Vjenë: Më 26 prill mbahet panairi i bizneseve shqiptare në Austri

Të shtunën për të pestën herë në Vjenë organizohet panairi i bizneseve të themeluara nga komuniteti shqiptar në Austri.

Këtë vit panairi i bizneseve shqiptare në Austri, do të mbahet më 26 prill 2025, në Arena 21, MQ. Museumplatz 1, 1070 në Vjenë

Në panairin “Vjena 2025” do të prezantohen një numër i madh firmash nga të gjitha fushat, duke përfshirë ndërtimtarinë, gastronominë, IT, median, patundshmërinë dhe shumë të tjera,raporton albinfo.at.

Aty do të gjeni kompani të vogla, të mesme dhe të mëdha. Nëse keni nevojë për instalues të ujit, ngrohjes, rrymës, automekanik, dizajner, IT, dyer e dritare, frizer/e, etj., të gjithë do t’i keni aty.

Edhe kompani nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina do të marrin pjesë në panairin “Vjena 2025”.

Panairi fillon nga ora 10:00 dhe do të përfundon në orën 18:00.

Për të gjithë vizitorët, hyrja është falas

Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shiptare në Austri, panairin “Vjena 2025”, e konsideron si mundësi shumë të mirë për bashkëpunim të bizneseve nga diaspora dhe trevat shqiptare: ”Panairi i Bizneseve Shqiptare në Austri është bërë traditë si dhe është një mundësi shumë e mirë për të gjitha bizneset nga Kosova, Shqipëria, Lugina, Mali i Zi, binzneset shqiptare nga Austria dhe shumë shtete të Evropes ku ato mund të njihen me njeri tjetri, të shkëmbjenë kontakte dhe të fillojnë bashkëpunimet biznesore. Në këtë mënyrë mund të forcojmë bashkëpunimin me njeri tjetrin si dhe të lehtësojmë prodhimet e vendeve tona të plasohen në tregun evropian”, ka thënë ai për albinfo.at. Ndërkohë shton: “Përgatitjet jane duke vijuar sipas planprogramit, ka një numër të madh të biznesëve të cilat tashmë kane rezervuar tavolinat e tyre dhe e kanë kuptuar rëndesinë që ka dhe sjell pjesëmarrja e tyre në këtë panair për të prezantuar produktet e tyre”.

Sipas Blakaj ky panair perveç shkëmbimit të biznesëve me njëri – tjetrin, është i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë.

Panairi i Bizneseve Shqiptare në Austri është njëri prej eventeve kryesore që organizohet nga Rrjeti i Bizneseve.

Panair i Bizneseve Shqiptare në Austri, 26 prill 2025

Data: 26 prill 2025
Vendi: Arena 21, Museum Quartier, Museumsplatz 1, 1070 Vjenë
Kohëzgjatja: 10:00 – 18:00

Hyrja për vizitorë: pa pagesë!

Gjermani: Ndryshojnë rregullat për nxjerrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave

Bëhet e ditur se, nga data 01.05.2025, ndryshojnë rregullat për nxjerrjen e dokumenteve të reja në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Për letërnjoftime dhe pasaporta të reja do të pranohen vetëm fotografitë digjitale.

Por, deri në fund të korrikut, do të ketë një “fazë kalimtare” kur qytetarët mund të përdorin edhe fotografi në letër për të kërkuar letërnjoftim apo pasaportë të re.

Tuneli më i gjatë në botë që po ndërtohet nga Danimarka në Gjermani

Raportohet se një tunel rekord po ndërtohet nën Detin Baltik midis Danimarkës dhe Gjermanisë, i cili do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe do të përmirësojë lidhjet e Skandinavisë me pjesën tjetër të Evropës, përcjell albinfo.ch.

I shtrirë në 18 km, Fehmarnbelt do të jetë tuneli rrugor dhe hekurudhor më i gjatë i parafabrikuar në botë.

Është gjithashtu një arritje e jashtëzakonshme inxhinierike, që do të shohë segmente të tunelit të vendosura në majë të shtratit të detit, dhe më pas të bashkuara së bashku.

Vendi kryesor i ndërtimit të projektit ndodhet në hyrjen veriore të tunelit, në bregun e ishullit Lolland në juglindje të Danimarkës.

Objekti përfshin më shumë se 1235 hektarë dhe përfshin një port dhe një fabrikë që prodhon seksionet e tunelit, të cilat quhen “elemente”.

“Është një objekt i madh këtu”, thotë Henrik Vincentsen, shefi ekzekutiv i Femern, kompania shtetërore daneze që po ndërton tunelin.

Për të bërë çdo element 217 m të gjatë dhe 42 m të gjerë, çeliku i përforcuar derdhet me beton.

Ad 37
Shumica e tuneleve nënujore – duke përfshirë tunelin e Kanalit 50 km midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës – gërmojnë nëpër shkëmbinj nën shtratin e detit. Në vend të kësaj, 90 elementë individualë do të lidhen, pjesë-pjesë, si tullat Lego.

“Ne po thyejmë rekorde me këtë projekt”, thotë zoti Vincentsen. “Tunele të zhytur janë ndërtuar më parë, por kurrë në këtë shkallë”.

Me një kosto rreth 7.4 miliardë euro skema është financuar kryesisht nga Danimarka, me 1.3 miliardë euro nga Komisioni Evropian.

Është ndër projektet më të mëdha të infrastrukturës në rajon dhe pjesë e një plani më të gjerë të BE-së për të forcuar lidhjet e udhëtimit në të gjithë kontinentin duke reduktuar fluturimet, shkruan BBC, përcjell albinfo.ch.

