X

Na ndiqni:

Ndërpritet seanca për konstituimin e Kuvendit pasi Kurti ftoj në takim partitë politike për konsultim

Ka dështuar këtë të premte edhe tentativa e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Propozimi i ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje që kryeparlamentari të zgjidhet përmes votimit të fshehtë, sërish nuk ka gjetur përkrahje nga partitë opozitare.

Seanca e rradhës do të mbahet pas 48 orëve, pra të dielen nga ora 11:00.

Kurti fton në takim krerët e partive politike

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se “aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë se për këtë ka ftuar në takim krerët e partive politikë të përfaqësuara në Kuvend për të shtunën në orën 16:00. 

“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Haxhiu: Nëse s’i marr së paku 61 vota me votim të fshehtë, tërhiqem

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka insistuar në votimin e fshehtë, duke dhënë zotimin se nëse bëhet kjo mënyrë e votimit e ajo nuk merr së paku 61 vota, do të tërhiqet nga kandidatura për kryeparlamentare, përcjell albinfo.ch.

“Me rastin e votimit të fshehtë kur votojnë të gjithë deputetë, siç ka kërkuar edhe Gjykata Kushtuese, nëse unë si kandidate e propozuar nuk i marr së paku 61 vota tërhiqem nga kandidatura për kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.  

 

Haxhiu bashkë me deputetin e VV-së, Glauk Konjufca, kanë përsëritur se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se votimi i fshehtë nuk është antikushtetues.

Konjufca ka theksuar se Kushtetuesja bën me dije se veprimet e partive politike mund të çojnë në qorrsokak.

“Ne nuk mund ta dimë çfarë do të ndodhë pas 26 korrikut”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës njofton mbledhje në ora 12:00

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se do të mbajë mbledhje sot në ora 12:00 në ndërtesën e Qeverisë, përcjell albinfo.ch.

Kjo mbledhje mbahet në një ditë me rëndësi të lartë politike, pasi sot në ora 11:00 është thirrur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, tentativa e 38-të për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Seanca vjen vetëm një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcaktoi që ky proces duhet të përfundojë brenda një afati prej 30 ditësh.

Përderisa nuk është e qartë nëse seanca e Kuvendit do të përfundojë me sukses apo do të zvarritet edhe më tej, mbetet të shihet nëse zhvillimet e saj do të reflektohen në mbledhjen e Qeverisë apo në qëndrimet që mund të pasojnë më vonë nga ekzekutivi.

Detaje rreth rendit të ditës së Qeverisë ende nuk janë bërë publike.

Sot përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kosovës do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.

Referuar  partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.

Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.

Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.

Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.

Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.

“E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.

Në një reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke iu rikthyer skenarit të dakorduar për zhvillimin e seancës dhe për të proceduar me votim të hapur.

“Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur”, vijon reagimi i tyre.

E Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.

Derisa përmendi vendimin që thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja ka krijuar bazë ligjore “për të dalë nga ngërçi i krijuar”.

“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, ka thënë Haradinaj.

Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses është lehtësues.

Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00.

“Lulëkuqet” nga Berna ftojnë gratë shqiptare t’i bashkohen korit të tyre

Nën moton “Kënga qytetare shqiptare na bashkon dhe na argëton”, kori Lulëkuqet Bern po vazhdon misionin e tij për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore shqiptare në mërgatë. Grupi i përbërë nga gra shqiptare që jetojnë në Zvicër, tashmë po zgjeron radhët dhe fton të gjitha zonjat e interesuara t’i bashkohen, shkruan albinfo.ch.

Takimet e rregullta mbahen çdo të premte, në ora 19:00, në hapësirat e Shkollës Bernstrasse, në adresën: Bernstrasse 60, 3072 Ostermundigen

Për anëtaret aktuale, kori nuk është thjesht një vend ku këndohet, por një hapësirë miqësie, bashkëpunimi dhe ruajtjeje të identitetit kulturor. Përmes këngëve qytetare shqiptare, “Lulëkuqet” krijojnë një urë lidhëse ndërmjet brezave dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

“Të nderuara zonja, jeni të mirëseardhura të bashkoheni me ne,” thuhet në ftesën publike nga organizatoret e korit.

