Kuvendi i Kosovës vazhdon bllokadën, dështon konstituimi për herë të 40-të

Kuvendi i Kosovës nuk arriti përsëri të konstituohet, duke regjistruar dështimin e 40-të në përpjekjet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, përcjell albinfo.ch.

Edhe këtë herë mungoi kuorumi i nevojshëm për krijimin e Komisionit Zgjedhor që do të zgjidhte kryeparlamentarin. Nga 100 deputetë të pranishëm, vetëm 51 votuan pro, ndërsa pjesa tjetër nuk mori pjesë fare në votim, pa asnjë abstenim apo votë kundër.

Partitë kryesore, përfshirë PDK, LDK, Listën Serbe, AAK dhe NISMA, nuk propozuan emra për anëtarë të komisionit, duke çuar në dështimin e seancës, e cila do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.

Ky bllokim i vazhdueshëm ka shkaktuar pakënaqësi të madhe publike dhe politike, pasi vendi po qëndron tashmë pesë muaj pa institucione funksionale. Përfaqësuesit e partive i hedhin fajin njëri-tjetrit për bllokadën. Para seancës, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mosnjohje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të Kuvendit.

Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se ka pranuar ftesë për takim për nesër nga ana e presidentes Vjosa Osmani lidhur me situatën politike të krijuar tash e pesë muaj.

Krasniqi tha se do të jetë pjesë e takimit.

“Kam pranuar ftesën dhe besoj se nesër do të mbahet takimi, ku unë do të jem i pranishëm. Qëndrimi ynë është i njëjtë si gjithmonë. Ka dy ose tre muaj që po mundohemi të gjejmë zgjidhje dhe të ofrojmë kompromise për të dalë nga kjo situatë,” tha Krasniqi.

Ai u shpreh se shpreson që e njëjta gjë të ndodhë edhe nga ana e LVV-së, ndryshe nga sa ka ndodhur deri tani.

“Ne kemi pasur kërkesë edhe më herët që presidentja të marrë rolin e saj dhe të përfshihet. Ka qenë edhe takimi para disa javësh, që e shoh pozitiv në kuadër të angazhimit, por nuk di çfarë të them për mundësinë e rezultatit, sepse në fund të fundit bllokada është prodhim i kryeneçësisë së LVV-së,” tha Krasniqi.

Dijar Ademi fiton medaljen e argjendtë në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës

Një tjetër moment krenarie për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe për gjithë dashamirët e dijes: Dijar Ademi ka fituar medaljen e argjendtë në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës për të Rinj (JBMO 2025), e cila u mbajt këtë qershor me pjesëmarrjen e 135 nxënësve të dalluar nga 23 vende të rajonit dhe më gjerë. Ky sukses ndërkombëtar vjen vetëm pak javë pasi, më 29 maj 2025, Dijari u shpall edhe Kampion Shtetëror i Maqedonisë së Veriut në Matematikë për arsimin fillor, klasa e 9-të. Ky titull, i fituar në një konkurrencë të fortë brenda vendit, përforcon edhe më shumë profilin e tij si një talent i rrallë dhe premtues në fushën e shkencës

Dijar Ademi përfaqëson jo vetëm gjeneratën e re të mendjeve të ndritura në Ballkan, por edhe potencialin e një brezi që po sfidon kufijtë me dijen, përkushtimin dhe pasionin e vet.

“Ndihem thellësisht krenare, si nënë dhe si qytetare e një kombi të vogël me talent të madh”, ka deklaruar nëna e tij Vlora Ademi.

Ky është mesazhi që mbyll këtë histori suksesi, që ka frymëzuar shumë të rinj dhe prindër njëkohësisht.
Dijari shkëlqeu në këtë garë të nivelit të lartë duke u renditur ndër më të mirët dhe humbi medaljen e artë vetëm për një pikë të vetme,  një tregues i kapaciteteve të tij të jashtëzakonshme logjike dhe matematikore. Ky rezultat e pozicionon atë si një pretendent serioz për Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (IMO) vitin e ardhshëm.

 

600,000 mijë bileta janë shitur për Evropianin e Femrave në Zvicër

Biletat për Kampionatin Evropian të Femrave, që këtë herë do të mbahet në Zvicër, po shiten mirë kudo, përveç Gjenevës.

670,000 bileta ishin në dispozicion dhe 600,000 janë shitur.

Shumica e vendeve të zhvillimit tani janë shitur të gjitha,  përveç dy ndeshjeve që do të luhen në Stade de Genève: Danimarkë-Suedi dhe Portugali-Itali.

Ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale që do të zhvillohen në Gjenevë tani janë shitur të gjitha  por është mister pse këto dy ndeshje po mbeten prapa.

