Të hënën vazhdon votimi për kryetar të Kuvendit

Albulena Haxhiu, e propozuara për kryetare të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk i ka marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur, as në herën e dytë, përcjell albinfo.ch.

Kështu, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën, duke thënë se ajo do të vazhdojë pas 48 orësh.

Dehari bëri të ditur se Kuvendi punimet do t’i vazhdojë të hënën nga ora 15:00.

Ndërkaq, sot Haxhiu mori 57 vota, 19 kundër dhe tre deputetë abstenuan.

Haradinaj tregon se cilët kandidatë të LVV-së do t’i votonte për kryeparlamentar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se sot ekziston një dakordim mes partive opozitare për të votuar raportin për konstituimin e Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë për media, ai tha se pas kalimit të raportit, është i gatshëm të mbështesë emrat e propozuar nga VV-ja, Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi, nëse ato do të jenë kandidate për këtë post.

Dështon për herë të dytë zgjedhja e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për herë të dytë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca ka kërkuar nga deputetët në sallë që të votojnë këtë propozim në mënyrë që të mos bllokohet Kuvendi.

“Ju kisha lutë si kolegë ta mbështetin se vetëm kështu nuk bëheni pjesë e bllokimit të kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca.

Haxhiu me 57 vota pro, 11 kundër dhe 3 abstenime nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të bërë kryetare e Kuvendit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se seanca mbyllet për sot ( e shtune), dhe do të vazhdojë të hënën nga ora 15:00.

Vdes Sylejman Shaqiri, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së

Bëhet e ditur se ka ndërruar jetë ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur vajza e të ndjerit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka lindur në Ferizaj. Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.

Vlen të theksohet se në vitin 1988 u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.

Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë.

Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.

Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.

Në vitin 2010 arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur ferizajas, ish-drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri, familja e të ndjerit, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj, në orën 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, organizojnë mbledhje komemorative në kujtim të jetës dhe veprës së tij.

Kurti kundër Shkëlqim Devollit : Nuk mund ta përfaqësojnë Republikën ata që e mohojnë atë

Deputeti i VV-së, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas përfundimit të mandatit të Shkëlqim Devollit si Konsull Nderi në Malin e Zi, përcjell albinfo.ch.

Ai, në dokumentet e tij, kishte mohuar shtetësinë e Republikës së Kosovës duke e identifikuar qytetin e Pejës si pjesë të Serbisë.

“Nuk mund ta përfaqësojnë Republikën ata që e mohojnë atë. Peja është në Kosovë, kurrë në Serbi”, ka shkruar Kurti.

Krasniqi: E kemi ditë që nuk i kanë votat, le t’i gjejnë

Së fundmi, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për media pasi Albulena Haxhiu, e propozuara për kryetare të Kuvendit nga radhët e LVV-së, nuk i mori votat, përcjell albinfo.ch.

Krasniqi deklaroi se e kanë ditur që VV-ja nuk i ka votat.

“Ishin 52, qenkan bërë 57, nuk besoj që bëhen 61”, deklaroi Krasniqi.

I pari i PDK-së tha se asnjë kandidat nga radhët e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit nuk e merr votën nga ky subjekt politik.

“Ne kemi votë vetëm për Qeverinë e udhëhequr nga Bedri Hamza”, shtoi ai.

Memli Krasniqi theksoi se “Vetëvendosja duhet t’i gjejë votat”.

Dështon zgjedhja e Albulena Haxhiut Kryetare e Kuvendit

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Në këtë votim, LDK votoi kundër, PDK nuk mori pjesë në votim, kurse NISMA abstenoi.

57 deputetë të Kuvendit kanë votuar pro, ndërsa 20 kundër, kurse 3 kanë abstenuar.

Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka votuar emrin e Haxhiut për kryeparlamentare, duke qenë se deri më tash është folur që emri i kryetarit të kësaj partie do të propozohet për kryetar të parlamentit.

Betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së re kanë bërë sot betimin në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Deputetët u ngritën të gjithë në këmbë për të lexuar tekstin e betimit.

