PSG-ja interesohet për Ardon Jasharin

Klubi futbollistik PSG po punon për edicionin e ardhshëm, ndërsa Ardon Jashari është një nga lojtarët që trajneri Luis Enrique i dëshiron në skuadër. Kështu ka raportuar “footenfrance.fr”, përcjell albinfo.ch.

“Maxim De Cuyper nuk është lojtari i vetëm i Club Brugget që ka rënë në sy të Luis Campos. Ardon Jashari është lojtari tjetër që figuron në listën e drejtorit sportiv të PSG-së”, shkruan sajti francez.

Vlen të theksohet se Jashari iu bashkua Brugget verën e vitit të kaluar për 6 milionë euro nga Luzerni. 22-vjeçari po kalon formë të mirë këtë edicion. Është titullar i padiskutueshëm te skuadra belge. Ai është lojtar elegant, luan me këmbë të majtë dhe ka teknikë të shkëlqyer me top. Krijon edhe hapësira të mëdha në fushë, ndërsa shquhet edhe për organizim të mirë të lojës. Është krahasuar me Granit Xhakën.

Jashari me klubin belg ka kontratë deri në verën e vitit 2029. Vlera e tij në tregun e transferimeve është 25 milionë euro.

Krasniqi: LVV-ja po tallet me qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar LVV-në për tallje me qytetarët dhe me verdiktin e tyre.

“U shpreh keqardhje të gjithë qytetarëve për këtë tallje që po iu bëhet verdiktit të tyre nga ana e partisë së parë, e cila na mblodhi për të tetën herë në Kuvend dhe sillet me të njëjtin mentalitet,” është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se dëshiron t’u japë tri mesazhe.

“Dëshiroj t’u japë tri mesazhe: e para, demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim; e dyta, institucionet janë të popullit, jo të asnjë partie politike të veçantë; dhe e treta, duhet ta kuptojmë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe monizmit ka përfunduar,” ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se sa më parë që LVV-ja t’i kuptojë këto çështje, aq më mirë do të jetë për vendin.

Krasniqi ka theksuar se LVV-së i takon ta propozojë kandidaten për kryetare, por nuk mund të marrë votat me zor.

11 faktet që dëshmojnë se populli i Kosovës është më miqësor në Ballkan

The Geographic Lens ka renditur 11 faktet që dëshmojnë se populli i Kosovës është më miqësor në Ballkan, transmeton albinfo.ch.

1. Kultura e mikpritjes së thellë (Besa):
Në Kosovë, ekziston një traditë e fortë e quajtur Besa, një kod i lashtë shqiptar nderi që do të thotë për të mbrojtur dhe pritur ngrohtësisht mysafirët pavarësisht gjithçkaje.

2. Empatia e lindur nga Vështirësia:
Pas durimit të luftës dhe shtypjes, populli i Kosovës ka zhvilluar një ndjenjë të thellë dhembshurie ndaj të tjerëve.

3. Popullsi shumë e re:
Rreth gjysma e popullsisë së Kosovës është nën moshën 30 vjeçare, duke krijuar një mjedis social të gjallë, të hapur dhe të afrueshëm.

4. Mirëseardhje e ngrohtë për vizitorët:
Turistët shpesh përmendin se kosovarët ofrojnë ndihmë lirisht – edhe para se të pyesni – nëse keni humbur apo thjesht shikoni përreth.

5. Buzëqeshje konstante:
Është e zakonshme të përshëndetesh me buzëqeshje në rrugë, tregje dhe kafene, madje edhe nga njerëz të panjohur.

6. Përulësia pavarësisht vështirësive:
Edhe pse Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë ekonomikisht, populli i saj është modest, bujar, dhe jo materialist.

7. Vlerësimi i lidhjeve njerëzore:
Lidhjet e forta familjare dhe komunitare nënkuptojnë se kosovarët u japin përparësi marrëdhënieve personale para pasurisë materiale.

8. Bujaria ekstreme:
Në fshatra dhe qytete të vogla, nuk është e pazakontë që vendasit të ftojnë udhëtarët në shtëpitë e tyre për një vakt ose kafe pa pritur asgjë në këmbim.

9. Hapja ndaj kulturave të tjera:
Historia multietnike dhe multi-fetare e Kosovës ka nxitur një frymë tolerance dhe respekti për dallimet.

10. Dashuria për biseda domethënëse:
Kosovarët shpesh pyesin për historinë tuaj, vendin tuaj dhe përvojat tuaja – jo vetëm nga kurioziteti, por nga interesi i mirëfilltë.