Disa komentues sugjerojnë se është paksa e kuptueshme që ndeshja Danimarkë-Suedi po ka vështirësi,  por është surprizë që ndeshja italiane dhe portugeze është gjithashtu e pashitur,  duke pasur parasysh që të dy vendet kanë komunitete të konsiderueshme në Gjenevë.

Ka shpresa që kur të fillojë turneu, shitjet e biletave do të nxiten.

AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri

Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë në Zvicër (Albanian Engineers of Switzerland – AES) organizoi me sukses ngjarjen e saj vjetore “Cybersecurity & Networking Night 2025”, duke thelluar rolin e saj si një platformë udhëheqëse në fushën e teknologjisë dhe sigurisë digjitale për diasporën shqiptare në Zvicër.

Ngjarja u zhvillua në Cyrih dhe mblodhi me dhjetëra profesionistë të teknologjisë, inxhinierë, ekspertë të fushave të ndërlidhura, përfaqësues të industrisë së sigurimeve dhe partnerë strategjikë, duke dëshmuar fuqinë e AES si një rrjet që ndërton ura reale bashkëpunimi profesional në një kohë sfidash të mëdha teknologjike.

 

Kryetari i Shoqatës AES, z. Mentor Ilazi

Në fjalën e tij, kryetari i Shoqatës AES, z. Mentor Ilazi, vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të një komuniteti të fortë inxhinierësh shqiptarë, të aftë për të ndarë përvoja, për të mentoruar brezin e ri dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut teknologjik zviceran:

“AES është një rrjet funksional dhe me vizion të qartë. Në një epokë ku siguria kibernetike po bëhet shtyllë e stabilitetit ekonomik dhe shoqëror, inxhinierët shqiptarë në Zvicër kanë detyrën dhe mundësinë për të qenë faktor aktiv në ndërtimin e së ardhmes.”

Programi teknik i ngjarjes përfshiu diskutime të specializuara mbi sfidat emergjente të sigurisë kibernetike dhe ndikimin e teknologjive të reja në sektorë kyç si Insurtech dhe infrastruktura digjitale.

Samela Bajraktari, profesioniste në fushën e sigurisë së teknologjisë së informacionit, solli një analizë gjithëpërfshirëse mbi sfidat që hasin kompanitë dhe individët në këtë fushë. Ajo u ndal specifikisht në sektorin e sigurimeve, duke përmendur disa nga teknikat më të zakonshme të sulmeve kibernetike, sfidat që vijnë sidomos me zhvillimin e inteligjencës artificiale, si edhe strategjitë e mbrojtjes.

“AES po krijon një platformë profesionale që jo vetëm nxit shkëmbimin e njohurive, por edhe ndërton ndërgjegjësim mbi sfidat kibernetike që ndikojnë jo vetëm individët, por të gjithë sistemet ekonomike. Kjo është një hapësirë me ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin tonë si profesionistë në Zvicër dhe më gjerë.”

Urim Mehmedi, drejtues i domainit të IT në AES, prezantoi zhvillimin e një platforme teknologjike të dedikuar për rrjetëzimin profesional ndërmjet studentëve, profesionistëve dhe industrisë. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një “ekosistemi bashkëpunimi që i jep formë aktive rolit të diasporës në inovacion.”

 

Në vijim, anëtari i nderit të AES Isak Alimi prezantoi Çmimin për Ekselencë Akademike, i cili do të mbështesë financiarisht studentët shqiptarë në Zvicër që shquhen në studimet Bachelor, Master dhe PhD. Ky çmim, mbështetur nga donatorë privatë, synon të nxisë arritjet akademike dhe t’u japë formë lidershipit të ri intelektual në komunitet. “Qëllimi ynë është të krijojmë një kulturë të vazhdueshme të ekselencës dhe të investojmë në ata që nesër do të jenë bartës të zhvillimit teknologjik dhe shoqëror – brenda dhe përtej diasporës shqiptare”, u shpreh Alimi gjatë fjalës së tij.

Në një tjetër moment i rëndësishëm AES njoftoi partneritetin strategjik me kompaninë Zürich: Generalagentur Alex Pfister AG, me qëllim ofrimin e zgjidhjeve të avancuara për menaxhimin e rreziqeve kibernetike për anëtarët e Shoqatës, përmes një modeli bashkëpunimi kolektiv (Flottenrabatt).

Eksperti i sigurisë kibernetike, z. Sylvain Luiset

Eksperti i sigurisë kibernetike, z. Sylvain Luiset, dhe Bekim Dalipi, këshilltar privat dhe për bizneset në sektorin e sigurimeve në Kompaninë “ Zürich”, sollën perspektiva konkrete mbi ndërlidhjen mes sektorit të teknologjisë dhe atij financiar, duke vënë në dukje rëndësinë e integrimit të profesionistëve shqiptarë në këto bashkëpunime të reja.

