Mbrëmje përkujtimore dhe letrare, në shënim të Ditës së të Pagjeturve

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHN), organizon një mbrëmje përkujtimore dhe letrare në nderim të viktimave të rrëmbyera gjatë luftës së Kosovës.

Programi përfshin:

  • Promovim librash nga dy autorë të njohur nga Kosova
  • Bashkëbisedim me autorët:

Dr. Blerina Rogova Gaxha
“Memorie dhe traumë: Kujtesa e luftës 1998–99 në letërsinë shqipe në Kosovë”

Dan Ibrahimi
“Rrëfime nga ferri ’99”

E premte, 25 prill 2025
Ora: 19:30
Adresa: Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Zürich

Mësuesit në Gjenevë në grevë për një ditë

Mësuesit në Gjenevë do të hyjnë në grevë më 13 maj, në shenjë proteste ndaj ndryshimeve në orarin e punës.

Kantoni synon të rishqyrtojë rregullat për kohën që mësuesit shpenzojnë jashtë klasës, duke përcaktuar më qartë se çfarë përbën kohë pune.

Por, sipas mësuesve, kjo do të rezultojë në shumë orë pune të papaguara, transmeton albinfo.ch.

Ministrja e Arsimit, Anne Hiltpold, thekson se nuk do të ketë rritje të orarit të punës.

Valisi ende nën ndikimin e reshjeve të borës, tuneli i Shën Bernardit i mbyllur

Pas reshjeve të dendura të borës në fundjavën e kaluar, kantoni i Valais në Zvicër vazhdon të përballet me pasoja serioze. Tuneli i madh i Shën-Bernardit mbetet i mbyllur deri në njoftim të dytë, për shkak të një orteku që goditi zonën pranë galerisë Toules të enjten e kaluar. Shkëmbinjtë dhe pemët e rrëzuara kanë dëmtuar rëndë galerinë në një gjatësi prej rreth 300 metrash, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve që menaxhojnë tunelin, ende nuk është përcaktuar data e rihapjes. Meqë edhe kalimi i Shën-Bernardit mbetet i bllokuar, aktualisht nuk është e mundur të udhëtohet drejt Italisë përmes Bourg-Saint-Pierre.

Rreth 15 rrugë kantonale mbeten të bllokuara në Valaisin e Epërm dhe Valaisin Qendror. Për shumicën janë vendosur rrugë alternative, por dy seksione janë prekur nga rrëshqitjet e dheut – midis Stalden-it dhe Embd-it, si dhe mes Vercorin-it dhe Itravers-it. Ndërkohë, rruga Ayer–Zinal është mbyllur për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët.

Në Sion, shumë parqe pritet të rihapen gjatë ditës, por Domaine des Îles do të qëndrojë i mbyllur deri të premten në mbrëmje. Qasja në zonat Montorge dhe përgjatë lumit Borgne mbetet e ndaluar të paktën deri në fundjavë. Edhe në Sierre, shumë zona nuk janë të sigurta për këmbësorët për shkak të rrezikut nga degët e thyera. Bashkitë lokale u kërkojnë banorëve të ndjekin udhëzimet dhe sinjalistikën paralajmëruese.

Në Val d’Anniviers, pylltarët punojnë për të hequr qindra trungje pemësh që kanë mbushur shtratin e lumit Navizence. Autoritetet theksojnë se punimet për pastrim dhe sigurim do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa moti i paqëndrueshëm dhe rreziku i ortekëve kërkojnë vigjilencë më të shtuar nga qytetarët, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Shitjet e ngjitësve të vinjetës mbeten të forta

Pavarësisht nga lansimi i vinjetës elektronike, vinjeta tradicionale mbetet shumë e popullarizuar – për habinë e shumë njerëzve.

Vetëm 3 milionë janë shitur, krahasuar me 11 milionë ngjitëse tradicionale, transmeton albinfo.ch.

Shumë vëzhgues prisnin që e-vinjeta të tejkalonte ngjitëset – veçanërisht pasi shitjet në fillim të vitit ishin të forta. Por duket se ekzistojnë disa arsye tradicionale për mbajtjen e ngjitëses klasike.

Vinjetat tradicionale mbeten një dhuratë shumë e njohur për Krishtlindje – një ngjitëse është më e përshtatshme për këtë dhe shumë e shohin ngjitësen më qetësuese.

Shitjet e ngjitësave të huaja janë gjithashtu të forta. Organizatat franceze dhe gjermane të automobilizmit nuk i devijojnë vizitorët në faqet e tyre të internetit drejt portaleve të e-vinjetave; ata preferojnë t’u shesin ngjitësen drejtpërdrejt anëtarëve të tyre.

Pashkët mes shqiptarëve të Zvicrës: Meshat në gjuhën shqipe dhe mesazhi i ringjalljes

Misioni Katolik Shqiptar në Lucern dhe Misioni Katolik Shqiptar Nënë Tereza në Aarau. Pashkët, festa më e shenjtë e besimit të krishterë, këtë vit u kremtuan me një shpirt të thellë përkushtimi nga komuniteti shqiptar katolik në Zvicër. Meshat e zhvilluara në gjuhën shqipe nga Misioni Katolik Shqiptar në Lucern dhe ai “Nëna Terezë” në Aarau, nuk ishin thjesht një akt fetar, por një ngjarje që bashkoi shqiptarët, duke i lidhur ata me rrënjët e tyre shpirtërore dhe kulturore, edhe pse larg atdheut.

Javë e Shenjtë në Lucern, momente të thella reflektimi

Misioni Katolik Shqiptar në Lucern, gjatë Javës së Shenjtë, mblodhi besimtarët për të përjetuar me përulësi dhe reflektim çastet më domethënëse të kalendarit të Pashkëve. Meshat e së Enjtës dhe të Premtes së Madhe shpalosën ritin e mundimit, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, duke i dhënë ngjarjes një dimension të thellë shpirtëror.

