Gjeneva shpërndan falas ilaç kundër larvave për të luftuar mushkonjën tigër

Lufta kundër mushkonjës tigër po intensifikohet në kantonin e Gjenevës. Kantoni do të hapë një klinikë çdo të premte pasdite për të shpërndarë falas një ilaç biologjik kundër larvave të miratuar si pjesë e një operacioni pilot.

Ky produkt quhet Bacillus Thuringiensis Israelensis (BTI) dhe vjen në formë granulesh prej 50 gramësh, mjaftueshëm për të trajtuar një kopsht, sipas Gottlieb Dändliker, përgjegjësi kantonal për speciet invazive. Janë porositur gjithsej 5000 doza.

Anti-larvat do të shpërndahen falas për banorët që kanë hapësira të jashtme si ballkone, tarraca apo kopshte. Ky produkt miqësor me mjedisin është i lehtë për t’u përdorur dhe ruajtur, dhe është gjithashtu i disponueshëm në dhjetë komuna pjesëmarrëse, transmeton albinfo.ch.

Departamenti i Territorit thekson se produkti është praktik dhe efektiv, dhe mund të luajë një rol kyç në luftën kundër mushkonjës tigër, duke kërkuar angazhim nga qytetarët dhe autoritetet.

 

Zvicra përballet me rritjen e përdorimit të kokainës së tymosur, publikohet një udhëzues për qytetet

Një udhëzues i ri është publikuar për të ndihmuar qytetet zvicerane në përballjen me rritjen e përdorimit të kokainës në formën e crack-ut. Ky botim vjen nga Iniciativa e Qyteteve për Politikë Sociale dhe përmban shembuj konkretë nga qytete të ndryshme të Zvicrës.

Gjatë tre viteve të fundit, shumë qytete zvicerane kanë përjetuar një rritje të ndjeshme të konsumit të produkteve të bazuara në kokainë, veçanërisht në formën e crack-ut ose freebase-it. Si rezultat, ky fenomen është bërë gjithnjë e më i dukshëm në hapësirat publike, thekson Iniciativa e Qyteteve për Politikë Sociale.

“Askush nuk ka një shkop magjik në luftën kundër drogave dhe pasojave të tyre”, theksoi Émilie Moeschler, anëtare e këshillit bashkiak të Lozanës dhe nënkryetare e iniciativës, transmeton albinfo.ch.

Integrimi social përmes punëve të vogla

Udhëzuesi, i publikuar të martën, synon të ndihmojë qytetet dhe komunat në zbatimin e një politike efektive për trajtimin e varësisë nga drogat, e mbështetur mbi katër shtylla: parandalimi, terapia, reduktimi i dëmit dhe zbatimi i ligjit.

Në të përfshihen si bazat e politikës së varësisë dhe qasje të dëshmuara për mbështetjen e përdoruesve të drogave, ashtu edhe shembuj praktikë nga qytetet anëtare të iniciativës.

Në Zvicrën frankofone, disa shembuj përfshijnë hapjen e një qendre konsumi në Fribourg, planin e veprimit të qeverisë së Gjenevës, dhe programet e punës së përkohshme në Lozanë.

Në kryeqytetin e kantonit Vaud, organizata SYSTMD ofron mundësi që përdoruesit që konsumojnë në banjo publike në orët e para të mëngjesit të mbledhin pajisje konsumi në këmbim të një pagese simbolike. Ndërkohë, një program i Fondacionit Mère Sofia përfshin mbledhjen e mbetjeve tri herë në javë. Këto iniciativa nxisin integrimin social dhe krijojnë kontakte me rrjetin social e shëndetësor, thuhet në udhëzues.

Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve

Iniciativa e Qyteteve për Politikë Sociale thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Konfederatës, kantoneve dhe qyteteve. “Qytetet janë detyruar të inovojnë në një kontekst ku kompetencat ligjore janë në duart e kantoneve ose Konfederatës,” kujton Nicolas Galladé, këshilltar bashkiak i Winterthur-it dhe president i iniciativës.

Iniciativa është një seksion i Unionit të Qyteteve Zvicerane dhe përfaqëson interesat socio-politike të rreth gjashtëdhjetë qyteteve në të gjithë vendin.

Normat e ulëta të interesit nxisin ëndrrën zvicerane për pronësinë e shtëpisë

Pavarësisht ndryshimeve ekonomike dhe sociale, shtëpia e shkëputur për një familje mbetet shtëpia e ëndrrave numër një, sipas “Dream Home Study” vjetore nga Helvetia dhe Moneypark.

Për shembull, 48% e të anketuarve do të preferonin këtë lloj shtëpie. Preferenca tek moshat 31 deri në 60 vjeç është më e theksuar se sa tek të rinjtë dhe të moshuarit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Normat më të ulëta të interesit bazë të Bankës Kombëtare të Zvicrës kanë një efekt të dukshëm në gatishmërinë për të blerë.

Sipas studimit, përqindja e njerëzve të gatshëm për të blerë është rritur sërish për herë të parë që nga viti 2020. Sipas studimit, 20% po planifikojnë të blejnë një pronë në vitet e ardhshme, ndërsa shifra për qiramarrësit është deri në 28%.

“Normat e ulëta apo edhe rënia e normave bazë të interesit mund të nxisin më tej blerjet,” shpjegon Lukas Vogt, CEO i MoneyPark. Çmimet e pronave gjithashtu ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten në përputhje me këtë, tha ai. Këtë e presin 72% e të anketuarve, pavarësisht nëse janë qiramarrës apo tashmë pronarë.

 

Pse mbështetja ndërkombëtare për Izraelin po zvogëlohet?

Veprimet e fundit të Izraelit në Gaza po përballen me kritika të forta nga vende perëndimore që më parë e kanë mbështetur. Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja e kanë quajtur ofensivën izraelite një “përshkallëzim të tepruar” dhe kanë paralajmëruar pasoja nëse Izraeli nuk ndalon veprimet ushtarake, transmeton albinfo.ch.

Sipas analistëve ndërkombëtarë, tre janë shqetësimet kryesore:

Sulmet ndaj civilëve, që mund të cilësohen si krime lufte.

Synimi për të pushtuar të gjithë Gazën, që mund të çojë në aneksim të territorit palestinez.

Pengimi i ndihmës humanitare, që shkel rregullat ndërkombëtare të luftës.

Vendet kritike po kërkojnë që qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu të tregohet më e përmbajtur dhe të lejojë hyrjen e ndihmave në Gaza.

Gjithashtu, po rritet shqetësimi për qëndrimin e Izraelit ndaj institucioneve ndërkombëtare si OKB-ja, pasi qeveria izraelite ka ndërprerë bashkëpunimin me disa agjenci të saj dhe ka kundërshtuar hapur Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Mbështetja e SHBA-ve për Izraelin gjithashtu duket se po zbehet në disa drejtime, megjithëse nuk pritet që Uashingtoni të ndalojë furnizimin me armë.

Në vetë Izraelin, popullsia është e ndarë. Shumë qytetarë kërkojnë siguri pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, por gjithashtu ka zëra që mendojnë se objektivat ushtarake janë arritur dhe se vazhdimi i luftës është i panevojshëm.

