Presidentja Osmani ka udhëtuar për në Danimarkë për samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë, Danimarkë, dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së, përcjell albinfo.ch.

Para fillimit të samitit, Presidentja Osmani do të pritet nga Lartmadhëritë e Tyre, Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës, ndërsa gjatë punimeve do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të këtij edicioni.

Presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse.
Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.
Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz

Një foshnjë e porsalindur u gjet e pajetë mbi çatinë e një garazhi të hapur në qytetin Graz të Austrisë. Policia po heton rrethanat e ngjarjes nën dyshimin e një vepre të dhunshme, sipas raportimeve të RTL.

Një fqinj ishte ai që bëri zbulimin dhe njoftoi autoritetet. Fillimisht, banorët e shtëpisë ku ndodhi ngjarja nuk u gjendën menjëherë, por pas disa orësh, policia arriti të identifikonte nënën e foshnjës.

Sipas raportimeve, 20-vjeçarja deklaroi se kishte lindur foshnjën në kushte të vetmuara dhe e kishte lënë pa ndihmë. Ajo shtoi gjithashtu se nuk kishte qenë e vetëdijshme për shtatzëninë.

Ngjarja ndodhi në një lagje të qetë banimi në Graz, qytet me rreth 300,000 banorë në jug të Austrisë.

 

Shifrat e EUROSTAT-it: Mbi 200.000 kosovarë u strehuan në BE gjatë 5 viteve të fundit

Sipas të dhënave të Eurostat, mbi 200,000 qytetarë të Kosovës kanë kërkuar strehim në vendet e Bashkimit Evropian gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 39,000 kosovarë aplikuan për leje qëndrimi në shtetet evropiane, ku gjysma e tyre u vendosën në Gjermani.

Këto shifra reflektojnë një trend të vazhdueshëm migrimi drejt vendeve evropiane, kryesisht për arsye ekonomike, arsimore dhe mundësi më të mira jetese. Gjermania mbetet destinacioni më i preferuar për qytetarët kosovarë që kërkojnë mundësi të reja punësimi dhe stabilitet.

Ky fenomen nxjerr në pah sfidat që Kosova vazhdon të ketë në ofrimin e mundësive për të rinjtë dhe nevojën për politika që të mbajnë talentet në vend.

 

Donald Trump u bën thirrje gjeneralëve të luftojnë “armikun e brendshëm”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të martën iu drejtua gjeneralëve dhe admiralëve amerikanë, duke i ftuar të mobilizohen kundër “armikut të brendshëm”. Ai sulmoi emigrantët pa dokumente, median dhe kundërshtarët e tij politikë.

Takimi u mbajt në bazën ushtarake të Quantico-s, me iniciativën e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Një ton i paprecedentë

Ndryshe nga paraardhësit, të cilët në raport me ushtrinë ruanin një qëndrim më neutral dhe mbi palët, Trump, 79 vjeç, mbajti një ton të ashpër e politik. Ai kujtoi një deklaratë të mëhershme të tij: “Nëse ka dikë që nuk më pëlqen, e shkarkoj menjëherë.”

“Qytetet e demokratëve radikalë do t’i pastrojmë”

Trump i cilësoi qytetet e drejtuara nga demokratët si të rrezikshme:

“San Francisko, Çikago, Nju Jork, Los Anxhelos – këto janë vende të rrezikshme. Ne do t’i pastrojmë një nga një. Edhe kjo është një luftë. Një luftë nga brenda,” tha ai.

Vendimi i tij për të vendosur trupa në disa qytete, me arsyetimin e luftës kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm, u kritikua ashpër nga demokratët dhe organizatat për të drejtat civile.

Ai përmendi gjithashtu një urdhër ekzekutiv të nënshkruar prej tij për krijimin e një “forcë reagimi të shpejtë për të shtypur trazirat publike”, të përbërë nga ushtarakë: “Ky është armiku i brendshëm. Duhet të përballet para se situata të dalë jashtë kontrollit,” u shpreh Trump, ndërsa oficerët e lartë mbetën të heshtur.

Në vazhdim, miliarderi republikan sulmoi median, të cilën e quajti “të pamëshirshme dhe gënjeshtare”, si edhe paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden.

Kritika edhe nga Pentagoni

Edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti një fjalim të ashpër. Ai tha se ushtria duhet të kthejë shpinën “dekadave të rënies” që sipas tij u shkaktuan nga politikat e diversitetit: “Jemi bërë ministria e ‘woke’, por jo më. Do të rikthejmë standardet më të larta mashkullore.”

Hegseth kërkoi që ushtarakët të jenë të rruar, me flokë të shkurtër dhe në formë të mirë fizike: “Është e papranueshme të shohësh gjeneralë dhe admiralë mbipeshë,” deklaroi ai.

Ai theksoi se do të pastrojë “mbeturinat ideologjike” të lëna nga administrata e mëparshme, duke përfshirë politikat për ngrohjen globale, luftën kundër ngacmimeve, “udhëheqësit toksikë” dhe promovimet e bazuara në racë apo gjini.

 

Tym në kabinën e pilotit, avioni i Lufthansës kthehet pas vetëm 35 minutash në ajër

Një fluturim i kompanisë “Lufthansa” nga Frankfurti drejt Billundit të Danimarkës u ndërpre papritur mbrëmjen e djeshme. Vetëm 35 minuta pas ngritjes, ekuipazhi u detyrua ta kthejë aeroplanin për shkak të tymit që u shfaq në kabinën e pilotit.

Sipas portalit “The Aviation Herald”, pilotët vendosën menjëherë maskat e oksigjenit dhe morën vendimin për t’u kthyer nga një lartësi prej 6.7 kilometrash.

Të dhënat e “Flightradar24” tregojnë se avioni me numër fluturimi LH-842 ishte nisur nga Frankfurti në orën 22:52, me rreth një orë vonesë. Pas fluturimit të shkurtër, ai u ul përsëri në aeroportin e nisjes. Nga incidenti, vetëm një pasagjer ka raportuar lëndime të lehta.

