Nati mbërrin në SHBA, gati për dy ndeshjet testuese

Ekipi i trajnerit Murat Yakin do të qëndrojë në Salt Lake City për një javë dhe do të përballet me Meksikën të shtunën (ora 22:00 sipas kohës zvicerane). ” Të gjithë lojtarët janë këtu dhe shumë të motivuar. Atmosfera është shumë e mirë. Nuk na është dashur të bindnim askënd për të marrë pjesë në këtë turne “, tha Yakin në një konferencë për shtyp gjatë fluturimit nga Cyrihu në Salt Lake City, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Delegacioni zviceran zbarkoi në Salt Lake City në orën 17:00, ose 1:00 të mëngjesit sipas kohës zvicerane, të martën. Ekipi do të stërvitet në kampusin e Universitetit të Utah të martën përpara se të përballet me Meksikën në stadiumin Rice-Eccles të Universitetit.

“Jemi të lumtur që arritëm të organizojmë një udhëtim të tillë. Nuk ndodh çdo ditë që luajmë kundër Meksikës dhe SHBA-së”, tha Yakin.

Ndeshja kundër SHBA-së do të zhvillohet të martën e ardhshme në Nashville, Tennessee. Ky turne eksplorues, një vit para Kupës së Botës në kontinentin e Amerikës së Veriut, u bë i mundur nga fakti që Zvicra nuk i fillon kualifikimet e Kupës së Botës deri në shtator. Kundërshtarët e tyre do të jenë Kosova, Suedia dhe Sllovenia.

“Këto dy ndeshje miqësore janë shumë motivuese. Është gjithashtu një mundësi për lojtarët që të njihen me atmosferën dhe stadiumet, si dhe të nxisin oreksin e tyre për t’u rikthyer në Kupën e Botës vitin e ardhshëm”, shtoi Yakin.

Trajneri i kombëtares mund të mbështetet te pothuajse të gjithë lojtarët e tij kryesorë. Mungon vetëm Ruben Vargas. Sulmuesi duhej të humbiste udhëtimin për në SHBA për shkak të një dëmtimi në kofshë.

“Harmonia brenda ekipit është e shkëlqyer, mund ta shihni. Jam jashtëzakonisht i lumtur që të gjithë janë të përfshirë”, tha Yakin.

https://www.srf.ch/sport/fussball/nationalmannschaft/vor-den-zwei-testspielen-nati-in-den-usa-angekommen-das-soll-lust-auf-wm-wecken

 

 

Besa Shahini ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prishtinës

Shahini e cila është pjesë e Partisë Socialdemokrate, ka njoftuar zyrtarisht për kandidimin e saj në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, përcjell albinfo.ch.

“Një përpjekje e re, për Prishtinën që e dua fort. Para katër viteve jam kthyer të jetoj nga Tirana në një qytet që ka potencial të jashtëzakonshëm, por që ka marrë një kahje të gabuar në zhvillim e vet. Është një qytet krejtësisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër”, ka pohuar Shahini.

Sipas saj, Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahun e zhvillimit.

“Ju ftoj të më bashkoheni që keni sadopak energji në përpjekjen për ndryshim”, ka thënë Shahini në një videoadresim.

Më parë, Besa shërbeu si ministre dhe zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu, Besa fokusoi kërkimin dhe avokimin e saj në çështjet e arsimit dhe integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin Jugor.

SHBA-ja dënon kosovarin me 10 vjet burgim për këtë arsye

Bëhet e ditur se një gjykatë federale në Uashington e ka dënuar me 10 vjet burgim kosovarin me shtetësi amerikane, Lirim Sylejmani, pasi është trajnuar ushtarakisht me organizatën terroriste (ISIS) dhe për përfshirje në grup të armatosur kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, përcjell albinfo.ch.

Gjykata ka njoftuar se Sylejmani, i njohur si Abu Sulayman al-Kosovi, ishte deklaruar fajtor në dhjetorin e 2024-s për pjesëmarrje në trajnime ushtarake.

Gjykatësi Rudolph Contreras ka thënë se pos dënimit me burgim, Sylejmani pas përfundimit të dënimit do të përcillet nga autoritetet amerikane.

Siç ka njoftuar gjykata amerikane, nga nëntori i 2015-s deri në shkurtin e 2019-s, Sylejmani ishte trajnuar nga ISIS-i në Siri, derisa në 2019 ishte kapur nga Forcat Demokratike Siriane. Ai kishte udhëtuar për në Siri me familjen e tij, ku e kishte ndërruar emrin.

Sylejmani kishte kryer trajnime mbi përdorimin e pushkëve automatike dhe përdorimin e granatave. Në majin e 2016-s, sipas gjykatës, ishte dërguar në vijën e parë të frontit.

Kosovë: Goditet rrjeti i drogës dhe krimeve kibernetike

Së fundmi, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë Speciale, është duke zhvilluar një aksion në gjithë vendin, ku cak janë personat e përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, përcjell albinfo.ch.