BE-ja i vjen në ndihmë Radios Evropa e Lirë me 5.5 milionë euro fonde emergjente

Në një vendim të rëndësishëm për mbështetjen e mediave të lira, Bashkimi Evropian ka miratuar një fond emergjent prej 5.5 milionë eurosh për Radion Evropa e Lirë, pas vendimit të administratës Trump për të ndërprerë financimin e saj.

Radio Evropa e Lirë, e cila nisi transmetimet gjatë Luftës së Ftohtë, vijon të jetë një burim i rëndësishëm informacioni në 27 gjuhë në 23 vende, duke përfshirë rajonet e Evropës Lindore, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme. Pas ndërprerjes së financimit nga SHBA-të, drejtuesit e saj kanë sfiduar këtë vendim në gjykatë, ndërsa në sfond, BE-ja ka ndërhyrë për të mbështetur punën e saj, përcjell albinfo.ch.

Shefja e diplomacisë së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, konfirmoi se ministrat e jashtëm të vendeve anëtare kanë rënë dakord të nënshkruajnë kontratën për këtë mbështetje të menjëhershme. Sipas saj, kjo ndihmë përfaqëson një “rrjet sigurie” për gazetarinë e pavarur, një mision që Evropa e konsideron jetik, sidomos në kohë sfidash globale për lirinë e medias.

Megjithatë, Kallas theksoi se BE-ja nuk mund të zëvendësojë plotësisht fondet amerikane për Radion Evropa e Lirë, por do të përpiqet të ndihmojë që ajo të qëndrojë funksionale, sidomos në vendet e afërta me BE-në që mbështeten te burimet e pavarura të lajmeve nga jashtë.

Shtetet anëtare të BE-së pritet gjithashtu të kontribuojnë individualisht për të garantuar që misioni afatgjatë i REL-it të mos ndalet. Ndërkohë, Republika Çeke, ku ndodhet selia gazetareske e Radios, ka qenë në krye të përpjekjeve për të siguruar fondet e nevojshme.

Udhëtimi estetik i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Shoqata “Gjergj Kastrioti” në Zvicër, gurthemeli i përkushtimit tonë ndaj trashëgimisë dhe shpirtit kombëtar, organizon me krenari një ekspozitë pikturash kushtuar epikës dhe vizioneve të Skënderbeut. Kjo iniciativë lindi nga bindja se arti është pasqyra më e pastër e shpirtit njerëzor, dhe se figura e Gjergj Kastriotit nuk është vetëm një kapitull historie, por një paradigma e përjetshme e lirisë e vlerave universale. Çdo pikturë në këtë ekspozitë përbën një meditacion estetik: me paletën e ngjyrave, artistët ndërtojnë një hapësirë ku koha dhe hapësira bashkohen në triumfin e guximit.

Skënderbeu, heroi i lindur nga dëshira e pashuar për pavarësi, paraqitet jo vetëm si luftëtar, por si filozof i betejës për të drejtë: sfida e tij përbën metaforë të brendshme mbi njeriun që kërkon qëllim dhe moral në çdo epokë.

Në dimensionin filozofik, vepra artistike bëhet reflektim mbi tensionin ndërmjet individit dhe kolektivit, ndërmjet kujtesës historike dhe projektit të së ardhmes. Skënderbeu simbolizon vetveten si urë midis këtyre dy polariteteve: vullneti i pathyeshëm për të mbrojtur identitetin përkon me nevojën për të dëgjuar zërat bashkëkohorë, për t’u marrë me sfidat e tanishme me të njëjtin kurajë dhe integritet. Lavdërojmë thellësisht Shoqatën “Gjergj Kastrioti” për vizionin e saj të guximshëm: ajo jo vetëm mirëpret artistë nga diaspora dhe vendlindja, por krijon një forum ku arti, filozofia dhe historia ndërthuren me një sinergji frymëzuese.

Është meritë e saj që Skënderbeu, figura madhështore e rezistencës dhe dritëshkrimit kombëtar, ringjallet në tablotë tona si një dritë udhërrëfyese, që na fton të kërkojmë veten, të ripërtërijmë besimin në vlera dhe t’i japim kuptim thellësisht njerëzor aspiratës për liri. Artistët që prezantojnë veprat e tyre në ekspozitë janë:

Heroi i Kosovës Agim Ramadani prezanton një pikturë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Teknika vaj në pëlhurë. Titulli: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.  Portreti paraqet Skënderbeun në profil me konture të qarta dhe një sfond toke të ngrohtë, që thekson vendosmërinë e heroit.Paleta luan me tonet e terrakotës dhe kafenë e thellë, ku shiriti i kuq me detaje të artë dhe mjekra e bardhë ngrenë kontrastin dhe simbolikën e fuqisë. Estetika rimendon frymën e portretistikës klasike europiane, me balancim kompozicional të përpiktë dhe një ndjesi monumentale që transmeton elegancë dhe stoicizëm.

Ardian Pepa, “Skënderbeu   Fryma e Lirisë”. Skulptura prej allçi të tonuar në bronz portretizon një hero në lëvizje, ku shkëlqimi i materialit sjell një dritë të butë mbi fytyrën e vendosur. Kontrasti mes ngjyrave të kuqërremta të bronzit dhe hijes së thellë në bazament përçojnë ndjesinë e forcës dhe vendosmërisë. Drita qe depërton në fytyrë dhe drapëri thekson lojën estetike të një bashkëveprimi, karakter-shpirt, kostum dhe muskul. Portreti i Gjergjit i punuar në detaje shprehë atë fuqinë dhe madhështinë e personazhit.

Augustin Pergega, “një dritë shprese” me teknikë akril në pëlhurë 80×60 cm përdor tonalitete të buta dhe kontraste të lehta për të pasqyruar Skënderbeun si një dritë shprese në errësirë. Ndriçimi i figurës nga poshtë krijon hije dramatike që theksojnë dimensionin shpirtëror. Poashtu portreti në profil i heroit me një shikim të mprehtë ngërthen fuqinë e brendësisë si intelektual poashtu edhe luftarake.  Idealet e lirisë dhe rezistencës, duke afirmuar trashëgiminë kombëtare në një dimension mitik.

Butrint Morina, “Heroi” Figura prej rezine me pigment kameleon (60×15×20 cm) lëviz mes ngjyrave të ndryshueshme, duke reflektuar përjetshëm frymën e lirisë. Kontrasti i efekteve optike në sipërfaqen e punimit krijon një iluzion të jetës së gjallë të heroit. Skulptura portret e Skënderbeut paraqitet në një stil modern e abstrakt, me forma të lakuara që ngjajnë me flakë, duke i dhënë figurës një energji shpërthyese dhe të gjallë. Ngjyra metalike e purpurt me ndriçim të theksuar nën dritën e diellit shton një efekt dramatik dhe mbinjerëzor te figura e heroit.Mjekra e gjatë dhe kapela me majë të përthyer lidhen me ikonografinë tradicionale, por janë interpretuar lirshëm për të theksuar fuqinë dhe shpirtin luftarak.

