Osmani: Familja Jashari është themeli i ngritjes së lirisë

Në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se familja Jashari e Prekazit është themeli i ngritjes së lirisë, përcjell slbinfo.ch.

Osmani ka thënë të mërkurën se sot kujtohet me krenari komandanti Adem Jashari dhe familja e tij heroike.

“Familja Jashari ishte shembulli më i mirë si duhet vendi e si duhet liria. Hamzë e Adem Jashari qëndruan të palëkundur në luftë, duke dëshmuar se s’ka sakrificë më të madhe se flijimi për atdheun e lirinë. Nga 5 marsi ndodhi ndër betejat më heroike të kombit shqiptar”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo ka shtuar para të pranishmëve se Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por edhe një kështjellë e lirisë “dhe fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë”.

Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se rreshtimi i kuadrateve ka traditën nga 6 marsi i vitit 1999.

“Që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmorëve dhe martireve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovë, sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shok filluan të flasin e të punojnë për në ushtri të Kosovës dhe deri sot kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, me ta pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, ka deklaruar Kurti.

Prokuroria urdhëron rinumërimin e votave në këtë komunë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rinumërohen të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.

Ky vendim i Prokurorisë vjen pasi kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi ka akuzuar se ka pasur keqpërdorimin e votave në disa qendra.

Sipas vendimit të Prokurorisë, e që është siguruar nga Telegrafi, thuhet se ekziston dyshimi se ka pasur manipulim të vota për ta ndihmuar kandidatin tjetër të LDK-së, Xhafer Tahiri.

Mes tjerash, Krasniqi ka deklaruar se edhe komisionerët kanë qenë familjarët të Xhafer Tahirit.

“Të bëhet rinumërimi i votave që kanë rezultuar nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë, si dhe rinumërimi për kandidatët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të organizuara më 9 shkurt”, thuhet në vendimin e prokurorisë..

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Kurti: Epopeja e UÇK-së, ritmi i lirisë dhe historisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Epopeja e UÇK-së është një prej ngjarjeve më të lavdishme, derisa po shënohet 27 vjetori i saj, përcjell albinfo.ch.

“Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur si Epopeja e UÇK-së. Ngjarja që përmblidhet nën fjalën epope, krejt sikurse emri që i është vënë na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore të më shumë se një çerek shekulli. Emrat Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë, gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrdhënies mes gruas së popullit autokton dhe mëkimit të ndjenjës së atdhedashurisë. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë”, ka deklaruar Kurti gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë së Kosovës.

Kurti theksoi se në atë lëndinë të Prekazit emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta janë emrat absolut të lirisë.

“E në atë datë kur lindi edhe Ademi i madh në datën më historike të shqiptarëve 28 nëntorin, shpallet publikisht edhe UÇK-ja. Na takon neve si popull e shoqëri, në qeverisje e zhvillim ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë”, tha Kurti.

Kryeministri nuk citoi edhe disa nga fjalët e Rifat Jasharit, për të cilat tha se janë rikujtim i ritmit të lirisë së plotë.

“Çfarë themi kur themi se Epopeja na ka përcaktuar një ritëm, ç’është ky ritëm e gjejmë në fjalët e bacës Rifatë në 25 vjetorin e Epopesë ku tha “mbi luftën e gjakun të gjejmë një gjuhë të përbashkët”. Në Kuvend e artikuloi edhe më tej “të jemi të një gjuhe për tu ndarë njëherë e mirë prej Serbie, e pastaj kemi kohë për tu marrë me të gjitha të tjerat”. Baca Rifat na kujtoi edhe njëherë ritmin e lirisë së plotë”, tha Kurti.

Ai shtoi se në mandatin e tij qeverisës, përcaktimin më të lartë e kanë pasur në zhvillimin e kësaj linje në mbajtjen e këtij ritmi.

“Shtet si sovranitet, për liri të popullit në territor me integritet. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë, liri nga pushtuesi serb dhe vetëm një horizont, bashkimin tonë. Që nga ajo ditë çdo politikë e jona është në parim e përcaktuar. Emri Epope për një ngjarje të tillë nuk është vetëm për ato tri ditë por për tërë kohën liridashëse e shtetformuese”, tha Kurti.

