Depozitat në Euro ranë me 0.4% gjatë tremujorit të parë të vitit

Raportohet se rritja e depozitave bankare në Euro është frenuar në tremujorin e parë të këtij viti, përcjell albinfo.ch.

Referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars depozitat në monedhën europiane kishin vlerën e 8.01 miliardë eurove, në rënie me 0.4% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Depozitat në Euro shënuan një rritje të përkohshme në muajin janar, duke arritur në 8.08 miliardë euro, por më pas pësuan rënie për dy muaj radhazi në shkurt dhe mars.

Aktualisht, depozitat në Euro po shënojnë vlerën më të ulët që prej nëntorit të vitit të kaluar.

Depozitat në monedhën europiane, megjithatë, ngelen në rritje vjetore, me 8.5% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Por, ritmet e rritjes së tyre janë reduktuar dhe kanë zbritur në nivele njëshifrore.

Rënia e depozitave në Euro gjatë tremujorit të parë të vitit, megjithatë, ka ardhur vetëm nga një segment i klientëve, ai i bizneseve. Depozitat e biznesit kanë rënë me gati 140 milionë euro ose më shumë se 8% gjatë tremujorit të parë të vitit.

Ndërkohë, depozitat e individëve, që përbëjnë edhe pjesën dominuese të depozitave në monedhën europiane, kanë vazhduar të ruajnë një tendencë në rritje të lehtë.

Në periudhën 2021-2024, depozitat bankare në Euro u rritën me ritme dyshifrore, duke reflektuar prurjet e larta valutore në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto prurje i detyrohen veçanërisht turizmit dhe investimeve të huaja direkte.

Por, tremujori i parë i këtij viti duket se për momentin e ka frenuar këtë tendencë të vazhdueshme në rritje. Ky mund të jetë sinjal i ngadalësimit të prurjeve valutore në ekonomi dhe përputhet edhe me reduktimin e ndjeshëm të ritmeve të rritjes së hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë tremujorit të parë të vitit.

Megjithatë, frenimi i rritjes së depozitave në Euro për momentin nuk ka sjellë lëvizje të mëdha në kursin e këmbimit. Gjatë tremujorit të parë të vitit, Euro qëndroi poshtë kufirit në 100 lekëve, duke shënuar vetëm një korrektim të vogël në rritje, pasi kishte zbritur pranë kufirit të 98 lekëve në fund të 2024.

Ndërkohë, depozitat bankare në totalin e tyre vazhduan rritjen edhe në tremujorin e parë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, ato arritën vlerën e 1.72 trilionë lekëve, në rritje me 2.2% ose rreth 38 miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Rritja në tremujorin e parë të vitit është mbështetur kryesisht nga depozitat në monedhën vendase.

Kurti: Albulena Haxhiu mbetet kandidatja jonë

Duket se kryeministri Kurti, ka ngulur këmbë të shtunën se nuk do ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me gjithë mungesën e votave, duke thënë se emërimi i kryeparlamentarit dhe formimi i Kuvendit të ri është detyrë e të gjitha partive parlamentare, përcjell albinfo.ch.

“Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pavarësisht se a është ai fitues absolut apo relativ, Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë; nga vendi i parë së bashku me vendin e dytë, tretë dhe pakicat serbe dhe joserbe”, tha Kurti të shtunën duke folur në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë radhazi deri tani ta konstituojnë Kuvendin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme për të qeverisur e vetme.

Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.

Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Por, Kurti  një ditë para seancës së radhës të dielën  e përsëriti se Vetëvendosje nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut.

“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, ndërsa të tjerët lë ta propozojnë kandidatin e tyre kur t’u takon atyre. Neve si fitues të zgjedhjeve na takon pozita e kryetarit”, tha Kurti.

Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës  që vjen nga Vetëvendosje, propozoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Lëndimi problematik i Zhegrovës

Skuadra e Lillet të shtunën prej orës 21:00 luan në udhëtim ndaj Stade Brest. Në termin të njëjtë janë edhe të gjitha ndeshjet e tjera të xhiros së 33-të, përkatësisht të parafundit të kampionatit francez.

Lille po lufton për vend në zonën që dërgon në Champions në edicionin e ardhshëm, por sërish do të jetë pa njërin prej lojtarëve më të mirë, Edon Zhegrovën.

Një lëndim që pritej të sanohej për pak javë, doli të jetë shumë serioz për yllin e Kosovës.

26-vjeçari e luajti më 14 dhjetor të vitit të kaluar ndeshjen e fundit. Ishte paraqitur vetëm një pjesë në takimin kampional ndaj Marseillet. Ishte jo e zakontë që Zhegrova të luante vetëm një pjesë në kohën kur po kalonte formë të mirë. Ditët e fundit të dhjetorit ai i kaloi në Kosovë dhe ishte i bindur se do të kthehej shpejt, në fillim të janarit.

Por tashmë po bëhen pesë muaj që Zhegrova nuk luan. Te Lille kanë dhënë disa data për kthimin e tij, por kjo nuk ndodhi ende.

Dhe të premten trajneri Bruno Genesio ka paralajmëruar se Zhegrova nuk do të luajë as në ndeshjen e fundit.

“Nuk ka asgjë të re. Mendoj që nuk do ta shohim Edon Zhegrovën më këtë edicion. Ka pak shanse në çdo rast”, ka thënë Genesio të premten në konferencë për shtyp.

Zhegrova ka probleme me muskujt aduktorë. Është një problem që është bërë goxha shqetësues në futboll.

Ky është pritur të jetë edicion i shpërthimit të Zhegrovës, por mbeti në gjysmë. Pjesa e parë e kampionatit ishte shumë e mirë për të. Zhegrova kishte katër gola e një asistim në 12 paraqitje në kampionatin francez. Kishte shkëlqyer sidomos në Champions, duke realizuar katër gola e një asistim në nëntë paraqitje. Madje ishte shpallur më i miri në ndeshjen ndaj Real Madridit, të cilën Lille e fitoi 1:0. Ishte paraqitur mirë edhe ndaj Atletico Madridit e Juventusit.

Lille mban vendin e pestë me 57 pikë. Monaco është e treta me 58 pikë, ndërsa 59 i ka Marseille në vendin e dytë. Parisi ka siguruar shumë më herët titullin e kampionit.

Për Zhegrovën janë interesuar dhe po interesohen shumë skuadra. Por prioritet për të është kthimi në fushën e blertë. Dhe transferimi pas një lëndimi që e mbajti gjatë jashtë fushës, jo gjithnjë është veprimi më i favorshëm.

