4 votimet e mundshme për marrëveshjet Zvicër-BE

Qeveria zvicerane (Këshilli Federal) planifikon të paraqesë në Parlament katër vendime federale mbi marrëveshjet e reja me Bashkimin Evropian: një për stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe tre për zhvillimin e mëtejshëm në fushat e sigurisë ushqimore, energjisë elektrike dhe shëndetësisë, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, këto marrëveshje nuk mund të hyjnë në fuqi nëse paketa e stabilizimit refuzohet.

1. Paketa e stabilizimit përfshin tre aspekte:

Zhvillimi i mëtejshëm i marrëveshjeve ekzistuese në fushat e transportit ajror e tokësor, njohja e ndërsjellë e standardeve të produkteve, tregtia e produkteve bujqësore dhe lëvizja e lirë e njerëzve.

Futja e elementeve institucionale.

Rregullat për ndihmën shtetërore.

Ndër pikat më të diskutuara është klauzola mbrojtëse për lëvizjen e lirë, e cila, sipas Këshillit Federal, do të mund të aktivizohet në mënyrë të pavarur nga Zvicra në të ardhmen.

2. Marrëveshja për energjinë elektrike

Qëllimi është forcimi i sigurisë së furnizimit dhe stabilitetit të rrjetit, si dhe thjeshtimi i tregtisë me energji elektrike. Kjo marrëveshje do të integrojë operatorin zviceran të rrjetit në proceset evropiane dhe do të lejojë liberalizim të pjesshëm të tregut – duke i dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin ofruesin e tyre të energjisë. Marrëveshja nuk parashikon rregullore të reja mjedisore për Zvicrën.

3. Marrëveshja për sigurinë ushqimore

Qeveria ka theksuar nevojën për të reduktuar rreziqet nga produktet e falsifikuara ose të kontaminuara. Marrëveshja synon krijimin e një zone të përbashkët për sigurinë ushqimore me BE-në. Politikat bujqësore nuk do të harmonizohen dhe përjashtime të veçanta do të ruajnë standardet zvicerane.

4. Marrëveshja për shëndetësinë

Në rast krizash shëndetësore, si pandemia e koronavirusit, kjo marrëveshje do të forcojë bashkëpunimin me BE-në. Zvicra do të ketë qasje në mekanizmat evropianë të sigurisë shëndetësore dhe në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Kjo do të përmirësojë aftësinë për paralajmërime të hershme dhe përgjigje ndaj krizave.

Sa të huaj të pasur marrin një nga vizat e arta të Zvicrës?

Vetëm një numër i vogël shtetasish nga vende jashtë BE-së dhe EFTA-s kanë marrë të ashtuquajturën “vizë e artë”, e cila u mundëson atyre të jetojnë në Zvicër — por ky numër është në rritje.

Nëse nuk jeni shtetas i Bashkimit Evropian apo EFTA-s (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), gjasat tuaja për të jetuar në Zvicër janë të vogla.

Përveç rasteve kur jeni shumë i pasur — atëherë mundësitë rriten ndjeshëm.

Kjo sepse zviceranët janë shumë pragmatikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për para.

Një nen pak i njohur (përveç nga ata financiarisht të zgjuar) dhe rrallë i përdorur i Ligjit Federal për të Huajt, Neni 30, përjashton disa persona nga rregullat e zakonshme, të rrepta, për pranimin në vend.

Ai lejon shtetasit e vendeve të treta të zhvendosen në Zvicër — por vetëm nëse janë mjaftueshëm të pasur për të jetuar këtu pa pasur nevojë të punojnë apo të përfitojnë ndihma sociale, transmeton albinfo.ch.

Ligji thotë se, në raste me “interes të rëndësishëm publik” — që nënkupton shumë para në arkën shtetërore — kantonet mund t’u japin shtetasve të vendeve të treta leje qëndrimi B për t’u vendosur në territorin e tyre.

Këto janë të ashtuquajturat “visa të arta”, një term që përshkruan të drejtën e qëndrimit në bazë të investimit në ekonominë vendore.

St. Gallen ndalon njohjen automatike të fytyrës në hapësirat publike

Qyteti i St. Gallen është i pari në Zvicër që ndalon në mënyrë eksplicite përdorimin e teknologjisë për njohjen automatike të fytyrës në hapësirat publike.

Në sheshe, nënkalime apo stadiume futbolli – kamerat e sigurisë janë tashmë pjesë e zakonshme e qyteteve zvicerane. Por në St. Gallen, këto kamera nuk do të lejohen të analizojnë automatikisht fytyrat e njerëzve. Këtë vendim e mori parlamenti i qytetit, transmeton albinfo.ch.

Një hap drejt mbrojtjes së lirive demokratike

St. Gallen po udhëheq rrugën në këtë drejtim, ndërsa qytete të tjera si Cyrihu, Lozana, Lucerni dhe Gjeneva janë ende në fazë diskutimi për rregulloret lidhur me këtë teknologji.

Parlamenti i qytetit përdori një gjuhë të fortë në këtë vendim, duke e cilësuar njohjen automatike të fytyrës si “mbikëqyrje masive”. Shumica e majtë-jeshile argumentoi se nëse inteligjenca artificiale përdoret për të analizuar fytyrat në mënyrë të vazhdueshme, kjo rrezikon demokracinë dhe jetën publike.

“Ata që refuzojnë ndalimin janë të gatshëm të sakrifikojnë liritë demokratike për një ndjenjë të rreme sigurie. Inteligjenca artificiale ofron mundësi, por edhe rreziqe serioze për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.”, deklaroi deputetja socialdemokrate Marlène Schürch.

