Gjeneva do të ketë një linjë të veçantë ‘autobusi plazhi’

Duke filluar nga 29 maji, Dita e Ngjitjes në Qiell, kompania e Transportit Publik të Gjenevës TPG do të lançojë linjën e autobusëve 29, për të çuar popullsinë lokale në të gjitha vendet e notit të qytetit, përcjell albinfo.ch.

Kjo linjë, e cila do të shkojë përgjatë bregut të liqenit, “është projektuar për ata që kalojnë verën në Gjenevë”, tha Pierre Maudet, kreu i Departamentit të Shëndetit dhe Lëvizshmërisë.

“Linja e plazhit” do të funksionojë të premteve nga ora 8:45 e mbrëmjes deri në mesnatë, dhe të shtunave e të dielave nga ora 8:30 e mëngjesit deri në mesnatë.

Do të funksionojë afërsisht çdo 20 minuta gjatë orëve jashtë orarit të pikut dhe çdo 15 minuta gjatë orëve të pikut. Do të funksionojë gjithashtu në festat zyrtare, duke përfshirë Ditën e Ngjitjes në Qiell, të Hënën e Bardhë, Ditën Kombëtare të Zvicrës dhe Jeûne Genèvois.

Tare fillon punën të hënën te Milani

Ish-drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare do të nënshkruajë një kontratë tre vjeçare (2+1) me vlerë 800 mijë euro neto në sezon.

Pas muajsh përzgjedhjeje, hipotezash, thashethemesh dhe emrash të mundshëm, më në fund Milani ka gjetur drejtorin sportiv dhe ai do jetë Igli Tare, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Përshpejtimi i procedurave u ndoq nga kreu i RedBird, Gerry Cardinale, kjo pas humbjes 3-1 kundër Romës, që solli edhe përjashtimin e ‘Djallit’ nga Evropa. Pas takimit me drejtorin ekzekutiv Giorgio Furlani,  u arrit një marrëveshje verbale që do t’i lejojë ish-sulmuesit të Lazios të hyjë në strukturën drejtuese të kuqezinjve.

Tare (zgjedhja e parë e Ibrës) do të nënshkruajë një kontratë tre vjeçare (ndoshta me një strukturë 2+1 me një mundësi në favor të klubit) me vlerë 800 mijë euro neto në sezon.

Siç raportohet nga Calciomercato.com, një bazë fillestare mirëkuptimi midis Tares dhe Furlanit u gjet në takimin që u zhvillua në Romë më 16 prill. Një muaj më vonë, pasi e kuptoi pamundësinë e ecjes përpara në rrugë alternative, Milani vendosi të përshpejtojë në frontin e Tares, duke arritur një marrëveshje të plotë me ish-sulmuesin e kombëtares shqiptare.

Sipas raportimeve te fundit, Igli Tare do të ketë liri të plotë në zonën sportive të Milanit. Ai do të zgjedhë trajnerin e ardhshëm dhe do ta bëjë merkaton në mënyrë të pavarur. Ndryshe nuk do ta pranonte detyrën.

Prej verës së 2023 Tare ishte në pritje të një oferte të tillë, pasi la Lazion pas 15 vitesh në postin e drejtorit sportiv. Të hënën pritet që të finalizohet gjithçka dhe Tare të zyrtarizohet në postin e ri.

Bitcoin arrin vlerën në 110 mijë euro

Bitcoin ka arritur një nivel të ri historik, duke kaluar për herë të parë pragun prej 110,000 dollarësh për njësi, sipas të dhënave nga platforma e tregtimit Binance.

Rreth orës 02:27 të mëngjesit, çmimi i kriptomonedhës u rrit me 3.65%, duke arritur në 111,000 dollarë. Megjithatë, disa minuta më vonë, çmimi pësoi një korrigjim të lehtë, duke u ulur në 109,600 dollarë, me një rritje totale ditore prej 2.59%.

Ekspertët e tregut, të cituar nga agjencia ruse TASS, kanë parashikuar që rritja e Bitcoin mund të mos ndalet në këtë pikë. Sipas tyre, monedha më e madhe dixhitale në botë ka potencialin të arrijë deri në 300,000 dollarë në periudhë afatmesme, duke reflektuar interesin në rritje institucional dhe qëndrueshmërinë e teknologjisë blockchain, raporton Euronews, transmeton albinfo.ch.

Bitcoin, i prezantuar për herë të parë në nëntor 2008 nga një autor (ose grup autorësh) nën pseudonimin Satoshi Nakamoto, është një sistem i decentralizuar që operon pa një bankë qendrore apo ndërmjetës financiar. Transaksionet verifikohen dhe ruhen në një regjistër publik të quajtur blockchain, ndërsa njësitë e reja të monedhës krijohen përmes procesit të minimit.