Teksti i deklaratës së betimit:

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”

Gërvalla: Mandati i Shkëlqim Devollit si konsull nderi i Kosovës në Mal të Zi ka përfunduar

Sot, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka njoftuar se ka marrë vendim që Shkëlqim Devollit t’i përfundojë mandati si Konsull Nderi i Kosovës në Mal të Zi, përcjell albinfo.ch.

Gërvalla e quajti këtë më shumë sesa një akt administrativ, teksa aludon se Devolli ka mohuar shtetësinë e Kosovës.

“Zero tolerancë ndaj mohuesve të Republikës së Kosovës. Kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës, nuk mund të jetë përfaqësues i Kosovës. Kushdo që lëkund të vërtetën tonë shtetërore, do ta gjejë Republikën tonë të vendosur dhe të përgatitur ndaj veprimeve të tyre.”

Dje ka marrë fund mandati i z. Shkëlqim Devolli si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës. Ky vendim i marrë në momentin që jam informuar për këtë rast është i pakthyeshëm. Qëllimi është i qartë: mbrojtja e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj.

Individët që marrin tituj nderi me dokumente ku mohohet Republika e Kosovës, mohojnë gjakun e derdhur për liri, mohojnë ekzistencën tonë, mohojnë Republikën tonë.

Po flasim për të njëjtët që, ndërsa përfitojnë nga Kosova, regjistrojnë biznese me adresa serbe, përhapin propagandë kundër udhëheqjes shtetërore dhe investojnë miliona për të njollosur imazhin e Kosovës në opinionin publik,” shkroi ajo krahas vendimit.

Gërvalla ka thënë se kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës, nuk do të jetë përfaqësues i saj.

“Ky vendim është më shumë se një akt administrativ, është një betim institucional që Kosova nuk do të përfaqësohet kurrë nga ata që i shërbejnë narrativave të shteteve që nuk e njohin pavarësinë tonë.

Kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës, nuk mund të jetë përfaqësues i Kosovës. Kushdo që lëkund të vërtetën tonë shtetërore, do ta gjejë Republikën tonë të vendosur dhe të përgatitur ndaj veprimeve të tyre,” shkroi ajo.

Për të tretën herë protestuesit i thonë jo rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Mësohet se përfaqësuesit e grupit “Asnjë Cent më Shumë” dhe qytetarë kanë protestuar sot kundër rritjes së tarifës së energjisë elektrike, përcjell albinfo.ch.

Kjo protestë u mbajt si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të cilin e kanë cilësuar si “të padrejtë dhe jo legjitim”.

Qytetarët në këtë protestë mbanin pankarta si: “Asnjë cent ma shumë”, “Shkarkim, jo shtrenjtim”, “Shkarkojeni bordin”, “ZRRE nuk na përfaqëson”, “Nuk paguajmë për dështime tuaja”.

Ndryshe, është thënë se, nëse nuk ka reflektim, do të detyrohen ta masivizojnë protestën.

A e dini se emërtimi i lopëve është traditë në Zvicër

Në Zvicër, emërtimi i lopëve është traditë që pasqyron lidhjen e veçantë mes fermerëve dhe kafshëve të tyre.

Në shtetin zviceran, përveç alpeve, lopët janë ikona më e shquar e këtij shteti.

Albinfo.ch ju sjell një kuriozitet sa i përket emrave të tyre.

Numri më i madh i lopëve në Zvicër mban emrin “Bella” në rajonet ku flitet gjuha gjermane dhe franceze, ndërsa rajonet italishtfolëse preferojnë emrin “Luna”.

Votohet raporti për verifikimin e mandateve

Me 120 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve gjatë seancës së tretë konstituive, përcjell albinfo.ch.

Ky dakordim erdhi pas një takimi ndërpartiak të zhvilluar sot në orën 11:30, ku krerët e partive politike arritën një marrëveshje të përbashkët.

