Kurti flet pas takimit me presidenten Osmani

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që Kuvendi i ri të konstituohet deri në fundin e korrikut dhe në frymën e bashkëpunimit mes partive politike.

Pas një takimi që zgjati rreth dy orë me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, Kurti u shpreh se afatet ligjore janë duke rrjedhur dhe se konstituimi i legjislaturës së re duhet të ndodhë në javën e fundit të korrikut.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e

bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, ka thënë Kurti.

Ai bëri të ditur se në takim me Osmanin janë diskutuar të gjitha elementet përbërëse të procesit.

Kurti u shpreh se duhet pritur që të përfundojnë edhe takimet e presidentes me përfaqësuesit e partive të tjera, “për të vlerësuar nëse do të arrihet përparim i mjaftueshëm”.

“Besoj duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim cili është progresi”, u shpreh Kurti.

Evropa ‘përvëlohet’ nga i nxehti

Këtë qershor, shumë pjesë të Evropës u përballën me temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë për muajin e verës. Shkencëtarët thonë se këto kushte ekstreme janë shkaktuar nga një model i njohur moti, i përkeqësuar nga ngrohja globale. Në disa vende janë mbyllur edhe shkollat dhe atraksionet turistike, sepse temperaturat janë bërë vdekjeprurëse, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Valët e të nxehtit do të ndodhin më shpesh

Botës do t’i duhet të jetojë me valë të nxehti, tha Organizata Botërore Meteorologjike (OBM). Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Motin dhe Klimën tha se valët e të nxehtit mund të ndodhin më shpesh dhe të jenë më intensive.

“Si rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, nxehtësia ekstreme po bëhet më e shpeshtë dhe më intensive. Është diçka me të cilën duhet të mësohemi të jetojmë”, tha zëdhënësja e OBM-së, Clare Nullis. Edhe Mesdheu është i prekur drejtpërdrejt nga ndryshimet e klimës. Gjasat për valë të nxehti janë rritur pesë herë si pasojë e ndryshimit të klimës.

Ndryshimi i klimës rrit rrezikun e zjarreve

Sipas OBM-së, ndryshimi i klimës rrit edhe rrezikun e zjarreve. Kjo sepse ndryshimi i klimës çon në periudha të gjata thatësire dhe nxehtësie, gjë që rrit rrezikun për zjarre.

Po ashtu, ekspertët paralajmërojnë se vapa përvëluese përbën rrezik edhe për jetën. Ata theksojnë se temperaturat e larta kanë efekt të fortë në tru dhe mund të çojnë në disorientim dhe vendime të gabuara, duke ndikuar edhe në vlerësim të gabuar të rreziqeve. Shumë njerëz, për shkak të mungesës së njohurive, kanë tendencën ta nënvlerësojnë rrezikun prej diellit dhe vapës dhe injorojnë temperaturat e rrezikshme.

Medalje ari për Shqipërinë, 14 vjeçarja mposht serben në finale

Ekipi Shqipërisë i të rinjve në karate ka marrë pjesë në Ligën botërore të karatesë për të rinj që u mbajt në Kroaci në datat 26 deri 29 qershor.

4 sportistë kishte në përbërje të tij ekipi kombëtar i moshave 10 deri 21 vjeç, tre nga ekipi i Tiranës dhe një nga ekipi Bijtë e Shqipes Lushnje. Në këtë Botëror merrnin pjesë 4000 sportistë nga 78 vende të botës.

Karateistja 14 vjeçare e ekipit Bijtë e Shqipes Lushnje, Amanda Dedej është kthyer me medalje ari nga ky botëror. Në peshën nën 52 kilogram, karateistja u ndesh me gjashtë kundërshtare ku në finale mposhti serben Neda Mariçeviç, duke fituar 4- 0, transmeton albinfo.ch.

Trajneri i ekipit kombëtar të karatesë Lirim Dedej ndër të tjera u shpreh se ekipi kombëtar i Shqipërisë pas shumë arritjeve të tjera në ballkaniada e evropianë së fundmi ka sjellë më shtëpi medaljen e arit nga botërori i Kroacisë.

Fituesja e medaljes së artë në këtë ligë, Amanda Dedej, është 14 vjeçe dhe ka arritur gjithçka dhe tani synimi i saj është medalja e artë olimpike.

Pagat marramendëse në startup-i e ri të Mira Muratit

Thinking Machines Lab, startup-i i ri i Mira Muratit, ka tërhequr vëmendje për pagat jashtëzakonisht të larta që u jep specialistëve të teknologjisë. Para lançimit të produkteve, kompania po investon në ndërtimin e një ekipi elitar në fushën e inteligjencës artificiale.

Thinking Machines Lab, startup-i shumë i përfolur i inteligjencës artificiale, i themeluar në fillim të këtij viti nga ish-drejtoresha kryesore e teknologjisë së OpenAI, Mira Murati, ka shpenzuar shumë para për talentet teknike përpara se të lançojë ndonjë produkt.