Nënkryetar i AES-it dhe organizator i eventit Kushtrim Ajvazi

Nënkryetari i AES-it dhe organizator i eventit Kushtrim Ajvazi, theksoi: “Qëllimi ynë ishte të krijojmë një hapësirë rrjetëzimi ku inxhinierët shqiptarë jo vetëm shkëmbejnë dije, por edhe ndërtojnë bashkëpunime afatgjata në sektorë strategjikë si siguria digjitale. Kjo është një temë që kërkon ndërgjegjësim kolektiv dhe përgjegjësi të përbashkët.”

Ngjarja gëzoi mbështetjen zyrtare të Albinfo.ch si partner medial, duke siguruar shpërndarje të gjerë në rrjetet informuese të diasporës.

Dimensoni diplomatik dhe kulturor

Ambasadori i Republikës së Kosovës në  Bernë, Mentor Latifi

Ngjarja u nderua nga prania e figurave të rëndësishme institucionale. Ambasadori i Republikës së Kosovës në  Bernë Shkëlqesia e Tij Mentor Latifi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: Jam thellësisht mirënjohës ndaj AES-it dhe komunitetit të inxhinierëve shqiptarë në Zvicër, të cilët i konsideroj si ajkën e shoqërisë sonë. Që nga ardhja ime si ambasador, kam ndier mbështetje të sinqertë nga ky rrjet dhe kënaqësi të ndaj bashkërisht rezultatet institucionale AES po dëshmon se integrimi profesional është një formë e lartë e përfaqësimit kombëtar.”

Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë

Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, AES, përfaqëson jo vetëm profesionalizmin shqiptar nga të gjitha trevat, por edhe vlerat e bashkëpunimit, dijes dhe inovacionit. Iniciativa të tilla e rrisin kredibilitetin dhe kontributin e diasporës shqiptare në shoqërinë zvicerane.

Të pranishëm si mysafirë nderi ishin edhe z. Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, z. Arben Shabani nga Swissalbs, Dr. Fadil Çitaku nga IPAK, z. Rexhep Gashi, ish-kryetar i AES-it, z. Sevdail Tahiri, drejtor i Albinfo.ch, Dr. Fatime Berisha-Imeri, kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare, Dr. Mentor Bilali nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë, dhe Dr. Gazmend Haliti nga CH-APEN, si dhe personalitete të tjera të fushës së inxhinierisë, fusha të tjera veprimi dhe jetës publike të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke i dhënë ngjarjes një profil të lartë institucional, ndërsektorial dhe shoqëror.

albinfo.ch 

Mbrëmja përfundoi me një darkë të organizuar dhe një program kulturor të përzgjedhur, ku performuan këngëtarja e mirënjohur Miranda Hashani dhe muzikanti Ilir Dërbaçi – një përmbyllje e natyrshme që solli në një skenë të vetme dijen, rrjetëzimin dhe identitetin kulturor shqiptar jashtë vendlindjes.

Dr. Fadil Çitaku – IPAK dhe z.Rexhep Gashi,  ish-kryetar i AES-it

“Cybersecurity & Networking Night 2025” konfirmoi se AES nuk është vetëm një shoqatë profesionale – por një pikë referimi për diasporën shqiptare në epokën digjitale.

Lexoni po ashtu:

Bëhu pjesë e elitës akademike shqiptare të inxhinierisë në Zvicër – Apliko tani!

Riola dhe Kosovarja, dy shqiptaret e Evropianit

Nuk mund të mungojnë sportistet shqiptare në evente të mëdha.

Kështu do të ndodhë edhe në Kampionatin Evropian të femrave që zhvillohet nga 2 deri më 7 korrik në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Riola Xhemaili do të luajë për Zvicrën, ndërsa Kosovare Asllani për Suedinë.

22 vjeçarja Riola Xhemaili do të ketë motiv shtesë pasi Zvicra luan para publikut të saj, ndërkohë që Asllani me përvojën e madhe do të mundohet të bëjë befasinë me Suedinë.

KEYSTONE/Laurent Gillieron)
Keystone
EPA/Jorge Zapata

Gati 1 milion pasagjerë vetëm në muajin qershor, në Aeroportin e Tiranës

Referuar statistikave të fundit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të shënojë rritje në numrin e pasagjerëve dhe të destinacioneve ajrore, përcjell albinfo.ch.

Vetëm gjatë muajit qershor 2025, në këtë aeroport janë realizuar 6.170 fluturime drejt 84 destinacioneve në 24 shtete, ndërsa janë pritur 999.688 pasagjerë.