Rritja aktuale e çmimit po konsiderohet si një nga valët më të forta në historinë e Bitcoin-it dhe vjen në një moment kur tregjet financiare globale po përballen me paqëndrueshmëri dhe inflacion të lartë.

Xhaka dhe Jashari ftohen për turneun në Amerikën Veriore

Në muajin qershor, Zvicra do të ketë dy ndeshje miqësore, në Amerikën Veriore.

Zvicra më 7 qershor do të ndeshet me Meksikën, ndërsa më 11 qershor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan albinfo.ch.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin ju ka besuar lojtarëve me përvojë dhe i ka ftuar për këto dy miqësore.

Në listën me 26 futbollistë janë edhe kapiteni Granit Xhaka dhe Ardon Jashari.

Përkundër fjalëve nuk është ftuar Xherdan Shaqiri.

Ofertë zhgënjyese nga Napoli për Zhegrovën

Zyrtarët e Lille janë shprehur jo të kënaqur me ofertën që kanë pranuar për Edon Zhegrovën. Siç raporton mediumi i afërt me klubin francez “lepetitlillois”, Napoli ka ofruar vetëm 12 milionë euro për transferimin e Zhegrovës, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Lille kërkon 20 milionë euro për ta liruar sulmuesin e krahut. Zhegrova i ka munguar Lille-it që nga dhjetori i vitit të kaluar për shkak të një lëndimi, ndërsa nga situata e tij synon të përfitojë skuadra italiane duke ofruar vetëm 12 milionë euro.

Zhegrova ka bërë të ditur se nuk do ta zgjasë kontratën e tij, duke lënë të hapur mundësinë për t’u larguar gjatë verës.

Krahas Napolit, interesim për Zhegrovën kanë shprehur edhe disa klube të tjera.

Zhegrova, 26-vjeçar, shënoi tetë gola dhe asistoi dy herë në 21 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni.

Ai me skuadrën e Lille-it ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Shqipe Sylejmani bashkë me Xherdan Shaqirin pritën presidenten Osmani

Shkrimtarja, publicistja dhe aktivistja e njohur Shqipe Sylejmani ishte pjesëmarrëse në Darkën Shtetërore të organizuar nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, me rastin e vizitës së Vjosa Osmanit, shkruan albinfo.ch.

“Çfarë nderi, dje isha e ftuar në banketin shtetëror në Shtëpinë Federale në Bern, për të festuar vizitën shtetërore të presidentes së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, në Zvicër.

Përveç komponentës historike, të cilën e festuam për nder të atdheut tim, ishte edhe thjesht shpërngulja për të qenë në një dhomë me Qeverinë e Zvicrës, shtatë Këshillat Federal dhe anëtarët nga biznesi, politika dhe sporti dhe për të biseduar me ta për shoqërinë dhe mbi të gjitha ngjarjet botërore  dhe me njërën ose tjetrën për mahnitjen time me futbollin”, është shprehur Sylejmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vazhdojë edhe sot vizitën zyrtare në Zvicër, pasi ardhja e saj këtu është me plan-program dyditore me ftesë të presidentes Keller-Sutter. /Albinfo.ch

Kur historia dhe identiteti takohen në një shesh

Në një ditë të shënuar nga solemniteti, emocionet dhe simbolika e përkatësisë së dyfishtë, sheshi historik Bundesplatz në zemër të kryeqytetit zviceran u vesh me ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe të Zvicrës, në pritjen zyrtare të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, nga Presidentja e Konfederatës Helvetike, Karin Keller-Sutter.

Ceremonia shtetërore u shoqërua nga pjesëmarrja masive e qytetarëve shqiptarë nga e gjithë Zvicra, përfaqësues të shoqatave, institucioneve dhe organizatave kulturore të diasporës, duke e kthyer këtë moment në një manifestim të qartë të lidhjeve të qëndrueshme mes dy vendeve.


Përtej protokollit diplomatik, ngjarja u përjetua si një akt i fortë afirmimi për komunitetin shqiptar në Zvicër, një komunitet që ruan me dinjitet rrënjët, ndërkohë që kontribuon në shoqërinë e re ku jeton.

Ekipi i Albinfo.ch, platformës mediatike që ndjek nga afër zhvillimet e komunitetit shqiptar në diasporë, ishte i pranishëm në vendngjarje. Duke bashkëbiseduar nga afër  me disa nga pjesëmarrësit në pritjen e zyrtare të presidentes, të cilat ndanë emocionet dhe reflektimet e tyre mbi këtë takim historik, duke dëshmuar se identiteti nuk është vetëm ndjesi personale, por edhe përfaqësim kolektiv.

