“Defender Europe 2025” vlerësohet si moment historik për ushtrinë e Kosovës

Janë bërë gati një javë që kur ka filluar ushtrimi më i madh ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, e cila është stërvitja më e madhe vjetore e ushtrisë amerikane. Në zemrën e Ballkanit, Kosova është shndërruar urë bashkëpunimi ushtarak, përcjell albinfo.ch.

Shemsi Syla, zëvendësministër në detyrë i Mbrojtjes, tha pjesëmarrja e Kosovës si nikoqire e ‘Defender Europe 2025’ është një ngjarje më e rëndësishme gjatë rrugëtimit të forcës sonë ushtarake, nga UÇK në TMK, pastaj në FSK, si dhe tani në ushtrinë e sotshme.

Ai tha se SHBA po zhvillojnë ushtrimin më të madh deri më sot në Evropë, i cili ka kapacitete të shumta të shteteve partnere edhe të NATO-s dhe jashtë saj të ngërthyera në një ngjarje tejet të rëndësishme.

“Fati ynë është se ne jemi pjesëmarrës dhe njëkohësisht nikoqir që do të thotë shumë, sepse është një besim që ne të jemi vend nikoqir, ku Shtabi i Divizionit 28 është i dislokuar në Kosovë”, tha Syla.

Ai theksoi se ky ushtrim ka një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në ngritjen tonë morale dhe besueshmërinë që ka SHBA ndaj ushtrisë sonë dhe Kosovës.

Syla më tej shtoi se kjo do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes sonë dhe të inkurajimit në ngritjen e kapaciteteve tona ushtarake.

Ai, më tej, vuri në dukje se më 2028 do të përfundojë marrëveshja e cila në fokus ka krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Kadri Kastrati, njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, ish-komandanti i FSK-së, tha se “Defender Europe 2025”, është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe është mesazh i qartë për Serbinë dhe Rusinë.

“Serbia çdo herë bën përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe veriun e Kosovës. Ky ushtrim është besimi ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Deri këtu kemi ardhur me partnerët tanë, nuk shoh ndonjë problem në këtë ushtrim dhe forca jonë të bashkëveprojë në këtë ushtrim”, theksoi Kastrati në emisionin special në RTK, teksa shtoi se Kosova do të jetë fituese.

Ilir Qeriqi, shef i Stafit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se ushtrimi ‘Defender Europe 2025’, po shkon sipas planifikimit dhe nuk ka asnjë problem.

Ai tha për RTK, se ky ushtrim do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të FSK-së. Qeriqi bëri me dije se FSK operon edhe në vende të tjera që janë në kuadër të ushtrimit.

“Motivi ushtarak është shumë i madh, ushtarët tanë kanë bërë trajnime në bazë të trajnimeve që janë me aleatët. Qëllimi është që të testohen kapacitetet dhe performanca e FSK-së dhe çdo gjë po shkon sipas planifikimit”, tha Qeriqi.

Ndryshe DEFENDER 25, është stërvitja më e madhe vjetore e Ushtrisë Amerikane, afërsisht 180 personel nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane të Pensilvanisë vendosen në Kosovë për të marrë pjesë në Reagimin e Menjëhershëm 25 së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

I planifikuar nga 26 maji deri më 9 qershor, Reagimi i Menjëhershëm 25 është një nga tre ngjarjet kryesore të trajnimit DEFENDER 25 dhe përfshin më shumë se 12,000 trupa nga SHBA-ja, Aleatët dhe vendet partnere. Aktivitetet përfshijnë tetë vende: Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Sllovaki.

Në Kosovë, Divizioni i 28-të i Këmbësorisë dhe FSK do të marrin pjesë në Reagimin e Menjëhershëm 25 si një seli divizioni që mbikëqyr një brigadë shumëkombëshe. Ushtarë nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë, së bashku me anëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Ajovës dhe FSK-së, do të marrin pjesë gjithashtu në një stërvitje kombëtare në Zonën e Trajnimit Babaj Bokes (BBTA) më 3 qershor”./RTK/

Si po ndikon ChatGPT dhe AI në Zvicër

Referuar një studimi të fundit të kryer nga Dr. Michael Gerlich në një shkollë biznesi në Cyrih, përdorimi i tepruar i mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT nga të rinjtë mund të çojë në rënie të aftësive të tyre kognitive, veçanërisht në mendimin kritik dhe aftësinë për të përpunuar në mënyrë të pavarur informacionin, përcjell albinfo.ch.

Studimi zbuloi se pjesëmarrësit e moshës 17 deri në 25 vjeç, të cilët mbështeteshin më shumë në këto mjete për detyra akademike, tregonin rezultate më të ulëta në testet e mendimit kritik krahasuar me ata që përdornin më pak AI.

Kjo sugjeron se përdorimi i shpeshtë i AI mund të zvogëlojë aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe për të zgjidhur probleme pa ndihmën e teknologjisë.

Një shembull i përmendur në studim është ai i një studenti nga Universiteti i New Yorkut, i cili, kur u pyet pse përdorte AI për të shkruar ese, u përgjigj se “ju më kërkoni të shkoj nga pika A në pikën B, pse të mos përdor një makinë për të arritur atje?”