Ministrja Albulena Haxhiu deklaroi se gjatë këtij takimi është arritur pajtim unanim për krijimin e një Komisioni të ri, i cili do të kishte mandat të shqyrtojë edhe një herë raportin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe ta procedojë atë për miratim në Kuvend.

“Sot, në seancë kemi theksuar që Komisioni i ri, me autorizim të Kuvendit, të mblidhet edhe një herë për të shqyrtuar raportin nga KQZ-ja dhe për ta sjellë për votim. Është arritur pajtimi që raporti të votohet unanimisht nga të gjitha partitë politike,” tha Haxhiu.

Ky hap shënon një moment të rëndësishëm drejt konstituimit të plotë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Chair Airlines renditet në mesin e kompanive me nisjet më të sakta në Zvicër

Një analizë e të dhënave nga Aeroporti i Cyrihut tregon se cilat linja ajrore kanë regjistruar më shumë vonesa në dy vitet e fundit. Ndërkohë, Air Serbia ka më së shumti vonesa në aeroportin e Cyrihut, përcjell albinfo.ch.

Një në tre fluturime niset me më shumë se 30 minuta vonesë.

Ndërkohë, 19 për qind e fluturimeve zvicerane në total janë me vonesë.

Nga ana tjetër, Chair Airlines është renditur në mesin e kompanive me nisjet më të sakta në Zvicër, me vetëm 12.5% vonesë.

Në total, linjat ajrore të agjencive për fluturime kanë më së shumti prani në Cyrih.

Lufthansa, KLM dhe British Airways kanë më shumë anulime, shpesh për shkak të motit ose grevave.

Tabela e nisjeve me përqindjen e vonesave në Aeroportin e Cyrihut / Tamedia

Air Serbia u përball më së shumti me vonesat.

Dy shqiptarë dënohen me 18 vjet burg Angli

Raportohet se dy shqiptarë janë dënuar me 9 vite burg secili në Angli, nën akuzën e përdhunimit të një anglezeje, përcjell albinfo.ch.

Dy të rinjtë shqiptarë, 22-vjeçari R.C dhe 20-vjeçari M.F, janë zbuluar nga kamerat e sigurisë.

Sa i përket ngjarjes, kallëzimi u bë nga vetë viktima në tetor të vitit 2023, e cila kishte rënë pre e një sulmi seksual në Leicester.

Sipas asaj që ka dëshmuar viktima, ajo ka qenë në një lokal nate me miqtë e saj, ku është njohur me një djalë. Fillimisht ajo ka dalë jashtë me R.C, e më pas i është bashkuar edhe M.F, ku më pas të tre, me një taksi, kanë shkuar në banesën e viktimës, ku është përdhunuar.

Provat mjekësore dhe kamerat e sigurisë vërtetuan akuzat ndaj dy shqiptarëve, ndërsa po ashtu edhe deklarata e taksistit ka konfirmuar se viktima nuk ishte vigjilente për atë që po ndodhte, teksa më pas një test droge zbuloi se ajo ishte pozitive.

“Opsion real që më 15 qershor të shkojmë në zgjedhje të reja”

Në një deklaratë për media, ministri i Bujqësisë në detyrë, Faton Peci, ka thënë se propozimi i dhënë nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, që në qershor të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk duhet hedhur poshtë, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se 15 qershori mund të jetë njëra prej datave të përshtatshme për zgjedhje të reja, teksa shtoi se nuk mund të votojnë për mandatet e deputetëve të tjerë.

“Meqenëse PDK-ja ka dalë me propozime konkrete, e pashë që kryetari i kësaj partie ka deklaruar që data 15 qershor mund të jetë njëra prej datave të përshtatshme për zgjedhje të reja. Unë mendoj që nuk është propozim i keq.

S’po them që e përkrah, por s’është propozim që duhet me hedhur poshtë. Bile, ka bërë mirë që nuk ka bërë një propozim të mëhershëm, posaçërisht me atë pjesën që ndërlidhet me datën 12 qershor, për shkak se është Dita e Çlirimit.