11. Krenari Kombëtare pozitive:
Dashuria e tyre për Kosovën i frymëzon të shfaqin më të mirën e vendit të tyre tek të jashtmit, duke kombinuar atdhedashurinë me mirësinë dhe respektin.

Haxhiu s’ia doli as sot, Kosova sërish pa Kuvend të konstituuar

Bëhet e ditur se, para pak minutash, ka përfunduar pa sukses edhe përpjekja e tetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë 61 vota të mjaftueshme për të marrë postin, përcjell albinfo.ch.

Si pasojë, do të duhet edhe seanca e nëntë për të tentuar konstituimin.

Për dallim nga votimet e deritashme, në të cilat Haxhiu merrte 57 vota, sot ajo mori 54. Kundër kandidaturës së saj votuan 44 deputetë. Tre deputetë abstenuan.

Kuvendi, tashmë prej 15 prillit, është duke mbajtur seanca çdo dy ditë në përpjekje për të kaluar procedurat fillestare. Konstituimi konsiderohet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Nga partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë, vazhdimisht është bërë thirrje për ndërrim të emrit të propozuar. Teksa Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se emri i Haxhiut nuk është unifikues, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se do ta votonte kryeparlamentarin nëse do të propozoheshin Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi. Lidhja Demokratike ka bërë me dije se nuk do të votojë asnjë kandidat të VV-së, ndërsa në partinë fituese kanë përsëritur vazhdimisht se nuk mund të pranojnë propozime për emra nga partitë e tjera.

Seanca e ardhshme mbahet të enjten, duke filluar nga ora 10:00.

Rikthehet energjia elektrike në Spanjë e Portugali pas ndaljes masive

Gati 100 për qind e energjisë elektrike është rikthyer në Spanjë, pasi janë kryer të gjitha masat e nevojshme për të rregulluar problemin, sipas operatorit spanjoll të rrymës, Red Electrica, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, disa rajone akoma janë në gjendje emergjente që nga e hëna, shkaku i problemeve me energji elektrike; sipas zyrtarëve, gjendja emergjente do të shpallet në rajonet që e kërkojnë.

Edhe në Portugali, sipas qeverisë, energjia elektrike gjatë natës është rikthyer për 6.2 milionë shtëpi nga gjithsej 6.5 milionë prej tyre.

Shkaktari i këtyre problemeve, sipas një grupi tregtar të energjisë elektrike në Bashkimin Evropian, ishte një problem teknik në një lidhje në rrjetin elektrik mes Francës dhe Spanjës.

Ndërkohë, kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro, ka deklaruar se nuk ka indikacione për një sulm kibernetik në rrjetin shpërndarës.

Tentimi i tetë për konstituim të Kuvendit

Mësohet se Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vazhduar seancën konstituive, të nisur më 15 prill, në përpjekje për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, përcjell albinfo.ch.

Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit. LVV-ja vazhdon të këmbëngulë në propozimin e saj, duke refuzuar të ndryshojë kandidatin, ndërkohë që partitë, që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, vazhdojnë të refuzojnë ta mbështesin atë. Të gjitha zhvillimet rreth seancës së sotme mund t’i lexoni këtu.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi për ndryshimin e emrit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu,” ka thënë ai para mediave në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

“Lus të gjitha partitë që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje për konstituim të Kuvendit, sepse konstituimi u takon të gjitha partive, nuk është vetëm i një koalicioni qeverisës,” ka shtuar ai.

Arrestohet 20 vjeçari shqiptar në Britani, po kultivonte 519 rrënjë kanabis

Mësohet se një 20-vjeçari shqiptar, Amarildo Huba, përfundoi në burg në Britaninë e Madhe pasi u përpoq të arratisej nga policia duke u hedhur nga dritaret e katit të tretë në një “shtëpi bari” ku ai po punonte.

Huba po kujdesej për rritjen e kanabisit, përcjell albinfo.ch.

Ani pse Huba ia doli t’i shpëtonte përkohësisht policisë, ai u kap pas disa ditësh, kur policia zbuluar ADN-në e tij në një furçë dhëmbësh të gjetur në shtëpinë e barit. Gjatë hetimeve, u zbuluan 519 rrënjë kanabisi, të cilat do të kishin prodhuar 45.5 kilogramë hashash dhe do të kishin një vlerë tregu prej mbi 500 mijë Paundësh.

I riu shqiptar, i cili kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte borxh 6 mijë Paund për t’u shlyer, e justifikoi veprimin e tij duke thënë se po punonte si “kopshtar” për të shlyer borxhin. Megjithatë, ai u dënua me 15 muaj burg përfshirë përfshirjen e tij në aktivitetin kriminal.

