Ukraina dhe SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshje për mineralet, krijojnë Fond Investimesh për Rindërtim

Mësohet se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje që i jep ShBA-së qasje në mineralet e rralla me vlerë të lartë të Ukrainës – një marrëveshje që Kievi shpreson se do të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes amerikane në luftën kundër Rusisë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se marrëveshja krijon Fondin e Investime për Rindërtim ShBA-Ukrainë, për të cilin Departamenti i Thesarit të ShBA-së tha se do t’u mundësojë të dyja vendeve të “punojnë bashkërisht dhe të investojnë së bashku për të siguruar që asetet, talentet dhe kapacitetet tona të përbashkëta të përshpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi në një komunikatë për media se marrëveshja “është një sinjal i qartë për Rusinë se administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të bazuar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në afat të gjatë”.

Bessent e quajti themelimin e Fondit për Investime një partneritet ekonomik historik, dhe ia atribuoi presidentit amerikan, Donald Trump, nxitjen për nënshkrimin e marrëveshjes si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës.

“Siç ka thënë presidenti, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë në ndërmjetësimin për përfundimin e kësaj lufte mizore dhe të pakupimtë”, shtoi Bessent.

Trump është shprehur i pakënaqur me ritmin e ngadaltë të bisedimeve. Më 29 prill, Departamenti i Shtetit i SHBA-së bëri një tjetër përpjekje për të nxitur përparim, duke paralajmëruar se SHBA-ja mund të tërhiqet nga negociatat në mungesë të progresit.

Ministrja e Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e nënshkroi marrëveshjen së bashku me Bessentin, sipas Departamentit të Thesarit. Në një postim në Facebook, ajo tha se marrëveshja “mund të sjellë sukses për të dyja vendet tona” dhe “do të tërheqë investime globale në shtetin tonë”.

Svyrydenko theksoi se fondi do të financohet ekskluzivisht nga të ardhurat e licencave të reja – përkatësisht 50 për qind nga licencat për materiale kritike dhe projekte të naftës dhe gazit – që do të hyjnë në buxhetin e Ukrainës sapo të themelohet fondi.

Ndihmë ushtarake?

Përtej aspektit financiar, Ukraina e sheh këtë marrëveshje si çelës për sigurimin e ndihmës së mëtejshme ushtarake nga SHBA-ja.

“Përveç kontributeve financiare direkte, kjo mund të sjellë edhe ndihmë të re – për shembull sisteme mbrojtjeje ajrore për Ukrainën”, shkroi ajo në platformën X (ish-Twitter).

Ajo shtoi se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Ukrainës, dhe nuk ndryshon kursin e integrimit evropian të Ukrainës. Po ashtu, theksohet se të gjitha burimet natyrore në territorin dhe ujërat territoriale të Ukrainës i përkasin Ukrainës, dhe se vetëm Kievi do të vendosë se çfarë dhe ku do të nxirret.

Qeveria ukrainase e miratoi marrëveshjen më 30 prill, duke i dhënë autorizimin Svyrydenkës për ta nënshkruar atë në Uashington. Marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga Parlamenti ukrainas për të hyrë në fuqi.

Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se do të punojë me Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) dhe me Qeverinë e Ukrainës për të finalizuar zbatimin e programit dhe për të avancuar partneritetin.

Duke folur më herët, më 30 prill, për televizionin ukrainas, kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, e quajti marrëveshjen “me të vërtetë një marrëveshje të mirë, të barabartë dhe të favorshme për investime të përbashkëta në zhvillimin dhe rindërtimin e Ukrainës”.

Në platformën Telegram, Shmyhal sqaroi se secila palë do të ketë të drejtë vote prej 50 për qind në Fondin e Rindërtimit, dhe fitimet e fondit do të riinvestohen ekskluzivisht në Ukrainë.

Për të adresuar një shqetësim kyç të Kievit, ai theksoi se Ukraina nuk do të detyrohet të paguajë asnjë “borxh” për miliardat e dollarëve ndihmë që ka marrë nga SHBA-ja që nga fillimi i pushtimit rus, në shkurt të vitit 2022.