Pasi të përfundojë, udhëtimi midis Rødbyhavn në Danimarkën jugore dhe Puttgarten në Gjermaninë veriore, do të zgjasë vetëm 10 minuta me makinë, ose shtatë minuta me tren, duke zëvendësuar një udhëtim 45 minutash me traget.

Duke anashkaluar Danimarkën perëndimore, rruga e re hekurudhore gjithashtu do të përgjysmojë kohën e udhëtimit midis Kopenhagës dhe Hamburgut nga pesë në 2.5 orë dhe do të sigurojë një shkurtore “më të gjelbër” për mallrat dhe pasagjerët.

“Nuk është vetëm që lidh Danimarkën me Gjermaninë, por po lidh Skandinavinë me Evropën Qendrore”, thotë zoti Vincentsen. “Të gjithë janë fitues,” pohon ai. “Dhe duke udhëtuar 160 km më pak, ju gjithashtu do të ulni karbonin dhe do të zvogëloni ndikimin.

Rënie e mprehtë e turistëve zviceranë në SHBA

Referuar të dhënave nga agjencitë zvicerane të udhëtimit, thuhet se ka rënie të kërkesës për shkak të tensioneve politike dhe tregtare midis SHBA-së dhe BE-së, duke ndikuar pikërisht në flukset turistike evropiane, transmeton albinfo.ch.

Edhe statistikat zyrtare amerikane tregojnë një rënie të mprehtë të turistëve që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, me një rënie prej rreth një çerek krahasuar me një vit më parë nga Zvicra.

Edhe vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë, Gjermaninë dhe Spanjën, shfaqin një tendencë të ngjashme. Disa agjenci turistike zvicerane po flasin për një kolaps të vërtetë të kërkesës.

Travelpoint në Brunnen regjistroi një rënie prej 64% në periudhën nëntor–prill. Për Adrian Müllerin, kreun e agjencisë, arsyeja kryesore janë politikat e administratës Trump, të cilat krijojnë pasiguri tek udhëtarët. “Ne kemi klientë që kanë frikë se nuk do të mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara apo edhe të arrestohen pas mbërritjes, por nuk është kështu,” thotë Müller. Për të, viti 2025 është tashmë i komprometuar.

“SRF” i kushton një artikull Egzona Ajetit si shofere autobusi

Pa dyshim, puna në çdo shtet, shoqëri a kulturë ka vlerën dhe pozitën e saj.

Kësaj radhe, për dallim nga herët e tjera, Albinfo.ch ju përcjell një storie suksesi që ka të bëjë me një vajzë shqiptare, vozitëse autobusi.

Ani pse në shtetin e Kosovës vozitja e autobusëve nga një femër vazhdon të jetë e pazakontë, në shtetet evropiane kjo gjë është më se normale, veçmas në Zvicër.

SRF ka prezantuar 32-vjeçaren Egzona Ajeti, e cila është një shoferë autobusi e përkushtuar dhe entuziaste për VBZ.

Egzona e ushtron këtë profesion prej dy vitesh e gjysmë—pasi puna e mëparshme nuk e ka bërë të lumtur. Ajo flet për jetën e saj të përditshme në punë: “Me kalimin e kohës, vozitja e autobusit është njësoj si të ngasësh një makinë,” është shprehur ajo. /Albinfo.ch

Për më shumë – VIDEO

Trump sulmon ashpër Zelenskyn: Nuk e pranoi Krimenë si pjesë të Rusisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi ashpër në Truth Social presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për refuzimin e tij për të njohur Krimenë si pjesë e Rusisë, duke e quajtur atë një njeri “pa letra për të luajtur”.

“Janë deklaratat provokuese të Zelenskyt ato që e bëjnë këtë luftë kaq të vështirë për t’u zgjidhur. Nuk ka asgjë për t’u mburrur! Situata në Ukrainë është katastrofike: mund të sigurojë paqen, por mund të luftojë edhe tre vjet dhe më pas të humbasë të gjithë vendin”, ka shkruar ai, duke argumentuar se “deklarata e lëshuar sot nga Zelensky nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të zgjasë ‘kampin e shfarosjes’”.

“Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mburret në faqen e parë të ‘Wall Street Journal’ se Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht pushtimin e Krimesë. Nuk ka asgjë më për të folur”, theksoi Trump.

“Kjo deklaratë është shumë e dëmshme për negociatat e paqes me Rusinë, duke pasur parasysh se Krimeja u humb vite më parë, nën kujdesin e presidentit Barack Obama, dhe nuk ka asnjë pikë diskutimi. Askush nuk po i kërkon Zelenskyt ta njohë Krimenë si territor rus, por nëse ai e dëshiron atë, pse nuk luftuan për të 11 vjet më parë, kur iu dorëzua Rusisë pa shkrepur asnjë armë? Kjo zonë ka edhe baza të rëndësishme nën deteve ruse”, shtoi Trump.

“Janë deklaratat nxitëse si ato të Zelenskyt, ato që e bëjnë kaq të vështirë zgjidhjen e kësaj lufte. Nuk kam asnjë lidhje me Rusinë, por kam shumë për të bërë me vullnetin për të shpëtuar, mesatarisht, 5,000 ushtarë rusë dhe ukrainas në javë, të cilët vdesin pa arsye. Deklarata e lëshuar sot nga Zelensky vetëm do të zgjasë ‘kampin e shfarosjes’ dhe askush nuk e dëshiron këtë!”, theksoi presidenti Trump.

“Mezi pres të ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë të dalin nga ky kaos total, i cili nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha president, dhe askush nuk e dëshiron këtë!”, përfundoi Trump.

 

OBSH: Fëmijët në Evropë janë në rrezik nga rrjetet sociale, nevojiten veprime urgjente

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për veprime urgjente në Evropë, duke nënvizuar shqetësimin se përdorimi i pa kontrolluar i rrjeteve sociale po rritet ndër fëmijët, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut të varësisë nga lojërat online dhe pasojave negative për shëndetin mendor.

Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, deklaroi se përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale ka çuar në një rritje të rasteve të depresionit, bullizmit, ankthit dhe performancës të ulët në shkollë mes adoleshentëve. Ai theksoi se janë të nevojshme masa të menjëhershme dhe të qëndrueshme për të adresuar këtë problem.

Në vitin 2022, 11% e adoleshentëve kanë treguar shenja të përdorimit të dëmshëm të rrjeteve sociale, një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2018, kur kjo shifër ishte 7%. Të dhënat janë mbledhur nga një anketë që përfshiu 280,000 fëmijë nga 44 shtete të Evropës, Azisë Qendrore dhe Kanadasë, përcjell albinfo.ch.

Një tjetër shqetësim është përdorimi i lojërave online, i cili prek një e treta e adoleshentëve, me 22% që kalojnë më shumë se katër orë çdo ditë duke luajtur. Ky fenomen është më i përhapur te adoleshentët rumunë, ku deri në 28% e tyre janë të prekur, ndërsa më i ulëti është në Holandë me vetëm 3%.

OBSH kërkon që autoritetet dhe shoqëria të bashkëpunojnë për të mbrojtur fëmijët nga efektet e dëmshme të teknologjisë dhe të sigurojnë që ata të rriten në një mjedis të shëndetshëm dhe të balancuar.

 

Eurovision 2025: Shfaqja që do të tronditë skenën në Zvicër

Me fillimin e fazës përfundimtare të përgatitjeve për Eurovision 2025, të cilat do të zhvillohen në Bazel të Zvicrës, fansat e konkursit janë në pritje të një shfaqjeje që do të kalojë çdo kufi të imagjinatës. Producenti i njohur, Christer Björkman, ka zbuluar disa detaje intriguese në lidhje me përgatitjet dhe disa prej hyrjeve që do të bëjnë bujë këtë vit.

Në një intervistë të fundit për “The Euro Trip”, Björkman u shpreh se një nga performancat e këtij edicioni ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme, duke u shfaqur si një inovacion i vërtetë në aspektin koreografik. “Kemi një performancë që përfshin kulla të bëra me skela. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë. Është një paraqitje vërtet mbresëlënëse. Mezi pres ta shoh në skenë,” tha Björkman, duke lënë të kuptohet se ky do të jetë një moment i paharrueshëm i edicionit të ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, shumë spekulojnë se ky koment mund t’i referohet Qipros dhe artistit Theo Evan, i cili ka treguar se kënga e tij do të përmbajë një sekret të zbuluar vetëm në skenë. Theo Evan ka shpjeguar se performanca e tij do të jetë një surprizë e madhe, larg koncepteve tradicionale të Eurovision-it: “Ne do të sjellim një paraqitje që do të befasojë. Nuk do të ndjekim recetën klasike me katër kërcimtarë në akt. Dua të eksperimentoj si artist, dhe do të shihni diçka të re,” theksoi ai.

Përveç elementeve koreografikë, Björkman ka zbuluar gjithashtu se do të ketë performanca me elementë fluturues në skenë, një novitet që ndoshta nuk është parë asnjëherë më parë në Eurovision: “Për herë të parë do të kemi njerëz që fluturojnë mbi skenë. Ky do të jetë një element argëtues për publikun,” shtoi Björkman.

Me këtë edicion të Eurovision 2025, Zvicra po përgatitet për një shfaqje që pritet të thyejë kufijtë e mundësive skenike dhe të sjellë një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit dhe fansat e këtij konkursi legjendar. Tashmë, të gjithë sytë janë drejt Bazelit, ku do të zbulohet më shumë për këtë ngjarje të mrekullueshme.

Gjykata godet Trumpin: ‘Zëri i Amerikës’ shpëtohet nga mbyllja

Një gjykatës federal ka marrë një vendim të rëndësishëm për “Zërin e Amerikës”, duke i dhënë të drejtë këtij transmetuesi të ruajë operacionet e tij. Ai ka urdhëruar administratën Trump të rikthejë të gjitha vendet e punës dhe fondet që ishin pezulluar për këtë media dhe organizata të tjera të mbështetura nga SHBA, duke e konsideruar mbylljen e tyre një shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Ky vendim ka ardhur pas një urdhri të Shtëpisë së Bardhë, e cila kishte pezulluar më shumë se 1,300 punonjës të “Zërit të Amerikës”, përfshirë rreth 1,000 gazetarë, duke e akuzuar transmetuesin si një organ “anti-Trump” dhe “radikal”. Sipas vendimit të gjykatës, administrata kishte vepruar pa marrë parasysh dëmin që shkaktonte për punonjësit, gazetarët dhe audiencat në mbarë botën.

“Zëri i Amerikës”, që ka luajtur një rol kyç në kundërshtimin e propagandës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është një burim i rëndësishëm informacioni për audiencat ndërkombëtare, nuk ka mundur të raportojë lajme për herë të parë në 80 vitet e ekzistencës së tij. Gjykatësi Royce Lamberth ka shpallur se administrata e Trumpit nuk ka autoritetin për të mbyllur këtë shërbim, i cili është financuar nga Kongresi dhe ka një mandat legjislativ për të ofruar lajme të besueshme.

Filmat e realizuar me Inteligjencë Artificiale mund të fitojnë çmimet kryesore në “Oscar”

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar se përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI) dhe mjeteve digjitale nuk do të ndikojë negativisht në shanset për të fituar çmimet kryesore në ceremoninë e “Oscar”-it.

