Kurti bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”.

Janë bërë plotë 26 vjet nga Beteja e Koshares që shënoi një moment të lavdishëm në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përcjell albinfo.ch.

Ajo betejë e cila i dha fund ndarjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishte një akt i pastër besimi dhe sakrifice për liri, që vazhdon të frymëzojë breza të tërë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”.

Ai kujtoi betejën e lavdishme të Koshares dhe shprehu mirënjohje për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.

“26 vjet më parë, me betejën e lavdishme të Koshares, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e zonave operative të saj, shembi kufirin që ndante shqiptarët, kufirin që ndante Kosovën nga Shqipëria e që ishte i vjetër që nga viti 1913, respektivisht nga vitit 1918”, tha Kurti.

Në këtë betejë të rëndësishme, ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, përfshirë komandantin Agim Ramadani, i njohur si “Katana”, dhe Sali Çekun.

Pjesë e kësaj lufte ishin gjithashtu vullnetarë nga shtete të ndryshme si Franca, Algjeria, Italia, Suedia dhe Britania, ndërsa ushtria serbe ishte mbështetur nga mercenarë rusë.

Për të kujtuar sakrificat e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, Kurti tha: “Ne vijmë këtu te varret e dëshmorëve që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetës se sa e lartë ishte sakrifica e tyre, sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh çmimi i lirisë që e gëzojmë, të shtetit të cilin po e ndërtojmë së bashku.”

Presidentja kujton Betejën e Koshares: Vajza e djem të UÇK-së, ngritën një ideal e mbollën guxim e frymëzim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar Betejën e Koshares, duke thënë se ajo ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës paguan çdo çmim, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka nderuar edhe dëshmorët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që thyen kufirin me Shqipërinë duke ngritur një ideal.

Beteja e Koshares, flakadani që nuk shuhet kurrë!

Aty ku regjimi gjenocidal i Serbisë kishte ngritur murin ndarës me Shqipërinë, vajza dhe djemtë e UÇK-së ngritën një ideal e mbollën guxim e frymëzim për breza të tërë.

Aty ku dukej e pamundura, ata sollën fitoren.

Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguajë çdo çmim.

Lavdi përjetë dëshmorëve të lirisë!

https://www.facebook.com/share/19eLSbPeD5/?mibextid=wwXIfr

SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

Besimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë janë disa nga pritjet e aleatëve ndërkombëtarë ndaj Qeverisë së re të Kosovës.

Pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar nga Qeveria e re e Kosovës janë: besimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës të seancës konstituive të legjislaturës së nëntë është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugë zgjedhjes së Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

Për më shumë – https://www.evropaelire.org/a/pritjet-e-quint-nga-qeveria-e-re-e-kosoves/33378209.html¯

Krejt çka ndodhi mbrëmë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Mësohet se kryediplomatët e Kosovës dhe të Serbisë kanë këmbyer akuza ndaj vendeve të njëri-tjetrit në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku të martën vonë u diskutua për raportin gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ministrja e Jashtme e Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla, tha se Serbia “nuk ka ndryshuar” dhe se ajo po i vazhdon përpjekjet për ta destabilizuar demokracinë e Kosovës, “jo vetëm përmes retorikës, por përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që e rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u ankua se gjendja e serbëve në Kosovë “po përkeqësohet” dhe “serbët po e paguajnë çmimin”.

Gërvalla tha se “në shtator 2023 Kosova ishte cak i një inkursioni të armatosur nga një grup paramilitar të mbështetur nga Serbia dhe të udhëhequr nga Millan Radoiçiq”.

“Banjska ishte akt paramilitar nga një shtet në një shtet tjetër, Ibër-Lepenci ishte sulm i gradës ushtarake nga një shtet në infrastrukturën kritike të një shteti tjetër”, tha Gërvalla.

Një polic u vra dhe tre sulmues në shtator të vitit 2023 kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës. Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit – e mori përgjegjësinë për sulmin.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit në Banjskë dhe pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e ujit në veri në fund të vitit 2024. Serbia i ka mohuar akuzat.

Gërvalla kërkoi përsëri që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, ndaj të cilit autoritetet kosovare kanë ngritur aktakuzë.

Ndërkohë, Gjuriq tha se nuk është në gjendje t’i “listojë të gjitha veprimet e njëanshme nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti”.

“Në muajt e fundit Prishtina i ka përshkallëzuar fushatën për t’i shpërbërë sistematikisht institucionet serbe në gjithë ‘Kosovën dhe Metohin’. Këto nuk janë gjeste simbolike, ato kanë pasoja të drejtpërdrejta për njerëzit. Pagat, pensionet dhe ndihma sociale për mijëra familje serbe janë ndërprerë. Mjetet për mbijetesë për shumë bashkatdhetarë tanë janë vënë në rrezik”, tha Gjuriqi.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga.

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, e të ngjashme.

Gjuriq pretendoi se serbët janë duke ikur nga Kosova dhe se sulmet ndaj tyre kanë shënuar rritje, pa dhënë ndonjë provë.

“Prej se Kurti erdhi në pushtet, 20 për qind e serbëve kanë ikur nga Kosova. Sulmet ndaj serbëve janë rritur për 15 për qind. Mos të harrojmë se më shumë se 200.000 serbë janë zhvendosur nga viti 1999 dhe vetëm 2 për qind janë rikthyer”, tha ai.

Kryediplomati kërkoi gjithashtu që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si zgjidhje për telashet e serbëve në Kosovë.

“Kur do të themelohet Asociacioni i komunave me shumë serbe? Veprimet e Kurtit tregojnë qartë se nuk ka vullnet për këtë”, tha ai.

Ai shtoi se “dialogu mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara, por ai duhet të ndërtohet mbi besim”.