Bujar Vani & Evis Kabilo, “ISKANDERBEG” prezanton skulpturë   modelazhi tekno mermer i tonuar (95×40×30 cm) i bën jehonë madhështisë së statujës historike, ku ngjyrat e tonuara nxjerrin në pah detajet e fytyrës sidomos te mjekra format e vogla gjeometrike, pastaj sytë, vetullat, thellësitë e fytyrës fuqizohen me shprehje gjeometrike. Kontrasti mes sipërfaqeve të lëmuara dhe atyre më të papërpunuara nënvizon tensionin mes fuqisë ushtarake dhe natyrës njerëzore.

Daors Hoxha, “Përkrenarja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”. Punimi tregon përkrenaren me theks në detaje metalike, ku ngjyrat e argjendta kundër sfondit të errët krijojnë një kontrast mbresëlënës. Ky fokus në pajisjen mbrojtëse e rikthen në jetë rolin simbolik të mburojës.

Dorina Ukgjini, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.Vaji në kanavacë 97×130 cm ngërthen në tonet e kaltra dhe të gjelbra një energji natyrore që lidhet me përkushtimin e heroit ndaj tokës së tij. Kontrasti i ngjyrave të ftohta me dritëzat e ngrohta në fytyrë përçon një ndjesi humanizmi.

Dussi Sadriji, “Portreti i Gjergj Kastriotit”. Akril në karton 120×90 cm paraqet Skënderbeun në ngjyra të forta, me hije të thella që i japin thellësi figurës. Kontrasti mes ngjyrës së gjakut (e kuqe) dhe sfondit neutrale forcon ndjesinë e heroizmit.

Etmond Balja prezanton  përkrenaren e Skënderbeut  prej bronzi të errët, shfaq një kokë dhie të fuqishme me brirë të gjatë të lëmuar të hollë, duke krijuar një efekt tridimensional. Rrathët dekorativë rreth bazës, të pasuruar me motive gjeometrike dhe florale të gdhendura me precizitet, dëshmojnë për nivelin e lartë të mjeshtërisë artizanale. Si emblemë, brirët simbolizojnë forcën, kurrizorin e pandalshëm dhe lidhjen mistike me tokën, duke vënë në pah karakterin heroik dhe mitologjik të Skënderbeut.  

Fatmir Dragusha, “Stema e Kastriotëve”. Akril 88×70 cm në karton masiv mbart ngjyrat tradicionale të familjes: e kuqja, e bardha dhe e zeza. Kontrasti i ngjyrave ushqen ndjesinë e krenarisë dhe trashëgimisë.

Florim Shaqiri paraqitet titullin e veprës  “ Skënderbeut, dimensioni 100×75 cm. Instalacion, teknika: mëndafsh &poliester. Vepra shfrytëzon kontrastin e ngjyrës së zezë dhe lëkundjet e materialit për të krijuar një relief dramatik, ku drapëria e mëndafshit dhe poliestrit tërheq dritën në mënyrë teatrale mbi konturet e portretit. Në anën e majtë shfaqet simboli  i Skënderbeut, ndërsa në të djathtë portreti i tij zgjerohet organikisht nga valët e tekstilit, duke sugjeruar fuqinë e heroit që ngrihet mbi sfondin e turbulencave. Kjo ndërthurje e teknikës dhe kompozimit krijon një atmosferë kontemplative, ku historia dhe moderniteti bashkohen në një vizion homogjen dhe emocional.

Gëzim Muriqi, “Beteja e Skënderbeut” shfaq një  vizatim, dhe një gravurë. Teknika: laps kimik dhe gravurë në granite të zi.  Ngjyrat e kuqe të thella dhe hijet  e zeza manifestojnë një ritual ekzistencial ku shkëlqimi i armëve kundër terrenit të njollosur ngrit pyetjen: cili është kuptimi i sakrificës njerëzore për liri? Në qendër, Skënderbeu mbi kali me kapele me brirë dhie dhe shpatë lart ndërthuret si arketip i vendosmërisë heroike, duke inkurajuar reflektim mbi tensionin mes individit dhe komunitetit. Linjat e dendura të kalorësve dhe mburojat e gdhendura me përpikëri, së bashku me siluetën e fortifikuar të Krujës në sfond, krijojnë një peizazh ku çdo kopështë e shigjetë bëhet metaforë për pyetjet që ngritëm ndaj historisë dhe vetes; frymëzimi nga Frazzeta shton një patos transcendent, duke lidhur traditën me një vizion origjinal që mishëron unitetin shqiptar.

Gabriella Thaqi Memaj, “Gjergj Kastrioti”. Vaj  në pëlhurë 60×80 cm përdor nuanca të gjelbra, kafe, te kuqe për të lidhur heronjtë me natyrën e Shqipërisë. Kontrasti mes pjesës së ndriçuar të fytyrës dhe sfondit të pasur krijon thellësi emocionale.

Gjergj Kola, “Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në veprën e tij puna e Gjergj Kolës paraqet Skënderbeun në një kompozim epik, ku figura e tij ngrihet me frymë lirike ndaj sfondit të kaltër, të kuq në formë shqiponje,  që simbolizon paqen e merituar. Kontrasti mes dritës së artë në stolitë e mbretit dhe hijeve dramatike në mantelin e tij përforcon ndjesinë e madhështisë dhe respektit.

Irena Toma, “Skënderbeu” Vaj në pëlhurë 80×60 cm (2025) përdor nuanca të ngrohta dhe të ftohta për të sjellë një reflektim të brendshëm të heroit. Kontrasti mes fushave të mëdha bojë dhe detajeve të holla siguron një imazh meditativ.

Irfan Grajqevci, “Skënderbeu” me teknikën vaj mbi kanavacë 90×120 cm përdor konturet e theksuara për të nxjerrë në pah karakterin e fortë. Ngjyrat e gjalla dhe kontrasti mes dritës së fytyrës dhe sfondit të errët intensifikojnë prani në hapësirë.

Jacqueline Bislimi, “The Knight” shfaq kanavacë 140×90 cm sjell një Skënderbe të përqendruar, me një paletë ngjyrash kafe, të zezë, që theksojnë vendosmërinë e heroit. Përdorimi i këtyre ngjyrave  kundrejt sfondit të ftohtë dhe me ngjyra neturale krijon një kontrast emocional mes nderimit dhe rigorozitetit.

Jalldeze Mustafa, “Frymëmarrja e Epokës” vjen me teknikë të kombinuar në formën 65×65 cm përdor elementë të zi dhe të bardhë për të treguar Skënderbeun si frymëmarrje të kohës. Kufijtë e paqartë të figurës krijojnë kontrast me sfondin e qëndrueshëm, duke theksuar përjetësinë e legjendës. Përkrenarja duke u mbrojtur nga shpata, shprehë atë murin, fuqinë, pa mposhtjen e një Akili të fuqishëm.

Jeton Lleshi, “Shënimet e Gjergjit mbi fuqin e tretë galaktike”Krijimi i telajos 55×45 cm  përdor ngjyrë argjendi dhe hije të zeza për t’i dhënë heroit një dimension futuristik. Kontrasti mes elementeve historike dhe atyre abstrakte thekson pamjen e pavdekshme.

