Zeneli ftohet nga Suedia, Dardanët humbasin edhe një futbollist

Besfort Zeneli është ftuar nga Suedia. Ai kishte luajtur për Kosovën U21.

Besforti është vëllai i vogël i Arbër Zenelit. Arbëri për kohë të gjatë luajti për Kosovën. Por kohët e fundit nuk ftohet.

Zeneli 22-vjeçar është ftuar nga përfaqësuesja e Suedisë për ndeshjet e këtij muaji, përcjell albinfo.ch.

“Ai është një lojtar që e kemi ndjekur për një kohë të gjatë. Ai është paraqitur mirë në ndeshjet e Elfsborg në garat evropiane. Ai vetë ka dashur të luajë për Suedinë dhe është shumë i lumtur për këtë. Ai është një lojtar i guximshëm me topin. Është e qartë se niveli këtu është pak më ndryshe në krahasim me ekipin e klubit, por ne mezi presim ta shohim atë në mjedisin tonë”, ka thënë përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Suedisë.

Më 22 mars, Suedia e luan miqësoren e parë kundër Luksemburgut, derisa tri ditë më vonë ndaj Irlandës së Veriut.

Zeneli luan në pozitën e mesfushorit qendror, ndërsa luan për skuadrën e Elfsborgut.

Milano: Arrestohet 33 vjeçari shqiptar, ishte pjesë e një organizate kriminale

Policia e Shtetit i ka publikuar pamjet nga operacioni i arrestimit të një 33-vjeçari, përcjell albinfo.ch.

K.N, dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal në Milano.

I njëjti thuhet se ka kryer vjedhje në Itali.

Burri nga Laçi ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Vjedhjes”, kryer në rrethana rënduese dhe si pjesë e një organizate kriminale.

“Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Itali, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi”.

“Jemi krenarë me Xhakën që luan për Zvicrën, pse të mërzitemi për Brrutin që luan për Shqipërinë”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se të gjithë futbollistët shqiptarë do ta kenë të hapur derën për të luajtur për Shqipërinë.

Së fundi, kapiteni i Kosovës U21, Etnik Brruti, ka lëvizur në drejtim të Shqipërisë, ndërsa për këtë kishte komente e vlerësime të shumta. Madje edhe fyerje ndaj lojtarit. Derisa në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë zgjedhur heshtjen, presidenti i FSHF-së ka paraqitur qëndrimin e tij.

Duka ka dhënë një intervistë për një podkast, kurse përgjigjet e tij janë paraqitur të mërkurën në sajtin zyrtar të FSHF-së. Ai fillimisht është pyetur për ndikimin e lojtarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në Kombëtaren e Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

“Kanë qenë gjithmonë vlerë e shtuar për ne, të gjithë futbollistët e diasporës. Kanë dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren. Ne kemi hapur dyert e Kombëtares më herët se 2015, por pas 2015 në një numër më të madh. Ka pasur futbollistë me kualitet. Ka ndikuar pozitivisht dhe vijon të ndikojë pozitivisht. Ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë këtë politikë dhe të mbyllim derën për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ka shpesh diskutime, kritika, por ne do ta vazhdojmë këtë lloj politike, me derë të hapur për këdo që dëshiron të luajë dhe pa dyshim që e meriton të luajë”, ka thënë Duka.

Më pas është pyetur konkretisht për rastin e Brrutit, lojtarit të Malishevës.

“Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne”, ka vazhduar Duka të mbrojë qëndrimin e tij dhe duke paralajmëruar njëkohësisht kalimin te Shqipëria edhe të futbollistëve të tjerë cilësorë.

Për marrëdhënien me FFK-në, Duka ka thënë se është vëllazërore.

Në aspektin sportiv, Duka i kupton të gjithë tifozët e Kosovës që reaguan për largimin e Brrutit. E ka përmendur edhe kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën. Ka paralajmëruar se Brruti do të jetë me Kombëtaren A të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Anglisë.

“Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse secili vendos për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”.

Duka ka theksuar se qëllimi i Brrutit është të luajë për Shqipërinë e jo me pasaportë të Shqipërisë të sigurojë transferim në Rusi, siç janë bërë disa interpretime në Kosovë. Presidenti i FSHF-së ka pranuar se Brrutin nuk e ka parë asnjëherë dhe nuk e njeh.

“Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, por pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Evropian U-21 2027. Nëse vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla. Çfarë i ofron Brruti Sylvinhos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht”, ka theksuar Armand Duka.