Reagimet nga vendet e huaja

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, John Kelley, tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për uljen e tensioneve, të përmbahen nga masa që përshkallëzojnë situatën dhe të ndërtojnë paqe e stabilitet mes tyre dhe në rajonin më të gjerë, si themel për një të ardhme më të begatë.

“Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë”, tha Kelly.

Ai shtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Amerika dhe komuniteti ndërkombëtar janë më të sigurt kur vendet i zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore dhe më të begatë kur krijojnë klimë për zgjerimin e tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare”, nënvizoi ai.

Përfaqësuesi i Rusisë e akuzoi Kosovën për “vazhdimin e politikës së saj drejt dëbimit të banorëve serbë” pasi Kosova, ndër të tjera, ndaloi përdorimin e dinarit serb.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të ndikojë mbi Prishtinën, duke theksuar se ndërmjetësimi i BE-së ka dështuar plotësisht në dialog.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian u bëri përsëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes se vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“BE-ja e mirëpret faktin që Kosova dhe Serbia ritheksuan përkushtimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe zotimin e tyre për angazhim konstruktiv në proces për të ecur përpara shpejt”, shtoi ai.

Ai shtoi se nga Kosova pritet themeli i Asociacionit, ndërsa nga Serbia njohja e dokumenteve dhe simoleve të Kosovës.

Rusia tha se është veçanërisht e shqetësuar për marrëveshjen e mbrojtjes mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar tha se vendi i tij mbetet një mik i përkushtuar i Kosovës dhe mbështet aspiratat e saj euroatlantike dhe ndërtimin e një demokracie shumetnike.

Londra zyrtare mirëpriti gjithashtu njohjen e Kosovës nga Kenia dhe inkurajoi shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë hap, të njohin pavarësinë e saj.

Në fjalimin e tij, përfaqësuesi britanik vlerësoi përpjekjet për përfshirjen e pakicave në polici, por shprehu keqardhje që nuk ka pasur kërkesa për reintegrim nga gjyqtarë apo prokurorë serbë.

Ai shprehu pritshmëri që serbët e Kosovës të marrin pjesë në mënyrë aktive në zgjedhjet e ardhshme lokale në fund të këtij viti.

Mbretëria e Bashkuar bëri thirrje për angazhim konstruktiv të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe kërkoi që Serbia të sjellë para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj trupave të KFOR-it dhe në Banjskë.

Edhe Kina shprehu shqetësim për mbylljen e institucioneve serbe nga autoritetet e Kosovës dhe tensionet në veri. Ai i bëri thirrje Prishtinës të ndalë veprimet e njëanshme, përfshirë ndalimin e dinarit dhe kërkesat për dokumente dhe targa, si dhe të kthehet në dialog konstruktiv.

Në fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i Sllovenisë tha se, sipas raporteve, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, megjithëse kanë ndodhur disa incidente serioze.

Ai përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, duke i cilësuar ato si paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse – një hap pozitiv drejt forcimit të demokracisë në vend. Po ashtu, mirëpriti bisedimet e fundit mes zyrtarëve të BE-së dhe liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se viti 2025 duhet të jetë një fillim i ri për dialogun Kosovë–Serbi, duke u bërë thirrje udhëheqësve që të angazhohen në dialog konstruktiv, të krijojnë besim të ndërsjellë dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese.

Sllovenia kërkoi shmangie të veprimeve të njëanshme dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet, veçanërisht për komunitetin serb të Kosovës.

Sllovenia dënoi fuqishëm sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor dhe atë në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar përgjegjësi për autorët.

Raporti gjashtëmujor i UNMIK-ut

Gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor, që mbulon periudhën nga shtator 2024 – mars 2025, administratorja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha se Kosova mbajti zgjedhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse më 9 shkurt dhe se ajo pret me padurim formimin në kohë të qeverisë së re, duke njohur se kjo mund të kërkojë negociata komplekse.

“Pasi të jetë formuar, është thelbësore që të merren hapa konkretë për të vënë në prioritet mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe avancimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Ziadeh.

Ajo shtoi se në mars e vizitoi veriun e Kosovës, ku përfaqësues të shoqërisë civile, udhëheqës politikë dhe të tjerë kanë theksuar mungesën e vazhdueshme të besimit, veçanërisht ndaj institucioneve, duke ndarë gjithashtu shqetësime për të ardhmen, duke pasur parasysh kontekstin aktual politik dhe zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

“Megjithatë, ata nuk e panë asnjë alternativë tjetër përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe theksuan nevojën që serbët e Kosovës të rikthejnë ndjenjën e përfaqësimit përmes një sistemi të vetëmenaxhimit brenda Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, theksoi ajo.

Ajo e dënoi sulmin në Ibër-Lepenc dhe përsëriti thirrjen e saj për një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent për të identifikuar dhe nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.

“I bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të veprojnë me përgjegjësi, të shmangin përshkallëzimin dhe të bashkëpunojnë për t’i sjellë autorët para drejtësisë”, nënvizoi ajo.

Ziadeh gjithashtu përsëriti rëndësinë e garantimit të përgjegjësisë për “incidentin serioz të sigurisë” në Banjskë, përmes procedurave të drejta dhe të pavarura gjyqësore.

“Ky rast, së bashku me sulmin në Ibër-Lepenc, theksojnë nevojën për angazhim efektiv përmes mekanizmave të ndihmës së ndërsjellë juridike për të mbështetur hetimet dhe ndjekjet penale që janë në vazhdim”, përfundoi ajo.

Thirrje për mbarimin e mandatit të UNMIK-ut

Gërvalla dhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB kërkuan sërish që të përfundojë mandati i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Gërvalla i bëri thirrje UNMIK-ut që ta trajtojë realitetin në terren pa paqartësi të shtrembëruara.