Kjo analogji ilustron sesi AI mund të ofrojë një rrugë më të lehtë drejt zgjidhjes së problemeve, por në të njëjtën kohë mund të pengojë zhvillimin e aftësive të mendimit të thellë.

Ekspertët theksojnë se, ndryshe nga ndihmësit tradicionalë si kalkulatorët apo shënimet, AI nuk ndihmon në përmirësimin e aftësive kognitive, por shpesh i anashkalon ato. Kjo është veçanërisht shqetësuese për të rinjtë, të cilët janë në një fazë kritike të zhvillimit të aftësive të tyre mendore dhe akademike.

Në përfundim, studimi paralajmëron se mbështetja e tepruar në AI për detyra akademike mund të ketë pasoja afatgjata në aftësinë e të rinjve për të menduar në mënyrë kritike dhe për të përpunuar informacionin në mënyrë të pavarur.

Prandaj, është e rëndësishme të përdoret AI me kujdes dhe të inkurajohet zhvillimi i aftësive të mendimit të thellë përmes praktikës dhe angazhimit aktiv në procesin e të mësuarit.

Albulena Haxhiu: Po presim vendimin e Kushtetueses për votimin e fshehtë

Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës, deputetja Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë që në mandatin e fundit ishin në opozitë, të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim.

“Ka deputetë që vijnë në Kuvend, por nuk e dinë pse vijnë. Secili deputet i LVV-së në secilën seancë konstituive, kanë qenë të pranishëm për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit. Sot ishte seanca e 16 prej momentit kur është propozuar votimi për të kaluar në votim të fshehtë, dhe në asnjërën nga to nuk ka pasur as përpjekje minimale të deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në votim”, ka deklaruar ajo.

“Nuk po themi të votojnë pro domosdo, por të votojnë kundër ose abstenim”, ka shtuar Haxhiu. Ajo tha se kjo situatë është shqetësuese.

“Janë 24 seanca me të sotmen. Kjo situatë natyrisht se është brengosëse, por sa i takon LVV-së, secilin obligim që e kemi pasur me Kushtetutë, me rregulloren e punës së Kuvendit, e kemi adresuar. Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për të konstiuuar Kuvendin”, ka deklaruar deptuetja Haxhiu.

“Edhe në letrën e Osmanit thuhet se u takon të gjithëve të gjejnë mënyrë për të konstituuar kuvendin, e jo për ta bllokuar atë”. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokuese, që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të jemi në përputhje me Kushtetutën. Ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionin e fshehtë, çështje e cila është dërguar nga AAK-ja”, deklaroi Haxhiu.

Ardon Jashari: Ndihem 100 % shqiptar

Një vit më parë luante në Superligën zvicerane. Tani po kërkohet nga klubet më të mëdha evropiane, përcjell albinfo.ch.

Pa dyshim ai është prej lojtarëve të rinj më të vlerësuar në futbollin evropian. Dhe rritja e tij është e hatashme.

Në verën e kaluar la Luzernin dhe u bashkua me klubin belg, Club Brugge. Luzerni përfitoi gjashtë milionë euro nga shitja e kapitenit të skuadrës, që vlerësohej lart në moshë shumë të re. Te Luzerni ishin të vetëdijshëm që kanë “xhevahir” në duar dhe kanë insistuar që ta mbajnë sa më gjatë për të përfituar më shumë. Por Jashari ishte i vendosur për hapin tutje.

Te Club Brugge pati sfida vetëm në pak xhiro. Më pas u stabilizua në mesin e fushës dhe shkëlqeu thuajse në secilën ndeshje. I luajti plot 52 ndeshje, kryesisht në anën defanzive të mesfushës. I luajti ndër të tjera 11 ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe shkëlqeu në shumë prej tyre. Nuk vonoi shumë dhe Club Brugge i ofroi kontratë të re, të vlefshme deri në qershor të vitit 2029.

Por është thuajse e sigurt se Jashari nuk do të qëndrojë aq gjatë te Brugge e po ashtu në futbollin belg. Ligat e mëdha, një klub prej më të mëdhenjve në botë, duket të jetë destinacioni i ardhshëm i tashmë 22-vjeçarit.

Jashari të hënën u shpall futbollisti më i mirë i edicionit 2024/2025 në kampionatin belg. U shpall edhe futbollisti më i talentuar. Menjëherë të martën u raportua që Manchester City është i interesuar për futbollistin që tani vlerësohet 35 milionë euro, të paktën.

Është e qartë që Brugge do të përfitojë shumë nga Jashari, të cilin e bleu lirë nga klubi zviceran.

Finalisti i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germaini është tjetër klub shumë i interesuar për Jasharin.

“Parisi është qytet i bukur por asgjë më shumë për momentin”,  u përgjigj Jashari në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve në futbollin belg kur u pyet për një kalim të mundshëm te PSG-ja. Ai ka përmendur që ka kontratë deri në vitin 2029. Por në të njëjtën kohë ka thënë se është shumë ambicioz.