Kurti e cilësoi Prekazin si një monument i vullnetit për liri duke theksuar se ai përbënë një nga realizimet tona më të rëndësishme.

“Ky monument prezanton gurthemelin e çlirimit të vendit tonë dhe shembullin botëror të flijimit për liri. Çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj, është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë tonë, i cili sjell më pak liri, pa sjell robëri. Sovraniteti është një emancipim, çdo lëshim në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se zotimi i tyre si qeveri mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Organizimi më i madh i krimit e ka burimin në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti dhe sovranitetin e tij. Sot jam krenar që, si kryeministër, të deklaroj se jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje kemi ecur me ritmin e saj”, tha Kurti.

Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së

Mësohet se në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë mësimore i është kushtuar Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, përcjell albinfo.ch.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, në orën e parë mësimore u zhvilluan aktivitete të ndryshme për nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtoresha e kësaj shkolle Merita Haxhiu Hasani tha se kjo shkollë ka filluar që nga sot me aktivitete të ndryshme dhe se këto aktivitete sipas saj do të vazhdojnë deri më 7 mars.

“Për nderë të Epopesë së UÇK-së, sikurse të gjitha institucionet edukative arsimore edhe shkolla jonë fillon me aktivitete të ndryshme që nga data e sotshme më 5 mars, pastaj vazhdon më 6 dhe 7 mars deri te përfundimi i natës së zjarreve. Nxënësit tonë janë të inkurajuar nga mësimdhënësit që të zhvillojnë aktivitete të ndryshme qoftë artistike, qoftë sportive, qoftë me ese të ndryshme, qoftë me dokumentar, qoftë me prezantime”, tha ajo.

Pajtim Hodolli mësimdhënës i Edukatës Qytetare në këtë shkollë tha se ora e parë po i kushtohet lavdisë së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare së Kosovës me aktivitete të ndryshme.

“Sot si në të gjithë Kosovën edhe shkolla jonë orën e parë po ja kushton mësimit të rreth lavidisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të datës 5, 6 dhe 7 mars, ku nxënësit së bashku me mësimdhënësit kanë bërë aktivitete të ndryshme, në mënyrë që ta përkujtojnë këtë datë historike për mbarë vendin”, tha ai.

Sot në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë e mësimit i është kushtuar Epopesë së lavdishme të UÇK-së ku janë zhvilluar diskutime dhe aktivitete të ndryshme për të shënuar një nga momentet më të rëndësishme të luftës për liri.

231 674 mërgimtarë kanë të drejt vote në Zgjedhjet e Shqipërisë

Procesi i regjistrimit të emigrantëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përfundoi me hyrjen e datës 5 mars.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i kërkesave të aprovuara është 231 674. Por, ky nuk është numri final pasi janë edhe 20 465 kërkesa të tjera të pashqyrtuara nga KQZ, ç`ka praktikisht mund ta çojë numrin e votuesve nga jashtë në rreth 250 mijë.

Shtetet me më shumë shqiptarë janë Italia me rreth 86 400 zgjedhës, ndjekur nga Greqia me 62 470. Në vend të tretë sa i përket aplikimeve është Gjermania me rreth 24 400, më pas SHBA me 20 000 dhe Mbretëria e Bashkuar me 16 470.

Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, votat e diasporës do të përllogariten në zonat zgjedhore, ku figurojnë të regjistruar dhe qarku me numrin më të madh të kërkesave të aprovuara e ka Tirana me rreth 49 mijë, ndjekur nga Fieri me rreth 30 mijë e Durrësi me rreth 23 760. Qarku me numrin më të ulët e ka Kukësi me 3 750 votues të regjistruar.

Sipas afateve të Kodit Zgjedhor, KQZ brenda datës 9 mars duhet të publikojë listën finale të zgjedhësve, dhe në datën 12 dorëzohen kandidatët për deputetë.

Bërnabiq: Është tërhequr nga agjenda kërkesa e Kosovës për status special në Këshill të Evropës

Është tërhequr nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës, ka thënë të mërkurën kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, përcjell albinfo.ch.