Rita Ora paralajmëron këngën e re “Heat”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka paralajmëruar rikthimin e saj në skenën muzikore me projektin më të ri, këngën “Heat”, përcjell albinfo.ch.

Artistja, e cila prej më shumë se një dekade e gjysmë është pjesë e industrisë muzikore ndërkombëtare, ka ndarë me ndjekësit një pjesë të këngës përmes një videoje në TikTok, ku shfaqet në një atmosferë tejet verore dhe sensuale.

Ndërkaq, kënga, që në dëgjimin e parë i përket zhanrit pop-dance me ndikime elektronike, përmban ritme të shpejta dhe motive verore që e bëjnë ideale për sezonin që po vjen. Me energji pozitive dhe një refren të kapshëm, “Heat” pritet të jetë një tjetër hit në repertorin tashmë të pasur të Ritës.

https://www.tiktok.com/@ritaora/video/7502111662820953375?pid=video_embed&referer_video_id=7502111662820953375&type=video&referer_url=rtv21.tv/rita-ora-paralajmeron-kengen-e-re-heat/?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR7f-udAyxOw31vfpobfu__bLSxI_tjCSXHCMNPTcUeY98fePe55BILWZlsP4A_aem_QplCsiW279aFFa2fYZLcHw&refer=embed&embed_source=121374463,121468991,121439635,121433650,121404359,121497414,121477481,121487028,73347566,121331973,120811592,120810756,121503376;null;embed_blank

Bazel: Eurovisioni ndryshon mënyrën e shpalljes së vendeve që kualifikohen

Duket se Eurovision 2025 do të sjellë ndryshime në njoftimin e vendeve që kualifikohen nga gjysmëfinalet, duke rritur elementin e pezullimit, përcjell albinfo.ch.

Sipas asaj që u zbulua në një dokumentar të SRF, skenari duket se parashikon prezantimin e tre vendeve në të njëjtën kohë, ku vetëm njëri prej tyre shpallet në fund si kalues  një qasje që të kujton shfaqjet e talenteve, siç është X Factor. Ndryshimi pritet të testohet në provën gjenerale të gjysmëfinales së parë më 12 maj.

Informacioni vjen nga dokumentari i SRF-së “Der Weg zum ESC 2025” (“Rruga drejt Eurovision 2025”), i cili dyshohet se zbulon formatin e ri për shpalljen e kualifikuesve gjysmëfinale. Siç është raportuar nga ESC Discord, skenari i paraqitur në dokumentar flet për paraqitjen e vendeve në grupe me nga tre, nga të cilat vetëm njëri kualifikohet, duke rritur kështu tensionin.

Mundësia e ndryshimeve në metodën e njoftimit ishte njoftuar tashmë nga producentët ekzekutivë të Eurovision 2025, Reto Peric dhe Moritz Stadler, të cilët, duke folur në The Euro Trip Podcast, deklaruan se qëllimi është t’i shtohet “më shumë emocion dhe pezullim” përvojës gjysmëfinale.

Eksperimente të ngjashme u kryen edhe në vitin 2023, në konkursin e Liverpulit, gjatë provave, kur të gjithë pjesëmarrësit dolën në skenë së bashku për njoftimin, në stilin X Factor.

Arrestohet 18 vjeçari shqiptar në Itali, mbante mbi 220 doza kokaine në xhep

Mësohet se një operacion i Karabinierëve në zonën e Centro-s, në Genova, çoi në arrestimin e një të riu shqiptar 18-vjeçar, të cilit iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Policia italiane konfirmoi se ndaj tij po zhvillohen hetime për trafik droge dhe përfshirje në një organizatë kriminale, përcjell albinfo.ch.

Ndërhyrja erdhi pas sinjalizimeve të banorëve të Struppës, të cilët kishin raportuar praninë e pazakontë të një të riu në një ndërtesë në rrugën “Benedetto da Porto”, ku lëvizjet e shpeshta dhe të dyshimta ngjallën dyshime për veprimtari të paligjshme.

Karabinierët vendosën të ndërhynin dhe ndaluan 18-vjeçarin në hyrje të apartamentit. Gjatë kontrollit personal, në xhaketën e tij u gjetën tre pako të vogla të mbyllura me vakum, secila me nga 50 doza kokaine, ndërsa në xhepin e xhinseve kishte një pako cigare që përmbante edhe 74 doza të tjera.

Në total, autoritetet sekuestruan 224 doza droge, rreth 140 gramë, të gatshme për shpërndarje.

Kontrolli u zgjerua edhe në ambientet e banimit të të riut, ku u gjetën dy pako të tjera kokaine me peshë përkatësisht 800 dhe 121 gramë, së bashku me pajisje për përpunim dhe ambalazh, si makineri vakumi, tre peshore precize dhe një sasi e madhe materialesh plastike.

Në total, sasia e sekuestruar tejkalon një kilogram drogë, e cilësuar si me cilësi të lartë. 18-vjeçari shqiptar është dërguar në burgun e Marassit, ku ndodhet në pritje të konfirmimit të masës së arrestit.

Autoritetet italiane janë duke hetuar më tej për të identifikuar lidhjet e mundshme të të arrestuarit me grupe kriminale që operojnë në trafikun e narkotikëve në rajon.

Xhaka përball Dortmundit, kryendeshja në Bundesligë

Bayer Leverkusen -Borussia Dortmund është kryendeshja e xhiros së 33-të në Bundesligë. Kjo ndeshje do të luhet të dielën nga ora 15:30, përcjell albinfo.ch.

Titullin e kampionit në Bundesligë e siguroi Bayern Muncheni xhiron e kaluar, pas gabimit të Leverkusenit. Bayerni fundjavën e kaluar e siguroi titullin e 34-t të Gjermanisë.

Leverkuseni e përfundon kampionatin në pozitën e dytë. Dy xhiro para fundit ka 68 pikë. Nga edicioni i ardhshëm, këtë skuadër nuk do ta udhëheqë trajneri spanjoll Xabi Alonso. 43-vjeçari Alonso konfirmoi të premten se do të largohet nga Leverkuseni në fund të edicionit.

Leverkuseni ka shtatë ndeshje pa humbje në ligë.

Dortmundi e zë vendin e pestë me 51 pikë. “Verdhezinjtë” po luftojnë që ta sigurojnë një vend që dërgon në Champions në edicionin e ardhshëm. Vetëm katër pozitat e para dërgojnë në Ligën e Kampionëve. Në vendin e katërt është Freiburgu, me një pikë më shumë se Dortmundi. Frankfurti ka 56 pikë në vendin e tretë.