Trump pati deklaruar në shkurt se dëshiron qasje në mineralet e rralla të Ukrainës si kusht për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-sl, duke e përshkruar këtë si një mënyrë kompensimi për ndihmën financiare që SHBA-ja i ka dhënë Kievit.

Por, bisedimet ngecën pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, që përfundoi me përplasje verbale midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Trumpit dhe nënpresidentit JD Vance.

SHBA-ja kërkon qasje në më shumë se 20 lëndë të para që i konsideron me rëndësi strategjike, përfshirë depozitat e titanit (që përdoret për krahët e aeroplanëve dhe prodhim të pajisjeve ajrore) dhe uraniumit (që përdoret për energji bërthamore, pajisje mjekësore dhe armë). Ukraina gjithashtu ka rezerva të litiumit, grafitit dhe manganit – përbërës kyç për bateritë e makinave elektrike.

Trump tha se marrëveshja “në teori” nënkupton se SHBA-ja do të përfitojë më shumë nga Ukraina sesa ka dhënë.

“Desha të jem i mbrojtur”, tha ai në një intervistë për NewsNation, duke shtuar se nuk donte të dukej “naiv” pa marrë kompensim për investimin.

Më herët, në një mbledhje të kabinetit, Trump pati deklaruar se prania amerikane “do të mbajë jashtë vendit shumë aktorë të këqij – ose të paktën larg zonës ku do të bëhet nxjerrja”

Ekuipazhi i ‘Wizz Air’ akuzoi gabimisht pasagjerët për vjedhjen e telefonit të rojes së sigurisë

Mësohet se vonesa u shkaktua nga pamjet e kamerave të sigurisë që dyshohet se tregonin një pasagjer duke marrë telefonin në aeroport. Megjithatë, pas një vonese prej 90 minutash, ekuipazhi i kabinës njoftoi se nuk kishte sende të vjedhura në aeroplan, përcjell albinfo.ch.

Një fluturim i Wizz Air u pezullua për gati një orë e gjysmë pasi stafi akuzoi gabimisht pasagjerët për vjedhjen e telefonit të një roje sigurie. Incidenti ndodhi gjatë fluturimit nga Londra për në Tiranë, Shqipëri, të enjten, me kompaninë Wizz Air. Siç raportohet policia ka hypur në aeroplan dhe pasagjerët janë mbajtur në pistë për gati 90 minuta.

Vonesa u shkaktua nga pamjet e kamerave të sigurisë që dyshohet se tregonin një pasagjer duke marrë telefonin në aeroport. Megjithatë, pas një vonese prej 88 minutash, ekuipazhi i kabinës njoftoi se nuk kishte sende të vjedhura në aeroplan. Përpara nisjes së planifikuar, një anëtar i ekuipazhit njoftoi: “E dimë që telefoni është në bord, tani duhet të nisemi pas dy minutash  nuk mundemi për shkak të kësaj, ky është një problem sigurie.

Një pasagjer 28-vjeçar, i cili dëshiroi të mbetej anonim, ka shprehur shqetësim në lidhje me sigurinë e aeroportit, duke deklaruar: “Do të mendonit se aeroportet do të ishin më të sigurta dhe kjo do të zgjidhej shumë më shpejt. Nuk je i sigurt as në aeroportin e Lutonit, diku që mendon se është një vend i sigurt.”

Pothuajse një orë pasi kishte filluar drama, një anëtar i frustruar i ekuipazhit i informoi pasagjerët se stafi po shqyrtonte pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin.

Ai tha: “Ne ende duam t’i japim mundësinë këtij personi të mundshëm që bëri gabimin ta sjellë atë përpara se ta gjejë në video. Edhe një herë, ju lutem ejani vullnetarisht në ballë ose te kolegët e mi në prapavijë.”

Sipas mediave të huaja, pavarsishte vonesës telefoni mbeti i pagjetur. Më vonë, më shumë se një orë pas orarit të parashikuar të nisjes, asistentet e fluturimit shpjeguan: “Nuk ka asnjë send në këtë aeroplan, tani jemi të kënaqur me pozicionin tonë të sigurisë për të shkuar. Vlerësoj mirëkuptimin tuaj për këtë situatë. Edhe për ne është një situatë mjaft e re, po bëjmë çmos dhe do të jemi shumë shpejt në rrugën tonë për në Tiranë.”

