Partitë politike të gatshme për zgjedhje të parakohshme

Situata e krijuar rreth formimit të institucioneve të reja ka shtuar diskutimet për mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare si zgjidhje për të dalë nga kriza institucionale, përcjell albinfo.ch.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, shprehën të gatshëm për zgjedhje të parakohshme por nuk i shohin si opsion.

Deputeti i kësaj partie, Halil Thaçi tha për RTV21 se VV-ja e ka primatin dhe kohën për formimin e Qeverisë së re por që edhe partitë e tjera duhet të kontribuojnë.

“Lëvizja Vetëvendosje është gjithmonë e gatshme për zgjedhje. Me një rezultat të tillë siç e kemi në zgjedhjet  e 9 shkurtit me mbi 43 për qind nuk ishte dashur të shkohet në zgjedhje. Sigurisht që subjektet e tjera që kanë fituar më pak vota  duhet ta din dhe të kontribuojnë në krijimin e institucioneve prandaj shihet qartë që VV-ja e ka primatin dhe kohën për të formuar qeverinë”, deklaroi ai.

Të gatshëm për zgjedhje të parakohshme shprehen edhe në LDK ndonëse siç thonë nuk i përkrahin ato.

Deputeti i kësaj partie Krenar Xhaferi tha se në situatën aktuale vendi më shumë po shkon kah zgjedhjet e parakohshme gjë që s’do të duhej të ndodhte.

“Nuhatja po shkon drejt zgjedhjeve por realisht s’duhet të jetë e tillë. Kemi kaluar një proces zgjedhor dhe një proces tjetër do të ishte pothuajse me rezultat të njëjtët me më pak vota për VV-në si dhe prapë do të duhej marrëveshje politike.  Në logjikë s’ka nevojë për zgjedhje por situata në të cilën jemi bllokuar mund të sjell zgjedhje. Ne si LDK jemi të gatshëm çdo herë për zgjedhje por s’i përkrahim në logjikë pasi i pari duhet të ketë pjekuri politike dhe ë arrihet një marrëveshje”, tha Xhaferi për rtv21.

Të gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare janë shprehur edhe partitë e tjera bazuar në bllokadën e krijuar për formim të institucioneve tash pesë muaj.

Kuvendi i Kosovës është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth konstitumit të tij ose jo,  derisa aktualisht është në fuqi masa e përkohshme e gjykatës e cila ndalon çdo veprim të deputetëve si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.

Sipas politologut Albinot Maloku, e tërë kjo situatë vë në pah mundësinë për e zgjedhje të parakohshme parlamentare pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

“I Gjithë angazhim sidomos i subjektit të parë politik është të kemi zgjedhje të parakohshme si pasojë e mos pasjes së numrave për formimin e qeverisë. Sipas të gjitha rrethanave konsiderojë se menjëherë pas zgjedhjeve lokale do të mund ta kemi një proces zgjedhor”, deklaroi Maloku për rtv21

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e  votave por megjithatë jo numrin e mjaftueshëm sa për t’i formuar si e vetme institucionet e reja.

Presidentja Osmani: Më sulmoni mua ditë e natë, por mos i incizoni vajzat e mia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një adresim para mediave ka folur për kërcënimet me jetë që ajo ka marrë dhe për mbrojtjen e afër që ruan vajzat e saja, duke thënë se këto janë protokolle të sigurisë për shkak të rrezikshmërisë së lartë, përcjell albinfo.ch.

Osmani ka thënë se çdo gjashtë muaj policia e bënë vlerësimin e rrezikshmërisë, dhe çdo gjashtë muaj konkluzioni është i njëjtë se vajzat janë në rrezikshmëri të lartë.

Presidentja u shpreh se ka marrë kërcënime me dhunim të vajzave.

“Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për vetveten ose fëmijët e vet, unë i marr ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind në Kosovë që do të donte që dy vajzat e veta të vogla të kërcënoheshin me dhunim. S’ka prind që do të donte ti izolonte nga loja dhe jeta normale fëmijët e vet, ne detyrohemi ta bëjmë këtë sepse kemi dhjetra kërcënime me jetë”, ka thënë Osmani.

Presidentja u shpreh se dhjetra kërcënime shumë prej të cilave janë publike në raport me të dhe familjen e saj vijnë nga serbët.

“Një kërcënim nga serbët ka ndodh në Twitter ku është publikuar fotoja ime me vajza ku ka shkruar “ju do të vdisni së shpejti”.Një tjetër kërcënim që ka ndodhur nga serbët është ku publikohen fotot e snajperit drejtuar ndaj veturës time”, tha Osmani.

Posta e Kosovë merr në posedim objektin e Postës së Serbisë në Graçanicë

Bëhet e ditur se Posta e Kosovës është duke kryer procedurat për marrjen në posedim të objektit në Graçanicë, përcjell albinfo.ch.

Theksohet se në këtë objekt deri në fillim të këtij viti ka funksionuar ilegalisht Posta e Serbisë. 

Sipas informacioneve të marra nga Posta e Kosovës ky objekt ka qenë pronë e ndërmarrjes së komunikacionit Posta, Telegrafia dhe Telefonia (PTT), dhe që në muajt e fundit janë përfunduar procedurat kadastrale për kalimin e saj si pronë e Postës së Kosovës.