“Gjuha ka rëndësi, zonja dhe zotërinj. Mënyra se si i përshkruajmë këto akte do të përcaktojë nëse do të mbizotërojë ndëshkimi apo pandëshkueshmëria, nëse agresioni do të inkurajohet apo do të përballët.”

Ajo shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe bashkëpunimit.

“Megjithatë, paqja nuk është ruajtur kurrë duke toleruar agresionin. Ajo është ruajtur gjithmonë duke e përballuar drejtpërdrejt”, shtoi ajo.

Përfaqësuesi amerikan tha se SHBA-ja i njeh përpjekjet e mëparshme të UNMIK-ut në Kosovë për nxitjen e dialogut dhe reformën ligjore, por shtoi se ka ardhur koha për reduktimin e pranisë së UNMIK-ut.

Ai rekomandoi që UNMIK të fillojë transferimin e funksioneve të saj tek agjencitë e tjera të OKB-së në terren që janë më të përshtatshme për këtë punë, në mënyrë që procesi drejt mbylljes përfundimtare të misionit të jetë i qëllimshëm dhe gradual, e jo i papritur.

UNMIK, tha ai, është një mision paqeruajtës pa paqeruajtës, me 81% të buxhetit të tij që shkon për paga të stafit.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të zhdukur shpenzimet e panevojshme në organizatat ndërkombëtar”, tha ai.

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.

Institucionet e Kosovës kanë kërkuar më herët që misioni i UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë. /REL

Kosova shënon Ditën e Kushtetutës

Sot bëhen 17 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë, që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi.

U përplas me kamionin, humb jetën 46-vjeçarja shqiptare në Itali

Raportohet se një 46-vjeçare shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Itali një ditë më parë, më 7 prill, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, makina e drejtuar nga Dorina Bardhi është përplasur me një kamion. Si pasojë, Dorina, 46 vjeçe, humbi jetën, ndërsa vajza e saj 9-vjeçare, e cila ndodhej në makinë së bashku me të ëmën, ndodhet në gjendje të rëndë.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme.

Makina në të cilën udhëtonin nëna dhe vajza, një Opel Meriva, u përplas kokë më kokë me një kamion. Dinamika e tragjedisë po hetohet ende nga policia.

Makina me të cilën udhëtonte Dorina Bardhi

Dorina la pas burrin dhe tre vajzat e saj.

“Një grua e mrekullueshme,” tha një e njohur, “e përkushtuar ndaj familjes së saj dhe gjithashtu ndaj komunitetit, për të cilin ajo bëri shumë.”

Dorina ishte e njohur, bashkëpunonte me shoqata, me famulli e oratori dhe ishte gjithmonë në ballë, e qeshur dhe entuziaste në organizimin e ahengjeve e eventeve, kushtuar mbi të gjitha fëmijëve.

Frankfurt: Soprano shqiptare do të debutojë me rolin Norma

Të qenët artiste me renome botërore nuk është fare e lehtë, para së gjithash kur tregu ka një konkurrencë të fortë. Duhet vërtet energji, optimizëm dhe shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Dhe, në fakt, këto janë disa prej cilësive kryesore të Marigona Qerkezit, soprano kosovare shumë e suksesshme në botë, shkruan albinfo.ch.

Ajo ka një krijimtari të pasur artistike; si soprano e shquar, ka shkelur shumë skena anembanë botës dhe vazhdon të marrë role të mëdha në shumë evente artistike.

Opera e Frankfurtit është shtëpia operistike e radhës, në të cilën pritet t’i japë jetë rolit të Normës më datë 20 dhe 27 prill, si dhe më 3, 9, 15, 17, 23 dhe 31 maj.

Spielplan – Oper Frankfurt

Blerta Berisha: Rrugëtimi i suksesit dhe kontributit për komunitetin shqiptar

E lindur në Kosovë dhe e vendosur në Zvicër, Blerta Berisha ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer duke kombinuar pasionin e saj për financën, edukimin dhe lidershipin. Përveç arritjeve të saj profesionale, Blerta është një shembull i angazhimit për komunitetin shqiptar në diasporë, duke ndihmuar dhe mentoruar të rinjtë në rrugën e tyre drejt suksesit.

Rrugëtimi i Blertës në fushën akademike përfshin disa nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Kosovë, një MSc në Itali dhe një EMBA në Gjenevë dhe Washington D.C. Përveç kësaj, ka marrë pjesë në shkolla verore dhe shkëmbime akademike në Oxford, Washington D.C., Zürich, Milano dhe Glasgow. Aktualisht, ajo është duke ndjekur doktoraturën në Menaxhim dhe Inxhinieri, duke dëshmuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj dijes dhe zhvillimit profesional.

 

Një histori e frymëzimit dhe suksesit

Si çdo emigrante, Blerta është përballur me sfida të shumta gjatë integrimit në një vend të ri. Kalimi nga një sistem arsimor në tjetrin kërkonte fleksibilitet dhe përgatitje të madhe. Përveç kësaj, përballja me vështirësitë financiare dhe profesionale ishte një tjetër pengesë, të cilën ajo e kapërceu përmes bursave dhe ndërtimit të rrjeteve të fuqishme profesionale. Sipas saj, çdo sfidë e ka ndihmuar të mësojë diçka të re dhe të transformojë vështirësitë në mundësi.

„Asnjë ëndërr nuk është tepër e madhe, asnjë sfidë nuk është e pamundur dhe asnjë kufizim nuk mund të ndalojë dikë që beson në veten e tij. Kini guximin të ndiqni pasionet tuaja, të dilni nga zona e rehatisë dhe të krijoni mundësi aty ku të tjerët shohin pengesa“, thotë ajo kur tregon rrugëtimin e saj për albinfo.ch.

