashkëbisedim frymëzues, duke festuar forcën, qëndrueshmërinë dhe angazhimin e grave në të gjitha fushat e shoqërisë.

“Së bashku, vazhdojmë të promovojmë barazinë dhe të vlerësojmë rolin jetik të grave në të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruan ambasada.

Bruksel: Tubim në nderim të grave shqiptare dhe kundër dhunës ndaj tyre

Me organizim të Lëvizjes Popullore të Kosovës (Zvicër e Gjermani) dhe në bashkëpunim me disa shoqata shqiptare në Belgjikë, me rastin  ditës së Grave, 08. Marsit, në Place-du-Luxembourg të Kryeqendrës së BE-së, në Bruksel mbahet tubim Përkujtimor për nderimin e Grave dhe vajzave shqiptare.

Tubimi mbahet me fillim në orën 14.00.

Organizatori, në njoftimin e tij thekson se ky tubim mbahet sidomos për gratë e familjes Jasharaj, të cilat nën dhunën dhe masakrat serbe të datave: 5, 6 dhe 7 , Mars 1998 në Prekaz e Kosovë, ranë heroikisht sypatrembur në altarin e lirisë.

Më tutje në njoftim thuhet se në të njëjtën kohë mbahet edhe një Protestë paqësore, lidhur me dhunën e ushtruar mbi shqiptarët në viset ku ata jetojnë që nga lashtësia e tyre, e të cilët ende janë të pushtuar nga pushtetet diskriminuese të huaja, si ato të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të zi dhe Greqisë.

“Kjo dhunë e ushtruar madje edhe sot në mënyrë permanente mbi shqiptarët, nga të njëjtat pushtete, vazhdon ende të jetë Golgota shqiptare në trojet e tyre autoktone! Ta ngremë zërin tonë të arsyes, për të ndaluar dhunën sistematike ndaj popullit të mbetur nën pushtim të huaj, me kërkesën që atyre t’ju pranohen të drejtat bazë, si: të jetojnë, të frymojnë dhe të prosperojn në gjuhen e vet amtare shqipe, është gjëja minimale që duhet kërkuar pareshtur edhe përballë BE-së dhe mbarë botes!”, thuhet veç tjerash në njoftimin e Këshillit Organizativ të LPK-së.

 

 

Shaqiri po e kalon edicionin më të mirë në karrierë

Sipas statistikave, Xherdan Shaqiri (33) po kalon sezonin më të mirë në karrierë, përcjell albinfo.ch.

Me kontribut në 23 gola në ndeshjet e kampionatit dhe të kupës, kapiteni i Baselit ka thyer të gjitha rekordet e tij të mëparshme në Gjermani, Angli dhe SHBA. Megjithatë, rikthimi te Baseli nuk ishte një vendim i duhur vetëm për Shaqirin, por edhe një bekim për vetë klubin.

Pas një sezoni të vështirë dhe të pasuksesshëm, Baseli më në fund po lufton sërish për titullin kampion. Kjo është kryesisht falë Shaqirit. Asnjë ekip në Superligën e Zvicrës nuk varet nga paraqitja e një lojtari aq sa Baseli. Kur Shaqiri shënon apo asiston, skuadra thuajse gjithmonë fiton. Lideri i Superligës ka një mesatare prej 2.42 pikësh për ndeshje kur Shaqiri është i përfshirë në realizimin e golit.

Nëse Shaqiri nuk realizon apo nuk asiston, mesatarja e Shaqirit është shumë më e ulët. Në tetë ndeshje kampionale, Shaqiri ka dështuar të shënojë gol apo të asistojë. Dhe Baseli ka fituar vetëm një prej këtyre ndeshjeve. Në tetorin e kaluar e mposhti St. Gallenin 2:1, falë golit të minutës së fundit nga Kevin Carlos. Pa kontributin e Shaqirit me gola apo asistime, Baseli fiton 0,75 pikë për ndeshje.

Por, para fazës vendimtare të kampionatit, lojtari me 125 paraqitje për Zvicrën po përballet për herë të parë me probleme shëndetësore. Fundjavën e kaluar, gjatë ndeshjes ndaj Sionit, Shaqiri u pa disa herë duke prekur kofshën e këmbës me duar. Si pasojë, trajneri Fabio Celestini e largoi nga fusha pas një ore lojë.

“Kështu u morëm vesh paraprakisht”, tha më pas trajneri i Baselit. Kjo skuadër i kishte tri ndeshje brenda tetë ditëve.

Por sa serioze janë ankesat e Shaqirit? Të enjten në mëngjes, lojtari ofenziv e la fushën herët gjatë një ndeshjeje stërvitore. Por vetëm disa minuta më pas, Shaqiri filloi stërvitjen sërish. Pushimi i shkurtër ishte për të kontrolluar ngarkesën.

Kjo është njëra prej arsyeve kryesore pse Shaqiri nuk ka munguar asnjë ndeshje këtë edicion për shkak të lëndimeve. Këtë nuk e kishte arritur që nga ditët e para të karrierës, kur ishte po ashtu në Baseli.

Stafi i trajnerëve të Baselit e kthyen në vjeshtë gradualisht në formë Shaqirin. Pikërisht kjo, që Shaqiri të jetë pa lëndime, i duhet Baselit nëse dëshiron ta fitojë titullin e parë të kampionit të Zvicrës që nga viti 2017. Prej kthimit te Baseli, Shaqiri i ka 11 gola e 12 asistime në 25 paraqitje.

Rreth 360 milionë euro investuan shtetasit e Kosovës në Shqipëri për 10 vjet

Së fundmi, Instituti GAP ka publikuar shifrat e investimeve të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri që nga viti 2015 deri më 2024, përcjell albinfo.ch.

Referuar institutit, kosovarët investuan gjithsej 360 milionë euro përgjatë këtyre viteve.

Në vitin 2015 u investuan 3 milionë euro, në 2016 – 11 milionë, në 2017 – 13 milionë euro, në 2020 – 14 milionë, në 2021 – 38 milionë euro, në 2022 – 74 milionë, në 2023 – 95 milionë, ndërsa nga tremujori i parë deri në tremujorin e tretë të vitit 2024 u investuan 80 milionë euro.

Instituti GAP ka ndarë pesë sektorët me investimet e huaja direkte më të larta në Shqipëri për vitin 2024 nga të gjitha shtetet. Sektori me më shumë investime ishte ai i pasurive të paluajtshme, me 22 për qind, i ndjekur nga energjia elektrike, avulli, gazi dhe furnizimi me ajër të kondicionuar. Industria nxjerrëse përfitoi 17 për qind të investimeve, ndërsa industria përpunuese mori 11 për qind. Sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit përfitoi 10 për qind të investimeve.