Ukraina thotë se ia ka goditur Rusisë katër avionë luftarakë në një bazë ajrore

Ushtria e Ukrainës tha të premten se kishte goditur katër avionë luftarakë në një bazë ajrore në rajonin Volgograd të Rusisë qendrore, si pjesë e një përpjekjeje për të goditur asetet luftarake ruse, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në Telegram, ushtria tha se kishte goditur katër avionë Su-34 në bazën Marinovka jashtë qytetit të Volgogradit, rreth 900 km nga kufiri ukrainas.

Në këtë postim u tha se operacioni u krye nga dega e operacioneve speciale të ushtrisë, së bashku me shërbimin e sigurisë SBU dhe shërbime të tjera të ushtrisë, shkruan Reuters.

“Sipas informacionit paraprak, u goditën katër avionë, konkretisht avionë SU-34, si dhe objekte tekniko-operative ku avionë të ndryshëm luftarakë shërbehen dhe riparohen”.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria ruse.

Ukraina është angazhuar në një numër operacionesh me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave ushtarake në muajt e fundit, industriale, energjetike dhe vende të tjera.

Më herët këtë muaj, ushtria ukrainase kreu një sulm të madh, të quajtur “Operacioni Rrjeta e Merimangës”, në të cilin një numër i madh bombarduesish rusë me rreze të gjatë veprimi u goditën në disa baza ajrore ruse larg territorit ukrainas.

Deklarata e fundit tha se dëmi i shkaktuar nga sulmi në Marinovka ishte duke u vlerësuar.

Ajo e përshkroi Su-34 si avionin kryesor të Rusisë të përdorur në sulmet bombarduese në territorin ukrainas, të vendosur në veçanti për lëshimin e bombave të drejtuara, të përdorura gjithnjë e më shumë në sulmet ndaj qyteteve ukrainase.

Deputeti anglez: Një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg

Deputeti britanik, Nigel Farage, nuk është përmbajtur në lidhje me emigrantët shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell albinfo.ch.

Ai i është drejtuar me disa shifra kryeministrit shqiptar, Edi Rama, teksa i ka kërkuar të marrë mbrapsht të gjithë shqiptarët e dënuar për vepra penale të ndryshme në territoret britanike.

Sipas shifrave të tij, “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, teksa më tej ka shtuar:

“Kryeministri shqiptar na kritikon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, duke kërkuar vende për të braktisur emigrantët’. Rama pretendoi se shumë nga ato që themi pas Brexit-it janë bërë ‘krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake’. Po ju them diçka, z. Rama, a e dinit se një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Pra, tregoni pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë nesër, sepse kjo është hipokrizi”.

Ndër të tjera deputeti anglez ka kritikuar edhe udhëheqësit e vendit të tij për mënyrën se si ka vendosur të ndjekë politikat e emigracionit.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur deputetit britanik Nigel Farage, duke hedhur poshtë shifrat e tij për emigrantët e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Fillimisht Rama ka hedhur poshtë shifrat që ai paraqiti, që “1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, pasi të dhënat reale tregojnë krejt të kundërtën.

“Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!

Çfarë nderi  për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”)  të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.

Ai tha  dhe po e citoj:

‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”

Epo, z. Farage,  më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.

Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’

Por kur shikohen të dhënat reale,  është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike, madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.

Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:

T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë,  angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.

Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri,  si i ftuar nderi.

Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta  për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.

Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total  ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.

Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.

Pres me padurim përgjigjen tuaj.“, shkruan Rama në “X”.

Kurti pret sot në takim liderët e partive politike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot me fillim nga ora 16:00 pret në takim të përbashkët liderët e partive politike, përcjell albinfo.ch.

Ftesa e Kurtit për takim të përbashkët me liderët e partive të tjera erdhi pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën bllokuese në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët

Tri propozime do t’i kenë në tavolinë liderët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, në takimin e së shtunës me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.

Takimi, i cili është planifikuar që të mbahet të shtunën nga orën 16:00, është ftuar një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është theksuar se e drejta e propozimit të kryeparlamentarit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kërkon bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për ta gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm.