La Austrinë për të jetuar e punuar në Kosovë

Trimor Xhoka është shqiptari nga Kosova i cili për disa vite jetoj dhe veproj në Austri, transmeton albinfo.ch.

Ai punoj per disa vite me radhë në fushën e ndërtimit në këtë shtet nga viti 2018 e deri më 2024 dhe më pas kishte vendosur që të investoj në vendlindjen e tij, duke e hapur fermën e pulave, pikërisht në Drenicë.

Investimi në fermë i kushtoj afro 50 mijë euro, ndërkohë sot kultivon mbi 20 mijë pula.

Trimori tregon se fitimi në muaj është shumë më produktiv se sa puna që e bënte në Austri.

Ai tregon se për një periudhë të shkurtër do të hap edhe fermën tjetër duke rritur kapacitetin e kultivimit të pulave. /Albinfo.ch

 

Kosova prezantohet në panairin “Barcelona Bridal Fashion Week Show” në Spanjë

Me mbështetjen e MINT/KIESA, kompanitë nga sektori i tekstilit nga Kosova morën pjesë për herë të parë në njërën nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë së modës, “Barcelona Bridal Fashion Week Show”, e cila u zhvillua nga data 25 deri më 27 prill 2025 në Barcelonë të Spanjës, përcjell albinfo.ch.

“Barcelona Bridal Fashion Week Show” është një nga eventet më të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar të modës, ku marrin pjesë disa nga markat më të njohura botërore dhe ku prezantohen prirjet më të fundit të modës së nusërisë dhe veshjeve të veçanta.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë platformë elitare dëshmon jo vetëm profesionalizmin e dizajnerëve tanë, por edhe rritjen e vazhdueshme të industrisë së modës në vendin tonë.

Në këtë ngjarje, kompanitë kosovare: Blini Fashion House, Diba Celina, MINNA Fashion, Tabja dhe Vlora & Kaltrina patën mundësinë të ekspozojnë krijimet e tyre përkrah 460 brendeve ndërkombëtare dhe 360 kompanive pjesëmarrëse.

Pjesëmarrja në një event të këtij niveli u hapi rrugë kompanive kosovare nga sektori i tekstilit për të krijuar bashkëpunime të reja ndërkombëtare, për të fituar përvojë në tregje të mëdha dhe për të promovuar kulturën dhe kreativitetin kosovar në skena botërore.

Kjo ngjarje ka arritur një audiencë prej rreth 24 mijë vizitorësh nga mbarë bota — përfshirë blerës, stilistë të njohur, media të specializuara dhe profesionistë të fushës së modës.

Eda Vllaco, pianistja shqiptare me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare

Eda Vllaco është pianiste e talentuar dhe, pavarësisht moshës së re, ajo zotëron disa çmime në fushën e saj, përcjell albinfo.ch.

E lindur më 23 maj 2005, Eda e nisi rrugëtimin e saj muzikor që në moshë të vogël në shkollën e muzikës «Lorenc Antoni» në Prizren, nën udhëheqjen e nënës së saj, Reyhan Kodrazi. Talenti i saj i jashtëzakonshëm e ka çuar atë drejt fitimit të shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfaqësuar me sukses Kosovën në Itali, Francë, Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe e vende të tjera. Në moshën vetëm 9-vjeçare, ajo interpretoi në skenën prestigjioze të Filarmonisë së Berlinit.

Në edicionin e 11-të të Konkursit Ndërkombëtar «Nouvelles Étoiles» në Paris, në janar 2025, Eda Vllaco, së bashku me Rukiye Ayben Sever, fitoi Çmimin e Parë në kategorinë «Duo piano-flaut» (mosha 17–19 vjeç), duke përfaqësuar me krenari Universitetin e Arteve të Bukura Mimar Sinan në Stamboll.

https://www.facebook.com/share/1FuJinzChA/?mibextid=wwXIfr

Amir Rrahmani afër titullit të dytë në Itali

Napoli po shkon drejt titullit në Serie A. Pas fitores së fundit ndaj Torinos, 2:0, skuadra napolitane ka tre pikë më shumë se Interi i dytë, shkruan albinfo.ch.

Deri në përfundim të Serie A kanë mbetur katër xhiro. Nëse Napoli fiton tre ndeshje dhe barazon në një takim tjetër, do të sigurojë titullin e dytë brenda tri vjetësh.