Bayerni të shtunën, nga ora 18:30, e pret Borussia Monchengladbachun. Pritet ta festojë titullin me tifozët.

Monchengladbachu ka 45 pikë dhe ndodhet në vendin e nëntë.

Sot heshtje zgjedhore në Shqipëri

Ditën e diel do t’u drejtohen kutive të votimit 3.7 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në parlament.

Ndërkohë që sot është heshtje zgjedhore, mbrëmë PS dhe PD mbyllën fushatën zgjedhore në Tiranë, ku dy liderët kryesorë të dy forcave politike në vend dhanë mesazhet e tyre për votuesit.

Socialistët zgjodhën “Parkun Olimpik” si vendin kryesor për të mbyllur fushatën zgjedhore, ndërsa demokratët u pozicionuan në krahun tjetër të Tiranës, në “Bulevardin e Ri”.

Flamujt kuqezi, të BE-së dhe SHBA-së, mbizotëronin në të dyja “sheshet”, ku simpatizantët dhe anëtarët e dy forcave politike ishin grumbulluar.

Kryesocialisti Edi Rama ishte shoqëruar në këtë takim përmbyllës nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha shoqërohej nga strategu i fushatës së tij, amerikani Chris LaCivita.

Plot 1 orë e 30 minuta zgjati ky takim elektoral i të dyja forcave politike, ku, ashtu siç ndodhi gjatë këtyre katër javëve që lamë pas, mesazhi kryesor i dy liderëve ishte i njëjtë.

Edi Rama kërkoi edhe njëherë votën për një mandat të katërt, për të çuar Shqipërinë në BE, ndërsa Sali Berisha foli sërish për ulje taksash dhe rritje pagash e pensionesh.

Në të dyja mitingjet përmbyllëse ishin kandidatët e çdo qarku ata që përshëndetën të pranishmit, para se të flisnin liderët respektivë, Rama dhe Berisha.

Ndryshe nga mitingu i PS-së, në atë të PD-së folën edhe miqtë e ftuar të Berishës, Elmar Brok dhe strategu i fushatës Chris LaCivita, ndërsa përshëndeti me një fjalë nga qelia edhe aleati i PD-së, Ilir Meta, i cili do të jetë në listë të hapur.

Bruksel: Po punohet për heqjen graduale të disa masave ndaj Kosovës

Komisioni Evropian ka “nisur punën” drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, është konfirmuar nga ky institucion, përcjell albinfo.ch.

Në një përgjigje me shkrim për mediat, nga zyra për shtyp e Komisionit Evropian theksohet se po punohet drejt heqjes graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave.

Konfirmohet gjithashtu se kësaj faze i ka paraprirë një shkëmbim qëndrimesh mes shteteve anëtare të BE-së gjatë takimit të ministrave të jashtëm në prill

Siç merret vesh jozyrtarisht nisja e heqjes graduale, për momentin, është më shumë simbolike se sa substanciale.

Bashkimi Evropian ka zhbllokuar funksionimin e nënkomiteteve me Kosovën dhe ka rifilluar asistencën teknike nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, ky është maksimumi që BE mund të ofrojë aktualisht, pasi për heqjen e plotë të masave kërkohet pajtimi unanim i të gjitha shteteve anëtare. Për një konsensus të tillë, thuhet se nevojiten veprime të qarta të autoriteteve të Kosovës, në përputhje me konkluzionet e dhjetorit, ku u theksua se heqja e graduale e masave do të ndodhë paralelisht me hapat konkret të autoriteteve kosovare drejt uljes së tensioneve në veri të vendit

Kurti: Kosova e ka orientim të natyrshëm Bashkimin Evropian

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, në 80-vjetorit të Ditës së Fitores ndaj nazizmit e fashizmit, tha se Kosova frymëzohet dhe mishëron vlerat më të larta të demokracisë, lirisë e paqes, “të cilat duam dhe aspirojmë t`i shprehim si shtet kontribues i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë edhe brenda familjes evropiane”, përcjell albinfo.ch.

Kurti në një postim në Fcebook tha se pas shënimit të 80-vjetorit të Ditës së Fitores ndaj nazizmit e fashizmit dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore bashkë me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë të botës demokratike perëndimore, sot e shënojmë Ditën e Evropës, në 75-vjetorin e Deklaratës së ministrit të Jashtëm francez Robert Schuman, që hodhi bazat e themelimit të Bashkimit Evropian.

“Këto dy ditë të rëndësishme për historinë e Evropës festohen e shënohen në perëndim, e jo në lindje. Kosova frymëzohet dhe mishëron vlerat më të larta të demokracisë, lirisë e paqes, të cilat duam dhe aspirojmë t’i shprehim si shtet kontribues i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë edhe brenda familjes evropiane.

Në katër vitet e fundit kemi bërë hapa të mëdhenj në procesin e integrimit evropian, por vendi ynë meriton më shumë. Meriton të jetë pjesë e një procesi të bazuar në meritokraci, meriton të vlerësohet në baza të tilla edhe aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e meriton që mos të mbahet më nën masa ndëshkuese të cilat ishin të padrejta që nga fillimi”, shkruan Kurti.

Kurti shton se situata gjeopolitike në Evropë dhe botë që nga agresioni i pajustifikuar rus ndaj Ukrainës dhe krimet e saj të luftës atje, rrisin nevojën e padiskutueshme për më shumë unitet, bashkëpunim, solidaritet dhe vlera demokratike, gjersa Rusia kërcënon paqen dhe sigurinë e Evropës dhe ka synim destabilizimin e saj.

“Kosova e ka orientim të natyrshëm Bashkimin Evropian. Për ne Bashkimi Evropian nuk është zgjidhje, por zgjedhje. Robert Schuman teksa iu referonte ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, thoshte në deklaratën e tij se: “Një Evropë e bashkuar nuk u arrit dhe ne patëm luftë.”

Le të mësojmë nga historia, le të mësojmë nga e kaluara, le të jetë Evropa më e bashkuar se kurrë më parë, me shtete demokratike në mesin e saj që kontribuojnë për paqe, liri, siguri, progres e prosperitet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më shumë turistë nga Zvicra në Shqipëri

Rritja e numrit të turistëve në shtetin shqiptar ka evuluar në vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.

23 turistë zviceranë ndaluan në Ambasadë të shoqëruar nga fotografi Hans Peter Jost dhe mësuan rreth marrëdhënieve midis dy vendeve, punës së Ambasadës dhe pikave të veçanta të Shqipërisë.