“Të Premten e Madhe qëndrojmë në heshtje përpara kryqit,” tha Don Anton Uka, me një fjalë të ngrohtë e prekëse, që e mbushte kishën me një heshtje plot kuptim. “Është një heshtje që flet më shumë se çdo fjalë – sepse në atë kryq u derdh dashuria më e madhe që njeriu ka njohur ndonjëherë.”

Një nga momentet më të ndjera të së Enjtës së Madhe ishte rituali i larjes së këmbëve, një simbol i thellë përulësie dhe shërbimi ndaj të tjerëve. Don Uka kujtoi fjalët e Jezusit, i cili lau këmbët e dishepujve, duke përcjellë mesazhin e faljes dhe dashurisë si themel të jetës së krishterë. “Të shërbesh, domethënë të mbretërosh,” shtoi ai, duke citua Shën Ireneun.

Në përmbyllje të kremtimeve, mesazhi i Don Anton Ukës tingëlloi si një thirrje e fuqishme për të gjithë: “Pashkët janë një ftesë për të parë përtej të tashmes, për të besuar dhe për të shpresuar për një të ardhme më të ndritur.”

Misioni Katolik Shqiptar Nënë Tereza Aarau, Pashkët, një kremtim bashkimi

Në qytetin e Aaraut, Pashkët u kremtuan me solemnitet të lartë në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Mbi 1.500 besimtarë shqiptarë nga kantone të ndryshme të Zvicrës morën pjesë në meshën e udhëhequr nga Don Marjan Demaj, i cili përcolli mesazhin e ringjalljes, besimit dhe shpresës, duke prekur thellësisht zemrat e të pranishmëve.

 

Festa në Aarau mori një dimension të veçantë falë pjesëmarrjes së shqiptarëve nga besime të ndryshme, përfshirë edhe ata me përkatësi islame. Ky ishte një akt i bukur dhe i fuqishëm i bashkëjetesës, ku vlerat e përbashkëta të dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve u shpalosën në mënyrë të natyrshme.

Një  moment i veçantë gjatë meshës ishte përshëndetja e znj. Barbara Borer-Mathys, deputete në Parlamentin Kantonal dhe sekretare e SVP-së për kantonin të Aargaut. Ajo e theksoi rëndësinë e integrimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor, duke uruar gjithashtu komunitetin shqiptar për festën.

Në mesazhin e tij festiv, Don Marjan Demaj shprehu urimet më të ngrohta për besimtarët, duke i inkurajuar ata të jetojnë me shpresë dhe dashuri: “Ngjallja e Krishtit është fitorja e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën dhe e shpresës mbi dëshpërimin. Kjo festë na kujton se, edhe në çastet më të vështira, Zoti është gjithmonë me ne, duke na ftuar të besojmë dhe të ecim drejt dritës së Tij që kurrë nuk shteron.”

Pashkët në Zvicër, bashkim shpirtëror dhe identiteti shqiptar në mërgim

Pashkët në Zvicër, këtë vit, ishin më tepër se një ngjarje liturgjike; ato ishin një dëshmi e fuqishme se identiteti shqiptar, rrënjët shpirtërore dhe vlerat tradicionale mund të lulëzojnë edhe larg atdheut. Pas meshës së të Enjtës së Madhe, besimtarët ndanë një mëngjes të përbashkët, një sofrë që u bë simbol i dashurisë, bashkimit dhe shpresës që lind nga ringjallja.

 

Shaqiri i prerë: “Kombëtarja nuk është më për mua”

Xherdan Shaqiri ka vendosur qartë: nuk do të rikthehet më në Kombëtaren e Zvicrës. Pas fitores 5-0 ndaj Yverdonit, ai tha: “Për mua nuk bëhet fjalë për Kombëtaren.” Kjo deklaratë i jep fund zërave që kërkonin kthimin e tij, sidomos tani që Zvicra ka pasur rezultate të dobëta në ndeshjet e fundit. Shkruan 20minuten; transmeton albinfo.ch.

Shaqiri është tërhequr nga Kombëtarja që nga vera e kaluar, pas Kampionatit Evropian. Edhe pse disa e krahasuan me Toni Kroos, i cili u rikthye për të ndihmuar Gjermaninë, Shaqiri nuk ka në plan të bëjë të njëjtën gjë. Ai tha se ndihet mirë aty ku është dhe tani është i fokusuar vetëm te skuadra e tij, FC Basel.

Synimi: titulli dhe një rekord personal
FC Basel është në vendin e parë në kampionat, me gjashtë pikë më shumë se ndjekësit dhe vetëm pesë ndeshje të mbetura. “Ky është një avantazh i mirë për ne, por çdo ndeshje është e rëndësishme,” tha Shaqiri. Ai është i qartë: “Qëllimi ynë është të bëhemi kampionë.”

Por Shaqiri nuk ndalet me kaq. Ai ka edhe një objektiv personal: të thyejë rekordin e asistimeve në Superligën zvicerane. Aktualisht ka dhënë 17 asistime dhe i duhen vetëm tre për të kaluar rekordin e Miroslav Stevanović, që ka 20.

Me formën e tij të mirë, Shaqiri mund të ndihmojë ekipin të fitojë titullin dhe vetë të shkruajë histori. Ai është i fokusuar dhe i vendosur – tani vetëm Basel është prioriteti i tij.

Helvetia dhe Baloise drejt bashkimit: çfarë do të thotë kjo për klientët dhe punonjësit?

Një marrëveshje historike po merr formë në qendrën financiare të Zvicrës: dy nga emrat më të mëdhenj në tregun e sigurimeve, Helvetia dhe Baloise, kanë njoftuar planet për t’u bashkuar dhe për të krijuar një gjigant të ri të quajtur “Helvetia Baloise”. Me këtë lëvizje, do të lindë grupi i dytë më i madh i sigurimeve në vend, me një pjesë tregu prej rreth 20 për qind, shkruan Blick.