Qindra shqiptarë nga kantone të ndryshme të Zvicrës, përfaqësues të shoqatave, aktivistë, të rinj dhe familjarë, u bashkuan për të shprehur respektin dhe përkrahjen ndaj shtetit të Kosovës. Në këtë ngjarje të veçantë, pjesëmarrja e diasporës shqiptare nuk ishte pasive, por aktive, simbolike dhe e përfshirë emocionalisht.

“Zvicra më mësoi të lulëzoj, Kosova më kujton kush jam”

Teuta Kryeziu, Këshilltare për Familje dhe Integrim dhe zë i fuqishëm i gruas shqiptare në diasporë, e përshkroi këtë ditë si një përqafim të padukshëm mes dy botëve të saj: “Zvicra më ka dhënë mundësinë të rritem si profesioniste, si nënë, si grua e angazhuar. Por Kosova më kujton gjithmonë kush jam dhe nga vij. Sot ndjeva për herë të parë se këto dy dashuri bashkëjetojnë me dinjitet. Prania e Presidentes Osmani, thjeshtësia dhe përulësia e saj, më përfaqësoi jo vetëm si qytetare, por si grua shqiptare që nuk ka hequr dorë nga rrënjët e veta.”

Një përmbushje emocionale dhe simbolike për diasporën

Lumturije Preteni, juriste me vite kontribut në Zvicër që prej vitit 1999, foli për një ndjesi shpirtërore të thellë: “M’u duk se një pjesë e artë e Kosovës erdhi për të bekuar popullatën kosovare në Zvicër. Sot i thashë vetes: ‘E kam arritur këtë ndjenjë përmbushjeje.’ Zonja Presidente është presidente e zemrave.”

Një moment historik në marrëdhëniet bilaterale

Për Agim Pepajn, përfaqësues i Shoqatës “Gjergj Kastrioti” dhe figurë aktive në promovimin e kulturës shqiptare në Zvicër, kjo vizitë është shumë më tepër se një akt ceremonial:“Kjo është një datë që duhet të shënohet në kalendarin e marrëdhënieve Kosovë–Zvicër. Është fryt i viteve të bashkëpunimit, respektit dhe ndihmës së ndërsjellë. Zvicra nuk ka qenë vetëm vend strehimi për ne, por edhe aleat në rrugën drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës.”

Gratë në diasporë – mbrojtëset e trashëgimisë dhe bashkëjetesës

Arbenita Zeka Surdulli, kryetare e Shoqatës Kulturore “Bashkimi”, përfaqësoi zërin e shumë grave që për vite të tëra kanë mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe ndjeshmërinë kombëtare: “Fakti që dy presidente qëndruan krah për krah – një simbolikë e fortë për ne. Ne, gratë në diasporë, kemi punuar për të ruajtur gjuhën, identitetin dhe për të ushqyer ndjenjën e përkatësisë te fëmijët tanë. Sot, me dorëzimin e dhuratave simbolike, kemi përcjellë mirënjohjen dhe dinjitetin tonë si gra që nuk harrojnë rrënjët.”

“Aromë vendlindjeje në zemrën e Zvicrës”

Edhe Besë Krasniqi, pjesëmarrëse në ngjarje dhe e angazhuar në projekte komunitare, foli për një ditë të paharrueshme: “Ishte një ditë që e kisha ëndërruar. Të shohësh shtetin tënd të përfaqësuar me dinjitet në një vend si Zvicra, të sjell aromë vendlindjeje, mall të zbutur dhe një lot gëzimi. Presidentja Osmani, me thjeshtësi dhe forcë të brendshme, na përfaqësoi si komb, si gra dhe si diasporë.”

Më shumë se një ceremoni – një histori për bashkëjetesën dhe përkatësinë

Kjo ditë përbën më shumë se një pikë në axhendën diplomatike,  ajo është një faqe e re në historinë e lidhjeve mes shqiptarëve dhe Zvicrës. Në një vend ku integrimi nuk është vetëm fjalë, por realitet i jetuar, shqiptarët kanë ndërtuar komunitete të forta, kanë ruajtur identitetin dhe njëkohësisht kanë kontribuar në zhvillimin e shoqërisë ku jetojnë.

 

Albinfo.ch, si platformë që dokumenton jetën, zërin dhe përvojat e diasporës shqiptare, do të vazhdojë të sjellë rrëfime si ky  sepse historia e diasporës është histori e kombit. Dhe zemra e saj rreh fort  mes dy flamujve.

Shpëtohen dy alpiniste pas disa orësh kërkimi në Bjeshkët e Sharrit

Sot, pas disa orë kërkimi, janë gjetur dy shtetase të huaja që kishin humbur në bjeshkët e Sharrit, përcjell albinfo.ch.

Policia ka njoftuar se dy gratë po qëndronin në një hotel në Brezovicë e mëngjesin e së mërkurës ishin nisur për ecje malore në bjeshkët e Sharrit, por se gjatë rrugës për shkak të kushteve të vështira dhe terrenit të panjohur kanë humbur rrugën.