Nga Kosova U21 si kapiten në të kaluarën në drejtim të Shqipërisë ishte larguar edhe Ardian Ismajli. Kapiten ishte edhe Edvin Kurtulush që iu bashkua Suedisë.

Më pas nisi një valë e re e largimeve. Arbër Hoxha, Mirlind Daku, Arbnor Muja ishin treshja e radhës për të cilët u diskutua shumë në Kosovë. Hoxha dhe Daku kanë shfaqur nivel më të lartë dhe ishin edhe pjesë e Evropianit të vitit të kaluar në Gjermani me Shqipërinë. Përveç tyre nga Kosova janë larguar për arsye të ndryshme edhe Adrion Pajaziti, Medon Berisha e Dion Berisha. Edhe këta janë vlerësuar me potencial për Kosovën A, por vendosën të largoheshin.

Lista e lojtarëve që më herët kanë luajtur te Kosova dhe janë larguar është e gjatë.

Zëvendësshefja e NATO-s nga Prishtina: Përkushtimi ynë për Ballkanin mbetet i fuqishëm

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka riafirmuar përkushtimin e Aleancës për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor gjatë vizitës së saj në Kosovë dhe takimit me stafin e Misionit të KFOR-it, përcjell albinfo.ch.

Ajo theksoi se NATO ka qenë e angazhuar për më shumë se 30 vjet në ruajtjen e sigurisë në rajon dhe se ky angazhim do të vazhdojë të mbetet i fuqishëm.

Në një postim në platformën X, Shekerinska nënvizoi rëndësinë e një Ballkani të sigurt për stabilitetin e përgjithshëm të zonës Euro-Atlantike.

“Ishte kënaqësi të takoja stafin e misionit tonë KFOR. NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon për 30 vjet dhe angazhimi ynë mbetet i palëkundur. Një Ballkan i sigurt do të thotë më shumë siguri për të gjithë zonën Euro-Atlantike”, ka shkruar ajo.

Maqedonci tregon pesë pikat e bashkëpunimit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar ato që i ka quajtur pikat kryesore të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, pasi të mërkurën Qeveria miratoi nismën për lidhje të Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me SHBA-në, përcjell albinfo.ch.

Në konferencë për media, Maqedonci ka thënë se kjo marrëveshje parasheh thellim të bashkëpunimit dhe fuqizim në fushën e mbrojtjes në bashkëpunim me SHBA-në.

“Kjo marrëveshje parasheh pesë pika: Planifikimin dhe qeverisjen e mbrojtjes – pra SHBA-ja do të mbështesë planifikimin profesional të mbrojtjes dhe qeverisjes së mbrojtjes. Menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake – duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore dhe fushat e tjera për të cilat jemi duke tentuar t’i ndërtojmë në fazën e tretë të tranzicionit”, ka thënë Maqedonci.

Tutje, si pikë tjetër u përmend bashkëpunimi me qëllim angazhimin regjional dhe ndërkombëtar.

“Bashkë me SHBA-në do të ndërtojmë plane për anëtarësimin në NATO dhe iniciativat regjionale. Do të na mbështesin në aspektin teknik, procedural”, ka shtuar ai.

Pika e pestë, sipas Maqedoncit, është mbështetja në aspektin e implementimit të elementeve kyç të mbrojtjes, atë të qëndrueshmërisë strategjike.

“Do ndihmojë vendin për qëndrueshmëri kolektive edhe jashtë ushtrisë, te qytetarët”, ka deklaruar ai.

Ministri vlerësoi lart gatishmërinë e SHBA-në për këtë marrëveshje të rëndësishme për vendin tonë.

Maqedonci paralajmëroi gjatë javës së ardhshme një ngjarje të rëndësisë së madhe, një iniciativë regjionale me Shqipërinë – për të cilën ka thënë se është e para në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, sa i përket raketave Javelinë, ai ka thënë se janë duke u ekzekutuar pagesat dhe Kosova do t’i ketë me kohë ato.

“Jemi duke bërë përpjekje që një sasi ta kemi këtë vit. Edhe pse e kemi theksuar se FSK-ja nuk ka mungesë të sistemeve anti-tank”, ka shtuar Maqedonci.

Për fabrikën e municioneve, ai u shpreh se me shumë gjasë ajo do të ndërtohet në pjesën perëndimore të vendit.