Kështu raportojnë media të huaja, sipas të cilave TML po u paguan dy anëtarëve të stafit të saj teknik 450 000 dollarë pagë, ndërsa një tjetër po merr 500 000 dollarë, sipas të dhënave nga Business Insider. Kurse një punonjës i katërt, i listuar si “bashkëthemelues/specialist i mësimit automatik”, merr 450 000 dollarë në vit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat vijnë nga dosjet federale që kompanitë duhet të plotësojnë kur punësojnë një banor joamerikan me një vizë H-1B, që u lejon atyre të marrin në punë 85 000 punëtorë të specializuar përmes një lotarie vjetore.

Meqenëse kompanitë rrallë zbulojnë të dhëna për pagat, shifrat ofrojnë një pamje të rrallë të asaj që kandidatët po fitojnë në këtë treg pune. Vlerat përfshijnë vetëm pagat bazë, jo bonuset fitimprurëse të hyrjes dhe shpërblimet e kapitalit që shpesh janë vendi ku fitohen shumat e mëdha.

Të dhënat thuhet se janë nga tremujori i parë i këtij viti, përpara se Murati të mblidhte 2 miliardë dollarë në financimin fillestar me një vlerësim prej 10 miliardë dollarësh, sipas Business Insider.

Murati kaloi 6 vjet e gjysmë në OpenAI, ku punoi në zhvillimin e ChatGPT dhe iniciativave të tjera kërkimore të inteligjencës artificiale. Ajo u emërua shkurtimisht CEO e përkohshme në nëntor 2023 pasi bordi i OpenAI shkarkoi papritur Sam Altman, një veprim që shkaktoi trazira brenda kompanisë. Pas rikthimit të Altman në detyrë si CEO, Murati rifilloi rolin e saj si shefe e sektorit të teknologjisë.

Milani me ofertë të re zyrtare për Ardon Jasharin

Mediat botërore shkruajnë se tashmë janë orët vendimtare për të ardhmen e Ardon Jasharit, objektivit numër një të Milanit për mesfushën, së bashku me Samuele Ricci-n, për të cilin negociatat me Torinon po ecin me shpejtësi. Megjithatë, pak më komplekse janë negociatat me Bruges për lojtarin e lindur në vitin 2002, përcjell albinfo.ch.

Kuqezinjtë do të paraqesin një ofertë të re zyrtare prej 30 milionë eurosh, plus bonuse, për të arritur rreth 35. A do të jetë e mjaftueshme? Sipas raportimeve në Belgjikë, klubi zikaltër ka vendosur pragun për shitje në 35 milionë, një shumë fikse.

Megjithatë, ekziston një detaj i rëndësishëm në negociata. Jashari dëshiron Milanin dhe vetëm Milanin. Kjo është arsyeja pse ai i tha jo Borussia Dortmundit dhe disa klubeve angleze.

Ai nuk është shkëputur nga ekipi i tij aktual, por tashmë i ka informuar drejtuesit e Bruges për vullnetin e tij, duke u kërkuar atyre të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përmbushur ëndrrën e tij, për të luajtur në “San Siro”.

Prandaj, është e mundur që belgët të pranojnë një zbritje të vogël.

Agjenti ka kohë që ka arritur një marrëveshje me “Djallin” dhe tani janë edhe detajet. Bëhet fjalë për një kontratë pesëvjeçare me vlerë 2.8 milionë neto në sezon.

Megjithatë, nuk është vetëm aspekti ekonomik që po e shtyn Jasharin të transferohet në Milano.

Që kur ishte fëmijë, kur vinte në stadium për Milan-Barcelona, ngjyrat kuq e zi janë bërë ato të zemrës së tij.

Universiteti i Bazelit dyfishon tarifat semestrale për studentët afatgjatë

Ata që nuk arrijnë të përfundojnë programin e tyre të diplomës bachelor brenda pesë viteve mund të detyrohen të paguajnë dyfishin e tarifave aktuale në Universitetin e Bazelit, përcjell albinfo.ch.

Kjo do ta çonte tarifën e shkollimit nga 850 franga aktualisht në 1 700 franga.

Universiteti do t’i ftojë studentët e diplomës bachelor që janë regjistruar për më shumë se pesë vjet në një konsultim personal. Qëllimi është të planifikohet diplomimi i tyre, duke marrë parasysh rrethanat e tyre individuale.

Tarifat do të dyfishohen vetëm nëse diploma ende nuk është përfunduar pas datës së rënë dakord.

Masa do të zbatohet duke filluar nga semestri i pranverës i vitit 2026, me një periudhë tranzicioni dyvjeçare. Dyfishimi i parë i tarifës së shkollimit, pra, nuk do të ndodhë deri në semestrin e pranverës të vitit 2028, në rastin më të hershëm.

Megjithatë, në raste të vështira, rritja mund të hiqet tërësisht ose pjesërisht.