Kërkesa e Kosovës ishte paraparë në agjendën e takimit të së mërkurës (5 mars), por u tërhoq në nisje të seancës.

Në Serbi e kanë cilësuar “lajm të jashtëzakonshëm”. Kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ka thënë se tërheqja e kërkesës së Kosovës për këtë status “është fitore e rëndësishme”.

Mysafiri special ka kompetenca të kufizuara, sipas rregullores së Asamblesë Parlamentare. Mysafiri special mund të ulet në Asamblenë Parlamentare, por nuk ka të drejtë vote. Kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.

Kosova i ishte afruar anëtarësimit në Këshill të Evropës vitin e shkuar, por aplikacioni u bllokua pas kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

KOHA është duke provuar të kontaktojë me delegacionin e Kosovës që janë aktualisht në Paris. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Numërohen rreth 80 për qind e votave me kusht, prin LVV-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është drejt përfundimit të numërimit të votave me kusht nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Sipas përditësimit të fundit në ueb-faqen e KQZ-së të mërkurën në orët e hershme, janë numëruar 78.57 për qind e votave me kusht.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 40.21 për qind, apo 2.634 vota me kusht.

E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 18.11 për qind, apo 1.186 vota, pastaj vijnë Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.54 për qind, apo 887 vota, Lista Serbe me 11.37 për qind, apo 745 vota, si dhe Aleanca për Ardhmeninë e Kosovës dhe Nisma me 6.21 për qind, apo 407 vota.

Numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara nisi këtë të martë, në ditën kur përfundoi numërimi i votave me postë, dhe pritet të përfundojë sot, sipas zyrtarëve të KQZ-së.

Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë më 5 mars.

Me rezultatet e tanishme, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.

27 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars bëhen 27 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kjo është agjenda:

08:00 Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së

10:00 Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës

10:00 Seanca solemne nga Kuvendet e Komunave të Republikës së Kosovës

Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 12:00.

14:00 Turne në Futsall, palestra “Ilaz Kodra” në Skënderaj

14:30 Turne në Volejboll në Skënderaj.

E enjte, 6 mars

10:00 Krerët e shtetit homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

10:00 Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve;

12:00 Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

19:00 Akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së në Prishtinë.

E premte, 7 mars

19:00 Ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Republikës së Kosovës;

19:00 Nata e zjarreve në Prekaz;

19:30 Programi artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Nga 1 prilli, kalimi Kosovë-Maqedoni e Veriut do të bëhet pa ndalesë të dyfishtë

Së fundmi, në një deklaratë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se nga 1 prilli pritet të hyjë në fuqi sistemi i kalimit të kufirit me një ndalesë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, njësoj si mes Kosovës dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Sipas Gashit, përgatitjet teknike janë në fazën finale, ndërsa aspektet politike dhe administrative tashmë janë të rregulluara.

“Në bazë të informacioneve që i kam, mendoj se janë përgatitjet finale. Po testohen pajisjet, softuerët, po flasim për finalizim në aspektin teknik. Në aspektin politik, administrativ, protokollar, gjithçka është në rregull”, tha Gashi.

Ai tha se kjo marrëveshje do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, duke shmangur ndalesat e dyfishta në kufi.

“Për ta pasur më të qartë shikuesit tuaj, por edhe shqiptarët këtu te ne, bëhet fjalë për një kalim të ngjashëm me atë që ka Kosova me Shqipërinë. Nëse niseni nga Shkupi, ndalesa do të bëhet vetëm në Han të Elezit, pa u ndalur në Bllacë. Ndërsa kur vini nga Prishtina në Shkup, ndalesa do të bëhet vetëm në hyrje të Maqedonisë së Veriut. Të dhënat do të ndahen mes dy policive dhe kjo do të përshpejtojë ndjeshëm qarkullimin”, u shpreh Gashi.

Dy shqiptarë në Britani u dënuan me 10 vjet burg për këtë arsye

Pas dhënies së dënimit të dy personave me origjinë shqiptare policia britanike ka publikuar kamerat CCTV të momentit tronditës kur ata nisën një sulm ‘të egër’ ndaj një burri në një lokal, sulm i cili e la atë me plagë të rënda në kokë, përcjell albinfo.ch.

