Liderët evropianë mbërrijnë sot në Tiranë

Sytë e gjithë Europës drejtohen sot dhe nesër drejt Tiranës.

Këtë 15 maj, 47 liderë të Bashkimit Evropian dhe vendet partnere do të mbërrijnë në Tiranë, ku do të priten në një darkë nga Kryeministri Edi Rama një ditë para Samitit të Komunitetit Politik që do të mbahet më 16 maj, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, kryeministri britanik Keir Starmer, do të nisë një vizitë zyrtare bilaterale, ku pritet të zhvillojë dhe një takim “kokë më kokë” me kryeministrin Edi Rama për të vijuar më pas me bisedimet mes dy delegacioneve.

Për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” (dhe pikat e tjera të kalimit kufitare PKK Hani i Hotit dhe PKK Morinë) në drejtim të Tiranës, Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash të cilat përfshijnë bllokime të akseve rrugore për automjetet e qytetarët.

Më datë 15.05.2025, nga ora 08:00 – 24:00, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në intervalin kohor të lëvizjes së  delegacioneve në aksin rrugor: “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas, Hyrja te autostrada e re “Thumanë-Kashar”,  Autostrada “Durrës-Tiranë”, Mbikalimi i Kasharit , Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja”, Unaza e Re krahu i Astirit,  Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta”, Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër , Rruga e Elbasanit,  Hotel “Plaza”, Rruga “George W. Bush”, Rruga “28 Nëntori”, Rruga e Dibrës, Rruga “Urani Pano”, Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit).”

Presidentja Osmani nis konsultimet me liderët e partive

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot do të nisë takimet me liderët e partive, me të cilat synohet t’i jepet zgjidhje ngërçit politik, përcjell albinfo.ch.

Në ditën kur deputetët do të mblidhen për vazhdimin e 16-të me radhë të seancës konstituive, Osmani do t’i presë liderët në Presidencë. 

Të gjithë përfaqësuesit e partive politike që janë ftuar nga presidentja kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen ftesës.

Vlen të theksohet se takimet nisin në orën 13:00. 

Kjo nuk është nisma e parë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, parti kjo që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, ftoi në takim liderët e dy subjekteve kryesore politike, Memli Krasniqin që e drejton Partinë Demokratike, si dhe Lumir Abdixhikun, i cili është në krye të Lidhjes Demokratike. Ftesës iu përgjigj pozitivisht vetëm Krasniqi, por takimi nuk ka prodhuar rezultat.

Kurti i ka dërguar dy herë letër Abdixhikut, për negociata koalicioni. Ato janë refuzuar.

Por, në përgjigje të letrës së dytë, Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzicioni me mandat deri në zgjedhjen e presidentit që bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Ideja është hedhur poshtë nga të gjitha subjektet politike.

Hera e 16-të, Kuvendi edhe sot përpiqet të konstituohet

Vazhdimi i gjashtëmbëdhjetë për konstituimin e seancës së legjislaturës së nëntë mbahet sot nga ora 10:30, përcjell albinfo.ch.

Pesëmbëdhjetë përpjekjet e deritanishme kanë dështuar për shkak se koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për kryetarin e ri të Kuvendit.

Maratona e seancës konstitutive, e cila assesi nuk po arrin të merr “dritën e gjelbër” vazhdon, ndërsa presidentja Vjosa Osmani do të takojë pasdite partitë politike për dalje nga ngërçi politik.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa po insistojnë që votimi për zgjedhjen e ish-ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për kryetare të re të legjislativit, të mbahet në mënyrë të fshehtë. Kjo çështje të hënën u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese.

Albulena Haxhiu, e propozuara e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa, ka dështuar gjashtë herë të merr votat e nevojshme, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA kanë shprehur kundërshtinë e tyre.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt, ndërsa rezultatet janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor më 27 mars.

Dy nxënës nga Kosova fitojnë nga 5 medalje në Paris

Nxënësit nga Kosova, Lijana Bejta dhe Amar Abdullahu kanë fituar nga 5 medalje në Paris në garën ndërkombëtare “Hi Lingua”, transmeton albinfo.ch.

Të dy nxënësit kanë treguar performancë të lartë në raport me shumë fëmijë të shteteve të botës.

Lijana Bejta fitoi 5 medalje në: Spelling Bee, Debate, Quiz Show, Ese, Provimi Final.

Ndërkohë edhe Amar Abdullahu gjithashtu fitoi 5 medalje: Debate, Quiz Show, Spelling Bee, Essay Writing, Final Exam

“ Dy nxënës të shkëlqyer të shkollës sonë, Lijana Bejta dhe Amar Abdullahu, përfaqësuan me krenari Kosovën në garën ndërkombëtare “Hi Lingua” të mbajtur në Paris  dhe u kthyen me plot medalje suksesi”, ka shkruar faqja e shkollës “Naim Frashëri” në Podujevë.

Suedia bashkë me Kosovare Asllanin drejt një suksesi historik

Kosovare Asllani, futbollistja me prejardhje nga Kosova dhe një nga emrat më të njohur të futbollit suedez, ka udhëhequr ekipin e saj, London City Lionesses, drejt një suksesi historik, përcjell albinfo.ch.

Me një barazim dramatik 2–2 ndaj Birmingham, ekipi siguroi ngjitjen në Super League, ligën më të lartë të futbollit për femra në Angli.