Kjo lëvizje erdhi pas një rishikimi të rregullave të Akademisë, të cilat u bënë të ditura javën e kaluar, dhe pas përdorimit të AI-së në disa filma të vlerësuar me çmime kryesore vitin e kaluar, transmeton albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja, filmi i realizuar me asistencën e teknologjive si AI nuk do të përjashtohet nga mundësia për të marrë një nominim; përkundrazi, përdorimi i tyre mund të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi. Akademia theksoi se, megjithatë, do të vazhdojë të marrë në konsideratë përfshirjen e elementeve njerëzore në procesin e përzgjedhjes dhe vlerësimit të fituesve.

Ndryshimet u bazuan në rekomandimin e Këshillit të Shkencës dhe Teknologjisë të Akademisë, i cili ka shqyrtuar ndikimin e AI-së në industrinë e filmit. Po ashtu, si pjesë e rregullave të reja, anëtarët e Akademisë do të kenë për detyrë të shikojnë të gjithë filmat e nominuar për çmime para se të marrin pjesë në rundin përfundimtar të votimit.

Teknologjitë e AI-së kanë shpërthyer në industrinë e filmit pas suksesit të disa filmave të vitit të kaluar që përdorën AI për të përmirësuar performancat aktoriale dhe elementët vizualë. Për shembull, Adrian Brody fitoi çmimin për aktorin më të mirë për rolin në filmin The Brutalist, ku AI ndihmoi në përmirësimin e theksit të tij në një gjuhë të huaj.

Përdorimi i AI-së është bërë gjithashtu temë diskutimi e nxehtë pas përdorimit të tij për të përmirësuar zërin në muzikale, si në rastin e “Emilia Perez”, fituesit të Oscar-it për filmin më të mirë muzikor. Megjithatë, kjo teknologji ka ngritur shqetësime te aktorët dhe këngëtarët, të cilët frikësohen se mund të ndikojë në karrierën e tyre, përfshirë mundësinë e humbjes së vendeve të punës.

Tuneli më i gjatë në botë po merr formë nën Detin Baltik: Një projekt gjigant që po ndryshon hartën e Evropës

Një ndër projektet më ambicioze të shekullit XXI po zhvillohet mes Danimarkës dhe Gjermanisë, ku punimet për ndërtimin e tunelit Fehmarnbelt janë në kulmin e tyre. Ky tunel, i cili do të shtrihet mbi 18 kilometra nën Detin Baltik, premton të bëhet lidhja më e gjatë rrugore dhe hekurudhore në botë, duke sjellë një revolucion në infrastrukturën transportuese evropiane.

Synimi kryesor i këtij mega-projekti është reduktimi drastik i kohës së udhëtimit mes Kopenhagës dhe Hamburgut – nga pesë orë aktualisht, në vetëm 2 orë e gjysmë. Por, përtej lehtësirave për pasagjerët, tuneli pritet të ketë ndikim të madh edhe në transportin ndërkombëtar të mallrave, duke forcuar lidhjet ekonomike mes Skandinavisë dhe pjesës qendrore të Evropës.

Në vend që të gërmohet tradicionalisht në shtratin e detit, tuneli po ndërtohet me një metodë të avancuar: elementë gjigantë, të parafabrikuar prej betoni dhe çeliku, po montohen si pjesë “Lego” mbi det, për të krijuar një strukturë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Çdo pjesë është e gjatë 217 metra dhe e gjerë 42 metra, duke kërkuar një precizion të jashtëzakonshëm në montim.

Në ishullin Lolland, në Danimarkën juglindore, është ngritur një kantier ndërtimi i përmasave industriale, përfshirë një port të posaçëm dhe fabrikë për ndërtimin e elementeve modulare të tunelit. Sipas Henrik Vincentsen, drejtori ekzekutiv i Femern – kompania shtetërore që po menaxhon projektin – kjo është një sipërmarrje inxhinierike që sfidon të gjitha rekordet: “Asnjëherë më parë nuk është ndërtuar një tunel i parafabrikuar në këtë shkallë. Ne jemi duke shkruar historinë e ndërtimit nënujor.”

Kostoja totale e projektit kap vlerën prej 7.4 miliardë eurosh, me pjesën më të madhe të financimit që vjen nga Danimarka dhe një kontribut të rëndësishëm prej 1.3 miliardë eurosh nga Komisioni Evropian, raporton BBC, përcjell albinfo.ch.

Përtej shifrave dhe sfidave teknike, Fehmarnbelt paraqet një vizion të qartë për një Evropë më të lidhur, më të shpejtë dhe më miqësore me mjedisin. Ky tunel nuk është vetëm një rrugë e re – por një simbol i progresit teknologjik dhe bashkëpunimit ndërkufitar në zemër të kontinentit.

 

Një diabet ndryshe: “Tipi 5”, sëmundja e panjohur që kërcënon miliona jetë

Një formë e re e diabetit, e cila për vite me radhë është keqinterpretuar dhe trajtuar gabimisht, ka marrë emrin dhe njohjen.

Quhet “diabeti i tipit 5” dhe sipas ekspertëve, është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore për komunitetet e varfra në botë.

Ky lloj diabeti, ndryshe nga tipat më të njohur – tipi 1 dhe tipi 2 – nuk ka të bëjë as me mungesën e plotë të insulinës dhe as me rezistencën ndaj saj. Ai buron nga një faktor shpesh i injoruar: kequshqyerja. Dhe ndonëse sëmundja prek rreth 25 milionë njerëz globalisht, shumë pak dinë për ekzistencën e saj.

“Për një kohë të gjatë, kjo sëmundje është klasifikuar gabimisht si diabet i tipit 1”, shpjegon prof. Meredith Hawkins nga Kolegji i Mjekësisë “Albert Einstein”. “Por trajtimi i saj me insulinë mund të jetë i rrezikshëm – madje vdekjeprurës.”, shkruan ‘The Sun”, transmeton albinfo.ch.