Kushtrim Sylejmani prezanton Skënderbeun me teknikën Akril në pëlhurë.  Dominojnë ngjyrat neutrale si hiri, e zezë, e bardh. Mjekra e gjatë, shikimi i tij i mprehtë paraqitet në fiksonin e intelektualit, strategut. Duket si një mendimtar i thellë.

Marigona Toma, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” akril 90×70 cm zgjedh një paletë që përfshin ngjyrat të pastra dhe një prekje të ngrohtë portokalli, simbol i lavdisë dhe asaj gjaku të derdhur për liri. Kontrasti i tonaliteteve nxit një ndjesi dinamike dhe freskive.

Nagip Tashi, “Gjergj Kastriotit Skënderbeu”. Portreti në vajë (70×50 cm) përdor nuanca të ngrohta dhe hije natyrore për të krijuar një afeksion intim me figurën e heroit. Cilësia e ngjyrave të djegura krijon kontrast midis pjesëve të ndriçuara dhe atyre të mbuluara nga hijet reflektuese.

Naser Dushnica  paraqet përkrenaren e Skënderbeut mbi të cilën është mbivendosur një shkrim i gravuar në masën e bakrit i cili është një titull nderi që rrjedh nga latinishtja “Imperare” i bie të sundosh ose komandosh. Punimi u realizua me makinë shkrimi “Typeëriter art”.

Pren Berisha, “Beteja e Albulenës”. Akril 60×75 cm përdor tonalitete të zbehta kombinuar me shpërthime të kuqe e të verdhë për të ilustruar tronditjen e betejës. Kontrasti i ngjyrave tregon tensionin mes forcave dhe epërsinë heroike.

Rexhep Leci, “Zoti ynë”. Akril,  100×100 cm eksploron formën e Skënderbeut nëpërmjet gjeometrive dhe nuancave të kthjellëta. Kontrasti mes vijave të ashpra dhe hapësirave boshe krijon një interpretim modern të figurës legjendare.

Refki Gollopeni, “Skënderbe” shfaq teknikën akril mbi kanavacë 100×80 cm përdor ngjyrë të kuqe si simbol të gjakut dhe flakës së lirisë, ndërsa linjat plastike të figurës krijojnë një kontrast të ashpër me sfondin e qetë. Ky Skënderbe paraqitet i vendosur, me shikim përpara, në kulmin e gatishmërisë për betejë.

Sak Muji, “Gjergji ynë apo pasaporta jonë kombëtare”. Kompozimi prej mermeri dhe qeramike (73×53 cm) kombinon nuancat natyrale të shkëmbit dhe tonalitetet e bardha të qeramikës për të simbolizuar qëndrueshmërinë kombëtare. Ky mozaik shpirtëror reflekton nuanca të thella të artit. Kontrasti mes strukturës së ashpër dhe sipërfaqes së butë pasqyron dualitetin epik-njerëzor të heroit.

Valeriana Krasniqi, “Shpirti dhe hija e Gjergj Kastriot Skënderbeut” prezanton mixed media në format 120×150 cm shfrytëzon shtresat e materialeve për të portretizuar heronjtë si një prani dhe mungesë njëkohësisht. Hijet e thella dhe shkëlqimi i ngjyrave metalike nxisin reflektim mbi trashëgiminë shpirtërore të Skënderbeut.

Visar Kryeziu vjen me dy grafika. “Në një vijë me Gjergj Kastriotin” shtrihet si një meditacion estetik, ku një linjë e palëkundur shpreh vetë qenien e heroit në thjeshtësinë e formës.“Kthimi i Gjergj Kastriotit” shpërthen në ngjyra dhe dritë, duke krijuar një panoramë ku tensioni i betejës dhe triumfi shpirtëror shkrijnë njëkohësisht në një vizion sy estetik. Bashkë, këto dy vepra ngjallin një filozofi të të qenit dhe rizbulimit: nga hapat e parë të një vize minimaliste në lëvizje, në epopenë kaleidoskopike të ringjalljes, heroi mbetet përjetësisht locus i lirisë dhe i krijimit të kuptimeve të reja.

 

 

 

Skandal në Eurovision 2025: Belgjika dhe Spanja kërkojnë hetim për manipulim votash ndaj Izraelit

Eurovision 2025 është përfshirë në një polemikë serioze pas akuzave për manipulim votash, që i dhanë Izraelit një vend të dytë të papritur në garë. Sipas transmetuesve publikë të Spanjës (RTVE) dhe Belgjikës (VRT), ka arsye për të dyshuar në mënyrën se si funksionon televotimi. Kjo u raportua nga “The Telegraph”, sipas të cilit Izraeli mori 357 pikë nga vota e publikut, ndërsa juritë profesionale të të dy vendeve i dhanë zero pikë, transmeton albinfo.ch.

Sistemi i votimit në Eurovision përfshin pikë nga juria dhe publiku, me maksimum 12 pikë nga secila palë. Megjithatë, transmetuesit janë shqetësuar për mundësinë e manipulimit përmes televotimit, ku publiku mund të votojë deri në 20 herë me pagesë.

Deputetja flamande Katia Segers tha se ky sistem lejon manipulime të organizuara dhe kërkoi nga VRT të nisë hetim brenda EBU-së, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e Izraelit në një kontekst politik të ndjeshëm, për shkak të konfliktit në Gaza dhe hetimeve për krime lufte ndaj Izraelit.

Gjatë finales në Bazel, performanca e këngëtares izraelite Yuval Raphael u ndërpre nga protestues pro-palestinezë. RTVE u shpreh solidaritet me Palestinën duke deklaruar: “Kur të drejtat e njeriut janë në rrezik, heshtja nuk është opsion”.

Drejtori i Eurovision-it, Martin Green, mohoi çdo parregullsi dhe theksoi se votimi monitorohet nga ekipe të pavarura. Megjithatë, VRT paralajmëroi se mungesa e transparencës në rregullat e votimit mund të vërë në dyshim pjesëmarrjen në garat e ardhshme.

Fitues i Eurovision 2025 u shpall Austria me këngën “Wasted Love” nga JJ, ndërsa Shqipëria u rendit në vendin e tetë me këngën “Zjerm” nga grupi Shkodra Elektronike.

Një fshat në Valis u evakuua nga frika e rënies së gurëve

Një tjetër fshat është evakuuar nga frika se mund të bien tonelata guri.

Ngjashëm me përvojën e banorëve në Brienz në kantonin Graubunden, këtë herë është Blatten në Valis.

Rreth 300 njerëzve dhe kafshëve të fermës iu dha pak më shumë se një orë për të lënë shtëpitë e tyre, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet besojnë se deri në 5 milionë metra kub shkëmb mund të rrëzohen nga Kleiner Nesthorn  në çdo kohë.

Inxhinierët thonë se mali po lëviz me përshpejtim eksponencial,  tashmë 50,000 metra kub shkëmb kanë zbritur.

Ekziston edhe rreziku i shtuar me akullnajën aty pranë. Nëse shkëmbi bie në të, mund të shkaktojë një përrua masive që do të shkaktonte dëme të mëdha  thonë ekspertët.