Nga Policia është konfirmuar se operacioni u krye në tri rajone, ku janë bastisur një numër i konsiderueshëm lokacionesh kundër trafikimit me narkotikë dhe krimeve kibernetike.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë mund të informoheni pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit.”

Siç mëson ekskluzivisht Klankosova.tv, deri më tani janë arrestuar 10 persona, ndërsa në pranga pritet të përfundojnë edhe të dyshuar të tjerë që ishin objekt i hetimit.

Njoftimi nga FSHF për biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të vijojë deri më datat 3-4 qershor.

Kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur, dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.

FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në Inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave.

Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave.

Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.

FSHF falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe durimin, duke garantuar se çdo hap i këtij procesi po realizohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.

Rritja e çmimeve të vezëve në Evropë: Turqia e para, Shqipëria e pesta

Shqipëria u rendit e pesta në mesin e 41 vendeve të Evropës për rritjen e madhe të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve më 2024, sipas të dhënave të reja të Eurostat, të azhurnuara këto ditë për ndryshimet vjetore të çmimeve në Evropë.

Në krye të listës qëndron Turqia, me një rritje të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve prej 38.6%.

Turqia, tre vitet e fundit, po përjeton një hiperinflacion që vjen i kombinuar nga problemet strukturore të ekonomisë turke dhe politikës monetare, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Pas saj vijnë Malta me rritje 6.7%, Norvegjia me 5.9% dhe Islanda 4%. Shqipëria ndjek këtë renditje me një rritje prej 3.9%, duke e tejkaluar ndjeshëm mesataren e BE-së dhe të rajonit.

Islanda dhe Malta janë vende ishullore me kapacitete të ulëta prodhimi dhe kosto të larta të transportit, teksa Shqipëria nuk është e krahasueshme me këto vende.

Rritjet më të lehta të bulmetrave dhe vezëve u vunë re në vende si Portugalia me 1.8%, Maqedonia e Veriut me 1.8%, Serbia me 1.5% dhe Mali i Zi me 1.1%. Ndonëse presionet inflacioniste po zbuten në shumë ekonomi evropiane, Shqipëria ende përballet me sfida që e bëjnë tregun e ushqimeve ndër më të shtrenjtët në Evropë.

Ndërkohë, shumë vende të Bashkimit Evropian kanë përjetuar ulje të çmimeve për këtë grup produktesh, veçanërisht Çekia me -6%, Hungaria -4.4%, Finlanda -2.4% dhe Gjermania -1.7%.

Zona euro në tërësi ka shënuar një rënie mesatare vjetore prej -0.4% deri në -0.5% të çmimeve të bulmetit dhe vezëve më 2024, duke reflektuar stabilizim ose lehtësim të presionit të çmimeve, pas rritjeve të ndjeshme në vitet e mëparshme, pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Rritja me 3.9% e çmimeve për produktet bazë në vendin tonë, si qumështi, djathi dhe vezët, është pasojë e kostove të larta të prodhimit dhe importit, si dhe mungesës së subvencioneve të qëndrueshme për bujqësinë.

Numri i kafshëve në ferma është përgjysmuar dekadën e fundit, duke ulur ofertën në treg, teksa nga ana tjetër, ardhja e turistëve ka rritur kërkesën për bulmet dhe vezë në muaj të caktuar, duke ndikuar më tej në rritjen e çmimeve.

Në një kohë kur vendet e BE-së po përfitojnë nga stabilizimi i tregjeve dhe reduktimi i çmimeve bazë, Shqipëria vijon të përjetojë rritje që ndikon drejtpërdrejt në kostot e jetesës, veçanërisht për shtresat në nevojë.

Me një popullsi në plakje, me ulje të popullsisë në fshat, me mungesë të theksuar të subvencioneve për bujqësinë dhe me kontrolle joeficiente në zinxhirin e furnizimit, Shqipëria rrezikon të vijojë trendin rritës të çmimeve edhe në të ardhmen.

Stërvitja e parë e kuqezinjve para ndeshjes me Serbinë

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 ndaj Serbisë dhe Letonisë.

Dje, ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo mbajti seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u vëzhgua gjendja fizike e lojtarëve dhe u provuan skema të ndryshme taktike.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ekipi u stërvit i plotë me të gjithë lojtarët që kanë mbërritur në Shqipëri.

Seanca stërvitore e radhës do të zhvillohet sot pasdite dhe do të jetë e hapur për 15 minutat e para për mediat.

Osmani fton partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar subjektet politike për takim të mërkurën, më 4 qershor, për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, përcjell albinfo.ch.

Lajmi u bë i ditur nga këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina. Ai ka thënë se menjëherë pas konsultimeve, presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjeherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e shkuara lokale ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Marta Kos: Rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes dialogut e jo hapave të njëanshëm

Në një deklaratë, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë të martën në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian se Komisioni është i gatshëm të përpilojë mendimin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në BE kur Këshilli të kërkojë një gjë të tillë. Por ka nënvizuar nevojën që Kosova të formojë sa më shpejtë institucionet e saja dhe të ketë parasysh se përparimi drejt BE-së lidhet me dialogun me Serbinë, përcjell albinfo.ch.