Këto të dhëna reflektojnë zgjerimin e rrjetit ajror që lidh Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës dhe më gjerë, duke i dhënë më shumë alternativa udhëtimi si pasagjerëve vendas ashtu edhe atyre të huaj.

Ky muaj shënoi edhe rikthimin e disa destinacioneve të preferuara. Referuar të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, top 5 destinacionet më të kërkuara mbeten Milano, Londra, Roma, Bolonja dhe Venecia.

Ndërkohë, rritjen e fluksit të pasagjerëve e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare nga INSTAT, ku në tremujorin e parë të vitit 2025 kanë udhëtuar me linja ajrore 2 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 9.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, në transportin ajror gjatë tremujorit të parë të 2025 kanë operuar 19 shoqëri ajrore, ku 18 prej tyre janë shoqëri të huaja dhe vetëm një është shoqëri shqiptare. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 65.146 avionë, nga të cilët 79.5% e zë numri i mbikalimeve. Këto shifra dëshmojnë qartë rritjen e kërkesës për udhëtime.

Dy kosovarë tentojnë të fusin në Shqipëri mbi 22 mijë franga pa i deklaruar

Në një komunikatë, policia e Durrësit ka zbuluar dhe sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara në pikën kufitare të portit, duke parandaluar një tjetër rast të shkeljes së ligjit për qarkullimin e valutës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se gjatë një kontrolli rutinë të bazuar në analizën e riskut, oficerët e Policisë Kufitare ndaluan dy shtetas kosovarë, të cilëve iu gjetën të fshehura në trup 22,820 franga zvicerane dhe 555 euro.

Dy të dyshuarit, E. H., 41 vjeç, dhe F. M., 37 vjeç, po tentonin të fusnin shumën në Shqipëri pa e deklaruar në pikën e kalimit kufitar, duke shkelur ligjin për “Mosdeklarimin në kufi të të hollave dhe të sendeve me vlerë”.

Policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj tyre, ndërsa shuma e parave u sekuestrua si provë materiale. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

VLEN: Deklarata e Ali Ahmetit për regjistrimin është skandal, mërgata meriton përgjigje

VLEN i ka reaguar kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, i cili dje tha se regjistrimi i popullsisë është realizuar sipas marrëveshjeve.

Nga VLEN thonë se “të thuash se regjistrimi ishte në kuadër të marrëveshjeve është jo vetëm pranim publik i përgjegjësisë, por edhe dëshmi tronditëse e pazareve që janë bërë mbi kurrizin e diasporës shqiptare”.

Nga VLEN thonë se kjo deklaratë nuk është sqarim, por skandal.

“Prandaj, Ali Ahmeti duhet të përgjigjet qartë: Cila ishte ajo marrëveshje? Me kë e ke bërë? Në emër të kujt? A ishte kjo marrëveshje për të fshirë mërgatën shqiptare nga regjistrat zyrtarë? Nëse po, atëherë duhet të thuhet hapur.

Mërgata meriton përgjigje dhe përgjegjësia është e pashmangshme. VLEN do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtën e çdo shqiptari, në vend dhe në diasporë”.

“Mërgata nuk është numër për t’u fshirë, por zemra që mban gjallë ekonominë dhe shpresën e këtij vendi. Ne e çmojmë çdo sakrificë të tyre dhe jemi të përkushtuar që asnjë mashtrim politik të mos i mohojë më kontributin”, thonë nga VLEN.

Sot tentimi i 40-të për konstituimin e Kuvendit

Sot do të mbahet tentimi i 40-të për konstitutimin e Kuvendit të Kosovës, që do të nisë në orën 11:00.

Tridhjetenëntë vazhdimet e deritanishme kanë dështuar për formimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, përcjell albinfo.ch.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit përmes një aktgjykimi ka vendosur të enjten, më 26 qershor, që Kuvendi duhet të konstituohet brenda tridhjetë ditësh.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Kush janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë që u panë pranë Presidencës së Serbisë?


Bëhet e ditur se nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ose së paku një prej tyre, dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit, përcjell albinfo.ch.

Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit 2023 u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Por nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.

Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.

Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.

Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti të identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile.

Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.

Dy protesta me qëllime të kundërta

Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.

Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 140 mijë njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe largimin e të ashtuquajturit “Qacillend”.

Fjala është për një kamp me tenda që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.

Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.

Në kamp janë vendosur disa studentë që “duan të mësojnë” dhe që kërkojnë rihapjen e fakulteteve, të bllokuara tash e shtatë muaj nga studentët protestues.

Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.

Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe”, një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.

Me kalimin e kohës, zona u rrethua me gardhe metalike dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë.

Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.

Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.