 

Shpenzimet ushtarake dyfishohen – Oficerët zviceranë kërkojnë më shumë

Ndërsa shumë vende evropiane po rrisin ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes, Zvicra planifikon të dyfishojë shpenzimet vjetore ushtarake në rreth 10 miliardë franga deri në vitin 2032. Por për Shoqatën e Oficerëve të Njësive të Blinduar, kjo është shumë pak.

Sipas dokumentit, tanket janë ende mjeti i vetëm efektiv për të sulmuar armikun dhe për të rimarrë territorin. Prandaj, 71 tanket Leopard të çaktivizuara duhet të kthehen urgjentisht në shërbim, ndërkohë që kërkohet edhe blerja e 330 automjeteve të reja luftarake të këmbësorisë.

Presidenti i Shoqatës, Erich Muff, shprehet:

“Jemi thellësisht të shqetësuar që nuk jemi të përgatitur për mbrojtje për shkak të mungesës së investimeve politike.”

Shoqata kërkon gjithashtu rritjen e efektivit ushtarak nga 147 mijë në 250 mijë ushtarë. Sipas Muff, për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm në rast lufte, duhet të përgatiten edhe 100 mijë ushtarë shtesë, transmeton albinfo.ch.

Në total, ushtria ka nevojë urgjente për 100 miliardë franga investime  dyfishin e shumës që qeveria federale dhe Parlamenti planifikojnë të shpenzojnë në vitet e ardhshme.

Mbështetje dhe kritika nga politika

Presidenti i Shoqatës së Oficerëve Zviceranë, Michele Moor, e mbështet drejtimin e kërkesave. Ai e konsideron kërkesën për 100 miliardë jo joreale, duke theksuar se vendet fqinje po investojnë deri në 3 për qind të PBB-së, ndërsa Zvicra ende debaton për të arritur 1 për qind.

Megjithatë, Priska Seiler Graf nga Partia Socialdemokrate, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Sigurisë, i quan kërkesat krejtësisht jorealiste dhe financiarisht të papërballueshme.

Ndërkohë, politikani liberal-radikal Josef Dittli e përshëndet dokumentin, por thekson se shifra prej 100 miliardë frangash është e ekzagjeruar. Ai kërkon më shumë investime për forcat e motorizuara, por vendimmarrja duhet t’i lihet Këshillit Federal.

Në fund, mbetet për t’u parë se si do të reagojë Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria në dritën e këtyre kërkesave të forta për forcim të mbrojtjes kombëtare.

Bizneset në Kosovë paralajmërojnë humbje pas kalimit në tregun e lirë të energjisë

Dy kompani të mëdha me 1.340 punëtorë pritet të kenë 200 mijë euro më shumë shpenzime vjetore pas liberalizimit të tregut energjetik në qershor. Pronari Hamdi Malushaj thotë se ofertat aktuale nga KESCO janë 264% më të larta dhe, sipas tij, dëmi total për bizneset mund të arrijë në 130 milionë euro në vit.

Sipas njohësve të sektorit, bizneset duhej të ishin paralajmëruar më herët për të evituar dëmet. Ish-kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, thekson se mungoi koordinimi institucional për një kalim më të lehtë në tregun e lirë.

Deri tani, ofertat për furnizim kanë ardhur vetëm nga KESCO, ndonëse janë 19 furnizues të licencuar në Kosovë.

Komisioni Evropian propozon thjeshtimin e procedurave për deportimin e azilkërkuesve në vendet e treta

Komisioni Evropian ka prezantuar sot një propozim të ri legjislativ që synon të lehtësojë dhe thjeshtojë kushtet për deportimin e azilkërkuesve në vendet e treta. Sipas këtij ndryshimi, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të mund të deportojnë më lehtë migrantët edhe nëse ata nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vendin pritës, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Komisioneri për Migracionin, Magnus Brunner nga Austria, deklaroi se qëllimi kryesor është përmirësimi i efikasitetit të procedurave të azilit, duke garantuar respektimin e të drejtave themelore dhe duke ulur barrën mbi autoritetet kombëtare.

Në bazë të rregullave aktuale të Paktit të Migracionit të BE-së, deportimet drejt “vendeve të treta të sigurta” lejohen vetëm nëse shtetet anëtare provojnë lidhjen e azilkërkuesit me vendin përkatës, si për shembull anëtarësinë në familje apo vendbanimin e mëparshëm. Propozimi i ri synon zgjerimin e këtij rregulli, duke lejuar deportimin në çdo vend të tretë përmes të cilit ka kaluar azilkërkuesi.

Gjithashtu, shtetet anëtare mund të heqin kufizimin nëse ekziston një marrëveshje për pritjen e migrantëve me vendin e tretë. Një përjashtim do të bëhet për të miturit e pashoqëruar, të cilët nuk do të deportohen sipas këtyre rregullave të reja, transmeton albinfo.ch.

Komisioni propozon gjithashtu heqjen e mekanizmit mbrojtës që lejonte azilkërkuesit të apelojnë dhe të qëndrojnë në BE deri në marrjen e vendimit të gjykatës për deportim, duke e bërë më të lehtë ekzekutimin e deportimeve.

Në kuadër të politikës së migracionit, Brukseli ka propozuar gjithashtu krijimin e kampeve të deportimit në vendet e treta, ku do të strehohen azilkërkuesit me kërkesa të refuzuara.

Ndërkohë, sipas statistikave të fundit të agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, numri i kalimeve të parregullta në Evropë ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2024, janë regjistruar 239,000 kalime, 38% më pak se një vit më parë, duke treguar një përmirësim të situatës migratore në rajon, transmeton albinfo.ch.

Studim: 44% e zviceranëve të gatshëm të angazhohen politikisht

Më shumë se katër në dhjetë qytetarë zviceranë do të ishin të gatshëm të kandidonin për poste politike nëse do t’u ofrohej një mundësi e tillë, sipas një studimi të ri të Universitetit të Bazelit. Hulumtimi, i bazuar në anketën kombëtare “Si po shkon Zvicra?” të kryer nga SSR, tregon se 44% e popullsisë e ka konsideruar tashmë idenë për të mbajtur një post politik dhe 42% do ta merrnin parasysh në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëse do të ftoheshin, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Studiuesit e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Bazelit e interpretojnë këtë si një nivel të lartë të “angazhimit politik latent”, një motivim i brendshëm për të marrë përgjegjësi politike, edhe nëse nuk përkthehet domosdoshmërisht në kandidatura konkrete.

Sipas profesorit Alois Stutzer, i cili drejtoi studimin, të rinjtë përfaqësojnë një potencial të madh të pashfrytëzuar. Ata janë më të hapur ndaj angazhimit politik, veçanërisht nëse u kërkohet të marrin pjesë. Megjithatë, ata përfaqësohen më pak në listat zgjedhore.

Paradoksalisht, ndërsa zgjedhjet federale të tetorit 2023 regjistruan një numër rekord kandidatësh  rreth 6,000 persona për Këshillin Kombëtar  në nivel lokal sfidat mbeten. Në Gjenevë, për shembull, gati gjysma e komunave kanë vështirësi të gjejnë kandidatë për pozicione ekzekutive, pavarësisht përpjekjeve për bashkime komunale, transmeton albinfo.ch.