“Ndeshja e fundit nuk ishte lamtumirë. Jam shumë i lumtur në Brugge, por në të njëjtën kohë jam shumë ambicioz. Nuk dihet kurrë se kur do të prezantohet projekti i duhur në futboll”, ka shtuar Jashari.

Borussia Dortmundi është tjetër klub që ka hyrë në garë për Jasharin. Bayer Leverkuseni po ashtu. Ka edhe plot klube tjera të top-ligave evropiane.

“Dua të luaj për klubet më të mira në botë dhe të garoj me më të mirët”, është i qartë Jashari.

I lindur në Cham të Zvicrës, Jashari është prej më të mirëve nga gjithë futbollistët shqiptarë. Ai ka prejardhjen nga Kumanova.

“Jam rritur në Zvicër, por ndihem 100 për qind shqiptar”, ka thënë Jashari jo shumë kohë më parë në një intervistë për një medium belg. “Karakteri im është shqiptar. Në shtëpi ne jemi shqiptarë. Bëjmë gjëra që bëjnë fëmijët zviceranë, por …”.

Jashari vlerësohet e ardhmja e përfaqësueses së Zvicrës. Ai ka vetëm dy paraqitje për Zvicrën A Luajti pak në një ndeshje me Çekinë në Ligën e Kombeve më 27 shtator të vitit 2022. Atë vit u ftua në Botërorin në Katar. U aktivizua në fazën nokaut ndaj Portugalisë në humbjen 6:1, më 6 dhjetor 2022. Më nuk ka luajtur me Zvicrën A, por ishte lider i pakontestueshëm te Zvicra U21.

Së fundi nga Zvicra A ishte ftuar në nëntor të vitit të kaluar. Është ftuar edhe për dy miqësore të muajit të ardhshëm.

Jashari jo gjithnjë ka shfaqur shumë interesim që të grumbullohet me Zvicrën. Por mediat zvicerane tashmë shkruajnë se përfaqësuesja nuk e ka luksin që të humbë një lojtar si Ardoni.

“Historia nuk filloi mirë. Por është larg që të jetë e mbaruar. Duke filluar nga ndeshjet e qershorit, kundër Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jashari duhet të bëhet figurë qendrore. E ardhmja e përfaqësueses së Zvicrës varet nga kjo”, shkruan “Le Matin”.

Mediat zvicerane jo gjithnjë kanë pasur qasjen më pozitive ndaj Jasharit. Drejtuesit e përfaqësueses po ashtu. Por ai ka shikuar para dhe ka bërë zhvillimin e hovshëm. Ka arritur në pikën ku pos që kërkohet nga klubet më të mëdha në botë, të vlerësohet i domosdoshëm për Zvicrën.

Ky qytet në Gjermani ofron 2 javë akomodim falas për të tërhequr banorë të rinj

Quhet Eisenhüttenstadt, është një qytet në Gjermaninë Lindore që po ofron një qëndrim 14-ditor falas për të inkurajuar njerëzit të zhvendosen atje dhe për të rritur popullsinë, e cila është në rënie prej dekadash, përcjell albinfo.ch.

Referuar një deklarate të këshillit vendor më 13 maj, kjo iniciativë e quajtur “Bëj Plane Tani” synon udhëtarët që udhëtojnë për në punë, të kthyerit e mundshëm, punëtorët e kualifikuar dhe të  vetëpunësuarit që kërkojnë një ndryshim në stilin e jetesës, raporton CNN.

Pjesëmarrësit do të qëndrojnë falas nga 6 deri më 20 shtator në apartamente të mobiluara në qendër të qytetit, dhe gjatë kësaj kohe do të kenë mundësi të njihen me jetën dhe punën në Eisenhüttenstadt përmes aktiviteteve të organizuara si turne në qytet, vizita në fabrikë dhe shëtitje.

Këshilli vendor ka deklaruar se do të ndihmojë pjesëmarrësit të eksplorojnë mundësi për qëndrim të përhershëm, përfshirë stazhe, vëzhgim pune dhe intervista me biznese lokale.

I themeluar në vitin 1950 si qyteti i parë i planifikuar nën regjimin socialist të ish-Gjermanisë Lindore dhe i njohur fillimisht si Stalinstadt, Eisenhüttenstadt dikur kishte mbi 50 mijë banorë. Sot, popullsia ka rënë në rreth 24 mijë. Zyrtarja lokale Julia Basan tha se skema synon të sjellë më shumë banorë të përhershëm, veçanërisht punëtorë të kualifikuar.

Shqiptari i zhdukur në Itali gjendet përmes helikopterit, në gjendje të rëndë

Mediat italiane raportojnë se një shtetas shqiptar 44-vjeçar, i cili ishte zhdukur prej dy ditësh, u gjet nga zjarrfikësit italianë me ndihmën e një helikopteri pranë gurores afër liqenit të Giulianello-s, në komunën e Artenës, përcjell albinfo.ch.

Në operacionin e kërkimit morën pjesë njësitë e specializuara të Brigadës së Zjarrfikësve të Colleferro-s, të cilët përdorën teknika kërkimi nga ajri  dhe toka për të lokalizuar personin.