“Jam jashtëzakonisht krenare për ekipin,” tha Asllani pas ndeshjes. Ky sukses vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku Asllani, së bashku me bashkëlojtarët e saj, përfshirë edhe bashkëkombëset suedeze Sofia Jakobsson dhe Julia Roddar, arritën të transformojnë ekipin në vetëm një vit.

Ky është një moment krenarie për Suedinë, për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e përkushtimit dhe bashkëpunimit.

Lexoni më shumë rreth këtij suksesi në artikullin e plotë nga Vimmerby Tidning:

https://www.vimmerbytidning.se/sport/fotboll/artikel/vimmerbytjejen-efter-dramatiken-sa-jadra-stolt/rx72mwgl?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR7cadpL7WtPM_WpNrBPHavUFPyYoxe9fZ0flzDWDkt4RoP8zl82YsEA7rVL1w_aem_xpQL7ftz_VRcsm7zb4w3rA

A do të ribashkohen Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka në Basel?

Xherdan Shaqiri e ka hapur derën. Por shtrohet pyetja se kush tjetër do të rikthehet te Baseli?

A do të ribashkohen Yann Sommer, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka në Basel?

Këto pyetje e bën gazeta zvicerane “Luzerner Zeitung”, përcjell albinfo.ch.

Gazeta e njohur zvicerane ka bërë një analizë se në çfarë rrethanash mund të bëhen bashkë Sommer, Shaqiri dhe Xhaka si dhe disa lojtarë tjerë që në të kaluarën kanë luajtur për Baselin.

“Ata luajtën së bashku për vite me radhë në ekipin kombëtar të Zvicrës. Bashkë ishin edhe te Baseli”, shkruan gazeta zvicerane.

Xhaka 32-vjeçar luajti nga viti 2009 deri në vitin 2012 për Baselin.

Sommer 36-vjeçar luajti nga dy periudha te Baseli. Fillimisht nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe 2010 deri në vitin 2014.

Xhaka më herët ka shprehur dëshirën në një të ardhme të kthehet te Baseli. Por aktualisht Galatasaray synon transferimin e mesfushorit të Leverkusenit.

Sommer është portier i parë i Interit.

Kthimi i Shaqirit te Baseli ishte i qëlluar. Ai udhëhoqi Baselin drejt titullit të 21-të në histori të klubit. Ndikimi i Shaqirit në suksesin e Baselit ishte i madh. Ai mund të ketë ndikim edhe në kthimin e shumë yjeve tjerë të futbollit, që në të kaluarën kanë luajtur për Baselin dhe skuadrat tjera zvicerane.

Shaqiri për Baselin kishte luajtur nga viti 2010 deri në vitin 2012. U rikthye në gusht të vitit të kaluar.

Një në katër makina të shitura në botë këtë vit pritet të jetë elektrike

Bota po lëviz drejt një epoke të re në industrinë automobilistike: automjetet elektrike janë gjithnjë e më të pranishme në rrugët e botës dhe këtë vit pritet të shënohet një rekord i ri. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), më shumë se 25% e të gjitha automjeteve të shitura në rang global gjatë vitit 2025 do të jenë elektrike,  një shifër që përfaqëson më shumë se 20 milionë njësi.

Ky zhvillim ndodh në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, ndërsa sektori i automobilave përjeton presione të ndryshme. Megjithatë, sipas raportit vjetor “Global EV Outlook”, kërkesa për automjete elektrike po vazhdon të rritet me ritme mbresëlënëse, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2024, shitjet globale të EV-ve tejkaluan 17 milionë, duke përfaqësuar për herë të parë mbi një të pestën e tregut. Kina ruan pozicionin udhëheqës në këtë transformim, me mbi 11 milionë makina elektrike të shitura vitin e kaluar  aq sa ishte i gjithë tregu global vetëm dy vite më parë.

Ndërkohë, tregjet në zhvillim si Azia dhe Amerika Latine kanë parë një rritje të shitjeve deri në 60%, duke treguar se vala e elektrifikimit po përhapet përtej vendeve të zhvilluara. Në SHBA, rritja ishte më e moderuar, rreth 10%, ndërsa në Evropë shitjet stagnuan, ndikuar nga dobësimi i stimujve financiarë.

Një fenomen interesant po ndodh në Kinë: dy të tretat e EV-ve të shitura aty janë më të lira se makinat me motorë tradicionalë, edhe pa subvencione shtetërore. Në vende të tjera, ky hendek në çmim vazhdon të jetë një pengesë për përhapjen masive të automjeteve elektrike.

Në tre muajt e parë të këtij viti, rritja vjetore e shitjeve arriti 35%, duke e bërë të qartë se tregu është në ngritje të qëndrueshme. Çmimet e përballueshme dhe kostot më të ulëta të mirëmbajtjes i bëjnë EV-të një alternativë gjithnjë e më tërheqëse  edhe nëse çmimet e naftës bien ndjeshëm, drejtimi i një makine elektrike mbetet më i lirë në shumë tregje.

“Automjetet elektrike po bëhen pjesë e realitetit tonë të përditshëm, dhe ritmi i rritjes së tyre flet qartë për të ardhmen e industrisë,” tha Fatih Birol, Drejtor Ekzekutiv i IEA. “Ne presim që këtë vit, një në katër makina të shitura në botë të jetë elektrike. Deri në fund të dekadës, ky raport mund të shkojë në dy nga çdo pesë.”

Ky ndryshim nuk është thjesht teknologjik  ai është transformues për mënyrën se si e përfytyrojmë transportin dhe ndikimin e tij në mjedis, ekonomi dhe jetën tonë të përditshme.