Studimi thekson një ndarje të qartë gjinore: gratë janë dukshëm më pak të prira të kandidojnë, edhe kur u ofrohet një mundësi. Sipas profesor Stutzer, kjo mund të jetë pasojë e përfshirjes së vonshme të grave në procesin demokratik në Zvicër,  e drejta për të votuar iu dha vetëm në vitin 1971. Për më tepër, si në Zvicër ashtu edhe në vende të tjera, gratë shpesh vlerësojnë më pak aftësitë e tyre politike në krahasim me burrat, çka ndikon negativisht në gatishmërinë e tyre për të kandiduar.

Sipas studimit, individët që kanë një lidhje të fortë me komunitetin e tyre  përmes investimeve ekonomike (si blerja e një shtëpie) apo angazhimit shoqëror (si pjesëmarrja në shoqata)  janë më të prirë të përfshihen në politikë. Kjo shpjegon pse në qytetet e vogla, ku ndjenja e komunitetit është më e theksuar, ekziston një hapje më e madhe ndaj angazhimit politik, transmeton albinfo.ch.

Gatishmëria për t’u angazhuar politikisht ndryshon ndjeshëm edhe nga rajoni në rajon. Në Zvicrën frëngjishtfolëse, kjo prirje është më e ulët se në pjesën gjermanishtfolëse apo në Ticino. Megjithatë, autorët vërejnë se brenda vetë Zvicrës gjermanishtfolëse ka dallime të mëdha ndërmjet kantoneve. Ticino, ndërkohë, shfaq një nivel relativisht të lartë të angazhimit politik latent, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Ndërpritet dialogu mes qiramarrësve dhe pronarëve

Dialogu mes shoqatave të pronarëve dhe atyre të qiramarrësve në Zvicër për ligjin e qirasë është ndërprerë. Këshilltari Federal Guy Parmelin ka vendosur të anulojë takimin e dytë të planifikuar për qershor, pasi disa nga palët e përfshira kanë shprehur mungesë interesi për të vazhduar diskutimet. Lajmi u bë i ditur të martën nga Departamenti Federal i Çështjeve Ekonomike (EAER), i cili nuk specifikoi se cilat shoqata janë tërhequr nga bisedimet, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Takimet kishin nisur pas refuzimit të qytetarëve për të ndryshuar ligjin e qirasë në votimin e nëntorit të kaluar. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte të eksplorohej një rishikim i mundshëm i ligjit të qirasë në mënyrë që të përfitonin si qiramarrësit ashtu edhe pronarët.

Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve (ASLOCA) ka reaguar menjëherë pas lajmit, duke akuzuar shoqatat e pronarëve për tërheqjen nga procesi. “Kjo tërheqje është jashtëzakonisht e keqe”, deklaroi Carlo Sommaruga, president i ASLOCA-s, duke shprehur keqardhje për mungesën e vullnetit për zgjidhje konkrete nga ana e pronarëve, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, ASLOCA ka nisur një iniciativë popullore federale që synon kontrollin e rritjes së qirave. Procesi i mbledhjes së 100,000 nënshkrimeve do të fillojë më 3 qershor.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pronarëve e konsiderojnë këtë iniciativë si një provokim të panevojshëm. Olivier Feller, Këshilltar Kombëtar dhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Pasurive të Paluajtshme në Zvicrën frëngjishtfolëse, deklaroi se iniciativa minon themelet e ligjit aktual dhe e bën të pamundur arritjen e një reforme të ekuilibruar në klimën aktuale. Ai gjithashtu kujtoi se ishte ASLOCA ajo që u tërhoq nga diskutimet në vitin 2022.

Pavarësisht ndërprerjes së dialogut, Guy Parmelin ka theksuar përkushtimin e tij për të vijuar punën mbi reformimin e ligjit të qirasë. Ai mbikëqyr gjithashtu një plan veprimi me mbi 30 masa për të adresuar mungesën e strehimit në vend, ku përfshihen aktorë nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe sektorët përkatës, transmeton albinfo.ch.

 

Gjermania regjistron rritje prej 40% të krimeve të motivuara politikisht në vitin 2024

Gjermania ka shënuar një rritje shqetësuese prej 40% të krimeve të motivuara politikisht gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin paraprak, sipas të dhënave të publikuara të martën, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Nga totali prej 42,788 rasteve, afro gjysma janë krime të kryera nga ekstremistë të krahut të djathtë, duke nxjerrë në pah përhapjen e këtij fenomeni në vend.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e përshkroi rritjen si “ekstreme” dhe e lidh me polarizimin e thellë të shoqërisë gjermane dhe shtimin e rasteve të antisemitizmit.

Natalie Pawlik, komisionerja qeveritare për antiracizmin, dënoi rritjen “dramatike” të krimeve raciste, antisemite dhe islamofobe, duke theksuar se sulmet dhe nxitja e urrejtjes nga krahët ekstremë ndodhin çdo 12 minuta në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

“Përshëndetje të Hitlerit, nxitje për urrejtje, grushte në fytyrë  një krim i krahut të djathtë çdo 12 minuta në vendin tonë,” tha Pawlik.

Ajo bëri thirrje për veprime më të forta nga ana e qeverisë federale dhe shteteve për parandalimin e këtyre krimeve dhe për edukim politik, duke theksuar përgjegjësinë e çdo qytetari për të mos i mbyllur sytë ndaj ekstremizmit dhe racizmit.

“Shifrat janë një realitet i hidhur, por ato nuk duhet të bëhen kurrë normë,” tha Pawlik, duke nxitur qytetarët të ndërhyjnë kur përballen me incidente në hapësira publike dhe të mbrojnë bashkëjetesën paqësore në një shoqëri të larmishme, transmeton albinfo.ch.

Kapiteni i Kosovës afër titullin, interesim i jashtëzakonshëm për bileta

Amir Rrahmani është pranë titullit në Itali. Nëse ndodh kjo do të jetë hera e dytë për të, shkruan albinfo.ch.

Napoli është një pikë më shumë se Interi i Kristjan Asllanit.

Xhiroja e fundit zhvillohet të premten, ku vendoset titulli. Napoli e pret Cagliarin, ndërsa Interi i shkon Comos.

Interesi për ndeshjen Napoli–Cagliari ka qenë i jashtëzakonshëm. Kompania e biletave njoftoi se shitja do të niste në orën 15:00 dhe ishin mbi 400 mijë tifozë që kërkonin biletë. Interesime të mëdha nga tifozët që duan ta ndjekin ekipin e tyre në stadium në këtë sfidë të veçantë. Në rast fitimi të trofeut, festa do të zhvendoset edhe në qytet.

Zvicër: Dënimet me burgim të shkurtër pa pezullim ranë ndjeshëm në vitin 2024

Numri i dënimeve me burgim të shkurtër, pa pezullim, në Zvicër u përgjysmua gjatë vitit 2024, duke rënë nga gati 6,000 raste në vitin 2023 në pak mbi 3,000, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Zyra Federale e Statistikave. Kjo rënie prej 48% vjen në një kohë kur numri i përgjithshëm i dënimeve penale mbetet i qëndrueshëm në 111,148 raste, ndërsa gjobat mbeten forma më e zakonshme e sanksioneve, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas statistikave zyrtare, dënimet për shkelje të Kodit Penal ranë me 6%, me ulje të dukshme në veprat penale të dhunshme (–13%) dhe ato kundër pronës (–5%). Dënimet për vepra të lidhura me drogën, të cilat kanë shënuar rënie të vazhdueshme që nga viti 2015, u ulën me 10%.