Në prill të këtij viti, gjatë Kongresit Botëror të Diabetit në Bangkok, Federata Ndërkombëtare e Diabetit mori vendimin historik për ta emërtuar zyrtarisht këtë gjendje si “diabet i tipit 5”. Një hap që pritet të ndryshojë mënyrën sesi mjekët dhe studiuesit e trajtojnë këtë diagnozë të ndërlikuar.

Sëmundja prek më së shumti të rinj të dobët dhe të kequshqyer në Azi dhe Afrikë, shpesh me një indeks të masës trupore të ulët, ndonëse brenda kufijve “normalë”. Kjo e bën të vështirë diagnostikimin dhe shpesh çon në trajtime të gabuara.

“Qelizat beta në pankreasin e këtyre pacientëve nuk funksionojnë normalisht dhe prodhimi i insulinës është i kufizuar,” thotë prof. Nihal Thomas nga India. “Problemi është se këta pacientë nuk kanë nevojë për të njëjtin trajtim si ata me tipin 1 ose 2.”

Ky keqkuptim mund të kushtojë jetë. Disa pacientë që janë trajtuar me insulinë kanë përjetuar rënie të rrezikshme të nivelit të sheqerit në gjak, pasi trupat e tyre nuk janë në gjendje të ruajnë apo të përthithin energjinë siç duhet. Si rezultat, ata mbeten të dobët, edhe kur ushqehen mjaftueshëm.

Prof. Hawkins ishte ndër të parat që ngriti alarmin për këtë fenomen në vitin 2005. Pas një dekade kërkimesh dhe studimesh, ajo dhe kolegët e saj arritën në përfundimin se bëhej fjalë për një formë të re të diabetit, me rrënjë të thella në varfëri dhe kequshqyerje kronike.

Ajo thekson se aktualisht nuk ekziston një protokoll standard për trajtimin e tipit 5, dhe shumë pacientë humbasin jetën brenda një viti nga diagnostikimi. Dietat e pasura me proteina dhe mikronutrientë, bashkë me një reduktim të karbohidrateve, mund të ofrojnë një rrugë të re trajtimi – por nevojiten më shumë kërkime.

“Ky është një moment kyç,” shton Hawkins. “Njohja zyrtare e tipit 5 nuk është thjesht një emër i ri. Është një thirrje për veprim – për mjekët, studiuesit dhe politikëbërësit.”

 

Pas incidenteve me tren, Policia e Kosovës në aksion për të gjobitur ata që shkelin rregullat

Pas dy incidenteve të rënda me tren që tronditën fshatin Stupë në komunën e Klinës, Policia e Kosovës ka nisur një aksion të ashpër kontrolli përgjatë vijës hekurudhore. Operacioni, i cili nisi mëngjesin e sotëm, synon të vendosë rregull dhe të parandalojë tragjedi të tjera.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale në Pejë, që nga ora 08:30 e datës 23 prill, patrullat policore janë vendosur në kalimet hekurudhore për të monitoruar respektimin e shenjave të komunikacionit, me fokus të veçantë tek shenja “STOP”.

“Ky aksion është rezultat i dy aksidenteve të ndodhura javën e kaluar dhe ka për qëllim vetëdijesimin e drejtuesve të automjeteve që të ndalen në kalimet hekurudhore”, thuhet në komunikatë, transmeton albinfo.ch.

Në vetëm pak orë, autoritetet raportojnë se janë shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj shoferëve që kanë shpërfillur rregullat. “Qëllimi nuk është ndëshkimi, por ruajtja e jetës – sepse këto neglizhenca po paguhen me jetë njerëzish”, nënvizon më tej Policia.

Aksioni do të vazhdojë pa afat

Zyrtarët kanë paralajmëruar se ky kontroll nuk është i përkohshëm. Ai do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa siguria në zonën e vijës hekurudhore të rikthehet në nivelin e duhur.

“Apelojmë tek të gjithë qytetarët, sidomos vozitësit, që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht kur afrohen te kalimet mbi binarë”, përfundon njoftimi.

PSG “ngacmon” Zhegrovën – një verë e nxehtë pritet për yllin e Kosovës

Nga Franca vjen një lajm që mund të ndezë afatin kalimtar të verës. Edon Zhegrova është në radarët e Paris Saint-Germain.

Sipas mediumit francez Foot Sur 7, gjiganti parisien ka shënjestruar yllin e përfaqësueses së Kosovës si pasuesin ideal të Kang-In Lees, i cili pritet të largohet nga “Parc des Princes”. Koreano-jugori nuk po bind trajnerin Luis Enrique dhe përflitet për një kalim të mundshëm te Manchester United.

Në këtë situatë, syri i PSG-së bie mbi një emër të njohur në Ligue 1 – Edon Zhegrova. Edhe pse aktualisht jashtë fushave për shkak të një lëndimi në ije të pësuar në dhjetor të kaluar kundër Marseille, 26-vjeçari ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij brilante për Lille këtë sezon.

Në vetëm 21 paraqitje, Zhegrova ka kontribuar me tetë gola dhe dy asistime – statistikë që flet vetë. Veçanërisht, shkëlqimi i tij në mbrëmjet e mëdha të Ligës së Kampionëve, kundër skuadrave si Real Madrid e Juventus, e ka vënë në qendër të vëmendjes, përcjell albinfo.ch.

Novartis dhe Sanofi kërkojnë çmime më të larta për barnat në Europë

Kompanitë farmaceutike zvicerane dhe franceze, Novartis dhe Sanofi, po kërkojnë rritje të çmimeve të barnave në Europë.