Pas identifikimit, ai iu dorëzua punonjësve të shëndetësisë dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Colleferro-s, ku po trajtohet në gjendje të rënduar shëndetësore.

Sipas autoriteteve, 44-vjeçari ishte zhdukur dy ditë më parë pas kthimit nga puna si punëtor ndërtimi. Dyshohet se ai kishte konsumuar substanca helmuese, duke u tentuar që t’i jepte fund jetës.

Karabinierët lokalë po vijojnë hetimet dhe monitorojnë situatën për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Fortune: Mira Murati ndër 50 gratë më të fuqishme në botë

Mira Murati është pjesë e listës së Fortune për “100 Gratë më të Fuqishme në Biznes” për vitin 2025, shkruan albinfo.ch.

Ajo renditet në vendin e 47-të, një ngjitje nga pozicioni i saj i mëparshëm në vendin e 57-të në vitin 2024 .

Pas largimit nga pozita e CTO-së në OpenAI në shtator 2024, Murati themeloi startup-in e saj të inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab, ku aktualisht shërben si CEO.

Ky startup është vlerësuar me një vlerë të mundshme prej 10 miliardë dollarësh, duke e bërë atë një nga startup-et më të vlefshme në fushën e AI-së .

Përfshirja e saj në këtë listë nënvizon ndikimin e saj të vazhdueshëm në industrinë e teknologjisë dhe rolin e saj si një nga gratë më të fuqishme në biznesin global. Revista e njohur e përshkruan kështu profilin e saj:

“Mira Murati, ish-drejtoreshë e teknologjisë së OpenAI, e habiti Silicon Valley kur dha dorëheqjen nga kompania në shtator 2024: Ajo kishte qenë forca lëvizëse pas ChatGPT, modelit revolucionar të AI-së. Gjashtë muaj më vonë, Murati hodhi në treg Thinking Machines Lab, një startup të AI-së që po bën bujë, edhe pse është ende në modalitet të fshehtë. Por, ndërsa detajet rreth projektit mbeten të pakta, ndikimi i 36-vjeçares Murati në sektorin e AI-së është i qartë: Në mesin e majit, ajo thuhet se ishte afër fitimit të 2 miliardë dollarëve në atë që do të përfaqësonte raundin më të madh të investimit në historinë e teknologjisë, duke e vlerësuar Thinking Machines në 10 miliardë dollarë”.

Dështimi i 24-të, s’ka konstituim të Kuvendit

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituar as pas përpjekjes së 24-të, përcjell albinfo.ch.

Sërish nuk kishte kuorum për formimin e komisionit për të zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Është hera e 16-të që seanca dështoi në këtë pikë.

Të shtunën, në seancë ishin 96 deputetë. Votuan 53 pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime.

Seanca e radhës do të mbahet të hënën, me fillim në orën 10:30.

Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të përpiqen edhe një herë të arrijnë konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo do të jetë përpjekja e 24-të, përcjell albinfo.ch.

Në seancën e 29 majit, deputetët refuzuan të votonin për të disatën herë formimin e një komisioni për votimin e fshehtë për kryeparlamentar, propozuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas dështimit të njëpasnjëshëm të Albulena Haxhiut për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Votimi i fshehtë është kundërshtuar nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar, e këtë e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Fluks i lartë udhëtarësh në pikën kufitare të Morinit gjatë fundjavës

Duket se fundjava ka shënuar një fluks të lartë udhëtarësh në pikën kufitare të Morinit, si pasojë e rritjes së temperaturave dhe nisjes së pushimeve verore, përcjell albinfo.ch.

Shumë qytetarë kanë zgjedhur të kalojnë kufirin për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Falë marrëveshjes për lëvizjen e lirë është shmangur krijimi i radhëve të gjata në kufi, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve.

Në kufirin Morinë-Vërmicë janë hapur gjithsej 8 sportele në hyrje dhe 8 në dalje, duke mundësuar një proces të shpejtë kalimi. Njëkohësisht, kontrollet janë intensifikuar për të evidentuar rastet e mundshme të kalimeve të paligjshme.

Vetëm në 24 orët e fundit nga pika kufitare e Morinit kanë kaluar gjithsej 27,787 udhëtarë në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar. Së bashku me ta janë regjistruar rreth 8,500 automjete dhe 87 autobusë.

Të dhënat për 24 orët e fundit:

Hyrje në Shqipëri: 14,976 shtetas me 4,546 automjete dhe 87 autobusë.
Dalje nga Shqipëria: 12,811 shtetas me 4,050 automjete.

Ylli Bajrami diplomohet në “Baruch College” në Nju-Jork

Një tjetër i ri nga trojet shqiptare shkëlqen në arenën akademike ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.

Ylli Bajrami ka përfunduar me sukses studimet bachelor në Administrim Biznesi, me fokus në Financa, në një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në Shtetet e Bashkuara – Zicklin School of Business në kuadër të Baruch College, pjesë e sistemit të njohur universitar CUNY (City University of New York).

Ceremonia e diplomimit u mbajt dje në qytetin e New York-ut, ku mijëra të diplomuar nga e gjithë bota u nderuan për përkushtimin dhe suksesin e tyre akademik. Ndër ta, edhe Ylli Bajrami, i cili tashmë e ka vendosur veten në mesin e profesionistëve të rinj të financave globale.