Kundërshtimet dhe debati juridik

Partia Popullore Zvicerane (SVP) ishte pothuajse e vetme në kundërshtim. Deputeti René Neuweiler argumentoi se ndalimi ishte një hap pas në përdorimin e teknologjive të reja dhe përmendi raste të mundshme të krimeve që mund të parandaloheshin me ndihmën e AI-së.

Sidoqoftë, sipas profesoreshës së së drejtës penale në Universitetin e St. Gallen, Monika Simmler, çështja aktualisht është më shumë simbolike:

“Për sa kohë që njohja e fytyrës nuk është e lejuar në mënyrë të qartë, ajo mbetet e ndaluar dhe nuk mund të përdoret.”

Simmler thekson se duhet të bëhet dallim midis përdorimit të teknologjisë për hetime të rënda penale dhe mbikëqyrjes parandaluese të qytetarëve në hapësirat publike. Sipas saj, nuk ka asnjë arsye që kjo e fundit të ndodhë tani.

Ndikimi në përditshmëri: i papërceptueshëm

Për popullatën, ky vendim nuk sjell ndryshim të dukshëm. Kamerat ekzistuese do të qëndrojnë, por pa analizuar të dhënat biometrike.

Lucerni dëshiron të rregullojë me ligj kujdesin spitalor

Më 18 maj, qytetarët e kantonit të Lucernit do të votojnë për ligjin e rishikuar të spitaleve. Ky ligj parashikon që Spitali Kantonal i Lucernit (LUKS) të ofrojë kujdes bazë dhe shërbime urgjente në tri lokacione: Lucern, Sursee dhe Wolhusen.

Më shumë siguri për banorët
“Me ligjin e ri për spitalet, mund të krijojmë besim se kujdesi bazë është i garantuar në të gjithë kantonin,” deklaron këshilltari kantonal nga SP, Marcel Budmiger. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Wolhusen-in, ku ndërtimi i një spitali të ri ka shkaktuar debat të madh për shkak të paqartësisë rreth shërbimeve që do të ofrohen.

Çfarë do të përfshijë ligji?
Ligji i ri do të përcaktojë se në të tria spitalet duhet të ofrohen të paktën shërbimet e mjekësisë së brendshme, kirurgjisë së përgjithshme, gjinekologjisë/obstetrikës, anestezisë, kujdesit intensiv (në nivel të një reparti monitorimi) dhe një departament emergjence ndërdisiplinor me shërbim 24-orësh.

Kjo nismë ka përkrahjen e partive kryesore në parlament – Qendra, SVP, FDP, SP dhe Të Gjelbrit. Për të arritur kompromisin, SVP hoqi dorë nga një iniciativë popullore e mëparshme, përcjell albinfo.ch.

Kundërshtimet: fleksibiliteti vs. politika
Partia e Liberalëve të Gjelbër (GLP) kundërshton ligjin dhe nisi një referendum. “Ofertat e një spitali duhet të bazohen në arsye mjekësore, jo politike,” thotë këshilltarja kantonale Riccarda Schaller. Ajo e sheh ligjin si një kufizim të panevojshëm për LUKS.

Kjo pikëpamje tani po gjen mbështetje të papritur edhe nga anëtarë të FDP-së dhe partisë Qendra. “Ligji ekzistues tashmë garanton tre lokacione spitalore në kanton,” thotë këshilltarja nga FDP, Heidi Scherer. “Frika nga mbyllja e spitaleve është thjesht alarmizëm.”

Edhe organizata ekonomike AWG, e afërt me Qendrën, është kundër: “Spitali duhet të mund të veprojë sipas logjikës së biznesit, dhe të mos detyrohet të ofrojë shërbime kur nuk ka më mjaft pacientë,” thekson presidenti i AWG-së, Josef Wyss.

Përkrahësit e ligjit theksojnë se ai nuk do të sjellë rritje të kostove shëndetësore, sepse shërbimet që përmenden tashmë ofrohen. “Nuk po zgjerojmë shërbimet, vetëm po i përforcojmë ato që ekzistojnë,” thotë Angela Lüthold nga SVP.

Përkrahës e kundërshtarë
Ligji i ri mbështetet nga Qeveria e Lucernit, Qendra, SVP, SP dhe Të Gjelbrit. Kundërshtarë janë FDP dhe GLP.

 

Kur bota mbeti në errësirë, ndërprerjet më të mëdha të energjisë elektrike në histori

Nga rrufe që shkrumbojnë transformatorë, deri te gabime njerëzore që dominojnë kontinentet, ndërprerjet e mëdha të energjisë janë më shumë sesa një ndalesë në furnizim — janë pasqyrë e brishtësisë së një sistemi jetik.

Nëntori i zi i Amerikës së Veriut
Ishte ora 17:15 e datës 9 nëntor 1965 kur verilindja e SHBA-së dhe pjesë të Kanadasë u zhytën në errësirë. Brenda 12 minutash, një defekt në hidrocentralin Sir Adam Beck në Kanada rrëzoi rrjetin elektrik, duke ndikuar mbi 30 milionë njerëz. Tetë shtete amerikane dhe provincia e Ontarios u paralizuan për 13 orë, në një nga blackout-et më të famshme të shekullit.

