Fillon puna për Eurovizion në Bazel

Ka nisur puna në St. Jakobshalle në Bazel për Festivalin e Këngës në Eurovizion.

Konkursi do të fillojë për pak më shumë se një muaj, transmeton albinfo.ch.

Salla është mbyllur dhe materialet e para po sillen. Konkursi do të ketë nevojë për të gjithë hapësirën në dispozicion – kështu që pishina dhe sheshi i akullit aty pranë janë gjithashtu të mbyllura – do të nevojiten si qendër mediatike, transmeton albinfo.ch.

Shfaqjet e para do të fillojnë më 13 maj – por objektet do të nevojiten para kësaj për provat.

Pensionet, taksat, migrimi: Çka parasheh programi i koalicionit të ri në Gjermani?

Në një përmbledhje të planit të qeverisë së re të Gjermanisë, të publikuar nga gazeta gjermane Bild, janë shpallur disa vendime kyçe për të ardhmen e vendit, duke përfshirë pensionet, taksat dhe politikat e migracionit. Këtu janë disa nga pikat më të rëndësishme:

Pensionet: Niveli i pensionit do të fiksohet në 48 përqind deri në vitin 2031, një masë që synon të sigurojë stabilitet për pensionistët në vitet në vijim.

Taksat: Punonjësve do t’u ofrohet një lehtësim fiskal. Sipas marrëveshjes, norma tatimore do të hyjë në fuqi më vonë dhe do të jetë më e sheshtë, duke përfshirë një ulje të taksave për të ardhurat e ulëta dhe të mesme. Kjo do të ofronte lehtësim për shumicën e tatimpaguesve. Gjithashtu, rritja e taksave për personat me të ardhura të larta dhe bizneset e vogla dhe të mesme, një kërkesë e SPD-së, nuk do të zbatohet, përcjell albinfo.ch.

Ulja e taksave të korporatave: Koalicioni CDU/CSU-Red po planifikon një reformë investimesh, duke përfshirë një zhvlerësim të pajisjeve prej 30 përqind për vitet 2025, 2026 dhe 2027, dhe një ulje të taksës së korporatave me 1 përqind çdo vit nga viti 2028.

Migrimi: Përsa i përket migracionit, qeveria ka vendosur që refugjatët me status të kufizuar mbrojtjeje nuk do të lejohen të sjellin anëtarë të familjes për dy vjet. Gjithashtu, do të implementohen kontrolle kufitare dhe refuzime për azilkërkuesit. Merz ka njoftuar një ofensivë të re riatdhesimi.

Paga minimale dhe mbështetje për qytetarët: Qëllimi për pagën minimale është 15 euro në orë deri në vitin 2026, por vendimi do të mbetet në duar të komisionit të ekspertëve, punëdhënësve dhe punonjësve. Po ashtu, një bonus tatimor do t’u jepet pensionistëve që vazhdojnë të punojnë pas moshës së pensionit, deri në 2000 euro pa taksa.

Politikat e energjisë dhe ngrohjes: Plani i ri për energjinë e ndërtesave do të jetë më fleksibël dhe miqësor ndaj teknologjisë, duke shfuqizuar Aktin e Ngrohjes. Gjermania nuk ka plane për të rikthyer energjinë bërthamore, dhe do të promovojë lëvizshmërinë elektronike me stimuj blerjesh.

Të tjera ndryshime të rëndësishme:

Do të krijohet një Ministri e re për Dixhitalizimin dhe Modernizimin e Shtetit.

Shkollat do të mbështeten me një pakt të ri dixhital dhe një program investimi për rinovime.

Një Këshill i Sigurisë Kombëtare do të koordinojë çështjet kryesore të politikës së sigurisë.

Ky plan ambicioz synon të përmirësojë shumë aspekte të jetës sociale dhe ekonomike të Gjermanisë, duke ofruar një mbështetje më të madhe për punonjësit dhe pensionistët, ndërkohë që përpiqet të trajtojë edhe çështjet e migracionit dhe sigurisë, përcjell albinfo.ch.

 

Çmimet e transportit publik në Zvicër do të mbeten të pandryshuara deri në vitin 2026

Aleanca SwissPass ka njoftuar të mërkurën se çmimet e transportit publik kombëtar në Zvicër do të mbeten të pandryshuara deri në vitin 2026, duke theksuar se ky vendim është marrë për shkak të tendencave pozitive të të ardhurave. Këshilli Strategjik i Aleancës SwissPass, i cili bashkon 250 kompani transporti, përfshirë SBB, mori këtë vendim në mbledhjen e tij të 4 prillit.

Sipas Aleancës, çmimet e pasagjerëve vendas nuk do të rriten me ndryshimin e orarit në dhjetor të vitit 2025, pavarësisht nga situata financiare që mbetet e shtrënguar. Ky vendim është mbështetur nga disa faktorë, përfshirë rritjen e numrit të pasagjerëve dhe të ardhurave. “Produktet si Half-Fare PLUS dhe gama e re për të rinjtë janë tërhequr nga klientë të rinj dhe kjo ka kontribuar në rezultatet pozitive financiare”, tha Aleanca SwissPass, përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, autoritetet publike nuk kanë planifikuar të reduktojnë burimet financiare për transportin publik për vitin 2026, çka ka mundësuar këtë stabilitet në tarifat e transportit. Aleanca ka përjashtuar gjithashtu një rritje të mundshme të çmimeve për vitin 2025, duke u mbështetur në trendin pozitiv të numrit të pasagjerëve.