Në kontrast, dënimet sipas Aktit për të Huajt dhe Integrimin u rritën me 17%, duke reflektuar një tendencë në rritje në këtë kategori ligjore.

Gjobat përbëjnë 88% të të gjitha dënimeve të shqiptuara në vitin 2024, duke mbetur mjeti më i përdorur nga drejtësia zvicerane. Në 81% të rasteve, këto gjoba u dhanë me pezullim. Dënimet me burgim përfaqësojnë 12% të totalit dhe, në më shumë se gjysmën e rasteve (59%), ato kanë zgjatur më pak se gjashtë muaj, transmeton albinfo.ch.

Në kategorinë e burgimeve më pak se 6 muaj pa pezullim, rënia ishte veçanërisht e ndjeshme për dënimet shumë të shkurtra. Numri i dënimeve me më pak se 15 ditë ra me 81%, ndërsa ato nga 15 deri në 29 ditë ranë me 76%.

Ky ndryshim përkon me një reformë në Kodin e Procedurës Penale që hyri në fuqi në vitin 2024, e cila kërkon nga prokurorët publikë të marrin sistematikisht në pyetje të pandehurit në rastet kur një urdhër penal mund të çojë në burgim pa pezullim. Kjo masë synon të garantojë të drejtat procedurale dhe të shmangë dënimet automatike pa dëgjimin e të akuzuarve.

Rënia e burgimeve të shkurtra pason gjithashtu një trend afatgjatë të nisur me ndryshimin legjislativ të vitit 2007, i cili kishte për qëllim zëvendësimin e këtyre dënimeve me masa alternative, si gjoba ose shërbim ndaj komunitetit.

Ulja e dënimeve me burgim të shkurtër është shoqëruar me një rritje të ndjeshme të gjobave  +1,600 gjoba të vendosura pa pezullim dhe +1,400 me pezullim  duke treguar një zhvendosje të vazhdueshme të sistemit penal drejt sanksioneve më të buta dhe të përshtatura, transmeton albinfo.ch.

 

Policia e Kosovës ndihmon “Ibër Lepencin” të rimarrë objektin që dyshohet se shfrytëzohej nga strukturat paralele

Policia e Kosovës ka ofruar asistencë për zyrtarët e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenci në veri të vendit, për të hyrë në një objekt pranë liqenit të Ujmanit, që dyshohet se përdorej si institucion paralel i Serbisë, transmeton albinfo.ch.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se operacioni që është zhvilluar të martën, ka ndodhur pa incidente.

“Po, i kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai.
Për këtë aksion, ka reaguar drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se do ta informojë komunitetin ndërkombëtar për të. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një objekt të Kryqit të Kuq.

“Një numër i madh i policëve hynë në objekt, ku kryen hetime dhe nuk lejuan askënd, as rojën, që t’i shoqërojë gjatë hetimeve, që lë hapësirë për manipulime nga falangat e Kurtit”, ka thënë ai në një komunikatë për media, transmeton albinfo.ch.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.

Bashkimi Evropian i ka cilësuar të njëanshme dhe të rrezikshme për përshkallëzim të situatës, veprimet të autoriteteve të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

 

Rritje e inflacionit në Evropë

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së Agjencisë Evropiane të Statistikave, në muajin prill të vitit 2025 regjistrohet në 2.6%, duke konstatuar kështu një normë më të lartë krahasuar me marsin e po të njëjtit vit. Nga ana tjetër, inflacioni sipas INSTAT për të njëjtën periudhë ishte 2.3%. Theksojmë se metodologjia e matjes është e njëjtë me të dy metodat, por diferencat mes këtyre dy matjeve vijnë si rezultat i peshës që i jepet secilit grup të produkteve në llogaritjen e inflacionit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Evropë përllogaritet në 2.4% dhe Shqipëria shihet e pozicionuar mbi këtë kufi për muajin Prill, që do të thotë se aktualisht çmimet në vendin tonë janë më të larta se mesatarja evropiane.

Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Evropë përgjatë Prillit të këtij viti janë Rumania me 4.9%, Estonia me 4.4% si dhe Hungaria dhe Serbia me 4.2% dhe 4.1% respektivisht, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Nëse analizojmë rritjen e çmimeve sipas vendeve të rajonit, shifrat tregojnë se Shqipëria pozicionohet relativisht mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon, përfshirë edhe Kosovën, ku për muajin Prill regjistron një normë të rritjes së çmimeve prej 3%.

Ndërkohë, nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve prej 8.2% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.8%. Me rritje po ashtu vihen re edhe grupi “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.1%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1.7%.

Lihet i lirë kosovari që ka therur dy të rritur dhe një fëmijë

Në qytetin Halle, një kosovar në mbrëmjen e të dielës ka goditur me thikë tre persona, përfshirë një fëmijë. Edhe pse një nga viktimat e tij ka marrë plagë të rënda, personi që ka pranuar veprën, tani është përsëri i lirë.

Ai është liruar sepse, sipas zyrës së prokurorit publik, “nuk ka më dyshime të forta për një tentativë vrasjeje”, transmeton albinfo.ch. Në vend të kësaj, shtetasi kosovar po hetohet për shkaktim lëndimesh të rënda trupore.

Vendimi për lirimin e tij thuhet se është marrë pas një sërë pyetjesh të shumta të shtruara atij dhe dëshmitarëve të tjerë. Një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik, e ka vlerësuar të akuzuarin, duke thënë se: “I akuzuari ishte shumë bashkëpunues gjatë marrjes në pyetje. Ai vetë e kishte aktivizuar zinxhirin e shpëtimit”.

Me sa duket, autori i dyshuar e pranon krimin: Avokati i tij mbrojtës thjesht mohon çdo qëllim të klientit të tij për të vrarë ose plagosur dikë, shkruan bild.de.

Siç kanë raportuar mediat gjermane dhe të tjera, kosovari ka therur me thikë një burrë 29-vjeçar, një burrë 47-vjeçar dhe një vajzë 12-vjeçare, përcjell albinfo.ch. Të tre viktimat pësuan plagë me thikë dhe u desh të shtroheshin në spital, 29-vjeçari u plagos rëndë.

Të gjithë janë shtetas sirianë dhe i përkisnin një familjeje.

“Zvicra nuk më mungon”, Shani Kadrijaj, fermeri që zgjodhi Kosovën

Pas 13 vjetësh qëndrimi në Zvicër, Shani Kadrijaj vendosi të rikthehej në vendlindje, në fshatin Rastavicë të Deçanit. Sot, ai është një prej shembujve të suksesit në bujqësi dhe blegtori në Kosovë, duke jetuar një jetë të thjeshtë, por të qëndrueshme, bashkë me familjen e tij, shkruan Koha, transmeton albinfo.ch.