India dhe kolapsi më i madh global
Në korrik të vitit 2012, India përjetoi atë që konsiderohet ndërprerja më masive në histori. Rrjetet e vjetra, nxehtësia ekstreme dhe koordinimi i dobët mes operatorëve çuan në kolapsin e sistemit. Rreth 620 milionë njerëz — afro 10% e popullsisë botërore — mbetën pa energji. Ndërprerja ndikoi në çdo aspekt të jetës: trenat ndaluan, minierat u bllokuan, metrotë u fikën dhe qindra qytete u zhytën në kaos, transmeton albinfo.ch.

Kur rrufeja godet qytetin që nuk fle
Mbrëmja e 13 korrikut 1977 në Nju Jork ishte ngjitja e një spirale krize. Goditjet e rrufesë prishën zinxhirin e furnizimit me energji dhe një qytet i lodhur nga kriza ekonomike, papunësia dhe vala e të nxehtit humbi kontrollin. Brenda 24 orëve, qyteti u përfshi nga plaçkitjet dhe dhuna: 1 600 dyqane u shkatërruan, qindra makina u dogjën dhe mbi 4 000 persona u arrestuan. Ishte një natë pa drita, por me pasoja të thella sociale.

Rasti italian — një zinxhir që mori gjithë gadishullin
Italia nuk ka mbetur imune. Në orët e para të 28 shtatorit 2003, një defekt në një linjë të rëndësishme në Zvicër shkaktoi një reagim zinxhir që errësoi pothuajse gjithë gadishullin. Përjashtim bënë vetëm Sardenja dhe Capri, të mbrojtura nga rrjetet e tyre të pavarura. Transporti publik, aeroportet dhe sistemet emergjente u paralizuan për mbi 20 orë.

E sotmja që na rikujton të djeshmen
Ndërprerja e 28 prillit 2025 në Portugali, Spanjë dhe Francë është ende e pazbuluar në shkaqe, por historia na mëson se një blackout nuk është kurrë thjesht teknik. Ai zbulon dobësitë në zemër të teknologjisë moderne — dhe shpesh, në vetë shoqërinë.

 

Shqipëria në garën globale të inteligjencës artificiale, 10 milionë dollarë për projektin e Mira Muratit

Në një hap të paprecedentë për vendin, qeveria shqiptare ka vendosur të investojë 10 milionë dollarë në një nga projektet më ambicioze të inteligjencës artificiale në botë – startup-in “Thinking Machines Lab” të themeluar nga Mira Murati, ish-drejtuese teknologjike e OpenAI.

Lajmi u konfirmua nga vetë kryeministri Rama, i cili gjatë një deklarate publike tha se kishte biseduar personalisht me Muratin për mundësinë e përfshirjes së Shqipërisë në këtë iniciativë dhe kishte marrë një “po” të qartë nga ajo.

Ministria e Ekonomisë ka dorëzuar tashmë kërkesën për fondet përkatëse pranë Ministrisë së Financave, ndërsa kjo e fundit ka nisur procedurat për ndryshimin e buxhetit – një lëvizje që kërkon vlerësim të kujdesshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të afërsisë me zgjedhjet vendore të 11 majit, përcjell albinfo.ch.

Sipas dokumenteve zyrtare, investimi nuk do të ndikojë në deficitin buxhetor dhe është parashikuar të sjellë përfitime strategjike për vendin, përfshirë përmirësimin e pozicionit të Shqipërisë në hartën globale të teknologjisë dhe rritjen e potencialit ekonomik.

Në sfond, “Thinking Machines Lab” po përgatitet të mbyllë një nga raundet më të mëdha të investimeve fillestare në historinë e startup-eve të AI, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh dhe një vlerësim potencial që i afrohet 10 miliardë dollarëve – edhe pse ende pa një produkt përfundimtar në treg.

Zvicër: Kërkohen gjithnjë e më shumë vezë, rriten importet me 48%

Kërkesa e lartë për vezë ka bërë që Këshilli Federal të rrisë përkohësisht kuotën tarifore për vezët e konsumit me 48 % në 31 000 tonë.

Nga 1 qershori 2025 deri në fund të vitit, do të mundësohen importa shtesë deri në 10 000 tonë vezë konsumi me tarifë të ulët doganore.

Vendimi ishte i nevojshëm sepse prodhimi vendas nuk mund të përballojë kërkesën e shtuar.

Kjo do të lejojë që deri në fund të vitit të importohen rreth 158 milionë vezë më shumë me tarifë të ulët. Rritja e fortë e kuotës tarifore do të sigurojë furnizimin e brendshëm me vezë konsumi gjatë gjithë vitit. Si pjesë e marrëveshjes, tregtarët e vezëve kanë rënë dakord të kthejnë sasinë e vezëve zvicerane të rënë dakord me përfaqësuesit e prodhuesve, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Sasia shtesë — sqaron Qeveria — do të ndahet në dy këste, si kuota aktuale doganore, në funksion të periudhës para Krishtlindjeve, e karakterizuar nga një vëllim i lartë shitjesh: një këst i parë prej 6 500 tonësh do të publikohet nga Zyra Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (UDSC) në faqen e saj të internetit për importe, duke filluar nga 1 qershori; kësti i dytë, prej 3 500 tonësh, do të jetë i disponueshëm nga 1 shtatori. Si zakonisht, kuota do të ndahet sipas radhës së pranimit të deklaratave doganore.