Baruch College është gjithashtu i njohur për shumëllojshmërinë kulturore të studentëve, ku fliten mbi 110 gjuhë të ndryshme, dhe për atmosferën që promovon suksesin akademik dhe profesional në një metropol si New York-u.

Shkolla Zicklin, si një nga shkollat më të mëdha të akredituara për biznes në SHBA, njihet për cilësinë e lartë të programeve dhe lidhjet e fuqishme me industrinë financiare.

Me këtë diplomim, Ylli Bajrami hap një kapitull të ri në karrierën e tij, duke qenë një shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë suksesin ndërkombëtar përmes dijes dhe përkushtimit.

Finalja e Ligës së Kampionëve, 5,400 policë në Paris për sigurinë

Në Paris, autoritetet kanë mobilizuar 5,400 policë për të garantuar sigurinë gjatë finales së Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain (PSG) dhe Interit, njoftoi të premten shefi i policisë, Laurent Nunez, transmeton albinfo.ch.

Edhe pse ndeshja zhvillohet në Munih të Gjermanisë këtë të shtunë, një fitore e PSG-së pritet të shkaktojë festa masive në kryeqytetin francez, ku autoritetet kanë paralajmëruar se kjo festë mund të përshkallëzohet në trazira. Për shkak të masave të sigurisë, trafiku do të mbyllet në disa zona të frekuentuara gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje shumë rrugë të tjera do të bllokohen për publikun.

Masat e rrepta të sigurisë vijnë pas incidentit të ndodhur në Liverpool, ku dhjetëra tifozë u lënduan gjatë ndeshjes gjysmëfinale. Gjithashtu, festa pas fitores së PSG-së ndaj Arsenalit në gjysmëfinale kishte sjellë trazira në Paris, ku u arrestuan 47 persona dhe tre të tjerë u lënduan nga goditja e një automjeti.

“Do të jemi shumë të vendosur. Nëse ndodhin dëme ose sulme ndaj forcave të rendit, do të ndërhyjmë menjëherë,” tha shefi i policisë Laurent Nunez, duke paralajmëruar për një angazhim të fortë në ruajtjen e rendit gjatë festimeve, transmeton albinfo.ch.

Austri: SPÖ dhe NEOS arrijnë marrëveshje për koalicionin e ri në Vjenë

Vendimi për vazhdimin e bashkëpunimit mes Partisë Socialdemokrate (SPÖ) dhe NEOS në Vjenë u mor të premten në mbrëmje, duke i dhënë fund negociatave një muaj pas zgjedhjeve të fundit në kryeqytetin federal. Sipas palëve, bisedimet kaluan pa probleme dhe përfunduan me një marrëveshje të re që do t’i lejojë të dyja partitë të qeverisin së bashku për pesë vitet e ardhshme, shkruan Krone, transmeton albinfo.ch.

NEOS e përshkroi procesin si “konstruktiv” dhe theksoi se negociatat u mbajtën brenda afatit të paracaktuar, ndërsa burime brenda SPÖ-së folën për një “marrëveshje shumë të mirë dhe të shpejtë”. Qeveria e re e qytetit pritet të jetë e qëndrueshme dhe do të konstituohet para verës.

Megjithatë, miratimi përfundimtar kërkon ende votat e komisioneve të partive. SPÖ do të votojë paketën e negociuar më 3 qershor, ndërsa NEOS do të organizojë një mbledhje të përgjithshme shtetërore më 7 qershor, ku do të diskutohet dhe miratohet marrëveshja. Ende nuk ka informacione zyrtare rreth ndarjes së departamenteve, numrit të anëtarëve të senatit apo çështjeve të personelit, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe nga negociatat e vështira në nivel federal, në Vjenë procesi ka qenë relativisht i qetë dhe pa polemika të mëdha. Në zgjedhjet e 27 prillit, koalicioni i kuq-rozë mori mandat për të vazhduar qeverisjen. Një moment i paharrueshëm i vitit 2020 ishte shërbimi i një petulle gjigante rozë gjatë prezantimit të koalicionit, por këtë herë SPÖ nuk pati dhurata për të shpërndarë gjatë bisedimeve.

Qytetarët e Vjenës do të shohin brenda pak javësh përbërjen e qeverisë së tyre të re dhe planet për mandatin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Mallorca dhe Ishujt Kanarie forcojnë masat kundër turizmit masiv

Mallorca po ndërmerr hapa të rinj për të mbrojtur ambientin dhe jetën e përditshme nga efektet e turizmit masiv dhe festave të shfrenuara. Bashkia e Palmës ka publikuar kode të reja sjelljeje për vizitorët, me gjoba që variojnë nga 750 deri në 3,000 euro për shkelje të ndryshme, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Në listën e shkeljeve të vogla, përfshihen blerjet nga shitës ambulantë të paligjshëm, lakuriqësia në vende të ndaluara, konsum alkooli në hapësira publike, përdorimi i objekteve të mprehta në rërë, urinimi publik dhe përdorimi shqetësues i altoparlantëve gjatë ditës. Gjobat mund të shkojnë deri në 750 euro.