Në një letër të hapur të publikuar të mërkurën në gazetën britanike Financial Times, drejtorët ekzekutivë të të dy kompanive kërkuan që Bashkimi Europian të përshtasë politikat e çmimeve me ato të Shteteve të Bashkuara.

Sipas CEO-së së Novartis, Vas Narasimhan, dhe atij të Sanofi, Paul Hudson, çmimet më të larta nxisin inovacionin dhe tërheqin investime në industrinë farmaceutike europiane. Ata paralajmërojnë se konkurrueshmëria e kompanive farmaceutike në Europë po bie dhe pasiguritë lidhur me tarifat doganore po dekurajojnë investimet, transmeton albinfo.ch.

Rënia e investimeve në farmacitë europiane
Çmimet e ulëta të barnave në BE po pengojnë rritjen dhe po e bëjnë më pak tërheqëse inovacionin, theksojnë Narasimhan dhe Hudson. Përballë rrezikut të tarifave doganore dhe konkurrencës në rritje nga Kina, ata ngrejnë alarmin për një ulje të mundshme të investimeve në kontinent.

Të dy drejtuesit i bënë thirrje Komisionit Europian të caktojë një objektiv të qartë për shpenzimet për barna dhe vaksina, si dhe të vendosë çmime referuese të ngjashme me ato neto në SHBA, të përshtatura me zbritje kur është e nevojshme. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, çmimet e barnave në SHBA janë gati tri herë më të larta se në vendet e tjera të krahasueshme.

Ata gjithashtu kritikuan burokracinë europiane dhe kërkuan fundin e masave kombëtare që kufizojnë vëllimin e tregut dhe uljet e çmimeve për indikacionet e reja.

Investimet në SHBA në rritje
Ndërkohë, industria farmaceutike amerikane po përjeton një bum investimesh. Novartis ka njoftuar planet për të investuar 23 miliardë dollarë (19 miliardë franga zvicerane) në prodhim dhe kërkime, ndërsa Roche synon të investojë 50 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme.

Çfarë të bëni nëse përjetoni racizëm në Gjermani

Numri i rasteve të raportuara të racizmit në Gjermani është në rritje, kështu që çfarë duhet të bëjnë banorët e huaj nëse janë viktima të diskriminimit racor ose dëshmojnë një incident të tillë? Lana O’Sullivan shpjegon veprimet që mund të ndërmerrni.

Në vitin 2023, ankesa për diskriminim racor u rritën me 22% krahasuar me vitin 2022. Një raport tjetër tregoi se mbi 60% e njerëzve me ngjyrë – dhe pothuajse gjysma e grupeve etnike ose fetare – përballen me diskriminim të rregullt. Në vitin 2024, 58.3% e pjesëmarrësve në një studim thanë se kishin vënë re një rritje të ksenofobisë.

Racizmi prek të gjitha nivelet e shoqërisë gjermane, nga shëndetësia në punësim, strehim dhe arsimin. Kohët e fundit, janë raportuar raste ku fëmijët bullizohen aq shumë saqë kanë frikë të shkojnë në shkollë ose madje sulmohen hapur gjatë ditës.

Ky problem ekziston edhe në nivelin politik. Pavarësisht se është etiketuar si një organizatë “ekstremiste e dyshuar”, partitë e djathta si Alternativa për Gjermaninë (AfD) kanë vazhduar të fitojnë mbështetje në Gjermani. Partia anti-migrant ka arritur rezultatin më të lartë në zgjedhjet federale të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Ky fenomen nuk po ndodh në izolim. Në mbarë Evropën, racizmi është bërë gjithnjë e më i pranishëm dhe i pamëshirshëm në vitet e fundit. Në fund të vitit 2024, Komisionerja për Anti-Racizmin Reem Alabali-Radovan iu bashkua një deklarate të paprecedentë të Bashkimit Evropian që paralajmëronte për rritjen e ekstremizmit dhe urrejtjes.

Çfarë mund të bëni nëse përjetoni diskriminim racor?

Racizmi mund të marrë shumë forma – disa të dukshme dhe agresive, të tjera të fshehta dhe sistematike. Pyetje si “Nga jeni vërtet?”, “shaka” racore ose thjesht të injoroheni ose të refuzoheni janë ngjarje të zakonshme për shumë njerëz në Gjermani dhe përtej saj.

Edhe pse më pak të dukshme, këto akte forcojnë racizmin sistematik dhe janë provuar të jenë jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik. Megjithatë, shumica e incidenteve të racizmit nuk raportohet.

Nëse përjetoni racizëm ose diskriminim në Gjermani, njohja e mundësive tuaja mund t’ju ndihmojë të merrni kontroll në një moment të vështirë.

Hapi më i rëndësishëm i parë është ta merrni seriozisht emocionet tuaja dhe të mos minimizoni atë që po ndodh. Nëse është e mundur, kërkoni mbështetje nga miq, kolegë, shokë klase ose edhe dëshmitarë.

Nëse situata bëhet e tepërt, keni të drejtë ta largoni veten – nuk jeni të detyruar të duroni keqtrajtim. Nëse ndiheni të sigurt, mund të shpreheni qetësisht dhe qartë, duke theksuar se sjellja ose gjuha nuk është e pranueshme.

Referimi në politikat anti-diskriminim në vendin e punës ose universitetin tuaj – ose ligje gjermane si Ligji i Përgjithshëm mbi Trajtimin e Barabartë (AGG) – mund të ndihmojë në forcimin e pikës tuaj.

Hapat që mund të ndërmerrni pas incidentit:

Pasi të keni përjetuar racizëm, ndërmerrni hapa për t’u mbrojtur. Mund të ndihmojë të shkruani gjithçka që ka ndodhur sa më shpejt të jetë e mundur, përfshirë data, orë, emra dhe lokacione. Ruani çdo mesazh, email ose imazh të rëndësishëm dhe, nëse ka dëshmitarë, kërkoni që ata të shkruajnë atë që panë.