Kërkesa e popullsisë zvicerane për vezë po rritet me shpejtësi. Vetëm nga viti 2023 në 2024, konsumi për frymë u rrit me 9 vezë, në 198 vezë në vit — pothuajse 5 % më shumë. Edhe pse prodhimi zviceran u rrit me 2.8 % në të njëjtën periudhë, një pjesë e konsumit shtesë duhet të mbulohet nga importi. Kuota tarifore për vezët e konsumit përfshin sasinë e vezëve që mund të importohen me tarifë të ulët. Ndërkohë, kjo kuotë është rritur përgjithmonë me 3 500 tonë, në 21 000 tonë për vitin aktual. Megjithatë, ishte e parashikueshme që në fillim të shkurtit se edhe kjo sasi e re nuk do të mjaftonte për të mbuluar kërkesën e brendshme deri në fund të vitit 2025. Në tremujorin e parë të 2025, kuota tarifore ishte përdorur tashmë deri në 40 %.

Kurti fton në takim Krasniqin dhe Abdixhikun – LDK refuzon

Në përpjekje për t’i dhënë fund bllokadës institucionale pas tetë dështimeve radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka ftuar në një takim konsultativ liderin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, shkruan albinfo.ch.

Takimi është paraparë të mbahet të enjten, më 1 maj, në orën 8:30 në sallën N-204 të Kuvendit, vetëm pak para vazhdimit të radhës së seancës konstituive. Në letrën e dërguar dy liderëve opozitarë, Kurti ka theksuar se qëllimi i takimit është konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit dhe tre nënkryetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe rezultatin zgjedhor.

Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, tha për KOHËN se pozita e nënkryetarit të Kuvendit, që i takon LDK-së, nuk është çështje diskutimi me asnjë parti tjetër.

“Pozita e nënkryetarit është në bazë të rezultatit zgjedhor dhe nuk negociohet. Për më tepër, nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritashme. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes mes partive që synojnë të formojnë shumicën, por LDK nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, u shpreh Bajrami.

Nga ana tjetër, qëndrimi i PDK-së mbetet i paqartë. Megjithëse nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare për ftesën e Kurtit, lideri i kësaj partie, Memli Krasniqi, pati deklaruar të premten e kaluar se nuk do të marrë pjesë në asnjë takim të ftuar nga kryetari i LVV-së, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: Nis monitorimi i tregut pas paralajmërimeve për shtrenjtim të produkteve bazë

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës (AKK) ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut pas paralajmërimeve për shtrenjtim të më shumë se 20 produkteve bazë, përfshirë bukën dhe kafenë, shkruan albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, AKK-ja ka theksuar se, ndonëse nuk ka mandat për të caktuar çmimet në treg, mund të ndërhyjë në rastet kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente. “Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut.

Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore”, thuhet në njoftimin e AKK-së. Autoriteti ka bërë të ditur se mund të ndërmarrë edhe masa të përkohshme, me qëllim të parandalimit të efekteve të dëmshme në konkurrencë.

Këto masa mund të zgjasin deri në gjashtë muaj dhe përfshijnë ndalimin e veprimeve të caktuara apo zbatimin e kushteve të veçanta. Vendimi i AKK-së vjen pasi ditë më parë u raportua për shtrenjtim të çmimit të bukës në disa furra, si dhe rritje të çmimit të kafesë në disa kafene. Paralajmërime për rritje të mëtejme të çmimeve janë bërë për muajin maj, kur pritet të hyjë në fuqi shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike, transmeton albinfo.ch.

77% e zviceranëve përdorin AI në punë

Tre të katërtat e zviceranëve përdorin inteligjencën artificiale (AI) në vendin e punës, dhe gjysma e tyre e bëjnë këtë në kundërshtim me udhëzimet e kompanisë. Kështu thuhet në një sondazh të publikuar sot nga firma konsulente KPMG. Në Konfederatë, përqindja e atyre që përdorin AI në mënyrë profesionale është 77 %, dukshëm më e lartë se 58 % e regjistruar në mbarë botën, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, përdorimi i ndihmës kibernetike nuk është gjithmonë i qartë. Në fakt, një në dy të anketuar pranon se ka përdorur AI në një mënyrë që shkel rregullat e kompanisë, duke përfshirë ngarkimin e të dhënave të ndjeshme të kompanisë në mjete publike dhe falas. Dhe përsëri: 74 % nuk kontrollojnë rezultatet e ofruara nga inteligjenca artificiale, e cila mund të ketë pasoja të pakëndshme, duke qenë se 63 % raportojnë gabime në punë për shkak të përdorimit të mjeteve të reja. Mbi dy të tretat (69 %) e të intervistuarve gjithashtu kanë kaluar tashmë përmbajtjen e krijuar nga AI si të tyre. Më pak se gjysma e kampionit deklaron se ka përfunduar trajnimin për këtë temë; 57 % ende besojnë se janë në gjendje t’i përdorin pajisjet në mënyrë efektive.

Megjithatë, skepticizmi mbetet i përhapur. Më pak se gjysma e të anketuarve (46 % në Zvicër dhe globalisht) kanë besim në AI. 65 % e njerëzve në Konfederatë dhe 70 % në mbarë botën gjithashtu shprehen në favor të rregullimit ligjor të fushës në fjalë. Hulumtimi anketoi 48 000 njerëz në 47 vende.

 

Zvicër: Në janar 2026 hyn në fuqi sistemi i ri tarifor për shërbimet mjekësore ambulatore

Nga fillimi i janarit 2026, Zvicra do të zbatojë një sistem të ri tarifor për shërbimet mjekësore ambulatore, duke zëvendësuar modelin aktual “Tarmed”, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 2004. Këshilli Federal njoftoi se sistemi ekzistues nuk reflekton më realitetet moderne të mjekësisë, duke e bërë ndryshimin një hap të domosdoshëm drejt efikasitetit dhe transparencës në faturim, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Pas më shumë se një dekade negociatash ndërmjet siguruesve dhe ofruesve të shërbimeve, janë miratuar dy struktura të reja tarifore:

  • Tardoc, që do të lejojë një faturim më të saktë në bazë të kohëzgjatjes dhe llojit të konsultimit, veçanërisht të përshtatur për kujdesin parësor.