“Në Kosovë, pas zgjedhjeve të shkurtit, është esenciale që shpejt të formohen institucionet dhe të lëvizet përpara me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë kjo komisionere e BE-së.”

“Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë mendimin për anëtarësimin e Kosovës në BE kur të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli. Por, më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të raporteve me Beogradin e jo përmes veprimeve në njëanshme”, ka thënë Kos.

Kosova qysh në dhjetor të vitit 2022 kishte dorëzuar formalisht kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë asnjëherë nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit. Sipas procedurave në BE, vendet anëtare në Këshill duhet të mandatojnë Komisionin Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Pastaj vendimet në bazë të atij mendimi i merr Këshilli duke vepruar njëzëri nga të gjitha vendet anëtare. Dhe këtu është pengesa kryesore për Kosovën pasi akoma nuk njihet nga 5 vendet anëtare.

Disa vende anëtare thonë se përparimi në dialog me Serbinë do t’i ndihmonte Kosovës që të lëvizte nga pozicioni që ka në procesin e zgjerimit.

Kosova është i vetmi vend në Evropë i cili ka kërkuar anëtarësim në BE dhe nuk ka status kandidati.

Danina Rexhepi për të dytin vit radhazi shpallet Kampione e Ballkanit në grupmoshën e saj

Karateistja e re nga Prishtina, Danina Rexhepi është shpallur kampione ballkanike në garat e mbajtura në Stamboll në kategorinë deri në 54 kilogramë, transmeton albinfo.ch.

Danina Rexhepi është një tjetër sportiste luftarake që ka nisur shkëlqimin në ‘tapetet’ evropiane.

Ajo shkëlqeu në Kampionatin Ballkanit apo “Balkan Championships For Children”, që u mbajt në Tivar, Mali i Zi nga data 29 maj deri më 1 qershor.

Në një konkurrencën të fortë, Rexhepi u shpall kampione ballkanike në këtë turne të madh në kategorinë deri në 54kg.

Kosova mori pjesë me 60 sportist (meshkuj dhe femra) në disiplinat Kata dhe Kumite në mesin e 13 shteteve pjesëmarrëse me 1895 garues.

Garuesit kosovarë i sollën Kosovës 6 medalje dhe shumë plasmane.

1. Danina Rexhepi- 🥇Kumite Female -54kg, për herë të dytë radhazi 🇽🇰

2. Shkëmb Malokaj – 🥈Kumite Male  -55kg

3. Amar Daku – 🥉Kumite Male -40kg

4. Yll Selimi -🥉Kumite Male -55kg

5. Leart Sadiku -🥉 Kumite Male +52kg

6. Reina Rama-🥉Kumite Female -35kg

Erin Makolli -Vendi i 5-të Male Kumite -50kg

Art Tmava-Vendi i 5-të Male Kumite -45kg

Ylli Malokaj – Vendi 5-të Male Kumite -50kg

Studentët e arkitekturës së UP-së fitojnë vendin e parë në “Inspireli Awards”

Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, ka njoftuar se studentët e këtij departamenti kanë arritur që ta fitojnë vendin e parë ditë më parë në edicionin e 9-të të Inspireli Awards, konkursit ndërkombëtar më prestigjioz për studentë të arkitekturës dhe dizajnit, përcjell albinfo.ch.

“Projekti “Sustainable Village  ECOUNITY”, i realizuar nga Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mentorimin e Prof. Asst. Rozafa Basha, ka bërë që Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës të renditet në Top 10 në botë  një arritje e jashtëzakonshme dhe historike për institucionin tonë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ata patën mundësi që të marrin pjesë në hapjen solemne të Muzeut të Schindler-it  një ngjarje me rëndësi të thellë historike dhe kulturore, që përfaqëson kujtesën, humanizmin dhe fuqinë e brezit të ri për të ndikuar pozitivisht në shoqëri. /Albinfo.ch

Mira Murati, krijuesja e Chat Gbt, Open AI dhe Thinking Machines Lab, peshon 5 milionë dollarë

Shqiptarja nga Vlora, Mira Murati qe krijoi aplikacionin CHATGPT dhe ndryshoi botën, tani peshon 5 milionë dollarë, transmeton albinfo.ch.

Mira Murati, pas punës në ChatGbt dhe Open AI, ka themeluar një kompani misterioze, Thinking Machines Lab.

Murati po përpiqet të sigurojë mbi 100 milionë dollarë financim për startup-in e saj, megjithëse kjo shumë ende nuk është finalizuar.

Murati u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare për të studiuar në Kanada dhe më pas u diplomua për inxhinieri në Kolegjin Dartmouth në SHBA. Ajo e filloi karrierën e saj në Tesla, në zhvillimin e Model X, dhe në vitin 2018 u transferua në OpenAI

Mira Murati, e lindur më 16 dhjetor 1988 në Vlorë të Shqipërisë, konsiderohet si një nga femrat më të fuqishme në botën e teknologjisë. Si ish-zyrtare kryesore e teknologjisë e OpenAI, ajo ishte një figurë kyçe në zhvillimin e mjeteve më të famshme të AI sot: ChatGPT, DALL-E dhe GPT-4.