Pjesë e rëndësishme është edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ai është shtyllë e mbrojtjes, duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Zvicër: Studentë dhe studiues të bashkuar kundër shkurtimeve të Konfederatës

Në Zvicrën frëngjisht-folëse, shoqatat studentore, studiuesit, sindikatat dhe partitë e majta kanë bashkuar forcat për të luftuar kundër shkurtimeve të propozuara nga Konfederata në sektorin e tyre.

Sot ata prezantuan një rezolutë të përbashkët dhe paralajmëruan veprime në nivel rajonal dhe kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Koalicioni është “kundërshtuar me vendosmëri ndaj shkurtimeve prej 460 milionë frangash në vit për arsimin, kërkimin dhe inovacionin e propozuar nga Këshilli Federal”, thuhet në rezolutë. “Koalicioni ynë mbron vizionin e një shërbimi arsimor dhe kërkimor publik cilësor të aksesueshëm për të gjithë pa diskriminim,” vijon dokumenti. Duke dyfishuar apo edhe katërfishuar tarifat e universitetit dhe duke ulur kontributet në Fondin Kombëtar të Kërkimit, plani i Këshillit Federal “do të përkeqësojë një situatë tashmë të paqëndrueshme për sa i përket pasigurisë së studentëve dhe studiuesve dhe pabarazisë në aksesin në arsimin e lartë”, denoncoi Léa Ziegler i sindikatës VPOD para shtypit në Lozanë.

Maxime Oswald, i Federatës së Shoqatave Studentore të Universitetit të Lozanës (UNIL), shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të studentëve në situata të pasigurta, tashmë duke luftuar me rritjen e qirave dhe kostove të jetesës, të cilave i shtohet edhe rritja e tarifave të shkollimit. “Bursat nuk mbulojnë më shpenzimet reale dhe, pa mbështetje të konsiderueshme familjare, bëhet e vështirë të përballohen shpenzimet ditore”, tha ai. Ulja e kontributit federal për Fondacionin Kombëtar të Shkencës Zvicerane (SNSF) do të çojë në humbjen e vendeve të punës dhe projekteve kërkimore. “Kërkuesit e rinj tashmë kanë një kontratë me afat të caktuar pas tjetrës që zgjat një ose dy vjet, apo edhe disa muaj, shpesh me kohë të pjesshme. Përveç detyrave të mësimdhënies, ata janë nën presion të fortë për të botuar dhe për të qenë ndërkombëtarisht të lëvizshëm (…) Shkurtimet e buxhetit do të çojnë në pasiguri më të madhe të punës dhe do të kenë ndikim në cilësinë e mësimdhënies,” ankohet Philipp Walch i Association du corps decorps’s intermédiaire UNlé.

Rezoluta, e mbështetur nga mbi 30 organizata, do t’i dërgohet Këshillit Federal si pjesë e procedurës së konsultimit. “Do të shërbejë gjithashtu si bazë për informimin e komunitetit akademik për masat që po diskutohen në Bernë dhe për mobilizimin në kampuse dhe në rrugë”, shton Léa Ziegler, transmeton albinfo.ch. Aksionet do të zhvillohen në javët e ardhshme në universitetet e Gjenevës, Fribourg-ut, Lozanës dhe Neuchâtel-it me demonstrata dhe stenda informative. Grevë e studentëve do të ketë edhe në universitetet e shkencave të aplikuara të Gjenevës, ndërsa në vjeshtë është planifikuar një ditë kombëtare aksioni.

 

Si të dallohen domatet që janë plot me kimikate

Flitet shumë për ushqimin organik, për frutat dhe perimet e spërkatura apo të pa spërkatura… Por a dini të kontrolloni nëse domatet janë plot me “kimike” apo jo?

Domatet bëjnë pjesë në grupin e frutave dhe janë të pamundura për t’u ruajtur gjatë gjithë dimrit, por ato shiten që në pranverë.

Si e dini nëse një domate është spërkatur?

Për të përcaktuar nëse një perime ose frut ka pesticide, mund të hapni një domate dhe të shikoni brenda. Në mënyrë tipike, domatet me toksina kanë vija të verdha, me një “pjesë” të verdhë në qendër.

Sigurohuni që domatet të mos kenë të njëjtën madhësi dhe të duken identike, sepse ajo që duket sikur është “vizatuar” pas të njëjtit model sigurisht që nuk është e natyrshme. Shmangni frutat e paketuara, pasi ato prodhohen pothuajse gjithmonë duke përdorur kimikate dhe pesticide.