Bashkimi pritet të finalizohet deri në fund të vitit 2025, por paraprakisht kërkohet miratimi i aksionerëve të të dy kompanive dhe i Komisionit të Konkurrencës. Ndërkohë, pyetjet mbi ndikimin e kësaj marrëveshjeje tek punonjësit, rrjeti i degëve dhe klientët janë ngritur me urgjencë.

Sipas Thomas Schmuckli, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Helvetia, klientët nuk do të ndjejnë ndryshime të menjëhershme. Kontratat ekzistuese do të qëndrojnë në fuqi dhe do të kalojnë automatikisht nën emrin e ri “Helvetia Baloise”. Megjithatë, në periudhën afatmesme priten ndryshime në ofertat e sigurimeve, për shkak të standardizimit të shërbimeve dhe produkteve, transmeton albinfo.ch.

Jeffrey Hochegger, strateg investimesh në Raiffeisen Zvicër, thekson se bashkimi vjen si përgjigje ndaj konkurrencës së fortë në treg, ku Axa dhe Mobiliar dominojnë me pjesë më të mëdha. Sipas tij, bashkimi do të sjellë përfitime të konsiderueshme për kompaninë, me sinergji të pritshme vjetore prej 350 milionë frangash zvicerane.

Por këto përfitime do të vijnë me një çmim. Me mbi 22,000 punonjës të përbashkët dhe shumë mbivendosje në funksione dhe degë, priten shkurtime të konsiderueshme në staf. Edhe pse kompanitë kanë premtuar që reduktimet do të ndodhin kryesisht përmes pensioneve të parakohshme dhe largimeve natyrore deri në vitin 2029, portali “Insideparadeplatz” parashikon deri në 2,000 shkurtime të mundshme.

Në aspektin operacional, bashkimi do të prekë edhe rrjetin e degëve. Helvetia dhe Baloise kanë mbi 200 zyre dhe agjenci të shpërndara në gjithë Zvicrën, shumë prej të cilave ndodhen në të njëjtat qytete. Kjo lë të kuptohet për një konsolidim të domosdoshëm, i ngjashëm me atë që ndodhi pas bashkimit të UBS dhe Credit Suisse, transmeton albinfo.ch.

Për klientët, rritja e efikasitetit pritet të sjellë disa përfitime, si prime më të ulëta të sigurimit. Aksionerët ndërkohë mund të presin dividentë më të lartë. Por për punonjësit, bashkimi sjell pasiguri dhe sfida, sidomos për ata që ndodhen në pozicione që mbivendosen mes dy kompanive.

Helvetia Baloise do të jetë një fuqi e re në tregun zviceran të sigurimeve – me potencial për rritje dhe dominim, por edhe me përgjegjësi të mëdha ndaj punonjësve dhe klientëve që tashmë po shikojnë nga afër çdo hap të procesit, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër, si kudo tjetër, 22 Prilli shënon Ditën e Tokës

Tema e këtij viti është “Fuqia jonë, planeti ynë”, i cili bën thirrje në Zvicër për angazhim, për të “shfrytëzuar energjinë e rinovueshme për të ndërtuar një të ardhme të shëndetshme, të qëndrueshme, të barabartë dhe të begatë për të gjithë ne”.

Bashki të ndryshme anembanë Zvicrës, duke përfshirë shkollat ​​dhe universitetet, do të mbajnë ngjarje të lidhura me tokën për njerëz të të gjitha moshave.

Më 22 prill shënohet Dita e Tokës, një ndër disa ditë të vitit miliarda njerëz festojnë për harmoninë me planetin. Kjo është një ditë simbol në mbarë globin e përshtatshme për të menduar për planetin në të cilin jetojmë dhe se si ta shpëtojmë atë e ta mbajmë pastër, sigurisht ta mbrojmë.

Çdo vit më shumë se një miliard njerëz marshojnë nëpër rrugë në nder të mbrojtjes së mjedisit. Festivalet, marshimet dhe eventet e organizuara në ambientet e jashtme shpesh mbështeten nga të famshmit dhe politikanët. Por, pse e festojmë Ditën e Tokës dhe si ndiqet nga njerëzit në të gjithë botën? Ju japim disa informacione në lidhje me festimet e datës 22 Prill.

E festuar çdo vit në datën 22 Prill, Dita e Tokës synon të shtyjë njerëzit nga e gjithë bota të jenë miqësorë me mjedisin. Kjo mund të thotë shtimin e mbetjeve të riciklueshme, punën vullnetare për një projekt të gjelbër lokal apo implementimin e paneleve diellore në shtëpi. Eventi i parë i Ditës së Tokës, i cili u organizua në Amerikë pothuajse pesë dekada më parë, është konsideruar si fillimi i lëvizjeve të para moderne mjedisore. Që nga fillimet, Dita e Tokës është mbështetur nga një sërë figurash të famshme duke përfshirë edhe Leonardo DiCaprio apo Emma Watson. Tani këto evente koordinohen globalisht nga një rrjet jofitimprurës i Ditës së Tokës. Çdo vit organizohen festivale, parada dhe marshime në të paktën 192 shtete për të mbështetur mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë ka flamurin e vet i cili u krijua nga aktivisti amerikan John McConnell dhe që shfaq qëllimisht një foto të botës. Madje kanë edhe vijën e tyre muzikore që në fakt është Oda e Lumturisë e Beethoven por me lirika që promovojnë mbrojtjen e mjedisit.

 

Çfarë është Marrëveshja e Parisit?