Suksesi profesional dhe përvoja ndërkombëtare

Aktualisht, Blerta punon Pedagoge ne University Riphah School of Business and Management ku  ligjeron lëndë  në Shkencat e Menaxhimit për studentët e ciklit të parë (bachelor), por eksperienca e saj profesionale është e gjerë dhe e larmishme. Ajo ka punuar në pozicione të ndryshme menaxheriale dhe analitike, përfshirë: Menaxhere Teknike e Financës në BCM Gjenevë, PMO në Julius Baer Bank Zürich, Analiste e të Dhënave RFP në Credit Suisse Asset Management, Menaxhim Global i Projekteve në Merck Group, Gjermani, Trajnere e Lartë dhe Analiste Biznesi në X-Culture, Washington D.C.

Përvoja e saj në sektorë të ndryshëm i ka mundësuar të fitojë një perspektivë të gjerë mbi financën, menaxhimin dhe zhvillimin strategjik.

Kontributi në komunitetin shqiptar

Përveç arritjeve profesionale, Blerta është një figurë e rëndësishme në komunitetin shqiptar në Zvicër. Ajo ka dhënë një kontribut të madh në mentorimin dhe mbështetjen e të rinjve përmes iniciativave të ndryshme si: Illyrian Brains – një iniciativë për mentorim dhe edukim, Albanian Engineering of Switzerland (AES) – mbështetje për profesionistët shqiptarë në Zvicër, Instituti për Avancim Kombëtar – kontribut në politika dhe zhvillim ekonomik, si dhe Germin – angazhimi i diasporës shqiptare.

Gjithashtu, ajo ka moderuar emisionin Leadership & Innovation Show, ku ka ftuar shqiptarë të suksesshëm nga e gjithë bota për të diskutuar tema mbi lidershipin, financën dhe inovacionin. Me organizimin e webinareve falas mbi menaxhimin dhe financën, ajo synon të ndajë njohuritë e saj me të tjerët dhe të ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale.

Mesazhi i saj për të rinjtë

Blerta beson fuqimisht se suksesi nuk arrihet i vetëm Për të, familja ka qenë një shtyllë e fortë mbështetëse, veçanërisht Maki i saj, Bukurije Berisha, e cila e ka udhëhequr me dashuri dhe vizion.

“Pas çdo arritjeje qëndron një rrjet njerëzish që na mbështesin dhe na frymëzojnë. Për mua, ky rrjet ka qenë familja ime dhe mbi të gjitha, Maki im (Bukurije Berisha), e cila më ka udhëhequr me dashuri, forcë dhe vizion. Ndaj sot, ju inkurajoj që jo vetëm të synoni majat për veten tuaj, por edhe të bëheni drita dhe mbështetja për dikë tjetër. Sepse kur mbështesim dhe frymëzojmë njëri-tjetrin, ne jo vetëm që ndërtojmë sukses individual, por krijojmë një ndikim të vërtetë dhe të qëndrueshëm për brezat që vijnë”, thekson ajo në mesazhin e saj drejtuar të rinjëve.

Blerta synon të jetë një shembull frymëzimi për të tjerët dhe të nxisë shqiptarët në mbarë botën që të ndjekin ëndrrat e tyre me vendosmëri dhe pasion.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Gjermani: Dënim i përjetshëm për vrasjen e boksierit Besar Nimani

Bëhet e ditur se 34-vjeçari Hüseyin A. është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-boksierit profesionist Besar Nimani, përcjell albinfo.ch.

Ai dhe një person tjetër, ende i pakapur, e qëlluan me pabesi Nimanin më 9 mars 2024, në Bielefeld, thuhet në vendimin e shpallur dje nga Gjykata Rajonale e Bielefeldit.

Sipas gjykatës, të dy autorët kishin përgatitur së bashku një plan dhe e qëlluan Nimanin me qëllim për ta vrarë.

Vlen të theksohet se vrasja u krye me 16 plumba, të shtënë nga Hüseyin A. dhe bashkëpunëtori i tij, i cili ende është në arrati.

Boksieri vdiq në vendngjarje. Autori i dytë vazhdon të jetë në kërkim.

Ushqimet pranverore që rrisin imunitetin

Pranvera sjell një bollëk ushqimesh të freskëta dhe të shëndetshme, që jo vetëm freskojnë menunë tuaj, por janë edhe burim i pasur i lëndëve ushqyese të dobishme. Ushqimet e stinës në pranverë janë të pasura me vitamina, fibra dhe antioksidantë, të cilët mbështesin shëndetin, përmirësojnë tretjen dhe forcojnë imunitetin.

Nëse dëshironi të pasuroni menunë tuaj me përbërës të rinj dhe të shëndetshëm, provoni disa nga opsionet e mëposhtme:

Shpargu
Shpargu është një klasik i vërtetë pranveror, i pasur me vitaminë K, acid folik dhe vitaminë C. Këto lëndë ushqyese mbështesin shëndetin e kockave, përmirësojnë tretjen dhe forcojnë sistemin imunitar. Gjithashtu, shpargu përmban antioksidantë që reduktojnë inflamacionin dhe mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike, si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Rrepkat
Rrepkat janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminë C, kalium dhe fibra, të cilat përmirësojnë shëndetin e tretjes dhe forcojnë imunitetin. Ato kanë veti anti-inflamatore që ndihmojnë në reduktimin e fryrjes, gazrave dhe përmirësimin e qarkullimit. Për më tepër, rrepkat përmbajnë antioksidantë që reduktojnë stresin oksidativ në trup, raporton Index.hr.

Karotat e reja
Karotat e reja janë të pasura me vitaminë A, e cila është thelbësore për shëndetin e syve dhe të lëkurës, dhe vitaminë K, që kontribuon në shëndetin e kockave. Ato përmbajnë shumë fibra, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e tretjes së shëndetshme dhe rregullimin e peshës. Për më tepër, karotat janë të pasura me antioksidantë që ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe forcimin e sistemit imunitar.