Nëse domatja nuk duket “perfekte”, nëse ka kreshta, njolla kafe ose disa prej tyre duken “të krisur”, ka shumë të ngjarë të jetë një domate e pa spërkatur.

Makina me naftë dhe benzinë pas 2035? Dilema e madhe që po trondit industrinë evropiane të automobilave

Në Bruksel po nxehet debati mbi të ardhmen e motorëve me djegie të brendshme. Manfred Weber, president i Partisë Popullore Evropiane dhe një zë i rëndësishëm në Parlamentin Evropian, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të rishikojë planin për ndalimin e shitjes së makinave të reja me benzinë dhe naftë pas vitit 2035.

Në një intervistë për Financial Times, Weber theksoi se qytetarët duhet të kenë ende mundësi të blejnë makina tradicionale, për aq kohë sa emetimet e tyre të karbonit mund të kompensohen. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kontinentin e vjetër e ka kapluar pasiguria në industrinë e automobilave — një sektor jetik për ekonominë evropiane.

Shembujt janë të freskët: Britania e Madhe këtë muaj zbuti rregullat për automjetet elektrike, duke ulur penalizimet për industrinë vendase. Në të njëjtën kohë, nga SHBA-të erdhi një tjetër goditje – një tarifë 25% mbi importet e makinave, një masë që pritet të ndikojë eksporte evropiane në vlerën e 67 miliardë eurove, transmeton albinfo.ch.

Kriza e fundit nuk i kurseu as gjigantët e makinave evropiane. Shumë kompani njoftuan shkurtim të vendeve të punës, të përballura me konkurrencën në rritje të makinave më të lira të prodhuara në Kinë.

Brukseli, nën presion të madh, në mars lejoi një lehtësim të përkohshëm të objektivave të ashpra për emetimet. Megjithatë, plani për ndalimin e motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 mbetet për momentin i pandryshuar.

Statistikat flasin qartë për një realitet kompleks. Regjistrimet e makinave të reja në BE shënuan rënie me 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me një vit më parë. Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), në muajin mars pati një rënie të lehtë prej 0.2%.

Në këtë peizazh të tronditur, automjetet hibride-elektrike kanë marrë pjesën më të madhe të tregut (35.5%), ndjekur nga ato me benzinë (28.7%), automjetet elektrike me bateri (15.2%) dhe makinat me naftë (9.5%).

Ndërkohë, automjetet elektrike me bateri po tregojnë rritje solide: në Gjermani regjistrimet janë rritur me 38.9%, në Belgjikë me 29.9% dhe në Holandë me 7.9%. Përjashtim bën Franca, ku është shënuar një rënie rekord prej 6.6%.

Në anën tjetër, automjetet hibride po përjetojnë një bum të vërtetë: në tremujorin e parë të vitit, regjistrimet e tyre në BE u rritën me 20.7%, me rritje të fortë sidomos në Francë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.

Ndërsa ora rreh drejt 2035-ës, Evropa gjendet përballë një pyetje thelbësore: A do të mbizotërojë tranzicioni i pastër drejt automjeteve elektrike, apo industria dhe konsumatorët do të detyrojnë një kthesë të re në rrugën e saj të gjelbër?

Spanja shpall gjendje emergjente pas ndërprerjes masive të energjisë

Ministria e Brendshme e Spanjës ka shpallur gjendje emergjente, pasi një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike goditi vendin dhe Portugalinë të hënën. Raporton BBC.

Ndërprerja shkaktoi kaos në komunikacion dhe çrregullime të tjera, ndërsa autoritetet theksojnë se nuk ka shenja të një sulmi kibernetik. Shkaqet e incidentit mbeten nën hetim.

Rajonet si Madridi, Andalusia dhe Extremadura kanë kërkuar nga qeveria qendrore marrjen në kontroll të rendit publik dhe funksioneve të tjera kritike.

Ndërkohë, operatori energjetik “Red Electrica” njoftoi se ka nisur rikthimin gradual të furnizimit me rrymë, duke arritur që tani të rikthejë rreth 20 për qind të kapacitetit në disa zona të jugut dhe veriut të vendit.

Kriza energjetike ka shkaktuar gjithashtu anulime të fluturimeve si në Spanjë, ashtu edhe në Portugali.

Shaqiri, po e udhëheq Baselin drejt dy trofeve

Xherdan Shaqiri po kalon në formë jetësore në moshën 33 vjeçare.

Rikthimi i tij nga SHBA në Superligën zvicerane, duket se ka qenë i qëlluar.

Xherdani u rikthye te ‘shtëpia e tij’ në Basel, ku u formua si lojtar dhe ku u bë i njohur, shkruan albinfo.ch.