Rriten për 3% remitencat në Kosovë në periudhën janar–maj

Bëhet e ditur se paratë e dërguara nga diaspora në Kosovë arritën në 530 milionë euro gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, nga 513 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka Qendrore, duke cituar të dhëna paraprake, transmeton albinfo.ch.

Referuar të dhënave, thuhet se vetëm gjatë muajit maj, dërgesat nga jashtë u rritën për 7% në baza vjetore, duke kapur shumën prej 126.6 milionë eurosh, thuhet në publikimin e të dhënave të së martës nga Banka Qendrore.

Krahasuar me muajin prill, dërgesat në maj shënuan një rritje prej 13%.

Gjatë vitit 2024, dërgesat e huaja në Kosovë ishin rritur me 1.1%, duke arritur në gjithsej 1.35 miliardë euro.

Leverkuseni nuk e ka ndërmend të largoj Granit Xhakën

Bayer Leverkuseni sërish ka dhënë të tjera shenja se nuk e ka ndërmend të largoj Granit Xhakën. përcjell albinfo.ch.

Nënkampioni gjerman sot ka publikuar fotografi të Xhakës duke pozuar me fanellën e re vendase të skuadrës. Po ashtu ka publikuar një fotografi të tij me mbishkrimin ”dukesh mirë, Granit”.

Xhaka kishte dhënë shenja se e dëshiron largimin nga Leverkuseni, ndërsa Milani u angazhua për transferimin e tij.

Por ka gjithnjë e më shumë raportime se kapiteni i Zvicrës do të mbetet te Leverkuseni.

Presidentja e Kosovës: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi 2 Korrikun e vitit 1990 të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, duke vlerësuar se ishte akt historik, përcjell albinfo.ch.

“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë. Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë. Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë. Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”, tha Osmani.

Këto dy shtete evropiane regjistruan qershorin më të nxehtë ndonjëherë

Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin e tyre më të nxehtë ndonjëherë, ndërsa vala e nxehtësisë vazhdon të përhapet nëpër Evropë, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se qershori “jashtëzakonisht i nxehtë”, me një temperaturë mesatare prej 23.6 gradësh Celsius, “ka shënuar rekorde”, duke tejkaluar mesataren normale për korrikun dhe gushtin.

Në Angli, Zyra Meteorologjike tha se temperatura mesatare e qershorit prej 16.9 gradësh Celsius vendosi një rekord të ri për atë muaj, ndërsa Mbretëria e Bashkuar në tërësi regjistroi qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1884.

Portugalia kontinentale regjistroi gjithashtu një temperaturë rekorde ditore në qershor prej 46.6 gradësh Celsius. Të dhënat mesatare mujore nuk janë publikuar ende.

Në Turqi, zjarret detyruan dhjetëra mijëra njerëz të evakuoheshin, ndërsa në Itali dy persona humbën jetën për arsye që lidhen me nxehtësinë.

Në Francë, vala e të nxehtit vazhdoi në pjesën më të madhe të vendit edhe të martën, një ditë pasi shumë qytete përjetuan natën dhe ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në qershor.

Maja e Kullës Eiffel në Paris u mbyll për shkak të të nxehtit, ndërsa ministrja franceze e Klimës, Agnes Pannier-Runacher, e përshkroi këtë si një situatë “të paparë”.

Për herë të parë në pesë vjet, rajoni i Parisit e aktivizoi alarmin e kuq, që është paralajmërimi më i lartë për nxehtësinë ekstreme, së bashku me 15 rajone të tjera franceze.

Në Itali, rajoni i Toskanës shënoi rritje prej 20 për qind të pranimeve në spital, për shkak të problemeve që lidhen me nxehtësinë.

Rajoni i Ballkanit, po ashtu, është përfshirë nga temperaturat e larta

Evropiani i Femrave: Ceremonia hapëse me ndeshjen Zvicra-Norvegjia


Kampionati Evropian i Futbollit për Femra, UEFA 2025, do të zhvillohet nga 2 deri më 27 korrik në Zvicër, me tetë stadiume që do të presin ndeshjet.

Turneu me 16 ekipe do të luhet në katër grupe me nga katër pjesëmarrës, ku dy të parët në secilin grup kalojnë në fazën eliminatore.

Finalja do të zhvillohet në St. Jakob-Park, në Bazel, ku në ditën e hapjes Zvicra pritëse do të përballet me Norvegjinë, transmeton albinfo.ch.

Orari përfundimtar është konfirmuar pas shortit të mbajtur më 16 dhjetor në Lozanë.

Stadiumet:
St. Jakob-Park, Bazel
Stadion Wankdorf, Bernë
Stade de Genève, Gjenevë
Stadion Letzigrund, Cyrih
Arena St.Gallen, St. Gallen
Allmend Stadion Luzern, Lucern
Arena Thun, Thun
Stade de Tourbillon, Sion

E mërkurë, 2 korrik
Grupi A: Islanda vs Finlanda (18:00, Thun)
Grupi A: Zvicra vs Norvegjia (21:00, Bazel)

Trump thotë se Izraeli ka rënë dakord me një armëpushim 60-ditor në Gaza

Së fundmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje militantëve të Hamasit, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, që të bien dakord me atë që e cilësoi si “propozim përfundimtar” për armëpushim 60-ditor me Izraelin në Gazë, përcjell albinfo.ch.