“Rreth orës 20:50, Policia Rajonale e Ferizaj, respektivisht Stacioni Policor në Shtërpcë ka pranuar një informatë se dy alpinistet kishin humbur rrugën dhe ndodheshin diku në zonën malore të Sharrit, por pa ditur saktësisht vendndodhjen e tyre. Përmes një audio incizimi, ato kishin treguar gjendjen e tyre të rënduar dhe pamundësinë për të vazhduar më tej”, thuhet në njoftim.

Policia ka kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës. E, pas disa orësh kërkimesh intensive dhe përpjekjeve të koordinuara, më 22 maj, rreth orës  03:00, dy shtetaset e huaj janë gjetur në bjeshkët e fshatit Gotovushë.

“Ato janë transportuar menjëherë me autoambulancë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile, përveç një lëndimi të lehtë në këmbë tek njëra prej tyre”, njoftoi tutje PK.

Kallas sot në Prishtinë, takohet me krerët e partive në Zyrën e BE’së

Mësohet se përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur dje një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, sot pritet të arrijë në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.

“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e Brukselit.

Takimet e Kallas me krerë të partive do të mbahen në Zyrën e BE’së në Prishtinë të cilat janë të ftuara në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve tjerë.

Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropan duke njoftuar se kur zyrtarja e BE’së do të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër.

Express nga burimet ka arritur të mësojë se kreu i AAK’së Ramush Haradinaj do të jetë njëri nga liderët që do ta takojë Kallasin nesër në ora 18:40, ndërsa nga LDK në takimin e ndarë me Kallas pjesëmarrës  do të jenë Kryetari  Lumir Abdixhiku, Nënkryetari Lutfi Haziri dhe Nënkryetarja Doarsa Kica -Xhelili.

Për dallim nga Presidenti Këshillit të BE’së i cili e takoi Kryeministrin në largim Albin Kurti në zyrën e tij, në njoftimin e BE’së nuk përmendet ndonjë takim i veçantë me Kurtin. Me gjasë edhe Kurti nga Kallas trajtohet nga BE si lider partie e jo si kryeministër në detyrë siç e quan ai veten e kryeministër në largim siç i referohet zyra e BE’së.Sidoqoftë partitë ende s’kanë publikuar ndonjë agjendë zyrtarë rreth takimeve të sotme.

Presidentja Osmani: Dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit

Darka Shtetërore nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës u organizua për ardhjen e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan albinfo.ch.

“Mbrëmë, në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran, së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, ngremë dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit në mes shteteve tona”, është  shprehur Osmani. /Albinfo.ch

Xherdan Shaqiri mbrëmë iu bashkua Presidentes Osmani në darkën shtetërore në Zvicër

Futbollisti Xherdan Shaqiri  i është bashkuar Presidentes Vjosa Osmani mbërmë në darkën shtetërore në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Ai ishte pjesëmarrës në Darkën Shtetërore të organizuar nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, me rastin e vizitës së Vjosa Osmanit

Takimi i tij me presidenten e Republikës së Kosovës ishte emocionues. 

Osmani po qëndron në Zvicër në një vizitë zyrtare ku është pritur me nderime të larta shtetërore. /Albinfo.ch

Osmani vazhdon ditën e dytë të vizitës zyrtare në Zvicër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vazhdojë edhe sot vizitën zyrtare në Zvicër, pasi ardhja e saj këtu është me plan-program vizitë dyditore me ftesë të presidentes Keller-Sutter, shkruan albinfo.ch.

Pas një dite të ngarkuar me takime dhe ngjarje zyrtare në Zvicër, presidentja Osmani është gati të vazhdojë programin e saj të vizitës.

Në vazhdim të vizitës së saj, presidentja Osmani, bashkë me presidenten Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen ku do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE, shkruan tutje albinfo.ch.

Ndërkohë, në Gjenevë, Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër./Albinfo.ch

Graz: Shoqata “Atdheu” edhe këtë vit do të organizojë Ditën Kulturore Shqiptare

Bëhet e ditur se shoqata “Atdheu” do të organizoj më 15 Qershor 2025, në qytetin e Graz-it, Ditën Kulturore Shqiptare, një festë madhështore që do të na bashkojë të gjithëve  familjarë, fëmijë dhe komunitetin mbarëshqiptar  për të festuar së bashku kulturën, traditat dhe vlerat tona kombëtare, transmeton albinfo.at.

Ky event do tl të mbahet në Josef Huber-Gasse 26, 8020 Graz nga ora 13:00 deri 18:00.

Vlen të theksohet se kko është hera e pestë që kjo festë organizohet nga Shoqata “Atdheu”, e cila që nga viti 2006 është aktive me aktivitete kulturore, sportive dhe artistike për komunitetin shqiptar në Austri. 

Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të prezantojmë para komuniteteve të huaja në Graz kulturën dhe trashëgiminë tonë shqiptare, si dhe të forcojmë lidhjet familjare, shoqërore dhe brez pas brezi, transmeton tutje albinfo.at.

Kryetari i Shoqatës “Atdheu”, z. Bashkim Shala, falënderon nga zemra të gjithë bashkatdhetarët në Graz për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tyre të vazhdueshme në çdo aktivitet të Shoqatës. 

Për informata më të hollësishme kontaktoni në:
Tel:
0676 637 6200 

Ju mirëpret përzemërsisht Shoqata “Atdheu” dhe Këshilli Organizativ!
Ejani të festojmë së bashku  për kulturën, për traditën, për Atdheun.

3EC13FA2-9849-43B5-8B5B-8FCED0FE8761.jpg

Djegia e autobusit nga Kosova në Gjermani, pa pasoja në njerëz

Një incident është shënuar në Gjermani, ku një autobus i një kompanie nga Kosova ka marrë flakë, por pa pasoja në njerëz, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë për mediat e Kosovës, pronari i kompanisë ka bërë të ditur se autobusi nuk ka pasur udhëtarë dhe se ishte në kthim nga një servis në qytetin Dortmund, ku ishte dërguar për një rregullim teknik.

“Autobusi ka marrë flakë në Gjermani. Ka qenë në një servis të autobusit, nuk ka pasur as udhëtarë, asgjë  vetëm një shofer ka qenë. Ka qenë diçka në servis, diçka për rrymë. Vetëm servisi e ka bërë një gabim teknik, ku, duke u kthyer nga servisi, 10 km larg, e ka kapur flaka autobusin,” tha pronari i kompanisë “Pranvera Travel”.

Ai shtoi se përgjegjësia për djegien bie mbi servisin ku ishte riparuar autobusi dhe se kompania ka nisur procedurat ligjore kundër tyre.

Pse mjalti konsiderohet një super-ushqim?

Bletët dhe mjalti i tyre mbeten gjithmonë  superushqimi ynë. Mjalti është në fakt një ushqim natyral, i prodhuar nga bletët nga nektari i luleve ose mjalti, pa kërkuar procese transformimi industrial.

Nga pikëpamja ushqyese, është një tretësirë komplekse sheqeri, e përbërë nga afërsisht 80% sheqerna të thjeshtë  kryesisht fruktozë dhe glukozë  të cilat e bëjnë atë një burim të menjëhershëm dhe lehtësisht të disponueshëm energjie për trupin.

Ai gjithashtu përmban afërsisht 18% ujë, si dhe sasi të vogla vitaminash (veçanërisht vitamina B dhe vitaminë C) dhe minerale thelbësore si kalcium, hekur, magnez, kalium dhe zink”.

“Veçanërisht interesante janë vetitë e tij bioaktive, për shkak të pranisë së komponimeve fenolike, flavonoideve dhe enzimave, të cilat i japin mjaltit veti antioksiduese, antibakteriale dhe anti-inflamatore”, kujton imunologu Mauro Minelli, profesor i të ushqyerit njerëzor.

“Ai ka një indeks glicemik përgjithësisht më të ulët se sheqeri i bardhë, ndërsa mbetet një ushqim që duhet konsumuar me moderim. Shpesh përdoret si një ilaç natyral për të qetësuar kollën dhe dhimbjet e fytit, falë konsistencës së tij viskoze dhe vetive qetësuese. Për më tepër, studimet e fundit sugjerojnë një efekt të mundshëm prebiotik, të aftë për të nxitur ekuilibrin e florës së zorrëve’’, shton ai.

Për këto arsye, përdoret gjithashtu shpesh në sport, ku përfaqëson një burim të shkëlqyer energjie të shpejtë para ose pas aktivitetit fizik.

“Mbrojtja e bletëve dhe promovimi i bletarisë nuk është vetëm një akt i ruajtjes së mjedisit, por një investim konkret në shëndetin e njeriut, biodiversitetin dhe sigurinë globale ushqimore. Është një sfidë që përfshin kërkimin shkencor, politikat bujqësore, arsimin dhe ndërgjegjësimin kolektiv. Në një botë ku ekuilibrat natyrorë kërcënohen gjithnjë e më shumë, roli i bletëve dhe mjaltit përfaqëson një shembull të përsosur se si natyra dhe të ushqyerit janë thellësisht të ndërlidhura dhe të pandashme”, thekson ai.

 

 

 

Instagram ofron deri në 20,000 dollarë për krijuesit që sjellin përdorues të rinj

Instagram ka nisur një program pilot në SHBA ku krijuesit e përzgjedhur mund të fitojnë deri në 20,000 dollarë duke sjellë përdorues të rinj në platformë. Qëllimi është të konkurrojnë më fort me aplikacione si TikTok dhe YouTube.