Gjithashtu Wizz Air dhe Policia e Bedfordshire janë kontaktuar për një deklaratë.

Po kërkohej nga Austria, arrestohet në Morinë shtetasi i Kosovës

Raportohet se policia e Shqipërisë ka arrestuar në pikëkalimin kufitar Morinë një shtetas të Kosovës, i cili po kërkohej ndërkombëtarisht nga Austria për “vrasje të mbetur në tentativë”, “plagosje të rëndë” dhe “vjedhje”, përcjell albinfo.ch.

H.L., 41-vjeçar nga Deçani, po kërkohej nga Interpol Vjena.

Bëhet e ditur se ai pritet të ekstradohet në Austri.

“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar H.L., 41 vjeç, banues në Deçan, Kosovë. Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, pasi autoritetet austriake kanë lëshuar ndaj tij urdhër arresti, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë” dhe “vjedhje”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarit”, ka njoftuar Policia e Shtetit.

Ushtari zviceran u plagos gjatë një stërvitje në Austri

Raportohet se një ushtar zviceran u shtyp nga një automjet ushtarak të martën në mbrëmje, si pjesë e stërvitjes “Trias 25” të Ushtrisë Zvicerane në fushën e paradës austriake në Allentsteig. Autoritetet e drejtësisë ushtarake kanë hapur një hetim, përcjell albinfo.ch.

Mjeti thuhet se kaloi ngadalë mbi këmbën e djathtë të 19-vjeçarit, ndërsa ai ishte shtrirë në çantën e tij të gjumit. Ushtari u dërgua me helikopter shpëtimi në Spitalin Universitar St. Pölten, raportoi të mërkurën agjencia austriake e lajmeve APA.

Aksidenti, i cili ndodhi rreth mesnatës së së mërkurës, ndodhi gjatë një stërvitjeje nate, tha ushtria zvicerane në një njoftim për shtyp. Sipas policisë rajonale të Austrisë së Poshtme, automjeti i blinduar po drejtohej nga një burrë 26-vjeçar. Ai ndoshta nuk e pa viktimën në çantën e tij të gjumit.

 

Pak ditë para nisjes së Eurovision, SBB do të vë në funksion 85 trena shtesë

Bazeli do të presë konkursin më të madh të këngëve në Evropë, Eurovisionin, pas fitores së artistit zviceran Nemo në edicionin e vitit të kaluar, përcjell albinfo.ch.

Konkursi, për të cilin autoritetet lokale po ndajnë 35 milionë franga, pasi ky buxhet u miratua në një referendum lokal, do të zhvillohet në St. Jakobshalle, në lagjen Münchenstein në periferi të Bazelit.

Organizatorët e këtij konkursi në Zvicër premtojnë spektakël të vërtetë, të paparë ndonjëherë.

Kompania kombëtare hekurudhore e Zvicrës (SBB) do të vërë në funksion 85 trena shtesë për të transportuar spektatorët e ESC-së për në dhe nga Bazeli për koncertet.

1 maji nuk është festë publike në të gjithë Zvicrën

Ashtu si shumë vende të tjera, Zvicra feston Ditën e Punës më 1 Maj, përcjell albinfo.ch.

Në Zvicër, njihet edhe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve  dhe shënohet kryesisht nga sindikatat dhe grupet me prirje të majta.

Megjithatë, nuk është festë publike në të gjithë Zvicrën – festohet në disa kantone, por jo në të tjerat.

Është festë në Cyrih, Basel-City, Basel-Country, Jura, Neuchâtel, Schaffhausen, Thurgau dhe Ticino.

Në Aargau dhe Solothurn, njerëzve zakonisht u jepet një gjysmë dite pushim (nga mesi i ditës), shkruajnë mediat zvicerane.

Çmimet e shtëpive në Zvicër janë rritur vazhdimisht në 10 vjetët e fundit

Pronarët e shtëpive në Zvicër kanë parë rritje të shëndetshme të investimeve të tyre gjatë dhjetë viteve të fundit.