Ky është një shembull i fuqishëm i mënyrës se si arti dhe kultura mund të shërbejnë si faktor bashkimi dhe ruajtjeje të identitetit në diasporë. /Albinfo.ch.

Riola Morina emërohet asistente në Universitetin e Bazelit

Një sukses i veçantë akademik vjen nga Kamenica. Riola Morina është pranuar si asistente në Departamentin e Gjuhësisë Angleze në një nga universitetet më prestigjioze të Evropës, Universität Basel, shkruan albinfo.ch.

Në rolin e saj të ri, ajo do të angazhohet në hulumtime dhe mësimdhënie nën drejtimin e Prof. Dr. Miriam Locher, një figurë e njohur  ndërkombëtarisht në fushën e pragmatikës dhe komunikimit shoqëror.

Puna e Riolës do të përfshijë detyra akademike dhe kërkimore, me fokus në zhvillimin profesional dhe shkencor brenda një ambienti ndërkombëtar të avancuar. Përfshirja e saj në këtë institucion nënvizon edhe njëherë potencialin dhe përgatitjen e lartë të të rinjve shqiptarë në arenën ndërkombëtare akademike.

Ky emërim përfaqëson jo vetëm një arritje personale për Morinën, por edhe një moment krenarie për komunitetin nga i cili ajo vjen. /Albinfo.ch

Kadife Ukaj, shqiptarja nga Kosova në shërbim të policisë zvicerane

Kadife Ukaj, me origjinë nga fshati Kaliqan i Istogut në Kosovë, është një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët në diasporë, shkruan albinfo.ch.

Me rrënjë të forta familjare dhe një edukim të bazuar në vlera të qëndrueshme, ajo ka ndjekur ëndrrën e saj me guxim dhe sot mban uniformën e rendit në një nga shtetet më të rregullta dhe ligjore të Evropës, Zvicrën.

Shërbimi si police në Zvicër për Kadifen nuk është vetëm një punë, por është një mision që ajo e kryen me përkushtim dhe krenari. Ajo e konsideron një privilegj dhe kënaqësi të jetë pjesë e sistemit të sigurisë në një vend të njohur për ligje të forta dhe strukturë të qartë institucionale.

Kadife Ukaj sot është një profesioniste e respektuar në radhët e policisë zvicerane dhe një përfaqësuese e denjë e komunitetit shqiptar. Ajo është dëshmi se me përkushtim, vullnet dhe qëndrueshmëri, ëndrrat mund të realizohen – kudo në botë.

Me guxim, përkushtim dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, Kadife Ukaj është një zë i sigurisë në diasporë dhe një model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen. /Albinfo.ch

 

Hiqet nga “rendi i ditës” transferimi i Granit Xhakës te Milani

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se bisedimet mes dy klubeve janë ndërprerë dhe për momentin nuk ka asnjë shans për transferimin e reprezentuesit shqiptar të Zvicrës në “San Siro”.

Milani kishte shprehur interesim të madh për shërbimet e 32-vjeçarit dhe kishte paraqitur dy oferta zyrtare. Fillimisht 10 milionë euro dhe më pas 12 milionë euro. Megjithatë, të dyja ofertat janë refuzuar nga Leverkuseni, i cili e vlerëson kartonin e Xhakës të paktën 15 milionë euro.

Pavarësisht se Xhaka kishte arritur një marrëveshje personale me klubin italian, një kontratë trevjeçare me vlerë totale prej 12 milionë eurosh, transferimi nuk do të realizohet për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes klubeve. Kujtojmë se Xhaka ka kontratë të vlefshme me Leverkusenin deri në vitin 2028.

Xhemaili, më meritorja për fitoren e Zvicrës ndaj Çekisë

Zvicra i dha fund një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore në Winterthur. Në miqësoren e fundit para Kampionatit Evropian, që fillon të mërkurën, skuadra e kryetrajneres Pia Sundhage mposhti Republikën Çeke me rezultatin 4-1, tranmseton albinfo.ch.