Nëse jeni sulmuar fizikisht, kërkoni kujdes mjekësor dhe fotografoni çdo lëndim, edhe nëse duket i parëndësishëm. Mbani çdo rrobë të dëmtuar ose objekt tjetër të kontaminuar. Një certifikatë mjekësore ose provë tjetër është e dobishme për çdo procedurë ligjore ose pretendim.

Mbështetje juridike dhe institucionale:

Gjermania ofron disa mundësi formale nëse vendosni të ndërmerrni veprime. Nëse ndiheni komod, mund të raportoni incidentin tek një autoritet punësimi ose edukimi si një supervizor ose lektor. Nëse kjo është e frikshme, mund të sjellni një person të besuar ose të kontaktoni me shkrim.

Nëse diskriminimi ndodh në një institucion publik si një qendër pune ose polici, mund të dorëzoni një ankesë formale në Agjencinë Federale të Anti-Diskriminimit. Viktimat e diskriminimit mund të padisin në gjykatat administrative ose civile dhe mund të kenë të drejtë për ndihmë ligjore të financuar nga shteti. Alternativisht, sigurimi ligjor mund të ndihmojë në këto raste.

Veprime që mund të ndërmerrni si dëshmitar:

Nëse jeni dëshmitar i diskriminimit racor – qofshin ato verbale, përjashtim, ngacmim ose dhunë – mbështetja juaj mund të bëjë një ndryshim të qëndrueshëm. Edhe nëse personi nuk është në rrezik të menjëhershëm, të ndërhyni ndihmon në shkatërrimin e izolimit që shumë viktima ndjejnë.

Në Gjermani, dështimi për të ofruar “ndihmën e nevojshme dhe të arsyeshme” gjatë një aksidenti, rreziku publik ose urgjence – i njohur si “unterlassene Hilfeleistung” – mund të sjellë një gjobë ose deri në një vit burg.

Nëse jeni dëshmitar, mbajeni qetësinë dhe vlerësoni situatën. Nëse është e sigurt ta bëni, bëhuni të pranishëm. Mund të qëndroni pranë personit, të flisni kundër diskriminimit, ose të redirektoni bisedën. Madje një pyetje e thjeshtë si “A jeni në rregull?” mund të ulë tensionin dhe të tregoni solidaritet.

 

Zvicra drejt rikthimit në “Erasmus Plus” por me një çmim trefish më të lartë

Nëse Zvicra do të bëhej sërish pjesë e programit arsimor të Bashkimit Evropian “Erasmus Plus” duke nisur nga viti 2027, kostoja e saj do të ishte rreth 181.1 milionë euro, ose afërsisht 170 milionë franga zvicerane – rreth tre herë më shumë se sa zgjidhja aktuale kombëtare.

Megjithatë, programi evropian ofron një gamë më të gjerë aktivitetesh dhe mundësish për studentët dhe studiuesit, sipas autoriteteve federale, transmeton albinfo.ch.

Qeveria federale kërkon të rikthehet në programin “Erasmus Plus”, pas shkëputjes në vitin 2021 për shkak të dështimit të marrëveshjes kornizë institucionale me BE-në. Aktualisht, mobiliteti ndërkombëtar mbështetet nga programe alternative me një fond prej 54.7 milionë CHF për këtë vit – por këto mundësi janë më të kufizuara.

Pritshmëritë për vitin 2027

Pas arritjes së një marrëveshjeje të re me BE-në në dhjetor 2024, Zvicra ka hapur rrugën për t’u rianëtarësuar në programe si “Erasmus Plus”. Marrëveshja është firmosur në fillim të prillit dhe është pjesë e një pakete të gjerë bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Federal dhe Komisionit Evropian.

 

Takim kulturor në Waldkirch me poeten Blerina Rogova Gaxha

Në kuadër të aktiviteteve kulturore dhe përkujtimore, Shoqata Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” nga St. Gallen, në bashkëpunim me SHKSH “Sharri” nga Waldkirch, organizojnë një ngjarje të veçantë kulturore në nderim të viktimave të gjenocidit dhe të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Ngjarja do të mbahet të shtunën, më 26 prill 2025, duke filluar nga ora 19:30, në adresën LEE 1551, 9304 Waldkirch SG, Zvicër. Mysafire speciale e kësaj mbrëmjeje do të jetë poetja e njohur Blerina Rogova Gaxha, e cila do të prezantohet për herë të parë para publikut shqiptar në këtë zonë.

Organizatorët ftojnë të gjithë dashamirët e librit dhe artit, por edhe ata që ndajnë dhimbjen e përbashkët për të zhdukurit, të marrin pjesë në këtë ngjarje të ndjeshme dhe të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Zvicër.

“Me praninë tuaj, do të nderoni autoren, kujtesën kolektive dhe të vërtetën për të kaluarën tonë,” thuhet në ftesën zyrtare të shoqatave organizatore.

Penalltitë mund të largohen në garën më të fortë për klube në Evropë

UEFA po mendon për ndryshime rrënjësore në Ligën e Kampionëve.

Janë konkretisht tri pikat sipas “Bild”, që të do të diskutohen më 30 maj në mbledhjen e Munihut.

Më e rëndësishmja prej tyre, që do të sillte ndryshim rrënjësor, është heqja e kohës shtesë.

Kështu do të kalohet direkt te penalltitë në rast barazimi brenda 90 minutave.

Një zgjedhje kjo, që synon të lehtësojë ngarkesën fizike te lojtarët, transmeton albinfo.ch.