Një sondazh nga vlerësuesi i pronave, Wüest Partner, tregon se çmimet e një shtëpie familjare janë rritur mesatarisht 3.6 % çdo vit gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa çmimet e apartamenteve janë rritur 2.9 % në të njëjtën periudhë.

Kjo përkthehet në shumë para – nëse dikush bleu një shtëpi për 1 000 000 CHF dhjetë vjet më parë, sot do të kishte fituar rreth 360 000 CHF, transmeton albinfo.ch.

Kjo është një mesatare në të gjithë vendin; disa zona kanë parë përfitime edhe më të mëdha – dhe jo gjithmonë aty ku mund t’i prisni.

Në rajonin e Gjenevës/Nyonit, çmimet janë rritur midis 20 % dhe 30 % gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa në Morges dhe Lozanë rritja varion nga 40 % deri në 50 %.

Por ngritjet më të forta janë larg qendrave kryesore urbane. Në Kantonin Uri, çmimet e pronave janë rritur me më shumë se 70 %, dhe disa zona në Graubünden kanë pasur rritje të ngjashme.

Ndoshta kjo është nxitur nga përhapja e punës në shtëpi.

Pas Berlinit, kori “Siparantumi” do të dhurojë spektakël në Tajlandë

Pas mbylljes së një kapitulli në Gjermani, kori i Kosovës do të dhurojë spektakël në Greqi, pastaj në Tajlandë, përcjell albinfo.ch.

Agjenda e “Siparantumit” tashmë i ngjan asaj të super-yjeve apo grupeve botërore. S’ka javë pa ndonjë ftesë; prej tash ka marrë konfirmime deri në 2028. Sapo është kthyer nga Berlini, e presin së paku edhe katër destinacione deri në fund të vitit, njëri prej të cilëve është edhe Tajlanda.

Kapitulli në Gjermani u mbyll këtë javë me interpretimin në Filharmoninë prestigjioze të kryeqytetit gjerman. Aty janë shkruar përjetime unike, por për sivjet ai shërben si intro e hapjes së kapitujve të tjerë.

“Ne tashmë kemi konfirmime deri në vitin 2028. Një rrugëtim i gjatë me shumë modesti, që është e pamundur që brenda një jave të mos vijë një ftesë për të performuar për korin ‘Siparantum’. Na presin edhe katër rrugëtime vetëm për vitin 2025”, ka thënë të enjten Memli Kelmendi, themelues e dirigjent i korit “Siparantum”, i ftuar në një emision të KTV-së.

Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë zyrtare në Malejzi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Federatën e Malejzisë, me ftesë të Kryeministrit YAB Dato’ Seri Anwar Ibrahim.

Në Kuala Lumpur, Presidentja Osmani do të pritet me një ceremoni zyrtare në kompleksin shtetëror Bunga Raya.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me Kryeministrin Anwar Ibrahim në kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya, pas të cilit do të mbahet një konferencë e përbashkët për media.

Për nder të Presidentes Osmani, Kryeministri Ibrahim do të organizojë një drekë zyrtare në rezidencën shtetërore Seri Perdana.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të dekorojë me Medaljen Presidenciale të Meritave Kryeministrin aktual të Malejzisë, Anwar Ibrahim, si dhe ish-kryeministrin Abdullah Ahmad Badawi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në mbështetje të Kosovës.

Presidentja Osmani, në prezencë të korit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, do ta hapë zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore.

Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Investimeve të Malejzisë (NCCIM), si dhe me përfaqësues të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë malajziane, përfshirë prodhimin, teknologjinë dhe turizmin. Me këtë rast, do të diskutohet për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe tërheqjes së investimeve në Kosovë.

Mediat e huaja shkruajnë edhe për kuzhinën shqiptare

Në brendësi të jugut të Shqipërisë, Përmeti është një qytet antik, i rrethuar nga natyra e egër, ndërkohë që Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës—më i madhi në Shqipëri—është i famshëm për pyjet, kanionet, urat osmane dhe manastiret ortodokse, shkruan faqja e njohur turistike italiane Gambero Rosso.

Përmeti gjithashtu mund të etiketohet si djepi i gastronomisë shqiptare, një destinacion që duhet vizituar patjetër nga çdo adhurues i ushqimit.