Ta festojmë këtë festë, dhe është mundësia që edhe data 15 qershor të jetë një datë që potencialisht – ose një datë tjetër – e mbajtjes së zgjedhjeve të reja”, tha Peci në Tëvë1.

Ai thotë se nuk po bëjnë kalkulim me opsionin e zgjedhjeve, por që sipas tij është legale dhe Kushtetuta e Kosovës e lejon edhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Pse leku është fuqizuar ndaj euros dhe dollarit

Bëhet e ditur se monedhat e huaja kanë pësuar rënie në tregun shqiptar, ndërsa leku është fuqizuar ndjeshëm në krahasim me to, duke shkaktuar një ndikim të ndjeshëm në tregjet valutore, përcjell albinfo.ch.

Tani për tani, 1 dollar këmbehet për 86.7 lekë, duke humbur 0.32 lekë krahasuar me ditën e mëparshme. Po ashtu, edhe monedha europiane vijon të mbetet e dobët, duke u këmbyer për 99.4 lekë.

Ndërkaq, ekspertët shpjegojnë se zhvillimet globale, si pasojat e planit të tarifave të njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump, po ndikojnë në dobësimin e dollarit në të gjithë botën. Pritjet për uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, si dhe ndikimi i fushatës zgjedhore në vend, po ndihmojnë në forcimin e lekut.

Edhe monedhat si franga zvicerane dhe paundi britanik janë goditur nga fuqizimi i lekut, duke u këmbyer përkatësisht për 105.7 dhe 114.5 lekë. Në këto kushte, ekonomistët parashikojnë një periudhë të paqartë për tregjet valutore, duke theksuar se lëvizjet e monedhës vendase mund të jenë të ndikuara edhe nga faktorët politikë dhe ekonomikë të brendshëm dhe ndërkombëtarë.

Austria parashikon 4.5 për qind deficit buxhetor në vitin 2025

Ministria e Financave e Austrisë ka parashikuar një deficit të qeverisë së përgjithshme prej 4.5 për qind të PBB-së për vitin 2025, që ka të ngjarë të shkaktojë një procedurë të deficitit të tepruar të BE-së, përcjell albinfo.at.

ORF raportoi se vlerësimi, i dërguar në Statistikat e Austrisë të enjten, tejkalon tavanin prej 3 për qind të BE-së dhe pasqyron dobësinë e vazhdueshme ekonomike, kostot më të larta të interesit dhe shpenzimet në rritje.

Shpenzimet e qeverisë federale pritet të përbëjnë 3.5 pikë përqindje të deficitit, me shtetet federale dhe bashkitë që kontribuojnë në pjesën e mbetur.

Ministri i Financave, Markus Marterbauer (SPÖ), konfirmoi se qeveria do të ndjekë një paketë konsolidimi me vlerë 6.4 miliardë euro këtë vit, duke u rritur në 8.7 miliardë euro në vitin 2026. Partitë opozitare NEOS, FPÖ dhe të Gjelbërit kritikuan të gjitha qasjen e qeverisë, megjithëse nga këndvështrime të ndryshme – duke filluar nga reforma e pamjaftueshme deri te frika e gabuar.

Presidentja Osmani: Serbia, burimi i vetëm i destabilizimit në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë është shprehur se Serbia është burimi i vetëm i destabilizimit në rajon, përcjell albinfo.ch.

Osmani ka thënë se me veprime agresive e akte terroriste, Serbia po tenton të rikthejë Ballkanin në të kaluarën. Megjithatë, ajo ka theksuar se Kosova do të mbrojë veten dhe do të kundërshtojë tendencat hegjemoniste që vijnë nga Beogradi.

“Serbia e ka sulmuar Kosovën përmes akteve të agresionit dhe akteve të terrorizmit. Serbia është përpjekur ta shkatërrojë Bosnje e Hercegovinën nga brenda duke e destabilizuar. Serbia shkakton probleme ndaj Kroacisë dhe vendeve të tjera në rajon. Pra, është shumë e qartë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor se kush është burimi i vetëm i destabilitetit – dhe ajo është Serbia”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se Kosova do të mbrojë interesat e saj dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët e NATO-s për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.