  • Një strukturë për tarifa fikse, e cila do të thjeshtësojë procedurat e faturimit dhe do të kufizojë stimulimin e panevojshëm për rritjen e shërbimeve të faturuara.

Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider theksoi se ky është një vendim me rëndësi qendrore për të ardhmen e sistemit shëndetësor zviceran, ndërsa qeveria u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve në sistemin e kujdesit shëndetësor që të tregojnë durim dhe bashkëpunim në zbatimin e këtij ndryshimi të madh, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare, sistemi i ri tarifor pritet të ndikojë në:

  • 13 % të kostove totale ambulatore

  • 9 % të vëllimit total të shërbimeve në praktikat mjekësore

  • 19 % të vëllimit në spitalet ambulatore

Qeveria zvicerane ka theksuar se ky reformim nuk duhet të çojë në rritje të kostove. Nëse ndodh e kundërta, partnerët tariforë do të jenë të detyruar të ndërhyjnë për të korrigjuar situatën.

Miratimi nga Këshilli Federal është, për momentin, i kufizuar deri më 31 dhjetor 2028, në mënyrë që të mund të bëhen përmirësimet e nevojshme pas hyrjes në fuqi të sistemit të ri. Qeveria ka konfirmuar se sistemi është dinamik dhe do të vazhdojë të zhvillohet në përputhje me nevojat e kujdesit shëndetësor, transmeton albinfo.ch.

 

Kosovari para gjyqit për pjesëmarrjen në vrasjen e pensionistit 85 vjeçar

Në shtator të vitit 2023, disa burra i ranë ziles së një shtëpie në Pulheim. Pronari 85-vjeçar hap derën. Ai mposhtet menjëherë, rrihet dhe çohet në bodrumin e shtëpisë, transmeton albinfo.ch. Atje, autorët u përpoqën të hapnin një kasafortë parash, në mur.

Prokuroria përshkruan atë që ndodhi më pas si më poshtë: “Meqenëse emri i njërit prej autorëve dyshohet se është përmendur pa dashje gjatë incidentit në bodrum ose për shkak se viktima vazhdoi të refuzonte të qëndronte i heshtur, i pandehuri dyshohet se ka përdorur forcë të madhe kundër qafës së viktimës”.

I akuzuari është një burrë 27-vjeçar, shtetas kosovar. Pas krimit, ai kishte ikur në Kosovë, ku është arrestuar vjeshtën e kaluar pas një shpalljeje të fletarrestit, përmes televiziionit, shkruan wdr.de. Ai përballet me akuza për vrasje me motiv lakminë dhe “mundësim të një krimi tjetër”.

Dy nga bashkëpunëtorët e tij të dyshuar janë dënuar vitin e kaluar. Sipas ligjit për të mitur, dy refugjatët sirianë u dënuan me gjashtë dhe tetë vjet burg.

Autori i katërt gjithashtu ka ikur pas krimit. Hetuesit supozojnë se ai është në Liban. Në të njëjtën kohë, policia thotë se është e mundur që 29-vjeçari të kthehet në shtëpinë e tij të vjetër në Osnabrück, përcjell albinfo.ch. Policia ka publikuar fotot e të kërkuarve.

Të afërmit, miqtë dhe madje, për shembull, shitësi i një kioske thirren të paraqiten në polici nëse ai kthehet vërtet në Gjermani.

Kosovë: Avokati i Popullit kërkon pezullimin e rritjes së çmimit të energjisë

Avokati i Popullit i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të pezullojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, derisa të përfundojnë hetimet mbi ankesat e shumta të qytetarëve që kanë arritur në këtë institucion, shkruan albinfo.ch.

Në reagimin e bërë publik, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë për ndikimin ekonomik të këtij vendimi ndaj qytetarëve, duke theksuar se ai cenon të drejtat themelore të njeriut dhe rëndon në mënyrë të veçantë mbi grupet më të cenueshme të shoqërisë, përfshirë familjet që jetojnë me asistencë sociale.

Sipas tij, rritja e tarifave është marrë në një moment boshllëku institucional, kur vendi nuk ka pasur Kuvend të konstituuar dhe as Qeveri të mandatuar. Ai e ka cilësuar këtë si mungesë të debatit institucional dhe publik mbi një çështje që prek një shërbim bazë dhe jetik për qytetarët — energjinë elektrike, shkruan albinfo.ch.

“Qeveria e Kosovës, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike, ka për detyrë të garantojë interesin publik, qasje të barabartë dhe përfshirje sociale në politikat energjetike”, thuhet në deklaratë.

Avokati i Popullit ka theksuar se vendime të tilla duhet të merren vetëm kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ai ka bërë thirrje për rritje të transparencës dhe përgjegjësisë nga ZRRE-ja, si dhe për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet tjera shtetërore, sidomos në vendimmarrje që prekin interesin publik në mënyrë të gjerë.

Vendimi për shtrenjtimin e energjisë, që parashihet të hyjë në fuqi nga 1 maji, do të rrisë çmimin e rrymës për 16.1 për qind — një rritje që tashmë ka shkaktuar reagime të forta në publik dhe kërkesa për masa urgjente nga institucionet, transmeton albinfo.ch.