Autoritetet shtetërore në Kosovë i konsiderojnë institucionet e Serbisë për komunat në Kosovë si paralele dhe ilegale, dhe në fillim të vitit 2024 ka nisur mbylljen e tyre.

Për shkak të “aktivitetit të paligjshëm” ose “falsifikimit të dokumenteve” – siç e përshkruan Prokuroria e Kosovës punën e institucioneve serbe – janë mbyllur organet komunale të përkohshme, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore Postare, Fondi i Sigurimit Pensional, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe institucione të tjera.

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit në SHBA

Me homazhe në përkujtim të viktimave, shënohet 24-vjetori i sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, i cili mori rreth 3 mijë jetë njerëzish dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti bënë homazhe te pllaka përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës, në afërsi të Kuvendit, duke kujtuar viktimat e ngjarjes së tmerrshme që 24 vjet më parë, tronditi mbarë botën.

Sulmi i 11 shtatorit u cilësua si një nga ngjarjet më tragjike të historisë moderne amerikane. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga anëtarë të organizatës terroriste Al-Kaida: dy prej tyre u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në Pensilvani, pasi pasagjerët tentuan të zmbrapsnin rrëmbyesit.

Aktakuzë ndaj një personi, spiunonte te BIA serbe dhe paguhej 700 euro në muaj

Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj H.S., për veprën penale “Spiunazh”, përcjell albinfo.ch.

I  pandehuri H.S., thuhet se akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA.

Sipas aktakuzës, H.S., më  22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste “ISIS”.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione te zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ‘ISIS’, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin H.S deri në 700 euro në muaj.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.

Dua Lipa bëhet ambasadore globale e Apple

Apple ka shpallur zyrtarisht këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, si ambasadore globale të markës. Vetëm pak orë pasi kompania prezantoi kampanjën e re “Awe dropping”, u publikua një video e përbashkët ku artistja shfaqej duke xhiruar me iPhone 17 Pro, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të turneut të saj “Radical Optimism”, Dua ndau një mini-dokumentar ku pasqyrohen momente nga koncertet dhe prapaskenat. I gjithë materiali ishte realizuar me pajisjen më të re të Apple, duke theksuar fuqinë e saj vizuale. Detaji që ra në sy ishte zgjedhja e ngjyrës portokalli të ndezur – një simbol i guximit dhe energjisë së saj artistike.

Videoja u përhap me shpejtësi në rrjete sociale, duke bërë bashkë dy botë: teknologjinë dhe muzikën. Reagimet nuk munguan, ndërsa fansat nisën të komentojnë me entuziazëm: “A nuk e nxorën sot?”. /Albinfo.ch

Solidaritet nga diaspora: 15 mijë euro nga një mërgimtar për nxënësit e Skenderajt

Jemi në shtator, në fillim të vitit të ri shkollor, një gjest solidariteti ka sjellë gëzim në shumë familje të Skenderajt. Biznesmeni i suksesshëm nga Skenderaji, që jeton dhe vepron në Gjermani, Haxhi Reci, ka dhuruar mbi 300 çanta dhe material shkollor për nxënësit e komunës, transmeton albinfo.ch.

Shpërndarja e pakove u bë me përzgjedhje të kujdesshme të familjeve përfituese,.

“Me plot përgjegjësi dhe mirënjohje është realizuar shpërndarja tek ata që kanë më së shumti nevojë”, u tha nga organizatorët e këtij aktiviteti.

Ky nuk është kontributi i parë i Reci për vendlindjen. Ai dëshmuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm për të ndihmuar komunitetin edhe vite më parë.

“Një falënderim i veçantë për Haxhi Reci për këtë kontribut që lehtëson barrën e shumë prindërve dhe u sjell buzëqeshje fëmijëve në ditën e parë të shkollës. Uroj që ky vit i ri shkollor të sjellë dije, suksese dhe gëzim për çdo nxënës të komunës sonë”, u theksua në mesazhin përfundimtar.

Ky gjest solidariteti është shembull i frymës së bashkëpunimit mes diasporës dhe vendlindjes, duke dëshmuar se kontributet e mërgimtarëve mbeten një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin shoqëror e arsimor në Kosovë./Albinfo.ch

Lozanë, Endrit Syla diplomon në programin prestigjioz MEMOS

Në Muzeun Olimpik të Lozanës, ku historia dhe e ardhmja e sportit botëror takohen, u shënua një moment i veçantë për Kosovën. Endrit Syla, Drejtori i Financave në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ka diplomuar në programin prestigjioz MEMOS (Masteri Ekzekutiv në Menaxhimin e Organizatave Sportive), duke ngritur kështu një standard të ri për profesionalizimin e stafit sportiv kosovar, përcjell albinfo.ch.

Në ceremoninë solemne, të zhvilluar në prani të presidentes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, dhe figurave të tjera të njohura të sportit ndërkombëtar, Syla prezantoi temën e tij të masterit: “Praktikat financiare në Komitetet Olimpike Kombëtare: Një studim krahasues për Komitetin Olimpik të Kosovës”.