“Natyrisht, ne do të mbrohemi nga të gjitha këto ide hegjemoniste, imperialiste që ka udhëheqja e Serbisë, të cilat synojnë të na kthejnë në vitet ’90, për të na kthyer në të kaluarën. Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes. Dhe e ardhmja mund të jetë paqësore dhe e qëndrueshme vetëm nëse mund të mbrohemi nga agresorë si Serbia, të cilët sjellin gjithashtu në rajonin tonë ndikimet e këqija të Rusisë, Kinës dhe Iranit”, ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës ka thënë gjithashtu se Kosova dhe vendet e tjera të rajonit janë të harmonizuara me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian dhe po punojnë ngushtë me partnerët e NATO-s për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.

Tek ka folur për marrëveshjen ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, Osmani ka thënë se ky ka qenë hap i natyrshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Presidentja ka thënë se bashkëpunimi është në përputhje me standardet e NATO-s, teksa ka shtuar se po zhvillohen biseda edhe me shtete të tjera për ta zgjeruar bashkëpunimin. /TRT Ballkan

Sot vazhdon seanca konstituive në Kuvendin e Kosovës

Mësohet se sot, me fillim nga ora 12:00, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

As në seancën e kaluar nuk arriti të formohet legjislatura e nëntë, kjo pasi kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën për shkak të mosdakordimit të të zgjedhurve për të ecur tutje.

Partitë opozitare që ishin në mandatin e kaluar nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.

Ato duan dorëheqjen formale të Albin Kurtit dhe kabinetit të tij qeveritar.

Po ashtu, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së patën edhe shumë ankesa për kryesuesin Dehari, duke thënë se ka bërë shkelje të rënda procedurale gjatë udhëheqjes së seancës.

Ndërsa për numrat, i pari i qeverisë në detyrë nuk tha as edhe një fjalë, duke iu shmangur pyetjeve të vazhdueshme të gazetarëve.

Nga koalicioni fitues LVV-Guxo dhe Alternativa thonë se i kanë numrat për votimin e kryetarit të Kuvendit.

Haxhi Avdyli kishte deklaruar në KTV se kanë një dakordim me Nismën Socialdemokrate.

Ndërsa Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministre në detyrë, ka thënë se VV po bisedon me Nismën rreth dy ose tre emrave për kryeparlamentarin.

Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje do të arrijë t’i bëjë numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit.

Herën e parë, seanca konstituive u ndërpre për shkak të moskalimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e mandateve të deputetëve.

Arkivi Marubi shpallet trashëgimi botërore, merr mbrojtjen e UNESCO-s

“Lajm i jashtëzakonshëm! UNESCO ka shpallur arkivin e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit si pjesë të Memory of the World International Register. Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore”, ka shkruar ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja.

Ndërsa drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedani ka thënë se “ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”

Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është futur në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji – UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit. Lajmi është dhënë të premten nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë si një moment historik për kulturën shqiptare.

“Lajm i jashtëzakonshëm! UNESCO ka shpallur arkivin e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit si pjesë të Memory of the World International Register!”, ka shkruar ministri Gonxhja në rrjetet sociale.  “Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky nuk është vetëm vlerësim për dinastinë Marubi që hodhi themelet e fotografisë shqiptare, por edhe për qytetin e Shkodrës, që mbetet një pikë referimi për artin, kulturën dhe kujtesën kombëtare.

“Nga zemra e Shkodrës, kjo pasuri e rrallë fotografike që ka përjetësuar imazhin, jetën, historinë dhe shpirtin e shqiptarëve, merr sot vlerësimin më të lartë ndërkombëtar! Ky nuk është thjesht një vlerësimin i kontributit të Marubëve, themeluesve të fotografisë shqiptare, por edhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit, kulturës dhe kujtesës së një kombi”, ka theksuar Gonxhja. Qyteti ku kanë vepruar Marubët, sipas ministrit,  “për herë të parë, Shkodra ka një pjesë të sajën në Kujtesën e Botës”, duke shtuar se kjo arritje i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedani ka thënë se “ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”.