Burime brenda Vetëvendosjes kanë thënë se për diskutim do të shtrohet kërkesa që subjektet politike të dakordohen për emrat e anëtarëve të kryesisë në pako. Një propozim i tillë, sipas partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, bëhet “me qëllim të moskushtëzimit të ndërsjellë dhe është në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për konsensus e kompromis”.

Propozimi i dytë, i cili do të bëhet nga Kurti, është ai për dhënien e një epilogu formimit të Komisionit që do të merret me zhvillimin e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin.

Nga kryetarët e subjekteve që kanë mandate në Kuvend do të kërkohet që të votohet pro ose kundër formimit të këtij komisioni.

E, propozimi i tretë, sipas burimeve në Vetëvendosje, do të jetë ai për mbështetjen e realizimit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deri të premten, nuk kanë marrë ndonjë zotim prej deputetëve të opozitës së deritanishme se do ta përkrahin të propozuarën e kësaj partie, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit.

E, me qëllim të bindjes së subjekteve politike, LVV-ja do të zotohet se do ta ndërrojë propozimin e saj, në rast se dështon zgjedhja e Haxhiut në tentimin e parë.

Pjesëmarrjen në takimin e së shtunës deri më tani e kanë konfirmuar në Partinë Demokratike (PDK), në Lidhjen Demokratike (LDK), në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe në Nismën Socialdemokrate.

Të premten, KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga tri partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë nëse synojnë të paraqesin propozime të reja, porse nuk ka marrë përgjigje.

Serbët nisin kremtimet e Vidovdanit në Graçanicë

Serbët do të shënojnë sot festën e Vidovdanit, e cila do të kremtohet në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, përcjell albinfo,ch.

Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”.

Ajo ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.

“Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen me 28 qershor 2025, Policia e Kosovës (PK), me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë me dije se kanë mbajtur takim zyrtar lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan.

“Nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim”, bëhet e ditur tutje në njoftimin policor.

Tutje, thuhet se nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në apelin që policia i ka drejtuar pjesëmarrësve në këtë manifestim.

Po ashtu, kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të këtij njoftimi të shpërndarë nga Policia e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan. Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.

“Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.

Ai tutje tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Kryeministri tha se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të ardhur në Kosovë, dhe se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike dhe evropiane.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që të respektojnë ligjin dhe të moslejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”, ka theksuar Kurti.

Ai tha se tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin.

“Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë ta eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre dhe të serbëve në Kosovë përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë, rendin sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha ai.

Përmbyllet faza e parë e gërmimeve në sitin parahistorik të Linit nga ekipet zvicerano-shqiptare

Një bashkëpunim katër-vjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbyll me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër me palafite në Europë, transmeton albinfo.ch. 

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri Ruth Huber, e vlerësoi përkushtimin e palës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për shkencën dhe për bashkëpunimin midis dy vendeve.

 

Ajo theksoi se kjo nismë shkencore e Universitetit të Bernës, është një bashkëpunim që gjithashtu rrit kapacitetet e institucioneve shkencore shqiptare.

“Gërmimet kanë dhënë përsëri rezultate shumë të mira. Mund të konfirmojmë se ky se ky është vendbanimi më i vjetër në Europë me materiale druri dhe organike të konservuara dhe është shumë special sepse gjetjet janë shumë premtuese”, u shpreh Profesor Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, drejtues i ekipeve.

Profesori zviceran e cilësoi zonën e Linit si një nga sitet më të mirëruajtura në Europë dhe me vlera të jashtëzakonshme për të kuptuar fillimet e qytetërimit në kontinent.

“Kemi gjetur material të bollshëm arkeologjik qoftë nivelin qeramik, qoftë të veglave të punës, të kockave, të gurit”, u shpreh arkeologu Adrian Anastasi.

Gjatë misionit më të fundit, ekipet e arkeologëve kanë zhvilluar kërkime si gjatë bregut të Liqenit, ashtu edhe nën ujë. Disa nga gjetjet përfshijnë:

·        Hapja e llogoreve tokësore

·        më shumë shtylla druri të tjera të shtëpive

·        shtresa qeramike arkeologjike të dekoruara me impreso,  një nga format më të hershme të poçarisë. Kjo provon lidhje sitit të Linit me bregdetin Adriatik.