Kjo temë jo vetëm që thekson rëndësinë e menaxhimit financiar në organizatat sportive, por edhe vendos KOK-un në fokus të një analize krahasuese ndërkombëtare – një qasje e re që mund të ndihmojë në forcimin e strukturave dhe transparencës institucionale.

Një program për liderët e ardhshëm të sportit

MEMOS është një program i mbështetur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i cili u ofron profesionistëve të sportit nga e gjithë bota njohuri të avancuara në menaxhimin e organizatave sportive. Përfundimi me sukses i këtij programi shihet si një investim afatgjatë në kapacitetet e sportit kosovar, duke i dhënë stafit të KOK-ut një qasje më moderne dhe të standardizuar ndërkombëtarisht.

Rëndësia për Kosovën

Për sportin kosovar, kjo diplomë është më shumë se një arritje individuale. Ajo simbolizon përpjekjen për të ngritur cilësinë e administrimit sportiv në të njëjtin nivel me vendet që kanë traditë të gjatë olimpike. Siç theksojnë vetë përfaqësuesit e KOK-ut, çdo hap i tillë i stafit është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e sportit në vend.

Me diplomimin e Endrit Sylës, Komiteti Olimpik i Kosovës jo vetëm që fiton një profesionist më të përgatitur, por edhe hap një faqe të re në historinë e saj të re si anëtare e familjes olimpike ndërkombëtare. /Albinfo.ch

 

Rrugëtimi i Eron Gashit: Nga fushat e Mynihut te fanella e Kosovës U17

Nga Prishtina me origjinë, por i lindur dhe rritur në Mynih, Eron Gani Gashi po e ndërton me hapa të sigurtë karrierën e tij futbollistike. Vetëm 15 vjeç, ai tashmë ka tërhequr vëmendjen si në Gjermani, ashtu edhe në Kosovë, duke u konsideruar një prej talenteve më premtuese të gjeneratës së re, transmeton albinfo.ch.

Fillimet në Mynih

Eroni e nisi rrugëtimin e tij sportiv në moshën 6-vjeçare te FC Wacker München, klub ku kaloi gati një dekadë duke u formuar teknikisht dhe taktikisht. Në korrik të vitit 2025 ai bëri hapin e radhës, duke kaluar te FC Olympia München, ku vazhdon të zhvillojë aftësitë e tij me synime gjithnjë e më të mëdha.

Nga ëndrra te realiteti

Pozicioni i tij si sulmues i krahut të majtë dhe herë pas here si mesfushor ofensiv e bën një lojtar të kompletuar: i shpejtë, teknik dhe me përkushtim të lartë. Pikërisht këto cilësi i hapën rrugën ftesës për të veshur fanellën e Kombëtares së Kosovës U17, me grumbullimin në Hajvali – një moment që shënon kthesën e madhe në karrierën e tij të hershme.

Ambicie të qarta

Puna e palodhshme, pasioni dhe mbështetja e trajnerëve në Gjermani i kanë dhënë Eronit bazat e duhura për një karrierë të suksesshme. Synimi i tij i madh është i qartë: një ditë të përfaqësojë Kombëtaren A të Kosovës, duke e çuar ëndrrën e tij drejt majave të futbollit ndërkombëtar.

E ardhmja e një ylli në ngjitje

Me karakterin e fortë dhe ambiciet që e karakterizojnë, Eron Gani Gashi shihet si një nga emrat që pritet të lërë gjurmë në futbollin kosovar. Ai është shembull i një gjenerate të re lojtarësh që, të rritur në diasporë, po i japin Kosovës një perspektivë të re në arenën ndërkombëtare.

Një talent i lindur në Mynih, por me zemër gjithmonë te Kosova – ky është Eron Gani Gashi, një emër për t’u mbajtur mend në vitet që vijnë./Albinfo.ch

Zviceranët udhëtojnë më pak në SHBA për shkak të Trumpit

Zviceranët po udhëtojnë më pak drejt Shteteve të Bashkuara, pas ndikimit të Presidentit Donald Trump, sipas Federatës Zvicerane të Udhëtimeve (FSV), shoqatës së agjencive të udhëtimit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, udhëtimet drejt SHBA-së ranë me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas një ankete të publikuar sot dhe të kryer nga organizata midis 172 anëtarëve, transmeton albinfo.ch.

Klima aktuale politike po ndikon negativisht në sjelljen e udhëtarëve, deklaron FSV. Një rënie më e ndjeshme, rreth 10%, pritet për vitin 2025 në tërësi. Prandaj, numri i njerëzve që do të bëjnë kërcimin përtej Atlantikut do të bjerë në 340,000, nga 380,000 në vitin 2024. Ky trend nuk është veçanërisht i habitshëm, shpjegon drejtoresha e FSV, Andrea Beffa, në një intervistë me AWP në periferi të një konference për shtyp në Cyrih. “Kishte pasur tashmë një rënie gjatë mandatit të parë të Donald Trump.”