SPD miraton koalicionin me CDU/CSU

Partia Social-Demokrate e Gjermanisë (SPD) ka miratuar me shumicë dërrmuese marrëveshjen e koalicionit me bllokun konservator CDU/CSU, duke i hapur rrugë formimit të qeverisë së re federale të udhëhequr nga kancelari i ardhshëm Friedrich Merz, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas rezultateve zyrtare, 84.6 % e anëtarëve të SPD-së votuan në favor të hyrjes në koalicion me kristiandemokratët, duke e përmbyllur kështu një fazë të rëndësishme të negociatave pas zgjedhjeve federale, ku SPD-ja pësoi humbje të mëdha.

Kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, do të marrë postin e zëvendëskancelarit dhe ministrit të Financave në qeverinë e re, një vendim që u mbështet unanimisht nga presidiumi i partisë. Klingbeil pritet të udhëheqë ekipin qeveritar të social-demokratëve dhe ka paralajmëruar se lista e plotë e ministrave të SPD-së do të prezantohet deri të hënën. Partia do të ketë gjithsej shtatë ministra në kabinetin e ardhshëm qeveritar.

Me këtë votim, SPD-ja ka hapur rrugën për qeverinë e re CDU/CSU–SPD, ndërsa zgjedhja dhe betimi i Friedrich Merz-it si kancelar i Gjermanisë është planifikuar për të martën e ardhshme në Bundestag, transmeton albinfo.ch.

Ambasadori gjerman shpreh shqetësim për vonesat në formimin e institucioneve në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur hapur shqetësimin e tij lidhur me vonesat e gjata në formimin e institucioneve të reja shtetërore, pothuajse tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, shkruan albinfo.ch.

Në një reagim të bërë të mërkurën përmes rrjetit social Bluesky, Rohde tha se i ka përcjellë këtë shqetësim presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke theksuar se kriza politike dhe mungesa e institucioneve funksionale po dëmton rëndë imazhin dhe stabilitetin e Kosovës.

“Partitë politike duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe t’i vendosin interesat shtetërore para atyre partiake,” theksoi ambasadori gjerman. Ai shtoi se, në një peisazh global që po ndryshon me shpejtësi, vendimmarrja e shpejtë dhe koordinimi institucional janë thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, transmeton albinfo.ch.

Qeveria maqedonase e gatshme të intervenojë sërish për rritjen e çmimeve

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për kufizimin e marzhave bruto të fitimit dhe për ngrirjen e çmimeve të një pjesë të produkteve zyrtarisht përfundon sot, transmeton TV21.

Vendimi për kufizimin e marzhave bruto të fitimit hyri në fuqi në shkurt me qëllim parandalimin e rritjes së çmimeve, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës në Maqedoninë e Veriut, Besar Durmishi, masat për ngrirjen e çmimeve i vlerësoi të suksesshme, duke theksuar se, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, deflacioni prej 1.3% u regjistrua në segmentin e ushqimit dhe pijeve në mars. Trendi i uljes së çmimeve, sipas tij, vazhdoi edhe në prill.

Megjithatë, pasi masa të hiqet, institucionet kompetente do të jenë në terren. Inspektorati Shtetëror i Tregut do të fillojë kontrolle të intensifikuara nesër (1 maj) për të monitoruar çdo rritje të mundshme drastike të çmimeve.

Nëse vërtetohet se tregtarët po i rrisin çmimet në mënyrë të tepruar, Durmishi njoftoi se Qeveria është e gatshme të reagojë me masa të reja, edhe më të rrepta.

Si rekrutohet stafi infermieror nga Kosova, në Bavari

Republika e Kosovës trajnon staf infermieror shumë më tepër në numër se nevojat e veta ndërsa nevoja e spitaleve dhe azileve të pleqve në Bavari për një staf të tillë është shmë e madhe. Si u vendos një grua e re kosovare në Trostberg në Bavarinë e Epërme.

DEKRA është shkruar me shkronja të mëdha në fasadën e një ndërtese të re në mes të një lagjeje të frekuentuar të Prishtinës. DEKRA (Shoqata Gjermane e Inspektimit të Automjeteve) inspekton makinat në Gjermani dhe lëshon afishe TÜV, transmeton albinfo.ch .

Në Ballkan, kompania e përmendur, e madhe gjermane ofron kurse të gjermanishtes në nivele të ndryshme, administron provimet dhe më pas përgatit kontaktin midis stafit të infermierisë dhe punëdhënësve gjermanë, deri në nënshkrimin e kontratës.

Kurset gjermanishtes janë falas për stafin e infermierisë

Jonida Bushi, profesoreshë e gjermanishtes në Universitetin e Tiranës në Shqipëri, gjithashtu koordinon punën në Kosovë, në Prishtinë, shkruan br.de. Bushi e përshkruan kështu punën e saj: “Ne fillojmë me mësimet e gjermanishtes fillimisht, pastaj fillojmë procesin e njohjes dhe intervistat me punëdhënësit”.

Edhe personat që nuk kanë fare njohuri të gjermanishtes mund të marrin pjesë në kurset e gjuhës. Mesatarisht, në klasa ka 20 vajza dhe djem, të moshës 17 deri në 21 vjeç. E veçanta është se mësimet janë falas për ta.