Mes tyre ishte edhe Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli orlovi”, dhe Goran Radosavleviq Guri, ish-gjeneral i policisë, i cili është i lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi, dy shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova, në vitin 1999.

Por ata nuk ishin të vetmit.

Të rinjtë me këmisha jeshile

Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Aktakuza u ngrit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë, pjesa veriore e Kosovës, ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.

Radoiçiq dhe disa anëtarë të grupit që kreu sulmin, pas përleshjeve të armatosura, u tërhoqën në territorin e Serbisë.

Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.

Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.

Vuçetiq, përndryshe, ka një profil të hapur në Facebook, ku shpesh poston fotografi me familjen, nga palestra apo kafeneja.

Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it, një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012 për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.

Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.

Nga 45 të akuzuarit prej autoriteteve kosovare, vetëm tre anëtarë të grupit janë aktualisht në gjyq në Kosovë.

Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.

Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon

Për pretendimet se në grup gjendeshin edhe tre persona të tjerë të kërkuar, Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente dëshmi të pavarura bazuar në mjetet forenzike.

REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët, të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023 me kërkesë të Kosovës. Por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë duhet të ekstradohen në Kosovë.

“Tani, të njëjtët njerëz janë më afër presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] sesa sigurimi i tij. Kjo tregon se kishim të drejtë kur thamë se ky grup kriminal dhe terrorist udhëhiqet dhe financohet nga Beogradi dhe se nuk është një grup huliganësh. Këta janë njerëz që janë trajnuar në Serbi, kanë marrë urdhra nga atje dhe kanë kryer agresion ndaj Kosovës”, u tha Kurti gazetarëve.

Çfarë thotë aktakuza?

Nga 45 të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë në paraburgim në Kosovë dhe gjykimi i tyre është duke vazhduar.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Radoiçiq akuzohet gjithashtu për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës, ku gjenden komunat me shumicë serbe, dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike.

Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator 2023, kur ndodhi sulmi në Banjskë, Radoiçiq siguroi të ardhura në mënyrë indirekte, shumica e të cilave u përdorën për armë të rënda, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesë të pjesëmarrësve në grup. /REL/

Në Shkupi mblidhen liderët e BE-së dhe BP-së

Në Shkup janë mbledhur liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka publikuar fotografi nga pritja e tyre, duke thënë se “këtë rast do ta shfrytëzojë për të lobuar për interesat dhe politikat e Maqedonisë”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jenë ndër folësit kryesorë në samitin dyditor në Shkup.

Ngjarja bën bashkë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian për të diskutuar zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.

Ky takim i nivelit të lartë synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik, të nxisë reformat dhe të përshpejtojë integrimin e vendeve të rajonit drejt Tregut të Përbashkët Rajonal, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

Pjesa kryesore e samitit zhvillohet më 1 korrik në hotelin “Hilton Double Tree”, ku do të analizohen progresi dhe sfidat e Planit të Rritjes, si dhe do të shqyrtohen propozime për iniciativa të reja që synojnë fuqizimin ekonomik të rajonit përmes bashkëpunimit rajonal. Programi përfshin dy panele diskutimi dhe do të përmbyllet me një drekë zyrtare dhe një konferencë për shtyp.

Sot në Zubin Potok po vendoset gurthemeli i stacionit të ri policor

Sot me fillim nga ora 09:00 në Zubin Potok, po mbahet ceremonia solemne e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e stacionit të ri policor.

Njoftimi u bë ditën e djeshme nga Policia e Kosovës.

Investimi në fjalë është përpjekje për të përmirësuar sigurinë dhe praninë policore në këtë rajon.

“Ky stacion policor do të forcojë prezencën e Policisë në Zubin Potok dhe do të përmirësojë sigurinë për qytetarët,” thuhet ne njoftim.

Lajmi në përditësim…

Gjermani: Mërgimtari keqtrajton 17 vjeçaren nga Kosova

Mediat e Kosovës raportojnë për një rast të rëndë të dhunës në familje që është paraqitur në Policinë e Kosovës nga një e re nga fshati Shalë, e cila ka denoncuar të fejuarin për dhunë dhe keqtrajtim që dyshohet të ketë ndodhur në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se viktima K. SH., 17-vjeçare, është paraqitur më 30 qershor 2025, rreth orës 14:30, në Stacionin Policor, ku ka deklaruar se gjatë dy vizitave që kishte bërë tek i fejuari F. S., 18-vjeçar, në Gjermani, kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike.

Referuar deklaratës së saj, dhuna kishte nisur në muajin mars, kur kishte shkuar për herë të parë tek i fejuari, ndërsa përshkallëzimi kishte ndodhur më 19 maj, kur ishte keqtrajtuar fizikisht gjatë qëndrimit të dytë në shtëpinë e tij.