Basel po dominonte me Shaqirin dhe Granit Xhakën, por në vitet i munguan trofetë.

Por, Shaqiri me rikthimin e tij, duket se do t’i kthejë edhe trofetë.

Shaqiri udhëhoqi Baselin drejt finales së Kupës së Zvicrës. Në finale, më 1 qershor në Bernë, Baseli përballet me skuadrën Biel-Bienne, që garon në kategorinë e tretë.

Baseli është lider në Superligën zvicerane me gjashtë pikë më shumë se vendi i dytë, derisa do të zhvillohen edhe pesë xhiro nga faza e fundit.

Shaqiri është golashënuesi më i mirë me 14 gola dhe asistuesit më i mirë në ligë me 17 asistime.

Ai është favoriti kryesor për tu zgjedhur Lojtari më i mirë i vitit në Zvicër.

Fillon sezoni më i fortë i polenit në Zvicër

Pas një pauze të shkurtër për shkak të motit të freskët, poleni i barit ka filluar të qarkullojë sërish në Zvicër, njoftoi të hënën Qendra Zvicerane për Alergji. Rreth 70% e personave që vuajnë nga alergjia e pranverës janë alergjikë ndaj polenit të barit.

Veçanërisht gjatë ditëve të ngrohta dhe me diell, sasitë e polenit të barit rriten në ultësirat zvicerane. Në të njëjtën kohë, në ajër vazhdon të ketë edhe polen të rëndë alergjik të mështeknës.

Qendra për Alergji rekomandon që personat me alergji të kontrollojnë parashikimet e polenit çdo ditë dhe të marrin mjekimet për alergji në kohë. Alergjia e pranverës shpesh nënvlerësohet; nëse nuk trajtohet, ajo mund të zhvillohet në astmë. Simptomat mund të ndikojnë ndjeshëm në performancën në shkollë, trajnim, sport apo në skenë, transmeton albinfo.ch.

Fillimi i hershëm i sezonit të polenit të barit në 2025

Sipas Regula Gehrig nga Zyra Federale për Meteorologji (MeteoSwiss), e cila menaxhon edhe rrjetin kombëtar të matjes së polenit, sezoni i polenit të barit ka filluar më herët këtë vit në Zvicër, për shkak të dimrit dhe pranverës së butë. Bima është zhvilluar një deri në dy javë më shpejt se mesatarja afatgjatë.

Një periudhë e shkurtër ftohjeje para Pashkëve e ngadalësoi rritjen përkohësisht, por me rritjen e temperaturave, pritet një shtim i shpejtë i polenit të barit.

Sipas shërbimit privat të motit MeteoNews, temperaturat do të vazhdojnë të rriten gjatë javës, ndërsa rreziku për reshje do të shtohet vetëm të dielën.

Sipas Qendrës për Alergji, sezoni i polenit të barit zgjat deri në fund të verës, me kulmin në muajt maj dhe qershor.

Lufthansa heq shitjet në fluturime derisa Swiss vazhdon me to

Lufthansa po heq dorë nga shitjet në bord për arsye ekonomike, konfirmoi një zëdhënës për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Shkaku kryesor është rënia e kërkesës së bashku me kostot e larta të blerjes. Platforma “Aero Telegraph” kishte raportuar më parë për këtë zhvillim.

Ky vendim do të zbatohet në të gjithë rrjetin e markës kryesore të Grupit Lufthansa, duke filluar nga shtatori. Lufthansa, prej kohësh, nuk ofron më shitje produktesh në fluturimet me distancë të shkurtër, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Swiss International Air Lines (SWISS), e cila, bashkë me Lufthansa dhe Edelweiss, është pjesë e Grupit Lufthansa, aktualisht nuk sheh arsye për të ndjekur të njëjtën rrugë. Një zëdhënës i SWISS tha për agjencinë e lajmeve AWP se kompania është e kënaqur me ecurinë e biznesit, pa dhënë shifra të detajuara.

Zvicra me pagat më të larta në botë, Kosova e 80-ta

Zvicra prin në listën e vendeve me pagat më të larta në botë.

Numbeo ka publikuar listën me 126, ku paga është llogaritur në dollarë, shkruan albinfo.ch.

Zvicra është e para në botë me 7,157.85 dollarë. Në vendin e dytë është Luksemburgu me afër 1 mijë dollarë më pak, 6,261.80 dollarë, kurse SHBA është në vendin e tretë me 4,340.27 dollarë.