Dy personat janë Lulzim Sinimati, 27 vjeç dhe Fatos Kertolli, 36 vjeç, të cilët u dënuan me 10 vjet burg. Ata sulmuan një burrë gjatë një sherri në orën 3 të mëngjesit në Bar 42, në Peterborough, Londër më 20 korrik të vitit të kaluar.

Dyshja pretenduan se po vepronin në vetëmbrojtje kur kryen sulmin, por të dy u gjetën fajtorë për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore (GBH) dhe grindjeve në dhjetor. Një juri dëgjoi se viktima u dërgua me urgjencë në spital me gjakderdhje në tru dhe fraktura në shpinë dhe fytyrë, ndërsa një burrë i dytë mbeti gjithashtu me lëndime të lehta në fytyrë.

Në Gjykatën e Kurorës së Cambridgeshire, Kertolli u burgos për pesë vjet e gjysmë, ndërsa Sinimati, i parë duke buzëqeshur në fotografinë e tij të policisë, u dënua me katër vjet e gjysmë.

Pas dënimit, Policia e Cambridgeshire lëshoi CCTV të momentit kur u krye sulmi i furishëm.

Pamjet tregojnë Sinimatin, i veshur me një bluzë të zezë dhe xhinse, me një grup në zonën e jashtme të lokalit përpara se ai befas të lëkundet për viktimën që ndodhet brenda.

Ndërsa dyshja u përplasën, Sinimati e shtyn më tej brenda lokalit dhe e godet me grusht rreth fytyrës dhe në pjesën e pasme të kokës, ndërsa i bërtet.

Atletja shqiptare humb jetën në Irlandë, përplaset nga makina teksa vraponte

Quhet Anila Muçaj, iahte atlete shqiptare dhe nënë e dy fëmijëve, e cila humbi jetën tragjikisht në moshën 48-vjeçare pasi u përplas nga një fuoristradë teksa vraponte në urën Blennerville, në Irlandë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një zonë të njohur për vrapim, çiklizëm dhe ecje.

Muçaj po stërvitej me dy miq të saj kur automjeti e goditi fatalisht, përcjell albinfo.ch.

Dy personat që po vraponin me të pësuan lëndime të lehta, ndërsa shoferi i moshuar i makinës u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Anila Muçaj ishte anëtare e klubit të atletikës “Born to Run” me bazë në Tralee dhe një atlete e pasionuar, e cila kishte marrë pjesë në disa maratona gjatë viteve të fundit.

Klubi i saj e kujtoi me dhimbje përmes një mesazhi në rrjetet sociale:


“Sot jemi të shkatërruar nga lajmi tragjik për humbjen e Anilës, mikes sonë të dashur. Lutjet tona shkojnë për bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, si dhe për gjithë familjen e Anilës në këtë moment të vështirë. Ne gjithashtu lutemi për shërimin e plotë të Klerës dhe Klarës, të cilat vraponin me Anilën në momentin e aksidentit.”

Kryetari i Bashkisë së Tralee, Mikey Sheehy, e cilësoi këtë ngjarje si një tronditje të madhe për qytetin. “Një mëngjes i bukur i së dielës u kthye në një tragjedi. Vdekja e Anilës ka prekur thellë komunitetin tonë,” tha ai gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal të Tralee.

Banorët e zonës e kujtojnë Muçajn si një grua të sjellshme, të kujdesshme dhe gjithmonë të gatshme për të ndihmuar të tjerët.

Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e aksidentit.

Nën drejtimin e zviceranit, ‘Filharmonia e Kosovës’ ka dëshmuar profesionalizëm

Filharmonia e Kosovës ka vulosur edhe një herë profesionalizmin me një tjetër koncert të suksesshëm ku kushtet janë shndërruar në refren.

Nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier, Orkestra ka sjellë kultura të vendeve të ndryshme që gërshetohen bashkë me atë vendore, përcjell albinfo.ch.