Sot, pasuria e saj vlerësohet në 5 milionë dollarë, dhe startup-i i saj i ri tashmë vlen 9 miliardë dollarë.

Vlera Hasani pas studimeve në Britani, Paris, Kanada dhe SHBA, merr edhe një vlersim tjetër

Platforma mediale Albinfo.ch ju sjell një tjetër profil suksesi në fushën akademike nga diaspora.

Bëhet fjalë për Vlera Hasanin, shqiptarja nga Kosova e cila pas studimeve në Kanada,SHBA, Oksford dhe Paris, së fundmi është dekoruar edhe me titullin “Summa Cum Laude” në Middlebury College.

Ajo ka arritur të diplomohet me këtë titull në bazë të rezultateve (notave) me 10-A pas studimeve në disa Institucione prestigjioze të përmendura si më lartë.

Në fakt kjo është dëshmi e një rruge të ndërtuar me pasion dhe ekselencë drejt dijës dhe profesionalitetit. /Albinfo.ch

Valon Behrami kthehet në Angli në rolin e drejtorit sportiv

Pas tetë vjetësh, rrugët e Valon Behramit dhe Watfordit do të kryqëzohen sërish, përcjell albinfo.ch.

Ai nuk do të jetë në Premier League, siç ishte në kohën si lojtar, por në Championship.

40-vjeçari do të jetë drejtor i ri sportiv i Watfordit, ka raportuar gazetari italian ¡ “DAZN”, Horace Accomando.

Siç është bërë e ditur, bisedimet janë drejt perfundimit.

Klubi anglez perfundoi sezonin në një pozitë zhgënjyese. Perfundoi në pozitën e 14-të, ndersa për herë të fundit në Premier League ishte në edicionin 2021/2022.

Për ish-mesfushorin e Zvicrës, do të ishte roli i parë si drejtues që nga pensionimi i tij nga futbolli aktiv në verën e vitit 2022.

Behrami ka bërë karrierë te madhe si futbollist.

Për Watfordin luajti nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ka luajtur edhe për klube te ndryshme në Itali, Gjermani dhe Zvicër./Albinfo.ch

Studim shpresëdhënës: Ushtrimet fizike parandalojnë rikthimin e kancerit

Një studim i paraqitur në konferencën më të madhe në botë për kancerin dhe i botuar në New England Journal of Medicine, ka sjellë provat e para të qarta se ushtrimet fizike të strukturuara pas trajtimit të kancerit ulin rrezikun e vdekjes për 37%, ndërkaq rreziku pë rikthimin e sëmundjes apo shfaqjen e një kanceri të ri është 28 për qind, ka raportuar The Guardian.

“Unë do ta kisha quajtur ‘ilaç më i mirë’, sepse ushtrimet nuk kanë të gjitha efektet anësore që kanë ilaçet. Këto janë përfitime të të njëjtit nivel me shumë ilaçe që miratohen për efekte më të vogla, e që janë të shtrenjta dhe toksike”, ka thënë doktoresha Julie Gralow, drejtoreshë Shoqatës Amerikane të Onkologjisë (ASCO).

Studimi përfshiu 889 pacientë me kancer të zorrës së trashë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Franca, Kanadaja dhe Izraeli, të cilët kishin përfunduar trajtimin me kirurgji dhe kimioterapi. Rreth 90% e tyre ishin në fazën e tretë të sëmundjes.

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri grup mori vetëm një broshurë me këshilla për stilin e jetesës së shëndetshme, ndërsa tjetri ndoqi një program të strukturuar ushtrimesh për 3 vjet, nën mbikëqyrjen e trajnerëve personalë ose profesionistëve të shëndetit.

Grupi që ushtrohej kishte si objektiv 3 deri në 4 ecje në javë nga 45 deri në 60 minuta ose aktivitete të tjera të përshtatura si kajak, skijim apo palestër, përcjell albinfo.ch.

Pas pesë vjetësh, rreziku për të pasur rikthim apo kancer të ri ishte 28% më i ulët tek ata që ushtroheshin. Pas tetë vjetësh, rreziku i vdekjes ishte 37% më i ulët krahasuar me grupin që kishte marrë vetëm këshilla të përgjithshme.

“Kur pacientët pyesin: ‘Çfarë mund të bëj më shumë për të përmirësuar shanset për shërim?’, tani kemi një përgjigje të qartë: ushtrimet ndihmojnë jo vetëm për të parandaluar rikthimin e sëmundjes, por përmirësojnë ndjeshëm edhe jetën dhe mirëqenien”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Christopher Booth nga Universiteti Queen’s në Kanada.

Sipas ekspertëve, ky studim do të ndryshojë mënyrën si trajtohet kanceri pas terapisë, duke e bërë aktivitetin fizik pjesë të pandashme të rikuperimit.