Xhemaili me një gol dhe një asist ëndrrash

Riola Xhemaili i ka dhënë ekipit kombëtar epërsinë pas një nisjeje të ngadaltë. Në fund të një shpërthimi energjie nga Nadine Riesen, topi gjeti rrugën për te lojtarja e Eindhovenit, e cila shënoi lehtësisht golin e saj të 6-të ndërkombëtar (minuta e 24-të), shkruan srf.ch.

Por epërsia zgjati më pak se tre minuta. Pas një goditjeje nga këndi, Zvicra dështoi vazhdimisht ta largonte topin nga zona e rrezikut. Barbora Polcarova më në fund e çoi topin përtej vijës së portës dhe shfrytëzoi dështimin kolektiv të mbrojtjes zvicerane me golin e saj të parë me fanellën çeke.

Skuadra kombëtare vazhdoi ta kontrollonte lojën, por edhe një herë luftoi për të hyrë në një pozicion shënimi. Reuteler e kudondodhur humbi disa raste premtuese përpara se të dyfishonte rezultatin në minutën e 42-të: Një pasim teknikisht delikat dhe spektakolar nga Xhemaili,  22-vjeçarja i dha një goditje të lehtë partneres së saj në sulm  e çoi Reutelerin në një distancë të shkurtër nga portierja çeke për rezultatin 2-1.

Gjendet i vdekur personi i zhdukur pas rrëshqitjes së akullnajës në Blatten

Eshtrat njerëzore të gjetura të martën pas shembjes së akullnajës në komunën e varrosur të Blatten në Valais janë identifikuar.

Trupi i pajetë është ai i personit të vetëm të zhdukur që nga rrëshqitja e dheut më 28 maj, një burri 64-vjeçar, transmeton albinfo.ch

Policia e Kantonit Valis e njoftoi këtë në një deklaratë të publikuar në mbrëmjen e sotme.

Gjatë një operacioni kërkimi, mbetje njerëzore janë gjetur dhe rikuperuar në fshatin e rrënuar malor të Valisit, Blatten, të martën.

Një person është zhdukur që nga rrëshqitja e dheut në Lötschental më 28 maj.

Më 28 maj, afërsisht 9 milionë metra kub shkëmb dhe akull akullnajor varrosën dhe shkatërruan kryesisht fshatin Blatten. Përveç personit të zhdukur, afërsisht 300 banorë u evakuuan në kohë. Koni i mbeturinave është dy kilometra i gjatë, 400 metra i gjerë dhe 200 metra i thellë në disa vende.

Kur prodhimet vendore kushtojnë më shumë se ato të importit

Në disa markete në Prishtinë 5 kilogramë miell nga Maqedonia kushtojnë 4 euro e 15 centë, ndërkaq produkti i njëjtë nga Kosova, rreth 4 euro e 45 cent, transmeton albinfo.ch.

Çmimi i 1 kilogrami sheqer nga Shqipëria kushtonte 1 euro e 5 centë, ndërkaq nga Kosova rreth 1 euro e 22 centë, shkruan rtklive.com. Një litër qumësht i një prodhuesi kosovar po kushton rreth 1 euro e 15 centë, ndërkaq një prodhuesi nga Bosnja 1 euro e 12 centë. Çmimi i 100 gram kafeje të prodhuar nga Shqipëri kushton 1 euro e 25 centë, ndërkaq po i njëjti produkt i prodhuar në Kosovë 1 euro e 59 centë.

Ndërkaq çmimi i vajit të prodhuar në Kosovë por edhe shtetet tjera ishte pothuajse i njëjtë, rreth 1,39 centë. Ndërkaq, çmimet më të ulëta se ato të shteteve tjera i patën çajrat si dhe një pjesë e produkteve të kujdesit personal.

Njohësit e ekonomisë përmendin faktorët që po ndikojnë që produktet vendore të shiten më shtrenjtë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë muajit maj krahasuar me prillin e këtij viti, çmimet e konsumit janë rritur për 0.3%. Ngritje kanë pasur çmimet e bukës dhe drithërave, pemëve dhe perimeve, ujit mineral, lëngjeve si dhe shërbimeve tjera.