Ndërkohë, në vendin e 70-të është Shqipëria me 705.86 dollarë, ndërsa Kosova e 80-ta me 564.76 dollarë.

https://www.numbeo.com/cost-of-living/country_price_rankings?itemId=105

Stresi në vendin e punës shkakton 10,000 vdekje në vit në Evropë

Numri i njerëzve të stresuar në punë është në rritje. Shkuarja në punë nën stres ndikon negativisht në shëndetin dhe mund të çojë edhe në vdekje. Sindikatat evropiane lëshuan këtë të hënë një paralajmërim, me rastin e Ditës Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Sipas një studimi, presioni në vendin e punës shkakton vdekjen e afro 10,000 evropianëve dhe britanikëve çdo vit.

Çdo vit, afro 10,000 punonjës humbin jetën në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar si pasojë e stresit të lidhur me punën – një shifër tre herë më e lartë se ajo e viktimave nga aksidentet në vendin e punës. Sipas Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), këto vdekje shkaktohen kryesisht nga dy arsye: sëmundjet e zemrës të shkaktuara nga stresi dhe vetëvrasjet e lidhura me depresionin në punë. Këto probleme kanë gjithashtu një kosto të lartë për ekonominë, transmeton albinfo.ch.

Gratë janë veçanërisht të prekura, pasi përballen më shumë me orare rraskapitëse, pasiguri dhe ngacmim moral.

Nevoja për përparim

Me rastin e kësaj dite ndërkombëtare, Sekretarja e Përgjithshme e ETUC, Esther Lynch, bëri thirrje për veprim të menjëhershëm:

“Bashkimi Evropian ka qenë për një kohë të gjatë një pikë referimi globale për të drejtat e punonjësve. Ne kemi udhëhequr për sigurinë fizike. Sot, duhet të udhëheqim për sigurinë mendore.”

ETUC i kërkon Komisionit Evropian të përgatisë një direktivë urgjente që të detyrojë punëdhënësit të vlerësojnë rreziqet për shëndetin mendor në punë.

“Janë bërë përpjekje të mëdha për shëndetin fizik gjatë dekadave të fundit. Sot, rreziqet janë zhvendosur drejt shëndetit emocional, psikologjik dhe marrëdhënieve në punë. Duhet patjetër të thyejmë shumë tabu,” tha Anny Wahlen, psikologe pune dhe autore e librit “Burnout, sëmundja e shekullit 21.

Gratë dhe të rinjtë më të prekur

Edhe pse këto shifra i referohen Evropës dhe Mbretërisë së Bashkuar, as Zvicra nuk është e përjashtuar.

Sipas Anketës Zvicerane të Shëndetit, stresi në vendin e punës është rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit. Në vitin 2012, 18% e të anketuarve deklaronin se ishin të stresuar shumicën e kohës nga puna; në vitin 2022, kjo shifër arriti në 23%. Gjysma e tyre ishin në rrezik të burnout-it. Edhe këtu, gratë dhe të rinjtë janë më të prekshmit.

Për gratë, sipas Anny Wahlen, një shpjegim i mundshëm lidhet me shumëllojshmërinë e roleve sociale që mbajnë, si dhe faktin se shpesh punojnë në pozicione me përgjegjësi më të ulëta, të karakterizuara nga pasiguria dhe fleksibiliteti i lartë.

Po të rinjtë?

“Po vërejmë një ndryshim në mënyrën se si brezat e rinj e shohin rëndësinë e punës në jetën e tyre. Mund të lidhet gjithashtu me mungesën e përvojës ose pjekurisë, çka kufizon aftësinë e tyre për të marrë distancë dhe për të ndërtuar burimet e tyre të brendshme,” shton Wahlen.

Shqipëri: Problemet me zarfin e votës, KQZ jep udhëzime për diasporën

Në 10 ditët e para të procesit zgjedhor, 69,134 shqiptarë nga diaspora kanë dërguar zarfin me votën e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Megjithëse shifrat e pjesëmarrjes janë pozitive, votuesit nga jashtë kanë hasur disa vështirësi në lidhje me procedurat e dorëzimit dhe kthimit të zarfit.

Një nga shqetësimet kryesore ka qenë mungesa e fletës së votimit brenda zarfit. Po ashtu, emigrantët kanë raportuar çështje të tjera, si dorëzimi i zarfit tek persona të tretë dhe vështirësitë e krijuara nga kompani të ndryshme kur është fjala për kthimin e zarfit.