“Këto gjetje janë vërtet emocionuese, nga ecjet e thjeshta deri te ushtrimet më intensive, aktiviteti fizik mund të jetë mënyra më e fuqishme për të forcuar trupin dhe për të parandaluar rikthimin e kancerit”, ka thënë profesori Sir Stephen Powis, drejtor mjekësor i institucioneve shëndetësore në Angli.

Ekspertët kanë theksuar se, ndonëse studimi është bërë me pacientë që kishin kancer të zorrës së trashë, përfitimet mund të vlejnë edhe për lloje të tjera kanceri, si ai i gjirit apo i prostatës. Janë të nevojshme studime të reja për ta konfirmuar këtë, por prova si këto nuk mund të injorohen.

“Ushtrimet si ndërhyrje janë zgjedhje e qartë, nuk kanë efekte anësore, janë falas dhe të dobishme për të gjithë. Duhet të zbatohen gjerësisht”, ka theksuar doktoresha Pamela Kunz nga Universiteti i Yaleit.

Megjithatë, mjekët kanë theksuar se çdo pacient duhet të këshillohet me mjekun para se të nisë ndonjë regjim të ri fizik. Ushtrimet janë të fuqishme, por nuk janë të përshtatshme për të gjithë.

“Aktiviteti fizik për disa pacientë mund të jetë pika e kthesës që ndryshon të gjithë ecurinë e rikuperimit. Por siguria dhe përshtatshmëria mbeten të parat”, ka thënë profesori Charles Swanton nga Cancer Research UK.

 

 

Aksidenti në Gotthard: Raporti përfundimtar i hetimit zbardh dëmet në vlerên e 150 milionë frangave

Më 10 gusht 2023, një tren mallrash doli nga shinat në Tunelin Bazë të Gotthardit, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore. Sot, hetuesit federalë të aksidenteve kanë paraqitur raportin përfundimtar për ngjarjen që tronditi transportin hekurudhor zviceran.

Çfarë ndodhi?

Një rrotë e thyer ishte shkaku i aksidentit. Treni, që udhëtonte nga Ticino drejt Gjermanisë, doli nga shinat në mes të një prej projekteve më të kushtueshme infrastrukturore në Evropë  Tunelit Bazë të Gotthardit.

Raporti përfundimtar i Bordit Zviceran për Hetimin e Aksidenteve të Transportit (SUST) konfirmon se rrota kishte çarje vertikale që ishin zgjeruar për shkak të “stresit termik”, si pasojë e frenimit të vazhdueshëm direkt mbi rrota. Defekti nuk ishte zbuluar nga kontrollet rutinë, transmeton albinfo.ch.

Pasojat

Shinat u shkatërruan për disa kilometra.

Dëmi material arrin në rreth 150 milionë franga zvicerane.

Tuneli ishte pjesërisht i mbyllur për më shumë se një vit.

U desh të përdorej rruga malore alternative për pasagjerët dhe mallrat.

Masat që rekomandohen

Ekspertët kërkojnë kontrolle më të shpeshta dhe më të thelluara të rrotave dhe boshtit të tyre. Gjithashtu, do të shqyrtohet përbërja metalurgjike e frenave për të gjetur materiale më të qëndrueshme. Problemi nuk është i izoluar  prek shumicën e vagonëve të mallrave në Evropë.

Edhe pse janë regjistruar rreth dhjetë çarje të ngjashme të rrotave në rrjetin evropian në vitet e fundit, vetëm pas aksidentit në Gotthard filloi një hetim serioz mbi këtë çështje.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi?

Aktualisht, SBB dhe dega e saj SBB Cargo do të përballojnë kostot. Megjithatë, në parlament janë ngritur pyetje serioze: pse kompania që zotëronte vagonin problematik nuk mban përgjegjësi?

Një propozim për rritjen e përgjegjësisë së pronarëve të vagonëve është refuzuar ngushtë, por priten mocione të tjera.

 

Ish-kryediplomatja gjermane Anna Baerbock zgjidhet Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ish-ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, është zgjedhur Presidente e re e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Politikania 44-vjeçare e Partisë së Gjelbër mori një shumicë të madhe votash, pavarësisht një manovre penguese nga Rusia.

Në një votim të fshehtë të kërkuar nga Moska në organin më të madh të OKB-së, Baerbock mori 167 vota. 14 shtete abstenuan, ndërsa 7 të tjera votuan për kandidaten e mëparshme gjermane, Helga Schmid, transmeton albinfo.ch.

Posti i Presidentes së Asamblesë së Përgjithshme ka më tepër rëndësi protokollare dhe nuk duhet ngatërruar me rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Votimi nën hije përplasjeje diplomatike

Sipas burimeve diplomatike, Rusia kërkoi një votim të fshehtë  një veprim i pazakontë, pasi zakonisht ky post miratohet me konsensus dhe pa votim formal. Fletët e votimit përmbanin vetëm emrin e Baerbock, me mundësi për të abstenuar ose për të shtuar një tjetër emër.