Ezana hasi rastësisht ofertën e DEKRA-s

Kështu filloi gjithçka për Ezana Morinën. Pesë herë në javë, ajo udhëtonte 18 kilometra deri në Prishtinë për të mësuar gjuhën gjermane në DEKRA. Pasi kaloi nivelin A1, ajo vazhdoi të studionte, arriti nivelin A2 dhe B1 dhe më në fund nivelin B2, i cili kërkohet për një punë në Gjermani.

Më parë, Ezana kishte ndjekur shkollën e mesme mjekësore dhe ishte trajnuar si infermiere, përcjell albinfo.ch. Ajo e kishte hasur ofertën nga DEKRA rastësisht dhe kishte zgjedhur mundësinë për të punuar jashtë vendit dhe për të fituar para të mira si qëllimin e saj parësor. Sepse në Kosovë shanset ishin dhe janë mjaft të pakta.

Kosova trajnon më shumë infermierë/e se sa i duhen

Vendi i vogël ka popullsinë më të re në të gjithë Evropën. Rreth 3,000 të diplomuar dalin nga shkollat ​​shtetërore të infermierisë çdo vit. Por në vetë Kosovën, nevojiten vetëm mesatarisht 600.

Nga ana tjetër, në Gjermani, me një popullsi gjithnjë e më të plakur, kërkesa për punonjës të kualifikuar të kujdesit shëndetësor po rritet me shpejtësi. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 në këtë vend do të nevojiten 300,000 gra dhe burra në këtë fushë.

Kjo është arsyeja pse Anna-Sophie Schrott e konsideron veten me fat që mund të rekrutojë staf infermieror nga Kosova për rrjetin spitalor të Bavarisë Juglindore nëpërmjet DEKRA-s. E diplomuar në infermieri është drejtuese e Departamentit të Përfshirjes. Ajo po përpiqet të frymëzojë njerëz në mbarë botën që të punojnë në infermieri në Bavarinë juglindore, transmeton albinfo.ch. Schrott organizon rekrutimin, kujdeset për vizat dhe planifikon hyrjen. Në shumë vende, por jo në të gjitha, agjencitë tani ofrojnë përpunim profesional. Por gjithçka filloi me DEKRA-n.

Ezana ka zgjedhur klinikën në Trostberg

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, nxënësja e zellshme e gjermanishtes Ezana Morina fluturoi nga Prishtina për në Mynih, dhe të nesërmen filloi punën e saj në spitalin në Trostberg në rrethin e Bavarisë së Epërme të Traunstein-it. E reja tani 18-vjeçare ishte i përgatitur mirë. Një muaj para nisjes së saj, thotë ajo sot, e kishte marrë tashmë listën e detyrave për tre muajt e parë, me email.

Ezana duket shumë e kënaqur kur përshkruan rutinën e saj të përditshme dhe mjedisin e saj profesional: “Unë punoj me kohë të plotë në repartin e geriatrisë akute, i cili është një qendër rehabilitimi për të moshuarit mbi 65 vjeç. Ata qëndrojnë atje për rreth tre javë.”

DEKRA merr tri paga bruto mujore, në emër të ndërmjetësimit

Ajo zgjodhi Trostbergun sepse është një qytet i qetë dhe i vogël, me pak më pak se 11,500 banorë. Veç kësaj, është vetëm 30 kilometra larg Alpeve Chiemgau: “I dua malet”, thotë Ezana, duke buzëqeshur. Pra, është një situatë fitimprurëse për të dhe spitalin.

DEKRA gjithashtu bën biznes të mirë nga kjo: për çdo punësim të suksesshëm, kompania merr tri paga bruto mujore.

Shtetet e BE-së lëshuan mbi 45 mijë leje qëndrimi për shtetasit e Kosovës, prin Gjermania

Vendet e zhvilluara të Evropës po i intensifikojnë përpjekjet për të tërhequr fuqi punëtore nga jashtë, si përgjigje ndaj mungesës së theksuar të punëtorëve që rrjedh nga plakja e popullsisë dhe nataliteti i ulët.

Ky trend po ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës në Kosovë, duke e privuar atë nga punëtorë të kualifikuar dhe të rinj që luajnë rol kyç në ekonominë vendore, thuhet në raportin e Institutit GAP, shkruan albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në vitin 2023, shtetet e Bashkimit Evropian kanë lëshuar gjithsej 45,650 leje qëndrimi për herë të parë për qytetarë të Kosovës. Kjo shifër tregon një rritje të vazhdueshme të migrimit për qëllime punësimi, sidomos drejt Gjermanisë, e cila ka lëshuar 50% të këtyre lejeve, duke u pozicionuar si destinacioni më i preferuar për kosovarët.

Pas Gjermanisë, numri më i madh i lejeve është lëshuar nga Sllovenia (14%), Kroacia (9%), Italia (8%), dhe Zvicra (4%), ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në vende të tjera të BE-së, transmeton albinfo.ch.

Nga 5 maji nga Kosova në Izrael pa viza

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka njoftuar se për kosovarët që mbajnë një pasaportë valide të Republikës së Kosovës dhe që duan ta vizitojnë Izraelin për turizëm, do t’u duhet të pajisen me një leje për hyrje nga Shteti i Izraelit.

Para se të udhëtojnë drejt Izraelit, të gjithë shtetasit e Kosovës janë të detyruar të pajisen me ETA-IL (Autorizim Elektronik për Udhëtim) për të hyrë në Shtetin e Izraelit, transmeton albinfo.ch.