Për t’u kujtuar, rritja e fundit e çmimeve u regjistrua në vitin 2024, kur Aleanca SwissPass njoftoi një rritje mesatare prej 4.3% në çmimet e transportit, duke prekur kryesisht kartat e udhëtimit GA të klasit të dytë. Pas një peticioni me 28,000 nënshkrime kundër këtyre rritjeve, Aleanca arriti një marrëveshje me mbikëqyrësin e çmimeve, duke ulur rritjen në 3.5% për kartat e klasit të dytë, shkruan RTS.

Rritja e çmimeve në vitin 2024 u justifikua me kostot në rritje për pagat, mirëmbajtjen dhe energjinë, ndërsa çmimet nuk kishin ndryshuar që nga viti 2016, transmeton albinfo.ch.

Deputeti zviceran, kundër diskriminimit të kosovarëve në sigurimin e makinave

Se shtetasit e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit si dhe të Turqisë paguajnë prime shumë më të larta të sigurimit për automjetet e tyre në krahasim me shtetasit zviceranë, kjo është një temë e njohur prej kohësh dhe e diskutuar gjerësisht në mediat zvicerane. Rreth kësaj janë bërë denoncime dhe mocione të ndryshme edhe në parlamentin federal por deri më tani, pa sukses, shkruan albinfo.ch.

Së fundi, deputeti i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, Hasan Candan (me prejardhje turke-zvicerane) ka bërë një mocion drejtuar Këshillit Federal (qeverisë) që të veprojë kundër kësaj situate që ai e konsideron si diskriminim të qartë, bazuar në prejardhjen nacionale.

Për këtë temë ka publikuar sot një artikull gjithëpërfshirës gazeta Aargeuer Zeitung, të cilin po e transmetojmë me shkurtime.

Pasaporta e kuqe (zvicerane, të favorizon për disa qindra franga: “qytetarët zviceranë marrin sigurim shumë më të lirë të makinës sesa njerëzit nga Ballkani. Ky është një rast i qartë i diskriminimit”, thotë Hasan Candan. Deputeti nacional i PS-së i bën thirrje Këshillit Federal të veprojë.

Ai jep një shembull: Liridona Dizdari vjen nga Kosova. Infermierja e re prej disa kohësh është natyralizuar. Kjo, veç përparësive tjera i siguron asaj edhe një ndihmë në buxhetin familjar: Dizdari kursen qindra franga në vit për sigurimin e makinës. Ajo e kuptoi këtë vetëm pasi pyeti kolegët nga vendi i saj i prejardhjes. Dallimet në premium janë të mëdha dhe diskriminuese, thotë ajo për gazetën.

Tarifimi në bazë të kombësisë ka qenë temë mediatike prej vitesh. Jo më larg se vitin e kaluar, një analizë përkatëse nga shërbimi i krahasimit Comparis bëri bujë të madhe. Sipas studimit, shoferët e rinj nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut (plus 74 për qind secila) si dhe nga Turqia (plus 73 për qind), për shembull, paguajnë prime dukshëm më të larta për sigurimin plotësisht gjithëpërfshirës (Voll Kasko) për një Mercedes-Benz GLC sesa shoferët zviceranë.

Shumë pak 20-vjeçarë ndodh të ngasin një makinë luksoze në rrugët zvicerane. Prandaj, infermierja futi në kalkulatorin e primit të sigurimit të dhënat e një gruaje pensioniste që jetonte në kantonin e Lucernit – njëra me pasaportë zvicerane, tjetra me pasaportë kosovare.

Rezultati: Ekziston një gjobë në bazë të origjinës jo vetëm për shoferët e rinj, por edhe për pensionistët, transmeton albinfo.ch. Për shembull, me sigurimin kasko për një VW Polo 1.0 TSI Basis të ri, gruaja  zvicerane në pension kursen 738 franga në krahasim me gruan e pensionuar kosovare me makinën lidere në treg Axa. Diferenca është 49 për qind.

Deputeti i PS-së nga Lucerni, Hasan Candan ka kohë që merret me temën e primeve të sigurimit të automjeteve. Ai kërkon: “Këshilli Federal duhet t’i japë fund këtij trajtimi të pabarabartë bazuar në kombësi”. Ky lloj dënimi kolektiv cenon parimin kushtetues të mbrojtjes nga diskriminimi.

Në një interpelancë, ai pyeti Këshillin Federal nëse do të ishte i përgatitur, si hap i parë, që praktikat e kompanive të sigurimeve të shqyrtoheshin nga Mbikëqyrësi i Çmimeve dhe Komisioni Federal i Racizmit. Candan thekson: “Ashtu si qytetarët zviceranë, njerëzit me pasaporta të huaja janë të varur nga një makinë për punë, për shembull në profesionet e kujdesit. Primet e larta të sigurimit dobësojnë në mënyrë të pajustifikueshme fuqinë e tyre blerëse”.

A janë pensionistët kosovarë më të rrezikshëm në trafik se pensionistët zviceranë?