Në javët e fundit, Rusia nuk ka fshehur qëndrimin e saj kritik ndaj Baerbock, duke e konsideruar atë si “të njëanshme në mënyrë të skajshme”, për shkak të qëndrimit të saj të ashpër ndaj Moskës pas pushtimit rus të Ukrainës.

Fillimisht ishte propozuar diplomatja gjermane Helga Schmid, e cila gëzonte edhe mbështetjen e Rusisë. Baerbock u përfshi në garë relativisht vonë, pas humbjes së saj në zgjedhjet federale.

 

Studiuesit zviceranë zhvillojnë trajtim të ri kundër limfomës

Sipas Institutit Paul Scherrer (PSI), kanceri mund të luftohet në mënyrë efektive me elementin radioaktiv terbium. Megjithatë, terapia ende nuk është testuar te njerëzit.

Në eksperimente laboratorike, përbërësi i ri aktiv me substancën terbium-161 shkatërroi qelizat kancerogjene nga dy deri në 43 herë më mirë se përbërësi me substancën lutetium-177, i cili tashmë përdoret në spitale.

Ky rezultat u publikua të hënën në revistën Journal of Nuclear Medicine. Minjtë me kancer, të trajtuar me terbium-161, mbijetuan mesatarisht dyfish më gjatë sesa ata që morën substancën ekzistuese, transmeton albinfo.ch.

“Rezultatet tona japin tregues të mirë se ky përbërës mund të jetë gjithashtu efektiv edhe kundër limfomës te njerëzit,” tha autorja kryesore Elisa Rioja-Blanco në një deklaratë për shtyp nga PSI.

I lidhur me antitrupa

Së bashku me studiues nga Spitali Universitar i Bernës (Inselspital), studiuesit e PSI kanë lidhur substancën radioaktive terbium-161 me një antitrup. Në të ardhmen, ajo mund të injektohet në gjakun e pacientëve të prekur.

Antitrupi lidhet me një strukturë në trup që gjendet shpesh në qelizat tumorale të limfomës: receptori i ashtuquajtur CD30. Në atë vend, ai shkatërron qelizat kancerogjene me rrezatimin e tij radioaktiv. Sipas PSI, qelizat tumorale formojnë receptorin CD30 në afro një të tretën e pacientëve me limfomë.

Parimi tashmë i njohur

Ky parim është i njohur dhe tashmë përdoret në spitale. Megjithatë, këto terapi të quajtura radionukleide aktualisht realizohen me izotopin lutetium-177.

Sipas PSI, ky përbërës përdoret për kancerin e prostatës dhe tumore që zhvillohen nga qelizat që prodhojnë hormone. Por terapia me lutetium-177 nuk është e përshtatshme për limfomën, pasi qelizat tumorale individuale dhe grupet më të vogla të tyre, që ndodhin në këtë lloj kanceri, nuk arrijnë të kapen nga elementi. Sipas studiuesve, terbium-161 lëshon “projektilë” më të saktë.

Tashmë, studimet klinike do të tregojnë nëse kjo terapi e re funksionon vërtet edhe te njerëzit.

Ndeshja Shqipëri-Serbi pa tifozat “Kuq e Zi”, për herë të parë jashtë stadiumit

Për herë të parë që nga themelimi i tyre 21 vite më parë, grupi më i madh i tifozëve shqiptarë, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në stadium për të përkrahur Kombëtaren në ndeshjen e shumëpritur kundër Serbisë, që do të luhet më 7 qershor 2025 në “Air Albania”.

Në një deklaratë publike, TKZ shprehet se kjo është hera e dytë në historinë e tyre që nuk do të jenë në tribunë për të mbështetur Kombëtaren. Herën e parë, më 14 tetor 2014, kjo ndodhi për shkak të ndalimit nga autoritetet serbe në Beograd. Kësaj here, sipas tyre, pengesa vjen nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), të cilën ata e akuzojnë për përjashtim të tifozëve të vërtetë dhe organizim të padrejtë të shpërndarjes së biletave.

TKZ kundërshton ashpër sistemin e aplikimit me short, që e cilësojnë si të manipuluar dhe të ndërtuar për të favorizuar agjencitë turistike dhe spekulimet me çmime. Ata theksojnë se nuk kanë marrë pjesë në këtë proces, duke e cilësuar si “farsë”, transmeton albinfo.ch.

Sipas tyre, çmimet e larta të biletave që shkojnë nga 150 deri në 1000 euro kanë kthyer një ndeshje futbolli në një aktivitet luksi të papërballueshëm për tifozin mesatar. “Është e paimagjinueshme që një familje e zakonshme shqiptare të shpenzojë rreth 600 euro për të ndjekur një ndeshje futbolli”, thuhet në deklaratë.

TKZ shpreh zhgënjim të thellë ndaj politikave të FSHF-së, të cilat sipas tyre përjashtojnë ata që kanë qenë pranë Kombëtares në çdo ndeshje, në çdo shtet dhe në çdo mot, për më shumë se dy dekada.

“Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm BESNIKËT e përjetshëm JO,” theksohet në reagim.