Maqedonci ka thënë se NATO-ja dhe KFOR-i vazhdojnë të kenë qëndrim neutral për FSK-në duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, për mandat humanitar të Forcës së Sigurisë në Kosovë.

“Kjo s’na ka penguar të zhvillojmë kapacitetet ushtarake të vendit tonë. Do të vazhdojmë diskutimet me partnerët tanë që edhe NATO-ja si institucion në të ardhmen e afërt të njohë mandatin e ri të FSK-së”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë se NATO-ja dhe KFOR-i vazhdojnë të kenë qëndrim neutral për FSK-në duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, për mandat humanitar të Forcës së Sigurisë në Kosovë.

Sa i përket trupave amerikane në Kosovë, Maqedonci ka thënë se ka ende konfirmim që ushtria amerikane do të jetë prezentë në kuadër të KFOR-it.

“Pos kësaj, jemi të interesuar dhe po vazhdojmë që të diskutojmë pikërisht me SHBA-në për prezencë ushtarake, edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilateral, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Aeroporti i Gjenevës: Dështimi i IT bllokoi shumë fluturime

Një dështim masiv kompjuterik ka bllokuar aeroportin e Gjenevës pasditen e djeshme. Ndërprerja nuk ka ndikuar në kontrollin e trafikut ajror, por ka bllokuar sistemet e kontrollit, informacionin e nisjes dhe mbërritjes, si dhe renditjen e bagazheve.

Gjatë ndërprerjes, nisjet u anuluan dhe vetëm avionët që ishin tashmë në rrugë u lejuan të ulen, transmeton albinfo.ch.

Dështimi ka ndodhur pak para mesditës dhe ka zgjatur deri në orën 15:00. Aeroporti ka theksuar se nuk dyshon për një sulm kibernetik, por fajin e ka një dështim teknik të thjeshtë.

“Aeroporti ka njoftuar se shkaku i saktë i këtij problemi është ende në hetim.”

 

 

Rritet popullsia e Gjenevës

Popullsia e Gjenevës ka njohur një rritje të modeste vitin e kaluar, duke u shtuar me 5,900 njerëz të rinj. Rritja ka ardhur kryesisht nga emigracioni, por një pjesë e konsiderueshme e rritjes mund të lidhet me shkallën e ulët të vdekshmërisë vitin e kaluar, me vetëm 2,952 vdekje, që është më e ulëta që nga viti 1979.

Shumica e të sapoardhurve në kanton erdhën për arsye pune ose studimi, transmeton albinfo.ch.

Në total, në kanton jetojnë 220,000 persona, nga të cilët mbi 40% janë jo zviceranë. Gati 60% janë shtetas të Bashkimit Evropian ose EFTA-s, 13% janë shtetas të tjerë evropianë, 9% nga Amerika – si nga veriu ashtu edhe nga jugu – dhe 9% nga Afrika.

Rriten qiratë në Gjenevë

Një hulumtim nga Televizioni Francez Zviceran po zbulon se sa shumë rriten qiratë në Gjenevë sa herë që një pronë ndryshon pronar – edhe kur nuk është kryer asnjë rinovim.

Në shumë raste, qiraja mund të rritet deri në 50%. Në një rast ekstrem, qiraja është dyfishuar pa asnjë ndërhyrje në pronë, transmeton albinfo.ch.

Ligjet në Gjenevë u japin pronarëve të drejtën të rivendosin qiranë sa herë që një qiramarrës largohet.

Sipas të dhënave nga Zyra Kantonale e Statistikave, në shumicën dërrmuese të rasteve, qiratë rriten me të paktën 20% pas ndërrimit të qiramarrësit.

Martin Pfister zgjidhet në Këshillin Federal

Sot, në orën 09:30, deputetët e të dy dhomave të Parlamentit të Zvicrës votuan për ministrin e ri federal nga Partia e Qendrës (Die Mitte). Në këtë garë, Martin Pfister u zgjodh për të pasuar ministren e dorëhequr, Viola Amherd, përcjell albinfo.ch.

Pfister shijoi fitoren që në raundin e parë të votimit. Banori i Kantonit Zug mori 122 vota, por i mungoi vetëm një votë për t’u zgjedhur menjëherë. Rivali i tij, Markus Ritter, siguroi 105 nga 245 votat e vlefshme, ndërsa 18 vota shkuan për kandidatë të tjerë.

Në raundin e dytë, Pfister arriti të sigurojë zgjedhjen e tij me 134 nga 245 vota të vlefshme, duke kaluar shumicën absolute prej 123 votash. Konkurrenti i tij, Markus Ritter, mori 110 vota.