Si vijnë tarifat e ndryshme? Siguruesit privatë ofrojnë prime, të përshtatura me rrezikun. “Për ta bërë këtë, ata formojnë grupe rreziku që grupojnë së bashku rreziqe me karakteristika të ngjashme”, thotë Thilo Kleine, zëdhënës i Shoqatës Zvicerane të Sigurimeve, trasnmeton albinfo.ch. Ata që i përkasin një grupi që përbën një rrezik statistikisht më të lartë dhe për këtë arsye konsiderohet se mund të marrë më shumë përfitime nga sigurimi, do të paguajnë prime më të larta.

Dhe: “Një rrezik statistikisht më i lartë ekziston kur një grup rreziku shkakton dëme dukshëm më shumë ose dëme më të shtrenjta se grupi i krahasimit”. Llogaritjet marrin parasysh karakteristika të tilla si kombësia, mosha, gjinia, vendbanimi, lloji i makinës, përvoja e drejtimit etj.

Zëdhënësja e Axa-s, Marion Fehr shton: “Është fakt që disa karakteristika kanë një ndikim statistikisht të rëndësishëm në shpeshtësinë dhe shtrirjen e pretendimeve (për pagesa sigurimesh)”. Është praktikë e zakonshme në mesin e siguruesve zviceranë që të pasqyrojnë këto diferenca në prime. Nëse primet do të standardizoheshin pa marrë parasysh statistikat e dëmeve, do të binte se grupet e njerëzve me më pak aksidente do të financonin ata me shumë aksidente, thotë Fehr, transmeton albinfo.ch. Kombësia është një nga disa kritere për llogaritjen e primeve të sigurimit të makinës.

E aplikuar në shembullin e kalkulatorit të premisë, kjo do të thotë: Pensionistet kosovare vozisin shumë më rrezik se gratë zvicerane të moshës së njejtë. Por, Hasan Candan dyshon për këtë. Ai kërkon që siguruesit të zbulojnë të dhënat e tyre statistikore dhe inkurajon Këshillin Federal të ndryshojë ligjin në përputhje me rrethanat. Nëse ky i fundit nuk identifikon nevojën për veprim, Candan mund të marrë me mend vazhdimin e presionit me iniciativa të mëtejshme.

Këshilli Federal mbron praktikën aktuale

Giulia Reimann e Komisionit Federal kundër Racizmit, nga ana tjetër, thotë se është ligjërisht e ndërlikuar të sigurohen kushte më të këqija të kontratës duke u nisur vetëm nga origjina kombëtare. Kjo praktikë duhet të klasifikohet si diskriminuese veçanërisht në ato raste kur “formimi i grupeve të rrezikut përjetëson stereotipet ekzistuese sociale dhe racizmin strukturor dhe kështu rreziku i stigmatizimit është i lartë”.

Ndërkaq, Këshilli Federal e ka mbrojtur regjimin aktual të primeve disa herë në të kaluarën, përcjell albinfo.ch. “Doktrina dhe praktika mbizotëruese pranojnë se dallimet e bazuara në kombësi nuk përbëjnë diskriminim në vetvete, por janë arsyet objektive ato që lejojnë trajtim të ndryshëm të shtetasve vendës dhe të huaj” kishte shkruar qeveria e vendit në vitin 2012 në përgjigjen ndaj një mocioni.

Gjashtë vjet më parë, po kjo qeveri kishte refuzuar të hiqte përkatësinë shtetërore nga llogaritja e rrezikut. Një argument për këtë ishte se tarifat e ndryshme nuk bazohen në paragjykime, por në të dhëna statistikore.

Por, deputeti Candan kundërshton këtë vlerësim – dhe thekson se në BE, normat e sigurimit nuk llogariten në bazë të origjinës.

Çmimet e shtëpive po rriten më shpejt në Evropë se në Zvicër

Pas rimëkëmbjes nga pandemia e Covid-19, çmimet e banesave në Zvicër kanë njohur një rritje të qëndrueshme, por kjo rritje ka qenë modeste krahasuar me disa shtete të Bashkimit Evropian. Gjatë periudhës 2020-2022, gjatë pandemisë, kërkesa për shtëpi dhe apartamente ishte shumë e lartë, duke nxitur një treg të fuqishëm të pasurive të paluajtshme. Çmimet e shtëpive për familje u rritën me 5.5 për qind në vitin 2021, ndërsa ato për apartamentet u rritën me 6 për qind.

Megjithatë, me përfundimin e pandemisë, ky trend është ngadalësuar, por çmimet janë përsëri në rritje. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, çmimet e pasurive të paluajtshme në Zvicër u rritën me 2.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2024, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar – një rritje relativisht e moderuar, transmeton albinfo.ch.

Në krahasim, çmimet e shtëpive në shtetet e Bashkimit Evropian u rritën mesatarisht me 4.9 për qind në të njëjtin periudhë. Vende të tilla si Bullgaria (+18.3 për qind), Hungaria (+13 për qind) dhe Portugalia (+11.6 për qind) regjistruan rritje të dukshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Për më tepër, çmimet e banesave u rritën në 24 nga 27 vendet e BE-së.

Megjithatë, disa shtete të BE-së kanë shënuar një rënie të çmimeve: Finlanda dhe Franca raportuan një ulje të çmimeve të banesave me 1.9 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2024, krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar, shkruan 20minuten, përcjell albinfo.ch.