Shkeljet më të rënda përfshijnë notin në zona të kufizuara kur valëvitet flamuri i kuq, kërcimin nga ballkonet (i njohur si “ballkon”), lënien e mbeturinave, kampingun e paautorizuar dhe përdorimin e lazerëve tregues, me gjoba deri në 1,500 euro.

Ndërsa për sjelljet shumë të rënda, si sjellja diskriminuese dhe pirja masive e rrezikshme, gjobat arrijnë deri në 3,000 euro, transmeton albinfo.ch.

Këto masa vijnë në një kohë kur presioni ndaj turizmit të tepërt është në rritje jo vetëm në Mallorca, por edhe në Ishujt Kanarie. Mbi 10,000 persona demonstruan së fundmi kundër turizmit masiv, duke kërkuar modele të reja dhe më të qëndrueshme për zhvillimin turistik, përfshirë kontrolle më të rrepta të qirasë dhe ndalimin e ndërtimit të objekteve të reja turistike.

Situata në Kanari është tensionuar dukshëm muajt e fundit. Në janar, në Tenerife u shfaq një grafit provokues “Vrit një turist”, ndërsa në mars, 20 makina me qira u dogjën në parkingun e Costa Adeje, duke theksuar pakënaqësinë e vendasve. Policia ka siguruar prova video për këto sulme, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Rritet kuota e importit të vezëve nga 1 qershori

Për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës për vezë, Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur të rrisë kuotën e importit me 50 për qind, duke filluar nga 1 qershori 2025. Ky vendim do të mundësojë importe shtesë deri në 10,000 ton vezë me tarifë më të ulët, duke synuar të zbusë mungesën në tregun vendas, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

“Vendimi ishte i nevojshëm sepse prodhimi vendas vetëm nuk mund të përballojë rritjen e kërkesës”, thuhet në deklaratën zyrtare të Këshillit Federal.

Sipas të dhënave zyrtare, konsumi i vezëve për frymë në Zvicër është rritur me pesë për qind vetëm gjatë një viti, duke arritur në 198 vezë për person në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Kjo rritje e shpejtë e konsumit po sfidon kapacitetet e prodhimit vendor dhe ka detyruar autoritetet të veprojnë për të shmangur mungesat në treg.

Zvicra tradicionalisht ka një politikë mbrojtëse ndaj bujqësisë së brendshme, por hapja e kontrolluar e tregut përmes kuotave me tarifa të ulëta është një mjet për të balancuar nevojat e konsumatorëve me mbrojtjen e prodhuesve vendas, transmeton albinfo.ch.

Gjermanët preferojnë kursimin për pleqërinë

Një studim i fundit tregon se gjermanët nuk kanë problem të marrin kredi, por gjithsesi preferojnë të kenë kursime për situata të paparashikueshme dhe sidomos për moshën e pleqërisë. Kursimi për pleqërinë rezulton motivi kryesor për kursim, me 61% të të anketuarve që e përmendin këtë arsye, niveli më i lartë që nga viti 2017, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Në anketën e kryer nga instituti Kantar për Shoqatën e Bankave Private të Kursimeve u pyetën 2,000 persona. Pasi pleqëria mbetet shqetësimi kryesor, shumë gjermanë janë të pasigurt nëse pensionet do t’u mjaftojnë për të siguruar një jetë të mirë në të ardhmen.

Përveç kursimeve për pleqëri, edhe kursimet për blerje të mëdha si mobiljet apo makinat kanë rëndësi,  me 46% që kanë kursyer për këtë qëllim. Kursimet për blerjen e një shtëpie apo apartamenti janë rikthyer paksa në trend, me 39% të të anketuarve që po kursejnë për këtë, një shifër më e lartë se vjeshtën e vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Sipas Christian König, drejtor i Shoqatës së Bankave Private të Kursimeve, periudha e normave të ulëta të interesit ka ndryshuar perceptimin për kursimet: “Fundi i periudhës së normave të ulëta tregoi qartë se kursimi ia vlen dhe është i nevojshëm për liri më të madhe në të ardhmen.”

Një tjetër gjetje interesante është dallimi në pritshmëritë e jetëgjatësisë mes grave dhe burrave në moshë të mesme. Studimi i Institutit Federal për Kërkime Demografike zbuloi se gratë nënvlerësojnë sa gjatë do të jetojnë, ndërsa burrat janë më optimistë sesa tregojnë statistikat. Kjo çon në investime të pamjaftueshme në sigurinë e pensionit, duke rritur rrezikun për varfëri në pleqëri.

Autorët e studimit theksojnë se sidomos për gratë, që fitojnë mesatarisht më pak se burrat, siguria financiare në pleqëri është një sfidë në rritje, transmeton albinfo.ch.

Blatten përballë zgjedhjes së vështirë: Të largohen apo të rindërtojnë?