“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë, vetëm do të përkeqësohet”, shkroi Trump në platformën sociale Truth Social.

Ai shtoi se Izraeli është pajtuar me kushtet për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë të cilit, siç tha, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”.

Trump tha se propozimi do t’i dorëzohet Hamasit nga përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit.

Sipas tij, propozimi doli pas një takimi “të gjatë dhe produktiv” në lidhje me Gazën, midis përfaqësuesve të tij dhe zyrtarëve izraelitë.

Ai nuk i identifikoi përfaqësuesit e tij, por i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidenti JD Vance duhej të takoheshin më 1 korrik me Ron Dermerin, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më 30 qershor se Trump dhe zyrtarët e administratës janë në komunikim të vazhdueshëm me udhëheqjen izraelite dhe se përfundimi i konfliktit në Gazë është përparësi për presidentin.

“Është rrëqethëse t’i shohësh pamjet që kanë dalë nga Izraeli dhe Gaza gjatë kësaj lufte, dhe presidenti dëshiron që ajo të përfundojë. Ai dëshiron të shpëtojë jetë”, tha Leavitt.

Propozimi i SHBA-së kërkon gjithashtu lirimin e gjysmës së pengjeve nga Hamasi, në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe mbetjeve mortore të palestinezëve të tjerë.

Trump u tha gazetarëve më herët se shpreson që marrëveshja për pengjet të arrihet javën e ardhshme midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gazë.

Ai do të takohet me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë më 7 korrik.

Trump u tha gazetarëve se do të jetë “shumë i prerë” me Netanyahun për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gazë, duke shtuar se edhe vetë Netanyahu dëshiron që lufta të ndalet.

“Shpresojmë që kjo të ndodhë. Mezi presim që kjo të ndodhë javën tjetër. Duam t’i nxjerrim pengjet”, tha Trump.

Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë do të jetë e treta e tij që kur Trump u rikthye në detyrë në muajin janar.

Kjo vizitë vjen pas vendimit të Trumpit për t’u bashkuar me luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar centralet bërthamore iraniane.

Pasi ndërmjetësoi një armëpushim mes këtyre dy vendeve, Trump sinjalizoi se tani është duke e përqendruar vëmendjen te përpjekjet për t’u dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi tha se është i gatshëm t’i lirojë pengjet e mbetura në Gazë, në kuadër të çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa, sipas Izraelit, lufta mund të përfundojë vetëm nëse Hamasi çarmatoset dhe shpërbëhet.

Presidentja Osmani takon sot veç e veç krerët politikë, e nis me Kurtin

Edhe partitë e ish-opozitës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim me presidenten.

Sipas burimeve të mediave në Kosovë, takimet do të mbahen nga ora 10:00 deri në orën 16:00.

“Kam pranuar ftesë. Nesër është takimi dhe unë do të jem aty. Qëndrimi që e kemi pasur gjithmonë. Ne ka dy a tre muaj që po mundohemi të gjejmë zgjidhje për të ofruar kompromise dhe për të dalë nga kjo situatë. Nesër do të jem te presidentja. Ne kemi pasur kërkesë qysh herët që presidentja të involvohet”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka preferuar të flasë për takimin te presidentja, por ka kërkuar nga ajo që të ketë një qëndrim për bllokadën politike.

“Bën mirë nëse presidentja na fton, bën mirë të ketë qëndrim për këtë situatë”, ka thënë ai.

Bashkëpartiakja e Abdixhikut, deputetja Hykmete Bajrami, thotë se bllokada për konstituimin e Kuvendit duhet të marrë fund. Ajo shpreson në një zgjidhje pas konsultave me presidenten Osmani.

Pjesëmarrjen në takim me presidenten e kanë konfirmuar edhe nga AAK-ja. Takimi Osmani-Haradinaj do të mbahet në orën 16:00.

Takimi i presidentes Osmani me liderët e subjekteve politike mbahet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin u bëhet thirrje deputetëve që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin.

Angli: Sara me dy diploma ndërkombëtare për Arkitekturë

Bëhet fjalë për Sara Cenaj, një arkitekte shqiptare që mori diplomën e dytë master në Angli, në “Nottingham Trent University”, në programin Master Shkencor në Zhvillimin e Pronave dhe Planifikim, shkruan albinfo.ch.

Në fakt, Sara ka qenë një studente e shkëlqyer edhe në Tiranë, ku u diplomua në “Universitetin Polis” për Master Shkencor në Arkitekturë dhe Dizajn Urban.