Digitime sjell të ardhmen e zhvillimit digjital në duart e fëmijëve

Në një epokë ku teknologjia po zhvillohet me ritme marramendëse, të përgatitësh brezin e ardhshëm për sfidat e së nesërmes nuk është më luks – është domosdoshmëri. Pikërisht me këtë vizion, Digitime sjell një iniciativë novatore për të frymëzuar dhe fuqizuar fëmijët: “Mastering Website Development”, një kurs online për WordPress, i menduar enkas për moshat 10 deri në 17 vjeç.

Ky program i veçantë është më shumë se një trajnim – është një udhëtim drejt krijimtarisë, teknologjisë dhe vetëbesimit. I udhëhequr nga ekspertë me mbi 6 vjet përvojë ndërkombëtare në kompanitë më të njohura zvicerane, kursi ofron një përzierje unike të teorisë dhe praktikës, duke përdorur WordPress si platformën kryesore të zhvillimit dhe AI-në si mjet për të nxitur kreativitetin.

Pse ky kurs është ndryshe?

  • 💡 Përmbajtje e përshtatur për moshën 10-17 vjeç: Kursi është ndarë në dy grupmosha për të respektuar ritmin dhe stilin e të mësuarit të secilit fëmijë.
  • 🌐 Online, nga çdo cep i botës: Trajnimi zhvillohet përmes platformës Digitime Learning Management System, duke i bërë leksionet të aksesueshme pa kufizime gjeografike.
  • 📚 32 njësi mësimore të shpërndara në 2 muaj me 2 seanca në javë – ritmi i përsosur për të mësuar pa u ndjerë i mbingarkuar.
  • 💸 Çmim simbolik: 80 euro në muaj, një investim i vogël për një të ardhme të madhe.

Çfarë do të mësojnë fëmijët?

✨ Të ndërtojnë faqe moderne dhe funksionale me WordPress
🤖 Të përdorin inteligjencën artificiale për krijim përmbajtjesh (blog, SEO, grafikë)
🧠 Të fitojnë aftësi reale të marketingut digjital dhe zhvillimit të web-it
🌍 Të mësojnë nga instruktorë të suksesshëm me përvojë ndërkombëtare
📈 Të zhvillojnë logjikën, kreativitetin dhe vetëbesimin për projekte reale

🗓️ Fillimi i kursit: 10 Prill 2025

⏳ Vendet janë të kufizuara – regjistrimet janë të hapura vetëm edhe për pak kohë!
🔗 Regjistrohuni këtu: https://digi-time.org/course/11

📞 Për pyetje, mos hezitoni të kontaktoni:
Rina Volina – +389 75 432 279 (Viber)
Shejla Sulejmani – +389 76 853 712 (Viber)

Bien çmimet e derivateve në Kosovë, nafta mund të zbresë deri në 1 euro për litër

Ditë më parë, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, nënshkroi një vendim të ri që rregullon çmimet e naftës.

Përmes këtij vendimi u caktua edhe marzha e fitimit. Për shitjen me shumicë të naftës do të jetë 2 eurocentë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 eurocentë për litër.

Çmimet e derivateve në tregun kosovar janë dukshëm më të lira.

Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve ka thënë për Telegrafin se çmimet e derivateve sot në tregun kosovar sillen përafërsisht: nafta 1.18 cent deri në 1.28 cent dhe benzina 1.19 cent deri në 1.29 cent.

Berjani ka thënë se kësi çmime të lira nuk kemi pasur që tri vite.

“Nga dje ka zbritje prej 4 cent. Me tarifat e Trumpit dhe rënien e derivateve në bursa, ka gjasa që në Kosovë 1 litër naftë të jetë 1 euro. Çmimin e përcakton bursa dhe organizata prodhuese OPEC. Po kjo ulje që po ndodh është nga tarifat globale të Presidentit Donald Trump”, ka deklaruar Berjani, transmeton albinfo.ch.

Ai ka shtuar se nuk mund të paragjykojmë se si do të jenë çmimet në ditët në vijim.

Berjani ka theksuar se çmimet e derivateve në Shqipëri janë: nafta 1.89 cent dhe benzina 1.88 cent, ndërkaq në Serbi nafta 1.78 cent dhe benzina 1.79 cent. Sa i përket vendimit të MINT për marzhën, Berjani ka thënë se është vendim në kohën e gabuar.

“Kemi lëvizje globale të çmimeve të derivateve të naftës dhe ky vendim i dëmton bizneset. Ndërsa ky vendim kompanitë e mesme dhe të vogla i shkatërron, i falimenton. MINT është dashur të nxjerrë vendim për shportën e qytetarit, sepse nafta ka qenë gjithëherë më e lira në rajon, ndërsa shporta e qytetarit më e shtrenjta në Kosovë se në Gjermani”, ka thënë Berjani.

BE i kundërpërgjigjet SHBA-së me tarifa

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë hapur rrugën për vendosjen e tarifave të para hakmarrëse, që do të variojnë nga 10 deri në 25 për qind, si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas Komisionit Evropian, tarifat speciale për produkte si xhinset dhe motoçikletat nga SHBA, ndër të tjera, do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme, shkruan albinfo.ch.

Kundërtarifa të tjera janë të planifikuara të vendosen në mes të majit dhe në fund të vitit, duke përfshirë gjithashtu produkte ushqimore si mishi i viçit, shpendët dhe agrumet, si portokallet dhe grejpfrutët. Për më tepër, tarifat shtesë për arrat dhe sojën pritet të hyjnë në fuqi në fillim të dhjetorit, shkruan Blick.