Pas rrëshqitjes së dheut dhe zhdukjes së akullnajës Birch, jeta në Blatten nuk është më e njëjtë. Rreth 300 banorë të këtij fshati malor në kantonin Valais janë zhvendosur në luginën e poshtme të Lötschental, ndërsa përballen me pyetjen vendimtare: të rikthehen dhe të rindërtojnë, apo të largohen përgjithmonë?

Në një takim të organizuar të enjten në mbrëmje në sallën e komunitetit Wyler, banorët e shpërndarë përreth luginës patën rastin të reflektojnë për situatën dhe të ndajnë ndjenjat mes njëri-tjetrit. “Kemi humbur gjithçka. Trishtimi ynë është absolut”, ishte mesazhi që dominonte bisedat, shkruan RTS, transmton albinfo.ch.

Disa prej banorëve shprehën dëshirën të vizitojnë shtëpitë e tyre për herë të fundit, për të mbyllur emocionalisht një kapitull që tashmë konsiderohet i përfunduar. Ndërsa të tjerë, veçanërisht të rinjtë, po mendojnë për të ardhmen dhe pyesin veten nëse ka kuptim të vazhdojnë jetën në Blatten, apo të kërkojnë një fillim të ri diku tjetër.

Që nga 19 maji, janë zhvendosur gjithsej 365 persona, sipas të dhënave të Organit të Menaxhimit Shtetëror të Kantonit Valais. Shumë prej tyre janë sistemuar në apartamente të ofruara nga komunat përreth, ndërsa disa kanë zgjedhur të strehohen pranë familjarëve.

Solidariteti nuk ka munguar. Caritas dhe Kryqi i Kuq Zviceran kanë vënë në dispozicion 400 mijë franga, ndërsa Fondi për Sponsorizimin e Komuniteteve Malore ka ndarë 1 milion franga. Fondi i Solidaritetit Zviceran ka nisur gjithashtu një apel për donacione, për të ndihmuar komunitetin në krizë, transmton albinfo.ch.

Në aspektin arsimor, fëmijët e shkollës fillore ndjekin mësimet në Wyler, ndërsa ata të shkollës së mesme në Kippel. Sipas Shërbimit Arsimor të Valais, është duke u shqyrtuar mënyra më e përshtatshme për përfundimin e vitit shkollor dhe zhvillimin e provimeve, në kushtet e reja të emergjencës.

Ndërsa rrëshqitja e dheut ka shkatërruar shtëpitë dhe ka ndryshuar peizazhin përfundimisht, vendimi për të rindërtuar apo jo Blattenin është ende pezull. Për shumë banorë, ky nuk është vetëm një vendim fizik, por edhe emocional  mes kujtesës dhe nevojës për siguri.

E ardhmja e Blatten mbetet e paqartë. Por një gjë është e sigurt: komuniteti po qëndron i bashkuar, duke kërkuar rrugëdalje mes dhimbjes dhe shpresës, transmton albinfo.ch.

Ndryshimet e reja legjislative për Sistemin e Informacionit Shengen hyjnë në fuqi më 15 qershor

Nga 15 qershori 2025 do të hyjnë në fuqi ndryshime të rëndësishme legjislative që lidhen me Sistemin e Informacionit Shengen (SIS), kanë bërë të ditur autoritetet zvicerane, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se Këshilli Federal kishte planifikuar fillimisht të priste derisa të vihej në funksion sistemi i ri evropian i autorizimit të udhëtimit (ETIAS), por ka vendosur të veprojë paraprakisht me miratimin e këtyre ndryshimeve.

Sipas legjislacionit të ri, shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë të përjashtuar nga viza, do të duhet të pajisen me një autorizim udhëtimi për të hyrë në zonën Shengen në të ardhmen. Ky autorizim ETIAS do të jetë një parakusht për udhëtimin, që synon rritjen e sigurisë në hapësirën Shengen dhe kontrollin më të mirë të kufijve.

Zvicra, si vend anëtar i zonës Shengen, është e detyruar të përshtatet me këto rregullore dhe të kontribuojë në funksionimin e sistemit të përbashkët evropian për sigurinë dhe menaxhimin e kufijve. Ndryshimet në SIS përfshijnë përmirësime në ndarjen e të dhënave, kontrollin e hyrjes-daljes, si dhe bashkëpunim më të ngushtë mes shteteve anëtare për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe kriminalitetit ndërkufitar, transmeton albinfo.ch.

Rreth 200 mijë kamionë duhen për t’i larguar rrënojat për pastrimin e Bllaten

Mëngjesin e së mërkurës, rreth orës 15:30, fshati Blatten në Valais të Zvicrës u përfshi nga një rrëshqitje masive dhe shembje akullnajore, duke u varrosur nën mbeturina, akull dhe gurë. Zona është aktualisht e ndaluar për qasje publike për arsye sigurie, ndërsa ekspertët tashmë po parashtrojnë një pyetje që duket si e dalë nga një skenar apokaliptik: Sa kohë do të duhej për të pastruar të gjithë fshatin?