·        një rrethojë e re që e çon në pesë numrin e unazave rrethuese (mbrojtëse) të sitit

·        zbulohen grumbuj të mëdhenje pishash të cilat mendohen se janë mbetje të një apo disa shtëpive

·        për herë të pare përputhen kronologjitë e unazave të pemëve të sitit të Linit me atë të Ohrit,  dendrokronologjia po funksionon për distanca më të gjera

·        konfirmim që Lin 3 mbulon 2,000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6,000 – 4,000 para Krishtit. 

Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Ky projekt, përtej vlerave shkencore, përfaqëson edhe një urë bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës në promovimin e pasurisë historike të rajonit.

Mësojmë Shqip në Diasporë

Gjuha përbën themelin e identitetit të një kombi. Për këtë ajo duhet ruajtur e përcjellë ndër breza si një trashëgimi e çmuar, që na lidh me historinë, me kulturën dhe me traditat tona.

Kjo bëhet edhe më e domosdoshme sidomos në kushtet aktuale të globalizimit, i cili krahas përfitimeve në komunikim dhe bashkëpunim ndërkulturor, ka edhe ndikime negative sa i përket ruajtjes së gjuhëve amtare. Këto ndikime, ndër të tjera, kanë të bëjnë me dominimin e gjuhëve të mëdha, humbjen e motivimit për mësimin e gjuhëve amtare, si dhe mungesën e përdorimit në platforma teknologjike.

Në këtë kontekst, mësimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe nga shqiptarë të lindur e të rritur jashtë atdheut është aspekti më i rëndësishëm për të mbajtur të fortë lidhjen me vendin e tyre, si dhe për të krijuar ura komunikimi me bashkatdhetarët kudo që janë. Ky libër, i hartuar posaçërisht për shqiptarët e diasporës, është një përpjekje për të mbështetur këtë mision të rëndësishëm.

Libri “Metodë praktike për mësimin e gjuhës shqipe” mund të punohet në mënyrë vetjake ose me mësues. Ai është konceptuar në shtatë module, të cilat përqendrohen në katër aftësi bazë: të flasim, të shkruajmë, të lexojmë dhe të dëgjojmë. Pjesë e çdo moduli është edhe gramatika, si themeli mbi të cilin ndërtohet njohja e qëndrueshme e një gjuhe. Shpjegimet e koncepteve gramatikore nuk mbeten thjesht në nivel teorik, por shoqërohen edhe me shembuj konkretë dhe ushtrime të larmishme, të cilat përfshijnë detyra, si: plotësimi i vendeve bosh, lidhja e fjalëve me njëra-tjetrën apo formimi i fjalive.

Duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme të gramatikës shqipe, përdoruesit e këtij libri mund të fitojnë dhe të zhvillojnë aftësitë e domosdoshme të zotërimit të gjuhës në të folur dhe në të shkruar. Në fund të çdo moduli jepet edhe “Çelësi i ushtrimeve gramatikore”, çka i lejon nxënësit të kontrollojnë dhe korrigjojnë punën e tyre, duke nxitur të mësuarit e pavarur.

Moduli i parë është konceptuar si një modul hyrës, prandaj edhe ndryshon për nga përmbajtja dhe struktura me modulet e tjera. Ai përbëhet nga rubrikat:të dëgjojmë dhe të recitojmë, të lexojmë dhe të flasim, si dhe një temë mësimore gramatikore, ku trajtohen shkurtimisht teksti, fjalia dhe fjala. Tekstet e përfshira në secilin modul janë zgjedhur me kujdes, në mënyrë që të pasqyrojnë thellësinë dhe identitetin e kulturës sonë në kohë e hapësirë. Duke lexuar për figura, si: Skënderbeu, Nënë Tereza a Kadare, për visare kulturore, si: Gjirokastra, Prizreni a Manastiri, lexuesit do të njihen më mirë me trashëgiminë e tyre kombëtare, do të ndihen më afër me atdheun dhe do ta shohin gjuhën shqipe jo thjesht si një mjet komunikimi, por edhe si një urë që i lidh me rrënjët shqiptare.

Për më tepër, ndërthurja e tradicionales dhe historikes me tema bashkëkohore si inteligjenca artificiale apo figura të kohëve të sotme si Dua Lipa, Granit Xhaka, Mira Murati e Rita Ora krijon një dialog të natyrshëm të së shkuarës me të tashmen.