Shqipëria heq vizat për pesë shtete për arsye turistike

Këshilli i Ministrave në Shqipëri vendosi sot heqjen e vizave për qytetarët e pesë shteteve, që do të vizitojnë Shqipërinë për arsye turistike.

Sipas vendimit të qeverisë, qytetarët e shteteve që do të lejohen të hyjnë pa vizë në Shqipëri janë nga Arabia Saudite, Katari, Oman, Tajlanda dhe Indonezia.

Këta shtetas do të mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë, për qëllime turistike dhe me dokumentin “pasaportë”, për një periudhë të kufizuar nga data 15 prill deri më 31 dhjetor 2025, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ministria e Brendshme.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Niseni drejt Italisë? Kujdes me gomat e veturës

Është koha për ndërrimin e gomave – autoritetet paralajmërojnë për udhëtimet në Itali

Shumë drejtues mjetesh po planifikojnë të ndërrojnë gomat e dimrit me ato verore, por autoritetet po paralajmërojnë se nëse planifikoni të vizitoni Italinë, këtë duhet ta keni bërë deri në muajin tjetër.

Vozitja me goma dimri gjatë verës në Itali është e paligjshme, ndërsa gomat për të gjitha stinët janë të lejuara.

Arsyetimi është se gomat verore performojnë më mirë kur moti është i ngrohtë, kryesisht për shkak të përbërjes së gomës që përdoret për to.

Nëse kapeni me gomat e gabuara në Itali, mund të gjobiteni me disa qindra euro, transmeton albinfo.ch.

Austri: Ekspozitë e piktorit shqiptar Haxhi Fejzullahi

Në qendrën kulturore Gang-Galerie St. Josef në Voitsberg, rreth 28 piktura të Haxhi Fejzullahit janë ekspozuar nën organizimin dhe mbështetjen e gazetarit të njohur austriak, Franz Taucher.

Në hapjen e ekspozitës, Taucher mbajti një fjalim ku shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e shumtë të artdashësve dhe theksoi mesazhin kryesor të ekspozitës, që është prezantimi i një arti të bukur dhe i një realiteti të ndryshëm nga ai i rajonit Weststeiermark, përmes teknikës së veçantë të autorit Haxhi Fejzullahi, i cili përdor edhe qymyr për të shprehur kontributin kulturor dhe artistik të shqiptarëve, përcjell albinfo.ch.

“Jam shumë mirënjohës që Haxhi Fejzullahi është pjesë e komunitetit tonë,” u shpreh ai.

Ekspozita përfshin punime që pasqyrojnë jetën e autorit në vendlindjen e tij, Kosovë, si dhe përditshmërinë në Austri. Fejzullahi theksoi se ekspozita është një pasqyrim i jetës së mërgimtarëve, duke bashkuar motive dhe ngjyra që shpesh nuk janë të zakonshme në asnjë prej dy vendeve.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është të paraqes jetën e një mërgimtari – që gjithmonë e ka vendlindjen në mendje – në përballje me përditshmërinë në mërgim. Kjo shprehet përmes një bashkëdyzimi të ngjyrave dhe motiveve që shpesh nuk janë të zakonshme as në Kosovë, as në Austri,” është shprehur Fejzullahi.

Ekspozita u ndoq nga figura të shquara të politikës, artit dhe komunitetit, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Zvicrës zhvillon bisedë telefonike me Donald Trump, flasin për tregtinë

Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Keller-Sutter theksoi rëndësinë e tregtisë dypalëshe dhe diskutoi mënyrat për të adresuar ambiciet e përbashkëta midis dy shteteve. Ajo theksoi se të dy liderët ranë dakord për të vazhduar bisedimet në interes të forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes vendeve të tyre.

“Në bisedën telefonike të sotme me Presidentin Donald Trump, unë përcolla të dyja, qëndrimin për tregtinë dypalëshe dhe mënyrat për të adresuar ambiciet 🇺🇸. Ne ramë dakord të vazhdojmë bisedimet në interes të të dy vendeve tona. Mezi presim të gjejmë zgjidhje në të ardhmen shumë të afërt”, ka shkruar presidentja zvicerane në rrjetin social X.

Përplasja tregtare SHBA-Kinë mund të ndikojë edhe në tregun e Kosovës

Tregu i Kosovës, i cili mbështetet ndjeshëm në produktet me origjinë nga Kina – që variojnë nga telefonat e mençur e deri te veshmbathjet – mund të ndjejë ndikimet e përplasjeve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pas vendimit të SHBA-së për të vendosur një tarifë të lartë prej 104% ndaj produkteve kineze, ekspertët paralajmërojnë pasoja të mundshme edhe për vendet si Kosova, që janë të varura nga importi, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thekson se këto tarifa mund të nxisin një valë të re inflacioni dhe të detyrojnë kompanitë kosovare të kërkojnë alternativa në tregjet evropiane. “Nga zbatimi i tarifave, barra do të bjerë në fund të zinxhirit, te konsumatorët. Konsumatorët në të gjithë botën, përfshirë ata në Kosovë, do të blejnë produkte kineze deri në 40 për qind më shtrenjtë sesa paguajnë aktualisht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi, thotë se do të vazhdojë importin nga Kina, madje pret që çmimet të bien për shkak të tepricave të prodhimit që nuk do të shiten në SHBA.