Në këtë program, të quajtur “Referrals”, krijuesit marrin 100 dollarë për çdo përdorues të ri që regjistrohet përmes lidhjes së tyre të personalizuar ose për çdo 1,000 vizita në Instagram që vijnë nga ajo lidhje. Programi nuk është i hapur për të gjithë, por vetëm për krijuesit që ftohen nga Instagrami, përcjell albinfo.ch.

Krijuesit inkurajohen të ndajnë profilin, videot dhe postimet e tyre jashtë Instagramit, në platforma të tjera si TikTok, YouTube, Discord apo Substack.

Ky lloj iniciative është pjesë e përpjekjeve të Instagram për të mbajtur krijuesit e përmbajtjes në platformë, sidomos në kohën kur konkurrentët po ofrojnë shpërblime dhe përfitime të tjera.

Turqia me rregulla të reja në aeroplanë: Një gabim i vogël mund të kushtojë 60 euro

Nëse po planifikon një fluturim drejt Turqisë, ka një rregull të ri që duhet ta kesh parasysh  dhe nuk bëhet fjalë për bagazhin apo pasaportën. Tashmë, nëse zgjidh rripin e sigurimit dhe ngrihesh nga vendi para se avioni të ndalet plotësisht, mund të përballesh me një gjobë prej rreth 60 eurosh.

Kjo është pjesë e një rregulloreje të re nga Autoriteti Turk i Aviacionit Civil (SHGM), që synon të përmirësojë sigurinë dhe disiplinën gjatë fluturimeve. Ekuipazhet e avionëve turq kanë raportuar shpesh se pasagjerët nxitojnë të ngrihen dhe të hapin ndarjet e bagazheve menjëherë pas uljes, duke injoruar sinjalet e sigurisë, transmeton albinfo.ch.

Por nga tani e tutje, kjo sjellje do të ketë pasoja financiare. Turkish Airlines e ka marrë seriozisht vendimin dhe ka udhëzuar stafin që të paralajmërojë pasagjerët: rripi i sigurimit duhet të qëndrojë i lidhur deri në momentin që avioni parkon dhe shenja e dritës fiket.

Për më tepër, është ndaluar edhe ngritja e hershme në korridor apo tentimi për të kaluar para të tjerëve gjatë zbritjes. Edhe kjo mund të rezultojë në gjobë  edhe nëse rripi është zgjidhur dhe sinjali është çaktivizuar.

Kompanitë ajrore që nuk zbatojnë këto rregulla, gjithashtu rrezikojnë ndëshkime administrative. Kjo masë është një përpjekje për të rikthyer rregullin në kabinën e avionit dhe për të shmangur kaosin e zakonshëm që shpesh ndodh pas uljes.

 

 

Spanja ende në pritje të përgjigjeve, tre javë pas ndërprerjes së madhe të energjisë

Tre javë pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike që goditi Spanjën, shkaku dhe përgjegjësit mbeten ende të panjohur. Ndërkohë, bizneset dhe konsumatorët presin të dinë se kush do t’i kompensojë.

Luis Cid-Funtes vazhdon të vlerësojë dëmet e shkaktuara nga ajo që cilësohet si ndërprerja e energjisë së shekullit. Kompania e tij, Gomez Group Metering, administron matësit e ujit në të gjithë Spanjën. “Gjatë dy javëve të fundit kemi arritur të rivendosim të gjithë kolektorët e të dhënave të dëmtuar; jemi rikthyer në 100% kapacitet,” thotë Cid-Funtes.

Në momentin kur ndodhi ndërprerja, më 28 prill, e gjithë kompania u paralizua. “Humbëm kontaktin me të gjithë matësit që ne administrojmë,” shpjegon ai, transmeton albinfo.ch.

Sipas llogaritjeve të deritanishme, kompania ka humbur mbi 200,000 euro  e barabartë me një ditë pune dhe pajisje të dëmtuara. E për sa i përket sigurimeve? Nuk ka asnjë garanci për rimbursim. “Duhet të presim derisa të zbulohet kush është përgjegjës, që kompania e sigurimeve të nisë procesin e kërkesës për dëmshpërblim,” shpjegon drejtori.

Rreth 1.6 miliardë euro dëme në total

Në të gjithë Spanjën, dëmet përllogariten në afro 1.6 miliardë euro. Rimbursimet janë të mundshme vetëm në rrethana të caktuara, sipas një avokati të specializuar në të drejtën e sigurimeve: “Në Spanjë, pothuajse të gjitha policat e sigurimit kërkojnë që të përfshihen dëme materiale që të ketë mundësi rimbursimi.”