“Jam jashtëzakonisht krenare dhe mirënjohëse që zyrtarisht mora titullin tim MSc në Zhvillimin dhe Planifikimin e Pronës me dallim dhe çmimin prestigjioz ‘RICS’. Përfundimi i dy diplomave të masterit ka qenë një udhëtim sfidues, por shpërblyes, dhe rezulton se kam një pasion të vërtetë për mbledhjen e diplomave dhe ndjekjen e ëndrrave. Këtu është për punën e palodhur, rritjen dhe kapitullin tjetër përpara”, është shprehur ajo. /Albinfo.ch

Angli: Vrau 27 vjeçarin shqiptar, dënohet me burgim të përjetshëm

Raportohet se 31 vjeçari shqiptar S.Sh, pjesëtar i grupit “Hellbanianz” është dënuar me burgim të përjetshëm në Londër, pasi akuzohet për vrasjen e 27-vjeçarit L.Z, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga mediat e huaja të cilat shkruajnë se fajtor për krimin është shpallur edhe vëllai i S.Sh, E.Sh, 30 vjeç, i cili është dënuar me 20 muaj burg.

S.Sh nisi sulmin mbrëmjen e 16 tetorit 2022 në Church Lane, Leytonstone.

L.Z po qëndronte jashtë një kafeneje me mikun e tij kur vëllezërit Sh mbërritën rreth orës 22:40 me dy makina. Vëllezërit shkuan në një kafene tjetër, por pak më vonë E.Sh u kthye në njërën nga makinat dhe filloi ta ngiste atë përgjatë rrugës.

 

Raport

“Shoku i Lumturiut iu afrua Emirlionit dhe i tha të ndalonte, por në vend që ta bënte këtë, Emirlioni doli nga makina dhe foli me vëllain e tij dhe të tjerët që ishin jashtë kafenesë. Situata u përshkallëzua shpejt pasi Emirlion Shuti e goditi me grusht shokun e Lumturiut. Gjatë grindjes që pasoi, Sabajet Shuti nxori një thikë dhe e goditi dy herë Lumturiun, dhe shokun e tij një herë.

Të dy vëllezërit Shuti ikën nga vendi i ngjarjes duke e lënë Lumturiun të vdekur në trotuar. Shërbimet e urgjencës mbërritën, por pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk mundën ta shpëtonin. Shoku i tij u dërgua në spital për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente dhe për fat të mirë i mbijetoi sulmit.

Detektivët filluan të mblidhnin prova dhe nga qasja në pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonave celularë arritën të identifikonin se kush ishte përgjegjës.

Një ditë pas vrasjes, Sabajet Shuti bëri plane për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Ai ndryshoi pamjen e tij duke rruar mjekrën dhe më pas udhëtoi për në Folkestone përpara se të kalonte Kanalin në Francë. U lëshua një urdhër arresti për të dhe rreth një vit pas sulmit, më 3 tetor 2023, Sabajet Shuti u arrestua në Suedi. Ai u ekstradua përsëri në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me pasojat e veprimeve të tij.

Gjatë periudhës ndërmjetëse, detektivët kishin arrestuar dhe të akuzuarin Emirlion Shutin për rolin e tij në sulm.” 

Fillon zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-Itali për pensionet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se nga sot ka filluar zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore.

Në një postim në Facebook, Rama theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë një lehtësim të madh për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet, pasi tani do t’u njihen çdo vit pensionet e tyre të plotë, edhe në vendin ku nuk jetojnë.

“Nderim dhe respekt për gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre”, shkruajti ai.

Polonia do të vendosë kontrolle në kufirin me Gjermaninë për të ndaluar migrantët e parregullt

Polonia të martën njoftoi se do të vendosë kontrolle të përkohshme nga data 7 korrik në kufijtë me Gjermaninë dhe Lituaninë për të ndaluar kalimet e parregullta të migrantëve, një temë e ndjeshme në marrëdhëniet me Berlinin.

“Konsiderojmë të nevojshme rikthimin e përkohshëm të kontrolleve në kufirin polako-gjerman për të kufizuar dhe ulur në minimum rrjedhën e pakontrolluar të migrantëve që kalojnë përpara e mbrapa,” tha kryeministri Donald Tusk për gazetarët.

Ai shtoi se do të vendosen kontrolle të ngjashme edhe në kufirin me Lituaninë.

“Jemi të vetëdijshëm se ky vendim sjell pasoja të caktuara në lirinë e lëvizjes së njerëzve. Nuk ka rrugë tjetër,” shtoi ai.

Gjermania kishte rivendosur kontrolle të përkohshme në kufirin me Poloninë në shtator dhe që atëherë Varshava ka akuzuar Berlinin për dërgimin mbrapsht në Poloni të migrantëve të parregullt që vijnë nga Polonia.

Imigracioni ishte një çështje kryesore politike në Poloni gjatë fushatës para zgjedhjeve presidenciale më 1 qershor, që u fituan nga kandidati nacionalist opozitar, Karol Nawrocki.

“Praktika në kufirin polako-gjerman ka ndryshuar dukshëm. Ana gjermane tani në fakt refuzon të lejojë hyrjen e migrantëve që synojnë të kërkojnë azil apo të marrin status tjetër,” tha Tusk.