Me këtë rezultat, Martin Pfister bëhet anëtari më i ri i Këshillit Federal të Zvicrës.

 

Nga nesër, mbyllet zyrtarisht TikTok-u në Shqipëri

Nga data 13 mars 2025, TikTok nuk do të funksionojë në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit në TikTok në Shqipëri.

Nëpërmjet një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP (ofruesve të shërbimeve të internetit), AKEP ka kërkuar që ato të bllokojnë aksesin në TikTok deri më 13 mars.

Bllokimi është parashikuar të zgjasë 12 muaj ose deri në momentin që kompania TikTok do të marrë masa për rritjen e sigurisë dhe vendosjen e filtrave në këtë platformë të rrjeteve sociale.

Në shkresë shkruhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme: Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i DNS-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Vendimi i qeverisë

Në vendimin e qeverisë kërkohet ndërprerja e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë: a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës; b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve; c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm; ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.”, thuhet në vendim.

Vendimi kërkon që Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.

Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.

“Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK. Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqesë konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.”, thuhet në shkresën dërguar të gjitha subjekteve ISP./RTSH

Parlamenti zgjedh sot një këshilltar të ri federal

Ministrja e Mbrojtjes, Viola Amherd, njoftoi në janar se do të tërhiqet zyrtarisht më 31 mars.

Sot, deputetët do të zgjedhin pasardhësin e saj, i cili jo vetëm që do të marrë drejtimin e Departamentit të Mbrojtjes, por edhe do të plotësojë vendin e saj në Këshillin Federal shtatëanëtarësh.

Këshilli Kombëtar, me 200 anëtarë, dhe Këshilli i Shteteve, me 46 anëtarë, zgjedhin së bashku Këshilltarët Federalë. Votimi është i fshehtë dhe zhvillohet në disa raunde, derisa një kandidat të sigurojë shumicën absolute të votave.

Në garë për këtë post janë dy kandidatë – Martin Pfister dhe Markus Ritter.

Të dy vijnë nga e njëjta parti, Qendra, si Amherd, për të ruajtur ekuilibrin politik në Këshillin Federal, një praktikë e ndjekur për më shumë se 60 vjet.

Qeveria e Kosovës miraton nismën për marrëveshjen kornizë të mbrojtjes me SHBA-në

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se kjo marrëveshje synon avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në planifikimin e mbrojtjes, forcimin e qëndrueshmërisë strategjike dhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

Ai shtoi se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është përkushtimi i të dyja palëve në fushën e mbrojtjes.

“Kjo nismë është në përputhje me synimet tona për integrim më të gjerë euroatlantik, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e partneritetit të ngushtë me SHBA-në,” tha Maqedonci.

Kurti thirrje bashkatdhetarëve në Gjermani: Korrigjoni dokumentet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur vendimin që nga sot e tutje kosovarët në Gjermani do të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës dhe jo të Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti falënderoi autoritetet gjermane për këtë ndryshim dhe u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të korrigjojnë dokumentet e shtetësisë.

“Pas më shumë se 17 vitesh, është gjetur një zgjidhje me autoritetet përkatëse gjermane për regjistrimin e shtetasve të Kosovës.

Për një kohë të gjatë, shumë prej jush jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, por kjo padrejtësi tashmë është korrigjuar. Dua të shpreh mirënjohjen për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka punuar me përkushtim për të arritur këtë ndryshim të rëndësishëm,” tha Kurti.

Ai theksoi se falë këtij angazhimi, është miratuar një udhëzim që siguron regjistrimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Ky ndryshim ka hyrë në fuqi dhe zbatohet në të gjitha çështjet administrative në Gjermani.

“Ftoj të gjithë bashkatdhetarët tanë që të verifikojnë dhe të bëjnë korrigjimet e nevojshme në dokumentet e tyre,” përfundoi ai.

Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, me qëllim që të merren në pyetje.

Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiq. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.

Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.

Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.

Zyra e Prokurorit ka dorëzuar urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), raportoi radioja në Republikën Sërpska.

Drejtori i gjykatës policore në Republikën Sërpska, Zhellko Dragojeviq, i tha televizionit të Republikës Sërpska se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhëra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska parashihet të diskutojë më 12 mars draft-kushtetutën e këtij entiteti më 12 mars, që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Këto ligje hyn në fuqi javën e kaluar.