Ambasadorja Ziv sqaron se të gjithë shtetasit e Kosovës që planifikojnë të vizitojnë Izraelin duhet të aplikojnë për ETA-IL të paktën 72 orë para mbërritjes:

“Një ETA-IL e miratuar tregon se ju lejohet të udhëtoni në Izrael dhe të qëndroni deri në 90 ditë për çdo vizitë. Të gjithë udhëtarët drejt Izraelit duhet të kenë një vizë të vlefshme ose një miratim ETA-IL përpara se të nisin udhëtimin e tyre. Marrja e një ETA-IL është një proces i thjeshtë dhe i shpejtë, nëse i plotësoni kushtet”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, më 18 qershor 2024, Izraeli ka hequr vizat për kosovarët.

Procesi i aplikimit për ETA-IL është i thjeshtë dhe mund të kryhet në mënyrë elektronike përmes faqes zyrtare të autoriteteve izraelite.

: https://israel-entry.piba.gov.il/learn-about/

Diaspora po voton, më shumë vota kanë ardhur nga Italia, SHBA dhe Greqia

Bëhet e ditur se mbi 85 000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë e kanë zgjedhur preferencën politike. Zarfet me fletët e tyre të votimit kanë mbërritur në Parkun Olimpik. Ato do të qëndrojnë të grupuara sipas qarqeve dhe do të hapen më 11 maj, në të njëjtën kohë kur nis edhe numërimi për fletët brenda vendit, përcjell albinfo.ch.

Mirëpo, kur na ndajnë vetëm 11 ditë nga zgjedhjet, 29 358 zarfe ende nuk janë tërhequr nga zgjedhësit, kryesisht në Greqi. Për këtë arsye, edhe ambasada shqiptare në shtetin fqinj ka njoftuar se pikat e kompanisë postare në Athinë dhe Pire do të punojnë me orë të zgjatura.

Nga ana e tyre, edhe partitë politike kanë shprehur shqetësime lidhur me problematikat që po hasin emigrantët në marrjen apo dërgimin e fletëve të votimit, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se ka ende kohë për dërgimin e fletëve të votimit në kohë, në mënyrë që edhe kthimi i tyre të jetë brenda procedurave ligjore të parashikuara. Një ditë më parë, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se pagesa e kompanisë do të bëhet pas shërbimit, ndaj nuk duhet që raste sporadike të cënojnë procesin që, siç tha ai, po ecen me ritme të kënaqshme.

Referuar të dhënave të deritanishme, në Greqi janë dërguar mbi 68 000 zarfe dhe kanë mbërritur vetëm 7 826, kurse në Itali janë shpërndarë mbi 91 000 fletë votimi dhe kanë ardhur 38 947. Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbërritur 8 846 fletë nga mbi 20 000 që janë shpërndarë.

Fletët e votimit me preferencat e diasporës duhet të mbërrijnë në territorin shqiptar brenda orës 19:00 të dielës, 11 maj, pasi çdo votë që vjen pas kësaj ore nuk do të numërohet.

Zvicra mund të thyejë rekordin e eksportit këtë vit

Eksportet mund të arrijnë një nivel rekord gjatë gjithë vitit 2025. përcjell albinfo.ch.

Në muajt e fundit, eksportet e mallrave janë rritur nga një rekord në tjetrin. Në tre muajt e parë të vitit, ajo ishte 74.1 miliardë franga, ndërsa në të njëjtën kohë u importuan mallra me vlerë 60.5 miliardë, sipas shifrave të Zyrës Federale për Dogan dhe Sigurinë Kufitare.

Kjo rezulton në një suficit tregtar prej 13.6 miliardë CHF. Arsyeja është e thjeshtë: “Për shkak të frikës nga tarifat amerikane, kompanitë i dërguan produktet e tyre në sasi të mëdha sa më shpejt të ishte e mundur”, thotë Tim Reinicke (31) nga Instituti Ekonomik Zviceran në ETH Zurich (KOF).

Kompanitë kimike dhe farmaceutike në veçanti kanë rritur eksportet në nivele rekord dhe kanë mbushur plotësisht depot e tyre në SHBA. Por eksportet e orëve u rritën gjithashtu pak në tre muajt e parë pavarësisht dobësimit të kërkesës. Në përgjithësi, eksportet drejt SHBA-së u rritën përsëri me 17.4 përqind pas një tremujori të mëparshëm, tashmë të jashtëzakonshëm.

Një fëmijë dëmtoi një pikturë e cila vlerësohej 50 milionë euro

Për pikturën e dëmtuar, nuk është e qartë se kush duhet të jetë përgjegjës, shkruan SRF, përcjell albinfo.ch.

Një fëmijë dëmtoi një pikturë të artistit amerikan Mark Rothko (1903–1970) në Muzeun Boijmans Van Beuningen në Roterdam, e cila vlerësohej në 50 milionë euro.

E prekur është vepra e Rothkos “Gray, Portokalli mbi Gështenjë të Kafe, Nr. 8”, e cila u gërvisht në një “moment pakujdesie”, siç i tha një zëdhënës i muzeut gazetës holandeze Algemeen Dagblad javën e kaluar.

Zëdhënësi i muzeut i tha BBC-së se dëmi ishte “sipërfaqësor”, duke shtuar: “Gërvishtje të vogla janë të dukshme në shtresën e palyer të bojës në pjesën e poshtme të pikturës.” Muzeu nuk komentoi se kush do të mbahej përgjegjës për dëmtimin e pikturës. Thuhet se nuk është vepra e parë e Rothkos që pëson dëmtime: që në vitin 2012, vepra “Black on Maroon” e Rothkos u shkatërrua qëllimisht në Galerinë Tate Modern të Londrës.