Në realitet, rënia është ende relativisht e moderuar: shumë njerëz kishin rezervuar tashmë para zgjedhjes së politikanit republikan nëntorin e kaluar, dhe shumica e tyre në fakt e ndërmorën udhëtimin, kujton Beffa. Shkurt, pati vetëm shumë pak anulime. Por që nga zgjedhja e banorit të ri të Shtëpisë së Bardhë, kërkesa ka qenë në rënie. Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që e përjeton këtë. Ngjarjet politike zakonisht shkaktojnë vetëm rënie të përkohshme të aktivitetit: ky ishte rasti në Qipro ose Egjipt kur situata në Lindjen e Mesme u përkeqësua. Kërkesa rikuperohet relativisht shpejt kur tema nuk është më në media. “Por Shtetet e Bashkuara kanë qenë vazhdimisht në media që nga zgjedhja e Trump”, argumenton i intervistuari. Rënia e aktivitetit me SHBA-në ka përfituar destinacione të tjera: Kanada, Australi dhe disa vende në Azi dhe Afrikë. Aspekti pozitiv është se njerëzit vazhdojnë të udhëtojnë, argumenton Beffa: “Ata thjesht zgjedhin destinacione të tjera”. Sipas mendimit të tij, trendi në Shtetet e Bashkuara nuk ka mbaruar ende. “Pres që viti 2026 të shohë një rënie edhe më të madhe krahasuar me këtë vit.”

Në përgjithësi, dëshira për të udhëtuar mbetet e fortë: FSV pret një rritje prej 5% të të ardhurave, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas Beffës, njerëzit janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë. Pavarësisht situatës ekonomike, zviceranët nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga pushimet: “Ata preferojnë të kursejnë para diku tjetër”, argumenton ai. Pushimet në plazh dhe udhëtimet individuale, në distanca të gjata që kërkojnë konsultim të thelluar janë veçanërisht të njohura dhe po nxisin rritjen, thotë shoqata. Në verë, destinacionet më të njohura ishin Spanja, Greqia dhe Turqia. Skandinavia vazhdon të fitojë popullaritet, por tendenca drejt “freskimit” – pushime në vende me temperatura më të ulëta – nuk është e dëmshme për destinacionet klasike mesdhetare: Vendet e Evropës Veriore përbëjnë vetëm rreth 8-9% të kërkesës totale. Azia po përjeton gjithashtu një rritje të fortë, me kërkesë rekord për Japoninë dhe Sri Lankën.

Megjithatë, bumi i industrisë së udhëtimeve ka të ngjarë të ketë mbaruar. “Ne besojmë se situata do të stabilizohet në nivelin aktual: për vitin 2026, nuk presim rritje aq të fortë sa në vitet e kaluara”, shpjegon Beffa. Blerja e Hotelplan nga konkurrenti Dertour po shkakton gjithashtu polemika në industri: FSV nuk është e shqetësuar për një valë mbylljesh të agjencive të udhëtimit. “Nuk mund ta imagjinoj se do të ketë ndryshime të menjëhershme dhe masive”, vëren drejtuesi ekzekutiv. Dertour, në fakt, ka shprehur mbështetjen e tij për ruajtjen e degëve të saj. “Ne u besojmë fjalës së tyre”, përfundon operatori.

Tjetër shtet evropian ndalon telefonat në shkollat fillore dhe të mesme

Qeveria suedeze ka vendosur të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat ​​fillore dhe të mesme në vitin 2026.

Ministrja suedeze e Arsimit, Simona Mohamsson, i tha radios zyrtare suedeze SR se ata kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e telefonave inteligjentë në shkollat ​​fillore, të mesme të ulëta dhe të larta në të gjithë vendin duke filluar nga viti 2026.

Mohamsson tha se vendimi do të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe ndalimi do të zbatohet edhe gjatë pauzave, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Duke theksuar se qeveria ka ndarë një buxhet prej 10 milionë dollarësh për të zbatuar propozimin, Mohamsson tha se “studentët duhet të mësojnë të shijojnë kalimin e kohës me miqtë e tyre ose të luajnë futboll gjatë pauzave, në vend që të humbasin kohë në TikTok”.

Ndërron jetë aktivisti i njohur në SHBA, pasi u qëllua në qafë

Aktivisti konservator dhe themeluesi i Turning Point USA, Charlie Kirk, ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, pas një atentati me armë që ndodhi gjatë një vizite në kampusin e Utah Valley University.

Sipas burimeve zyrtare, Kirk u qëllua në qafë gjatë turneut të tij “Prove Me Wrong” të mërkurën rreth orës 12:10. Policia lokale dhe e kampusit konfirmuan se një person i dyshuar u arrestua menjëherë, me pamjet dramatike që u përhapën shpejt në rrjetet sociale. Në to, shihet pjesëmarrësi i dyshuar i shtrirë në tokë—ndjekur dhe ndaluar nga autoritetet.

“Ai u godit dhe u nxor nga vendi i ngjarjes nga sigurimi i tij. Policia e kampusit po heton një ngjarje të rëndë; një i dyshuar është në paraburgim,” njoftoi policia përmes një postimi në X, transmeton albinfo.ch.