Policia në Stacionin Kryesor të Cyrihut për shkak të kërcënimit me bombë

Policia e Qytetit të Cyrihut ka rrethuar sot në orët e drekës një pjesë të stacionit kryesor hekurudhor për shkak të një pakete “që përmban materje shpërthyese”. Një letër nga një subjekt që ka marrë përgjegjësinë, ka shënjestruar Kampusin e Mbrojtjes Kibernetike në Zollstrasse, si objektiv të vetin, transmeton albinfo.ch

Policia rrethoi një perimetër të gjerë në stacion, ka raportuar  gazeta”Blick” të enjten pasdite. Policia e qytetit ka konfirmuar një operacion në Zollstrasse për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.

Sipas gazetës, një robot çaktivizimi bombash ishte gjithashtu në vend të ngjarjes. Në një letër që merr përgjegjësinë në një faqe interneti përkatëse, individë të panjohur e kritikojnë kampusin si “ndërlidhjen ushtarake të Zvicrës me NATO-n”. Një pako që përmban përmbajtje shpërthyese dyshohet se është depozituar në kampus.

Bundestagu zgjat misionin ushtarak të Gjermanisë në Kosovë

Bundestagu do të vazhdojë të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar ushtarak në Kosovë edhe për një vit tjetër. Parlamenti Federal, Bundestagu, me shumicë të madhe të votave, ka zgjatur mandatin për misionin e NATO-s KFOR.

Forca ndërkombëtare ka për qëllim të vendosë një rend paqeje civile dhe të sigurojë rendin publik në Kosovë, ku tensionet me Serbinë fqinje janë shfaqur vazhdimisht, shkruan Agjencia Gjermane e  lajmeve, DPA.

Me një kohëzgjatje prej 26 vjetësh, prania në Kosovë është vendosja më e gjatë e jashtme e Bundeswehr-it. Kufiri i numrit të personelit mbetet i pandryshuar në 400 ushtarë gjermanë. 391 anëtarë të parlamentit votuan në favor të zgjatjes së misionit, me 189 vota kundër dhe dy abstenime.

Këtë mbrëmje, Bundestagu planifikon gjithashtu të zgjerojë pjesëmarrjen gjermane në misionin e OKB-së UNIFIL pranë brigjeve libaneze, përcjell albinfo.ch. Një fregatë e Marinës Gjermane po lundron në Mesdheun lindor për të parandaluar kontrabandën e armëve për milicinë pro-iraniane të Hezbollahut.

Pensionistët më të lumtur në Evropë jetojnë në Zvicër

Një studim i ri tregon se 80% e personave të moshës 65 deri në 80 vjeç në Zvicër janë shumë të kënaqur me jetën e tyre. Ky rezultat është nxjerrë nga një sondazh i kryer nga instituti YouGov për siguruesin Swiss Life, ku u intervistuan mbi 2,000 pensionistë zviceranë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas studimit, pensionistët në Zvicër vlerësuan pozitivisht aktivitetet e tyre të kohës së lirë, marrëdhëniet sociale, shëndetin, si dhe mundësinë për të udhëtuar dhe lëvizur lirshëm. Kënaqësia ishte më e lartë tek ata me të ardhura më të mëdha dhe ulje ndjeshme tek ata që raportuan gjendje më të dobët shëndetësore.

Studimi nuk gjeti ndryshime të rëndësishme në nivelin e lumturisë midis burrave dhe grave, apo midis personave me apo pa fëmijë dhe nipër e mbesa. Megjithatë, pensionistët që jetojnë në çift rezultuan të jenë më të lumtur se ata beqarë.

Swiss Life thekson se askund tjetër në Evropë popullsia pensioniste nuk është kaq e kënaqur me jetën sa në Zvicër, bazuar në të dhënat nga Eurostat. Për më tepër, edhe në grupmosha të tjera, zviceranët janë përgjithësisht më të lumtur se evropianët e tjerë.

Në krahasim, pensionistët në vende si Skandinavia, Austria, Irlanda dhe Malta gjithashtu raportojnë nivele më të larta lumturie sesa bashkëmoshatarët e tyre më të rinj, transmeton albinfo.ch.

Kushtetuesja i vë afat Kuvendit: Seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditësh

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar të enjten se seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë brenda afatit prej 30 ditësh, duke nisur nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, raporton albinfo.ch.