E mitura ka pranuar trajtim mjekësor pas kthimit në Kosovë, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar për të Mitur është iniciuar rasti penal për veprën “Dhunë në familje” dhe hetimet janë në zhvillim.

Meqenëse i dyshuari nuk gjendet në Kosovë, autoritetet kanë urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së tij dhe për ta intervistuar lidhur me akuzat.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja për këtë rast.

Londër: Shqiptarja zgjidhet nxënësja më e mirë për vitin 2025, ftohet nga pesë universitete botërore

Duket se sukseset e të rinjve shqiptarë jashtë vendit vijojnë të jenë një frymëzim i veçantë, shkruan albinfo.ch.

Një nga shembujt më të fundit është Nikol Nelo, një vajzë shqiptare që është shpallur nxënësja më e mirë e vitit 2025 në një nga institucionet më të njohura arsimore në Londër, “Shkolla e Ekonomisë”.

Përmes këtij vlerësimi të jashtëzakonshëm, ajo ka fituar një bursë të veçantë që i jep mundësinë të ndjekë studimet e larta në pesë nga universitetet më prestigjioze në botë.

Vlen të theksohet se ky privilegj u jepet vetëm nxënësve ekselentë, të cilët dallohen për përkushtimin, arritjet dhe potencialin e tyre akademik.

Rezultati i Nikolit nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi e talentit, punës së palodhur dhe përfaqësimit dinjitoz të rinisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Suksesi i saj është një motivim për gjithë të rinjtë që synojnë të arrijnë lartësitë e dijes dhe të ndikojnë pozitivisht në shoqëri. /albinfo.ch

Talenti nga diaspora ëndërron të luajë për Kosovën A

14-vjeçari Argjend Kosumi është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës, në grumbullimin që bëri me futbollistë të rinj nga Diaspora në Kampin Nacional në Hajvali.

Kosumi ka treguar përshtypjet rreth këtij kampi.

Ai tregoi që është kombinuar menjëherë me bashkëlojtarët, edhe përmes gjuhës gjermane nga vjen ai, raporton Klan Kosova, transmeton albinfo.ch.

Futbollisti 14-vjeçar tha se në të ardhmen pret që të marrë ftesë edhe nga Kombëtarja A e Kosovës, ndonëse thotë se ka një rrugëtim të gjatë deri aty.

Në këtë kamp janë përfshirë edhe lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17, ndërsa plani sipas FFK-së është të përfshihen në ekipet zinxhirë të Kombëtares së Kosovës.

Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar edhe këtë vit grumbullimin treditor me futbollistë nga Diaspora në Kampin Nacional në Hajvali.

Ky kamp përfshin lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17 dhe është pjesë e planit vjetor të punës për identifikimin dhe përfshirjen e talenteve të rinj në ekipet zinxhirë të Kombëtares së Kosovës.

Gjeneva lancon aplikacion për të mbrojtur punëtorët nga vapa ekstreme

Me ardhjen e temperaturave përvëluese, shumë punëtorë që punojnë në ambiente të hapura, si në kantierë ndërtimi, rrezikohen seriozisht nga vala e të nxehtit. Për këtë arsye, Gjeneva ka krijuar një aplikacion inovativ që ndihmon kompanitë të mbrojnë punëtorët gjatë orëve më të nxehta.

Në Gjenevë, punëtorët e ndërtimit marrin pushime 15-minutëshe çdo orë dhe kanë gjithmonë ujë të freskët pranë, si masë mbrojtëse ndaj vapës së madhe. Megjithatë, që nga vera e kaluar, kantoni ka lançuar aplikacionin MeteoAtWork, i cili u rekomandon kompanive masat që duhet të marrin në ditët me rrezik të lartë për shëndetin.

Ky aplikacion tregon nivelin e stresit termik në kohë reale dhe këshillon për oraret e punës apo pushimeve shtesë. Në disa raste ekstreme, rekomandohet edhe ndërprerja e punës për të ruajtur shëndetin e punëtorëve, transmeton albinfo.ch.

Aplikacioni është zhvilluar pas verës përvëluese të vitit 2023, në bashkëpunim me punëdhënësit, sindikatat dhe organet inspektuese. Megjithatë, sindikata Unia shprehet se shumë kompani ende nuk e përdorin aplikacionin dhe nuk ua kanë shpërndarë punëtorëve.

Përveç ndërtimit, MeteoAtWork synon edhe profesione të tjera që punojnë në diell të drejtpërdrejtë, si kopshtarët apo punëtorët e zhvendosjeve. Në qershor 2025, aplikacioni u përditësua me sektorë dhe aktivitete të reja profesionale.