Turning Point USA kishte publikuar më herët një deklaratë për CNN, ku konfirmonte se Kirk ishte qëlluar dhe ndodhej në spital ne gjendje kritike. “Ne po lutemi për të në këtë kohë,” kishte thënë zëdhënësja e organizatës, Aubrey Laitsch.

Por tragjedia u thellua kur punonjësit mjekësorë konfirmuan vdekjen e Charlie Kirk, duke lënë komunitetin konservator dhe më gjerë në shok.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ishte vetë Presidenti Trump që konfirmoi vdekjen e Kirk, duke shkruar: “I Madhi, madje Legjendari, Charlie Kirk, ka ndërruar jetë. Askush nuk e kuptonte më mirë apo nuk kishte zemrën e të rinjve në Shtetet e Bashkuara si Charlie. Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga TË GJITHË, veçanërisht nga unë, dhe tani, nuk është më mes nesh. Melania dhe unë dërgojmë ngushëllimet tona për bashkëshorten e tij të mrekullueshme, Erika, dhe gjithë familjen. Charlie, të duam!”.

Larry Ellison tejkalon Elon Musk si personi më i pasur në botë

Shtyhu pak Elon Musk, Larry Ellison është tashmë personi më i pasur në botë.

Bashkëthemeluesi i kompanisë Oracle i jep fund mbretërimit 300 ditor të Elon Musk dhe zë vendin e parë në indeksin e miliarderëve të Bloomberg.

Pasuria e Ellison u rrit me 101 miliardë dollarë pasi Oracle Corp. raportoi rezultate tremujore që tejkaluan pritjet dhe tha se do të ketë më shumë rritje në të ardhmen.

Rritja e çoi pasurinë e tij totale në 393 miliardë dollarë, përpara Musk i cili zotëron 385 miliardë dollar, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Ellison, 81 vjeç, i cili bashkëthemeloi Oracle ne vitin 1977 dhe tani është kryetar dhe drejtor i teknologjisë, ka pjesën më të madhe të pasurisë së tij neto të lidhur me kompaninë e softuerëve të bazës së të dhënave. Aksionet e Oracle, të cilat kishin rritur tashmë 45% këtë vit deri në mbylljen e së martës, u rritën me 41% të mërkurën pasi kompania shënoi një rritje të madhe të rezervimeve dhe dha një perspektivë agresive për biznesin e saj të infrastrukturës cloud. Është rritja më e madhe ditore e kompanisë ndonjëherë.

Aksionet e Tesla Inc., në të kundërt, kanë rënë me 13% këtë vit.

Megjithatë bordi i kompanisë ka propozuar një paketë masive page për Musk që, nëse ai arrin të përmbushë një sërë objektivash ambicioze, mund ta bëjë atë trilionerin e parë në botë. Mirëpo këto qëllime, që kane të bëjnë me rritjen e shitjeve të produkteve tesla si robotaxi dhe makinat elektrike, duhet të përmbushen brenda 10-vjeçarit, pra Elon Musk ka kohë deri në 2035 për t’u bërë trilioner.

Nga ana tjetër, kompania oracle specializohet ne ruajtjen e informacionit dhe databazës, dhe ka një sistem të inteligjencës artificiale shumë të suksesshme.

Dronë rusë në Poloni, reagon edhe Trump

Tensioni në kufirin lindor të NATO-s po rritet ndjeshëm, pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë të dyshuar rusë.

Lajmi u konfirmua nga kryeministri polak, Donald Tusk, i cili e quajti situatën “më të rrezikshmen që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Tusk deklaroi se ushtria polake është detyruar të përdorë armë ndaj disa prej objekteve fluturuese, ndërsa radarët kanë kapur të paktën 10 dronë që kanë hyrë brenda territorit ajror polak.

Ai shtoi se Varshava po shqyrton seriozisht aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili thërret në konsultime urgjente të aleatëve në rast kërcënimi ndaj integritetit territorial të një vendi anëtar, transmeton albinfo.ch.

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë e ka përshkruar incidentin si një “akt agresioni”, ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar këtë si një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për të gjithë Evropën”.

Presidenti amerikan Donald Trump, përmes rrjetit të tij Truth Social, ka reaguar me një koment të shkurtër, por shumë domethënës: “Pse Rusia po e shkel hapësirën ajrore polake me dronë? Ja ku jemi!”

Komenti i Trump, i cili vjen në një kohë kur ai po përgatitet për një rikandidim për Shtëpinë e Bardhë, u interpretua nga analistët si një sinjal alarmi për rritjen e tensioneve në Evropë, me pasoja të mundshme edhe për Shtetet e Bashkuara.

Cilat familje zvicerane do të shohin uljen e faturave të energjisë elektrike në vitin 2026?

Komisioni Federal i Energjisë Elektrike (ElCom) njoftoi të martën se çmimet do të bien me një mesatare prej 4 përqind.

Kjo do të thotë se një familje “tipike” që konsumon 4,500 kWh do të kursejë 58 franga vitin e ardhshëm.

Megjithatë, jo të gjitha familjet do të përfitojnë nga e njëjta ulje, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Disa do të shohin rritjen e faturave të tyre, pasi të dhënat nga 600 shpërndarësit e energjisë elektrike të vendit zbulojnë pabarazi të konsiderueshme nga një zonë e Zvicrës në tjetrën.