Sopranoja Besa Llugiqi ka zbërthyer vargjet e këngës lirike, ndërsa saksofonisti Vitaly Vitulya tingujt e muzikës bashkëkohore.

Kulturat muzikore të vendeve të ndryshme janë bërë bashkë një në këtë koncert. 

Ritmet e pasura me përplot harmoni si dhe shkëmbimi i temave midis harkorëve dhe frymorëve janë të dallueshme në këtë vepër. Të njëjtat tema përsëriten shumë herë. Ka motive të muzikës tradicionale shqiptare. 

“AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër e Valton Beqirit ka qenë tjetër vepër e zbulimit të ritmeve shqiptare e të kësaj ane. Kur Orkestra hap një temë të zymtë të harkorëve, aty përfshihet edhe saksofoni. Loja e perkusioneve sikur ilustron imazhet e ngjarjeve dramatike në Ballkanin e trazuar.

Saksofoni solo me ksilofonin përcjellin temat e njëri-tjetrit në disa partitura. Vepra merr ngjyra xhazi në dialog midis kontrabasit e saksofonit.

Solisti i kësaj vepre, Vitaly Vitulya, ka konsideruar se kjo vepër është investim për literaturën e muzikës klasike të vendit. 

“Shkoi suksesshëm dhe është nder e kënaqësi e madhe të luaj për këtë publik entuziast. Veçmas vepra e kompozitorit vendor, i cili e shkroi këtë vepër për saksofon dhe orkestër. Ai përdor ritme e motive tradicionale ballkanike e shqiptare. Mendoj se është investim i madh për të ardhmen e muzikës klasike të Kosovës”, është shprehur saksofonisti, i cili në skenën e muzikës klasike vendore interpreton për të pestën herë, përfshirë një koncert të mëparshëm me Filharmoninë e Kosovës. 

“Nuk është hera e parë që interpretoj me këtë orkestër dhe tani që jam sërish këtu mund të vërej se niveli është rritur në mënyrë enorme. Kjo sepse ata kanë pasur mundësinë të punojnë me dirigjentë të ndryshëm nga e gjithë bota dhe mund të ndihet ky imput i këtyre ftesave të dirigjentëve”, është shprehur saksofonisti me famë ndërkombëtare. 

Ai është fitues i më shumë se njëzet konkurseve dhe performon si solist dhe si pjesëtar i ansambleve në Evropë dhe jashtë saj. Vatulya bashkëpunon me orkestrat më të njohura dhe si muzikant i muzikës kamerale, së bashku me pianisten Maria Nemtsova, ka themeluar “VitaDuo”. Ka mbajtur masterklase në më shumë se njëzet vende të botës, duke përfshirë Akademinë e Muzikës në Zagreb, Konservatorin Shtetëror të Jerevanit, Akademinë e Muzikës të Universitetit të Lubjanës dhe institucione të tjera. 

Që nga viti 2007, Vatulya ka publikuar tre CD me vepra nga Hindemith, Debussy, Franck, Mendelssohn. Ai është një ndër iniciatorët e projektit ndërkombëtar bamirës “Muzika për paqe”, i cili ka për qëllim organizimin e koncerteve dhe masterklasave në zonat pas konfliktit, duke sjellë një dimension të ri në jetën e njerëzve.

Dirigjenti francez Antoine Marguier, i cili e ka drejtuar koncertin, ka thënë se me veprat e kompozitorëve nga Kosova po zbulon muzikë komplet të re për të.

Projekti zviceran – Si po ndikon digjitalizimi në ekonominë e Shqipërisë?

Projekti zviceran “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” studioi tre sektorë kyç: TIK, energji dhe turizëm dhe paraqiti gjetje dhe rekomandime, projekt ky shumë me rendësi për shtetin e Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Shumica e kompanive kanë një infrastrukturë digjitale, por nuk përdorin teknologji të avancuara.

Ata janë të hapur për të përdorur tendencat e reja, si AI, por nuk përdorin modele biznesi digjitale.

Në turizëm dhe energji, vendimmarrësit kanë nevojë për më shumë njohuri digjitale.