“Pasi Kina eksporton shumë në tregun e SHBA-së, pas ndikimit të tarifës do të zvogëlohet sasia e produkteve për këtë treg dhe ato do të orientohen në tregje të tjera. Kina nuk do ta ndalë prodhimin, por do të rritet konkurrenca dhe kjo do të sjellë ulje të çmimeve për tregjet e tjera”, shprehet Kelmendi, transmeton albinfo.ch.

Kina është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, duke zënë vendin e tretë për nga importet, me vlerë mbi 748 milionë euro gjatë vitit 2023. Megjithëse dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kina, bashkëpunimi ekonomik ka mbetur i qëndrueshëm. Eksportet nga Kosova në Kinë mbeten të papërfillshme në krahasim me importin.

Gjermani: CDU/CSU dhe SPD arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës

Liderët e partive kryesore gjermane, Unioni Kristian Demokrat/Unioni Kristian Social (CDU/CSU) dhe Socialdemokratët (SPD), thuhet se kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme federale, sipas raportimeve të mediave gjermane.

Marrëveshja e arritur duhet të kalojë në një proces votimi nga rreth 357,000 anëtarë të SPD-së, çka pritet të zgjasë të paktën dhjetë ditë. Kjo nënkupton se Friedrich Merz, kreu i CDU-së, nuk pritet të konfirmohet zyrtarisht si kancelari i ardhshëm i Gjermanisë përpara muajit maj, transmeton albinfo.ch.

Në bazë të marrëveshjes, CDU/CSU do të marrë drejtimin e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme, duke u përballur me sfida kyçe si kriza e migracionit dhe përcaktimi i rolit të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare, në një kohë pasigurie globale të ndikuar nga zhvillimet në SHBA.

Nga ana tjetër, SPD do të mbajë nën kontroll ministrinë e Financave dhe atë të Mbrojtjes. Kjo e fundit do të vazhdojë të drejtohet nga Boris Pistorius, një figurë e njohur dhe e popullarizuar në skenën politike gjermane, duke garantuar vazhdimësi në politikën e mbrojtjes, shkruan dpa.

Marrëveshja për koalicion vjen në një moment delikat për politikën gjermane, pasi partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka kryesuar për herë të parë në histori në një sondazh kombëtar, duke rritur shqetësimet për polarizimin në vend, transmeton albinfo.ch.

 

Doktori nga Kosova emërohet shef klinike në landin e Thuringenit në Gjermani

Quhet Ali Hajdari dhe është mjeku shqiptar që nga muaji prill i këtij viti është emëruar shef i Klinikës së Kardiologjisë dhe Angiologjisë në Spitalin “Krankenhaus Waltershausen-Friedrichroda”, në landin e Thüringenit, transmeton albinfo.ch.

Këtë histori suksesi e ka prezantuar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Vlen të theksohet se Hajdari është drejtuesi i parë shqiptar i një klinike të këtij lloji në këtë land.

Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës, ai ka ndjekur një rrugë të suksesshme profesionale, duke fituar ekspertizë dhe përvojë në disa nga klinikat më të njohura universitare të Gjermanisë, si ato në Mannheim, Jena, St. Georg Klinikum Eisenach dhe Elisabeth-Klinikum Schmalkalden.

Dr. Hajdari është specialist i Mjekësisë Interne dhe subspecialist i Kardiologjisë, të cilën e ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Jenës, si dhe subspecializant i Angiologjisë (sëmundjet e enëve të gjakut).

Ndërkohë, fushëveprimtaria profesionale e dr. Hajdarit është shumë e gjerë, e përqendruar te intervenimet në zemër, implantimi i pajisjeve speciale të zemrës, si dhe trajtimi i sëmundjeve të arterieve periferike me procedura endovaskulare.

Mjeku shqiptar vazhdon të punojë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore të Gjermanisë dhe Kosovës.

Presidentja Osmani zhvilloi një takim me delegacionin britanik

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, të udhëhequr nga deputeti Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus në sektorët që kanë interes të ndërsjellë dhe për mundësitë konkrete të avancimit të projekteve të përbashkëta.

“Në këtë kontekst, u diskutua edhe për hapat që po ndërmerren pas iniciativës së Presidentes për një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë, e cila është mirëpritur nga Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftim.

Sipas saj  përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i mëtejshëm i lidhjeve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe sektorë të tjerë strategjikë, për të kontribuuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të dy shteteve.

Kryeministri Kurti zhvillon një takim me deputetët francez

Kryeministri në detyrë Kosovës, Albin Kurti mbrëmë pati një darkë pune me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Parlamentare të Francës, Marine Hamelet, Frédéric Petit, Pierre Pribetich, Jean-dhe Louis Roumégas, të shtruar nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit për media thuhet se në këtë darkë pune u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe për rëndësinë e diplomacisë parlamentare për thellimin e mëtejmë të tyre dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

“Diskutuan edhe për raportet me Serbinë, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe Marrëveshjen Bazike të arritur atje dhe aneksin e saj të zbatimit”, thuhet në njoftim.

Kurti falënderoi deputetët për vizitën që po i bëjnë vendit tonë dhe shtetin francez për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Ai i njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe me rezultatet e qeverisjes e përparimin e arritur në katër vitet e fundit si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë demokratik dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

Gjatë darkës që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit francez në Kosovë, gjithashtu u diskutua edhe për hapat dhe rrugën përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe seancës së thirrur nga presidentja e vendit për datën 15 prill.