Nga kompostot e frutave te supat e shijshme, nga zgarat tek djathërat, tradita kulinare e Përmetit është e pasur dhe e shijshme, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Aromat e së kaluarës
Traditë, mikpritje dhe shije të së kaluarës.
Këto janë tre shtyllat themelore të “Trifilia”-s—a­dresa që duhet ta shënoni patjetër në agjendën tuaj nëse kërkoni pjata autentike.

Që nga viti 1991, ky restorant në zemër të Përmetit i ka mirëpritur mysafirët në një ambient të rafinuar me detaje druri, tulle dhe terrakote, duke i magjepsur me specialitetet më të mira të traditës gastronomike vendase.

Menuja e pasur ofron një përvojë unike kulinare:

  • Supa me qengj nga kullotat e rajonit

  • Brinjët e qengjit të pjekura në skarë

  • Byrekë me spinaq dhe gjizë

  • Pulë fshati e shoqëruar me bukë shtëpie

  • Dollma me oriz dhe gjethe hardhie që të shkrijnë në gojë

Një kuzhinë e frymëzuar nga zona dhe stinët
Ajo që e dallon “Trifilia”-n nuk është vetëm autenticiteti i gatimeve, por edhe mënyra e punës:

“Kuzhina jonë është një kërkim i vazhdueshëm për lëndë të para të cilësisë së lartë, të cilat nuk mungojnë në Përmet, dhe për shijet autentike. Ne i krijojmë duke u frymëzuar nga recetat trashëguar brez pas brezi dhe nga produktet vendase, ndër më të pakontaminuarat në Gadishullin Ballkanik,” thotë Tatjana Jarazi, zemra dhe mendja e “Trifilia”-s.

Kuzhina ndjek ndryshimin sezonal: këtu hani vetëm atë që ofron vendi, në çdo periudhë të vitit.

Një territor unik në botë
Teknikat tradicionale të gatimit të “Trifilia”-s përzihen me përbërësit e freskët të rajonit. Filozofia e Slow Food, që respekton ciklin natyror të prodhimit për të garantuar një produkt të vërtetë, ndiqet me përpikëri.

Në fund të fundit, kjo është toka e Vjosës—lumit të fundit të egër në Evropë—i cili, së bashku me degët e tij, formoi Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa nga viti 2023. Ai buron nga vargmali i Pindit në Greqi, rrjedh nëpër Shqipëri dhe derdhet në detin Adriatik. Vjosa jep më të mirën e saj në Përmet, duke e përshkuar ngadalë e duke lejuar që natyra ta zbukurojë qytetin me pemë, shkurre dhe, në fund të pranverës, lule të çdo ngjyre—prandaj Përmeti njihet si “qyteti i trëndafilave.”

Edhe Britania e Madhe hap rrugën e re për kriptovalutat

Britania e Madhe do të krijojë rregullore të detyrueshme për kriptovalutat, njoftoi ministrja e Financave, Rachel Reeves.

Qeveria sinjalizoi se do të bashkëpunonte ngushtë me Shtetet e Bashkuara për qasjen më të mirë ndaj aseteve digjitale.

Projektligjet e reja do të zgjerojnë rregullimin financiar ekzistues për kompanitë e përfshira në kriptovaluta, duke e përafruar Britaninë me SHBA-në dhe larg Bashkimit Evropian, që ka ndërtuar rregulla specifike për industrinë, thanë ekspertët, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Seti i parë i rregullave të projektligjit të Britanisë vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka hapur rrugën kriptovalutave dhe është zotuar të heqë kufizimet rregullatore në industri, duke shqetësuar kritikët. Ministrat evropianë të Financave janë shprehur të shqetësuar se masat e SHBA-së mund të ndikojnë në sovranitetin monetar dhe stabilitetin financiar të eurozonës.

Reeves tha se kishte diskutuar rregulloret e kriptovalutave me sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, gjatë një vizite në Uashington javën e kaluar, dhe se të dyja vendet planifikuan ta diskutonin këtë më tej në qershor. “Sipas rregullave të reja, bursat, tregtarët dhe agjentët e kriptovalutave do të futen në perimetrin rregullator,” tha ministria e Financave në një deklaratë pas njoftimit të Reeves.

“Firmat e kriptovalutave me klientë në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet gjithashtu të përmbushin standarde të qarta mbi transparencën, mbrojtjen e konsumatorit dhe qëndrueshmërinë operacionale,” shtoi njoftimi.

Rreth 12% e të rriturve britanikë zotërojnë ose kanë zotëruar kriptovaluta të tilla si bitcoin ose ethereum, nga 4% në vitin 2021, tha qeveria.

Banka e Anglisë ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet që paraqet bitcoin për investitorët. Megjithatë, institucioni e sheh të arsyeshëm krijimin e rregullave për stablecoins, apo monedhat e qëndrueshme, që kërkojnë të mbajnë një vlerë fikse në lidhje me dollarin amerikan ose asete të tjera.

Ministria e Financave tha se synonte të finalizonte legjislacionin e ri deri në fund të vitit. Rregullat bazohen në propozimet fillestare të bëra në vitin 2023.

Historia e 1 Majit në botë dhe Evropë

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë u referohet protestave të punëtorëve, ku kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887, transmeton albinfo.ch.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e Parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me kushtetutë e ligje liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

Vjenë: Illyrian Brains organizon event për profesionistë të rinj shqiptarë

Illyrian Brains është një nismë jopolitike dhe jofitimprurëse, e cila synon të bashkojë shqiptarët profesionistë nëpër botë për të nxitur bashkëpunimin, ndihmën e ndërsjellë dhe lidhjen me atdheun e gjuhën shqipe, transmeton albinfo.at.

IllyrianBrains, në këtë event, ka për qëllim bashkimin e të rinjve shqiptarë që duan të profesionalizohen në fusha të ndryshme, kryesisht me ata që merren me IT, start-up, etj.

Njihu me profesionistë të rinj, ndaj ide dhe shijo një natë plot mundësi dhe inspirim!

Nën moderimin e elegancës dhe perfeksionizmit të Asetila Köstlinger, kjo mbrëmje sjell në qendër të vëmendjes emra të jashtëzakonshëm që kanë arritur majat në fushat e tyre:

Andi Binaj – Primar i Institutit të Radiologjisë në Spitalin Shtetëror Melk

Brikena Statovci – Eksperte në Teknologji të Informacionit

Eno Peçi – Balerin solist dhe koreograf në Teatrin e Operës dhe Baletit, Vjenë

https://www.tickettailor.com/events/illyrianbrainswien/1587465

👔 Dress Code: Business casual

🔹 Agenda:

🕡 17:30 – 18:30 | Aperitiv

🕡 18:30 – 19:15 | Video & keynote speakers

🕡 19:15 – 20:30 | Panel diskutimi me të ftuar

🕡 20:30 – 21:00 | Bashkëbisedim (Q&A)

🕡 21:00 – 00:00 | Networking, ushqim & muzikë

📍LocationBelétage, Haus der Ingenieure I Eschenbachgasse 9, 1010 Vienna

🎟 Ticket: € 20,-

 

Nëse je Shqipëtar që jeton ne Vjenë, në EU ose mbarë botës, apo thjeshtë do histori frymëzuese- mos e humb këtë mbrëmje!

LDK: Votimi i fshehtë, hap arbitrar dhe antikushtetues

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka folur para mediave pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka thënë se sot “u bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese, ligjore; me arbitraritet u tentua të ndryshohej mënyra e votimit”.

“Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit… Kjo përcaktohet në fillim të procesit”, është shprehur ajo.

Bajrami ka thënë se “asnjëherë në histori nuk ka ndodhur të ndryshohet procesi, dhe është shkelje që mënyra e votimit të ndryshohet pasi ka filluar procesi”.

Deputetja e LDK-së ka shtuar se partia e saj sot nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi “nuk dëshiron të ketë një marrëveshje politike me LVV-në”.

Në Prishtinë protestohet për të drejtat e punëtorëve

Ka nisur protesta e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, përcjell albinfo.ch.

Motoja e protestës është “Qeveri – Kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë”.

Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe, pas kësaj, protestuesit do të ecin deri te objekti i Qeverisë së Kosovës.