Operatorët turistikë nga të dy vendet tani po punojnë më ngushtë së bashku dhe po ofrojnë paketa më autentike nga ku vizitorët mund të zhyten dhe të eksplorojnë pasuritë e fshehura të historisë dhe kulturës së Shqipërisë.

 

https://www.facebook.com/share/p/16RFqdvZp1/?mibextid=wwXIfr

Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains

Më 2 maj në Vjenë, mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa u bashkuan në një mbrëmje të veçantë, të organizuar nga ekipi i Illyrian Brains, transmeton albinfo.at.

Më shumë se një event, një moment bashkimi për identitetin, krenarinë dhe përkatësinë që na përfaqëson të gjithëve.

Eventi solli në skenë tre shqiptarë frymëzues:

Dr. Andi Binaj –kryemjek i Institutit të Radiologjisë dhe Tomografisë së Kompjuterizuar në LK Melk, ligjërues në Universitetin KLPU. Me pasionin dhe modestinë e tij na rikujtoi se suksesi i vërtetë vjen kur shëron jo vetëm trupin, por edhe shpirtin.

Brikena Statovci –menaxhere e lartë në Programe Korporatash. Shembull i grave lidere në teknologji, e cila ndau përvojën e saj duke thyer kufijtë në ndërtimin e urave mes industrive.

Eno Peçi – balerin, koreograf në Baletin Shtetëror të Vjenës, Ambasador i Kombit të Shqipërisë, Kryqi i Nderit për Shkencën dhe Artin (Austri), Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut (Republika e Shqipërisë). Ai e ktheu skenën në një simbol të bukurisë, disiplinës dhe krenarisë shqiptare.


Paneli u moderua nga Asetila Koestinger von Sonnenland -Trajnere biznesi dhe inovacioni, që udhëheq NVM-të drejt suksesit, stratege në IA, eksperte në start-up-e, e cila me energjinë e saj bëri sallën të ndihej si një shtëpi e përbashkët, ku çdo zë kishte vendin e vet.

Në këtë bashkëbisedim u fol për rrugëtimet e jetës dhe për sfidat që i formësuan, duke i dhënë eventit kuptim dhe vërtetësi.

Dhe, si çdo ngjarje që buron nga zemra jonë kolektive, nuk mungoi as vallëzimi tradicional, një pjesë e pandashme e jona. /Albinfo.at.

 

https://www.linkedin.com/posts/illyrianbrains-team_illyrian-brains-global-meeting-ii-n%C3%AB-vjen%C3%AB-activity-7326323538733228032-NRI5?utm_medium=ios_app&rcm=ACoAAC4uspgBYIn7kjBpWwhqOkSdhZRTTbHE2dE&utm_source=social_share_send&utm_campaign=messenger

Dokumentari zviceran në Kosovë – rikthen gjurmët e harruara të sezonalëve

Një dokumentar i lindur në Zvicër po kthehet, pjesërisht, në qytetet nga ku u nisën ata që dikur quheshin “jugosllavë”. Ishin shqiptarë të Kosovës. Të rinj, shpesh të vetëm, linin fshatrat e tyre me një kontratë sezonale në xhep. Me mijëra, për gati shtatë dekada, ndërtuan rrugët zvicerane, punuan në kuzhinat e saj, korrën frutat e saj. Pastaj u kthyen. Thuajse pa lënë gjurmë.

Ky film dokumentar, i dedikuar atyre, ringjall një kujtesë të fshirë. Dhe për herë të parë, do të shfaqet në Kosovë — në Gjilan, Prishtinë dhe Rahovec.
Regjisorja, Katharine Dominicé, do të shoqërojë çdo shfaqje. Për të parë, bashkë me ta, atë që kanë përjetuar. Për t’ua kthyer atyre që kanë mbetur, historinë e atyre që u larguan.

Të padukshëm, të shfrytëzuar, të heshtur

Nga viti 1934 deri në 2002, Zvicra pranoi punëtorë sezonalë, të kufizuar në një pasiguri të ligjshme. Portugezë, italianë, spanjollë, turq… dhe kosovarë: të gjithë jetonin të izoluar, të survejuar, pa familje dhe pa mundësi integrimi. Sistemi ishte ligjor. Ishte gjithashtu i ashpër. Dhe për shumë kohë i heshtur.

Ndër ta, kosovarët përbënin një valë të heshtur, por masive. Në vitin 1965, dy vëllezër nga Gjilani hapën rrugën në Gjenevë. Në vitet 1980, nën trysninë e regjimit të Millosheviqit, eksodi u intensifikua. Të përjashtuar nga universitetet, të përjashtuar nga tregu i punës, shumë u detyruan të iknin. Zvicra u bë strehë. Punë. Sakrificë.

Të pathënat e një brezi të harruar

E ndërtuar me letra, arkiva dhe heshtje, kjo vepër filmike u jep zë atyre që nuk u dëgjuan kurrë. Një kapitull i tërë i kushtohet punëtorëve sezonalë nga Kosova. Njëri prej tyre rrëfen se nuk ka pasur kurrë guximin t’u flasë fëmijëve për kushtet e jetesës në Zvicër. Të tjerë, të filmuar në vitin 2021 në sheshin e Gjilanit, më në fund gjejnë fjalët. Me ndrojtje. Por pa shmangie.

Ata nuk flasin për të akuzuar. Flasin për të dëshmuar. Dhe për fëmijët, nipërit e mbesat që i dëgjojnë, kjo fjalë e vonuar ndriçon atë që nuk e kanë ditur kurrë: pse prindërit u larguan, çfarë kanë kaluar, dhe pse kaq shumë gjëra kanë mbetur të pathëna.

Midis nevojës dhe harresës – lidhja Kosovë-Zvicër

Ky film nuk mjaftohet me rrëfimin e trajektores individuale. Ai nxjerr në dritë një lidhje historike — mes Zvicrës dhe Kosovës — të ndërtuar mbi varësi ekonomike dhe distancë shoqërore. Një lidhje e vërtetë, por rrallë e artikuluar. Dokumentari e bën të dukshme. Pa patetizëm. Pa idealizim. Me atë kthjelltësi që Camus e quante “drita e zhveshur e realitetit”.

Një tronditje në Zvicër, një jehonë në Kosovë

Në Zvicër, shfaqjet kanë prekur publikun. Spektatorët rikujtuan një sistem migrator që u shfuqizua vetëm në vitin 2002 — një regjim që, në këmbim të nëntë muajve punë, kërkonte fshirjen e gjithçkaje tjetër: familjes, dashurisë, së ardhmes. Letra të hapura u rikthen vendin këtyre burrave. Jo si viktima. Por si figura të dinjitetit.