Në datën 22 Prill, të paktën 130 shtete firmosën marrëveshjen e Parisit në lidhje me Ndryshimet Klimaterike. Marrëveshja historike e cila u adoptua me konsensus në kryeqytetin francez në dhjetor dhe u depozitua nga Kombet e Bashkuara në New York në përpjekje për t’i bërë shtetet të firmosin. Sipas Komisionit Europian, marrëveshja përcakton një plan aksioni global për ta vënë botën në vijë dhe për të shmangur ndryshimet e dëmshme klimaterike duke mbajtur nën kontroll temperaturat. Marrëveshjes së adoptuar në Paris në 12 Dhjetor të vitit 2015, ish kryeministri John Prescott iu referua si “moment historik për planetin tonë”. Kina dhe Shtetet e Bashkuara, emetuesit më të mëdhenj të gazrave të dëmshëm në botë kanë pranuar të firmosin marrëveshjen në këtë ceremoni të festimeve të Ditës së Tokës nga Kombet e Bashkuara. Presidenti francez Francois Hollande kërkon të bëjë të njëjtën gjë. Megjithatë, të firmosurit është thjesht një hap i procesit të gjatë të Kombeve të Bashkuara për ta vënë planin në zbatim. Procesi kërkon aprovim formal të të paktën 55 kombeve që përfaqësojnë 55% të emetimit të gazrave të çliruar nga aktiviteti njerëzor. Në shumë shtete, kjo marrëveshje kërkon votim në parlament.

 

 

Fshati i skive në Alpet zvicerane që po josh amerikanët

Presidenti amerikan Donald Trump duket se ka një ndikim të madh në një fshat të vogël skijimi në Alpet zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Në muajt e parë të këtij viti, apartamentet e sapondërtuara në fshatin Andermatt tërhoqën më shumë se 1260 kërkesa nga investitorët amerikanë, me zhvilluesin e projektit që sugjeroi se kërkesa u nxit nga “një fluturim drejt sigurisë” nga amerikanët.

Ata blenë ose hodhën depozita për apartamente me vlerë 14.2 milionë CHF (17.4 milionë dollarë) deri më 10 prill – gati dyfishi i 7.7 milionë CHF të transaksioneve për të gjithë vitin e kaluar.

Në vitin 2023, Andermatt nuk kishte asnjë blerës amerikan për apartamentet e saj të reja.

Për më shumë detaje: https://www.swissinfo.ch/eng/alpine-environment/the-swiss-alps-ski-village-that-is-luring-nervous-americans/89195697?fbclid=IwY2xjawJ0a9NleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETE1MXhaV0F2NGVIdVlmZmROAR47vfJtjTM0shdQIvb6ydS2PiPc8S4sWn1L7N22HUM54lrLNlSbgDa5_rkU_Q_aem_DH5T3f07IzyewYLED_k-2g

Austri: Kosovari reziston kundër arrestimit, lëndon dy policë

Një 38-vjeçar ka ushtruar rezistencë kundër policëve që donin ta hetonin për vepra të dyshuara penale. Kjo ka ndodhur mëngjesin e së martës, më 22 prill 2025, në Graz. Dy policë nga komisariati i Karlauerstrasse kanë pësuar lëndime të një shkalle të papërcaktuar, transmeton albinfo.at.

Patrulla e policisë Karlauerstrasse u paraqit në Overseegasse pak pas orës 9:00, pasi ish-e dashura e 38-vjeçarit kishte bërë kallëzim penal për disa shkelje të dyshuara. I dyshuari, një kosovar 38-vjeçar, nuk pranoi të hapte derën për policët; më pas, vëllai i tij e hapi derën e banesës me çelës. Papritur dhe pa paralajmërim, i dyshuari u hedh me forcë drejt derës së hyrjes.

I dyshuari u tregua nga fillimi jashtëzakonisht agresiv dhe jo bashkëpunues. Më pas ai tentoi të mbyllte derën me forcë. Punonjësit e policisë, që ndërhynë për ta parandaluar këtë, e arrestuan, shkruan 5minuten.at.

Për arrestimin e tij u desh të përdorej sprej piperi. Megjithatë, ai vazhdoi të rezistojë dhe përsëri sulmoi fizikisht në qafë njërin nga policët, përcjell albinfo.at. Me ndërhyrjen e tyre të guximshme dhe përdorimin e forcës fizike, ata arritën të arrestonin kosovarin agresiv.

Të dy policët pësuan lëndime të një shkalle të papërcaktuar dhe u detyruan të ndërprisnin turnin e punës, pasi morën trajtim mjekësor ambulant në UKH Graz.

I dyshuari gjithashtu pësuar lëndime të pacaktuara gjatë arrestimit. Pas trajtimit ambulant në UKH Graz, ai u transferua në Qendrën e Paraburgimit të Policisë në Graz.

Ekspertët: Mungesa e banesave në Zvicër pritet të ashpërsohet

Sipas ekonomistit të pasurive të paluajtshme, Andreas Loepfe, situata tashmë e ngushtë e banesave pritet të përkeqësohet edhe më shumë me kalimin e kohës.

Toka e pamjaftueshme për ndërtime të reja, që rrit çmimet e saj, si dhe rritja e kostove të ndërtimit do të përkeqësojnë mungesën dhe, rrjedhimisht, do të çojnë në qira më të larta.

“Qiratë do të rriten gjatë dhjetë viteve të ardhshme në një masë që shumica e njerëzve nuk mund ta imagjinojnë sot,” tha Loepfe, përcjell albinfo.ch.

Një tjetër faktor kyç kontribues është rritja e popullsisë, e cila do të vazhdojë të rritet në vitet në vijim, e nxitur kryesisht nga emigracioni.

Lidhja e Papa Françeskut me shqiptarët, një histori besimi dhe shprese

Me ndarjen e Papa Françeskut nga jeta, bota humbi një udhëheqës shpirtëror që me thjeshtësinë dhe dashurinë e tij e mbushi çdo hapësirë me dritë. Lajmi për vdekjen e tij preku miliona njerëz në mbarë globin, por veçanërisht ata që ndjenin një lidhje të veçantë me këtë papë të përulur e të afërt me njerëzit. Ai nuk ishte vetëm një Papë, por një udhërrëfyes i vërtetë për një botë që shpesh është e përçarë dhe e mbushur me dhimbje.