Patatet e reja
Patatet e reja kanë një përmbajtje më të ulët niseshteje se patatet e vjetra, duke i bërë ato më të lehta për t’u tretur dhe më të përshtatshme për kontrollin e peshës. Ato janë gjithashtu të pasura me vitaminë C, që ndihmon në forcimin e imunitetit, dhe kalium, i cili mbështet shëndetin e zemrës. Patatet e reja përmbajnë edhe antioksidantë që reduktojnë inflamacionin dhe mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike.

Dredhëzat
Dredhëzat janë një frut tipik pranveror, të pasura me vitaminë C, antioksidantë dhe fibra. Vitamina C është thelbësore për forcimin e imunitetit, ndërsa antioksidantët ndihmojnë në uljen e stresit oksidativ. Ato mbështesin shëndetin e zemrës dhe ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Përveç kësaj, dredhëzat janë të ulëta në kalori dhe të shkëlqyera për ruajtjen e një peshe të shëndetshme trupore.

Bie tregu global i arit

Tregu global i artit ka shënuar një rënie prej 12% në vitin 2024, duke arritur në një vlerë prej 57.5 miliardë dollarësh, sipas raportit të publikuar nga banka zvicerane UBS dhe Art Basel. Kjo rënie vjen pas një uljeje prej 4% të regjistruar në vitin 2023.

Raporti ia atribuon këtë tkurrje pasigurisë ekonomike globale dhe tensioneve në rritje gjeopolitike. Kina, e cila dikur kishte një rol të fuqishëm në tregtinë ndërkombëtare të artit, ka pësuar rënien më të madhe, me një ulje prej 31% në shitjet vjetore. Tashmë, Kina ka zbritur në vendin e tretë, pas Britanisë së Madhe, e njohur për shtëpitë e saj të ankandeve prestigjioze si Sotheby’s dhe Christie’s, transmeton albinfo.ch.

Shtetet e Bashkuara mbeten udhëheqësja dominuese, me 43% të pjesës së tregut botëror të artit. Pas tyre renditet Britania e Madhe me 18%, ndërsa Kina ka rënë në 15%.


WhatsApp vjen me opsione të reja për ruajtjen e privatësisë

WhatsApp ka nisur testimin e disa opsioneve të reja për thirrjet audio dhe video për përdoruesit e Android, përfshirë një funksion të ri që synon të përmirësojë privatësinë e përdoruesve.

Risia e parë është butoni “mute”, i cili u mundëson përdoruesve të përgjigjen në thirrje me mikrofonin e fikur. Ky funksion mund të jetë veçanërisht i dobishëm në mjedise me shumë zhurmë, megjithëse përdorimi i tij i saktë mbetet ende i paqartë.

Funksioni i dytë është mundësia për të fikur kamerën përpara se të përgjigjeni në një thirrje video. Ky opsion është i vlefshëm për ata që duan pak kohë për t’u përgatitur përpara se të shfaqen në ekran, ose për ata që nuk dëshirojnë të zhvillojnë një videotelefonatë. Njëkohësisht, ky funksion ofron edhe një shtresë shtesë mbrojtjeje të privatësisë, sidomos kur thirrjet vijnë nga numra të panjohur.

Risia e tretë janë reagimet me emoji gjatë thirrjeve video. Përdoruesit mund të reagojnë në kohë reale me emoji, duke shtuar një element interaktiv në komunikim.

Këto funksione janë aktualisht të disponueshme për disa përdorues beta të WhatsApp për Android dhe pritet të zbatohen gjerësisht në javët e ardhshme.


Zvicra angazhon lobistë në SHBA për të sigurusr çipat IA

Sekretariati Shtetëror i Ekonomisë i Zvicrës (SECO) ka angazhuar një firmë lobimi në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Zvicrën të fitojë akses të plotë në çipat e Inteligjencës Artificiale (IA).

SECO konfirmoi një artikull të Tamedia-s, sipas të cilit ka angazhuar firmën e ligjit Akin Gump Strauss Hauer & Feld në SHBA për të mbështetur Zvicrën në çështjen e çipave të IA.

Megjithatë, detajet e mandatit të kësaj firme nuk janë sqaruar në mënyrë të detajuar nga SECO kur është pyetur nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA.

Sipas artikujve të mediave kontrata gjithashtu përfshin çdo lobim kundër tarifave prej 31% që SHBA-ja ka vendosur për importet zvicerane, një masë e miratuar nga ish-presidenti Donald Trump. Akin Gump është një ndër firmat më të mëdha të lobimit në Uashington, me një xhiro vjetore prej 65 milionë dollarësh. Ky angazhim u bë i njohur për shkak të një rregulloreje ligjore në SHBA, sipas të cilës firma duhet të raportojë për këtë mandat, transmeton albinfo.ch.

Përjashtimi nga çipat IA për Zvicrën

Aksesimi i çipave të avancuar dhe të fuqishëm të IA është i kufizuar për kompanitë zvicerane, të cilat nuk konsiderohen “aleatë” në Uashington. Edhe para se Trump të merrte detyrën, administrata e ish-presidentit Joe Biden kishte njoftuar kufizime për eksportin e çipave të avancuar të IA.

 

 

Gjashtë qytete zvicerane kandidate për titullin “Kryeqyteti Kulturor” 2030

Qytetet zvicerane Aarau, Bellinzona, Lugano, Schaffhausen, Thun dhe Zug po konkurrojnë për t’u shpallur “Kryeqyteti Kulturor” i Zvicrës për vitin 2030. Kjo iniciativë është bërë e ditur në fund të marsit, kur çdo qytet dorëzoi një deklaratë të qëllimit për të kandiduar zyrtarisht deri në fund të vitit.