Ky konstatim është pjesë e aktgjykimit të publikuar lidhur me kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila kishte kontestuar mënyrën e votimit për kryetar të Kuvendit, duke kundërshtuar kalimin nga votimi i hapur në atë të fshehtë.

Gjykata ka vlerësuar se seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimet e saj deri më sot nuk janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas aktgjykimit, afati 30-ditor për përfundimin e seancës konstituive është një obligim kushtetues që duhet respektuar në mënyrë të plotë.

“Gjykata Kushtetuese thekson se afati 30-ditor është detyrim kushtetues dhe nuk mund të tejkalohet. Ky afat fillon nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve,” thuhet në vendimin e publikuar, raporton albinfo.ch.

Austri: Frikë nga turizmi lakuriq nga Zvicra

Qyteti i Bregenzit në Austri po përgatitet të zyrtarizojë një zonë për larje nudo në bregun e liqenit Constance, duke nxitur polemika të ashpra mes ambientalistëve dhe komunitetit lokal. Një pjesë e bregut të Mehrerau, e përdorur prej kohësh nga nudistët, pritet të shpallet zyrtarisht plazh nudist përmes një “ordinance për larje nudo”. Por ky hap është pritur me shqetësim, veçanërisht për ndikimin potencial në mjedis dhe rritjen e turizmit nudist nga Zvicra, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas organizatës mjedisore “Aleanca për Natyrën”, kjo zonë ndodhet pranë një rezervati natyror ku rritet mosmëharruesi i rrallë i liqenit Constance. Ambientalistët paralajmërojnë se një status zyrtar i plazhit mund të tërheqë një numër të madh vizitorësh lakuriq, sidomos nga Zvicra, ku larja nudo konsiderohet më pak e zakonshme dhe, në disa kantone, e rregulluar me ligje të rrepta.

“Zviceranët që nuk kanë mundësi të lahen nudo në vendin e tyre, do të vijnë në Bregenz dhe zona do të ndotet”, paralajmëroi drejtori i organizatës, Christian Schuhböck, për agjencinë DPA. Ai bëri thirrje që plazhi të mos promovohet dhe të mos ndërtohet asnjë infrastrukturë që do ta bënte më tërheqës për publikun.

Aktualisht, një pjesë e vijës bregdetare kufizohet me shtylla druri dhe tabela informuese për të mbrojtur rezervatin. Ambientalistët sqarojnë se nuk janë kundër nudizmit, por kërkojnë masa për të parandaluar mbingarkimin e zonës, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, qyteti fqinj Hard ka prej kohësh një zonë të miratuar nudiste me pagesë, e cila vizitohet rregullisht edhe nga qytetarë zviceranë. Në vetë Zvicrën, plazhet nudiste janë të rralla dhe kryesisht jozyrtare. Larja nudo nuk është plotësisht e ndaluar, por mund të ndëshkohet nëse shqetëson të tjerët. Kantonet vendosin vetë për rregullat përkatëse dhe në disa raste, mund të aplikohet neni për “sjellje të pahijshme”.

Policia kantonale e Thurgau-t ka sqaruar për gazetën “Blick” se nuk ka ndalim të përgjithshëm për larjen nudo, por sjelljet që lidhen me qëllime seksuale janë të ndëshkueshme. “Varet se ku, si dhe ndaj kujt ndodh një veprim i tillë. Nëse sjellja është penale, vendoset nga prokuroria”, tha zëdhënësja Robin Bernhardsgrütter.

Në ditët në vijim, autoritetet austriake pritet të marrin vendimin përfundimtar pas skadimit të periudhës së apelimit. Vendimi do të përbëjë një përjashtim ligjor sipas Aktit të Policisë së Moralit, transmeton albinfo.ch.

A mund të parandalojë Zvicra radikalizimin përmes heqjes së shtetësisë?