Mbi 100 të vdekur nga konsumi i alkoolit të falsifikuar në 3 muajt e fundit në Turqi

Mbi 100 persona kanë humbur jetën në kryeqytetin turk, Ankara, gjatë tre muajve të fundit nga konsumimi i alkoolit të falsifikuar.

Sipas agjencisë turke të lajmeve DHA, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka nisur një hetim për prodhimin dhe shpërndarjen e alkoolit të paligjshëm. Raporti njofton se 109 persona kanë vdekur, ndërkohë që 29 të tjerë janë ende në trajtim intensiv, përcjell albinfo.ch.

Hetuesit kanë arrestuar deri tani 44 të dyshuar. Problemi i alkoolit të falsifikuar është i përsëritur në Turqi, ku pijet alkoolike janë relativisht të shtrenjta për shkak të taksave të larta.

Papa Leone XIV ofron gatishmërinë për ndërmjetësim në kriza ndërkombëtare

Papa Leone XIV ofroi sot ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë në përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, gjatë një audience me përfaqësuesit e Kishave Lindore, në Vatikan.

Në një fjalim të mbajtur në këtë takim, Papa Leone theksoi gatishmërinë e Kishës për të ndihmuar në krijimin e mundësisë për dialog midis palëve në konflikt. “Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme të ofrojë mundësinë që armiqtë të ulen, të përballen dhe të flasin me njëri-tjetrin,” shpjegoi ai.

Papa Leone XIV, i njohur më parë si Kardinali Robert Francis Prevost dhe i pari Papa që ka lindur në SHBA, u bëri thirrje liderëve politikë që të bashkohen dhe të kërkojnë zgjidhje përmes negociatave. “Unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që kjo paqe të ruhet. Lufta nuk është kurrë e pashmangshme,” u shpreh ai.

Papa, i cili u zgjodh si pasues i Papës Françesku pas konklavës javën e kaluar, përmendi disa nga konfliktet aktuale që po shkatërrojnë botën, përfshirë ato në Gaza, Ukrainë, Liban, Siri, Tigrai dhe Kaukaz. “Fqinjët tanë nuk janë armiqtë tanë së pari, ata janë thjesht njerëz të tjerë,” shtoi ai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën që Kisha të vazhdojë të bëjë thirrje për paqe dhe të mos lodhet me fjalët e saj: “Le të ndalen armët.”

Deklarata e Papës Leone XIV erdhi disa ditë pas kërkesës së tij për të marrë masa për të përfunduar luftërat globale gjatë lutjeve të tij të para të dielën. Ceremonia e inaugurimit të tij në krye të Vatikanit do të mbahet këtë të diel, me pjesëmarrjen e kancelarit gjerman Friedrich Merz, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance.

 

10 gabimet që duhet të shmangësh në RAV që të mos humbësh ndihmën nga papunësia

Nëse je i papunë në Zvicër dhe i regjistruar në RAV, duhet të ndjekësh disa rregulla të rëndësishme. Nëse i thyen, rrezikon të humbasësh ndihmën financiare, transmeton albinfo.ch. Ja cilat janë gabimet më të zakonshme dhe si t’i shmangësh:

1. Mosaplikimi për punë gjatë periudhës së njoftimit

Duhet të fillosh të kërkosh punë menjëherë pasi pushohesh, edhe nëse je ende duke punuar. Përndryshe, mund të të ndalen pagesat për disa ditë.

2. Dorëzimi me vonesë i provave për aplikimet

Dokumentet për përpjekjet që bën për të gjetur punë duhet t’i dërgosh çdo muaj, deri më 5 të muajit tjetër. Nëse vonohesh, ndëshkohesh.

3. Mungesa në takimet me RAV

Nuk mund t’i mungosh takimeve pa arsye serioze. Nëse nuk paraqitesh, humb të drejtën për pagesa për disa ditë.

4. Refuzimi i një pune që të cakton RAV

Nuk mund ta refuzosh një punë që RAV e konsideron të përshtatshme. Nëse e refuzon pa arsye të fortë, ndëshkohesh rëndë.

5. Dorëheqja pa pasur një vend tjetër pune

Nëse largohesh vetë nga puna pa zgjidhje tjetër, konsiderohesh vetë fajtor për papunësinë dhe humb ndihmën për 1–2 muaj.

6. Regjistrimi i vonuar në RAV

Duhet të regjistrohesh që në ditën e parë të papunësisë. Nëse vonohesh, nuk paguhesh për ditët para regjistrimit.

7. Largimi i parakohshëm gjatë periudhës së njoftimit

Duhet të qëndrosh në punë deri në fund të afatit të largimit. Nëse largohesh më herët, dëmtohesh vetë.

8. Pushime pa njoftuar RAV

Nuk mund të marrësh pushime pa lejen e RAV. Nëse shkon me pushime pa njoftim, nuk paguhesh dhe rrezikon ndëshkim.

9. Refuzimi i kurseve të trajnimit

Nëse RAV të dërgon në një kurs, duhet të shkosh. Edhe nëse ke qenë në një kurs të ngjashëm më parë.

10. Mosraportimi i një pune të përkohshme

Edhe nëse punon vetëm disa ditë, duhet ta raportosh. Përndryshe, përveç ndëshkimeve, mund të përballesh edhe me pasoja ligjore.

Tradita e pushimeve: Ku do të shkojnë austriakët në verën e 2025?

Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet për austriakët në verën e 2025, edhe pse buxhetet po bëhen më të ngushta. Sipas një sondazhi të ri nga ÖAMTC, 96% e austriakëve planifikojnë të udhëtojnë këtë vit, megjithëse shumë prej tyre thonë se do të kenë nevojë të jenë më të kujdesshëm me shpenzimet.

Nga plazhet e Italisë, te liqenet austriake, pushimet e verës mbeten një mundësi për relaksim dhe shijim të natyrës. Këto janë destinacione të njohura që vazhdojnë të tërheqin austriakët, pavarësisht vështirësive ekonomike.

Megjithë inflacionin dhe çmimet e larta të udhëtimeve, dëshira për pushime mbetet e fortë. Sipas sondazhit të ÖAMTC, i zhvilluar me 1,000 persona nga 18 deri në 69 vjeç, pothuajse të gjithë përgjigjësit planifikojnë të kalojnë të paktën një pushim këtë verë. Rreth 70% dëshirojnë të udhëtojnë jashtë vendit, ndërsa gjysma planifikojnë të kalojnë pushime brenda Austrisë. Vetëm 4% nuk kanë planifikuar ende asnjë udhëtim, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, përballë kostove të larta, ecuria e shpenzimeve do të jetë më e matur. Gati 60% e përgjigjësve thonë se do të bëjnë kursime, me një në pesë që do të duhet të zvogëlojnë ndjeshëm shpenzimet. Më të zakonshmet janë: zgjedhja e akomodimeve më të lira, kufizimi i shpenzimeve për ushqim dhe aktivitete, ose shkurtimi i kohëzgjatjes së udhëtimit.

Buxheti mesatar për pushime këtë vit është 1,233 euro për person, 171 euro më shumë se vitin e kaluar. Megjithatë, për shkak të inflacionit, udhëtarët nuk do të kenë më shumë për paratë e tyre. Udhëtarët individualë dhe pensionistët shpenzojnë më shumë se mesatarja, ndërsa familjet me fëmijë kanë planifikuar rreth 120 euro më pak për person.

Një tendencë e qartë këtë verë është dashuria e austriakëve për detin. Gati gjysma e tyre planifikojnë të kalojnë pushime në bregdet, dhe destinacionet kryesore janë të njohura: Italia dhe Kroacia janë sërish në krye të listës, pasuar nga Greqia. Gjermania dhe Spanja mbushin pesë vendet më të preferuara. Dielli, pushimi dhe koha pranë ujit mbeten prioritetet kryesore.

Por, udhëtimi brenda Austrisë gjithashtu mbetet popullor. Rreth gjysma e të anketuarve planifikojnë të kalojnë të paktën një pushim brenda vendit. Carinthia, Styria dhe Lower Austria janë veçanërisht të popullarizuara për “staycation”.

Për udhëtimin drejt destinacioneve të pushimeve, austriakët vazhdojnë të mbështeten te makinat private. Sipas sondazhit, 71% e të anketuarve planifikojnë të përdorin makinën e tyre për të paktën një pjesë të udhëtimit, megjithatë vetëm 37% do të mbështeten ekskluzivisht në të. Varësisht nga destinacioni, shumë kombinon udhëtimin me fluturime (21%) ose udhëtime me tren (13%).

Familjet e preferojnë më shumë makinën private, me 75% që e konsiderojnë atë mundësinë më të mirë. Por për udhëtarët nën 40 vjeç, përdorimi i makinave me qira është në rritje.

Udhëtarët individualë janë më të prirur të përdorin transportin publik. Një të tretën e udhëtarëve solo planifikojnë të udhëtojnë me tren, dhe më shumë se një e katërta do të udhëtojnë me autobusë të largët. Sondazhi sugjeron se preferencat e udhëtimit janë të lidhura ngushtë me shoqëruesit dhe me sa fleksibilitet dëshirojnë ata pas arritjes në destinacion.

 

Rënie e ndjeshme e kalimeve të parregullta në kufijtë e BE-së në fillim të vitit 2025

Kalimet e paligjshme në kufijtë e Bashkimit Evropian kanë shënuar një rënie të konsiderueshme gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të fundit nga BE-ja, nga janari deri në prill janë regjistruar rreth 47 mijë kalime të parregullta, një ulje prej afro 30%.

Rënia më e theksuar është vërejtur përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor, ku numri i rasteve ka rënë në rreth 3 100, një rënie prej 58% në krahasim me vitin e kaluar. Edhe rrugët e tjera kryesore të migracionit kanë shënuar ulje, ndonëse më të moderuara: në Mesdheun Qendror  nga Afrika e Veriut drejt Italisë  janë regjistruar rreth 15 700 hyrje të paligjshme, një rënie prej 3%, ndërsa në Mesdheun Lindor, drejt Greqisë, shifrat kanë rënë me 30%, në afro 12 200, transmeton albinfo.ch.

Komisioneri Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, u shpreh se këto shifra dëshmojnë efektivitetin e një qasjeje më të koordinuar në nivel evropian. Ai nënvizoi gjithashtu se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore mbetet një përparësi e padiskutueshme, duke theksuar se organizatorët e këtyre udhëtimeve të rrezikshme shpesh kërkojnë tarifa që mund të kapin shifra pesëshifrore.

Sa i përket prejardhjes së migrantëve, shumica e të mbërriturve së fundmi vijnë nga Bangladeshi, Afganistani dhe Mali.