Në një seancë më 12 mars, deputetët në Republikën Sërpska po ashtu pritet të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”.

Këto ligje jokushtetuese janë mriatuar pasi që Dodiku u dënua, në shkallë të parë, nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Më 27 shkurt, Parlamenti në RS miratoi ligjet jokushtetuese dhe më 5 mars ato u dekretuan nga Dodiku.

Ndalimi i funksionimit të institucioneve shtetërore të drejtësisë mbi një pjesë të territorit të Bonjës janë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e këtyre ligjeve.

Dodik ka thënë se ligjet do të zbatohen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Miratimi i këtyre ligjeve është dënuar nga zyrtarë të lartë botërorë, përfshirë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Parlamenti Evropian do të diskutojë kërcënimet për ndarje në Bosnje gjatë seancës plenare të 12 marsit.

Kushtetuta e Bosnjës është neni 4 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. Sipas këtij dokumenti, shteti mund të marrë juridikisionin “në ato çështje për të cilat arrihet një marrëveshje mes entiteteve”.

Praktikisht, të gjitha kompetencat që autoritetet e RS duan të “rikthejnë” në nivelin e entitetit, janë transferuar në nivelin shtetëror përmes votimit në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnjës, përfshirë edhe votat e përfaqësuesve të RS-së.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës, Republika Sërpska dhe Federata e Bosnje e Hercegovinës janë entitete që përbëjnë Bosnjë dhe Hercegovinën dhe nuk kanë statusin e një shteti. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial, sipas Kushtetutës shtetërore, janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnjës dhe jo për entitetet.

Përfundon rinumërimi i 50 vendvotimeve

Ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Procesi u zhvillua në prani të vëzhguesve të akredituar. 

35 prej këtyre vendvotimeve ishin në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa 15 në komunat e tjera.

Sipas njoftimit të KQZ-së, gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, do të nisë rinumërimi i 1.631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë. Këto fletëvotime janë të shpërndara në 177 kuti votimi dhe do të rinumërohen në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

KQZ-ja ka konfirmuar se edhe ky proces do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të akredituar, duke siguruar transparencë dhe respektim të procedurave zgjedhore.

Mbrëmje e madhe boksi në Austri, boksierët shqiptarë të gatshëm për spektakël

Një mbrëmje e madhe e boksit do të zhvillohet të shtunën me 15 mars në Südstadt, shkruan albinfo.at.

Ky event garanton përsëri duele të jashtëzakonshme, me gjithsej 10 ndeshje të nivelit të lartë.

Erion Veseli, Lorent Murati, Mergim Asani dhe Patriot Behrami, do të debutojnë në boksin profesionist këtë mbrëmje dhe do të ngjiten në ring për ndeshje me 4 raunde dhe do të dëshmojnë nëse janë gati për sfida ndërkombëtare.

Ndërkohë, boksit profesionist për femra nuk do t’i mungojë përfaqësimi: Patricia Lager do të zhvillojë ndeshjen e saj të katërt si profesioniste kundër Fani Vilicic nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Të rinjtë premtues Yuris Sakunts, Kushtrim Tahitukaj dhe Ndrichim Emini do të përballen me kundërshtarë nga Sllovakia, Kroacia dhe Uganda në ndeshje me 6 raunde. Një tjetër moment i rëndësishëm i mbrëmjes është Kampionati i Austrisë në peshën e rëndë! Habib Vuqiterna dhe Ramiz Hadziaganovic do të luftojnë në një duel me 10 raunde, ku vetëm njëri do të dalë kampion i ri i Austrisë” ka thenë për albinfo.at, Shpetim Shala, organizator i këtij eventi.

Finalja e madhe e mbrëmjes: Bernardin „BJ“ Jakaj kundër Joel „El Torro“ McIntyre.

Në një përballje me 8 raunde, Jakaj do të ketë përballë ish-kampionin britanik të peshës gjysmë të rëndë. Një sfidë vendimtare për të ardhmen e tij në skenën e madhe të boksit. /Albinfo.at

 

Vjenë: Tedi Papavrami do të mbaj koncert më 30 mars

Violinisti profesionist me famë botërore Tedi Papavrami do të mbaj koncert në kryeqytetin e muzikës së Austrisë, shkruan albinfo.ch.

Tedi Papavrami dhe Maki Okada pritet të dhurojnë spektakel në Vjenë, pikërisht më datë 30 mars, duke filluar nga ora 16:00.