Për 1 Maj, edhe Sindikata e Re e KEK-ut organizon protestë, e cila do të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Gjithashtu, në orën 12:00, Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja” si dhe aktiviste/ë të pavarur, në koordinim me sindikatat e punëtorëve, organizojnë një marsh protestues për Ditën Ndërkombëtare të Punës në sheshin “Skënderbeu”.

Ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstituve

Bëhet e ditur se ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstitutive, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari, ka propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet i fshehtë.

Kjo është kundërshtuar nga të gjitha grupet parlamentare, përveç LVV-së.

Krasniqi: Situata nuk ka ndryshuar, PDK asnjëherë nuk i heziton dialogut me këdo

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, njëherit kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqit.

Takimi ka zgjatur rreth gjysmë ore.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, tha se situata nuk ka ndryshuar dhe se PDK asnjëherë nuk heziton dialogun me këdo.

“Unë jap propozime; i takon Kurtit,” tha shkurt Krasniqi, teksa shtoi se nuk pret ndonjë ndryshim në seancën e sotme.

Krasniqi tutje shtoi: “Në takim kam shkuar me i thënë zotëri: ndërroje kandidatin për ta zhbllokuar Kuvendin.”

Blerta Dodaj prezantoi një robot ujor në Harvard

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, janë të rinjtë ata që shpesh janë në pararojë të inovacionit, guximit dhe vizionit për një të ardhme më të mirë, përcjell albinfo.ch.

Të shumtë janë të rinjtë shqiptarë që kanë sfiduar kufijtë dhe veten, duke dashur t’i flasin botës me arritjet e tyre.

Një shembull i tillë i guximit dhe përkushtimit është edhe Blerta Dodaj, studentja 21-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila është pjesë e komunitetit të Harvardit dhe MIT-it, e cila, javën e shkuar, prezantoi në Harvard Innovation Labs idenë e krijimit të një roboti ujor me inteligjencë artificiale për të ulur nivelin e ndotjes në ujëra.

Koncepti i idesë së Blertës, CleanWatts AI, konsiston në krijimin e një roboti ujor autonom, i pajisur me inteligjencë artificiale, sensore multispektralë dhe krahë robotikë të dizajnuar për të pastruar ujërat.

Hiqen kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës

Sot rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve, përcjell albinfo.ch.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga sot nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar, përcjell albinfo.ch.

Udhëtarët që e frekuentojnë këtë pikëkalim me Shqipërinë në Vërmicë do të kalojnë pa pengesa. Marrëveshja e lëvizjes së lirë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar, shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

Edhe këtë sezon, lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës.

Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, me qëllim që të shmangin pritjet e gjata dhe të garantojnë kalim sa më të shpejtë dhe efikas.

Sot përpjekja e nëntë për ta konstituuar Kuvendin

Deputetët do të mblidhen sot për herë të nëntë në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin, përcjell albinfo.ch.

Edhe të martën, Lëvizja Vetëvendosje dështoi për herë të gjashtë t’i sigurojë votat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

E kjo e fundit, pas seancës, deklaroi se shpreson në “reflektim të opozitës”.

Krasniqi i shkon Kurtit në takim, cilat do të jenë rezultatet?

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka shkuar sot në takim Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, pas ftesës që i kishte dërguar për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Përveç Krasniqit, Kurti në takim e ka ftuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, por ai nuk do të jetë i pranishëm, pasi është jashtë shtetit.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Klankosova.tv dje ka pohuar se nuk do të marrin pjesë si subjekt politik dhe se Abdixhiku nuk është në Kosovë.

Përmbajtja e ftesës së Kurtit nisi “me qëllim konstituimin e Kuvendit”, duke përfunduar tek ideja e zgjedhjes së nënkryetarëve.

Më 29 prill, Kuvendi i Kosovës pati tentativën e tetë për konstituimin e Kuvendit – Albulena Haxhiu nuk mori votat për kryeparlamentare për të gjashtën herë.

Lëvizja Vetëvendosje po ngul këmbë në kandidaturën e saj, ndërkohë që partitë opozitare refuzojnë t’i japin votën. Ato kërkojnë një emër konsensual – ashtu siç dikur kishte kërkuar edhe Albin Kurti në kohën e PAN-it.