Të dhënat janë mbledhur nga Frontex, agjencia evropiane për mbrojtjen e kufijve, e cila aktualisht ka në terren rreth 3 200 oficerë që patrullojnë kufijtë e jashtëm të bllokut.

 

 

Nga klasa në diplomë: Vaud rishikon rrënjësisht arsimin detyrues

Kantoni i Vaud-it ka nisur një anketim të thelluar për funksionimin e sistemit të tij të arsimit detyrues. Ky pyetësor online është pjesë e përgatitjeve për futjen e një diplome të re të shkollës së mesme, e cila do të zgjasë katër vite në vend të tre. Qëllimi është të bëhet një bilanc për të planifikuar të ardhmen e sistemit arsimor në Vaud.

 

Pyetje si: “A mendoni se nxënësit vlerësohen tepër apo shumë pak?”, “A jeni të kënaqur me mënyrën e komunikimit të shkollës?” apo “Cilat janë misionet e shkollës?” i janë dërguar prindërve, mësuesve dhe mbi 90,000 nxënësve të arsimit të detyrueshëm në Vaud.

Ky sondazh synon të mbledhë mendime të ndryshme për të vlerësuar sistemin aktual të shkollës, në prag të tranzicionit drejt modelit të ri të maturës “10, 11 + 4”, i cili do të hyjë në fuqi deri në vitin 2034. Kjo do të lejojë hyrjen në shkollën e mesme pas vitit të 11-të, por gjithashtu edhe në fund të vitit të 10-të për nxënësit me rezultate të mira, transmeton albinfo.ch.

Për realizimin e këtij vlerësimi, kantoni ka angazhuar një firmë private të specializuar në analizën e politikave publike. Rezultatet, sipas mundësive, do të ndihmojnë në rikonceptimin e sistemit shkollor detyrues dhe përgatitjen e nxënësve për diplomën e re katërvjeçare.

Jo mjaftueshëm për një “ristrukturim të shkollës”

Sindikata e Shërbimeve Publike të Vaud-it, megjithëse mirëpret këtë nismë, paralajmëron se “një pyetësor i vetëm nuk mjafton për të riorganizuar shkollat.” Ajo kërkon gjithashtu përfshirje më të madhe të stafit pedagogjik në këtë proces transformimi.

“Ne kemi kërkuar që të bëhet një vlerësim i plotë i arsimit të detyrueshëm përpara se të merrej vendimi për modelin ‘10, 11 + 4’. Deshëm të kuptonim sfidat dhe të merrnim një vendim të informuar. Nuk jam e sigurt se një pyetësor me alternativa të shumëfishta do të na lejojë ta kuptojmë plotësisht situatën,” tha Isabelle Smekens, sekretare sindikale për arsimin.

Shëndeti mendor në qendër të vëmendjes

Një nga temat kyçe të pyetësorit për prindërit është roli i shkollës, detyrat e shtëpisë dhe shëndeti mendor i nxënësve. Sipas Christine Muller, sekretare sindikale e Shoqatës së Prindërve të Vaud-it, është thelbësore që kjo çështje të merret seriozisht.

“E dimë sa i rëndësishëm është shëndeti mendor në procesin e të nxënit. Duhet të jesh mirë emocionalisht për të mësuar me sukses. Presioni dhe kërkesat që përjetojnë fëmijët në shkollë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre mendor. Prandaj duhet të kujdesemi për këtë aspekt,” shpjegon ajo.

Dhuna ndaj referëve: Përdorimi i kamerave trupore në futbollin amator të Zvicrës

Gjyqtarët e futbollit amator në Zvicër kanë filluar të përdorin kamera trupore për të mbrojtur veten nga dhuna dhe kërcënimet, një hap i ri që u prezantua në Solothurn.

Hamza Caliskan, një gjyqtar amator, përdori për herë të parë një kamerë trupore gjatë një ndeshjeje të ligës së tretë mes FC Post Solothurn dhe FC Solothurn. Kjo kamerë, e vendosur në gjoks, synon të mbrojë gjyqtarët nga dhuna që shpesh mund të ndodhë gjatë ndeshjeve. Përdorimi i kamerave trupore është një masë e re për të parandaluar dhunën dhe për të siguruar një mjedis më të sigurt për gjyqtarët, transmeton albinfo.ch.

Problemi i dhunës ndaj gjyqtarëve është rritur vitet e fundit, me një rast të rëndë në tetor 2024, kur një gjyqtar u sulmua fizikisht në dhomën e zhveshjes. Sipas shifrave të Federatës Zvicerane të Futbollit, një gjyqtar është sulmuar fizikisht çdo javë dhe çdo 100 ndeshje, një gjyqtar përballet me ofendime, kërcënime apo sulme.

Për të mbrojtur gjyqtarët, disa shoqata lokale po implementojnë përdorimin e kamerave trupore, duke përfshirë edhe Federatën e Futbollit të Valais, e cila planifikon t’i përdorë ato vitin e ardhshëm.

Megjithatë, disa shoqata janë kundër përdorimit të kamerave trupore, duke e konsideruar këtë si një provokim që mund të përshkallëzojë situatën. Luigi Ponte, president i Shoqatës së Futbollit të Aargau, shpreh shqetësimin se kamerat mund të shkaktojnë tensione të mëtejshme.

Në Solothurn, përdorimi i kamerave ka shkuar pa probleme dhe ka ndihmuar në ruajtjen e rendit gjatë ndeshjeve. Ky hap ka për qëllim të ndihmojë për të kuptuar më mirë presionin që përballen gjyqtarët dhe të ndryshojë perceptimin ndaj punës së tyre.