Tjetër pikë interesante do të jetë ajo që lidhet te faza me eliminim direkt. Tetë skuadrat që renditen në vendet e para të ligës, do të luajnë ndeshjet e kthimit në shtëpi përgjatë fazës në vazhdim. Gjatë këtij sezoni, ky rregull kishte vlerë vetëm për raundin e 16-sheve.

Tjetër ndryshim që mund të miratohet, është ndalesa e përballjeve të skuadrave brenda një shteti deri në çerekfinale. Kështu do të ndalohen përballjet direkte sapo përfundon faza e ligës.

Rekomandohet suspendimi i dy policëve, dështuan të arrestojnë të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të angazhuar në stacionin policor të Kaçanikut, pas dyshimeve për neglizhencë serioze dhe dështim në përmbushjen e detyrave zyrtare në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, shkruan albinfo.ch.

Sipas njoftimit të IPK-së, një toger policor, i cili mban pozitën e shefit të sektorit të operativës, dyshohet se ka qenë në dijeni për urdhëresën për arrestimin e të dyshuarit R.B., por nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe ndalimin e tij.

Po ashtu, një rreshter policor i caktuar si mbikëqyrës në njësinë ndërlidhëse për gjykata dyshohet se ka dështuar të raportojë në kohë dhe saktë për urdhëresën për arrest dhe nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.

“Dështimi i zyrtarëve policorë në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor, si dhe për hetim administrativ dhe penal”, thuhet në komunikatën e IPK-së, transmeton albinfo.ch.

Distria Krasniqi, kampione e Evropës në xhudo për herë të tretë

Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka arritur një tjetër sukses të madh ndërkombëtar, duke u shpallur kampione e Evropës në kategorinë deri në 52 kilogramë. Gara u mbajt të mërkurën në Podgoricë të Malit të Zi, ku Distria fitoi medaljen e artë pas një paraqitjeje dominuese, transmeton albinfo.ch.

Në finalen e madhe, ajo mposhti kampionen në fuqi të botës, italianen me përvojë Odette Giuffrida, duke realizuar dy herë teknikën “Yuko” dhe duke vulosur fitoren. Kjo është hera e tetë që Distria del fituese ndaj Giuffridës, në një rivalitet të gjatë me 12 përballje në total.

Ky është titulli i tretë evropian për 29-vjeçaren kosovare; ajo më parë kishte triumfuar në Lisbonë më 2021 dhe në Zagreb më 2023, ndërsa në vitet e kaluara ka fituar edhe dy medalje të argjendta dhe dy të bronzta në kampionate evropiane.

Rruga drejt finales ishte mbresëlënëse. Në raundin e parë, ajo dominoi ndaj serbes Milica Nikoliq, duke e detyruar kundërshtaren të marrë tri dënime dhe duke fituar me ippon. Në çerekfinale, e mposhti holandezen Naomi van Krevel me një “Yuko” dhe më pas me ippon pas vetëm 1 minute e 5 sekonda. Ndërkohë, në gjysmëfinale, fitorja ndaj spanjolles Ariane Toro Soler erdhi pas një tjetër hedhjeje mjeshtërore, vlerësuar me ippon pas 1 minute e 21 sekonda.

Me këtë triumf, Distria siguron një tjetër kapitull të artë për sportin e Kosovës, ndërsa Kampionati Evropian i vitit 2025 tashmë konsiderohet i suksesshëm për përfaqësuesen kosovare.

E arta e Podgoricës është vetëm suksesi më i fundit i Krasniqit, e cila tashmë numëron edhe një medalje të artë dhe një të argjendtë olimpike, transmeton albinfo.ch.

BE gjobit Apple dhe Meta

Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën vendosjen e sanksioneve të para financiare sipas Rregullores së Tregjeve Dixhitale (DMA), duke goditur dy prej gjigantëve amerikanë të teknologjisë: Apple dhe Meta (kompania mëmë e Facebook dhe Instagram), shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Apple u gjobit me 500 milionë euro (rreth 469 milionë franga zvicerane) për vendosjen e kushteve të padrejta në platformën e saj App Store, që dëmtonin ofruesit e aplikacioneve dhe përdoruesit. Sipas Komisionit, Apple ka penguar zhvilluesit që të komunikojnë drejtpërdrejt me përdoruesit për oferta alternative jashtë App Store, duke kufizuar kështu konkurrencën dhe lirinë e zgjedhjes për konsumatorët.

Ndërkohë, Meta do të duhet të paguajë 200 milionë euro për shkeljen e një rregulli që ndalon përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve pa pëlqimin e tyre të qartë. Kompania nuk ka respektuar detyrimin për të marrë leje për kombinimin e të dhënave midis shërbimeve të ndryshme, si Facebook dhe Instagram, për qëllime reklamimi.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike, ndërsa BE-ja është në negociata me administratën e presidentit amerikan Donald Trump për heqjen e tarifave doganore të vendosura më herët, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht rëndësisë së vendimit, Komisioni Evropian shmangu një konferencë për shtyp dhe publikoi vendimin vetëm përmes një deklarate zyrtare.

Apple reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin si “të padrejtë” dhe njoftoi se do ta apelojë, por pa ndërprerë komunikimin me Komisionin. Nga ana tjetër, Meta kishte propozuar më herët një ndryshim të praktikave të saj, çka ndikoi në uljen e gjobës ndaj saj krahasuar me Apple. Propozimi i Meta-s është ende në shqyrtim dhe mund të rezultojë në mbylljen e procedurës nëse vlerësohet i mjaftueshëm.

Komisioni paralajmëroi se, nëse kompanitë nuk zbatojnë vendimet brenda 60 ditësh, do të përballen me gjoba të përsëritura dhe më të rënda, transmeton albinfo.ch.