Gjuha është dhurata më e çmuar që mund t’u trashëgojmë fëmijëve tanë, prandaj le të shërbejë ky libër edhe si një thirrje për të gjithë prindërit shqiptarë në diasporë që ta ruajnë gjuhën shqipe, të flasin shqip në familje dhe ta përcjellin atë te fëmijët e tyre. Vetëm kështu gjuha jonë do të vazhdojë të lulëzojë edhe jashtë kufijve të atdheut.

“Mësojmë Shqip në Diasporë”, metoda më e re dhe bashkëkohore për mësimin e shqipes në diasporë.

Së shpejti në çdo librari në Kosovë e Shqipëri. Gjithashtu, do të jetë pranë çdo ambasade të Kosovës në diasporë.

Autorë: Elona Gjata, Hysni Ndreu, Irida Hoti

Redaktor shkencor: Prof. As. Dr. Albert Riska

Redaktore didaktike: Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj

Korrektore gjuhësore: Marsela Grabocka

Dizajni: Liridon Zekaj

Shtypi: Iliri Print, Prishtinë

Ky libër u botua me mbështetjen e MKRS, Prishtinë

Pse ka rënie të natalitetit, cilat janë rreziqet?

Në një ndryshim të heshtur por të thellë, bota po përballet me një krizë demografike që pritet të godasë fuqishëm pas vitit 2080: popullsia globale do të fillojë të tkurret. Rënia e shkallës së lindjeve është bërë tashmë realitet në shumë vende, përfshirë Zvicrën, ku numri mesatar i fëmijëve për grua ka rënë në 1.29 në vitin 2024,  shumë më poshtë nivelit të zëvendësimit prej 2.1, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Kërkimeve Bruegel, kjo tendencë nuk është thjesht çështje statistike, por paralajmëron për një krizë të shumëfishtë: nga pensionet e rrezikuara, mungesa e fuqisë punëtore dhe krizës së kujdesit, deri te rënia e ndikimit ekonomik e politik të rajoneve që po plaken.

Pse po lindim më pak?

Demografët theksojnë se dëshira për të pasur fëmijë nuk ka zhdukur, por po bëhet gjithnjë e më vështirë për t’u realizuar. Arsyet janë të shumta:

Arsimi dhe karriera: Gratë e arsimuara shpesh shtyjnë apo heqin dorë nga amësia për të ndjekur karrierën.

Kostoja e jetesës: Rritja e kostove të banimit, shërbimeve për fëmijët dhe pasiguria ekonomike pengojnë çiftet.

Kultura dhe rolet gjinore: Modelet e reja sociale dhe ndikimi i figurave publike që zgjedhin të mos kenë fëmijë po ndikojnë perceptimin mbi familjen.

Rënia e ndikimit fetar: Me rritjen e urbanizimit dhe aksesit në kontracepsion, normat tradicionale familjare janë në tkurrje, transmeton albinfo.ch.

Rreziqet për të ardhmen

Këto ndryshime demografike sjellin sfida të mëdha:

Sistemet e pensioneve në kolaps: Më pak punëtorë po mbështesin më shumë pensionistë. Nëse nuk ndërhyhet, ose do të ulen pensionet, ose do të shtyhet mosha e daljes në pension.

Krizë në shëndetësi dhe përkujdesje: Deri në vitin 2030 do të nevojiten mbi 18 milionë infermierë në nivel botëror, ndërsa numri i të moshuarve po rritet ndjeshëm.

Mungesë e fuqisë punëtore: Bizneset po përballen me vështirësi në gjetjen e talenteve, sidomos në sektorë si teknologjia, arsimi dhe shërbimet sociale.

Rënie gjeopolitike: Ndërsa Evropa dhe Azia Lindore po plaken, Afrika, me moshën mesatare 19 vjeç,  po ngjitet si fuqi e re ekonomike dhe politike.

A mjafton migrimi?

Sipas raportit të Bruegel, migrimi ndihmon për të zbutur efektet e plakjes, por nuk është një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë. Shpesh përqendrohet në qytete të mëdha dhe vështirëson integrimin për shkak të barrierave gjuhësore dhe sociale, transmeton albinfo.ch.