“Ky ndryshim në praktikë në kufi ka sjellë tensione dhe një ndjenjë të drejtë asimetrie. Ne kemi mbrojtur Schengen-in dhe do të vazhdojmë të jemi mbështetës të një Europe pa kufij dhe kufizime, por duhet të ketë një vullnet të përbashkët dhe simetrik nga fqinjët tanë,” shtoi ai.

Tusk tha gjithashtu se rikthimi i kontrolleve në kufirin me Lituaninë është i nevojshëm për të ndaluar kalimet e migrantëve nga Bjellorusia.

Duke folur në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz mohoi se ka rikthime të azilkërkuesve nga Gjermania në Poloni.

“Nuk ka raste të tilla,” tha ai.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e qeverisë polake dhe dimë që tani Polonia dëshiron të kryejë kontrolle kufitare edhe me Lituaninë për të kufizuar kalimet e paligjshme nga Lituania në Poloni,” tha Merz.

Ai theksoi se ka një “bashkëpunim shumë të ngushtë, kolegjial dhe miqësor” me Tusk-un për këtë çështje.

“Kemi një problem të përbashkët. Po e zgjidhim së bashku,” përfundoi ai.

Temperaturat arrijnë deri në 46°C: OBSH paralajmëron për valën ekstreme të nxehtësisë në Evropë

Europa po përballet me një valë të nxehti rekord, me temperatura që shkojnë deri në 46 gradë Celsius në rajonin Huelva të Spanjës, duke thyer rekorde kombëtare për muajin qershor. Italia, Greqia, Portugalia dhe Ballkani Perëndimor po përjetojnë gjithashtu nxehtësi të lartë, zjarre të mëdha dhe viktima në radhët e civilëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim serioz, duke kërkuar veprime urgjente për të shmangur mijëra vdekje të parandalueshme që priten në ditët e ardhshme.

“Nuk është më pyetje nëse do të ketë valë të nxehti, por sa intensive dhe sa të zgjatura do të jenë,” tha Marisol Yglesias Gonzalez, eksperte e OBSH për ndryshimet klimatike dhe shëndetin.

Statistikat tregojnë se vetëm kjo valë e nxehtit mund të shkaktojë më shumë se 4,500 vdekje shtesë në periudhën 30 qershor – 3 korrik, me Italinë, Kroacinë, Slloveninë dhe Luksemburgun në rrezikun më të lartë.

Çdo vit, mbi 175,000 njerëz vdesin nga nxehtësia në rajonin europian të OBSH-së. Një studim i fundit parashikon një rritje të ndjeshme të këtyre numrave nëse nuk merren masa për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike.

OBSH nënvizon se ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga djegia e karburanteve, po shtojnë frekuencën dhe intensitetin e valëve të nxehtit, duke sjellë pasoja serioze shëndetësore.

Në Spanjë, pothuajse dy të tretat e qyteteve janë nën paralajmërim për rreziqe shëndetësore, me 804 zona në alarm të lartë. Parashikohet që nxehtësia të vazhdojë deri më 3 korrik. Paralajmërime të ngjashme janë shpallur edhe në Francë, Itali, Portugali dhe Greqi.

Në Greqi, qeveria ka paralajmëruar për ndotje të ajrit për shkak të zjarreve pranë Athinës, ndërsa në Turqi janë evakuuar mbi 50,000 persona për shkak të një zjarri pranë Izmirit.

Edhe Shqipëria dhe Serbia po përjetojnë situata të vështira me shumë vatra zjarri dhe temperatura rekord.

OBSH rekomandon që njerëzit të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta dhe të ruajnë ambientet e brendshme të freskëta, sidomos grupet më të ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Gjithashtu paralajmërohet për kujdes të shtuar nga përdoruesit e medikamenteve që mund të ndikojnë në rregullimin e temperaturës trupore.

OBSH thekson se menaxhimi i valëve të nxehtit kërkon jo vetëm reagim të menjëhershëm, por edhe përgatitje afatgjatë. Aktualisht, vetëm 21 nga 57 vendet e rajonit europian kanë një plan kombëtar për valët e nxehtit.

Udhëzime të reja për qeveritë do të publikohen vitin e ardhshëm, duke përfshirë strategji për freskimin urban dhe mbrojtjen e popullsisë nga nxehtësia.

Rregullat për bagazhin e dorës në avion: Çfarë duhet të dini para udhëtimit

Pushimet e verës sjellin një valë të madhe udhëtarësh, por rregullat për bagazhin e dorës ndryshojnë shumë nga një kompani ajrore në tjetrën dhe mund të kushtojnë shtrenjtë. Disa kompani, si Ryanair dhe EasyJet, lejojnë vetëm një copë bagazh të vogël pa pagesë në biletën më të lirë, ndërsa të tjera, si Lufthansa apo British Airways, mund të pranojnë edhe një artikull shtesë.