Pas mesazheve të tij për paqe, tolerancë dhe mëshirë, Papa Françesku la një trashëgimi që është më e fuqishme se çdo fjalë e thënë – një mesazh për bashkimin e njerëzve, pavarësisht kufijve dhe dallimeve. Ndër ta ishin edhe shqiptarët, për të cilët Papa Françesku kishte një dashuri të thellë dhe të sinqertë. Në qendër të mesazheve të tij shpesh gjendej Shqipëria – “toka e martirëve” dhe shembull i bashkëjetesës ndërfetare.

Për të reflektuar mbi trashëgiminë që ai la pas dhe mbi këtë raport të veçantë me shqiptarët, biseduam me Don Marjan Markun, famullitar, kanonik dhe një zë i fuqishëm i Kishës Katolike Zvicerane. Në këtë intervistë, ai ndan mendimet e tij mbi vizionin e Papës për Kishën, rolin e figurave si Nënë Tereza dhe Skënderbeu, martirët shqiptarë dhe mesazhin e tij universal për një botë më humane.

Don Marjan Marku me Papa Françeskun

Albinfo.ch: Cila ishte lidhja e Papa Françeskut me shqiptarët?

Don Marjan Marku: Lidhja e Papa Françeskut me shqiptarët ishte e veçantë dhe e sinqertë. Ai vetë ka treguar se e kishte njohur nga afër vuajtjen dhe qëndresën e besimtarëve shqiptarë që prej kohës kur ishte në Argjentinë, përmes kontaktit me meshtarë shqiptarë që kishin përjetuar burgun dhe internimin gjatë komunizmit. Në figurën e Nënë Terezës dhe në qëndresën e martirëve, Papa shihte pasqyrën e një populli që nuk e kishte humbur shpirtin, edhe kur i ishte mohuar çdo liri.

Albinfo.ch: Cila ishte rëndësia simbolike e vizitës së parë evropiane të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator 2014?

Don Marjan Marku: Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator 2014 ishte një ngjarje historike me simbolikë të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kishën Katolike, por për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe për mesazhin që iu dërgua botës. Kjo ishte vizita e tij e parë në Evropë jashtë Vatikanit dhe ai e zgjodhi Shqipërinë si një model të bashkëjetesës ndërfetare. Papa e quajti Shqipërinë “një tokë martirësh”, duke theksuar rezistencën e besimtarëve gjatë komunizmit dhe ringjalljen shpirtërore të popullit shqiptar. Ai dërgoi një mesazh botëror për paqe, shpresë, tolerancë dhe për të ndërtuar ura mes feve dhe kulturave. Për më tepër, kjo vizitë afirmoi identitetin evropian të Shqipërisë dhe vlerat e saj të lirisë dhe bashkëjetesës.

Albinfo.ch: Si e përshkruan Papa Françesku bashkëjetesën ndërfetare në Shqipëri dhe pse e konsideron atë një model për botën?

Don Marjan Marku: Papa Françesku u shpreh qartë: “Shqipëria është një model i bashkëjetesës ndërfetare… një shembull për botën.” Ai vlerësoi mënyrën se si shqiptarët, pavarësisht feve të ndryshme, jetojnë në paqe dhe respekt të ndërsjellë. Për Papën, kjo është një dëshmi që pas persekutimeve fetare, shqiptarët nuk zgjodhën hakmarrjen, por ndërtuan një shoqëri të tolerancës dhe dashurisë. Ai theksoi se dialogu ndërfetar është rruga për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, dhe Shqipëria është një provë e gjallë që kjo është e mundur.

Albinfo.ch: Në çfarë mënyre Nënë Tereza shërben si pikë referimi për Papën dhe si lidhet kjo me vizionin e tij për Kishën si një “spital fushor”?

Don Marjan Marku: Nënë Tereza është mishërimi i vizionit të Papës për Kishën si një “spital fushor” – një Kishë që shkon atje ku është dhimbja më e madhe. Ajo nuk qëndroi në kushte komode, por doli në rrugë, te më të braktisurit, për t’ua shëruar plagët me dashuri dhe përulësi. Për Papën, Nënë Tereza ishte shembulli i përkryer i mëshirës së gjallë dhe i Kishës që shërben, jo që gjykon. Siç tha ai gjatë kanonizimit të saj: “Ajo bëri zërin e saj të dëgjohet nga të fuqishmit e tokës.” Nënë Tereza dhe Papa Françesku ndajnë të njëjtin ideal për një Kishë të afërt me njeriun dhe të angazhuar për drejtësinë.

Albinfo.ch: Si e ka shprehur Papa Françesku dashurinë dhe respektin e tij për popullin shqiptar gjatë papnisë së tij?

Don Marjan Marku: Papa Françesku ka shfaqur një dashuri të veçantë për shqiptarët, sidomos për qëndresën e tyre gjatë diktaturës, ku feja u ndalua dhe klerikët u persekutuan. Ai e quajti Shqipërinë “tokë martirësh”. Me shpalljen e të Lumëve – Imzot Vinçenc Prenushin dhe 37 martirë të tjerë – ai nderoi sakrificën e atyre që nuk hoqën dorë nga besimi. Në këtë mënyrë, ai i dha Kishës Shqiptare një vend të nderuar në altarin e martirëve të shekullit XX. Dashuria e tij për Shqipërinë nuk ishte vetëm shpirtërore, por edhe simbolike – një dritë shprese për një Evropë që kërkon të rizbulojë vlerat e saj.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi përcjell Papa Françesku për botën përmes vlerësimit të tij për Shqipërinë dhe historinë e saj të martirizimit dhe tolerancës fetare?

Don Marjan Marku: Mesazhi është i fuqishëm: se liria dhe besimi janë më të forta se shtypja dhe dhuna. Shqipëria, me historinë e saj të dhimbshme, por edhe të lavdishme, është një dëshmi se shpresa dhe pajtimi janë të mundura. Papa na kujtoi se martirët janë “fara e shpresës”, ndërsa bashkëjetesa fetare është rruga për paqe globale. Ai e sheh Shqipërinë si një laborator të shpresës për një botë të copëtuar nga përçarjet.