Megjithatë, pavarësisht bojkotit të ndeshjes, TKZ përfundon mesazhin e tyre me një shpresë të thjeshtë, por domethënëse:

“Le të fitojë njëherë Kombëtarja.”

 

Zvicra do të ashpërsojë masat ndaj shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë që shmangin shërbimin ushtarak

Një marrëveshje e vjetër mes Bernës dhe Parisit, e lidhur në vitin 1997, i lejonte shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë zvicerano-franceze të shmangnin shërbimin ushtarak në Zvicër, nëse ata merrnin pjesë në “Ditën e Mbrojtjes dhe Shtetësisë” në Francë (Journée défense et citoyenneté). Çdo vit, rreth 800 të rinj me shtetësi të dyfishtë përfitojnë nga kjo rregullore për të shmangur detyrimet ushtarake në Zvicër.

Mirëpo, përballë mungesës së rekrutëve dhe përkeqësimit të situatës së sigurisë në Evropë, autoritetet zvicerane fillimisht parlamenti, e më pas edhe Këshilli Federal kanë vendosur të rishikojnë këtë marrëveshje, transmeton albinfo.ch.

Qëllimi është që një kurs gjysmë-ditor teorik në Francë të mos konsiderohet më i mjaftueshëm për të përjashtuar një shtetas të dyfishtë nga shërbimi ushtarak zviceran. Zvicra do të kërkojë rinegocimin e marrëveshjes me Francën për këtë çështje.

Nisma për ndryshimin e marrëveshjes është ndërmarrë nga deputeti Pascal Schmidt nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), i cili në shkurt 2025 dorëzoi një mocion parlamentar për këtë qëllim.

Sipas tij, qytetarët me shtetësi të dyfishtë duhet t’i nënshtrohen shërbimit ushtarak zviceran nëse trajnimet që marrin jashtë vendit nuk përmbushin standardet e Zvicrës siç ndodh me Francën.

Sipas Ministrisë franceze të Mbrojtjes, “Dita e Mbrojtjes dhe Shtetësisë” është një aktivitet gjysmë-ditor që synon të ndërgjegjësojë të rinjtë për rëndësinë e lirisë dhe ofron informacione mbi karrierat civile dhe ushtarake. Gjithashtu, ofron mbështetje për të rinjtë në vështirësi që kërkojnë orientim profesional.

Por kjo përvojë është shumë larg nga ajo që kërkohet në Zvicër, ku rekrutët duhet të përfundojnë 18 javë trajnim bazë dhe të marrin pjesë në gjashtë trajnime të përsëritura nga tri javë secili, përgjatë nëntë viteve.

“Personat me nënshtetësi të dyfishtë janë në një pozicion të favorshëm,” deklaroi Schmidt. “Vetëm në pesë vitet e fundit, ushtria zvicerane ka qenë me 5,000 rekrutë më pak, pikërisht për shkak të kësaj dispozite.”

Ai shtoi se nuk e imagjinon që shumica e parlamentit të dëshirojë të ruajë këtë situatë.

 

Si mund të penalizoheni në Zvicër nëse dilni në pension herët

Nëse po ëndërroni të ndërprisni punën para moshës zyrtare të pensionit prej 65 vjeç, mund t’ju duhet ta rishikoni këtë plan  të paktën kështu kërkon qeveria zvicerane.

Edhe në kushtet më të mira, dalja në pension para kohe nuk është e leverdishme financiarisht – përveç nëse jeni të pasur dhe keni mjete të mjaftueshme për të jetuar rehat për pjesën tjetër të jetës.

Por nëse nuk jeni në këtë kategori, përgatituni për pensione më të ulëta.

Për shembull, nëse dilni në pension një vit më herët (në moshën 64), pensioni juaj nga shtylla e parë (AHV/AVS) do të reduktohet përgjithmonë me 6.8 përqind, shkruan the local transmeton albinfo.ch.

Nëse dilni dy vite më herët (në moshën 63), reduktimi arrin në 13.6 përqind.

Kjo do të thotë se, nga një pension maksimal mujor prej 2,520 frangash, do të humbisni 171 franga në rastin e parë dhe 342 franga në të dytin.

(Natyrisht, shumica e njerëzve në Zvicër kanë gjithashtu pensione nga shtylla e dytë dhe e tretë, të cilat ndihmojnë në zbutjen e këtij reduktimi.)

Penalizimet mund të thellohen

Aktualisht, rreth 11 përqind e popullsisë në moshë pune zgjedh të dalë në pension herët, dhe qeveria po përpiqet të dekurajojë këtë praktikë.

Për këtë arsye, po shqyrtohet rritja e penaliteteve për ata që largohen nga tregu i punës përpara kohe  goditja më e madhe do të jetë në portofol.

Në vend të një penaliteti 6.8 përqind për daljen në pension në moshën 64, kjo shifër mund të rritet në 7.5 përqind.

Ndërsa ata që dalin në pension në moshën 63, mund të përballen me një shkurtim prej 15 përqind.

Pse këto masa të ashpra?

Gjithçka lidhet me financat.