Shkaku mbetet mister

Autoritetet ende nuk e dinë se çfarë e shkaktoi këtë ndërprerje. Dyshohet se problemi mund të ketë filluar në parqet diellore në jug të Spanjës. Tre incidente të njëpasnjëshme çuan në kolapsimin e rrjetit elektrik. “Ka shumë mundësi që të ketë qenë një mbingarkesë. Përbërja energjetike e Spanjës ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, por nuk janë bërë investime të mjaftueshme për të përballuar këto ndryshime,” analizon inxhinieri energjetik José Antonio Galdón Ruiz.

Që pas ndërprerjes, kompania që menaxhon rrjetin elektrik të Spanjës ka ndryshuar përbërjen energjetike: më pak energji diellore dhe eolike, më shumë hidrocentrale dhe gaz. Ky ndryshim ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët.

Fëmijët trevjeçarë duhet të mësojnë gjermanisht në Zvicër

Një në pesë fëmijë të vegjël në Zvicër flet rrallë ose fare gjermanisht. Gjithnjë e më shumë kantone dhe komuna po zhvillojnë testime gjuhësore për fëmijët trevjeçarë.

Edhe pse lindin në Zvicër, shumë fëmijë nuk mësojnë asnjë fjalë gjermanisht në shtëpi. Kjo ua vështirëson ndjeshëm komunikimin në kopsht. Të dhënat e reja nga Universiteti i Bazelit, siguruar ekskluzivisht nga SRF, tregojnë se 55 për qind e fëmijëve flasin një ose më shumë gjuhë të huaja në shtëpi, dhe një në pesë fëmijë të vegjël flet shumë pak ose aspak gjermanisht.

Testime gjuhësore nga kantonet dhe komunat

Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë kantone dhe komuna kanë filluar të kryejnë testime gjuhësore. Një pyetësor vlerëson njohuritë e gjuhës gjermane te fëmijët para se të hyjnë në kopsht. Nëse niveli i gjuhës është i pamjaftueshëm, fëmijët detyrohen të ndjekin kurse gjermane para fillimit të kopshtit, transmeton albinfo.ch.

“Nëse nuk mund të komunikosh me fjalë, duhet të bërtasësh ose të godasësh për të tërhequr vëmendjen”, thotë Cornelia Bosshart, udhëheqëse e një grupi lojërash.

Shanaya, që flet portugalisht në shtëpi, ndjek dy herë në javë grupin e lojës “Purzelbaum” në Matzingen, kantoni i Thurgau. Aty ajo mëson gjermanisht për t’u përshtatur më lehtë më vonë në kopsht.

Në Thurgau, 25% e fëmijëve të testuar kishin njohuri të dobëta të gjermanishtes. Sipas Bosshart, kur fëmijët nuk e kuptojnë gjuhën, ata shpesh shfaqin sjellje të vështira. “Kjo ka ndikim të madh edhe në arsimimin e tyre të mëvonshëm.”

Gjermanishtja ndihmon edhe në zhvillimin emocional

Marina Jambreus nga Universiteti i Bazelit, e cila ka bashkëzhvilluar pyetësorët, thekson: “Kur fëmijët hasin për herë të parë në gjermanisht vetëm në kopsht, ata mbeten prapa të tjerëve. Është e vështirë të kapin ritmin.” Sipas saj, gjuha ndihmon edhe në përpunimin emocional: “Fëmijët që mund të shprehin emocionet përmes gjuhës, dinë edhe t’i kontrollojnë ato më mirë. Të tjerët përjetojnë stres ose tërhiqen shoqërisht.”

Njohuri të dobëta në gjermanisht, edhe pse me pasaportë zvicerane

Në Thurgau, 25% e fëmijëve të testuar kishin njohuri të pamjaftueshme të gjermanishtes. Në disa komuna, si Bischofszell, deri në 47% e këtyre fëmijëve kishin pasaportë zvicerane. Kjo ka befasuar edhe autoritetet.

Beat Brüllmann, shef i Zyrës për Shkollat Popullore, thotë: “Edhe neve na habiti. Mendojmë se kjo ndodh për shkak të martesave me persona që flasin gjuhë të huaja.” Edhe pse prindërit flasin gjermanisht, shumë fëmijë rriten me gjyshërit dhe komunikojnë me ta në një gjuhë tjetër.

Promovimi i hershëm i gjuhës lehtëson punën në kopsht

Vizitat në çerdhe dhe grupe loje për fëmijët trevjeçarë me mangësi në gjermanisht i kushtojnë kantonit Thurgau rreth 2 milionë franga në vit. Fillimisht ishte planifikuar që prindërit të paguanin, por Gjykata Federale e ndaloi këtë masë.