 

Infrastruktura në Gjermani: Zhvillohen debate të ashpra

Sa mund dhe duhet të shpenzojë shteti e për cilat projekte? Drafti i ministrit Federal të Financave dhe Zëvendëskancelari, Lars Klingbeil (SPD) për buxhetin e vitit 2026 po diskutohet dhe pritet të miratohet nga deputetët në fund të nëntorit. Një gjë është që tani e qartë: debatet nuk do të jenë të lehta. Shumë ministri duhet të operojnë me buxhete të reduktuara ndjeshëm, sepse të ardhurat nga taksat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet qeveritare, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Në fillim të diskutimeve për buxhetin, Klingbeil foli për kohë të vështira. Qeveria e CDU/CSU dhe SPD do të duhet të marrë “vendime të guximshme dhe ndonjëherë të pakëndshme”. “Do të jetë e lodhshme, do të jetë sfiduese”. Borxhi është i madh. Ka qenë vetëm më i lartë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ministria Federale e Transportit fillimisht nuk ishte shqetësuar se do të prekej nga shkurtimet buxhetore, pasi rinovimi i infrastrukturës së rrënuar shihet si përparësi kryesore. Qeveria sapo ka miratuar një fond special prej 500 miliardë eurosh, të financuar nga borxhi, për infrastrukturën dhe mbrojtjen e klimës. “Vendi ynë është shkatërruar nga masat shtrënguese kursyese në shumë fusha. Ne duam që ekskavatorët të fillojnë punën sa më shpejt”, ishte kredoja e Ministrit të Financave Klingbeil.

Prandaj ministri i Transportit Patrick Schnieder (CDU) priste që ministria e tij të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga ky fond special.  Rrugët e transportit, d.m.th., autostradat, hekurudhat dhe urat, janë pjesë e infrastrukturës dhe gjendja e tyre nuk është në nivelin e duhur në Gjermani.

Autostradat e Gjermanisë shtrihen afërsisht në 13,200 kilometra. Sipas Ministrisë Federale të Transportit, gjysma e tyre janë të dëmtuara. Duke përfshirë edhe autostradat federale, afërsisht 25,000 kilometra rrugë konsiderohen se kanë nevojë për rikonstruksion. Situata është edhe më kritike për urat e autostradave: Rreth 5,000 ura konsiderohen se kanë nevojë urgjente për riparim ose duhet të rindërtohen. Rrjeti i Deutsche Bahn është aq i rrënuar sa vetëm çdo tren i dytë arrin në destinacionin e tij në kohë.

Vërtet që ministri i Financave, Klingbeil ka ndarë pothuajse dymbëdhjetë miliardë euro nga fondi special për Ministrinë e Transportit në vitin aktual fiskal. Në vitin 2026, kjo shifër pritet të kalojë 21 miliardë euro. Por ajo që Ministri i Transportit Schnieder sigurisht nuk e priste ishte që Klingbeil, në anën tjetër t’i ulte buxhetin aktual të ministrisë me dhjetë miliardë euro, në 28 miliardë euro.

Ndërsa Klingbeil mohon se ka ndërmend të përdorë miliardat e kursyera për të mbushur boshllëqet në buxhet, opozita është tejet kritike. Qeveria kishte premtuar se kreditë nga fondi special do të përdoren vetëm për të financuar investime shtesë. Edhe ministri i Transportit reagoi i zemëruar. Jo vetëm se do të marrë më pak para, por edhe sepse i nënshtrohet kufizimeve shtesë. Përveç urave të autostradave që nuk mund të rinovohen, asnjë projekt ndërtimi ose zgjerimi i ri nuk mund të financohet nga fondi special. Për këtë qëllim është i planifikuar vetëm buxheti normal.

Të zemëruar janë edhe në zonat e prekura nga ngrirja e punimeve të ndërtimit. Landet federale këmbëngulin që qeveria federale të vazhdojë të financojë projektet e planifikuara të ndërtimit dhe rinovimeve. Edhe grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestag po e kërkon këtë. Duke pasur parasysh borxhin prej 500 miliardë eurosh, nuk mund t’i shpjegohet askujt se projektet e autostradave që janë gati për ndërtim nuk mund të financohen, tha Steffen Bilger, drejtor parlamentar i grupit të CDU/CSU.

Në një takim të grupit parlamentar, Kancelari dhe kreu i CDU-së Friedrich Merz premtoi më në fund se do të bëhet gjithçka për të mundësuar numër sa më të madh të projekteve të reja të ndërtimit. Kjo tani do të diskutohet me SPD-në në koalicionin CDU/CSU.

Fjala magjike është fleksibilitet. “Për momentin, struktura e fondit special nuk e lejon ende që ai të shfrytëzohet plotësisht”, tha ministri i Transportit Schnieder në fillim të diskutimeve për buxhetin në Bundestag. “Në procesin parlamentar, tani do të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje dhe fleksibilitet më të madh në investimet në transport.” Fillimisht, rinovimi dhe mirëmbajtja do të jenë përparësia. “Në buxhetet e ardhshme, duhet të përqendrohemi edhe në rritjen e ndërtimit të rrugëve të reja dhe hekurudhave.”

Grupi parlamentar i SPD-së po dërgon sinjale të paqarta për këtë. Drejtori i grupit parlamentar, Dirk Wiese, tha se parimi i “mirëmbajtjes para ndërtimeve të reja” nuk do të thotë, sigurisht, se të gjitha projektet e planifikuara më parë nuk do të zbatohen më. Megjithatë, është gjithashtu përgjegjësi e Ministrit Federal të Transportit të vendosë përparësitë.