Si po reagojnë vendet?

Zvicra ofron subvencione të pjesshme për kujdesin ndaj fëmijëve dhe leje lindjeje të kufizuar, por kostot mbeten të larta dhe ndikimi i politikave është i kufizuar.

Gjermania mbështetet në politika familjare dhe migrim, por shkalla e lindjeve mbetet nën nivelin e zëvendësimit.

Franca ka një sistem të mirëkoordinuar për mbështetjen e familjes dhe ka një nga shkallët më të larta të lindjeve në Evropë.

Vendet afrikane po përballen me rritje të shpejtë të popullsisë dhe kanë filluar të investojnë në planifikim familjar dhe edukim për vajzat, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva ndalon telefonat në shkolla

Duke nisur nga shtatori i vitit 2025, kantoni i Gjenevës do të ndalojë përdorimin e telefonave inteligjentë në të gjitha shkollat e Ciklit të Orientimit, përfshirë edhe gjatë pushimeve të drekës. Ky vendim synon të përmirësojë përqendrimin e nxënësve dhe të nxisë ndërveprimin shoqëror jashtë ekranit, sipas autoriteteve lokale, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Këshilltarja e Shtetit Anne Hiltpold, drejtuese e Departamentit të Arsimit Publik të Gjenevës (DIP), theksoi se kjo masë është një përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje lidhur me efektet negative të ekspozimit të tepërt ndaj ekraneve, si braktisja e shkollës dhe ngacmimi kibernetik. Më parë, ndalimi i telefonave ishte i plotë vetëm në shkollat fillore dhe pjesërisht në Ciklin e Orientimit, ku rregullat ndryshonin në varësi të shkollës. Me këtë vendim, DIP synon të harmonizojë rregulloret dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit.

Nga shtatori 2025, pajisjet personale dixhitale nuk do të lejohen gjatë aktiviteteve në klasë, me përjashtim të daljeve arsimore specifike. Në rast shkeljeje, do të zbatohet një sistem sanksionesh që fillon me konfiskimin e telefonit, vijon me “punë reflektimi” dhe thirrje për prindërit, deri në përjashtimin gjysmëditor të nxënësit në rastet më të rënda.

Në të njëjtën ditë, edhe kantoni i Valais njoftoi një masë të ngjashme për ndalimin e telefonave inteligjentë gjatë gjithë orarit shkollor, përfshirë pushimet. Këshilltari Shtetëror Christophe Darbellay u bëri thirrje prindërve që të bien dakord për rregulla të qarta lidhur me përdorimin e telefonave jashtë shkollës, transmeton albinfo.ch.

Cilët janë shoferët më të këqij dhe më të mirë në Evropë?

Me afrimin e pushimeve verore dhe trafikut të shtuar në rrugë, shqetësimet për sigurinë rrugore janë më të pranishme se kurrë. Sipas Barometrit Evropian të Drejtimit të Përgjegjshëm të Fondacionit Vinci Autoroutes, evropianët po ngasin më pak në mënyrë të rrezikshme këtë vit, për herë të parë në 15 vjet. Megjithatë, përdorimi i telefonave inteligjentë mbetet një problem i madh, duke shkaktuar shpërqendrime të rrezikshme, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Nga një sondazh i kryer në 11 vende evropiane me më shumë se 12,000 pjesëmarrës, rezulton se 77% e shoferëve pranojnë se i largojnë sytë nga rruga për më shumë se dy sekonda gjatë drejtimit, gjë që mund të jetë fatale me shpejtësi të lartë. Përveç shpërqendrimeve, sjelljet agresive, drejtimi nën ndikimin e alkoolit ose kanabisit dhe mosrespektimi i rregullave rrugore vazhdojnë të jenë faktorë të rëndësishëm rreziku.

Sipas Bernadette Moreau, delegatja e Fondacionit, “shpërqendrimi, sidomos për shkak të telefonave, është një nga burimet kryesore të mungesës së vëmendjes, por edhe shpejtësia dhe sjelljet agresive duhet të shmangen, pasi rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve tragjike.”