Daniel Rossellat, president i Shoqatës Zvicerane të Kryeqytetit Kulturor (CCS), deklaroi se pjesëmarrja e gjashtë ose madje tetë qyteteve në këtë garë rrit mundësinë e një zgjedhjeje më të larmishme për Kryeqytetin Kulturor 2030 dhe tregon se koncepti është tani i njohur në gjithë Zvicrën.

Kalendar i Garës

Pas dorëzimit të ofertës zyrtare deri më 31 dhjetor 2025, qytetet do të konkurrojnë për titullin “Kryeqyteti Kulturor i Zvicrës” për vitin 2030. Një juri, e përbërë nga një grup ekspertësh nga fusha të kulturës, biznesit dhe politikës, do të vizitojë qytetet kandidate në pranverë të vitit 2026, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret në qershor 2026, transmeton albinfo.ch.

Ky projekt është pjesë e programit kulturor të qeverisë federale për vitet 2025-2028 dhe ka për qëllim zhvillimin e një dinamike të re kulturore, si dhe nxitjen e iniciativave ekonomike dhe sociale.

Përfitimet e pjesëmarrjes

Rossellat theksoi se pjesëmarrja në këtë garë do të mundësojë zhvillimin e një dinamike të re për qytetet pjesëmarrëse, përfshirë projekte urbane që do të transformojnë zonat e ndryshme në qendra kulturore të reja, transmeton albinfo.ch.

La Chaux-de-Fonds, një qytet në kantonin Neuchâtel, do të bëhet Kryeqyteti i Parë Kulturor i Zvicrës në vitin 2027, dhe kjo ka sjellë tashmë ndryshime në qytet, përfshirë rindërtimin e abattoarëve të dikurshëm për t’u shndërruar në një qendër kulturore.

Ky pilot projekt do të përsëritet çdo tre vjet për qytetet zvicerane me mbi 20,000 banorë, duke mundësuar përfaqësimin e kulturës zvicerane për një vit të plotë, duke u ofruar qyteteve mundësinë të shfaqin diversitetin dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Zvicrës.

Ky proces synon të forcojë lidhjet kulturore të Zvicrës me qytetet dhe rajonet e tjera, duke kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe zhvillimin ekonomik dhe social në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kosova U19 në grup me Hungarinë, Zvicrën dhe Marokun në Kampionatin Botëror të Hendbollit

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka mësuar kundërshtarët e saj për Kampionatin Botëror të Hendbollit për të Rinj. Shorti për edicionin e 11-të të këtij kampionati u tërhoq të martën mbrëma në Kajro të Egjiptit, ku gjithashtu do të zhvillohet ky turne nga 6 deri më 17 gusht të këtij viti.

Kosova është vendosur në Grupin B, ku do të përballet me disa ekipe të forta si Hungaria, Zvicra dhe Maroku. Ky short paraqet një sfidë të madhe për Kombëtaren U19 të Kosovës, por gjithashtu ofron mundësi të shkëlqyera për të treguar nivelin e saj në arenën ndërkombëtare.

Ky është edicioni i tretë në të cilin Kombëtaret e Kosovës paraqiten në Kampionatin Botëror të Hendbollit, pas paraqitjes së suksesshme të Kombëtares U21 dhe U18 në vitet e kaluara.

Ceremonia e shortit u nderua me praninë e presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hassan Moustafa, i cili shprehu mbështetje për zhvillimin e këtij sporti në mbarë botën, duke theksuar rëndësinë e organizimeve të tilla.

 

Aeroporti i Mynihut tërhiqet nga projekti i Aeroportit të Vlorës

Lumi Vjosa në Shqipëri konsiderohet si lumi i fundit i egër i Evropës dhe aktualisht, në pellgun e tij po ndërtohet një pistë dhe kullë aeroporti. Qeveria vendore po ecën përpara me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës – pavarësisht rezistencës së ashpër nga ambientalistët vendas dhe kritikave nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, transmeton albinfo.ch.

Ky projekt ka një lidhje me Mynihun: filiali i Munich Airport GmbH, Munich Airport International (MAI), ka vepruar në cilësinë e këshilltarit. Por, siç u njoftua në Këshillin Bashkiak të Mynihut të martën (8 prill), MAI do të tërhiqet nga ky pozicion në fund të prillit.

Të Gjelbrit e mirëpresin këtë vendim në një deklaratë të bërë sot, por paralajmërojnë se angazhime të tilla të diskutueshme duhet të shmangen në të ardhmen, shkruan merkur.de.

Sipas këshilltarëve të qytetit, projekti ka ngjallur kritika në të gjithë Evropën. Përveç Parlamentit të BE-së dhe Komisionit, edhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës në kuadër të Këshillit të Evropës i ka bërë thirrje qeverisë në Tiranë që të ndalojë ndërtimin.

Organizatat lokale mjedisore kanë ndërmarrë veprime ligjore kundër projektit. Ata shprehen të shqetësuar se, me këtë projekt, një nga zonat e fundit natyrore të Evropës dhe burimet jetësore të specieve të rralla të shpendëve mund të shkatërrohen në mënyrë të pakthyeshme.

Të Gjelbrit kishin theksuar që në vitin 2023 se pjesëmarrja e Aeroportit të Mynihut në këtë projekt ishte në kundërshtim me strategjinë e qëndrueshmërisë të vetë aeroportit, transmeton albinfo.ch. Në mbledhjen e sotme të Komitetit Ekonomik u diskutua gjithashtu edhe një peticion, i cili kërkon që Aeroporti i Mynihut të tërhiqet plotësisht nga ky projekt.