Heqja e shtetësisë për individë të përfshirë në ekstremizëm mbetet një masë ligjore e mundshme në Zvicër, por jo pa kufizime dhe pasoja. Një studim i ri nga dy studiues zviceranë ka shqyrtuar këtë praktikë dhe ka ngritur dyshime të mëdha mbi efektivitetin e saj në parandalimin e radikalizmit dhe terrorizmit, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas legjislacionit aktual, autoritetet zvicerane mund t’ia heqin shtetësinë një personi që mban dy shtetësi, nëse ai dëmton interesat ose reputacionin e shtetit. Raste të tilla mund të përfshijnë sulme terroriste apo akte që rrezikojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të Zvicrës. Megjithatë, kjo ndodh vetëm pas një dënimi përfundimtar. Ndërkohë, për personat me vetëm një pasaportë zvicerane, heqja e shtetësisë nuk është e lejueshme sipas ligjit ndërkombëtar, pasi do t’i linte pa shtetësi.

Në historinë moderne të Zvicrës, kjo masë është përdorur shumë rrallë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ku më shumë se 80 persona humbën shtetësinë për shkak të lidhjeve me regjimin nazist, vetëm gjashtë raste të tilla janë regjistruar së fundmi, të gjitha të lidhura me terrorizmin islamik.

Por, sipas Mira Schwarz, njëra nga autoret e studimit, kjo qasje mund të jetë më shumë simbolike sesa praktike. “Kjo masë vlen vetëm për personat me dy shtetësi dhe mund të krijojë ndjenjë stigmatizimi. Nëse një individ ndjehet i diskriminuar, kjo mund të rrisë rrezikun e radikalizimit, jo ta frenojë atë,” tha Schwarz, transmeton albinfo.ch.

Studiuesit theksojnë se rruga më efektive për parandalimin e ekstremizmit është investimi në programe të parandalimit, deradikalizimit dhe riintegrimit. Këto programe synojnë të ndihmojnë individët të shkëputen nga rrethet ekstremiste, të ndërtojnë një jetë të re sociale dhe profesionale, si dhe të rifitojnë vetëbesimin dhe drejtimin në jetë.

“Deradikalizimi nuk mjafton të largojë dikë nga ekstremizmi, por duhet t’i ofrojë diçka tjetër në këmbim – miq të rinj, hobi, mundësi punësimi,” shton Schwarz.

Në krahasim me Zvicrën, Gjermania ka krijuar një infrastrukturë më të zhvilluar për parandalimin e radikalizimit. Ajo ofron programe të veçanta për ekstremizmin e krahut të djathtë, të majtë dhe atë fetar, duke ofruar një model që mund të shërbejë si frymëzim edhe për Zvicrën.

Aktualisht, kantoni i Vaud ka shprehur synimin për të forcuar programet lokale të parandalimit, ndërsa në nivel kombëtar debati mbetet i hapur, transmeton albinfo.ch.

Orges Arifi, kampioni nga Kosova që përfaqëson flamurin kuq e zi në karate

Nga një pasion që nisi në moshën 9-vjeçare, sot Orges Arifi është bërë një nga emrat më të njohur të karatesë shqiptare në arenën ndërkombëtare. I frymëzuar nga babai i tij, Arifi ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që numëron mbi 500 gara dhe rreth 200 medalje të fituara, ndër të cilat spikasin dy tituj të nënkampionit të Evropës, fituar në vitet 2024 dhe 2025, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.

“Medalja që më mungon është ajo e kampionatit botëror, por tashmë jam kualifikuar dhe mezi pres të garoj”, thotë 29-vjeçari, i cili përfaqëson Shqipërinë në garat ndërkombëtare. Ai shton se synimi i tij është i qartë: të rrëmbejë medaljen e artë në kampionatin botëror që do të mbahet në fund të vitit.

Arifi e nisi karrierën duke garuar për Shqipërinë, përpara se Kosova të pranohej në instancat ndërkombëtare. Më pas, për një kohë të gjatë, ai e përfaqësoi edhe Kosovën, duke i dhuruar vendit medaljen e parë evropiane në kategorinë U21, si dhe një medalje të artë në Kupën e Botës.

Megjithatë, zhgënjimi me Federatën e Karatesë së Kosovës e bëri që të kthehej në përfaqësuesen ku kishte filluar gjithçka.

“Nuk kishim trajtim të duhur. Filluan inatet ndaj meje dhe klubit tim, madje na ndëshkuan me dënime. Më mbeti veç ta lë sportin ose ta ndërroja përfaqësuesen. Shqipëria më hapi dyert përsëri, aty ku e nisa gjithçka”, rrëfen Arifi, transmeton albinfo.ch.