Për të ndihmuar ata që janë përballur me këto probleme, KQZ ka shpallur një protokoll të thjeshtë për t’i orientuar votuesit. Ata që përjetojnë ndonjë problem duhet të regjistrohen në sistemin PER dhe, pasi të logohen me të dhënat e tyre, të zgjedhin mes opsioneve: “Konfirmo marrjen e fletës së votimit” ose “raporto një problem me zarfin”, përcjell albinfo.ch.

Pasi të bëjnë këtë, votuesit duhet të përshkruajnë problemin dhe të dërgojnë informacionin e nevojshëm për zarfin postar, duke mundësuar kështu një shqyrtim të mëtejshëm të çështjes nga ana e KQZ.

Pro dhe kundër iniciativës për pagën e barabartë në Aargau

Në 18 maj 2025, votuesit e kantonit të Aargau do të vendosin mbi Iniciativën për Pagën e Barabartë, e cila kërkon transparencë më të madhe në analizat e pagave për kompanitë me mbi 50 punonjës. Kjo iniciativë është mbështetur nga sindikatat dhe organizatat e grave, por është kundërshtuar nga disa parti politike dhe grupe biznesi.

Kërkesat e iniciativës

Iniciativa “Paga e Barabartë në Kantonin Aargau – Tani” kërkon që analizat e pagave të jenë të detyrueshme për kompanitë me 50 apo më shumë punonjës, duke u përpjekur të rrisë transparencën mbi dallimet e pagave mes burrave dhe grave. Aktualisht, këtë detyrim e kanë vetëm kompanitë që operojnë në nivel kombëtar me më shumë se 100 punonjës. Në rast shkeljesh, kompanitë e Aargau-t do të ndëshkohen. Po ashtu, iniciativa kërkon rikthimin e zyrës kantonale për mundësi të barabarta.

Mbështetje dhe kundërshtime

Iniciativa ka marrë mbështetje nga sindikata të ndryshme, si dhe nga partitë e majta, përfshirë Partinë Socialiste (SP) dhe Partinë e Gjelbër. Ndërsa kundërshtohet nga partive të djathta, përfshirë Partinë Liberal-Demokrate (FDP) dhe nga dhomat e tregtisë, të cilat e konsiderojnë një ngarkesë të panevojshme burokratike për bizneset e Aargau-t, transmeton albinfo.ch.

Argumentet për Iniciativën

Mbështetësit e iniciativës argumentojnë se, pavarësisht Ligjit për Mundësi të Barabarta, gratë ende fitojnë mesatarisht 16.2% më pak se burrat për të njëjtën punë. Kjo hendek i jep grave një humbje prej 1,364 frangash në muaj, që në 45 vite pune arrin në mbi 700,000 franga. Irène Kälin, kryetare e Arbeit Aargau dhe anëtare e Këshillit Kombëtar, thekson se kjo është një shifër e vogël për kompanitë, por një hap i madh për drejtësinë gjinore.

Argumentet kundër Iniciativës

Nga ana tjetër, kundërshtarët e iniciativës e shohin këtë kërkesë si një shpenzim të kotë dhe një barrë shtesë për bizneset, veçanërisht për ato në kantonet e tjera ku nuk është e detyrueshme të bëhen analiza të tilla. Karin Faes, presidentja e Partisë së Grave të FDP-së, pohon se analizat e pagave nuk do të ndryshojnë asgjë në profesione si floristeria, ku pagat janë më të ulëta nga natyra e profesionit.

Gjendja aktuale e hendekut të pagave në Zvicër

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, hendeku mesatar i pagave mes burrave dhe grave në Zvicër është 16%, me gratë që fitojnë mesatarisht 6,281 franga në muaj, ndërsa burrat 7,025 franga. Rreth 52% e këtij hendeku shpjegohet me faktorë objektivë si arsimi dhe statusi profesional, ndërsa pjesa tjetër mbetet e paqartë.

Vlerësimi i masave të mëtejshme nga niveli federal

Në nivelin kombëtar, kompanitë me mbi 100 punonjës janë të detyruara të kryejnë analiza të pagave që nga 2019, por një vlerësim i përkohshëm ka treguar se mbi gjysma e tyre nuk i respektojnë këto kërkesa. Këshilli Federal ka vendosur të rishikojë më thellë ndikimin e këtij ligji në vitin 2027 dhe të propozojë masa të reja, nëse është e nevojshme.

Në përfundim, vota për Iniciativën për Pagën e Barabartë do të reflektojë mbi një çështje të rëndësishme: A është koha për të ndërmarrë hapa më konkretë për të ulur hendekun e pagave mes gjinive, apo kjo është një ngarkesë shtesë që do të dëmtojë ekonominë e kantonit të Aargau?