Një turne, një akt simbolik dhe kolektiv

Duke u rikthyer në Kosovë, filmi realizon një akt të fuqishëm: i kthen fjalën atyre që e kanë jetuar këtë histori, përballë atyre që sot e vazhdojnë.
Përkrah regjisores Katharine Dominicé, do të jenë të pranishëm edhe disa anëtarë të ekipit: familja Avdullahi — protagonistë të xhirimeve në Gjilan —, Antoine Jaccoud, autor i zërit në prapaskenë, i cili do të lexojë një tekst hyrës në çdo shfaqje, si dhe Albana Krasniqi, drejtoreshë e Universitetit të Kulturave në Gjenevë (UPA), partnere aktive e këtij turneu.

Ky kthim nuk është thjesht një akt rikthimi. Është një takim. Një kujtesë që përcillet. Një dialog ndërbreznor mes ish-sezonalëve, fëmijëve të tyre dhe të gjithë atyre që kjo histori i ka formësuar në heshtje.

Kujtesë lokale, pasqyrë botërore

Historia e punëtorëve sezonalë shkon përtej kufijve të Zvicrës. Ajo përshkon mbarë Evropën. Kudo, shoqëritë kanë ndërtuar mirëqenien e tyre mbi punën e të tjerëve — shpesh pa dokumente, pa njohje, pa rrëfim. Letra të hapura lidh kohët, lidh vendet dhe na rikthen te një e vërtetë e thjeshtë: askush nuk e lë shtëpinë pa një arsye.

Duke zbuluar këtë të kaluar, filmi nuk synon të riparojë. Synon të bëjë të dukshme. Të mos e shmangim më shikimin.
As nga hijet e së kaluarës.
As nga pasqyrimet e së tashmes.

INFORMACIONE PRAKTIKE

Titulli i dokumentarit: Letra të hapura
Regjia: Katharine Dominicé

Shfaqjet:
Gjilan – E enjte, 15 maj, ora 15:00 në Universitetin “Kadri Zeka”
Prishtinë – E premte, 16 maj, ora 19:00 në Kinema Armata, në kuadër të Festivalit Polip
🔗 https://qendra.org/programi-festivali-polip-2025/
Rahovec – E shtunë, 17 maj, ora 19:30 në Qendrën Kulturore “Mensur Zyberaj”

Të pranishëm:
– Katharine Dominicé (regjisore)
– Vlora Abdyli, Merita Elezi, Saime dhe Kadri Avdullahi (protagonistë në Gjilan dhe Gjenevë)
– Antoine Jaccoud (autor i zërit në prapaskenë, lexim hyrës)
– Albana Krasniqi (drejtoreshë e Universitetit të Kulturave në Gjenevë, UPA – Gjenevë)

Gjuhët e filmit: frëngjisht, shqip, portugalisht
Titra: shqip dhe anglisht

SHBA dhe evropianët po finalizojnë propozimin për armëpushim 30-ditor në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropianë janë duke finalizuar një propozim për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë. Nëse ky propozim refuzohet, ata do të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar një burim diplomatik francez, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për një armëpushim pa kushte mes Rusisë dhe Ukrainës, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë do të vendosin sanksione të mëtejshme nëse nuk respektohet. Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të pranuar këtë propozim, ndërsa Rusia ka shpallur një armëpushim treditor, nga 8 deri më 10 maj, për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Një burim diplomatik tha se ende nuk ka një projekt final, por shpresojnë që të arrihet një konvergjencë për shpalljen e një armëpushimi. Sipas burimit, mund të shpallet një armëpushim 30-ditor ose një armëpushim i ndarë në pjesë, dhe është ende në diskutim nëse do të ketë një afat kohor për reagimin e Rusisë, transmeton albinfo.ch.

Franca, Britania dhe Gjermania kanë kërkuar koordinim më të ngushtë me SHBA-në në lidhje me këtë propozim. Pas disa kundërshtimeve nga ana e tyre për mënyrën se si mund të përfundojë lufta, ato po punojnë së bashku për të finalizuar një ofertë të përbashkët.

Një takim i aleatëve të ngushtë të Ukrainës është planifikuar të shtunën, ku do të diskutohet propozimi i SHBA-së dhe Evropës. Presidenti Emmanuel Macron ka konfirmuar se Franca do të marrë pjesë në këtë takim. Diskutimet teknike dhe politike midis Evropës dhe SHBA-së janë intensifikuar që nga java e kaluar, transmeton albinfo.ch.

Greva e trenave në Francë: Çfarë duhet të dini për udhëtimet deri më 11 maj?

Ndërsa shumica e trenave në Francë pritet të funksionojnë pa probleme këtë fundjavë, grevat e nisura nga drejtuesit dhe stafi teknik i trenave mund të sjellin vonesa dhe anulime në disa linja, veçanërisht në ato me shpejtësi të lartë. Greva pritet të zgjasë deri më 11 maj dhe përkon me fundjavën e gjatë të festës së 9 Majit, Dita e Fitores në Evropë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Greva është thirrur nga disa sindikata, pas dështimit të negociatave për pagat dhe kushtet e punës. Disa nga njoftimet për grevë përfshijnë:

Sud-Rail (konduktorët): grevë që përfshin datat 8 deri më 10 maj

CGT-Cheminots (shoferët): grevë e hapur që nisi më 5 maj

Mekanikët dhe teknikët: grevë 48-orëshe që nisi më 6 maj

Cilat linja preken?

TGV dhe linjat me shpejtësi të lartë

Greva ka pasur ndikim të veçantë në linjat TGV, ku 60 për qind e konduktorëve janë deklaruar në grevë. Megjithatë, SNCF, kompania kombëtare e trenave, ka bërë të ditur se:

Rreth 96 për qind e trenave pritet të funksionojnë gjatë fundjavës

Pasagjerët do të mund të arrijnë në destinacionin e tyre, edhe nëse vendosen në trena alternativë

Po përdoren menaxherë të trajnuar përkohësisht për të zëvendësuar konduktorët

SNCF premton se pasagjerët do të njoftohen me SMS ose email në rast vonese ose anulimi. Gjithsesi, kontrolloni statusin e trenit tuaj 48 orë përpara nisjes përmes aplikacionit SNCF Connect, transmeton albinfo.ch.