Këto dhe rekomandime të tjera po ndahen me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe institucione të tjera përkatëse, për të vazhduar me hapat e mëtejshëm në procesin e digjitalizimit – një kërkesë e BE-së.

Kosova promovon turizmin në “ITB Berlin 2025”

Nga data 4 deri më 6 mars 2025, Kosova po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin”, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij panairi, shtatë kompani kosovare të sektorit të turizmit po prezantojnë para një audience globale ofertat e tyre të veçanta dhe mundësitë e jashtëzakonshme që Kosova ofron në fushën e turizmit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka siguruar një hapësirë ekspozuese prej 69 m2 për këto shtatë kompani.

Kompanitë kosovare që po marrin pjesë në panair janë: Superxplorers, Balkan Destination, Swiss Diamond Hotel, Butterfly Outdoor Adventure, OutdoorKosova, Balkan Natural Adventure, Kosovo Holidays.

Ofertat që po prezantohen përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh, si: ecje, aktivitete në natyrë, vizita në vende me trashëgimi kulturore dhe historike dhe shumë mundësi të tjera për aventurë.

Shtandi i Kosovës po tërheq vizitorë nga e gjithë bota, përfshirë agjenci turistike dhe operatorë të industrisë, të cilët po shprehin interes për potencialet që ofron vendi ynë.

Shtandin e Kosovës e ka vizituar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani z. Faruk Ajeti , si dhe ambasadori i  Maqedonisë së Veriut në Gjermani z. Ylber Sela.

Ky aktivitet ndërkombëtar është një mundësi për zhvillimin e industrisë së turizmit dhe ofron një platformë për rrjetëzimin, shkëmbimin e ideve dhe prezantimin e destinacioneve të reja turistike.

Pjesëmarrja e Kosovës në “ITB Berlin” është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar bukuritë natyrore dhe pasuritë kulturore të vendit.

Vizitorët mund të vizitojnë stendën e Kosovës në Sallën 3.1, Nr. 104 dhe të zbulojnë më shumë rreth mundësive që Kosova ofron.

Deri në 35 % e njerëzve kanë problem me obezitet në Maqedoni

Nga 30 deri në 35 për qind e njerëzve në Maqedoninë Veriore kanë problem me obezitetin, ndërsa në botë kjo shifër arrin në një miliard.

Sipas projeksioneve, brenda dhjetë viteve do të rritet me 50 për qind, dhe kjo jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim.

Nuk është problem vetëm i popullatës që ka kushte më të mira jetese, por edhe i vendeve që janë në zhvillim, theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, me rastin e Ditës Botërore të Obezitetit, shkruan TV21, transmeton albinfo.ch.

“Ne si Ministri e Shëndetësisë, së bashku me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, dëshirojmë të mburremi se këtë vit tashmë kemi terapi me insulinë dhe gjithçka që u nevojitet personave me diabet, tashmë është siguruar dhe jemi në proces të sigurimit të rreth 10-20 për qind më shumë. Trajtim do të ketë edhe për pacientët me diabet dhe obezitet, të cilët trajtohen me terapi specifike. Këtë vit, ky numër do të rritet me 200 pacientë të tjerë, që është një numër relativisht i madh”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

“Ideja është që kur ka indikacione të forta mjekësore, jo estetike, këtu indikacione të forta mjekësore, kur pesha nuk mund të kontrollohet në asnjë mënyrë tjetër, t’i qasemi kësaj metode ndërhyrjeje. Këtu duhet të pranojmë se obezitetin nuk e shohim më si problem estetik, por si problem shëndetësor dhe si investim në shëndetin e individëve, sepse disa gjëra si diabeti nuk mund të zgjidhen pa rregullimin e peshës”, shtoi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Jo ndalimit të zonave 30 km/orë në brendësi të qytetit”

“Është pikërisht përgjatë rrugëve kryesore në brendësi të qytetit që banorët shpesh vuajnë nga zhurma e madhe e trafikut. Më shumë se një milion njerëz janë të prekur nga zhurma e dëmshme dhe shpesh vuajnë nga probleme të rëndësishme shëndetësore. Kufijtë e shpejtësisë janë një mjet efektiv për të luftuar zhurmën. Ato gjithashtu përmirësojnë sigurinë. Këto kufizime të shpejtësisë janë vënë në dyshim kohët e fundit. Ne nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë këtë situatë.