Popullsia e Zvicrës po plaket dhe njerëzit jetojnë më gjatë  një zhvillim pozitiv që gjithsesi paraqet sfida të mëdha.

Sipas institutit të mendimit Avenir Suisse, “numri i pensionistëve në Zvicër do të rritet me 61 përqind deri në vitin 2035, ndërsa popullsia aktive do të shtohet vetëm me 7 përqind.”

Kjo do të thotë se shpenzimet për pensionet (AHV/AVS) do të rriten ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të ardhshme, por kontributet nga të punësuarit nuk do të mjaftojnë për ta mbajtur sistemin të qëndrueshëm financiarisht.

Nëse nuk merren masa, pritet që AHV/AVS të ketë një deficit prej 2.5 miliardë frangash brenda pesë viteve të ardhshme.

Për këtë arsye, qeveria zvicerane po përpiqet të inkurajojë njerëzit që të punojnë përtej moshës zyrtare të pensionit dhe të shmangin daljen para kohe nga puna.

Sipas ministres Elisabeth Baume-Schneider, përgjegjëse për Zyrën Federale të Sigurimeve Shoqërore, “do të shqyrtojmë normat e reduktimit për pensionin e parakohshëm.”

 

“Larg së qenuri ideal”

Jo të gjithë në Zvicër janë dakord me këto propozime.

Gabriela Medici, përgjegjëse për çështjet sociale në Federatën e Sindikatave të Zvicrës, mendon se ky propozim nuk është thjesht një taktikë frikësimi  qeveria mund të marrë me të vërtetë masa për të rritur penalitetet.

Megjithatë, sipas saj, kjo do të ishte “larg së qenuri zgjidhja ideale.”

“Ka njerëz me të ardhura të ulëta që nuk mund të gjejnë më punë dhe detyrohen të dalin në pension herët,” tha ajo, duke shtuar se masa e propozuar “do t’i penalizonte këta njerëz.”

Çfarë pritet më tej?

Për momentin, nuk ka ende vendime konkrete  është një propozim në fazë shqyrtimi.

“Sot për sot, bëhet fjalë për një mandat shqyrtimi, dhe nuk janë paraqitur masa të detajuara para Këshillit Federal,” tha zëdhënësi Harald Sohns.

Një lajm i mirë është që qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat për të kompensuar mungesat në fondin e AHV/AVS.

Në një komunikatë të fundit për shtyp, Këshilli Federal deklaroi se “ka vendosur të mos prezantojë burime të reja financimi, si taksë mbi transaksionet financiare, taksë trashëgimie apo taksë mbi fitimet nga pasuritë e paluajtshme.”

 

Kombëtarja e Kosovës vazhdon përgatitjet për miqësoret e qershorit

Përfaqësuesja A e Kosovës ka vazhduar sot me seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në fillim të muajit qershor, ndaj Armenisë më 6 qershor dhe Komoreve më 9 qershor.

Në seancën e sotme kanë munguar mbrojtësi Ismajl Beka dhe portieri Amir Saipi. Beka ka pësuar një lëndim të lehtë gjatë stërvitjes së parë dhe, me rekomandim të stafit mjekësor, është stërvitur individualisht. Ndërkohë, mungesa e Saipit është për shkak të arsyeve shëndetësore.

Përzgjedhësi Franco Foda, së bashku me stafin teknik, ka zhvilluar një seancë dinamike duke u fokusuar në aspektet taktike dhe filozofinë e lojës që synohet të aplikohet në dy ndeshjet në vijim, përcjell albinfo.ch.

Gjatë ditës, Kombëtarja është vizituar edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka përshëndetur lojtarët dhe stafin teknik, duke u dëshiruar mirëseardhje futbollistëve të rinj dhe duke i inkurajuar të gjithë të japin më të mirën në paraqitjet e ardhshme.

Mesfushorët Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha, që janë për herë të parë pjesë e Kombëtares A, janë shprehur të lumtur për ftesën dhe të motivuar për sfidat që i presin.

“Jam shumë i kënaqur me pritjen në ekip dhe krenar që jam përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën. Stërvitja ishte shumë pozitive dhe besoj se do të kemi paraqitje të mira në dy ndeshjet e ardhshme,” u shpreh Bledian Krasniqi. Ndërsa Florian Haxha tha se është shumë i lumtur për këtë mundësi.

“Seanca e sotme ishte intensive dhe besoj se nga nesër do të fokusohemi në mënyrë specifike për ndeshjen kundër Armenisë. Objektivi ynë është të kemi paraqitje serioze dhe të marrim rezultate pozitive, pasi këto ndeshje janë përgatitje për kualifikimet e ardhshme të Botërorit.”, u shpreh ai.

Ndeshja ndaj Armenisë do të zhvillohet më 6 qershor, ndërsa ajo ndaj Komoreve më 9 qershor, të dyja në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Këto miqësore do të shërbejnë si përgatitje për ciklin kualifikues të Kampionatit Botëror, i cili fillon në muajin shtator, ku Kosova bën pjesë në Grupin B së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.