“Moment historik edhe për artin shqiptar dhe një hap i madh për kontributin që Shkodra i ka dhënë kulturës në Shqipëri. Ajo tashmë do të ketë gjurmën e saj edhe në kulturën e botës. Një falënderim shkon për të gjithë kontribuuesit, që bënë të mundur këtë arritje historike për trashëgiminë kulturore shqiptare”, ka thënë ai.

Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin.

Italiani Pietro Marubbi mbërriti në Shkodër në vitet 1850, menjëherë pas shpikjes së fotografisë. Aty ai hapi studion e parë fotografike në rajon dhe realizoi imazhet e para me teknikën e kolodiumit të lëngshëm. Menjëherë pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij Keli do të mbante mbiemrin e mjeshtrit në nderim të tij. Ai e vazhdoi aktivitetin e studios dhe më pas ia la trashëgim të birit, Gegës. Tri gjeneratat e fotografëve realizonin portrete në studio të personave të ndryshëm, që nga borgjezia urbane te shtresat më të varfra, nga perandorët osmanë te mbreti Zog, nga të burgosurit tek aktorët e famshëm dhe piktorët.

“Koleksioni me mbi 150,000 xhama negativë i dinastisë Marubi paraqet interes nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore, antropologjike dhe artistike. Në të zbulojmë ngjarjet e trazuara të historisë së Shqipërisë – që nga Perandoria Osmane te periudha komuniste – ritualet shoqërore, kostumet folklorike dhe portretet”, shkruhet në uebfaqen e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në vitin 1970 u themelua fototeka “Marubi” me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, të cilat, sipas përkthimit, në momente të caktuara, u përdorën edhe për të ushqyer makinerinë e propagandës komuniste me imazhet historike që buronin nga arkivi. Pikërisht në këtë periudhë, shumë prej tyre u shfaqën në botimet e kohës të manipuluara dhe të tjetërsuara.

“Kjo Fototekë, fillimisht si një sektor i Muzeut të qytetit, ishte nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, por në vitin 2003 kalon nën administrimin e Ministrisë së Kulturës. Me 9 maj 2016, me koleksionet e Fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi”, shkruhet në uebfaqen e këtij institucioni. Muzeu i ri i projektuar nga studioja arkitekturore Casanova + Hernandez, është krijuar si një hapësirë për të promovuar dialogun e vyer midis traditës dhe modernitetit, së kaluarës dhe së tashmes. Trashëgimia dhe tradita theksohen përmes restaurimit të ndërtesës historike të projektuar nga Kolë Idromeno – artisti dhe arkitekti shqiptar, ish-nxënësi i Pietro Marubbit – duke ruajtur karakteristikat e saj strukturore muzeu shtrin funksionet e tij përtej mureve, në pedonalen e qytetit, përmes një ekspozitori të vendosur përballë hyrjes, konceptuar si një element lidhës për të bërë të mundur që modeli i hapur dhe i gjallë i muzeut të veprojë si shënjues kulturor për Shkodrën.

 

Venecia rikthen tarifën për turistët ditorë

Qyteti ikonë italian i Venecias ka rifilluar zbatimin e “Tarifës së Aksesit” për turistët ditorë, duke e rritur këtë vit çmimin për ata që nuk rezervojnë paraprakisht. Skema, e cila u prezantua për herë të parë në vitin 2024, e bën Venecian qytetin e parë në botë që tarifon hyrjen për vizitorët afatshkurtër, në përpjekje për të menaxhuar turizmin masiv dhe për të mbrojtur trashëgiminë e saj unike, transmeton albinfo.ch.

Sipas faqes zyrtare të komunës së Venecias, udhëtarët që paguajnë brenda tre ditëve para vizitës së tyre do të përballen me një tarifë më të lartë, prej 10 euro, krahasuar me 5 euro për ata që rezervojnë më herët.