TER dhe Intercités (trena rajonalë dhe ndërqytetës)

Trenat rajonalë panë ndërprerje në fillim të javës, por gjatë fundjavës:

Shumica e shërbimeve TER dhe Intercités pritet të funksionojnë normalisht

Disa rajone, si Nouvelle-Aquitaine, do të përballen me ndërprerje për shkak të punimeve të planifikuara, jo për shkak të grevës

Për informacion të përditësuar, vizitoni faqen rajonale të TER për zonën tuaj (p.sh. ter.sncf.com/normandie).

Rrjeti i transportit në Paris

Shërbimet RER dhe Transilien  të operuara nga SNCF u prekën në fillim të javës, por tani kanë kaluar në normalitet

Metrotë, autobusët dhe tramvajet të operuara nga RATP nuk janë prekur nga greva

Eurostar

Trenat Eurostar që lidhin Francën me Britaninë e Madhe nuk preken nga grevat aktuale.

Çfarë duhet të bëni nëse keni biletë?

Kontrolloni statusin e trenit tuaj 48 orë përpara udhëtimit

Kontrolloni email-in (përfshirë spam) dhe SMS-të për njoftime nga SNCF

Në rast anulimi, mund ta ndryshoni ose anuloni biletën falas, edhe në shërbimet që zakonisht nuk lejojnë rimbursim

Nëse treni juaj anulohet, SNCF ofron kupon 50% ulje për biletën e ardhshme

Po nëse udhëtoni me makinë?

Fundjava e gjatë rreth 9 majit përkon me një fluks të madh trafiku, sipas shërbimit kombëtar të trafikut Bison Futé. Nëse po planifikoni të udhëtoni me makinë, kontrolloni paralajmërimet për bllokime dhe llogaritni kohë shtesë udhëtimi, transmeton albinfo.ch.

 

Eurovision: Thirrje për përjashtimin e Izraelit

Pak para fillimit të Festivalit të Këngës në Eurovision në Bazel, diskutimet politike rreth ngjarjes janë intensifikuar. Disa ish-artistë të Festivalit Evropian të Këngës kanë bërë thirrje për përjashtimin e Izraelit nga eventi, duke e konsideruar pjesëmarrjen e këtij shteti në kundërshtim me vlerat e festivalit. Nemo, një nga emrat e njohur të muzikës, ka mbështetur këtë kërkesë, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Në një intervistë me Huffpost, Nemo shprehu se veprimet e Izraelit janë të papajtueshme me parimet e Festivalit të Këngës, duke e cilësuar absurde praninë e këtij shteti në një ngjarje që duhet të bashkojë popujt përmes muzikës. Menaxhmenti i Nemos e konfirmoi që artisti mbështet thirrjen për përjashtimin e Izraelit.

Ndërkohë, Jonathan Kreutner, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Zvicerane të Komuniteteve Hebraike (SIG), e ka quajtur deklaratën e Nemos të papritur dhe të pasinqertë. Ai theksoi se Izraeli ka qenë pjesë e Eurovisionit për dekada dhe përjashtimi i tij do të cënonte vlerat e festivalit. Kreutner vuri në dukje se kritikat ndaj politikave të Izraelit janë të legjitime, por kërkesat për përjashtimin e shtetit hebre janë të papranueshme dhe nxisin përçarje, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, organizatorët e Eurovisionit, përfshirë Korporatën Evropiane të Transmetimeve (EBU) dhe Korporatën Zvicerane të Transmetimeve (SRG), kanë pranuar komentet e Nemos, por theksuan se festivalet duhet të mbeten jopolitike. Edi Estermann, zëdhënës i ESC, theksoi se mesazhet politike janë të ndaluara gjatë performancave, duke kujtuar se të gjithë artistët janë të detyruar të respektojnë Kodin e Sjelljes.

Megjithatë, ky debat politik pritet të vazhdojë të ndikojë në atmosferën e Eurovisionit, pasi aktivistët pro-Palestinë kanë njoftuar demonstrata për javën e ardhshme të eventit. Politika mund të mos mungojë as këtë vit, edhe pse organizatorët e Eurovisionit po punojnë për të mbajtur ngjarjen të fokusuar vetëm në muzikë dhe kulturë, transmeton albinfo.ch.

Zyrat e shtetësisë në Berlin ofrojnë takime pa termin paraprak më 14 maj

Në një nismë të veçantë, më 14 maj, banorët e Berlinit do të mund të vizitojnë zyrat e shtetësisë pa pasur nevojë për të rezervuar një takim paraprak. Ky shërbim do të ofrohet në nëntë nga dymbëdhjetë distriktet e qytetit, duke lejuar qytetarët të aplikojnë për pasaporta dhe kartat elektronike të identitetit pa pritur javë të tëra për një takim, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Kjo iniciativë është pjesë e një “dite veprimi” të organizuar nga Senati i Berlinit dhe synon të ofrojë një mundësi shtesë për të kryer shërbime administrative që lidhen me dokumentet e identitetit. Megjithatë, për shërbimet e regjistrimit të adresës (Anmeldung), qytetarët do të duhet të bëjnë një rezervim paraprak, përveçse ata që kanë një kartë të vlefshme eID ose leje qëndrimi.

Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, theksoi se kjo është një mundësi e shkëlqyer për qytetarët, ndërsa Sekretarja e Dixhitalizimit, Martina Klement, shprehu shpresën se ky shërbim mund të bëhet një praktikë e përhershme në të ardhmen, nëse testi i ditës së aksionit është i suksesshëm.

Ndërkohë, për ata që jetojnë në distriktet Pankow, Reinickendorf dhe Lichtenberg, nuk do të jetë e mundur të përfitojnë nga ky shërbim pa takim, pasi këto zona nuk do të marrin pjesë në këtë veprim.

Qytetarët që planifikojnë të shfrytëzojnë mundësinë e kësaj dite të veçantë këshillohen të jenë të gatshëm për pritje më të gjata, pasi ka mundësi që numri i vizitorëve të jetë i lartë, transmeton albinfo.ch.

Hetimi për aksidentin ajror në Graz në 2024 i kalon Zvicrës

Autoritetet zvicerane kanë marrë zyrtarisht përsipër hetimin për aksidentin e fluturimit të kompanisë Swiss në Graz, pas dyshimeve serioze për shkelje brenda agjencisë austriake që menaxhon sigurinë në transport, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Aksidenti ndodhi më 23 dhjetor 2024, kur fluturimi LX1885, që udhëtonte nga Bukureshti për në Cyrih, u detyrua të bënte ulje emergjente në Graz për shkak të një dështimi të motorit. Pasagjerët dhe ekuipazhi u përballën me tym të dendur në kabinë, ndërsa një asistente fluturimi 23-vjeçare nga Cyrihu humbi ndjenjat për shkak të mungesës së oksigjenit dhe ndërroi jetë një javë më vonë në spital.