Për më shumë: https://38.agendaculturel.fr/concert/vienne/tedi-papavrami-et-maki-okada.html?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR2j1NGkRN7S0vROe5BWemIYuslHPHip_nYVAs92KeJbdvaji8LlrIS1uno_aem_hzZBuFcj7Xy0rGhNW7hHAQ

80 anëtarët e Filharmonisë së Kosovës do të performojnë sot në Bern

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Zvicër sot në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Koncerti madhështor i Filharmonisë së Kosovës në Bern do të mbahet në sallën e madhe të Kultur Casino Bern, shkruan albinfo.ch.

Thuhet se 80 anëtarët e Filharmonisë do të sjellin emocion sot në Bern.

https://www.facebook.com/share/p/1BewGH6pSr/?mibextid=wwXIfr

 

Pasaporta zvicerane ndër më të fuqishmet për vitin 2025

Në botën gjithnjë në zhvillim të udhëtimeve globale, Indeksi i Pasaportave Henley ka zbuluar edhe një herë renditjen e tij gjithëpërfshirëse të pasaportave më të fuqishme në botë, transmeton albinfo.ch.

Kjo renditje prestigjioze, e përpiluar nga Henley & Partners, mat fuqinë e pasaportave bazuar në numrin e destinacioneve pa viza ose me viza në mbërritje të aksesueshme për mbajtësit e tyre. Përditësimi më i fundit për vitin 2025 ka zbuluar disa ndryshime befasuese, duke përfshirë që të dy vendet janë ngjitur lart dhe të tjerat kanë rënë në mënyrë dramatike.

Henley & Partners është e njohur për punën e saj në emigracionin global dhe Indeksi i tyre i pasaportave Henley konsiderohet si një nga burimet më të besueshme për vlerësimin e fuqisë së pasaportave në mbarë botën. Renditja bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), duke përfshirë 199 pasaporta nga vende dhe territore në mbarë botën.

Lista jo vetëm që zbulon pasaportat më të forta, por gjithashtu thekson ato më pak të fuqishme, duke treguar ndikimin e stabilitetit politik, prosperitetit ekonomik dhe marrëdhënieve diplomatike në lëvizshmërinë globale të një vendi.

Pas ndarjes së renditjes më të lartë me Japoninë për disa vite, Singapori ka rikthyer pozicionin e saj si pasaporta më e fuqishme në botë për vitin 2025. Mbajtësit e pasaportave të Singaporit gëzojnë akses në 195 destinacione mbresëlënëse pa vizë paraprake, duke e vendosur vendin në ballë të lirisë së udhëtimit ndërkombëtar.

1. Singapor (qasje në 195 destinacione)

2. Japoni (193)

3. Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Koreja e Jugut, Spanja (192)

4. Austria, Danimarka, Irlanda, Luksemburgu, Holanda Norvegjia, Suedia (191)

5. Belgjika, Zelanda e Re, Portugalia, Zvicra, MB  (190)

6. Australi, Greqi (189)

8 .7. Kanada, Maltë, Poloni  (188)

9. Çekia, Hungari (187)

10. Estonia, SHBA (186)

11. Letonia, Lituani, Slloveni, Emiratet e Bashkuara Arabe (185)

Në anën tjetër të spektrit, ka vende, pasaportat e të cilave ofrojnë liri minimale të udhëtimit. Afganistani mbetet në fund të Indeksit të Pasaportave Henley, me akses në vetëm 26 destinacione pa vizë, transmeton tutje albinfo.ch. Ky kontrast i fortë thekson pabarazinë në lëvizshmërinë globale, me mbajtësit e pasaportave në Afganistan të paaftë për të udhëtuar lirshëm në shumicën e pjesëve të botës.

1. Afghanistan (26)

2. Siria  (27)

3. Iraku  (31)

4. Yemen , Pakistan  (33)

5. Somalia  (35)

6. Nepal (39)

7. Bangladesh , Libya , Palestinian Territory  (40)

8. North Korea (41)

9. Eritrea (42)

10. Sudan  (43)

Mediat italiane: Pse mijëra pensionistë italianë po zgjedhin Shqipërinë për të jetuar

“Në Shqipëri me pension italian të pataksuar. Aty ku një shtëpi buzë detit kushton 300 euro në muaj dhe mund të dalësh për darkë me 15 euro”. Me këtë titull gazeta e njohur italiane “Corriere del Mezzogiorno” i ka kushtuar vëmendje numrit në rritje të pensionistëve italianë që zgjedhin vendin tonë për të jetuar. Atë që i ka joshur të moshuarit italianë të lënë vendin e tyre e shpjegon Carmine Ianpietro, 75 vjeç, president i shoqatës së pensionistëve italianë në Shqipëri.