Shoqata Evropiane e Mbrojtjes së Konsumatorit (BEUC) ka ngritur ankesë ndaj disa kompanive që marrin tarifa shtesë deri në 75 euro për bagazhin në kabinë. Në Parlamentin Evropian po diskutohet për rregulla më të lehta, që pasagjerët të mund të marrin dy copë bagazh pa pagesë – një çantë dhe një valixhe të vogël, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, kompanitë ajrore kundërshtojnë këto ndryshime, duke argumentuar se shumë pasagjerë zgjedhin bileta pa bagazh dhe nuk duhet të paguajnë për shërbime që nuk u duhen. Sipas tyre, mbingarkesa me bagazhe në kabinë krijon vonesa dhe stres në fluturime.

Për t’u shmangur surprizave, udhëtarët duhet të kontrollojnë me kujdes rregullat e bagazhit të dorës të kompanisë që do të përdorin.

 

 

Policia e qytetit të Cyrihut do të vazhdojë të përdorë fishekë gome në demonstrata

Megjithë incidentet ku disa persona humbën sytë, një raport rekomandon përdorimin e fishekëve të gomës për shkak të mungesës së alternativave.

Policia e qytetit të Cyrihut do të regjistrojë çdo ndërhyrje në të ardhmen. Qëllimi i përgjithshëm është të reduktohet përdorimi i fishekëve të gomës. Megjithatë, pa këtë mjet distancues, rreziku për lëndime do të ishte më i lartë nga të dyja palët, siç tha për mediat drejtoresha e Sigurisë, Karin Rykart (Partia e Gjelbër). Për shembull, nëse policia do të përdorte shkopinj.

Parlamenti i qytetit ka kritikuar shpesh “municionet e distancës”. Kohët e fundit, shumica kërkoi mbledhjen e të dhënave për ndërhyrjet në vitin 2024, që do të fillojë të zbatohet në mënyrë sistematike nga 1 shtatori 2025. “Duam që diskutimi rreth fishekëve të gomës të bëhet më objektiv,” tha Rykart.

Derisa në vitin 2000 policia regjistronte operacionet, sipas komandantit Beat Oppliger, ndërhyrjet ishin mbi 1,000 mes viteve 1980 dhe 2000. Pa regjistrime të sakta, policia llogariti 93 ndërhyrje midis 2013 dhe 2024. Nëse këto shifra janë të krahasueshme, mbetet për t’u parë. Megjithatë, numri i ndërhyrjeve ka rënë, tha Oppliger.

Rekomandim për forcat e tjera

Drejtoresha e Sigurisë shpreson që hulumtimi të ofrojë një “pamje gjithëpërfshirëse”. Në një letër drejtuar Konferencës së Drejtorëve Kantonale të Drejtësisë dhe Policisë, ajo rekomandoi që të gjitha forcat policore zvicerane të kryejnë një hulumtim të tillë.

Oppliger theksoi se mjetet e tjera në dispozicion të policisë nuk janë të krahasueshme. Në Gjermani, policia përdor shkopinj dhe sprej piperi kundër tifozëve të dhunshëm apo demonstruesve. “Eksperienca tregon se kjo shkakton më shumë lëndime,” tha ai. Për më tepër, nevojiten më shumë policë në shërbim.

Oppliger tha se policia është e vetëdijshme për rreziqet që lidhen me përdorimin e këtyre mjeteve. Edhe nivelet e ulëta të energjisë mund të dëmtojnë sytë. Qëllimi duhet të jetë që të qëllohen pjesë më të thella të trupit. Çdo lëndim duhet të parandalohet nëse është e mundur, tha ai. Ai gjithashtu do të mirëpriste në të ardhmen regjistrimin e dëmtimeve nga oftalmologët.

Testohen lëshues të rinj

Rykart dha urdhër për një raport mbi armët e distancës, për të treguar pasojat e përdorimit të fishekëve të gomës dhe mënyrën se si policia e qytetit i përdor ato. Përveç rasteve të vetëmbrojtjes, policët duhet të përdorin fishekët e gomës nga një distancë prej të paktën 20 metrash.

Raporti vjen në një kohë kur Policia e Cyrihut ka nevojë për një armë të re, pasi lëshuesit aktualë janë 50 vjeç. Tani po testohen lëshues të rinj, tha komandanti. Lëshuesit e fishekëve të gomës do të mbeten zgjedhja kryesore.

 

Numri i kalimeve të paligjshme të kanalit të La Manshit do të shpërthejë në 2025

Qeveria britanike po përballet me vështirësi në reduktimin e kalimeve të paligjshme të Kanalit mes tensioneve politike.

Që nga 1 janari, afër 20 mijë migrantë kanë kaluar Kanalin, një rekord për gjysmën e parë të vitit, sipas shifrave të publikuara të martën nga qeveria britanike.

Të hënën, 879 migrantë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar pas kalimit të paligjshëm të Kanalit, duke e çuar numrin total të mbërritjeve në 19,982 në gjashtë muajt e parë. Kjo përbën një rritje prej 48 për qind krahasuar me 2024-n (13,489 kalime në gjashtë muaj), një rritje prej 75 për qind krahasuar me 2023-n (11,433), dhe rekord që nga viti 2018, kur filluan të regjistroheshin kalimet.