Kadrijaj tregon se kishte emigruar në Zvicër për arsye sigurie dhe ekonomike, si shumë bashkatdhetarë të tjerë. Ai dhe familja ishin pajisur me dokumente qëndrimi, por gjendja shëndetësore e rënduar e prindërve dhe malli për atdheun bënë që ai të merrte një vendim të madh: rikthimin në Kosovë.

“Jam kthyer vullnetarisht dhe jam shumë i kënaqur me këtë vendim. Edhe nëse më ofrohet mundësia të rikthehem në Zvicër, nuk do ta pranoja. E kam gjetur vetën këtu”, thotë Kadrijaj, për KOHA.

Me ndihmën e bashkëshortes dhe fëmijëve, ai ka ngritur një ekonomi familjare të qëndrueshme përmes punës në bujqësi dhe blegtori. Kujdeset për 22 krerë lopë, nga të cilat siguron rreth 200 litra qumësht në ditë. Qumështi dorëzohet në pikën grumbulluese në Isniq, ndërsa të ardhurat nga kjo veprimtari i kanë mundësuar shkollimin e gjashtë fëmijëve të tij, transmeton albinfo.ch.

“Vajza e madhe ka përfunduar dy fakultete, njëra në infermieri dhe tjetra në kriminalistikë. Tjetra ka mbaruar infermierinë. Djali ka ndjekur studimet e mjekësisë në Prishtinë dhe tani vazhdon në Berlin. Djali tjetër është hendbollist i kombëtares së Kosovës. Dy binjakët janë ende në shkollë fillore. Me punë të ndershme, gjithçka është e mundur”, rrëfen ai.

Për punët e përditshme, Kadrijaj thotë se dita nis herët dhe mbaron vonë. Ai dhe bashkëshortja zgjojnë rreth orës 5:00 të mëngjesit, për të nisur punën në stallë dhe më pas në tokat bujqësore. Aktualisht, punon rreth 7 hektarë tokë ku kultivon misër, pasul dhe livadhe.

“Jeta në fshat është e mirë për ata që duan të punojnë. Pa ndihmën e familjes, nuk do të mund të arrinim këtë që kemi sot”, shprehet Kadrijaj, transmeton albinfo.ch.

Shani është përfitues edhe i një lope nga organizata humanitare “Mështjerra”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit. Kjo organizatë, me mbështetje nga donatorë irlandezë, ka ndihmuar 100 familje në dy vitet e fundit me nga një lopë për përmirësimin e jetesës në zonat rurale.

“Organizata jonë merret me dhurimin e mështjerrave për fermerët në Kosovë. Bashkëpunimi me komunën ka qenë i suksesshëm dhe kemi arritur të ndihmojmë shumë familje”, tha Florentina Kida  Gërguri, përfaqësuese e organizatës.

Ndërkohë, Komuna e Deçanit luan një rol aktiv në mbështetjen e blegtorëve lokalë. Drejtori i Bujqësisë, Rifat Stojkaj, thotë se Deçani është ndër komunat me prodhimtarinë dhe cilësinë më të lartë të qumështit në Kosovë.

Aktualisht, rreth 300 fermerë merren me blegtori në këtë komunë, ndërsa Ministria e Bujqësisë subvencionon 90 euro për çdo krerë lope.

Rasti i Shani Kadrijajt dëshmon se me përkushtim dhe punë të ndershme, jeta në Kosovë mund të jetë e qëndrueshme dhe e suksesshme  madje edhe më e pasur në vlera sesa ajo jashtë kufijve, transmeton albinfo.ch.

 

Xhaka, në ekipin e vitit në Gjermani nga “Livescore”

Granit Xhaka e kaloi një tjetër edicion të jashtëzakonshëm në Gjermani, shkruan albinfo.ch.

Ai ishte motori i Bayer Leverkusenit edhe në edicionin 2024/25, ku u renditën në vendin e dytë pas Bayern Munichut.

Për këtë, “Opta” e ka përfshirë kapitenin e Zvicrës në “Ekipin e Vitit”, të cilin e publikoi sot “Livescore”.

Ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit e gjen veten në mesfushë përkrah yjeve si Kimmich dhe Wirtz në mesfushën me tre, ndërsa përpara tyre gjenden Olise, Kane dhe Schick.

Mbrojtja përbëhet nga katërshja: Ryerson, Tah, Upamecano dhe Davies, kurse në portë është vendosur Dahmen.

 

Zvicër: Trafik i ngarkuar pritet gjatë festave të majit dhe qershorit

Zyra Federale e Rrugëve (Astra) në Zvicër ka paralajmëruar për trafik të rënduar dhe bllokime të mundshme gjatë fundjavave të gjata që lidhen me festat zyrtare: Wochenenden über Auffahrt (29 maj – 1 qershor), Pfingsten (7 – 9 qershor) dhe Fronleichnam (19 – 22 qershor), shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit, akset më të prekura nga trafiku do të jenë rrugët veri-jug, sidomos A2 (Gotthard) dhe A13 (San Bernardino), por edhe shumë segmente të tjera autostradash dhe rrugësh kryesore në të gjithë vendin.

Segmentet me më shumë trafik të pritshëm:

A1: nga Gjeneva (Bardonnex) deri në Birrfeld, përfshirë Kirchberg – Schönbühl, Härkingen – Wangen aA, Aarau-West.

A2 / A3: nga Bazeli (kufijtë me Francën e Gjermaninë), përmes Tunelit Belchen e deri në Biasca (Tuneli Gotthard), Lugano – Mendrisio.

A13: nga Sarganserland deri në Mesocco.

A8, A9, A12, A14, A15, A16 dhe rrugë të tjera në rajonet e Lozanës, Lucernit, Winterthurit, dhe Graubünden.

Kufijtë: Vallorbe (A9), Chiasso-Brogeda (A2), Gaggiolo (A24).

Pikat problematike për rrugët kryesore:

Spiez – Kandersteg

Bellinzona – Locarno

Raron – Brig

Göschenen – Andermatt

Rruga Axenstrasse (Brunnen – Flüelen)

Disa rrugë në Bernese Oberland, Graubünden dhe luginat e Valais.

Rruga e Gotthard është e hapur që nga 16 maji 2025 në të dy drejtimet. Një korsi speciale “Cupra” në Airolo do të jetë aktive në ditët me trafik të rënduar, duke mundësuar dalje të shpejtë drejt qafës pa lënë autostradën, transmeton albinfo.ch.

Ngarkimi i makinave me tren

Tuneli Simplon: për shkak të punimeve, trenat qarkullojnë çdo 2 orë në vend të çdo 1.5 orësh.

Pritje të mundshme nga ora 08:00 – 16:00 në drejtim të jugut në:

Realp (Furka)

Kandersteg (Lötschberg)

Klosters-Selfranga (Vereina)

Pritje nga ora 11:00 – 18:00 në drejtim të veriut në:

Oberwald (Furka)

Goppenstein (Lötschberg)

Lavin-Sagliains (Vereina)

Udhëtarëve u këshillohet të mos devijojnë nga autostrada, edhe në rast bllokimesh, për të shmangur mbingarkimin në fshatra dhe qytete të vogla. Devijimi shpesh rezulton në vonesa më të mëdha dhe bllokime në rrugë lokale, transmeton albinfo.ch.