Janpietro prej më shumë se 10 vitesh ka vendosur që të stacionohet në Durrës bashkë me bashkëshorten e tij. Pas më shumë se 45 vitesh punë si mekanik në Puglia ai doli në pension, por vuri re se me paratë që merrte nuk mund të bënte një jetë për të qenë.

Kështu, në vitin 2015 ai për herë të parë, mori valixhet dhe kamperin e tij për një rrugëtim që po rezulton pa kthim drejt vendit të origjinës, duke u vendosur në Durrës.

“Këtu në Shqipëri jetohet shumë mirë me pensionin italian”, tregon Karmine, i cili shton se nuk ka ardhur këtu vetëm për pjesën e taksave dhe shpenzimeve, por edhe për qetësinë që ka gjetur dhe peizazhin e mrekullueshëm.

I moshuari italian tregon se ka marrë një shtëpi në buzë të detit për vetëm 300 euro në muaj dhe fton pensionistët e tjerë nga vendi i tij që ta konsiderojnë Shqipërinë si një vend për të kaluar kohë cilësore, ku nënvizon se “një ditë më parë kishte ngrënë darkë me miqtë e tij për vetëm 15 euro, gjë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës”.

“Arsyeja nuk është vetëm ekonomike pasi çeku i dërguar këtu mbetet bruto dhe nuk paguhen taksa, por edhe për shkak se ndihesh i sigurt. Nuk ka krime të vogla dhe në mbrëmje mund të ecësh i qetë pa frikë se mos ju grabitin”.

Iampetro thotë se numri i pensionistëve italianë në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë 3 viteve të fundit. “Para vitit 2021 ishim rreth 300. Sot, sipas të dhënave më të fundit nga regjistri i italianëve me banim jashtë vendit, në bazë të ligjit që u lejon shtetasve europianë që shpërngulen të jetojnë në Shqipëri për përjashtimin total nga taksat e pensioneve, kemi arritur në gati 3 mijë”.

Sipas tij, përjashtimi i pensionistëve nga taksat është arsyeja kryesore pse po vijnë kaq shumë pensionistë në Shqipëri.

“Në praktikë, nëse në Itali 1500 euro bruto bëhen 1150 neto, këtu 1500 euro mbeten të pastra. Dhe nuk vijnë vetëm ata me të ardhura të ulëta. Ka shumë pensionistë të pasur me mbi 50 mijë euro në vit”.

75-vjeçari tregon se edhe Shqipëria është prekur nga rritja e inflacionit, por megjithatë me çmimet në vend, pensionistët italianë mund të përballojnë një jetë më shumë se dinjitoze duke pasur edhe kujdes mjekësor.

 

 

 

 

Gjithçka që duhet të përditësoni kur ndryshoni adresën në Zvicër 

Lëvizja nga një shtëpi në tjetrën është mjaft e ndërlikuar, por në Zvicër ky proces kërkon gjithashtu disa hapa administrativë që mund të mos jenë të zakonshëm diku tjetër.

Sipas një botimi amerikan ‘Psychology Today’, lëvizja është ndër burimet “më të rënda” të stresit që një person mesatar mund të përjetojë gjatë jetës së tij. Dhe kjo është edhe pse lëvizja nga një vend në tjetrin në Shtetet e Bashkuara është mjaft e thjeshtë – njerëzit duhet vetëm të njoftojnë zyrën postare për adresën e tyre të re dhe kanë mbaruar.

Në Zvicër: ka shumë më tepër burokraci të përfshirë në këtë proces këtu. Fatmirësisht, zviceranët janë mirë të organizuar dhe efikas, kështu që në shumicën dërrmuese të rasteve, procesi administrativ shkon pa probleme.

Kë duhet të njoftoni për ndryshimin e adresës?

Ndryshe nga rasti në SHBA, nuk mund të paketoni gjërat tuaja dhe të lëvizni pa njoftuar autoritetet për vendndodhjen tuaj. Përkundrazi, në Zvicër është e detyrueshme. Një nga arsyet për këtë kërkesë është të mund t’ju gjejmë në rast nevoje, por ka edhe arsye të tjera – për shembull, për qëllime statistikore, në mënyrë që pushteti vendor të dijë se sa banorë ka në secilën prej komunave të tyre. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për llogaritjen e të ardhurave nga taksat, infrastrukturën shëndetësore, planet e emergjencës (si numri i vendeve në strehimoret komunale të dëmtimeve) dhe logjistikë të tjera.