Gërvalla para Këshillit të Sigurimit: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte ekzistenciale për të ndalur gjenocidin

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, solli në vëmendje rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të frenuar gjenocidin e kryer nga regjimi i Serbisë. Ajo e përshkroi ndërhyrjen e aleatëve ndërkombëtarë si jo vetëm legjitime, por edhe thelbësore për shpëtimin e jetëve dhe ndalimin e krimeve masive.

“Ndërhyrja e NATO-s ishte esenciale për mbrojtjen e vlerave universale të Kombeve të Bashkuara dhe të njerëzimit, për t’i dhënë fund gjenocidit që po zhvillohej dhe për të siguruar që vrasjet masive të ndaleshin,” tha Gërvalla, transmeton albinfo.ch.

Ajo theksoi se kjo ndërhyrje, e shoqëruar me mbështetje të palëkundur ndërkombëtare, i hapi rrugën Kosovës për ndërtimin e një shteti të konsoliduar, demokratik dhe të integruar në familjen evropiane. Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre, ministrja Gërvalla theksoi se Kosova është bërë një partner i respektuar në arenën ndërkombëtare.

Numri i falimentimeve në Zvicër arrin shifër rekord në vitin 2024

Falimentimet në Zvicër arrijnë nivel rekord në vitin 2024

Numri i procedurave të falimentimit në Zvicër arriti një rekord të ri në vitin 2024, me gjithsej 17,036 raste, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) të martën. Ky është viti i katërt radhazi me rritje të numrit të falimentimeve, të cilat janë dyfishuar që nga fillimi i viteve 1990, transmeton albinfo.ch.

Rritje të mëdha në disa kantone

Rritja më e theksuar është regjistruar në kantonin Zug (+31.0%), pasuar nga Ticino (+25.5%) dhe Basel-Landschaft (+23.6%). Ndër kantonet frankofone, më të prekura janë Neuchâtel, Vaud dhe Valais. Ndërkohë, në pesë kantone numri i falimentimeve ka rënë në krahasim me vitin 2023: Fribourg (-20 raste), Jura (-15), Glarus (-7), Appenzell Ausserrhoden (-2) dhe Appenzell Innerrhoden (-1).

Efekti i vonuar i krizës së Covid-19

Sipas FSO-së, rritja e falimentimeve shpjegohet pjesërisht nga një efekt rikuperimi pas krizës së Covid-19, gjatë së cilës kishte një bum në krijimin e bizneseve. Sot, shumë prej tyre po falimentojnë për shkak të kushteve të pafavorshme ekonomike.

Humbjet financiare në nivel të ulët

Megjithë rritjen e rasteve të falimentimit, shuma e borxheve të pashlyera ka rënë me 26.5% krahasuar me vitin 2023, duke arritur afërsisht 1.5 miliardë franga zvicerane. Kjo shumë mund të ndryshojë ndjeshëm nga viti në vit, në varësi të rasteve me likuidime të mëdha.

Rritje rekord edhe në procedurat e përmbarimit

Valës së falimentimeve i shtohet edhe një rritje e konsiderueshme në procedurat e përmbarimit. Gjatë vitit 2024:

  • Urdhrat e pagesës u rritën me 8.5%

  • Sekuestrimet u shtuan me 12.5%

  • Realizimet u rritën me 5.9%

“Kurrë më parë nuk është regjistruar një numër kaq i lartë procedurash përmbarimore brenda një viti kalendarik,” nënvizon FSO-ja.

McDonald’s synon të zgjerohet dhe të arrijë 200 restorante në Zvicër

McDonald’s planifikon zgjerim të shpejtuar në Zvicër

McDonald’s planifikon të përshpejtojë programin e tij të zgjerimit në Zvicër. Një buxhet prej 250 milionë frangash është vënë në dispozicion që nga viti 2024 për hapjen e restoranteve të reja, modernizimin e atyre ekzistuese dhe zbatimin e inovacioneve të ndryshme deri në vitin 2026.

Pas hapjes së pesë restoranteve të reja vitin e kaluar, McDonald’s Zvicër do të hapë dhe rinovojë të tjera gjatë vitit 2025, sipas një komunikate për media të publikuar të martën. Në afat të mesëm, kompania synon të arrijë në 200 pika shitjeje, transmeton albinfo.ch.

Shërbimi në tavolinë, sistemi i shpërndarjes McDelivery dhe marrja me vete përmes McDrive do të zhvillohen në pothuajse të gjitha njësitë.

Aplikacionet popullore të porositjes

Gjithashtu, “modernizimi i shërbimeve digjitale si aplikacioni për porositje online është shumë i kërkuar”, sipas CEO-së Lara Skripitsky, e cituar në komunikatë. “Aplikacioni përdoret për një në katër porosi.”

Në vitin 2024, vëllimi i blerjeve arriti në 235 milionë, sipas kompanisë, e cila nuk bën publike të ardhurat. Më shumë se 85% e përbërësve vijnë nga partnerë zviceranë si Bell, Fortisa dhe Emmi. Po ashtu, kompania bashkëpunon me rreth 6,400 ferma lokale.

McDonald’s Zvicër aktualisht po trajnon afërsisht dyzet nxënës në praktikë “për të luftuar mungesën e personelit të kualifikuar në këtë sektor”. Rreth 92% e praktikantëve mbeten të punësuar në kompani.

Gjiganti amerikan është prezent në Zvicër që nga viti 1976.

Kriza në Gjenevë: Spitali La Tour nis shkurtimet e stafit për shkak të mosmarrëveshjeve me siguruesit

Në Gjenevë, Spitali La Tour në Meyrin është detyruar të ndërmarrë shkurtime në staf si pasojë e krizës së zgjatur ndërmjet siguruesve suplementarë dhe mjekëve. Kjo situatë ka shkaktuar një rënie të ndjeshme të numrit të pacientëve në këtë spital privat.