Rreth tre milionë metra kub shkëmb kanë rënë nga Kleiner Nesthorn, duke u grumbulluar në luginën e Lötschental. Kësaj mase i shtohet edhe materiali i panjohur saktësisht nga Akullnaja Birch, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Për ta larguar këtë sasi kolosale mbeturinash, do të nevojiteshin rreth 200,000 udhëtime kamionësh, secili prej të cilëve do të bartte nga 25 ton rrënoja. Nëse do t’i vendosnim të gjithë këta kamionë në vijë të drejtë, kolona do të shtrihej nga Blatten deri në qytetin Porto të Portugalisë, një distancë prej 1,900 kilometrash.

Nëse 100 kamionë do të punonin çdo ditë, secili me nga një udhëtim në ditë, do të duheshin rreth 5.75 vjet për të larguar të gjithë materialin nga lugina  dhe kjo vetëm për mbeturinat nga Kleiner Nesthorn, pa përfshirë akullin apo dëmet tjera infrastrukturore.

Ekspertët e quajnë këtë një nga sfidat më të mëdha gjeologjike dhe logjistike të dekadës në Zvicër. Dhe ndërsa autoritetet përpiqen të vlerësojnë dëmet dhe të planifikojnë hapat e ardhshëm, përmasat e kësaj katastrofe natyrore mbeten të vështira për t’u përfytyruar  aq më tepër për t’u përballuar, transmeton albinfo.ch.

Franco Foda publikon listën për miqësoret e qershorit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore që Dardanët do t’i zhvillojnë në muajin qershor, në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, të cilat nisin në shtator, transmeton albinfo.ch.

Kosova do të luajë më 6 qershor kundër Armenisë, ndërsa më 9 qershor do të përballet me Komoret. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

Foda ka përzgjedhur një grup të përzier mes lojtarëve me përvojë dhe talenteve të rinj, duke shfrytëzuar këto miqësore si mundësi për të testuar zgjidhje të reja taktike dhe për të konsoliduar skuadrën në prag të fushatës kualifikuese.

Futbollistët do të grumbullohen më 1 qershor (e diel), kur edhe do të zhvillohet seanca e parë stërvitore në ora 17:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, transmeton albinfo.ch.

Po atë ditë, në ora 12:00, në hotel “Emerald” në Prishtinë, përzgjedhësi Franco Foda do të mbajë një konferencë për media, ku pritet të flasë për gjendjen e ekipit, objektivat për miqësoret dhe planet për kualifikimet e ardhshme.

Këto dy ndeshje pritet të jenë një test i rëndësishëm për përgatitjen e Dardanëve, si dhe një mundësi për tifozët të shohin zhvillimet e fundit në ekipin kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Qindra miliona franga dëme nga rrëshqitja e dheut në Blatten

Rrëshqitja masive e dheut në Blatten, në kantonin Valais të Zvicrës, mund të ketë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej qindra miliona frangash, sipas vlerësimeve fillestare nga Shoqata Zvicerane e Sigurimeve (SIA). Megjithatë, autoritetet theksojnë se është ende herët për të bërë një llogaritje të saktë të dëmeve, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i SIA-së, Thilo Kleine, ka deklaruar se është e vështirë të përcaktohet se sa prej ndërtesave të prekura janë të siguruara, për shkak se në kantonin Valais nuk ka sigurim të detyrueshëm të pronës. Pavarësisht kësaj, ai shtoi se mbulimi i sigurimit në përgjithësi është i lartë në Zvicër.

Sipas legjislacionit zviceran, çdo objekt që është i siguruar kundër zjarrit duhet të mbulohet automatikisht edhe për rreziqe natyrore, si rrëshqitje të dheut, përmbytje apo stuhi. Kjo rrit gjasat që shumica e pronave të prekura të jenë të mbrojtura financiarisht ndaj fatkeqësisë.

Ndërkohë, liqeni i përkohshëm i formuar nga rrëshqitja ka nisur të thahet ngadalë dhe përmbytjet janë shmangur për momentin; pasojat ekonomike afatgjata për rajonin pritet të jenë të konsiderueshme. Monitorimi i situatës në Blatten vazhdon, ndërsa autoritetet kantonale dhe federale po punojnë për të vlerësuar gjendjen dhe për të mbështetur banorët e prekur, transmeton albinfo.ch.

Osmani pret kongresistët amerikanë: Partneriteti me SHBA-në, shtyllë e stabilitetit në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistet e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, znj. Anu Prattipati, si dhe një delegacion të Kongresit Amerikan, raporton albinfo.ch.

Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fokus i veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, rritjes së investimeve dhe avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Presidentja Osmani theksoi se partneriteti me SHBA-në mbetet themeli i stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Ajo vlerësoi rolin aktiv dhe të pandërprerë të Shteteve të Bashkuara në rajon, duke theksuar se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe progres i dukshëm, raporton albinfo.ch.

Në takim, Presidentja shprehu mirënjohje për praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në Kosovë, të cilët, sipas saj, kanë qenë vendimtarë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, sidomos në periudhat më sfiduese.

“Mbështetja e SHBA-së që nga ditët më të vështira është dëshmi e miqësisë së thellë dhe e përkushtimit të përbashkët për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin tonë”, tha Presidentja Osmani.

Ajo falënderoi kongresistet për përkrahjen e tyre të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ritheksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është thelbësor për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, raporton albinfo.ch.