“Për ata që paguajnë Tarifën e Aksesit në 3 ditë para ditës së hyrjes, shuma është e barabartë me 10.00 euro,” thuhet në njoftim.

Kjo tarifë, e konsideruar njësoj si pagesë për hyrjen në një muze, është pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbrojtur qytetin lagunor, i cili çdo vit përballet me qindra mijëra turistë, sidomos gjatë muajve të verës dhe festave.

Kanaleve, shesheve dhe rrugicave të ngushta të Venecias u shtohet shpesh një fluks masiv vizitorësh që shpesh e tejkalon kapacitetin e qytetit. Autoritetet shpresojnë që tarifa do të ndihmojë në uljen e fluksit të turistëve ditorë dhe në inkurajimin e vizitave më të planifikuara dhe të qëndrueshme.

Tarifa e aksesit do të jetë në fuqi:

  • Çdo ditë deri në fundjavën e parë të majit
  • Më pas, çdo fundjavë nga e premtja deri të dielën, deri në fund të korrikut

Përjashtim nga kjo tarifë do të kenë banorët lokalë, punonjësit dhe turistët që qëndrojnë më gjatë në qytet.

Venecia, e listuar si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, ka qenë prej kohësh një simbol i bukurive arkitekturore dhe artistike, por sfidat që sjell turizmi masiv kanë bërë që qyteti të marrë masa gjithnjë e më të rrepta për të ruajtur ekuilibrin midis mikpritjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë së saj të jashtëzakonshme, transmeton albinfo.ch.

 

Zvicra importon 70% të energjisë elektrike

Duke filluar nga e shtuna e ardhshme, Zvicra do të kalojë në një periudhë të mbështetjes në kredi për të mbuluar nevojat e saj energjetike. Sipas një studimi të fundit nga Fondacioni Zviceran i Energjisë (SES), burimet energjetike të brendshme të vendit janë të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat energjetike, duke bërë që Zvicra të varët nga energjia e importuar pas datës 19 prill. Kjo datë shënon “Ditën e Mbitejkalimit të Energjisë”, momentin kur vendi nuk do të ketë më energji të mjaftueshme nga burimet e brendshme, transmeton albinfo.ch.

Përtej kësaj date, Zvicra do të mbështetet në naftën e huaj, gazin dhe karburantin bërthamor (uranium) për të mbuluar nevojat e saj për energji. Kjo është një situatë që mund të krijojë shqetësime për sigurinë energjetike të vendit, duke e bërë Zvicrën të varur nga vendet e tjera për furnizimin me energji.

Sipas SES, Zvicra shpenzon rreth 8 miliardë CHF neto çdo vit për këto importe energjie. Pjesa më e madhe e importeve, mbi 87%, vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por SES thekson se këto shtete janë më shumë të përfshira në transportin dhe shkëmbimin e energjisë, sesa në prodhimin e saj, transmeton albinfo.ch.

Në fakt, energjia fosile dhe bërthamore e importuar në Zvicër vjen kryesisht nga Lindja e Mesme, Azia Perëndimore, ish-Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar. Kjo ka ngjallur shqetësime për burimet e energjisë bërthamore, ku shufrat e karburantit përdoren në Zvicër përmbajnë ende uranium me origjinë ruse.

Për të forcuar autonominë energjetike të vendit, SES rekomandon zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Léonore Hälg, kreu i sektorit të klimës dhe energjisë së rinovueshme në Fondacionin Zviceran të Energjisë, beson se Bashkimi Evropian do të mbetet një partner kyç për shkëmbimet e energjisë, veçanërisht në formën e energjisë elektrike të rinovueshme të prodhuar në vendet anëtare.

Zvicra aktualisht ka një shkallë pavarësie energjetike prej 29.6%, e cila është në përputhje me mesataren evropiane. Pavarësisht se kjo normë është ulur disi gjatë dy dekadave të fundit, Zvicra mbetet ende më pak e varur nga importet se disa vende të tjera evropiane, si Belgjika dhe Qipro, që kanë nivele të pavarësisë më të ulëta, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.