Këto shifra rrisin presionin mbi qeverinë e kryeministrit Keir Starmer, që ka premtuar përforcim të luftës kundër emigracionit të paligjshëm dhe përballet me rritjen e partisë anti-emigracion Reform UK. Aktualisht, Parlamenti po shqyrton një ligj për kontrollin e kufirit, që pritet t’u japë autoriteteve më shumë kompetenca kundër rrjeteve të trafikimit të njerëzve.

Parisi gati të rishikojë rregullat e ndërhyrjes

Londra ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi me vende të nisjes ose tranzitit (Irak, Gjermani, Serbi, Kosovë etj.). Në shkurt, Londra dhe Parisi zgjatën traktatin kundër emigracionit të paligjshëm deri në 2027, sipas të cilit britanikët financojnë pjesërisht kontrollet në anën franceze.

Qeveritë franceze dhe britanike pritet të njoftojnë masa të reja në javët në vazhdim. Nën presionin e Londrës, Parisi po konsideron ndryshimin e politikës së ndërhyrjes së policisë detare dhe xhandarmërisë për të mundësuar ndalimin e “taksive detare” (anije që çojnë migrantët direkt në det, duke shmangur kontrollet në plazh) deri në 300 metra larg bregut.

Sipas ligjit ndërkombëtar detar, në këtë zonë autoritetet kryejnë vetëm operacione shpëtimi. Po diskutohen gjithashtu eksperimentime për shkëmbim migrantësh nën kushte të caktuara.

Statistikat në rritje

Shumica e migrantëve që mbërrijnë me anije të vogla vijnë nga Afganistani, Siria, Eritrea dhe Irani. Shtatëmbëdhjetë persona kanë vdekur duke tentuar të arrijnë Anglinë me anije që nga fillimi i vitit, sipas Ministrisë së Brendshme franceze. Në vitin 2024 u regjistrua një rekord i zymtë prej 78 vdekjeve të tilla.

Në vitin 2022, vit rekord për mbërritjet e migrantëve nëpërmjet Kanalit, 45,774 persona arritën në Mbretërinë e Bashkuar. Pas një rënieje në 2023-n, kalimet e paligjshme u rritën ndjeshëm vitin e kaluar (36,800) dhe tendenca e këtij viti tregon për një rekord të ri.

“Shuhet” USAID

Pas më shumë se gjashtë dekadash, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pushoi sot zyrtarisht së ekzistuari, pasi administrata Trump e konsideroi atë si jo në shërbim të interesave të Shteteve të Bashkuara.

Kjo vjen në të njëjtën ditë kur një studim ndërkombëtar zbulon se rënia e fondeve amerikane për ndihmën ndërkombëtare mund të çojë në më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030 midis më të prekshmëve, një e treta e të cilëve janë fëmijë.

Ajo që mbetet nga USAID tani do të integrohet në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, nën udhëheqjen e sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

“Më 1 korrik, USAID do të ndërpresë zyrtarisht zbatimin e ndihmës së huaj. Programet e ndihmës së huaj që përputhen me politikat e administratës dhe u shërbejnë interesave të SHBA-së do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të zbatohen me përgjegjshmëri, strategji dhe efektivitet më të madh”, shkroi Marco Rubio në një mesazh të transmetuar nga zyra e tij, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Përveç krijimit, me shpenzimet e taksapaguesve, të një kompleksi industrial global të OJQ-ve, USAID ka pak për të treguar për veten që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, shtoi ai.

Në një mesazh lamtumire për stafin, të hënën, ish-presidentët George W. Bush dhe Barack Obama, si dhe këngëtari Bono, vlerësuan punën e USAID.

Eliminimi i USAID është “i pashpjegueshëm” dhe “do të mbetet një gabim kolosal”, deklaroi Barack Obama në një video të parë, ndërsa Bush mbrojti programin Pepfar AIDS që ai kishte krijuar.

Që kur u rikthye në pushtet në janar, Donald Trump ka filluar çmontimin e institucionit, duke shkurtuar masivisht ndihmën ndërkombëtare dhe duke eliminuar 83 për qind të financimit për programet jashtë vendit nga agjencia amerikane e zhvillimit, e akuzuar për shpërdorim dhe për përhapjen e vlerave në kundërshtim me interesat e SHBA-së.

Presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 20 janar, në ditën e tij të parë në detyrë, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditore të ndihmës së jashtme të SHBA-së, për të lejuar një rishikim të plotë që do të vlerësonte përputhshmërinë e saj me politikat e tij të synuara, veçanërisht ato që lidhen me programet që promovojnë abortin, planifikimin familjar ose promovojnë diversitetin dhe përfshirjen.

Rezultati nuk vonoi shumë dhe USAID, që kishte një staf prej mbi 10 mijë vetash, që atëherë ka parë numrin e tij të tkurret.