Përkundër sfidave, ai thekson se për të nuk ka dallim mes Kosovës dhe Shqipërisë, të dyja janë pjesë e së njëjtës familje kombëtare.

“Përfaqësoj flamurin kuq e zi, që na përfaqëson të gjithëve. Me sportistët nga Kosova jemi vëllezër. Çdo fitore më gëzon, pavarësisht nga cila përfaqësuese vjen”, thotë ai me emocion.

Përtej rezultateve, Arifi është i përkushtuar ndaj promovimit të sportit dhe vlerave që ai përcjell. Ai është trajner në klubin e karatesë “Ippon” në Prishtinë, ku punon me të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e tij.

“U kisha rekomanduar të gjithë të rinjve të merren me sport. Sporti është themeli i një shoqërie të shëndoshë, ndërsa karateja, përveç përfitimeve fizike, më ka mësuar disiplinë, vetëkontroll dhe përkushtim”, thekson Arifi, transmeton albinfo.ch.

Rritet numri i femicideve në Zvicër, autoritetet marrin masa urgjente

Në gjysmën e parë të vitit 2025, numri i femicideve në Zvicër ka arritur në nivele shqetësuese, me 18 gra dhe vajza të vrara nga partnerët apo ish-partnerët e tyre. Kjo situatë alarmante ka detyruar autoritetet zvicerane të marrin masa urgjente për të adresuar këtë krizë sociale, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale për Barazi Gjinore (FOGE) ka bërë me dije se, përveç masave ekzistuese në kuadër të planit kombëtar kundër dhunës në familje dhe dhunës seksuale, si dhe projektit kërkimor “Ndalo Femicidin”, është e domosdoshme të forcohen më tej mekanizmat e parandalimit dhe mbrojtjes për viktimat.

Në një takim të jashtëzakonshëm midis përfaqësuesve të qeverisë federale, kantoneve dhe bashkive u vendos që të mbyllen boshllëqet ekzistuese në kapacitetet e strehimoreve dhe akomodimeve emergjente për gratë dhe vajzat e rrezikuara. Synimi kryesor është të forcohet shërbimi institucional që ofron mbrojtje dhe ndihmë për viktimat e dhunës, por edhe të trajtohen në mënyrë adekuate autorët e dhunës.

Sipas Zyrës Federale për Barazi Gjinore, situata është shumë serioze dhe kërkon një mobilizim të gjerë institucional dhe social. Masat e ndërmarra do të përfshijnë edhe intensifikimin e programeve edukative dhe parandalimit, si dhe një analizë më të thelluar të rasteve të femicideve për të identifikuar faktorët kryesorë të rrezikut dhe për të adresuar më mirë fenomenin.

Një vlerësim i ndërmjetëm për efektivitetin e këtyre masave pritet të bëhet në vjeshtë, në mënyrë që të përcaktohen hapat e mëtejshëm dhe të ndërmerren veprime të tjera në rast nevoje, transmeton albinfo.ch.

Përfundon hetimi për tragjedinë familjare në Yverdon, babai vrau gruan dhe tri vajzat

Zyra e Prokurorit Publik të kantonit Vaud ka përfunduar hetimet lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur më 9 mars 2023 në Yverdon-les-Bains, ku u gjetën të vdekur pesë anëtarë të së njëjtës familjeje. Hetimi ka konfirmuar se bëhej fjalë për një vrasje të trefishtë familjare të ndjekur nga vetëvrasja e kryer nga babai i familjes, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, burri kishte përjetuar vështirësi të mëdha financiare për një periudhë të gjatë kohe, të lidhura me biznesin e tij privat dhe marrëdhëniet me partnerë të ndryshëm. Ai kishte probleme në përmbushjen e angazhimeve financiare “të konsiderueshme”, gjë që besohet të ketë qenë faktori nxitës për veprimet e tij ekstreme.

Prokuroria bëri të ditur se babai kishte planifikuar vrasjen të paktën dy ditë përpara se të ndodhte. Ai kishte blerë dhe mbushur tre bidonë me benzinë, duke përgatitur skenën e tragjedisë. Mëngjesin e 9 marsit, rreth orës 6:30, ai përdori një revolver për të vrarë gruan dhe tri vajzat e tij të mitura. Më pas i vuri flakën shtëpisë dhe kreu vetëvrasje me të njëjtën armë.