Sipas ElCom, normat më të ulëta janë kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të energjisë, pasi shumë kontrata furnizimi të lidhura në vitet 2022 dhe 2023 me çmime jashtëzakonisht të larta do të skadojnë në disa rajone.

Ku do të kushtojë më pak dhe më shumë energjia elektrike?

Nëse shikoni këtë hartë të koduar me ngjyra të ElCom, mund të shihni rajonet më të lira (me të gjelbër), mesataren (të verdhë), me dy nuancat e portokallit që përfaqësojnë zonat më të shtrenjta.

Nga ana tjetër, banorët e Vaud-it verior, Bazelit (si Qyteti ashtu edhe Fshati), Schaffhausen-it, pjesëve të Bernese Oberland, Ticino-s, si dhe kantoneve lindore, do të paguajnë tarifa mbi mesataren.

Çmimet e Gjenevës do të jenë gjithashtu më të larta se mesatarja.

Për të parë tarifat në komunitetin tuaj, hyni në hartë nëpërmjet këtij link-u ElCom dhe vendosni miun mbi komunitetin tuaj.

https://www.strompreis.elcom.admin.ch/map

Pse ekziston një ndryshim kaq i madh në çmime midis komunave?

Rrjeti elektrik i Zvicrës është shumë i decentralizuar, me rreth 600 shpërndarës të ndryshëm.

Për këtë arsye, ndryshimet në çmime midis furnizuesve zviceranë të energjisë elektrike janë të konsiderueshme, kështu që shuma e uljes do të varet jo vetëm nga vendi juaj i banimit dhe madhësia e banesës, por edhe nga kapaciteti prodhues i ofruesit lokal të energjisë elektrike.

Fatkeqësisht, nuk mund të kaloni në një kompani tjetër (më të lirë) të energjisë sepse familjet private nuk lejohen të zgjedhin furnizuesit e tyre.

Prandaj, ju jeni të kufizuar të përdorni kompaninë lokale të energjisë që mban monopolin për adresën tuaj.

Megjithatë, ka lajme pozitive përpara

Aktualisht, klientëve u ngarkohen dy tarifa të ndryshme për energjinë elektrike.

Njëra, më e larta, bazohet në përdorimin e energjisë gjatë orëve të pikut dhe ditëve të javës, ndërsa ajo më e ulët zbatohet për përdorimin e energjisë gjatë orëve jashtë pikut – për shembull, vonë natën ose në fundjavë.

Por kjo po ndryshon.

Në shkurt të vitit 2025, Këshilli Federal miratoi një metodë të re për llogaritjen e çmimeve të energjisë elektrike, e cila do të rezultojë në kursime për familjet dhe bizneset zvicerane.

Kostoja Mesatare e Ponderuar e Kapitalit (WACC) është një tregues financiar i përdorur për të përcaktuar shumën që operatorët e rrjetit elektrik mund të ngarkojnë për përdorimin e infrastrukturës së tyre.

Është një koncept kompleks, por mjafton të thuhet se qeveria tani do të miratojë këtë metodë llogaritjeje, e cila do të ulë çmimin e energjisë elektrike me 0.55 përqind në vitin 2026.

Gjithashtu në shkurt, Këshilli Federal miratoi grupin e dytë të ordinancave për zbatimin e Aktit Federal për një Furnizim të Sigurt me Energji Elektrike Bazuar në Energjinë e Rinovueshme.

Pjesa e parë hyri në fuqi më 1 janar 2025 dhe e dyta do të zbatohet nga 1 janari 2026.

Ai përcakton mënyrën për të arritur furnizim të sigurt me energji elektrike bazuar në energjinë e rinovueshme, si dhe shpërndarjen, vendosjen e tarifave dhe tema të tjera të lidhura.

Rregullat e reja do të sjellin gjithashtu më shumë transparencë dhe ndryshime të tjera miqësore për konsumatorin.

Familjeve duhet t’u jepen stimuj për të përshtatur konsumin e tyre të energjisë elektrike sipas ngarkesës së rrjetit, dhe për këtë arsye të lehtësojnë rrjetin elektrik – për shembull, duke mos përdorur lavatriçe ose duke mos karikuar një automjet elektrik gjatë orareve të konsumit të pikut.

“Parimi i shkakësisë është konsoliduar kështu dhe nevoja për zgjerimin e rrjetit mund të zvogëlohet në afat të mesëm dhe të gjatë”, shpjegoi Këshilli Federal.

“Kjo është arsyeja pse tani lejohen tarifat dinamike të përdorimit të rrjetit (të cilat ndryshojnë sipas orës së ditës) ose të diferencuara sipas vendndodhjes. Mbingarkesat e rrjetit raportohen në kohë reale, gjë që u lejon konsumatorëve të përshtatin konsumin e tyre.”

Fshati në Shqipëri: Dikur me 400 nxënës, tani vetëm 5

Dikur zërat e fëmijëve dhe jehona e ziles së shkollës i jepnin jetë Drizarit të Mallakastrës.