Ndërkohë, vala e të nxehtit në Zvicër vazhdon, me temperatura që nuk priten të bien nën 20°C gjatë natës, madje as pas reshjeve të dendura. Meteorologët parashikojnë një situatë të ngjashme edhe për ditët në vijim.

Jashari i vendosur të kalojë në Milan

Ardon Jashari është i vendosur për kalimin te Milani, raportojnë mediat italiani.

Drejtori sportiv, Igli Tare ka insistuar për talentin shqiptar, që ka njoftuar Klub Brugge se nuk është i interesuar për ofertat e tjera.

Kuqezinjtë janë të gatshëm të ofrojnë 30 milionë euro plus bonuset. Në fillim dukej se klubi belg do të pranonte, megjithatë më pas rriti kërkesat.

Borusia Dortmund është futur së fundmi në garë për shërbimet e tij. Vetë Jashari po tregohet kyç për të penguar zhvillimet e tjera.

Samuele Ricci dhe Luka Modriq do të jenë pjesë e mesfushës në edicionin e ardhshëm. Në rast se Jashari konkretizohet, atëherë mund të konsiderohet arritje.

 

Plazhet më të qeta dhe magjepsëse në Shqipëri sipas medias italiane

Nëse po planifikoni të kaloni pushimet tuaja verore në bregdetin shqiptar, duhet të dini se ka plazhe që konsiderohen të vërteta perla të natyrës. Turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si një nga destinacionet më të preferuara të verës, falë detit të pastër kristal dhe plazheve të ndryshme për çdo preferencë.

Një avantazh tjetër është afërsia me Italinë, që e bën udhëtimin të lehtë, ndërsa gjuha italiane kuptohet gjerësisht.

Nëse doni të përjetoni qetësinë larg turmave, ja disa prej plazheve më të fshehura që “Si Viaggia” sugjeron për pushimet tuaja:

Gjipë: plazhi mes kanioneve
I vendosur në Rivierën Shqiptare, Plazhi i Gjipësë mbetet më pak i frekuentuar sesa Dhërmiu apo Ksamilit. Arsyeja është se për të arritur atje, duhet të ecni rreth 40 minuta nga vendparkimi më i afërt. Rruga është e mirë, por kërkon këpucë të përshtatshme. Rëra dhe gurët e vegjël të bardhë, të kombinuar me ujin e bruztë të kristaltë, krijojnë një pamje mahnitëse në fund të kanionit, larg çdo zhurme.

Livadh: qetësi në pjesën veriore
Livadhi është i njohur, por pjesa e tij veriore mbetet më e qetë, pasi atje nuk ka shumë resorte. Nëse largoheni nga zona qendrore e mbipopulluar dhe ecni drejt veriut, do të gjeni ambiente të paprekura dhe detin e pastër kristalor.

Akuariumi: plazhi i fshehur i aksesueshëm nga deti
Ky plazh i vogël, pranë Livadhit, quhet “Akuariumi” për shkak të ujërave jashtëzakonisht të tejdukshme. Më lehtë arrihet me varkë dhe mbetet një nga vendet më romantike për të shijuar lindjet dhe perëndimet e diellit.

Pasqyra: rërë që reflekton si pasqyrë
I vendosur mes Sarandës dhe Ksamilit, ky plazh merr emrin nga drita që reflektohet fuqishëm mbi rërën e bardhë, duke krijuar një ndriçim të veçantë. Nuk ka aq shumë vizitorë sa Ksamilit, por ofron pamje spektakolare të Korfuzit dhe perëndime dielli magjike.

Borshi: plazhi më i gjatë shqiptar
Me një vijë bregdetare prej rreth 7 kilometrash, Plazhi i Borshit ofron mundësi për t’u larguar nga turmat. Mjafton të ecni pak nga zona me bare dhe restorante për të gjetur qetësinë mes natyrës, ullishtave dhe detit ngjyrë safiri.

Shën Andrea: i mbrojtur brenda Parkut Karaburun-Sazan
Ky plazh i vogël ndodhet në zonën e mbrojtur të Karaburun-Sazan dhe arrihet më së miri me varkë nga Orikumi ose Vlora. Mjedisi i paprekur dhe deti i kthjellët e bëjnë ideal për ata që kërkojnë pushim të plotë në natyrë.

Krorëza: plazhi i artë i aksesueshëm vetëm nga deti
E njohur si një ndër plazhet më të izoluar, Krorëza ka rërë të artë dhe ujë të pastër kristal. Aksesueshme vetëm me varkë nga Porto Palermo, kjo zonë ofron qetësi absolute dhe natyrë të paprekur.