“Kështu u shpreh Stéphanie Penher, drejtore e Shoqatës për Trafikun dhe Mjedisin (Ata), nis peticionin “Jo ndalimit të zonave 30 km/orë në brendësi të qytetit”, i cili i bën thirrje “Këshillit Federal dhe Parlamentit t’i përmbahen modelit të suksesshëm të kufirit të 30 km/orë dhe t’u japin autoriteteve lokale lirinë e nevojshme të vendimit”.

Për këtë çështje, vazhdon eksperti, “janë komunat dhe kantonet që e dinë më së miri situatën në terren”. Për këtë arsye, “ata duhet të lejohen të vendosin për kufirin e duhur të shpejtësisë brenda lokaliteteve të tyre”.

Fakti që në të kaluarën “vendimet e tyre janë marrë gjithmonë në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar” konfirmohet nga ekspertët e lëvizshmërisë dhe është mbështetur edhe nga vendime të ndryshme të Gjykatës Federale. “Për këtë çështje, një imponim federal nuk është as i nevojshëm dhe as i arsyeshëm”, përfundon Penher.

 

 

Nga Prishtina në SHBA: Hellocare.ai pushton shëndetësinë amerikane!

Sot hellocare.ai ka shkëlqyr në Amerikë, moment që si shqiptar, nuk ka se si të mos të bëj krenar!

AdventHealth, një nga sistemet shëndetësore më të njohura në SHBA, që shërben në 8 shtete me 52 spitale dhe mbi 13,000 shtretër, ka besuar tek hellocare.ai për të sjellë teknologjinë tonë në çdo dhomë të sistemit të tyre. Sa për kuriozitet, e gjithë Kosova ka rreth 3800 shtretër.

Kështu ka njoftuar në Facebook, Valdrin Lluka, Menaxher i Rritjes në hellocare.ai.

https://hellocare.ai/?fbclid=IwY2xjawI0UzFleHRuA2FlbQIxMAABHSMqI3Vmq_Ke-jKOUr-Ab3z_zdvjgR7PP5WvzZVe14WZHfZA5TGn1_RYHQ_aem_7GtZdSjtmTcW6K5eCSvEFg

Pra, teknologjinë e punuar me dashuri nga 250 veta në Prishtinë, me e implementu ne sistemin shëndetësor ku trajtohen 3.4 milionë pacientë çdo vit. Fjala besueshmëri nuk shihet ndryshe.

Një ditë e jashtëzakonshme dhe një vit edhe më i jashtëzakonshëm përpara për hellocare.ai!

Një falënderim i madh për gjithë ekipin e hellocare.ai për punën e palodhur dhe përkushtimin që e bëri këtë të mundur, e sidomos për të pandalshmin Labinot Bytyqi”, shkruan Lluka.

Kjo kompani është krijuar në Prishtinë dhe po ka sukses të madh në shumë vende.

https://www.beckershospitalreview.com/telehealth/hellocare-ai-to-implement-virtual-care-solution-at-adventhealth-to-enhance-patient-experience-and-operational-efficiency.html?fbclid=IwY2xjawI0Uz9leHRuA2FlbQIxMAABHbJ-uYFXT55DLsUmoc7s38EjUrE3rEHRlK78MJi7qkKqjSNUWZHQ_N38Bw_aem_Ti4QvJFkKuYBp-rw3CXLow

34,000 nënshkrime për t’i kërkuar Zvicrës të largohet nga OBSH

Më shumë se 34,000 njerëz kanë nënshkruar peticionin e Bashkimit Federal Demokratik (UDF), i cili i bën thirrje Zvicrës të tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Këshilltari Kombëtar Andreas Gafner (UDF/BE) synon të paraqesë një ndërhyrje parlamentare për këtë qëllim në Asamblenë Kombëtare gjatë sesionit aktual të Dhomave Federale.