Albinfo.ch: Si e ka vlerësuar Papa Françesku figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut?

Don Marjan Marku: Papa Françesku e përmendi me respekt të thellë Skënderbeun si një hero jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për botën e krishterë. Ai e cilësoi Skënderbeun “një shembull të jashtëzakonshëm të besimit të patundur dhe të luftës për liri dhe drejtësi”. Për Papën, Skënderbeu ishte një mbrojtës i lirisë dhe i vlerave shpirtërore të Europës, që nuk u përkul përballë agresionit, por mbrojti popullin dhe besimin me guxim. Ai është një simbol i fortë i qëndresës dhe i unitetit kombëtar e shpirtëror. Vlerësimi i Papës për këtë figurë historike e lidh Shqipërinë me identitetin evropian dhe me rrënjët e krishterimit në Ballkan.

Albinfo.ch: Çfarë humbi bota dhe njerëzimi me vdekjen e Papa Françeskut?

Don Marjan Marku: Nëse do të duhej ta përmblidhja me një fjali: Bota humbi një zemër që rrihte për gjithë njerëzimin. Papa Françesku ishte një zë i së vërtetës, i mëshirës dhe i drejtësisë. Ai foli për ata që nuk kishin zë – për të varfrit, për refugjatët, për të përjashtuarit. Ishte një njeri që e përulej për të ngritur të tjerët. Ai dha një model të ri për Kishën – një Kishë që shërben, që dëgjon, që i afrohet njeriut me dashuri e jo me gjykim. Bota humbi një udhëheqës shpirtëror të jashtëzakonshëm. Papa Françesku ishte zëri i të varfërve, i të përjashtuarve dhe i të pambrojturve. Ai solli frymën e dashurisë, mëshirës dhe përulësisë në një botë të etur për drejtësi dhe humanizëm. Ai ishte ndryshe nga të tjerët – jetoi thjesht, foli qartë, e preku thellë njeriun me mesazhe që përfshinin gjithë njerëzimin, jo vetëm të krishterët. Ai nuk kërkoi të mbretërojë, por të shërbejë. Bota humbi një ndërgjegje morale dhe një udhëheqës që e donte njeriun pa kushte. Me ndarjen e tij nga kjo botë, bota humbi një dritë udhëheqëse të dhembshurisë. Por trashëgimia e tij do të mbetet përjetësisht.

 

 

 

 

“Ditët Shqiptare në Botë” fillon nga Milano

Në Milano, një nga kryeqendrat botërore të dizajnit dhe artit bashkëkohor, Shqipëria solli një zë të veçantë të vetin, përmes nismës më të re të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, CulturaAlb.

Me anë të kësaj platforme, që pritet të nisë një kapitull të ri në diplomacinë kulturore, synohet të prezantohet krijimtaria shqiptare në skenën ndërkombëtare.

CulturaAlb – Ditët Shqiptare në Botë u prezantua për herë të parë në Fuorisalone 2025, ku, nga 7 deri më 13 prill, Shqipëria u bë pjesë e gjallë e programit kulturor të qytetit.

Në qendër të Javës Shqiptare ishte instalacioni “Dying of Laughter”, një vepër që ndërthur humorin me tragjedinë, të realizuar nga arkitektët Marin Nikolla dhe Denis Muça, në bashkëpunim me mjeshtrin e qeramikës, Vasil Kuka.

Projekti i Nikollës dhe Muçës ndërton një urë mes gjuhës, kujtesës kolektive dhe formës artistike. Duke u nisur nga shprehja popullore “vdiq nga e qeshura”, ata krijojnë një univers simbolik, ku qeramika bëhet medium për të përçuar histori të paprishshme, por të njohura për të gjithë. Projekti trajton ndërthurjen mes epikes së të qeshurës dhe tragjedisë së vdekjes, mes gëzimit dhe humbjes, një binom që gjen shprehje në qeramikë të realizuar me mjeshtëri.

Në zemër të instalacionit ishte mjeshtri Vasil Kuka, nga Zadrima, i cili prodhon dorazi deri në 300 copë qeramike në ditë. Ai përfaqëson modelin artizan–industrial, që ruan teknikat tradicionale, por punon me efikasitet bashkëkohor.

Krahas “Dying of Laughter”, publiku pati mundësinë të vizitojë ekspozita të Bib Frrokajt, artist që eksploron ndërthurjen e motiveve tradicionale me ato moderne, si dhe “Vatra”, një tavolinë xhami e dizajnuar nga arkitektja Joana Dhiamandi, që simbolizon ngrohtësinë e shtëpisë shqiptare.

Një moment i rëndësishëm ishte edhe prezantimi i platformës Albchef, rrjet ndërkombëtar kuzhinierësh shqiptarë për promovimin global të traditës kulinare. Në aktivitetet e Albchef, pati degustime produktesh nga “Mrizi i Zanave” dhe prezencën e shefit Altin Prenga, figurë kyçe e gastronomisë bashkëkohore shqiptare.

Në kuadër të CulturaAlb u zhvilluan show-cooking, degustime ushqimesh tipike dhe biseda mbi etikën e qëndrueshmërinë në kuzhinë e dizajn, duke treguar se vlerat tradicionale shqiptare mund të ndikojnë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare.

E qeshura, motiv kryesor i instalacionit, u përçua edhe në stand-up comedy nga Xhuliano Dule, i cili solli momente ironike dhe reflektimi mbi realitetin shqiptar dhe atë të diasporës.

Po ashtu, u shfaq premiera e dokumentarit “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”, nga Lorik Cana dhe Arber Agalliu, që rrëfen lidhjet kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve në rajon dhe diasporë.

CulturaAlb nuk ndalet në Milano. Ajo është urë mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, që promovon trashëgiminë tonë kudo në botë. Një nga shembujt më të prekshëm është Vallja arbëreshe, festë pesëshekullore çdo të martë pas Pashkëve në katundet arbëreshe të Italisë, që përkujton fitoren e Skënderbeut në 1467 dhe mishëron shpirtin e një populli që nuk harron rrënjët. Me këngë, valle dhe veshje tradicionale, Vallja është homazh ndaj identitetit dhe qëndresës arbërore, tashmë pjesë e rrëfimit të ri që CulturaAlb sjell para botës.

Aktivitetet e para të CulturaAlb – Ditët Shqiptare në Botë janë vetëm fillimi; programi shumëdimensional kulturor i Ministrisë së Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës synon promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në shumë vende të tjera.

Në thelb, CulturaAlb është një platformë e re diplomacie kulturore, që angazhon artistë, dizajnerë, muzikantë, kuzhinierë, krijues e komunitete shqiptare në diasporë për të sjellë zërin e Shqipërisë në qendrat më të mëdha kulturore të botës.

Roche do të investojë 50 miliardë dollarë në SHBA brenda pesë viteve

Kompania farmaceutike zvicerane Roche planifikon të investojë deri në 50 miliardë dollarë (40.5 miliardë CHF) në Shtetet e Bashkuara gjatë pesë viteve të ardhshme, përcjell albinfo.ch.

Kompania farmaceutike me bazë në Bazel, Novartis, kishte njoftuar tashmë investime që arrijnë në miliarda gati dy javë më parë.

Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga Roche të martën, paratë do të investohen si në vendet ekzistuese ashtu edhe në objektet e reja të prodhimit. Zgjerimi do të krijonte deri në 12,000 vende të reja pune – rreth 1,000 vetëm në kompaninë farmaceutike dhe 11,000 të tjera për të mbështetur kapacitetet e reja prodhuese të SHBA.

Fondet do të kanalizohen në kapacitetet e prodhimit dhe shitjes në SHBA si për divizionet farmaceutike ashtu edhe për diagnostifikimin. Në Pensilvani është planifikuar një objekt prodhimi më i avancuar për terapinë gjenetike.

 

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë lamtumirëse të Papa Françeskut, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari për media i presidentes, Vjosa Osmani Bekim është shprehur se presidentja do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në ceremoninë e varrimit të Papës.

“Tashmë e kemi konfirmuar te autoritetet shtetërore në Vatikan se Presidentja Osmani, si Kreu i Shtetit, do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut”, ka thënë ai.

Papa Françesku ka vdekur të hënën e 21 prillit në moshën 88-vjeçare.

Shqiptari nga Kosova emërohet zv.drejtor për video në Associated Press në SHBA

Bëhet e ditur se gazetari i njohur nga Kosova, Nebi Qena, është emëruar zëvendësdrejtor për video në agjencinë prestigjioze ndërkombëtare të lajmeve Associated Press (AP), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar të Drejtorit të lajmeve për SHBA, Josh Hoffner, i cili në një letër dërguar stafit ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e Qenës ndër vite.

“Ai ka shkëlqyer në çdo rol që ka mbajtur — shumë prej tyre në kushte jashtëzakonisht sfiduese,” shkruan Hoffner, duke përmendur kontributin e Qenës si producent i lartë për Izraelin, Gazën dhe Bregun Perëndimor, menaxher i fundjavës për SHBA-në, korrespondent dhe producent në Kosovë, si dhe angazhimet e tij në Ukrainë gjatë konfliktit të vitit 2014 dhe së fundmi në luftën aktuale.

Sipas Hoffner, së fundmi Qena ka shërbyer si zëvendës i përkohshëm në SHBA, ku ka udhëhequr mbulimin e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme, si zjarret në Los Anxhelos dhe sulmet terroriste në New Orleans, duke pasur një ndikim “të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm”.

Karriera e Nebi Qenës nisi në gazetën “Koha Ditore”, ku raportoi gjatë luftës në Kosovë. Më pas, ai ka punuar për disa vite në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), përpara se t’i bashkohej AP-së. Gjatë viteve në këtë agjenci, Qena ka mbajtur pozita udhëheqëse në Evropë, Jerusalem dhe tashmë në Washington, ku do të vazhdojë kontributin e tij në krye të departamentit të videove.

Emërimi i tij vjen si një vlerësim i punës së palodhur të një gazetari që ka dëshmuar profesionalizëm dhe integritet në mbulimin e ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Politikanët zviceranë i bënë homazhe Papa Françeskut

Homazhe nga qarqet politike u bënë në nder të Papa Françeskut, i cili vdiq të hënën në Romë, përcjell albinfo.ch.

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter e quajti Papën një “udhëheqës të madh shpirtëror, një avokat të palodhur për paqen”, duke shtuar se “trashëgimia e tij do të zgjasë”.

Ndër shumë homazhe të tjera, deputeti Laurent Wehrli vlerësoi Papën që “nuk i humbi kurrë nga sytë interesat e njerëzve të zakonshëm” dhe se ishte “një fener shprese për ata në nevojë”.

Dhe një tjetër deputet, Martin Candinas, vuri në dukje se Papa “bazoi parimet e tij në bamirësi dhe mëshirë, duke demonstruar një afërsi të madhe me njerëzit deri në fund”.

Paralajmërim për sulme kibernetike në mbarë botën

Rrjete të gjëra kriminale kanë bërë miliarda me mashtrime përmes internetit në Azi dhe tani po i zgjerojnë operacionet në Evropë, Afrikë, Amerikën e Jugut e më tej. Prandaj, OKB-ja kërkon bashkëpunim ndërkombëtar.

OKB-ja paralajmëron se rrjetet aziatike të krimit, që kontrollojnë industrinë e mashtrimeve online dhe nxjerrin fitime në miliarda dollarë, po i zgjerojnë operacionet në të gjithë botën. Në raportin e OKB-së thuhet se masat zyrtare në vendet e Azisë Juglindore nuk arrijnë t’i frenojnë këto organizata kriminale.

Në raport thuhet se bandat kineze dhe ato nga Azia Juglindore i joshin viktimat duke premtuar investime, fitime me kriptomonedha, romanca dashurie e mashtrime të tjera, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), mashtrimet kibernetike tani janë kthyer në një industri të sofistikuar mbarëbotërore. Bandat kanë konvikte të shumta, ku strehojnë dhjetra-mijëra punëtorë – kryesisht të trafikuar – të cilët i detyrojnë të mashtrojnë njerëz të tjerë online.

Për të luftuar këto grupe krimi nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar.
“Ky lloj krimi po përhapet si kancer,” thotë Benedikt Hofmann, përfaqësues rajonal i UNODC për Azinë Juglindore dhe Paqësor. “Autoritetet e kundërshtojnë në një zonë, por rrënjët e tij nuk zhduken kurrë; ato thjesht migrojnë nga një vend në tjetrin.”

UNODC njofton se rrjetet kriminale po zgjerojnë operacionet nga Azia në Amerikën e Jugut, Afrikë, Lindjen e Mesme, Evropë e madje edhe disa ishuj të Paqësorit.

Raporti tregon se në vitin 2023 grupet kriminale nxorën rreth 37 miliardë dollarë (32,5 miliardë euro) nga mashtrimet kibernetike në Azinë Lindore dhe Juglindore, dhe mbi 5,6 miliardë dollarë (4,9 miliardë euro) në SHBA.

UNODC i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë menjëherë, duke nënvizuar se gjendja ka arritur në një “pikë kritike kthese”. Mospërfshirja në aksionet e përbashkëta kundër këtyre bandave do të ketë “pasoja të paprecedenta për Azinë Juglindore, me ndikim global”.

Vdekja e Papa Françeskut ndikon edhe në futbollin italian

Vdekja e Papës Françeskut tronditi të gjithë botën. Kësaj dhimbje të madhe iu bashkua edhe bota e futbollit, mbi të gjitha në Itali, ku të gjitha ndeshjet e planifikuara për të hënën u shtynë në një datë të papërcaktuar.

Vetë Lega Serie A doli më pas me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se katër takimet—Torino–Udinese, Cagliari–Fiorentina, Genoa–Lazio dhe Parma–Juventus—do të luhen të mërkurën, më 23 prill, në orën 18:30, transmeton albinfo.ch.

Gjithashtu, të mërkurën do të zhvillohet edhe derbi i “Madonnina”, Inter–Milan, në orën 21:00, ashtu siç ishte parashikuar fillimisht. Mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me javën e 34-të të Serie A, që është në program nga e premtja deri të dielën.

Serie A mbetet pezull, pasi nuk është përcaktuar ende se kur do të zhvillohen homazhet dhe ceremonia e përkujtimit të Papës Françeskut për banesën e tij të fundit. Në Itali do të mbërrijnë krerë shtetesh nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe Donald Trump, i cili ka konfirmuar prezencën.

Ekipi më i prekur nga kjo situatë pritet të jetë Inter, teksa zikaltërit nuk preferojnë një ngjeshje edhe më të madhe të kalendarit, pasi janë ende në garë në Serie A, Champions League dhe Kupën e Italisë.

Shaqiri në formacionin e javës në Zvicër

Xherdan Shaqiri ka “rilindur” dhe ndodhet në formë të jashtëzakonshme me Baselin.

Ylli shqiptar, në ndeshjen e fundit, shënoi një gol dhe dha tri asistime, shkruan albinfo.ch.

Shaqiri ka arritur 14 gola dhe 17 asistime në këtë edicion, duke udhëhequr renditjen e Superligës zvicerane si golashënuesi dhe asistuesi kryesor.

Ai u vlerësua me notën 9.5, një prej më të lartave. Në formacionin e javës u përfshi edhe futbollisti tjetër shqiptar, Bledian Krasniqi, i Zurichut, i cili u notua me 8.1.

Foto

Hapet shkolla e parë shqipe në këtë qytet të Italisë

Mësohet se, për herë të parë në qytetin e Firencës, është hapur shkolla shqipe, ku gjuha mësohet falas për të gjithë fëmijët 5–15 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Shoqata kulturore shqiptare “Adriatiku”, e krijuar rishtas në Firence dhe e shtrirë në të gjithë Toskanën, hapi shkollën shqipe në “qytetin e kulturës dhe humanizmit”.

Në Firence, numri i shqiptarëve – nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si nënshtetas italianë apo rezidentë – është i konsiderueshëm në raport me popullsinë vendase, po ashtu edhe kontributi i tyre në jetën e përditshme të qytetit.

Shtatë mësuese të shqipes, me përvojë në mësimdhënie në Shqipëri dhe Itali, zhvillojnë mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe me fëmijët me origjinë shqiptare, të lindur në Itali, të cilët duan të njihen me gjuhën e prejardhjes, e jo vetëm si element identitar, por edhe si pasurues të dimensionit të tyre si nënshtetas apo rezidentë italianë.

Njohja dhe shkëmbimi i mendësisë në një Firence multikulturore është një nga qëllimet kryesore të shoqatës. Ky hap i parë, krijimi i shkollës shqipe si bërthamë e së ardhmes së qendrës së gjuhës dhe kulturës shqipe, është i rëndësishëm.

Shkolla ndodhet pranë Circolo SMS Rifredi dhe ka regjistruar 25 fëmijët e parë.

Dua Lipa feston Pashkët në bregdetin shqiptar

Duket se Dua Lipa po shijon festën e Pashkëve në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka publikuar një sërë fotografish në rrjetin social Instagram, ku njoftoi se po i shijon edhe rrezet e diellit pranveror.

Ajo ka publikuar 13 fotografi dhe ka njoftuar se ka shijuar edhe bregdetin shqiptar, derisa ka publikuar edhe momente me të dashurin, Callum Turner.

https://www.instagram.com/p/DIt62bmNuEM/?img_index=7&igsh=MTc2NTI1bXNjaXRpYw==