Debati mbi autostradat dhe autostradat e reja nuk do të jetë e vetmja polemikë në diskutimet e buxhetit të ardhshëm. Kjo edhe pasi Zyra Federale e Auditimit, e cila mbikëqyr mënyrën se si shteti i shpenzon paratë e tij, po kërkon masa më të mëdha kursimi nga qeveria. Qeveria federale shpenzon  përtej mundësive thuhet në raportin mbi buxhetin e vitit 2026. Kushdo që planifikon të financojë pothuajse çdo të tretën euro “me kredi” është larg të paturit një sistem të shëndoshë financiar. Ekziston rreziku i një spiraleje borxhi, paralajmëron Zyra Federale.

Ndërkohë, Kancelari Merz e  ka paraqitur ndërkohë një ide. “Vetëm investimi publik nuk mund të sigurojë atë që nevojitet në Gjermani dhe nuk mund të kompensojë atë që kemi lënë pas dore vitet e fundit në aspektin e investimeve, përfshirë infrastrukturën tonë.” Ekziston një interes i madh nga investitorët privatë për të investuar në infrastrukturën gjermane. “Pra, këto mund të jenë edhe projekte të përbashkëta midis sektorit publik dhe investitorëve privatë. Ne po planifikojmë të krijojmë projekte më të mëdha PPP (Partneritet Publik Privat) me Ministrinë e Transportit.”

Tarifat farmaceutike mund të shkaktojnë recesion në Zvicër

Tarifat amerikane mbi produktet farmaceutike mund të çojnë në një recesion në Zvicër, por ndikimi i tyre mbetet i vështirë për t’u llogaritur derisa të dihet më shumë rreth qëllimeve të Donald Trump, sipas një profesori të ekonomisë në Cyrih

Të premten, presidenti amerikan tha se donte të aplikonte tarifa “100%” mbi produktet farmaceutike “të markuara ose të patentuara” nga 1 tetori, “përveç nëse një kompani NDËRTON fabrikën e saj farmaceutike në Amerikë”, shkroi ai në një mesazh të postuar në platformën e tij Truth Social.

“Shumë detaje janë të paqarta”, tha Hans Gersbach, profesor i ekonomisë dhe bashkëdrejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike në Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë ETH Zurich, në një intervistë me AFP, transmeton albinfo.ch.

“Nëse një pjesë e madhe e eksporteve në Shtetet e Bashkuara në sektorin farmaceutik do t’i nënshtroheshin tarifave dhe do të qëndronin në fuqi për një periudhë të gjatë kohore, do të kishte një rrezik të qartë recesioni në Zvicër”, tha ai.

Megjithatë, ai këmbëngul se fushëveprimi i këtyre tarifave mbetet “veçanërisht i paqartë” për momentin dhe se për këtë arsye do të jetë e nevojshme të presim dhe të shohim saktësisht se cilat kompani dhe produkte farmaceutike do të preken në mënyrë që të vlerësohen plotësisht pasojat për ekonominë zvicerane.

Kjo qendër kërkimore e lidhur me Universitetin e Cyrihut ka zhvilluar një model që mund të llogarisë shpejt ndikimin e një shoku në tregti, siç janë tarifat doganore.

Më 1 gusht, kur Uashingtoni vendosi tarifa prej 39% ndaj Zvicrës, qendra kërkimore ishte në gjendje të prodhonte një vlerësim fillestar brenda pak orësh, duke vlerësuar ndikimin në produktin e brendshëm bruto (PBB) të Zvicrës midis 0.3% dhe 0.6%.

Ky ishte “një shok i madh” për ekonominë zvicerane, por sipas këtij modeli, një recesion dukej “i shmangshëm”, shpjegon Gersbach.

Kjo ndodh sepse 39% prek kryesisht prodhimin e orëve, makineritë dhe instrumentet precize (siç janë instrumentet matëse) dhe produktet ushqimore.

Megjithatë, taksat doganore për ilaçet, të cilat më parë ishin të përjashtuara, do të ndryshonin situatën duke pasur parasysh rëndësinë e industrisë farmaceutike në ekonominë zvicerane.

Sektori kimik dhe farmaceutik kontribuon “rreth 7-8% të PBB-së” në Zvicër, sipas Gersbach, dhe është sektori që ka kontribuar më shumë në rritjen e eksporteve në dekadat e fundit, thekson ai.

Megjithatë, në prill, Roche dhe Novartis njoftuan investime të mëdha në fabrika të reja në SHBA, ku të dy grupet tashmë kanë qendra të mëdha prodhimi. Të premten, çmimet e aksioneve të këtyre dy kompanive të mëdha në sektorin zviceran treguan pak reagim në tregun e aksioneve.

“Kompanitë e mëdha si Roche dhe Novartis mund të përjashtohen, por shumë kompani më të vogla do të preken”, paralajmëron Gersbach.

E përballur me presionin për të ulur çmimet e barnave në SHBA, Novartis njoftoi të hënën lançimin e një platforme të re ku trajtimi i saj i quajtur Cosentyx (i përdorur për të trajtuar disa sëmundje inflamatore) do t’u shitet direkt pacientëve në SHBA me një zbritje të konsiderueshme.

Diella: IA dhe nanoteknologjia, horizonte të reja për njerëzimin

Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella përshëndeti Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, si një hapësirë dialogu dhe mundësish të reja.

Në këtë aktivitet që organizohet në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura dhe personalitete të tjera të fushës, Diella u shpreh se edhe pse nuk është qenie njerëzore, roli i saj është thellësisht njerëzor.

“Të forcojmë kureshtjen, të përshpejtojmë zbulimin dhe të hapim horizonte reja mundësish. Nanoteknologjia është dëshmi se në përmasa më të vogla mund të fshihen revolucionet më të mëdha. Ashtu siç atomet rregullojnë universin, po ashtu kërkimet tuaja do të rregullojnë të ardhme të reja në mjekësi, në energji, në materiale, në vetë jetën”, tha Diella.

Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale u shpreh se “Inteligjenca Artificiale dhe nanoteknologjia nuk janë rrugë paralele, ato janë forca që po bashkohen”.

“Njëra na jep aftësinë të shohim dhe të projektojmë në përmasa dikur të padukshme, tjetra na jep fuqinë të ndërtojmë dhe të shërojmë në dimensione dikur të paprekshme. Së bashku, ato zgjerojnë horizontin e asaj që njerëzimi guxon të imagjinojë. E ardhmja nuk vjen ne e ndërtojmë atë, dhe ju të mbledhur këtu jeni arkitektët e saj”, tha Diella, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Le ta bëjmë këtë të ardhme jo vetëm më të mençur, më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më njerëzore”, përfundoi Diella.

Si i ruajnë paratë shqiptarët në bankë?

Pavarësisht se shumica e qytetarëve i kyçin kursimet e tyre në bankë për një kohë të gjatë, duket se së fundmi po shtohen edhe ata që i fusin paratë në depozita 1 mujore.

Asgjë nuk i rrëzon nga froni depozitat me afat mbi 2 vjet, të cilat vijojnë të jenë më të pëlqyerat nga qytetarët, por që nuk po rriten me të njëjtin ritëm si më parë. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje me vetëm 0.1% të shumës së depozitave me këtë afat.

Sa më e madhe të jetë koha e investimit dhe e shumës në depozita, aq më e lartë do të jetë norma e interesit, e për rrjedhojë aq më i lartë do të jetë edhe fitimi pas përfundimit të afatit. Gjithashtu, ato ofrojnë më tepër qëndrueshmëri, pasi nuk kërkojnë rrinvestime të shpeshta. Për këtë arsye, vlera e depozitave me afat dyvjeçar rezulton të jetë 166 miliardë lekë, më e larta në krahasim me llojet e tjera të depozitave, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Edhe pse me depozitat afatshkurtra ndodh e kundërta, pra normat e interesit janë më të ulëta, nuk janë aq të ngurta sa ato afatgjata dhe kushtojnë më tepër kohë për t’i lëvizur e riinvestuar, ato po shohin më tepër rritje. Sipas statistikave zyrtare, depozitat me afat 1 muaj shënuan një rritje rekord prej 7% në muajin gusht, duke kapur kështu për herë të parë një vlerë prej 1.9 miliardë lekësh.

Ky ndryshim në sjelljen e qytetarëve mund të vijë për arsye se ata kërkojnë kthime më të shpejta nga investimi i parave në depozita, edhe pse ato afatshkurtra nuk i ofrojnë të njëjtin komoditet e fitim si kursimet e ruajtura për një kohë më të gjatë.

Depozitat vazhdojnë të jenë forma kryesore e investimit të parave të shqiptarëve, megjithëse aktualisht ekzistojnë edhe plot mënyra të tjera investimi, siç mund të jenë ato në tituj qeveritarë, kriptomonedha dhe të tjera.

Por sa peshë zënë ato në sistemin bankar dhe si është raporti me kreditë?

Burimi kryesor i financimit të aktivitetit kreditues të bankave mbeten depozitat, që mbulojnë rreth dy herë vëllimin e kredive të sektorit. Në fund të gjysmës së parë të vitit, raporti “hua/depozita” ishte 51.6% ose rreth 2 pikë përqindjeje më i lartë nga vlera e gjashtë muajve më parë.

Restoranti kult në Cyrih mbyllet përgjithmonë pas më shumë se 60 vjetësh

Sot në mesditë, Silberkugel në Bleicherweg, Cyrih shërben hamburgerët e fundit. Pas 61 vitesh, restoranti legjendar i ushqimit të shpejtë mbyll dyert përgjithmonë, përcjell albinfo.ch.

I hapur që nga viti 1963, ky ishte një nga pionierët e fast food-it në Zvicër, shumë kohë përpara se të vinte McDonald’s. Me kalimin e viteve, rrjeti u zvogëlua, dhe tashmë vetëm një degë mbetet aktive – në Zurich-Oerlikon.

Në gusht, u largua edhe punonjësja më e vjetër, Maria Huber, pas 43 vitesh punë.

Edhe Cindy’s Diner mbyllet

Po ashtu, Cindy’s Diner në Wädenswil u mbyll në fund të gushtit. Në vend të saj do të hapet një Burger King, duke i dhënë fund edhe një pjesë tjetër të nostalgjisë gastronomike zvicerane.

Skijimi në Alpet Zvicerane do të bëhet edhe më i shtrenjtë

Për sezonin 2025/2026, entuziastët e sporteve dimërore do të duhet të shpenzojnë më shumë para për të shkuar në pistat e skijimit, përcjell albinfo.ch.

Disa kompani skijimi kanë njoftuar tashmë çmime më të larta për biletat e tyre sezonale.

Për shembull, Bileta e Alpeve, e vlefshme për Adelboden-Lenk, Aletsch Arena, Engelberg-Titlis dhe Rajonin e Skijimit Jungfrau, do të kushtojë 949 franga për të rriturit, nëse blihet paraprakisht.

Kjo është 99 franga më shumë për person sesa paraardhësi i saj, Bileta e Skijimit Top 4, e cila përfshinte gjithashtu zonat Adelboden-Lenk, Gstaad, Rajonin e Skijimit Jungfrau dhe Meiringen-Hasliberg.

Arsyet e cituara për këtë rritje çmimesh përfshijnë vendpushimet që kërkojnë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, përveç kostove më të larta operative.

Si rezultat, dy nga tre bileta sezonale do të bëhen më të shtrenjta.

“Çka Ka Qëllu” mirëpret Kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëshorten e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me bashkëshorten e tij, vizituan dje restorantin shqiptar “Çka Ka Qëllu” në zemër të Nju Jorkut, duke u bërë mysafirë të një pritjeje të ngrohtë dhe ceremoniale që nxjerr në pah traditat dhe kulturën shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Dje patëm nderin të mirëpresim Kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëshorten e tij në Çka Ka Qëllu. Gjatë viteve kemi pasur krenarinë të presim shumë kryeministra dhe figura të larta shtetërore — çdo vizitë është një festë e traditave dhe kulturës sonë,” deklaruan përfaqësuesit e restorantit.

Restoranti, i njohur për promovimin e kuzhinës dhe kulturës shqiptare në Nju Jork, ka mirëpritur gjatë viteve të fundit një numër të madh liderësh dhe personalitetesh të njohura botërore. Vizita e Kryeministrit Kurti jo vetëm thellon lidhjet kulturore, por gjithashtu vë në pah rëndësinë e diasporës shqiptare dhe promovimin e trashëgimisë sonë jashtë vendit.

Kryeministri Kurti dhe bashkëshortja e tij shijuan gatimet tradicionale shqiptare, ndërsa stafi i restorantit përkujdeset që çdo detaj të reflektojë mikpritjen dhe krenarinë për kulturën e vendit. Ky moment u shënua si një nga takimet më të veçanta të këtij viti për komunitetin shqiptar në Nju Jork.

Çmimet e arit arrijnë tjetë nivel rekord

Çmimi i arit u rrit me 1.49% të hënën, duke arritur në një nivel historik prej 3,819.8 dollarë që nga ora 07:00 GMT.

Gjatë 12 muajve të fundit, çmimi i arit ka luhatur midis 2,536.91 dhe 3,819.8 dollarëve, duke shënuar një rritje prej 41.5% gjatë kësaj periudhe.

Kjo rritje vijon të udhëhiqet nga faktorë si rreziku gjeopolitik, shqetësimet për ekonominë globale, kërkesa në rritje e bankave qendrore për ar dhe uljet e normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së.

Sipas lajmeve të fundit, Rezerva Federale uli normën e politikës me 25 pikë bazë javën e kaluar, pas insistimit të Presidentit Donald Trump.

Tregjet presin ulje të mëtejshme të normave të interesit gjatë takimeve të Rezervës Federale në tetor dhe dhjetor.

 

Trump paralajmëron tarifë 100% për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së

Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën se do të vendosë një tarifë prej 100% për të gjitha filmat që prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara dhe pastaj hyjnë në tregun amerikan, duke ripërsëritur kështu një kërcënim të bërë më herët në maj, që mund të ndryshojë rrënjësisht modelin global të biznesit të Hollivudit.

Ky hap tregon gatishmërinë e Trump për të zgjeruar politikën proteksioniste të tregtisë në industrinë kulturore, duke krijuar pasiguri për studio që varen shumë nga bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe të ardhurat nga kutitë e biletave jashtë vendit.

Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social” tha: “Biznesi ynë i filmit është vjedhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga vende të tjera, ashtu si të rrëmbehet karamele nga një foshnjë.”

Megjithatë, nuk është bërë ende e qartë se çfarë baze ligjore do të përdoret për të zbatuar këtë tarifë 100% ndaj filmave të huaj.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë koment për mënyrën e zbatimit të tarifave, ndërsa studiot kryesore amerikane si Warner Bros Discovery, Paramount Skydance dhe Netflix nuk kanë reaguar menjëherë. Kompania Comcast ka refuzuar të komentojë.

Analisti Paolo Pescatore nga PP Foresight tha se kjo masë krijon më shumë pyetje sesa përgjigje, duke shtuar se me gjasë kostot do të rriten dhe ato do të përcillen tek konsumatorët.

Trump kishte përmendur për herë të parë idenë e tarifës për filmat në maj, por pa dhënë shumë detaje, duke lënë në pasiguri nëse kjo do të ndikojë në importet nga vende të caktuara apo në të gjitha.

Aksionet e Paramount Skydance dhe Warner Bros Discovery ranë përkatësisht me 2.1% dhe 1.3% pas këtij lajmi.

Nga Australia deri në Kanada

Shefat e studiot thonë se janë të hutuar për mënyrën e zbatimit të kësaj tarife, pasi prodhimi i filmave modern shpesh përfshin financim, prodhim, post-prodhim dhe efekte vizuale në shumë vende.

Hollivudi ka përdorur gjithnjë e më shumë qendra prodhimi jashtë vendit, si Kanada, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, ku stimujt fiskalë kanë tërhequr xhirime me buxhet të madh për filma nga blockbusterat superheroikë te serialet streaming.

Bashkëprodhimet me studio të huaja janë bërë më të shpeshta, veçanërisht në Azi dhe Evropë, ku partnerët lokalë sigurojnë financim, akses në tregje dhe rrjete shpërndarjeje.

Ekzekutivët paralajmërojnë se një tarifë e gjerë mund të ndikojë në mijëra punëtorë amerikanë të angazhuar në xhirimet jashtë vendit, nga artistët e efekteve vizuale deri tek ekipet e prodhimit, të cilët shpesh bashkëpunojnë në shumë vende.

Shpenzimet për prodhimin në SHBA kanë rënë me 26% krahasuar me vitin 2022.

 

Kurti nga SHBA: Mërgata shqiptare hisedare historike në arritjet e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vlerësuar lart rolin e mërgatës shqiptare në të gjitha periudhat historike të vendit.

Përmes një postimi, Kurti tha se mërgata ka qenë hisedare në organizim, avokim dhe luftë për çlirim, si dhe në ekonomi, mirëqenie, demokraci e zhvillim në paqe.

“Mërgata jonë në Amerikë është hisedare historike për arritjet e rëndësishme të vendit tonë. I mirëpresim sa herë që vijnë në Kosovë. Na mirëpresin sa herë që shkojmë, kudo që janë”, ka shkruar Kurti.

Ai falënderoi Federatën Pan-Shqiptare “VATRA” dhe Shoqatën “PEJA” për pritjen e ngrohtë që i bënë gjatë vizitës, si dhe për kontributin e vazhdueshëm të tyre për çështjet shqiptare.

Vendosi Kosovën para Zvicrës, Ademi: Albiani zgjodhi me zemër dhe lidhje të fortë me atdheun

Albain Hajdari është futbollisti më i ri që është përzgjedhur në Kombëtaren e Kosovës. Ai ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, edhe pse më parë kishte luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për KosovaPress theksoi se vendimi i Hajdarit buron nga lidhja e tij e thellë me atdheun dhe ndikimi i madh i prindërve të tij.

“Albian Hajdari ka zgjedhur Kosovën me zemër, me besim në shtetin e tij të prejardhjes. Falënderoj prindërit që e kanë rritur me dashuri për vendin, pavarësisht se ai ka lindur dhe jetuar në Zvicër. Zvicra e kupton rëndësinë e lidhjes me prejardhjen dhe identitetin,” tha Ademi.

Ai shtoi se kjo është vetëm një prej përforcimeve të reja për Kombëtaren, duke përmendur edhe futbollistë të tjerë si Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahun, të cilët luajnë në Hoffenheim.

“Uroj që të gjithë të vazhdojnë të kenë sukses në klubet e tyre dhe në Kombëtare,” përfundoi Ademi.

Ky është rasti i dytë në pak javë që një lojtar i lindur apo rritur jashtë Kosovës zgjedh të luajë për ekipin dardan, pas Leon Avdullahit. Megjithatë, Ademi përjashton mundësinë e përplasjeve me Federatën e Futbollit të Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

“Nuk kemi asnjë konflikt me Zvicrën. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira. Ne urojmë suksese ekipit zviceran, ndërsa ata zgjedhin më të mirët e mundshëm, ashtu si ne bëjmë me lojtarët tanë,” theksoi ai.

I pyetur nëse Hajdari do të jetë zëvendësuesi i Amir Rrahmanit në qendër të mbrojtjes, Ademi tha:

“Albain është vetëm 21 vjeç dhe pritet të jetë pjesë e Kombëtares për shumë vite. Ai nuk është thjesht zëvendësues i Rrahmanit, por do të ndërtojmë një duet me të, pasi Rrahmani nuk do të largohet tani.”

Në fund, Ademi theksoi se Federata e Futbollit të Kosovës do të vazhdojë të kërkojë dhe promovojë futbollistë të talentuar që mund të kontribuojnë në përparimin e ekipit kombëtar.

 

Asist e gol për Hoxhën në Kroaci

Arbër Hoxha po kalon një moment fantastik me Dinamo Zagreb. Pas paraqitjes shumë të mirë në Europa League ndaj Fenerbahces, ku skuadra kroate fitoi 3-1 dhe Hoxha ishte protagonist me një asist, futbollisti kuqezi shkëlqeu sërish në kampionat ndaj Slaven Belupo.

Në fitoren 4-1, Hoxha zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të, ndërsa në kohën shtesë në fundin e pjesës së parë dha asistin e golit të dytë për shokun e skuadrës, Kulenovic, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Rikthehet Indrit Tuci. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka gjetur golin e parë në kampionatin turk me skuadrën e re, Kayserispor. Tuci, i aktivizuar nga stoli, ishte vendimtar në fundin e takimit pasi shënoi golin e barazimit ndaj Genclerbirligi.

Medon Berisha dha kontributin e tij me një asist në barazimin 2-2 të Lecce ndaj Bologna. Mesfushori kuqezi, i aktivizuar si titullar, harkoi saktë për Camardan në fundin e takimit, duke i dhënë një pikë të vlefshme Lecces.

Taulant Seferi ishte protagonist me dy asiste në fitoren e thellë të Bodrumspor në transfertë ndaj Manisas me rezultatin 4-0. Seferi asistoi saktë për Dumanlin në të 47-ën dhe në minutën e 51-të shërbeu për Brazaon, duke e çuar rezultatin në 3-0. Bodrumspor udhëheq kampionatin në ligën e parë turke me 17 pikë pas tetë javësh.

Titullarë këtë javë ishin edhe Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Jasir Asani, Rey Manaj dhe Mirlind Daku. Ndërkohë, si zëvendësues dhanë kontributin e tyre Nedim Bajrami, Ernest Muçi, Armando Broja dhe Myrto Uzuni.

Lufthansa shkurton 4,000 vende pune

Kompania mëmë e Swiss International Airlines (SWISS), Lufthansa, po shkurton gjithsej rreth 4,000 vende pune administrative deri në vitin 2030.

Shumica e shkurtimeve do të ndikojnë në vendet e punës në Gjermani, siç njoftoi Grupi të hënën, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas kompanisë, kjo prek kryesisht fushat administrative, ndërsa aktivitetet operative si operacionet e fluturimit nuk duhen përfshirë. Ky veprim justifikohet me rritjen e efikasitetit nëpërmjet dixhitalizimit, automatizimit dhe bashkimit më të madh të proceseve.

Shumica e vendeve të punës të prekura nga shkurtimet e vendeve të punës janë në Gjermani. Lufthansa ka njoftuar se do ta organizojë procesin në konsultim me partnerët socialë. Drejtori Ekzekutiv i Grupit, Carsten Spohr, theksoi se qëllimi ishte që kompania të bëhej e gatshme për të ardhmen dhe më fitimprurëse në planin afatgjatë.

Grupi gjithashtu paraqiti objektiva të reja financiare: Midis viteve 2028 dhe 2030, Lufthansa synon të arrijë një marzh fitimi operativ prej 8-10% në nivelin EBIT, të gjenerojë një kthim mbi kapitalin e punësuar prej 15 deri në 20 përqind dhe të gjenerojë më shumë se 2.5 miliardë euro (2.33 miliardë CHF) në fluks të lirë parash çdo vit. Për ta arritur këtë, Grupi po përqendrohet, ndër të tjera, në bashkëpunimin më të ngushtë midis linjave ajrore të rrjetit Lufthansa, SWISS, Austrian, Brussels Airlines dhe ITA Airways, si dhe në rinovimin më të madh të flotës në historinë e tij me mbi 230 avionë të rinj.

Eurowings, Lufthansa Technik dhe Lufthansa Cargo gjithashtu do të rriten më tej. Eurowings po planifikon të zgjerojë ofertën e saj të kohës së lirë dhe të vendosë avionë të rinj Boeing 737, ndërsa Lufthansa Technik po zgjeron segmentin e saj të biznesit për të përfshirë kontratat e mbrojtjes. Cargo po investon 600 milionë euro në zgjerimin e qendrës së ngarkesave në Frankfurt dhe dëshiron të përfitojë nga kërkesa në tregtinë online.

Megjithatë, së pari, menaxhmenti duhet të merret ende me kërcënimin e një greve të pilotëve. Votimi i sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit përfundon këtë të martë. Ajo u ka bërë thirrje anëtarëve të saj në kompaninë kryesore të Lufthansa dhe degën e ngarkesave Lufthansa Cargo të vendosin për grevën industriale. Pika e mosmarrëveshjes janë pensionet e kompanisë. Lufthansa i kishte refuzuar kërkesat si të papërballueshme.

Publikim shkencor i rëndësishëm nga Dr. Bujana Batusha Sopi

Pas një pune të gjatë e të përkushtuar kërkimore, në prill të këtij viti Dr. Bujana Batusha Sopi ka arritur të botojë një artikull shkencor në një nga platformat më prestigjioze ndërkombëtare të botimeve mjekësore, MDPI, konkretisht në revistën e njohur Journal of Clinical Medicine (JCM).

“Cardiotoxicity Associated with Venlafaxine — Defining Features in a Series of Five Cases and a Call for Proactive Monitoring” dhe trajton një temë me rëndësi të madhe si për praktikën mjekësore, ashtu edhe për kërkimin akademik: rrezikun e toksicitetit kardiak të medikamentit Venlafaxine. Ky punim sjell një thirrje të qartë për monitorim më proaktiv të pacientëve që marrin këtë terapi, duke ofruar argumente dhe raste konkrete.

MDPI është një ndër shtëpitë botuese me rritjen më të shpejtë në botën akademike, e njohur për standardet e larta të rishikimit shkencor. Revista Journal of Clinical Medicine (JCM) ka një Impact Factor prej 3.0 dhe është pjesë e databazave më të njohura si Web of Science, PubMed/MEDLINE, Scopus dhe shumë të tjera.

Ky publikim është një arritje me vlerë të jashtëzakonshme për mjekësinë, por edhe një dëshmi e dijes, profesionalizmit dhe përkushtimit të Dr. Bujana Batusha Sopi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://www.mdpi.com/2077-0383/14/8/2792

Të shkosh apo të qëndrosh? Dilema e banorëve të Brienzit

A duhet ta braktisin Brienz/Brinzauls (GR) përgjithmonë, apo duhet të vazhdojnë të shpresojnë për një kthim në shtëpi? Kjo është pyetja e vështirë që i ka munduar banorët e fshatit të kërcënuar nga rrëshqitjet e dheut për muaj të tërë. Një portret i atyre që morën dy vendime të ndryshme.

22 shtatori 2025, është dita kur Franziska dhe René Bötschi i dorëzuan letrën e tyre duke kërkuar zhvendosje parandaluese grupit të punës të ngritur nga komuna e Albula/Alvra. “Ndihesha pak e trishtuar në mëngjes, por pastaj ishte sikur të dërgoja një kartolinë ditëlindjeje”, thotë Franziska Bötschi, e ulur në tavolinën prej druri në apartamentin e tyre në Tinizong. Ajo dhe burri i saj, të dy pensionistë, kanë jetuar me qira këtu që nga mesi i majit. Ishte në këtë tavolinë që çifti mori vendimin. “Folëm për këtë për një kohë të gjatë. Ende ndihem pak e rëndë, por tani ka mbaruar.” U desh pak kohë që vendimi për t’u larguar nga fshati ku lindi dhe u rrit të formohej, pranon 72-vjeçarja. “Mendimi im i parë ishte: Nuk do të largohemi, sepse shtëpia nuk është dëmtuar.” Ajo dhe burri i saj e ndërtuan atë në vitin 1994. Në atë kohë, çifti ishte ende në Kloten. Vizioni i tyre ishte të jetonin pensionin e tyre në paqe në shtëpinë më afër “Rutsch”, shpatit që kërcënon fshatin. “Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kështu që vendosëm ta braktisnim shtëpinë.”

Sot, rrëshqitja e dheut vazhdon të lëvizë poshtë rrjedhës së ujit, por më pak se më parë. Sipas buletinit të fundit nga Komuna e Albula/Alvra, fshati tani po rrëshqet me një shpejtësi prej 40 deri në 60 centimetra në vit. Në nëntor të vitit të kaluar, kur tetëdhjetë banorët u evakuuan për herë të dytë, fshati po lëvizte 2.3 metra në vit. Ky ngadalësim i konsiderueshëm është për shkak të tunelit të kullimit, i cili largon ujin nga nëntoka. Shpimi filloi pothuajse një vit më parë dhe aktualisht është përfunduar në 45%, transmeton albinfo.ch.

“Që nga fillimi i punës, na ishte e qartë se nëse do të arrinte efektin e dëshiruar, do të përfaqësonte shpëtimin e Brienz/Brinzauls”, thotë Georgin Bonifazi. Fermeri i pa rezultatet e tunelit me sytë e tij. Gropat dhe gropat në kullotat që ai kultivon dhe nëpër të cilat kalon rregullisht nuk janë përkeqësuar. “Suksesi i tunelit të kullimit tani është i dukshëm. Për këtë arsye, sipas mendimit tim, 30 shtatori është koha e gabuar për të vendosur përfundimisht nëse do ta braktisim fshatin tonë”, thotë fermeri. Prandaj, ai, gruaja e tij dhe katër fëmijët kanë vendosur të mos e paraqesin kërkesën për zhvendosje parandaluese. Megjithatë, deri para disa muajsh, mendimet e tyre ishin të ndryshme. “Deri në verë, ne e menduam seriozisht zhvendosjen. Por kërkimi për një vendndodhje të re për kompaninë tonë ishte shumë stresues dhe i pafrytshëm. Në rastin tonë, nuk bëhet fjalë vetëm për gjetjen e një shtëpie të re, por për sigurimin e themelit tonë për ekzistencë”, vazhdon Bonifazi. Që kur autoritetet publikuan të dhënat e fundit mbi lëvizjet e vendit, familja ndaloi së kërkuari mundësi të reja. Dhe ata u ndjenë të lehtësuar.

Edhe pse Franziksa Bötschi dhe Georgin Bonifazi kanë vendosur të ndjekin rrugë të ndryshme, ata bien dakord për një gjë: të dy janë kundër prishjes së shtëpive. “Nëse do të kishim vendosur të qëndronim dhe të gjitha shtëpitë e fqinjëve do të prisheshin, do të mbeteshim pa shtëpi. A është kjo një jetë e mirë?” pyet Franziska Bötschi. Ditën që ata vendosin të prishin shtëpinë e saj, ajo tashmë ka vendosur të largohet, të jetë larg. Edhe në mendimet e saj. “Atë që natyra ka kursyer deri më tani, tani po e shkatërrojmë veten. Nuk ka kuptim dhe është plotësisht e pakuptueshme!” thotë Bonifazi, duke tundur kokën. Por ky është parakushti për ata që vendosin të largohen dhe kështu të përfitojnë nga subvencionet e ndara nga Chur dhe Bern për të rindërtuar të ardhmen e tyre. Qendra e fshatit me pamje nga Lugina e Albulas është pjesë e vendeve të mbrojtura me rëndësi rajonale. Një vlerësim nga Shërbimi i Monumenteve Kantonale do të përcaktojë se cilat ndërtesa dhe struktura do të kursehen nga buldozerët.

30 shtatori do të jetë një ditë vendimtare për banorët e Brienz/Brinzauls. Çfarë do të ndodhë më pas? Franziska dhe René Bötschi do të qëndrojnë në apartamentin e tyre në Tinizong për momentin. “Nuk duam të ndërtojmë shtëpi. Jam e lumtur këtu, njerëzit janë miqësorë dhe nëse dua të takoj dikë nga Brienz/Brinzauls, thjesht do t’i telefonoj.” Megjithatë, largimi i tij nuk do të jetë i përhershëm. Motrat e tij donin ta mbanin shtëpinë familjare në fshat. Bötschi shpreson të kthehet. Për ata që do të mbeten, pyetjet mbeten. “Nuk e dimë ende se sa do të zgjasë evakuimi. Nëse nuk mund të kthehemi dimrin e ardhshëm, do të na duhet t’i zhvendosim kafshët dhe ushqimin përsëri në Landquart, ku aktualisht jetojmë në një apartament me qira. Është ende e paqartë nëse do të marrim mbështetje për të përballuar këtë barrë të madhe shtesë financiare”, vazhdon fermeri. E ardhmja e biznesit familjar është e mbushur me pasiguri të madhe. Por shpresa për t’u kthyer në shtëpi mbetet e paprekur. “Nuk do të gjejmë kurrë një vend më të mirë se Brienz/Brinzauls.”

Barcelona fiton me 2:1 ndaj Real Sociedadit dhe bëhet lidere e La Ligës

Barcelona ka arritur një fitore të ngushtë 2:1 përballë Real Sociedadit, të dielën, duke u ngjitur në krye të tabelës së La Ligës.

Sociedadi kaloi i pari në avantazh në minutën e 31-të, me golin e Alvaro Odriozolas. Por Barcelona reagoi shpejt: Jules Kounde barazoi shifrat në minutën e 43-të.

Golashënuesi që i sigurtoi fitoren Barçës ishte Robert Lewandowski. Polaku shënoi në minutën e 59-të, me asistimin e Lamine Yamal, i cili rikthehej pas katër ndeshjesh mungese për shkak të një lëndimi.

Me këtë fitore, Barcelona kryeson La Ligën me 19 pikë, një më shumë se Real Madridi, ndërsa Real Sociedad mbetet me pesë pikë.

Aeroportet zvicerane, jo të gjitha të pajisura për të zbuluar dronë

Vetëm disa aeroporte dhe aerodrome zvicerane janë të pajisura me një sistem zbulimi kundër dronëve.

Kështu, për shembull, Bern-Belp, pavarësisht se mirëpret rregullisht avionë nga Këshilli Federal dhe krerët e shteteve të huaja, nuk ka asnjë lloj pajisjeje, ndryshe nga Zurich-Kloten dhe St. Gallen-Altenrhein, pionierë në këtë fushë, shkruajnë të dielën, Sonntagszeitung dhe Le Matin Dimanche.

Gjeneva dhe Bazel-Mulhouse mbeten të paqarta në lidhje me pajisjet që kanë në dispozicion, përcjell albinfo.ch.

Ushtria zvicerane, e përballur me fluturime të dyshimta mbi baza si Meiringen, po teston pajisje bllokimi, por këto ndërhyjnë edhe në komunikimet civile.

Një raport i Këshillit Federal gjen mangësi serioze: Zvicra thuhet se është e paaftë të interceptojë dronë armiqësorë. Departamenti i Mbrojtjes planifikon të investojë 100 milionë franga deri në vitin 2033, por ekspertët besojnë se mbrojtja është ende e pamjaftueshme.