Janë rritur rastet e falimentimit në Zvicër

Numri total i procedurave zyrtare të hapura ndaj bizneseve dhe individëve në bazë të Ligjit për Zbatimin e Borxhit dhe Falimentimit u rrit për të katërtin vit radhazi, duke arritur në 17,036 raste rekord në vitin 2024, përcjell albinfo.ch.

Ky është përfundimi i Statistikave të Mbledhjes së Borxhit dhe Falimentimit, të publikuara të martën nga Zyra Federale e Statistikave (FSO).

Megjithëse u regjistrua një numër rekord rastesh, pati një rënie të dukshme të humbjeve financiare si rezultat i procedurave të borxhit dhe falimentimit – 26.5% më pak se në vitin 2023.

Një nga arsyet e rritjes, sipas ekspertëve, është mentaliteti i përhapur “bli tani dhe paguaj më vonë”, i cili ua lehtëson njerëzve mundësinë për të bërë blerje edhe pa pasur para për t’i paguar ato në momentin e blerjes, tha Pascal Pfister, Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Këshillimit për Borxhet.

Puna me kohë të pjesshme: Si të shmangni boshllëqet e pensioneve

Shumë prindër, në Zvicër, punojnë me kohë të pjesshme. Kjo mund të ketë një ndikim të dukshëm sa i përket sigurimit të pensioneve profesionale, i njohur edhe si shtylla e dytë. Por çfarë opsionesh ekzistojnë për të mbyllur boshllëqet e pensioneve? Në vazhdim, këshillat e ekspertit.

Puna me kohë të pjesshme është rritur ndjeshëm në Zvicër gjatë 30 viteve të fundit. Ndërsa në vitin 1995 pothuajse një e katërta e popullsisë në moshë të punës punonte me kohë të pjesshme, sot është tashmë një e treta – një trend ky, i konfirmuar nga shifrat e Zyrës Federale të Statistikave (BFS).

Në vitin 2023, rreth 1.8 milionë punëtorë zviceranë punonin me kohë të pjesshme, duke përfshirë këtu  507,000 burra. Sipas BFS-së, arsyeja më e zakonshme për punë me kohë të pjesshme është harmonizimi më i mirë i punës dhe jetës familjare. Por punëtorët me kohë të pjesshme përballen gjithashtu me sfida: studimet tregojnë se ata kanë më pak gjasa të promovohen dhe se mund të shfaqen boshllëqe në fondet e tyre të pensioneve.

Këto boshllëqe lindin në shtyllën e dytë, me të ashtuquajturat kredi për pension, të cilat së bashku me interesat dhe blerjet vullnetare përbëjnë kapitalin për pensionin e mëvonshëm. “Faktori vendimtar është paga e siguruar, e cila rezulton nga paga vjetore e AHV minus zbritja e koordinimit”, thotë Granit Kabashi (31), ekspert i pensioneve dhe BVG në Tellco.

Zbritja e koordinimit arrin në 26,460 CHF në vitin 2025. Kjo do të thotë: Me një pagë bruto prej 60,000 frangash, paga e siguruar është 33,540 franga. Punëdhënësi juaj është i detyruar ligjërisht të mbulojë të paktën gjysmën e kontributeve të fondit të pensionit, të cilat ju mund t’i kontrolloni rregullisht në fletëpagesën tuaj dhe certifikatën e pensionit.

Nëse punoni me kohë të pjesshme ose paralelisht, në disa vende pune, do të ju dalin sfida shtesë për planifikimin e daljes në pension:

1. Zbritjet e shumëfishta të koordinimit

Nëse jeni i punësuar me kohë të pjesshme nga disa punëdhënës, zbritja e koordinimit llogaritet veçmas për çdo punësim. “Kjo mund të rezultojë që paga totale e të siguruarve të jetë më e ulët se nëse do të ishit të punësuar vetëm nga një punëdhënës”, thotë Kabashi.

Nëse jeni i siguruar me dy fonde pensioni, mund të jeni në gjendje të regjistroheni vetëm me një në mënyrë që të aplikoni zbritjen e koordinimit vetëm një herë. “Megjithatë, vetëm disa fonde pensionale e ofrojnë këtë mundësi,” thotë eksperti.

Sidoqoftë, ekziston një zgjidhje tjetër: punëdhënësit mund të përshtatin zbritjen e koordinimit në shkallën e punës me kohë të pjesshme. Kjo do të thotë që nëse punoni 50 për qind, do t’ju ngarkohet vetëm gjysma e zbritjes së rregullt. “Kjo nënkupton se një pjesë më e madhe e pagës është e siguruar, e cila është veçanërisht e dobishme për punëtorët me kohë të pjesshme”, thotë Kabashi.

2. Paga për orë pune dhe shkalla e punës së pjesëshme

Për t’u siguruar në një fond pensioni, duhet të fitoni të paktën 22,680 CHF në vit për punë. Nëse kjo shumë nuk arrihet, nuk ka sigurim pensional të detyrueshëm, edhe nëse të ardhurat tuaja totale janë më të larta.

Ata që marrin pagën për orë pune gjithashtu shpesh kanë mbulim më të ulët të BVG sepse ata rrallë arrijnë një ngarkesë pune 100 për qind.