Zyra e Prokurorit Publik përjashtoi çdo përfshirje apo përgjegjësi të palëve të treta në këtë rast. Për këtë arsye, ajo ka lëshuar një urdhër për mbylljen e hetimit. Autoritetet theksuan se publikimi i këtyre gjetjeve është bërë për shkak të interesit të madh publik dhe mbulimit mediatik që rasti ka marrë.

Shkolla e Shkencave Kriminale konfirmoi se shpërthimi dhe zjarri janë shkaktuar me shumë gjasë nga përzierja e avujve të benzinës me ajrin, por mënyra e saktë e ndezjes mbetet e paqartë. Po ashtu, në trupat e viktimave nuk u gjetën gjurmë të ndonjë substance kimike, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht çmimeve të larta, kosovarët “dynden” për pushime verore

Në një kohë kur inflacioni, rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta janë tema të përditshme të diskutimit në Kosovë, qytetarët duket se nuk po heqin dorë nga pushimet verore. Përkundrazi, sipas përfaqësuesve të sektorit të turizmit, kërkesa për udhëtime këtë vit ka arritur nivele record, transmeton albinfo.ch.

Baki Hoti nga “Unioni i Turizmit të Kosovës” thotë se përkundër vështirësive ekonomike, agjencitë turistike po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm të rezervimeve për pushime verore.

“Pavarësisht shtrenjtimit të përgjithshëm të çmimeve, agjencitë turistike raportojnë rritje të madhe të kërkesës për pushime në Shqipëri, Turqi, Bullgari e Greqi. Ka shumë punë këtë vit dhe fluksi është më i lartë se zakonisht”, thekson Hoti për KOHA.

Sipas tij, liberalizimi i vizave ka ndikuar që shumë kosovarë të orientohen nga destinacione si Greqia, ndërsa çmimet për pakot turistike janë rritur mbi 20% krahasuar me vitin e kaluar.

“Çmimet janë më të larta, por interesimi nuk ka rënë. Me liberalizimin e vizave, qytetarët po e shfrytëzojnë këtë mundësi për të eksploruar edhe vende të reja si Greqia, përveç Turqisë e Shqipërisë që mbeten zgjedhje tradicionale”, shton ai.

Hoti njëkohësisht apelon që bashkatdhetarët nga diaspora të mos kufizohen vetëm në turizmin bregdetar, por të eksplorojnë edhe bukuritë natyrore të Kosovës.

“Turizmi nuk zhvillohet vetëm në det. Ne përpiqemi të promovojmë edhe atraksionet malore të Kosovës, duke u bërë pritje sa më të mira bashkatdhetarëve që vijnë në verë”, thotë ai, transmeton albinfo.ch.

Por jo të gjithë e shohin këtë prirje me optimizëm. Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj thekson se një pjesë e qytetarëve po bëjnë sakrifica të mëdha për të kaluar disa ditë pushimi, duke hyrë në borxhe apo overdraft.

“Është e pakuptimtë të marrësh kredi për të shkuar në pushime. Nëse një qytetar ka mundësi për të bërë turizëm, atëherë nuk mund të konsiderohet që jeton nën mesataren. Realiteti është se shumë prej tyre sakrifikojnë, marrin borxhe, e më pas mezi përballojnë muajin”, thotë Kadriaj për KOHA.

Sipas tij, në kohë krize, pushimet duhet të jenë një luks i arsyeshëm dhe jo barrë financiare që rëndon jetën pas rikthimit.

Ai kritikon edhe cilësinë e shërbimeve në bregdetin shqiptar, për të cilat qytetarët e Kosovës shpesh paguajnë shtrenjtë, por pa marrë komoditetin e merituar.

“Shqiptarët duhet të përmirësojnë mirëpritjen e turistëve. Greqia ofron kushte më të mira për çmim të përafërt dhe prandaj shumë qytetarë po e zgjedhin si alternativë. Në tregun e lirë, pushuesi shkon aty ku trajtohet më mirë”, përfundon Kadriaj, transmeton albinfo.ch.

Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë