Donald Trump: Kam filluar të mendoj se po më mashtron Putini

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur kritika të ashpra ndaj presidentit rus Vladimir Putin për shkak të sulmeve të fundit raketore ndaj objektivave civile në Ukrainë.

Përmes një postimi në rrjetin “Truth Social”, Trump paralajmëroi se Rusia mund të përballet me presione të tjera ekonomike nëse nuk pranon të hyjë në bisedime për paqe.

“Jam thjesht duke u përpjekur të pastroj rrëmujën që më lanë Obama e Biden; çfarë rrëmuje që është! Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për atë që Putin ka bërë këto ditë, duke lëshuar raketa mbi zona civile, qytete dhe vendbanime. Po filloj të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalë luftën, por thjesht po më mashtron; ndaj tij duhet vepruar ndryshe — me masa bankare apo sanksione sekondare. Po vriten shumë njerëz!”, ka shkruar ai, përcjell albinfo.ch.

Deklarata e tij vjen pasi forcat ruse kryen sulme intensive me raketa e dronë në Ukrainë, ku humbën jetën 12 civilë dhe mbi 80 të tjerë u plagosën.

Nga ana tjetër, Trump u takua sot në Vatikan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Deklarimi i pasurisë nga politikanët në Kosovë: Kush u pasurua e kush jo?

Çdo vit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) e Kosovës publikon pasurinë që zyrtarë shtetërorë deklarojnë se e posedojnë. Banesa, toka, vetura, para të gatshme… Ja çfarë duhet të dini nga deklarimet e fundit.

Në fund të marsit të vitit 2021, qeveria “Kurti II” nisi mandatin e saj të plotë – mandat të cilin po e vazhdon ende në detyrë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe 15 ministrat e tij, të gjithë kanë dorëzuar deklarimet e pasurisë këtë vit.

Sipas të dhënave në këto deklarime, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dukshëm më shumë para se kolegët e saj në llogari bankare.

Sa para të gatshme kanë anëtarët e kabinetit qeveritar?

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dukshëm më shumë para të gatshme të deklaruara këtë vit sesa kolegët e saj të kabinetit qeveritar. Nga të gjithë, vetëm ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim nuk ka deklaruar asnjë cent para të gatshme.

Megjithatë, qysh në deklarimin e parë në vitin 2021, kur ishte emëruar ministre, Rizvanolli kishte deklaruar mbi 191 mijë euro para të gatshme.

Ajo kishte deklaruar se këto para i kishte fituar gjatë angazhimeve të saj të mëhershme si konsulente dhe ligjëruese në organizata e institucione të ndryshme, si Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Sa para kishin e sa kanë anëtarët e kabinetit qeveritar?

Shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar “Kurti II” kanë deklaruar më shumë para të gatshme sesa në vitin 2021, kur kishin nisur mandatin. Për katër prej tyre është e pamundur të bëhen krahasime të tilla pasi nuk janë deklaruar të dhëna në uebfaqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionsit.

Për shumicën prej tyre, pjesa më e madhe e të ardhurave vjetore vijnë nga pagat që marrin për pozitat që ushtrojnë.

Të ardhurat vjetore të anëtarëve të kabinetit qeveritar

Anëtarët e kabinetit qeveritar të Kosovës kanë deklaruar se shumica e të ardhurave vjetore të tyre vijnë nga pagat që marrin për pozitat e tyre. Minstrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar më së shumti të ardhura shkaku i mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Përveç parave të gatshme, zyrtarët shtetëtorë detyrohen të deklarojnë edhe pasurinë e paluajtshme në posedim të tyre dhe të familjarëve të afërt.

Sa u pasuruan anëtarët e kabinetit qeveritar gjatë këtij mandati?

Gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti II, disa nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe të afërmit e tyre kanë shtuar pasurinë e paluajtshme. Më së shumti ka fituar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla – i cili ka trashëguar prona prej mbi 1.2 milion eurosh – dhe ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi – i cili, me bashkëshorten e tij, kanë investuar mbi 85 mijë euro.

Po politikanët e tjerë?

Pasurinë e tyre detyrohen ta deklarojnë edhe zyrtarë të tjerë publikë.

Në këtë listë hyjnë edhe zyrtarët e partive politike, si Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), presidentja Vjosa Osmani, si dhe Glauk Konjufca, i cili për katër vjet mbajti postin e kryeparlamentarit.

Sa para të gatshme kanë liderë politikë në Kosovë?

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka rreth dhjetë mijë euro në llogaritë e tij bankare, pak më shumë se disa prej figurave të tjera kyç në politikë në Kosovë.

Pasuria e tyre e deklaruar së fundi – sa u përket parave të gatshme në llogaritë e tyre bankare – dallon nga ajo që ishte deklaruar katër vjet më parë. Disa janë pasuruar, e disa kanë deklaruar dhjetëra mijëra euro më pak.

Sa para kishin e sa kanë disa politikanë?

Disa nga fytyrat kyç të politikës në Kosovë, si presidentja Vjosa Osmani, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë deklaruar dukshëm më pak para tani sesa në vitin 2021.

Nga ta, vetëm Krasniqi i PDK-së ka deklaruar se nuk ka asnjë të ardhur tjetër vjetore, përveç pagës së zyrtarit publik.

Haradinaj i AAK-së, i cili deklaroi se më së shumti fiton nga qiratë që merr nga pronat e tij, vazhdoi të investojë në pasuri të paluajtshme edhe këto vitet e fundit.

Si verifikohet deklarimi i pasurisë?

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor./REL

Firmat zvicerane kanë 25% gra në bordet drejtuese

Gratë vazhdojnë të jenë më pakta në bordet drejtuese të 30 kompanive më të mëdha zvicerane.

Sipas analizave të agjencisë së lajmeve AWP, përqindja e grave në bordet e kompanive zvicerane ka ngecur që nga fillimi i vitit, transmeton albinfo.ch.

Specialisti i gjenerikës Sandoz, prodhuesi i aksesorëve kompjuterikë Logitech, grupi i sigurimeve Cyrih dhe gjiganti farmaceutik Roche kanë secili përqindjen më të lartë të grave në bordet e tyre ekzekutive, me 50%, të ndjekur nga agjencia e rekrutimit Adecco, grupi i mallrave luksoze Richemont dhe grupi ushqimor Nestlé, me 40%.

Përqindja e grave në bordet e drejtorëve të kompanive në Indeksin Zviceran të Liderëve (SLI) është dukshëm më e lartë, në një mesatare prej 36%. Ky raport është rritur me një pikë përqindje që nga fillimi i vitit.

Mesatarisht, kompanitë SLI tashmë përmbushin kërkesat e ardhshme të Këshillit Federal, i cili parashikon një kuotë 30% të grave në bordet e drejtorëve nga viti 2026 dhe një kuotë 20% të grave në bordet ekzekutive nga viti 2031.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka një njoftim për qytetarët

Bëhet e ditur se shkelja e kushteve të vizës në Shtetet e Bashkuara mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata, përcjell albinfo.ch.

Çdo veprim i qëllimshëm për të mashtruar autoritetet amerikane, përfshirë dhënien e informacionit të rremë gjatë procesit të aplikimit për vizë, përbën shkelje të ligjit dhe ndëshkohet rreptësisht.

Këto e rikujtoi sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një postim në Facebook.

Ambasada thekson se, nëse gënjeni për të marrë një vizë, punoni pa leje ligjore ose qëndroni në Shtetet e Bashkuara pasi të skadojë periudha e vizës, do të përballeni me dënime të rënda.

“Nëse gënjeni për të marrë një vizë, punoni pa leje ligjore ose qëndroni në Shtetet e Bashkuara pasi të skadojë periudha e vizës ose e heqjes dorë nga viza, do të përballeni me dënime të rënda. Këto përfshijnë burgim, dëbim dhe një ndalim të përhershëm për marrjen e një vize amerikane në të ardhmen,” thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.

Zelensky: Takimi me Trumpin ka potencial të jetë historik

Sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se takimi “shumë simbolik” me presidentin amerikan, Donald Trump, në Vatikan ka “potencial të jetë historik, nëse arrihen rezultate të përbashkëta”, përcjell albinfo.ch.

“Shpresojmë për rezultate në gjithçka që kemi diskutuar: mbrojtjen e jetëve të njerëzve tanë; armëpushim të plotë dhe pa kushte; paqe të besueshme dhe të qëndrueshme, që do të parandalojë një luftë të re,” ka shkruar Zelensky në rrjetin social X.

Ai e ka përfunduar postimin duke e falënderuar presidentin amerikan.

Takimi u mbajt në një kohë kritike të negociatave që synojnë t’i japin fund luftimeve mes Ukrainës e Rusisë, edhe pse detaje të tjera për takimin nuk janë bërë publike.

Presidenti amerikan po i bën presion të dyja palëve për t’u pajtuar për armëpushim, ndërsa të premten shtoi se bisedimet ndërmjet të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe udhëheqjes ruse kanë qenë produktive.

Ky është takimi i parë në Vatikan që prej përplasjes në Zyrën Ovale mes Trumpit e Zelenskyt, në fund të shkurtit. Pas asaj përplasjeje, SHBA-ja i kishte pezulluar përkohësisht ndihmat ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës për Ukrainën, megjithatë vendimi u ndryshua më vonë.

I jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut

Papa Françesku është varrosur në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, tha Vatikani të shtunën, përcjell albinfo.ch.

“Riti i Varrimit të Papës Romak” filloi në orën 13:00, sipas kohës lokale, në një ceremoni të kryesuar nga kardinali Kevin Farrell, i cili ishte ngarkuar me përgatitjet për funeralin e Françeskut dhe do të ndihmojë në organizimin e konklavës për zgjedhjen e pasardhësit të tij, raporton CNN.

Mbi 250,000 besimtarë, figura fetare dhe politike u rreshtuan në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të shtunën për t’i bërë homazhe Papës Françesku, i cili vdiq këtë javë në moshën 88 vjeçare.

Shërbesa filloi në Bazilikën e Shën Pjetrit pak pas orës 10:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale, dhe zgjati pak më shumë se dy orë.

Kardinali Giovanni Battista Re, një nga figurat më të larta në Kishën Katolike, udhëhoqi ceremoninë e thjeshtuar me një seri ritualesh dhe himnesh fetare, një predikim emocional dhe një lamtumirë të fundit për Papën, i pari latino-amerikan në detyrë.

Më pas, arkivoli modest i Françeskut u transportua me papamobilin e bardhë përgjatë lumit Tiber dhe u varros në Bazilikën e Santa Maria Maggiore të Romës — një bazilikë e mahnitshme, e vendosur në majën më të lartë të kryeqytetit italian.

Xherdan Shaqiri është në mesin e lojtarëve elitar botëror nga 17 ligat evropiane

Bëhet e ditur se Xherdan Shaqiri po e kalon njërën prej edicioneve më të suksesshme në karrierë dhe është ringjallur qysh kur u kthye te klubi i fëmijërisë në verën e vitit të kaluar, përcjell albinfo.ch.

Në fakt, Shaqiri është futbollisti më i dekoruar në historinë e futbollit zviceran, me dy trofe të Ligës së Kampionëve, të cilat i fitoi me Bayern Munichun dhe Liverpoolin.

Po ashtu, ai ka fituar tituj edhe në Gjermani dhe Angli.

Ai është lojtari i dytë me më së shumti ndeshje për Zvicrën, pas Granit Xhakës, ndërsa me Baselin ka fituar tre tituj të Superligës helvetike.

Shaqiri me Baselin po lufton për një tjetër titull, ndërsa kontributi i tij ka qenë shumë i madh.

33-vjeçari ka shënuar 16 gola dhe ka dhënë 18 asistime, duke u bërë kundërshtar i tre sulmuesve më në formë për kontributin më të madh në skuadrat e tyre: Mohamed Salah, Viktor Gyokeres dhe Harry Kane.

“Xherdan Shaqiri është në mesin e lojtarëve elitë botërorë nga 17 ligat evropiane, për sa i përket golave dhe asistimeve”, ka shkruar Liga e Futbollit të Zvicrës të shtunën.

Në fakt, Shaqiri ka qenë i përfshirë në 31 gola, ndërsa në krye të listës është Mohamed Salah i Liverpoolit.

Salah ka shënuar 32 gola dhe ka dhënë 23 asistime në 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

SHBA i detyrohet Zvicrës 300 miliardë dollarë

Zvicra, si financuese e SHBA-ve, ka një vlerë të lartë kreditore. Investitorët zviceranë në SHBA mbajnë letra me vlerë borxhi prej 300 miliardë dollarësh, sipas studimit më të fundit të Institutit të Kërkimeve Flossbach von Storch. Kjo e vendos Zvicrën në vendin e dhjetë. Donatori më i rëndësishëm i huaj është Japonia, e ndjekur nga Kina dhe Britania e Madhe.

Origjina e kreditorëve të huaj të obligacioneve të qeverisë amerikane – 10 vendet më të rëndësishme (gjithsej 5 089 miliardë dollarë amerikanë):

Për më shumë – https://www.srf.ch/news/wirtschaft/haushaltsdefizit-in-den-usa-die-usa-schulden-der-schweiz-300-milliarden-dollar

Nga Shkupi në Holandë: Suksesi i Vigjilenca Abazit në Drejtësinë Evropiane

Vigjilenca Abazi, një nga zërat më të njohur në fushën e së Drejtës Evropiane dhe mentore për shumë gra e vajza të reja, ka ndikuar thellësisht në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe sinjalizuesve, duke u bërë shembull frymëzues për sukses e përkushtim. Për më shumë se një dekadë, ajo ka ndihmuar në zhvillimin e politikave dhe ka kontribuar në avancimin e drejtësisë përmes veprës së saj shkencore e akademike. Por arritjet e saj nuk kufizohen vetëm në fushën akademike, pasi ajo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e individëve që ka mentorizuar e mbështetur. Vigjilenca, e njohur edhe për aktivitetin ndërkombëtar, mori në vitin 2020 Çmimin për Karrierë të Hershme (“Early Career Award”) nga Akademia Mbretërore e Arteve dhe Shkencës në Holandë.

Përcjell energjinë e saj te studentët

“Ky çmim për mua paraqet shtytje, dhe zakonisht këto momente shërbejnë si reflektim për atë që kemi bërë deri më tani dhe – më shumë – për hapat që duam t’i bëjmë më tutje,” shprehet Abazi. Përmes këtij çmimi ajo theksoi rëndësinë e shkencës dhe punës së saj në konsultimet me institucionet evropiane, ndërsa shpreson që energjinë që ka në këtë fushë ta bartë edhe te studentët dhe ata që janë ende në fazën e zhvillimit të karrierës.

Vigjilenca Abazi, nga Shkupi, e cila jeton e punon në Holandë tashmë më shumë se dhjetë vjet, është një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtje të sinjalizuesve dhe të drejtave të qytetarëve. Si profesoreshë e asociuar e së Drejtës Evropiane në Universitetin e Maastrichtit, ajo jo vetëm që ka ndikuar në akademi, por ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në hartimin e politikave që mbrojnë sinjalizuesit dhe promovojnë transparencën në Bashkimin Evropian.

Rruga e saj drejt suksesit është e mbushur me përkushtim e arritje të shkëlqyera. E diplomuar e e specializuar në institucione të shquara si Yale Law School, NYU School of Law dhe Columbia Law School, ajo ka fituar njohje ndërkombëtare për punën e palodhur në fushën e së drejtës evropiane. Në vitin 2020, Akademia Mbretërore e Arteve dhe Shkencës së Holandës e nderoi me Çmimin për Karrierë të Hershme, një vlerësim për ndikimin e saj inovativ në shkencë dhe politikëbërje, ndërkohë që punon me intensitet në dy librat e saj në lëmin e së Drejtës Evropiane.

“Ky çmim për mua paraqet shtytje, dhe zakonisht këto momente shërbejnë si reflektim për atë që kemi bërë deri më tani dhe – më shumë – për hapat që duam t’i bëjmë më tutje. Për mua, sa është e rëndësishme shkenca e puna që bëj në aspektin ligjor gjatë konsultimeve me institucionet evropiane, po aq shpresoj që këtë energji ta bartë edhe te studentët në sferën akademike dhe në Maqedoni,” thotë Abazi.

Mentore dhe inspirim për gratë

Mirëpo Vigjilenca nuk është vetëm një akademike e përkushtuar; ajo është mentore dhe inspirim për shumë gra e vajza në mbarë botën. Si bashkëthemeluese e organizatës Stella, e cila synon fuqizimin e grave në Ballkanin Perëndimor përmes edukimit e mentorimit, ajo ka krijuar një rrjet mbështetës për vajzat që aspirojnë të arrijnë ëndrrat e tyre.

Duke folur për përvojën e saj si mentore, ajo rrëfen:
“Jam jashtëzakonisht e lumtur kur shoh që kemi mbi 100 gra nga e mbarë bota që janë mentore, dhe kemi vajza që kanë përfituar shumë nga ky mentorim, duke shënuar rezultate pozitive. Në fakt, një nga momentet më të bukura të vitit 2021 ishte kur vajza që unë e mentoroja arriti të marrë dy oferta nga universitete prestigjioze në Holandë për të vazhduar studimet e magjistraturës. Ajo vjen nga Maqedonia e Veriut, dhe ishte kënaqësi e madhe të shihja se si një vajzë tjetër i hapen dyert dhe unë isha pjesë e ndihmës për ta zhvilluar karrierën e saj.”

Përkushtimi i saj për të ndihmuar të tjerët reflektohet edhe në punën me Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, ku ka kontribuar në hartimin e Direktivës së BE-së për mbrojtjen e sinjalizuesve. Po ashtu, si drejtoreshë ekzekutive e Institutit Evropian të Sinjalizimit, ajo vazhdon të mbrojë të drejtat e atyre që guxojnë të flasin kundër padrejtësive.

Vigjilenca Abazi me nënë Bujare Abazi politikane

Artikujt dhe librat e saj, të përkthyer në disa gjuhë

Puna dhe ndikimi i saj kanë kaluar kufijtë e Evropës. Artikujt e librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë dhe cituar në media prestigjioze si Bloomberg, Der Spiegel e Le Monde. Libri i saj, Secrecy and Oversight in the European Union, botuar nga Oxford University Press, është një referencë e rëndësishme për studiues e politikëbërës në mbarë botën.

Historia e Vigjilencës është dëshmi e fuqisë së përkushtimit, guximit e besimit në ndryshim. Ajo na mëson se suksesi nuk është vetëm arritje personale, por edhe mjet për të ndihmuar të tjerët të ecin përpara. Me një zemër të madhe për drejtësinë dhe një vizion të qartë për botë më të barabartë, Vigjilenca Abazi mbetet shembull i shkëlqyer i asaj që do të thotë të jesh lider i së ardhmes.

Vigjilenca Abazi mbetet një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur punon me pasion dhe përkushtim për një kauzë më të madhe. Kontributet e saj janë një burim frymëzimi për ata që kërkojnë të krijojnë një ndryshim të vërtetë në shoqëri, dhe ajo vazhdon të mbështesë studentët, kolegët dhe të rinjtë, duke i ndihmuar të realizojnë ëndrrat dhe ambiciet e tyre. Me një karrierë të shquar dhe një vizion të qartë për të ardhmen, ajo është një lider që po bën një ndikim të qëndrueshëm në botën akademike dhe përtej saj.

(Fotot: Fadil Berisha)

 

Françesku, Papa i parë që nuk varroset në Vatikan në 100 vjet

Trupi i Papa Françeskut do të varroset në kishën Santa Maria Maggiore në Romë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se ai është papa i parë që nga Leo XIII—i cili vdiq në vitin 1903—që u varros jashtë Vatikanit.

Sa herë që Françesku kthehej në Romë pas një udhëtimi jashtë vendit, ai gjithmonë vizitonte Santa Maria Maggiore.

Është një zgjedhje e përshtatshme: Françesku ishte veçanërisht i përkushtuar ndaj Virgjëreshës Mari, dhe Santa Maria Maggiore ishte kisha e parë e kushtuar asaj, kur u ndërtua në shekullin e IV.

Papa Françesku “preku mendjet dhe zemrat” dhe donte “të ndërtonte ura, jo mure”, tha kardinali Giovanni Battista Re, i cili drejtoi shërbesën.

Trump me Zelenskyn në Vatikan negociojnë pa “tavolinë” del fotografia nga “takimi produktiv”

Bëhet e ditur se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë zhvilluar një takim në Vatikan, në prag të ceremonisë së varrimit të Papa Françesku­t, përcjell albinfo.ch.

Këtë takim e kanë përshkruar si mjaft produktiv dhe kanë thënë se detaje të reja do të publikohen në vazhdim.

Ndërkohë, në media tashmë është publikuar edhe fotografia e momentit të takimit mes dy presidentëve.

Trump, që nga ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, është duke bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje midis Rusisë dhe Ukrainës.

Të premten, në Rusi ka qëndruar em­­issari amerikan Steve Witkoff, i cili është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, e që, sipas raportimeve, ka qenë takim i frytshëm.

Në këtë takim është diskutuar edhe mundësia e aranzhimit të një takimi direkt midis Rusisë dhe Ukrainës.

Nga Presidenti Begaj te Vjosa Osmani, cilët janë shqiptarët që po marrin pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut

Në meshë janë të pranishëm delegacione nga e gjithë bota, me në krye presidentë si ai i SHBA-së, Donald Trump. Nga Shqipëria ka ardhur presidenti Bajram Begaj, ndërsa nga Kosova, presidentja Vjosa Osmani. Të pranishëm janë krerët fetarë të shumë feve botërore: myslimanë, budistë, hinduistë, sikhë, zoroastrianë e jainistë.

Nga Shqipëria, që dje kanë bërë homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit së bashku me delegacionet shtetërore, sot janë të pranishëm në meshë: kardinali Ernest Simoni, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, kreu i Bashkësisë Myslimane Sunite të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dhe kreu i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Ergest Biti.

Edhe emigrantët shqiptarë në Itali janë organizuar, nën drejtimin e koordinatorit kombëtar të Kishës Katolike për ta, don Anton Kodrari, për të marrë pjesë në përshëndetjen e fundit për Papën Françesku, i cili — kujtojmë — zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë evropian për ta vizituar më 21 shtator 2014; shpalli shenjte Nënë Terezën më 4 shtator 2016; dhe nënshkroi dekretin për lumnimin e 38 martirëve të parë shqiptarë të komunizmit më 5 nëntor të po atij viti, duke shtuar edhe dy të tjerë më 16 nëntor 2024, të cilët u ngritën në nderimet e altarit në Shkodër.

Sot, qeveria e Tiranës ka shpallur ditë zie kombëtare, duke e ulur në gjysmështizë flamurin në të gjitha institucionet shtetërore e publike “në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje,” siç shkruhet në vendimin e datës 24 prill. Të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private, transmetojnë muzikë funebër, e shumë nga impenjimet politike, në këtë kohë fushate zgjedhore, janë shtyrë ose zhvillohen pa muzikë.

Kori “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz të Filarmonisë së Berlinit

Bëhet e ditur se kori “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz të Filarmonisë së Berlinit, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja u hap të mërkurën dhe do të mbyllet më 27 prill. Në hapje, “Siparantum” ishte njëri nga 12 korët që interpretuan në “koncertin mirëseardhës”.

Sot, më 26 prill, në orën 20:00, “Siparantum” do të performojë në koncertin me titull “Around the World” në Kishën “Matthäuskirche” në Berlin.

Koristët nga Kosova do të ngjiten në skenë bashkë me korin “Polychromon” nga Greqia, “B-Tenors” nga Spanja dhe “ARTyn” nga Lituania.

Ushtria zvicerane ka mungesë të këtij produkti thelbësor

Jo… nuk janë armë, tanke, municione apo edhe thika ushtarake.

Përkundrazi, Departamenti i Mbrojtjes është në kërkim të ravioleve të konservuara që mund të ushqejnë trupat për dy vitet e ardhshme.

Një thirrje për tender, e publikuar në platformën e prokurimit qeveritar zviceran, kërkon një furnizues për të furnizuar më shumë se 54 000 kuti raviole të gatshme për t’u ngrënë, të cilat do të konsumohen midis viteve 2026 dhe 2027.

Kjo sepse raviolet e konservuara janë një klasik ushtarak zviceran.

Vetëm vitin e kaluar trupat zvicerane konsumuan 64 tonë raviole, ose 175 kg në ditë, sipas agjencisë së prokurimit ushtarak Armasuisse.

“Raviolet janë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së magazinimit,” theksoi Armasuisse.

Afati i gjatë i ruajtjes dhe lehtësia e përgatitjes i bëjnë ato një ushqim ideal në fushëbetejë, dhe janë gjithashtu ushqyese: përmbajnë 22 % proteina, 16 % karbohidrate dhe 9 % yndyrë — përbërës që “kontribuojnë në mënyrë efektive në nevojat e energjisë së ushtarëve.”

Zvicër: Skuteri po ecte me shpejtësi mbi 125 km/orë, arrestohet shoferi

Brenda një jave, policia në kantonin Valais ndaloi dy skuterë elektrikë, të aftë për shpejtësi mbi 100 km/orë. Skuterët u konfiskuan dhe pronarët e tyre u raportuan, përcjell albinfo.ch.

Skuterët u ndaluan në Martigny dhe Zermatt. I pari, në duart e një ukrainasi 24-vjeçar, po udhëtonte me 113 km/orë, ndërsa i dyti, në duart e një lituanezi 42-vjeçar, arriti 126 km/orë, bëri të ditur policia e Valais të premten.

Në Martigny, skuteri u ndalua gjatë një kontrolli të trafikut pak para orës 6:30 të mëngjesit, më 5 prill. Duke qenë se nuk plotësonte kërkesat teknike ligjore, ai u testua në një rrotë matëse.

Policia theksoi se kufiri i shpejtësisë për skuterët elektrikë është 20 km/orë. Shoferët duhet të ndjekin të njëjtat rregulla si për mopedët e lehtë, duke përfshirë mbajtjen e kaskës.

Panairi i bizneseve shqiptare ka hapur sot dyert në Vjenë

Mësohet se për të pestën herë në Vjenë , sot organizohet panairi i bizneseve të themeluara nga komuniteti shqiptar në Austri, shkruan albinfo.at.

Panairi i bizneseve shqiptare në Austri, po mbahet në Arena 21, MQ. Museumplatz 1, 1070 në Vjenë

Hapja ka filluar nga ora 10:00 dhe do të vazhdoj deri në 18:00.

Vlen të theksohet se hyrja është falas.

Lexo më shumë:👇

Vjenë: Më 26 prill mbahet panairi i bizneseve shqiptare në Austri

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

Ditë zie kombëtare në Shqipëri në nderim të Papa Françeskut

Sot, Shqipëria ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta të hënën, në moshën 88-vjeçare, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, bota ka zhvilluar homazhe për gjashtë ditë me radhë. Krerë shtetesh, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe miliona njerëz nga e gjithë bota janë lutur për Papa Françeskun.

Në Shqipëri, flamuri do të ulet në gjysmështizë në nderim të Papës.

Pjesë e ceremonisë së lamtumirës do të jenë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, si dhe kreu i Shtetit, Bajram Begaj.

Detajet e traktateve të reja të Zvicrës me BE-në mbahen sekret

Edhe pse skica e përgjithshme e marrëveshjeve të arritura midis Bernës dhe Brukselit në dhjetor 2024 është bërë publike, detajet e sakta mbeten të fshehta, me asnjërën palë që nuk është e gatshme t’i zbulojë përmbajtjen e tyre. Përcjell albinfo.ch.

Deri më tani, si Këshilli Federal, ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar t’i hapin këto dokumente për shqyrtim publik.

Arsyeja për këtë sekret, sipas Bashkimit Evropian, është nevoja që secila palë të “verifikojë ligjërisht përmbajtjen e marrëveshjeve” dhe, më pas, t’i përkthejë ato në 23 gjuhët e BE-së (tre prej të cilave janë gjithashtu gjuhët zyrtare të Zvicrës), përpara se t’i bëjë publike—në një kohë ende të papërcaktuar.

Sot i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut

Mësohet se sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të zhvillohet ceremonia mortore e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 22 prill, në moshën 88-vjeçare, përcjell albinfo.ch.

Mijëra pelegrinë, besimtarë dhe figura të njohura nga mbarë bota janë mbledhur për të përshëndetur për herë të fundit një nga papët më të dashur të shekullit.

Ceremonia nis në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale dhe drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve.

Pritet që rreth 200,000 persona të marrin pjesë në sheshin historik të Vatikanit për të nderuar jetën dhe veprën e Papës, i cili shërbeu për më shumë se një dekadë si udhëheqës i Kishës Katolike.

Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe delegacionet zyrtare

Në ceremoni janë të pranishëm mbi 130 delegacione ndërkombëtare, përfshirë rreth 50 kryetarë shtetesh dhe 12 monarkë.

Ndër figurat kryesore janë Presidenti amerikan Donald Trump, Princi William i Mbretërisë së Bashkuar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues të lartë nga Franca, Gjermania, Argjentina dhe Filipinet.

Ky pritet të jetë një nga eventet më të rëndësishme diplomatike të vitit, duke reflektuar ndikimin e gjerë të Papa Françeskut në çështje sociale, ndërfetare dhe globale.

Një varrim jashtë traditës

Në përputhje me karakterin e tij modest, Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për papët.

Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë – një vend i shenjtë për të, ku është lutur shpesh gjatë viteve të papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.

Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe ruajtjen e mjedisit. Lamtumira që po i jepet sot në Vatikan është një dëshmi e dashurisë dhe respektit të madh që ai fitoi në mbarë botën.

Mungesa e banimit në Cyrih: Të rinjtë me të ardhura të larta po “zhvendosin” qiramarrësit e varfër dhe të moshuar

Një studim i kryer nga Instituti Politeknik Federal (ETH) në Cyrih tregon se kush ka aksesin më të mirë dhe kush më të keqin në tregun e banesave të qytetit, i njohur për ngjeshjen e tij, përcjell albinfo.ch.

Zbulimi i studimit: kur një apartament bëhet i disponueshëm për qira, të moshuarit, beqarët dhe azilkërkuesit nuk kanë pothuajse asnjë shans, pasi pronarët u japin përparësi familjeve të reja me të ardhura të dyfishta, pa fëmijë, si zviceranë, ashtu edhe emigrantë.

“‘Viktimat’ e këtij trendi janë njerëzit që tashmë kanë pak mundësi në shoqëri,” tha profesori i ETH, David Kaufmann, përgjegjës për studimin.

FBI arreston gjyqtaren për ‘pengim’ të procesit në një rast të emigracionit

Një gjyqtare në Milwaukee, Wisconsin, u arrestua të premten nga FBI, në atë që po shihet si një përplasje e re mes administratës së Presidentit Donald Trump dhe gjyqësorit amerikan mbi politikat e ashpra të imigracionit, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas një deklarate nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, gjyqtarja Hannah Dugan u arrestua me akuzën e “pengimit të drejtësisë”, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në një operacion arrestimi të imigrantëve javën e kaluar në sallën e saj të gjyqit. “Ne besojmë se gjyqtarja Dugan qëllimisht i çorientoi agjentët federalë, duke i larguar ata nga individi që duhej arrestuar,” tha Patel në një postim në X (ish-Twitter), duke shtuar se “veprimet e saj rritën rrezikun për publikun.”

Patel, i emëruar në detyrë nga Presidenti Trump, më vonë fshiu deklaratën e tij fillestare për ta ripostuar me të njëjtin mesazh, gjë që ka ngjallur më shumë polemika në opinionin publik dhe ligjor.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, e konfirmoi arrestimin, duke thënë se Dugan dyshohet se ndihmoi një të huaj të paligjshëm për të shmangur arrestimin nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE). “Askush nuk është mbi ligjin,” deklaroi Bondi në një postim të saj, transmeton albinfo.ch.