Hetimi fillestar u menaxhua nga Bordi Austriak i Hetimit të Sigurisë së Transportit (SUB), por u përball me kritika të menjëhershme për mënyrën e trajtimit të rastit. Sipas raportimeve të gazetës Tages-Anzeiger, autoriteti austriak vonoi njoftimin e agjencive ndërkombëtare, nuk ishte i disponueshëm për ditë të tëra dhe trajtoi në mënyrë të papërshtatshme provat, përfshirë edhe maskat e frymëmarrjes.

Situata u përshkallëzua kur firma ligjore vjeneze List Rechtsanwalts GmbH paraqiti një padi penale ndaj SUB-së, duke ngritur akuza për korrupsion, pengim të drejtësisë, shtypje të provave dhe abuzim me pushtetin zyrtar, transmeton albinfo.ch.

Prokuroria Publike e Vjenës ka nisur hetimet ndaj shtatë punonjësve të SUB-së, përfshirë edhe drejtorin e agjencisë.

Për të shmangur çdo konflikt interesi dhe për të garantuar transparencë, austriakët ia kanë dorëzuar hetimin autoritetit homolog zviceran, Bordi Zviceran i Hetimit të Sigurisë së Transportit (SUST). Zvicra pritet të rishikojë nga e para të gjitha veprimet hetimore dhe të japë një përgjigje të qartë për shkakun e saktë të tymit në kabinë, reagimin e ekuipazhit, funksionimin e sistemit të oksigjenit dhe pajisjeve të tjera emergjente.

Kompania ajrore Swiss nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi ndërrimin e autoritetit hetimor, por një zëdhënës deklaroi se duan përgjigje.

“Ne duam përgjigje dhe jemi të përkushtuar për një hetim të thelluar  në nder të koleges sonë të ndjerë, familjes së saj dhe sigurisë së aviacionit në tërësi.”

SUB është kritikuar edhe për një tjetër rast të vitit 2024, i njohur si “fluturimi me breshëri”, ku një avion austriak u përball me një incident të rrezikshëm që dyshohet të ketë ndodhur për shkak të gabimit të pilotit. Edhe në atë rast, Austria e dorëzoi hetimin për shkak të mungesës së besueshmërisë institucionale, transmeton albinfo.ch.

Pse zviceranët ruajnë Vatikanin?

Në një botë ku neutraliteti zviceran është legjendar, mund të duket paradoksale që një nga pranitë ushtarake më të famshme jashtë Zvicrës, sado ceremoniale të duket, të jetë pikërisht në shërbim të Papës në Vatikan. Por prania e Rojeve Zvicerane atje është rrënjosur thellë në histori, traditë dhe simbolizëm, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Në Mesjetë, Zvicra (ose Helvetia) ishte një rajon rural dhe i varfër. Për të siguruar mbijetesën, shumë të rinj u rekrutuan si mercenarë, të gatshëm të luftonin për ata që paguanin më mirë. Me disiplinë të hekurt dhe guxim në betejë, ata fituan reputacion të lartë në gjithë Evropën. Aq shumë, sa që në vitin 1506, Papa Julius II punësoi 150 ushtarë zviceranë për ta mbrojtur personalisht.

Më 6 maj 1527, gjatë plaçkitjes së Romës, mercenarë gjermanë dhe spanjollë sulmuan qytetin. Nga 189 roje zvicerane, 147 u vranë, ndërsa vetëm 22 arritën të shpëtonin Papën Klement VII, duke e shoqëruar në Castel Sant’Angelo. Ky akt vetësakrifice është baza e përkushtimit të Gardës Zvicerane, dhe më 6 maj çdo vit rekrutët betohen në kujtim të këtij momenti historik, transmeton albinfo.ch.

Rojet e Vatikanit njihen për uniformat shumëngjyrëshe të stilit të Rilindjes, por në detyrat e përditshme, si drejtimi i trafikut apo kontrolli i hyrjes, ata mbajnë uniforma blu, më të thjeshta. Megjithëse mbajnë shtiza ceremonialë, ata janë të trajnuar me armë moderne dhe funksionojnë vërtet si trup ushtarak, jo si simbol dekorativ.

Për t’u pranuar në Gardën Zvicerane, një kandidat duhet të jetojë në Zvicër dhe të ketë shtetësi zvicerane, të jetë i pamartuar, katolik praktikant dhe të ketë karakter të mirë moral, të ketë përfunduar shërbimin ushtarak zviceran (të paktën dy vjet), të jetë së paku 175 cm i gjatë, si dhe të ketë vërtetime nga famullia dhe autoritetet lokale. Shumica e rekrutëve shërbejnë për rreth dy vjet, përpara se të kthehen në Zvicër.

Rojet Zvicerane përfaqësojnë një bashkim mes besnikërisë historike dhe mbrojtjes moderne, duke qëndruar si simbol i vazhdueshëm i lidhjes së lashtë mes Vatikanit dhe Zvicrës. Ata nuk janë vetëm mbrojtësit e Papës, por edhe një kujtesë e gjallë e një kapitulli të pasur nga historia evropiane, transmeton albinfo.ch.

Bazeli shndërrohet në një metropol muzikor për Eurovisionin 2025

Qyteti zviceran i Bazelit po përgatitet të kthehet në epiqendrën evropiane të muzikës nga 10 deri më 17 maj 2025, teksa pret Festivalin e Këngës Eurovision. Me një program të pasur artistik e festiv, që shtrihet përtej netëve të shfaqjeve, organizatorët synojnë të përfshijnë gjithë qytetin dhe vizitorët në një përjetim të gjithanshëm të Eurovisionit, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i Kantonit Basel-Stadt, Conradin Cramer, ka theksuar se synimi është që atmosfera e Eurovisionit të ndjehet në çdo cep të qytetit gjatë gjithë javës. “Faza e Eurovisionit nuk është vetëm një shfaqje televizive. Është një ngjarje për të gjithë komunitetin,” tha ai në një konferencë për shtyp në mars.