 

Rreziku i djegies nga dielli i pranverës është veçanërisht i lartë

Dita është me diell, temperaturat janë të buta  por rreziku i djegies nga dielli shpesh është më i lartë në pranverë sesa pritet. Me temperaturat e këndshme të pranverës, është e lehtë të harrosh se rrezet e diellit janë tashmë shumë të forta.

Në këtë periudhë, dielli është tashmë mbi 62 gradë në horizont gjatë mesditës, një pozicion që është i ngjashëm me fundin e korrikut. Kjo nënkupton një ekspozim të lartë ndaj rrezatimit ultraviolet (UV), transmeton albinfo.ch.

Rreziku i djegies nga dielli shkaktohet nga rrezatimi ultraviolet i energjisë së lartë (rrezatimi UV). Aktualisht, në zonat e ulëta, ekspozimi ndaj UV është i lartë (indeksi UV 7). Njerëzit me lëkurë të bardhë mund të digjen pas më pak se 20 minutash ekspozimi pa mbrojtje. Në male, rreziku është veçanërisht i lartë. Në 2,000 metra mbi nivelin e detit, indeksi UV do të jetë shumë i lartë (indeksi UV 8-9).

Për mbrojtje, është thelbësore të përdorni kapelë, syze dielli dhe kremra mbrojtës, si në zonat e ulëta ashtu edhe në male.

Në përgjithësi, sa më lartë që ndodhet dielli në qiell, aq më shumë rrezatim UV arrin në tokë. Përveç pozitës së diellit, faktorë të tjerë ndikojnë në intensitetin e rrezatimit UV, përfshirë mbulimin me re, lartësinë mbi nivelin e detit dhe sipërfaqet reflektuese. Mbulimi me re mund të ulë rrezatimin UV, por kjo është vetëm për re të dendura. Re të holla ose mjegull lejojnë që shumica e rrezatimit UV të kalojë pa pengesa.

Lartësia gjithashtu luan një rol të rëndësishëm: çdo 1,000 metra lartësi rrit rrezatimin UV me rreth 15%. Gjithashtu, trupat e ujit dhe dëbora pasqyrojnë dritën e diellit, duke rritur kështu rrezatimin UV. Prandaj, rreziku i djegies nga dielli është veçanërisht i lartë gjatë një udhëtimi me varkë ose një ekskursioni me ski.

Fund i epokës për shkollat vetëm për vajza, vendimi që sfidon sistemin e arsimit të ndarë në Zvicër

Gjykata Federale zvicerane vendosi se shkollat vetëm për vajza të financuara nga shteti janë jokushtetuese. Vendimi tashmë vendos një standard për gjithë kantonin e St. Gallenit.

Në janar 2025, Gjykata Federale vendosi që shkolla sekondare “St. Katharina” në Wil SG, e njohur si “Kathi”, është në kundërshtim me kushtetutën, për shkak se përjashton djemtë dhe merr fonde publike.

Të mërkurën, Gjykata publikoi arsyetimin zyrtar: shkolla me prirje të krishterë shkel parimet e barazisë gjinore dhe neutralitetit fetar. Ky vendim nuk prek vetëm “Kathi”-n, por edhe shkolla të tjera në kanton, si shkolla për vajza në Gossau dhe Shkolla Flade në qytetin e St. Gallenit, transmeton albinfo.ch.

Një sistem që duhet të ndryshojë

Armin Bossart, president i Këshillit Administrativ të pjesës katolike të kantonit, shprehet se vendimi shënon fundin e një tradite shekullore të ndarjes gjinore në arsim. “Mësimi i ndarë sipas gjinisë ka qenë një formë e suksesshme shkollimi që tashmë rrezikohet,” tha ai. Ai shpreson që të gjendet një zgjidhje ligjore ose politike për të ruajtur këto modele arsimore.

Kërkohet ndryshim kushtetues në kanton

Në parlamentin kantonal të St. Gallenit është dorëzuar një iniciativë për të ndryshuar kushtetutën kantonale, me qëllim që klasat vetëm për vajza të mund të vazhdojnë në shkollat publike. Por këshilltarja e qeverisë kantonale, Bettina Surber, tërheq vëmendjen se çdo shkollë, pavarësisht nga ligji kantonal, duhet të përputhet me kushtetutën federale.

Nxënëset e “Kathi”-t mund të përfundojnë shkollimin

Në Wil, drejtuesit e shkollës “St. Katharina” janë të pasigurt për të ardhmen. Armin Eugster, kryetar i bordit të fondacionit, deklaroi se janë të gatshëm të pranojnë edhe djem në shkollë. Megjithatë, një marrëveshje e re me qytetin e Wil u refuzua nga parlamenti lokal në nëntor. “Kjo më bën të dyshoj se do të gjejmë një zgjidhje të shpejtë,” tha Eugster. Ai pret që përzierja e klasave të kërkojë të paktën tre vjet për t’u zbatuar.

Ndërkohë, qyteti i Wil do të vazhdojë kontratën aktuale me shkollën deri në arritjen e një marrëveshjeje të re. Nxënëset që aktualisht ndjekin “Kathi”-n do të lejohen të përfundojnë studimet atje.

Zvicra vendos rregulla të reja për kufizimin e imigracionit nga BE

Këshilli Federal i Zvicrës ka përgatitur kritere të reja për të kufizuar përkohësisht lëvizjen e lirë të personave nga Bashkimi Evropian.