2800 hektarë të djegura nga zjarret në Shqipëri, dëmi ekonomik arrin 16.75 milionë euro

Këtë vit, zjarret në Shqipëri kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 2800 hektarësh pyje dhe kullota, duke shkaktuar një dëm ekonomik të vlerësuar në 16.75 milionë euro, sipas të dhënave të European Forest Fire Information System që monitoron zjarret në Europë.

Sasia më e madhe e zjarreve janë regjistruar në zonat përreth Vlorës dhe Lezhës. Megjithatë, dëmi ekonomik i këtij viti është dukshëm më i ulët krahasuar me vitin 2024, kur zjarret dogjën sipërfaqe të mëdha dhe dëmi ekonomik arriti në rreth 280 milionë euro, një vit që u konsiderua ndër më katastrofikët e dekadës së fundit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po punojnë intensivisht për të parandaluar dhe menaxhuar situatën, duke aktivizuar 64 automjete zjarrfikëse dhe dronë patrullues për monitorim të vazhdueshëm në terren.

Virusi Mpox mund të infektojë qelizat e trurit, zbulojnë studiuesit zviceranë

Një studim i ri nga Universiteti i Bernës tregon se virusi Mpox mund të infektojë edhe trurin e njeriut dhe të dëmtojë qelizat nervore.

Me rritjen globale të rasteve me Mpox, këto rezultate janë me rëndësi të madhe, sipas Universitetit të Bernës dhe Institutit të Virologjisë dhe Imunologjisë (IVI). Studimi tregon se virusi, i njohur më parë si lia e majmunëve, mund të shkaktojë vdekje të qelizave të trurit.

Çfarë tregoi studimi?

Nga analizat e realizuara me organoide të trurit (mini-tru laboratorik të rritur nga qeliza burimore njerëzore), u vu re se virusi Mpox shpërndahej nga një qelizë te tjetra, duke shkaktuar trashje të ngjashme me ato që vërehen te sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimer. Këto trashje çojnë më pas në vdekjen e qelizave nervore.

Përdorimi i ilaçit antiviral tecovirimat rezultoi efektiv, pasi uli ndjeshëm ngarkesën virale në organoidet e trurit.

Fakte shtesë mbi Mpox:

  • Sëmundja zakonisht shfaqet me simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra në lëkurë.

  • Nga viti 1985 deri në 2021, rreth 3% e të infektuarve zhvilluan simptoma neurologjike si epilepsi apo encefalit; disa raste përfunduan me vdekje.

  • Shkalla reale e ndikimit të virusit në sistemin nervor qendror ende nuk kuptohet plotësisht.

Ismajli largohet nga Empoli, por mbetet në Itali

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli i ka dhënë fund aventurës me Empolin, por mbetet në Serie A.

Ismajli pritet të kalojë në Torino, raportojnë mediat italiane, përcjell albinfo.ch.

Transferimi i Ismajlit vjen në një moment kur Torino është në kërkim të stabilitetit në mbrojtje dhe shqiptari shihet si një zëvendësues i mundshëm për Saúl Coco, edhe nëse ky i fundit qëndron në klub.

Me përvojën e tij në elitën e futbollit italian dhe rolin lider që ka pasur te Empoli, Ismajli pritet të sjellë siguri dhe fizikalitet në mbrojtjen torineze.

Për klubin dhe tifozët e Torinos, ky është një përforcim me shumë peshë dhe një sinjal i qartë se objektivat për sezonin e ri janë ambicioze.

Klubi i Empolit ka falënderuar Ismajlin dhe disa futbollistë të tjerë, të cilëve ju ka përfunduar kontrata dhe nuk do të jenë pjesë e klubit për edicionin e ardhshëm që do të garojë në Serie B.

 

 

Aksidentet në transportin publik në Zvicër: Më shumë se dyfish i viktimave në 2024 krahasuar me vitin e kaluar

Në vitin 2024, 39 persona humbën jetën në aksidente që përfshinë transportin publik në Zvicër, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar kur u raportuan 15 viktima.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, gjysma e viktimave ndodhën në aksidente me tramvajë, autobusë urbanë, rajonalë dhe postarë, ndërsa 19 persona vdiqën në transportin hekurudhor.

Shumica e të vdekurve ishin persona të tretë (34), kurse 3 ishin punonjës të kompanive të transportit dhe 2 pasagjerë. Vetëvrasjet nuk përfshihen në këto shifra. Megjithëse siguria në transportin publik është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, kjo rritje e fundit e viktimave shihet si prirje shqetësuese, transmeton albinfo.ch.

Në transportin e mallrave, performanca ra në nivelin më të ulët që nga 2009, me metalet dhe produktet metalike që mbetën grupi më i transportuar, të ndjekura nga ushqimet dhe produktet e naftës. Në hekurudhat speciale, si trenat me dhëmbëza apo teleferikët, nuk pati asnjë viktimë.