Të jesh rebel dhe të mos regjistrohesh në komunën tënde (edhe nëse arrin të jesh i pazbuluar, gjë që është e dyshimtë në një vend të vogël dhe të mirëorganizuar si Zvicra), përfundimisht do të rezultojë mbrapsht.

Pasi ta dini adresën tuaj të re, duhet të ‘çregjistroheni’ nga adresa juaj aktuale, në vend që të largoheni si hajdut natën. Ju duhet të plotësoni një formular online në faqen e internetit të bashkisë tuaj aktuale (ose të shkoni atje personalisht), duke treguar datën e lëvizjes suaj zyrtare dhe adresën e re. Do të merrni një konfirmim për ndryshimin e adresës. Nuk ka rëndësi nëse lëvizni brenda të njëjtit qytet apo diku tjetër, ky është një hap i nevojshëm për këdo që ndryshon shtëpi.

Edhe kur largoheni përgjithmonë nga Zvicra, ju kërkohet të çregjistroheni. Ata që nuk e bëjnë këtë, mund të përballen me ndëshkime nëse kthehen në Zvicër në të ardhmen. Së dyti: Regjistrohuni në komunën e re Natyrisht, ju duhet të komunikoni mbërritjen (dhe adresën) në bashkinë tuaj të re. Kur vendoseni në një shtëpi të re, keni 14 ditë për të njoftuar mbërritjen tuaj në komunën tuaj të re të banimit, megjithëse në disa vende afati mund të jetë më i gjatë.

Në disa kantone, ju mund ta bëni këtë procedurë online, ndërsa në të tjera duhet të vini personalisht në zyrën e regjistrimit të banorëve tuaj lokalë (Einwohnerkontrolle / Contrôle des habitants/ Controllo abitanti). Pavarësisht nëse regjistroheni online ose personalisht, do t’ju nevojiten dokumentet e mëposhtme: Një pasaportë ose kartë identiteti për secilin anëtar të familjes, përveç një fotografie me madhësi pasaporte për të gjithë Dokumentet për statusin tuaj familjar — nëse jeni beqar, i martuar dhe me fëmijë. Leja juaj e punës ose e qëndrimit Kontrata juaj e qirasë ose dëshmia e pronësisë së shtëpisë Rregullat janë të njëjta pavarësisht se nga vini — domethënë nëse jeni zviceran, shtetas i BE-së ose EFTA (Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajni) ose nga një vend i tretë; megjithatë, dokumentacioni mbështetës mund të ndryshojë.

Pasi të regjistroheni dhe të paguani një tarifë — e cila ndryshon nga një kanton në tjetrin dhe varet nga lloji i lejes së punës/qëndrimit që keni — mund të kërkoni një dokument që vërteton qëndrimin (Wohnsitzbescheinigungen/ Attestation de domicile/certificati di residenza), të cilin mund t’ju duhet ta tregoni në disa situata për të vërtetuar adresën tuaj.

Disa kantone mund të kërkojnë dokumente të tjera ose shtesë, të cilat mund t’i gjeni para kohe në faqen e internetit të komunës ose kantonit tuaj. Kush tjetër duhet të dijë adresën tuaj të re? Duhet të njoftoni patjetër zyrën postare. Sapo të dini se kur do të mbërrini në shtëpinë tuaj të re, plotësoni një formular ‘Ndryshimi i adresës’ në faqen e internetit të Swiss Post. Në këtë mënyrë, e gjithë posta juaj do të dërgohet në adresën tuaj të re dhe gjithashtu do të përcillet nga ajo e vjetra.

Ofruesit e shërbimeve

Duhet gjithashtu të njoftoni ofruesit më të rëndësishëm të shërbimeve, si mjekun tuaj, dentistin, terapistë të ndryshëm që shihni rregullisht, si dhe operatorët shëndetësorë, makinën dhe sigurimet e tjera për adresën tuaj të re.

Po në zyrën e taksave? Ju mund ta bëni këtë, por normalisht pasi të regjistroheni në komunën tuaj të vendbanimit, të gjitha autoritetet federale, kantonale dhe komunale, duke përfshirë taksat dhe pensionet, njoftohen automatikisht edhe për adresën tuaj të re.