Sot, qetësia e rëndë e braktisjes mbizotëron në korridoret bosh. Në oborrin e shkollës nuk dëgjohet më zëri i lojërave, por këmborët e bagëtive që kullosin aty ku dikur fëmijët mësuan shkrim e këndim.

Nga 400 nxënës që kishte dikur, sot janë vetëm pesë fëmijë, tre në klasë të tretë dhe dy në kopsht. Shkolla dikur ishte zemra e fshatit. Korridore plot me nxënës, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Sot, e njëjta shkollë ka dyer dhe dritare të thyera, muret të çara dhe pa xhama. Në vend të nxënësve, bagëtitë kanë zënë oborrin. Në një klasë të vetme, pesë fëmijë përpiqen të mësojnë, të rrethuar nga heshtja që rëndon mbi çdo bankë bosh.

Banorët tregojnë se emigracioni dhe braktisja kanë shuar jo vetëm shkollën, por edhe fshatin.

“Dikur këtu kishte jetë, kishte familje. Sot, rinia është larguar, fëmijët janë larguar, e ne kemi mbetur vetëm të moshuarit,” thotë një banor i moshuar me dhimbje në zë.

Por muret e shkollës flasin më shumë se njerëzit. Ato mbajnë ende mesazhe të gdhendura nga duart e nxënësve të dikurshëm: “Rroftë kombi shqiptar,” “Jam krenar që jam shqiptar,” dhe më e forta nga të gjitha: “Vdekje tradhtarëve.”

Kjo thirrje e fundit sot merr një kuptim tjetër. Tradhtarët ndoshta nuk janë vetëm individë, tradhtia është moskujdesi, indiferenca, mungesa e vizionit ndërsa ky fshat po shuhet.

youtube.com/watch?v=ssRdVmQCjiA&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F&source_ve_path=MjM4NTE

Pse është bërë më e vështirë të marrësh një kredi nga një bankë zvicerane?

Në vitin 2024, 35.5 përqind e të gjitha aplikimeve për kredi u refuzuan – një përqindje më e lartë se kurrë më parë, sipas portalit të krahasimit të kredive kreditvergleich.ch.

Sipas portalit të krahasimit Kreditvergleich, më shumë se një në tre aplikime për kredi konsumatore u refuzuan.

Platforma i bazon shifrat e saj në të dhënat nga Byroja Qendrore Zvicerane e Informacionit të Kreditit (ZEK).

Ajo tregon se vëllimi i kredisë konsumatore në vitin 2024 arriti në afërsisht 4.15 miliardë franga, ndërsa vitin e kaluar ishte në 4.79 miliardë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Pse është më e vështirë të merren kreditë konsumatore?

Praktikat më kufizuese të huadhënies janë arsyeja kryesore.

Në mënyrë specifike, bankat po përqendrohen gjithnjë e më shumë në minimizimin e rrezikut dhe kanë më shumë gjasa të refuzojnë aplikimet nga njerëz me vlerësime të dobëta krediti, ose ‘aftësi krediti’ (lexoni më shumë rreth kësaj më poshtë) – dhe ka pasur më shumë të tilla në vitin 2024, prandaj janë dhënë më pak kredi.

Ja se si funksionon

Si pothuajse çdo gjë në Zvicër, kreditë konsumatore rregullohen nga legjislacioni, në këtë rast Akti i Kredisë së Konsumatorit.

Ai përcakton një kredi si midis 550 dhe 80,000 frangave, “të ofruara nga ofruesit komercialë të shërbimeve financiare”. Shumat më të ulëta ose më të larta nuk i nënshtrohen Aktit të Kredisë së Konsumatorit.

Si në shumë vende të tjera, bankat zvicerane kanë kritere të rrepta se kujt i japin hua para. Në fund të fundit, asnjë institucion financiar nuk dëshiron të merret me njerëz që nuk janë të besueshëm dhe në rrezik të mospagimit të një kredie.

Çfarë do të thotë saktësisht kjo?

ZEK operon një bazë të dhënash qendrore në të cilën vetëm bankat dhe ofruesit e kredive mund të kenë qasje.

Në thelb, i gjithë historiku juaj i kreditit, që përfshin përdorimin e kartës së kreditit, kreditë, historinë e të gjitha aplikimeve të hapura ose të refuzuara për kredi, mbitërheqjet e llogarisë dhe informacione të tjera të tilla, ruhet atje.

Megjithatë, ZEK nuk përmban vetëm të dhënat negative.

Nëse jeni të kujdesshëm për të paguar të gjitha faturat tuaja në kohë dhe për të mos pasur asnjë vonesë, atëherë ky informacion përfshihet edhe atje dhe do t’ju shërbejë mirë nëse ndonjëherë keni nevojë të merrni një hipotekë ose një kredi tjetër.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme: A mund të marrin banorët e huaj një kredi në Zvicër?

Përgjigja është po, por nëse plotësojnë paraprakisht disa kërkesa.

Për shembull, ata duhet të jenë banorë të Zvicrës me një kontratë të përhershme pune dhe një pagë të mirë, të kenë një llogari bankare zvicerane, një leje qëndrimi të vlefshme (shpesh C ose B pas një viti) dhe, po, një histori të mirë krediti.

Dollari i dobët mund të ngadalësojë ekonominë zvicerane

Franga zvicerane vazhdon të rritet kundrejt dollarit, duke fituar më shumë se 12 përqind që nga janari dhe tani tregtohet me 79 cent.

UBS parashikon se dollari do të dobësohet më tej gjatë vitit të ardhshëm, gjë që mund ta bëjë frangun edhe më të fortë. Ndërsa kjo u sjell dobi udhëtarëve zviceranë jashtë vendit, ajo krijon probleme të vërteta për ekonominë.

Eksportuesit shohin se produktet e tyre po bëhen më të shtrenjta në tregjet ndërkombëtare, duke gërryer konkurrueshmërinë, transmeton albinfo.ch.

Tarifat amerikane tashmë rëndojnë shumë mbi shumë mallra zvicerane, dhe industritë e teknologjisë së lartë janë veçanërisht të ekspozuara.

Edhe gjigantët farmaceutikë Roche dhe Novartis planifikojnë të zhvendosin një pjesë të prodhimit të tyre në Shtetet e Bashkuara, duke kërcënuar një nga shtyllat kryesore të rritjes së Zvicrës.

UBS paralajmëron se nëse kjo tendencë vazhdon, franga e fortë rrezikon të shndërrohet nga një strehë e sigurt në një pengesë afatgjatë për rritjen.

Për 6 muaj, 532 milionë euro remitenca në Shqipëri

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 532 milionë euro në janar-qershor 2025, me një rritje prej 4.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është niveli më i ulët i rritjes, që nga viti 2020, kur fluksi u ndikua nga pandemia e Covid-19. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, remitancat ishin zgjeruar me 14.5%, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht (shiko grafikun), duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.

Pas një rënieje në vitin 2020, si efekt i pandemisë, tendenca rritëse u përshpejtua dukshëm. Në 6 muajt e parë të 2024-s, për herë të parë u tejkalua kufiri prej 500 milionë eurosh.

Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në 2022-2023 u dhanë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë një potencial për të dërguar para tek të afërmit që kanë lënë në Shqipëri.

Akterët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania.

Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, sipas standardeve të FMN-së (BPM6).

Ato përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale.

Për këtë qëllim, Banka përdor të dhënat e sistemit bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa specifike tek familjet përfituese, duke synuar të kapë tërësinë e flukseve reale të remitancave në ekonomi.

Zvicër: Parlamenti, në favor të vazhdimit të birësimeve ndërkombëtare

Këshilli Kombëtar dëshiron të sigurojë që fëmijët të mund të vazhdojnë të birësohen nga jashtë vendit. Kjo kundërshton planet e Këshillit Federal.

Dhoma e lartë miratoi qartë një mocion nga Komiteti i Çështjeve Ligjore, me 151 vota pro dhe 31 kundër, transmeton albinfo.ch. Pesëmbëdhjetë anëtarë abstenuan.

Mocioni kërkon që Këshilli Federal të kthehet te vendimi i tij themelor nga fillimi i vitit dhe, në vend që të ndalojë birësimet ndërkombëtare, të forcojë mbikëqyrjen dhe transparencën e tij, shkruan srf.ch.

Këshilli Federal e bazoi vendimin e tij në një raport mbi këtë temë. Ekspertët e kishin përshkruar një ndalim si mënyrën më të mirë për të parandaluar abuzimin.

Sipas raportit të ekspertëve, numri i birësimeve ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Aktualisht, ka rreth 30 të tilla në vit, krahasuar me disa qindra më parë.

Simone Gianini (FDP/TI), duke folur në emër të shumicës së Komitetit të Çështjeve Ligjore, tha se birësimet ndërkombëtare më të kontrolluara në mënyrë strikte u shërbejnë interesave më të mira të fëmijës. Për disa fëmijë, birësimi jashtë vendit është i vetmi shans për një jetë më të mirë.

Debat për ruajtjen e kufirit të shpejtësisë 50 km/h në rrugët kryesore të Zvicrës

Me një rishikim të rregullores së sinjalistikës dhe asaj për mbrojtjen nga zhurma, Këshilli Federal synon të zbatojë mocionin për ruajtjen e kufirit 50 km/h në rrugët kryesore.

Ndryshimet parashikojnë që ulja e shpejtësisë të jetë e mundur vetëm me kushte më të rrepta dhe të mos shkaktojë trafik devijues në rrugët e banuara.

Konsultimi publik do të zgjasë deri më 5 dhjetor 2025.

 Më shumë info në linkun në vijim: news.admin.ch

Inspektime për një varr masiv në Kozhle të Novi Pazarit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se nga Kosova sot është deleguar një ekip në fshatin Kozhle afër Novi Pazarit, ku po zhvillohen inspektime në terren për vlerësimin e lokacionit, pasi dyshohet për ekzistencën e një varri masiv.

Kryetari i komisionit, Andin Hoti, ka shkruar në rrjetin social ‘Facebook’ se sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve. Fatkeqësisht, sipas tij, ky lokacion është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999, e për të arritur deri te zona e dyshuar, kërkohet largimi i tyre në një thellësi mbi 15 metra.

“Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta”, ka shkruar Hoti.