 

Restorantet zvicerane mahnitin me vlerësime të larta në renditjen e gastronomisë

Restorantet në Zvicër kanë arritur një rezultat mesatar të kënaqësisë prej 85 pikësh në vitin 2024, duke kaluar me pak konkurrentët gjermanë, të cilët morën 84.8 pikë.

Në renditjen më të re të gastronomisë, St. Gallen dhe Winterthur ndajnë vendin e parë. Ndërkohë që shërbimi vazhdon të jetë një pikë kritike, vlerësimet ndërkombëtare janë në rritje  veçanërisht ato nga Azia dhe bota arabe, transmeton albinfo.ch.

Më pak komente, më shumë zëra ndërkombëtarë

Megjithëse numri i përgjithshëm i komenteve ra pak krahasuar me vitin e kaluar  sidomos në Ticino  vërehet një rritje e madhe nga vizitorët ndërkombëtarë. Komentet nga Kina u rritën me 56%, nga vendet arabe me mbi 15% dhe nga Turqia me 74.5%.

Megjithatë, shumë vizitorë arabishtfolës kritikojnë shërbimin,  ata ndihen të padëshiruar për shkak të prejardhjes së tyre ose ankohen për mungesën e përshtatjes së ushqimeve ndaj zakoneve të tyre, si p.sh. fondue me alkool.

St. Gallen dhe Winterthur në krye, Lozana po përmirësohet

St. Gallen dhe Winterthur ndajnë vendin e parë për vitin 2024. Lozana ende nuk arrin nivelin e tyre, por ka përmirësimin më të madh, me një rritje prej 3%.

Chur gjithashtu spikat për cilësinë e ushqimit, shërbimit dhe raportit çmim-vlerë   edhe pse ka marrë më pak komente në total.

Lavdërime ose kritika,  shumë pak mes tyre

Një prirje e dukshme është polarizimi i vlerësimeve: 76% e komenteve janë ose shumë pozitive ose shumë negative. Vizitorët e pakënaqur japin zakonisht vetëm një yll, ndërsa të kënaqurit japin pesë yje. Në përgjithësi, 86.1% e vlerësimeve për restorantet zvicerane janë pozitive.

Shërbimi nën presion   veçanërisht gjatë fundjavave

Kritikat ndaj shërbimit dhe raportit çmim-vlerë janë më të theksuara gjatë fundjavave dhe në muajin gusht. Ushqimi dhe ambienti marrin vlerësime të qëndrueshme, por pikët bien të shtunave dhe të dielave. Gushti, që është periudha më e ngarkuar për gastronominë, sjell më shumë komente  por edhe vlerësimet më të ulëta.

Rreth studimit “Gastro WebReview 2025”

Ky studim është kryer për herë të gjashtë për restorantet në Zvicër dhe për herë të pestë në Gjermani. Janë analizuar mbi 600,000 komente online për gati 5,000 restorante në 16 qytete për secilin vend. Studimi është realizuar nga kompania zvicerane re:spondelligent dhe konsiderohet ndër më të besueshmit në fushën e vlerësimeve online të restoranteve.

Booking.com urdhërohet të ulë komisionet për hotelet zvicerane me 25%

Rregullatori i çmimeve në Zvicër ka vendosur se tarifat e komisionit të Booking.com për hotelet në vend janë të tepërta. Si rezultat, platforma e udhëtimeve është urdhëruar të ulë këto tarifa me afro 25%. Booking.com e ka kundërshtuar vendimin dhe njofton se do ta apelojë në Gjykatën Federale Administrative.

Rregullatori ka konstatuar se Booking.com bie nën juridiksionin e ligjit zviceran për monitorimin e çmimeve dhe se tarifat që aplikon janë të pajustifikuara. Pas përpjekjeve të pasuksesshme për negociata intensive me kompaninë, është marrë vendimi për uljen e detyruar të komisioneve.

Kompania do të ketë tre muaj për të zbatuar vendimin, pas hyrjes në fuqi të tij. Masa është e përkohshme dhe do të qëndrojë në fuqi për tre vjet, transmeton albinfo.ch.

Reagimi i Booking.com

Booking.com e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se do ta apelojë. Kompania argumenton se përdorimi i platformës nga hotelet është vullnetar dhe se komisionet reflektojnë vlerën që ajo ofron për partnerët.

“Komisionet nuk do të ndryshojnë për sa kohë që është në proces apelimi,” tha kompania për agjencinë Keystone-SDA.

Praktikat e çmimeve në fokus

Booking.com është përballur me kritika edhe më parë për politikat e saj të çmimeve. Rreth tre vite më parë, Parlamenti Zviceran ndaloi platformat si Booking.com të përfshijnë klauzola që detyrojnë hotelet të mos ofrojnë çmime më të ulëta në faqet e tyre zyrtare. Ky qasje u mbështet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në një vendim të dhënë shtatorin e kaluar.