Në të ardhmen, Zvicra do të përdorë disa tregues për të vendosur nëse duhet të aktivizojë klauzolën mbrojtëse, një mjet që lejon kufizime të përkohshme të imigracionit nga BE, transmeton albinfo.ch.

Kur mund të aktivizohet klauzola mbrojtëse?

Ajo mund të përdoret nëse vërehen probleme të mëdha ekonomike ose sociale. Disa nga treguesit që do të merren parasysh janë:

Rritja e numrit të imigrantëve nga BE

Shtimi i punëtorëve që vijnë nga jashtë çdo ditë

Rritja e papunësisë

Rritja e përfituesve të ndihmës sociale

Nëse këto shifra kalojnë një nivel të caktuar, qeveria do të shqyrtojë mundësinë për të vendosur kufizime.

Çfarë mund të ndodhë nëse aktivizohet?

Zvicra mund të kërkojë masa si:

Kufizimi i numrit të imigrantëve nga BE

Përparësi për punësimin e qytetarëve zviceranë

Kufizimi i qëndrimit nëse një person humb punën

Në raste të veçanta, edhe kantonet mund të kërkojnë që kjo klauzolë të aplikohet vetëm për zonën e tyre.

Çfarë pritet më tej?

Sipas Ministrit të Drejtësisë Beat Jans, procesi i rishikimit dhe përkthimit të dokumenteve po vazhdon. Deri në pranverën e vitit 2026, Këshilli Federal pritet t’i paraqesë ndryshimet Parlamentit për miratim.

 

Diferencat gjinore në paga në Kosovë mbeten shqetësuese: Gratë paguhen dukshëm më pak se burrat

Instituti GAP ka publikuar të dhëna të reja për vitin 2024, të cilat zbulojnë dallime të konsiderueshme në pagat mesatare ndërmjet grave dhe burrave në shumë sektorë në Kosovë.

Sipas infografikës së publikuar, burrat vazhdojnë të marrin paga më të larta se gratë në shumicën e aktiviteteve ekonomike. Në sektorin e administratës publike dhe mbrojtjes, burrat paguhen mesatarisht 607 euro, ndërsa gratë 508 euro. Diferenca të ngjashme vërehen edhe në sektorë si aktivitetet e patundshmërisë (630 euro për burra, 430 për gra), shëndetësia dhe puna sociale (551 euro për burra, 371 për gra), si dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, përcjell albinfo.ch

Sektori i vetëm ku gratë paguhen më shumë se burrat është ai i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave, ku gratë marrin 488 euro, ndërsa burrat 468 euro.

Këto të dhëna ngrenë shqetësime të reja mbi pabarazinë gjinore në tregun e punës në Kosovë dhe theksojnë nevojën për politika më të fuqishme për barazi në punësim dhe paga.

 

 

Zugu, qendra e kriptomonedhave në Zvicër

Industria e kriptomonedhave në Zvicër vazhdon të rritet. Sipas një studimi të ri, numri i kompanive të kriptomonedhave është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Aktualisht janë 103 në Ticino, transmeton albinfo.ch.

Që nga viti 2023, numri i kompanive “blockchain” në Zvicër dhe Lihtenshtajn është rritur me 14% në 1,749. Kështu thuhet në një studim të publikuar sot nga firma e investimeve CV VC. Numri i kompanive është dyfishuar në pesë vitet e fundit.

Sipas studimit, rajoni i Zugut mbetet “qendra e Crypto Valley” me 719 kompani. Pasohet nga Cyrihu (264), Ticino (103) dhe Gjeneva (85). Lihtenshtajni gjithashtu ka 68 kompani në sektorin e kriptomonedhave, falë kuadrit rregullator të favorshëm.

 

 

Merz thotë se Gjermania duhet të ketë ushtrinë më të fortë në Evropë

Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, ka shprehur qëllimin e tij për ta kthyer Gjermaninë në një fuqi të padiskutueshme ushtarake konvencionale në kontinentin evropian. Në një deklaratë të fortë për situatën e sigurisë në Evropë, ai theksoi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një kërcënim i drejtpërdrejtë për rendin e paqes dhe ligjit ndërkombëtar, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

“Kjo luftë e tmerrshme nuk përcakton vetëm fatin e Ukrainës, por edhe të gjithë Evropës,” u shpreh Merz. “Në rrezik është vetë rendi i paqes në kontinentin tonë  dhe nëse ligji dhe drejtësia do të mbizotërojnë, apo dhuna dhe tirania.”

Merz tha se Gjermania nuk është palë në luftë, por gjithashtu nuk është as një ndërmjetëse neutrale. “Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ku qëndrojmë: pa mëdyshje në anën e Ukrainës”, transmeton albinfo.ch.

Në këtë kontekst, ai premtoi se Bundeswehri (ushtria gjermane) do të forcohet në mënyrë të qëndrueshme, duke u bërë “ushtria më e fortë konvencionale në Evropë”. Plani përfshin investime afatgjata dhe krijimin e një shërbimi të ri kombëtar vullnetar.

“Kjo është ajo që i takon vendit më të populluar dhe ekonomikisht më të fortë në Evropë,” tha Merz, duke shtuar se “miqtë dhe partnerët tanë jo vetëm që e presin këtë nga ne  por po e kërkojnë me forcë”.

Deklaratat e Merzit vijnë në një kohë të tensionuar në politikën evropiane të mbrojtjes, me rritjen e kërkesave për rritje të shpenzimeve ushtarake dhe koordinim më të madh përballë kërcënimeve nga Lindja, transmeton albinfo.ch.