Sipas burimeve të brendshme, rreth dhjetë punonjës – përfshirë infermierë dhe asistentë mjekësorë – janë prekur nga këto largime. Spitali konfirmon se vendet e lira të punës nuk janë zëvendësuar.

Në një deklaratë zyrtare, Spitali La Tour shpjegon:

Prej disa muajsh jemi përballur me rënie të aktivitetit për shkak të mungesës së marrëveshjeve të çmimeve dhe mospagesës së disa shërbimeve nga sigurimet suplementare. Kjo, e kombinuar me një humbje prej disa milionësh në bilancin financiar të vitit 2024, na ka detyruar të marrim masa organizative për të siguruar qëndrueshmërinë financiare.

Rënia e lindjeve dhe mungesa e rimbursimeve

Njësia e maternitetit në Spitalin La Tour, një nga më të mëdhatë në kantonin e Gjenevës, po përjeton një rënie të theksuar të lindjeve. Arsyeja kryesore: mungesa e marrëveshjeve të çmimeve ndërmjet mjekëve dhe siguruesve suplementarë, transmeton albinfo.ch.

Që nga fillimi i vitit, shumica e sigurimeve suplementare nuk rimbursojnë më automatikisht trajtimet në klinikat private. Kjo ka bërë që shumë pacientë të shtyjnë ndërhyrjet ose të zgjedhin institucione të tjera. Më të prekurit janë pacientët kronikë dhe gratë shtatzëna.

Një situatë që prek të gjitha klinikat

Spitali La Tour nuk është rasti i vetëm. Shoqata e Klinikave Private të Gjenevës ka njoftuar për konfuzion të madh te pacientët, pasi shumë prej tyre besojnë se asnjë shërbim nuk mbulohet më, edhe pse konsultat ambulatore vazhdojnë të rimbursohen.

Klinikat e tjera, si Grangettes dhe La Colline (të grupit Hirslanden), po mbyllin dhoma dhe salla operacioni përkohësisht dhe po kërkojnë nga stafi të marrë pushime. Këto masa pritet të jenë afatshkurtra.

Një projekt për dalje nga kriza

Nën udhëheqjen e këshilltarit shtetëror Pierre Maudet, siguruesit, mjekët dhe klinikat po negociojnë një zgjidhje të përkohshme deri në fund të vitit 2025. Afati për arritjen e një marrëveshjeje është vendosur më 15 prill.

Shoqata Zvicerane e Sigurimeve (ASA) e konsideron “të keqardhur” vendimin për largimet nga puna, por thekson se vendimet për ristrukturim varen nga një kombinim faktorësh – mjekësorë, organizativë dhe financiarë – dhe jo vetëm nga mungesa e marrëveshjeve me siguruesit.

Ndërkohë, Shoqata e Mjekëve të Gjenevës (AMGe) thekson përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për krizën aktuale.

Tarifat e reja të Donald Trump ndaj Kinës do të rriten në 104% të mërkurën

Tarifat e reja për importet kineze në Shtetet e Bashkuara do të rriten në 104% ditën e mërkurë, njoftoi Shtëpia e Bardhë të martën, duke përmbushur kështu një kërcënim të bërë më herët nga Donald Trump, transmeton albinfo.ch.

Tregjet financiare reagojnë pozitivisht

Bursa e Nju Jorkut u hap ndjeshëm në rritje të martën – me një ngritje prej 3.51% për indeksin Dow Jones dhe 3.70% për indeksin Nasdaq – duke marrë frymë pas tre seancave të trazuara, e nxitur nga një rreze shprese për negociata të mundshme mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi tarifat doganore.

Tregjet evropiane dhe aziatike në rikuperim

Tregjet evropiane dhe aziatike të aksioneve u rimëkëmbën pas rënies së një dite më parë. Bursa e Parisit u rrit me 2.50%, Frankfurti me 2.48%, Londra me 2.71% dhe Milano me 2.44%. Indeksi kryesor i bursës zvicerane, SMI, gjithashtu mbylli ditën me një ngritje të fortë. Bursa e Tokios shënoi një rritje prej më shumë se 6%, ndërsa ajo e Seulit u rrit me 6.26%.

Zbulimi i parë i variantit të ri të Mpox në Zvicër

Një rast i variantit të ri të Mpox-it, kladi Ib, është zbuluar për herë të parë në Zvicër.

Personi i prekur është izoluar dhe, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), nuk ka rrezik infektimi për të tjerët përreth tij.

Sipas BAG, personi i infektuar është një udhëtar që është kthyer nga Afrika. Infeksioni është zbuluar në fillim të prillit, transmeton albinfo.ch.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kladi Ib është më ngjitës dhe më i rrezikshëm se variantet e mëparshme të sëmundjes Mpox (dikur e njohur si lisa e majmunëve). Ky variant është përhapur në disa vende afrikane për disa muaj tashmë.

Gjendja e emergjencës shëndetësore 2024

Në mes të gushtit 2024, OBSH shpalli emergjencë shëndetësore ndërkombëtare për shkak të rritjes së infeksioneve me variantin Clade I të Mpox. Në fund të shkurtit 2025, organizata vendosi ta mbajë këtë gjendje emergjence, sipas këshillave të ekspertëve të pavarur.

OBSH deklaron se situata nuk është përmirësuar: rastet po rriten dhe virusi po përhapet. Përpjekjet për kontrollin e shpërthimit janë penguar nga konfliktet në lindje të Kongos, prej nga po përhapet që nga viti i kaluar.

Në Perëndim të Afrikës, vaksinimet kanë filluar në disa zona, por qindra mijëra njerëz janë zhvendosur dhe mungojnë fondet për të përballuar situatën.