Politika e OBSH-së po shkon shumë larg: gjithnjë e më pak ka të bëjë me shëndetin e njerëzve dhe “gjithnjë e më shumë për pushtetin dhe kontrollin e ushtruar nga një grup i vogël zyrtarësh”, thuhet në peticion, transmeton albinfo.ch.

Autorët e kësaj të fundit janë veçanërisht të shqetësuar për paktin global kundër pandemive, i mbrojtur nga OBSH. Numri i madh i nënshkrimeve i jep peshë kërkesës, thekson UDF. Duhet theksuar se në Zvicrën gjermanishtfolëse janë mbledhur gati 30 mijë nënshkrime.

Ka ndihmuar nxënësit të “kopjojnë”: I hiqet leja e punës instruktorit të autoshkollës

Autoritetet në kantonin e Thurgaut me të drejtë i kanë tërhequr patentën një instruktori shoferësh të një autoshkolle. Gjykata Federale e mbështet këtë vendim dhe hedh poshtë ankesën e instruktorit të vozitjes.

Personi në fjalë kishte ndihmuar të paktën një nxënës për të plotësuar testin e teorisë. Me një buton të vendosr në vesh ai kishte mundësinë të fliste me nxënësin në fjalë gjatë provimit dhe të filmonte pyetjet me një kamerë të qepur në rrobat e tij. Për këtë shërbim, nxënësi i kishte paguar mësuesit të tij plot 2500 franga, shkruan srf.ch.

Sipas Gjykatës Federale, marrja e lejes është proporcionale sepse testi i teorisë i shërben sigurisë rrugore. Dhe veç kësaj, personi në fjalë (instruktori)  kishte marrë tashmë dënime penale më parë, sepse jepte mësime drejtimi pa leje.

Nxitje për më shumë banesa në pronësi të shtetit në Gjenevë

Shoqata e qiramarrësve, ASLOCA, ka nisur një iniciativë për rritjen e banesave shtetërore në Gjenevë.

Aktualisht më pak se 12% e stokut të banesave të kantonit është në pronësi publike. Por ligji përcakton një minimum prej 20%, transmeton albinfo.ch.

ASLOCA dëshiron të përmirësojë të drejtën e shtetit të “parimit” – që do të lejonte kantonin, ose një komunë, të hidhet brenda kur një pronë shitet dhe ta sigurojë atë për shtetin.

Shumë parti të krahut të majtë thonë se janë të shqetësuara për disa nga çmimet masive të paguara për pronat kohët e fundit. Ligji i propozuar do të lejonte shtetin të ndërhynte.

Aktivistët kanë katër muaj kohë për të mbledhur 4200 nënshkrime.

Shpërthimi i tuberkulozit në kazermat e ushtrisë zvicerane

Rreth 40 ushtarë janë në izolim në një shkollë aviacioni në Payerne në kantonin Vaud pasi njëri u diagnostikua me tuberkuloz.

Ushtria thotë se beson se pacienti kishte të ngjarë të ishte infektuar përpara se të fillonte shërbimin.

Megjithëse tuberkulozi nuk është shumë ngjitës – ushtria po teston të gjithë rekrutët. Ata do të lirohen nëse testi është negativ, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Rreth 14 miliardë franga për bujqësinë

Ndryshe nga debatet që janë zhvilluar kohëve të fundit, Parlamenti Zviceran nuk dëshiron të bëjë asnjë shkurtim në bujqësi në katër vitet e ardhshme.

Pas Dhomës Nacionale, edhe Dhoma  eKantoneve ka vendosur gjithashtu në favor të rritjes së burimeve financiare për bujqësinë me rreth 360 milionë franga plus, në periudhën midis vitit 2026 dhe 2029.

Kështu, bujqësia zvicerane do të marrë nga buxheti i shtetit rreth 14.2 miliardë franga gjatë katër viteve të ardhshme. Kjo shumë është e njëjtë si në periudhën nga viti 2022 deri në 2025, shkruan srf.ch.

Këshilli Federal donte të ulë kontributet me 1.6 për qind në krahasim me aato aktuale. Sipas tij, bujqësia gjithashtu duhej të bënte kursime për të lehtësuar barrën mbi financat federale.