Pagat, duhet një ligj i ri për shkëmbimin e të dhënave me Italinë dhe Francën

Për të zbatuar marrëveshjet e reja për taksimin e punëtorëve ndërkufitar me Italinë dhe për telepunën me Francën, nevojitet një ligj i ri federal për shkëmbimin e të dhënave të pagave, që është objekt i dy marrëveshjeve, përmbajtja e të cilave u miratua sot nga Këshilli Federal, së bashku me mesazhin drejtuar parlamentit, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Marrëveshjet

Marrëveshja me Romën për taksimin e punonjësve ndërkufitarë parashikon një shkëmbim automatik dhe reciprok të informacionit të nevojshëm për qëllimet e taksimit të punonjësve ndërkufitarë në vendin e vendbanimit, nënvizohet sot një shënim i qeverisë. Marrëveshja me Francën prezanton gjithashtu një shkëmbim automatik dhe reciprok të informacionit të nevojshëm për qëllimet e taksimit të punonjësve që banojnë në një nga dy shtetet kontraktuese dhe që punojnë për një punëdhënës të vendosur në shtetin tjetër kontraktues. Për të rregulluar këtë shkëmbim të dhënash, është planifikuar një ligj i ri që rregullon, në veçanti, transmetimin e informacionit ndërmjet autoriteteve tatimore kantonale dhe Administratës Federale të Taksave.

Shkëmbimi automatik, pranon qeveria, do të vendosë një barrë shtesë për punëdhënësit në fjalë, veçanërisht ata që lejojnë punëtorët e tyre rezidentë në Francë të punojnë në distancë. Punëdhënësit duhet të mbledhin të dhënat e kërkuara nga dy marrëveshjet, gjë që kërkon një përshtatje të sistemeve të tyre IT. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) gjithashtu preken nga rregullorja. Megjithatë, të dy marrëveshjet nuk parashikojnë ndonjë lehtësim apo përjashtim specifik për këto kompani, kjo është arsyeja pse Zvicra nuk ka liri veprimi për të miratuar ndonjë thjeshtësim për NVM-të. Në procedurën e konsultimit, e cila u zhvillua nga qershori deri në shtator 2024, projekti u mirëprit në masë të madhe, pretendon qeveria. Këshilli Federal mori parasysh një sërë pikash kritike të theksuara dhe përshtati ligjin në përputhje me rrethanat. Kantonet do të mund të kërkojnë, për shembull, që punëdhënësi t’i transmetojë të dhënat e pagave tek autoritetet kompetente në formë elektronike.

 

Gjermani: Arrestohen tre ukrainas të dyshuar për sabotazh në emër të Rusisë

Autoritetet gjermane kanë arrestuar tre shtetas ukrainas nën dyshimin se kanë vepruar si sabotatorë të huaj në shërbim të Rusisë. Njëri prej të dyshuarve është arrestuar në Zvicër, në kantonin Thurgau, dhe pritet të ekstradohet në Gjermani për t’u përballur me drejtësinë, shkruan swissinfo.ch., transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës së Prokurorit Federal Gjerman, të dyshuarit kishin planifikuar zjarrvënie dhe sulme me eksploziv në transportin e mallrave në territorin gjerman, të paktën deri në fund të marsit 2025. Ata dyshohet se kanë pranuar të dërgojnë pako me pajisje shpërthyese dhe ndezëse, të destinuara për Ukrainën, të cilat do të aktivizoheshin gjatë transportit.

Hetimet paraprake zbuluan se njëri prej të dyshuarve kishte testuar rrugët e dërgesave duke dërguar pako provë nga Këlni, të pajisura me gjurmues GPS. Mediat gjermane kanë raportuar gjithashtu për përpjekje të grupit për të vendosur pajisje ndezëse në aeroplanë të mallrave.

Arrestimi i parë ndodhi më 9 maj në Këln, ndërsa i dyti u krye një ditë më vonë në Konstanz. Të dy të arrestuarit janë aktualisht në paraburgim pas paraqitjes para Gjykatës Federale të Drejtësisë në Karlsruhe. I arrestuari i tretë në Zvicër është në pritje të ekstradimit në Gjermani.

Të tre të dyshuarit janë shtetas ukrainas dhe, sipas autoriteteve, nuk janë të punësuar aktualisht. Zyra e Prokurorit Federal po trajton çështjen për shkak të “rëndësisë së veçantë” që ka për sigurinë kombëtare, transmeton albinfo.ch.

Hetimet po udhëhiqen nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA), ndërsa përfshihen edhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND), Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it dhe Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV). Këto agjenci kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për një rritje të aktivitetit të spiunazhit dhe sabotimit rus në Gjermani.

Rasti i fundit përforcon shqetësimet në rritje për ndërhyrjet hibride nga Moska. Në korrik 2024, një pako me një pajisje ndezëse, e dërguar nga shtetet baltike, shkaktoi zjarr në një qendër logjistike të DHL në Leipzig – një incident që mund të kishte pasur pasoja katastrofike nëse zjarri do të kishte shpërthyer gjatë fluturimit.

Ish-kreu i BfV-së, Thomas Haldenwang, ka deklaruar më herët se “sjellja agresive” e shërbimeve ruse është në rritje, dhe se kërcënimet përfshijnë një spektër të gjerë të operacioneve të spiunazhit dhe sabotimit në territorin gjerman, transmeton albinfo.ch.