Fshati i Eurovisionit dhe EuroClub – zemra e festimeve

Në Sallën 1 të Qendrës së Panairit të Bazelit do të ngrihet Fshati i Eurovisionit, i hapur për publikun pa nevojë për bileta. Deri në 12 000 vizitorë në ditë mund të shijojnë koncerte, ushqime, pije dhe aktivitete të shumta. Yje si Remo Forrer, Anna Rossinelli, Conchita Wurst dhe Luca Hänni do të performojnë për fansat.

Për ata që kërkojnë një atmosferë festive nate, EuroClub, me kapacitet për 3 000 vetë, do të ofrojë net të mbushura me performanca të artistëve të njohur të Eurovisionit, si Gjon’s Tears, Gunvor, Keiino dhe Emmelie de Forest. Ndërsa EuroCafé, më i qetë dhe falas për të gjithë, do të ofrojë karaoke, bar dhe hapësira për çlodhje.

Ngjarje për të gjithë – nga xhazi te karaoke

Në Barfüsserplatz do të organizohen koncerte të artistëve lokalë dhe ndërkombëtarë me tematikë të ndryshme çdo ditë. Të dielën mbahet Dita e Xhazit, të mërkurën është Dita e Eurovisionit dhe të enjten vjen Pop & Karaoke. Muzika do të pushtojë gjithashtu Bulevardin e Eurovisionit përgjatë Rinit, ku baret dhe restorantet do të qëndrojnë të hapura 24 orë në ditë, transmeton albinfo.ch.

Përfshirje dhe diversitet kulturor

Përveç artistëve profesionistë, në festival marrin pjesë edhe komunitete lokale, si kori “Singsieme” dhe kori “Weischno” i personave me Alzheimer. Në skenat e hapura do të performojë edhe Orkestra Rinore e Bazelit, si dhe grupe vallëzimi nga Festivali i Vallëzimit në Basel.

Një moment emocionues i programit është “Këndo! Bazel”, një ngjarje interaktive ku publiku ftohet të këndojë së bashku në sheshe publike.

Transport i organizuar dhe i gjelbër

Organizatorët kanë bërë apel për të shmangur përdorimin e makinës. Linjat e transportit publik janë shtuar, përfshirë linjat e natës dhe trenat specialë për ditën e finales. Mbajtësit e biletave të ngjarjeve kryesore mund të udhëtojnë falas brenda rajonit përmes rrjeteve TNW, RVL dhe Distribus.

Austri: Nxënësi 15-vjeçar pranon se ka dërguar kërcënime për bomba në tre shkolla

Një nxënës 15-vjeçar nga qyteti i Linzit ka pranuar se qëndron pas disa kërcënimeve me bomba të dërguara me email në shkolla në Austri, duke shkaktuar evakuime dhe ndërhyrje emergjente në tri institucione arsimore. Kështu ka bërë të ditur Policia austriake në një njoftim zyrtar të martën, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Kërcënimet, të cilat u dërguan në një shkollë në Linz, një tjetër në Traun dhe një në St. Veit an der Glan në Karinthia, alarmuan autoritetet e sigurisë të enjten e kaluar. Pasi ndërtesat u evakuuan, ekipet policore kryen kontrolle të hollësishme, por nuk gjetën pajisje shpërthyese apo sende të dyshimta.

Hetimet e njësive të krimeve kibernetike çuan në identifikimin e adoleshentit, i cili fillimisht u përpoq të fshihte identitetin e tij. Sipas të dhënave të publikuara nga media austriake ORF, gjatë një bastisjeje në banesën e familjes, hetuesit gjetën vetëm motrën e tij. I riu u kthye më vonë në shtëpi bashkë me kujdestarët ligjorë dhe, pas mohimeve fillestare, pranoi përgjegjësinë, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, nxënësi ka përmendur stresin shkollor si arsye për veprimet e tij. Ai tani përballet me tri akuza penale për kërcënime të rrezikshme.

Ky rast vjen në një kohë kur Austria është përballur me një valë kërcënimesh me bomba, kryesisht ndaj institucioneve publike. Vitin e kaluar, një incident i ngjashëm në St. Pölten çoi në mbylljen e 16 shkollave dhe ndikoi mbi 5 000 nxënës. Megjithatë, autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka prova që e lidhin 15-vjeçarin nga Linzi me këtë rast më të gjerë.

Policia austriake ka paralajmëruar për një model të rritjes së kërcënimeve të tilla dhe ka vënë në dukje se disa individë mund të veprojnë si imitues ose për përfitime momentale. Hetimet për kërcënimet në shkallë të gjerë janë ende duke vazhduar, transmeton albinfo.ch.

Fribourg: Arrestohen shtatë të rinj për mashtrim të moshuarve, paraqiteshin si policë të rremë

Policia kantonale e Fribourg-ut ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për një seri mashtrimesh ndaj të moshuarve, duke u paraqitur si oficerë policie apo punonjës bankash. Të arrestuarit, shtetas nga Zvicra dhe Franca, janë të moshës 18 deri në 22 vjeç dhe akuzohen për përfitime në disa dhjetëra mijëra franga zvicerane brenda dhjetë ditëve të fundit, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kontaktonin viktimat përmes telefonit duke u paraqitur si autoritete dhe duke i mashtruar se llogaritë e tyre bankare ishin manipuluar. Më pas, ata shkonin në shtëpitë e viktimave, të moshës nga 73 deri në 95 vjeç, duke pretenduar se kishin ardhur për të “mbrojtur” kartat bankare, fjalëkalimet, para të gatshme dhe sende me vlerë.

Mashtrimet janë regjistruar në qytetin e Fribourg-ut, si dhe në Ursy, Le Mouret, Estavayer-le-Lac, Villars-sur-Glâne, Matran dhe Marly. Nga gjithsej 14 raste, në gjashtë prej tyre autorët nuk kanë arritur të përfitojnë, transmeton albinfo.ch.

Policia tha se hetimet janë në vazhdim dhe ende nuk është e qartë nëse të gjitha rastet janë të ndërlidhura. Po ashtu, u theksua se që nga fillimi i vitit është vërejtur një rritje e dukshme e rasteve të tilla, sidomos në pjesën frëngjishtfolëse të kantonit të Fribourg-ut.

Dëmi total nga 23 rastet e mashtrimit të regjistruara deri më tani vlerësohet në rreth 300 000 franga zvicerane. Përveç parave, janë vjedhur edhe bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Policia ka paralajmëruar qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe ka rikujtuar se zyrtarët e saj nuk kërkojnë kurrë të hyjnë në shtëpi private për të marrë të dhëna bankare apo objekte me vlerë. Masat parandaluese kanë bërë që të parandalohen 48 përpjekje të tjera për mashtrime, transmeton albinfo.ch.