“Në punësimin e përkohshëm, paga mujore e siguruar llogaritet drejtpërdrejt nga paga e orës, pra automatikisht merret parasysh niveli me kohë të pjesshme”, sqaron Kabashi. “Në këtë rast, i siguruari duhet vetëm të sigurojë që punëdhënësi të transferojë shumën minimale të kërkuar me ligj në fondin e pensioneve”.

3. Mangësitë në marrëdhëniet afatshkurtra të punës

Detyrimi i BVG, pra pagesa e detyrueshme në shtyllën e dytë, zbatohet për një kontratë pune me afat të caktuar më shumë se 3 muaj, si dhe për një kontratë pune me afat të hapur. Nëse keni disa kontrata pune afatshkurtra, secila prej të cilave zgjat vetëm deri në tre muaj, nuk ekziston asnjë detyrim për të paguar BVG. “Kjo do të thotë gjithashtu se këtu mund të lindin boshllëqe në kontribut”, shpjegon Kabashi. “Këto boshllëqe mund të mbyllen përmes blerjeve vullnetare ose kalimit në shtyllën e tretë.

“Shtylla e tretë është gjithmonë një ide e mirë,” thotë eksperti. Megjithatë, Shtylla vullnetare 3a është gjithashtu e përshtatshme për punëtorët me kohë të pjesshme për të shmangur boshllëqet e pensioneve. Ju mund të paguani deri në një shumë të përcaktuar me ligj çdo vit (7,258 franga në 2025) dhe t’i zbritni këto kontribute nga taksat tuaja. Ju lutemi vini re: Ju mund të tërhiqni kontributet në Shtyllën 3a vetëm në kushte të caktuara.

Së fundi, Kabashi kërkon përgjegjësi edhe nga vetë të siguruarit. Fondi pensional është i detyruar të informojë të siguruarit për gjendjen e tyre vetëm një herë në vit. Kjo bëhet në formën e një certifikate pensioni, e cila përfshin të gjitha përfitimet dhe gjithashtu tregon potencialin aktual blerës. Për të gjitha informacionet e mëtejshme, zbatohet detyrimi për të mbledhur.

(Nga Olivia Ruffiner)
Burimi: https://www.schweizer-illustrierte.ch/family/teilzeitarbeit-so-vermeidet-man-sorgelucken-804417?srsltid=AfmBOooJkoc6_VAeVPijVP5nlwrRE-5VcWguvUCBWKJr7eQ6

Gjithnjë e më shumë zviceranë duan të blejnë prona

Trazirat e mëdha të shkaktuara nga tarifat e SHBA-së po rritin kërkesën për banesa në Zvicër, e cila shihet si një investim i sigurt, përcjell albinfo.ch.

“Në kohë pasigurie ekonomike, kërkesa për prona rritet”, sipas indeksit Immoscout24.

Për rrjedhojë, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me një mesatare prej 1.3 për qind në përgjithësi; në Zvicrën qendrore, rritja madje arriti në 5.2 për qind.

Deputetët kërkojnë të privojnë Lozanën nga statusi i saj si “kryeqyteti i Vaud-it”

Në një lëvizje krejtësisht të çuditshme, 23 deputetë të Vaud-it kanë nënshkruar një mocion të dorëzuar në parlamentin kantonal, duke kërkuar ndryshimin e një neni në kushtetutën e Vaud-it, i cili thotë: “Lausana është kryeqyteti i kantonit”, përcjell albinfo.ch.

Në vend të kësaj, ata propozojnë që bashkia kryesore e secilit prej 10 rretheve të kantonit të marrë me radhë statusin e kryeqytetit të Vaud-it për një vit, sipas rendit alfabetik.

Ideja pas këtij propozimi është të “frymëzohet” kantoni “duke afruar pushtetin me të gjitha rajonet”, thuhet në mocion.

Nëse parlamenti e miraton këtë ide, fjalën e fundit do ta kenë votuesit e Vaud-it.

Qafat malore zvicerane do të rihapen së shpejti për trafikun e makinave

Gotthard Pass pritet të rihapet për trafik në mes të majit. Puna për pastrimin e kalimeve alpine do të nisë në ditët në vijim; në Qafën Oberalp, ajo ka filluar që nga e hëna.

Edhe pse kanë qenë të mbyllura gjatë dimrit, kalimet në Alpet zvicerane janë planifikuar të rihapen për qarkullimin e automjeteve brenda javëve të ardhshme, pasi nuk parashikohet më rrezik i shtuar nga ortekët, transmeton albinfo.ch.

Mbyllja dimërore në Oberalp pritet të hiqet në fund të prillit, njoftoi të martën Zyra e Ndërtimit e kantonit Uri.

Datat e planifikuara për hapjen e kalimeve të tjera alpine janë si më poshtë: Qafa e Gotthardit dhe ajo e Klausenit në mes të majit, Qafa e Furkës në fund të majit dhe Qafa e Sustenit në mes të qershorit.

Në përgatitje për rihapjet, po zhvillohen punime për pastrimin e borës, vendosjen e parmakëve dhe kangjellave mbrojtëse, si dhe pastrimin e gurëve dhe shkëmbinjve nga rruga.

https://www.blick.ch/schweiz/alpenpaesse-gotthardpass-soll-mitte-mai-wieder-oeffnen-id20761564.html