Në anketë, shoferët evropianë tregojnë se i konsiderojnë gjithmonë të tjerët si më të rrezikshëm në rrugë, duke mbajtur një qëndrim skeptik ndaj vetes. Raporti tregon edhe dallime kulturore: francezët janë më shpesh ata që fyejnë shoferët e tjerë, spanjollët përdorin shpesh borinë në mënyrë të papërshtatshme, grekët janë më të prirur për përplasje të qëllimshme, ndërsa italianët kanë më shumë raste daljesh nga makina në konflikt, transmeton albinfo.ch.

Në Evropën Veriore, me shembull suedezët dhe zviceranët, sjelljet rrugore janë më të kultivuara, megjithatë edhe atje përdorimi i telefonave gjatë drejtimit mbetet një problem i përhapur.

Në Zvicër nuk ka një barometër të tillë, por statistikat e Zyrës Federale të Rrugëve tregojnë se alkooli, shpejtësia dhe shpërqendrimi janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve, transmeton albinfo.ch.

Gjobat më të çuditshme në botë

Një palë syze dielli të blera nga një shitës ambulant në Majorka i kushtuan një turisti gjerman plot 750 euro. Arsyeja? Autoritetet në ishullin spanjoll Balear po i ndëshkojnë jo vetëm shitësit ilegalë, por edhe blerësit e tyre. Rregulla që dikur konsideroheshin të pazakonta, tashmë po zbatohen me rreptësi  dhe po rezultojnë të kushtueshme, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Ky nuk është një rast i izoluar. Në vende të ndryshme të botës, ekzistojnë gjoba për sjellje që shumica e turistëve as që i marrin në konsideratë. Ja disa prej tyre:

Zvicër- Moshapja me kujdes e derës së makinës: deri në 120 franga

Nëse hapni derën e makinës pa kontrolluar më parë, dhe rrezikoni ose godisni një biçiklist apo kalimtar, mund të përfundoni me një gjobë prej 40 deri në 120 franga zvicerane. Rregullat për sigurinë rrugore në këtë vend janë jashtëzakonisht të rrepta.

Singapor – Çamçakëz? I ndaluar!

Përtypja, shitja dhe importi i çamçakëzit është e ndaluar në Singapor, me përjashtim të atij mjekësor. Kush kapet, mund të gjobitet deri në 1,000 dollarë singaporianë (rreth 680 euro). Shkelësit e përsëritur mund të detyrohen të pastrojnë rrugët si dënim simbolik, transmeton albinfo.ch.

Sardenjë – Suvenir nga plazhi? 3,000 euro

Mbajtja e rërës, guaskave apo gurëve si kujtim nga plazhet e Sardenjës konsiderohet krim mjedisor dhe dënohet me gjoba deri në 3,000 euro. Aeroportet çdo verë konfiskojnë tonelata rërë të paketuar nga turistë të paditur.

Venecia – Këmbët në kanal? 250 euro

Të freskosh këmbët në ujin e kanaleve veneciane mund të duket joshëse, por për këtë veprim do të gjobiteni me 250 euro. Po ashtu ndalohen piknikët në sheshe publike dhe ushqimi i pëllumbave,  masa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe pastërtisë urbane.

Tajlandë – Të ecësh pa të brendshme? Ligjërisht, jo e lejueshme

Një ligj i vjetër tajlandez ndalon daljen në rrugë pa të brendshme. Edhe pse rrallë zbatohet, ligji është ende në fuqi dhe mund të përdoret si bazë për ndëshkim.  një kujtesë se kodi i veshjes nuk është çështje e shijeve në çdo vend, transmeton albinfo.ch.

Subvencionet mbi 1,500 euro do të bëhen publike në Austri nga shtatori

Austria po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt transparencës me hyrjen në fuqi të një ligji të ri këtë shtator, i cili kërkon publikimin e të gjitha subvencioneve shtetërore që kalojnë shumën prej 1,500 eurosh, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të ORF, kjo masë është pjesë e një reforme të gjerë për të forcuar lirinë e informacionit dhe për të kufizuar sekretin zyrtar. Ligji është miratuar në Komitetin Kushtetues dhe do të përfshijë rreth 140 ligje të ndryshuara për t’iu përshtatur rregullave të reja.

Baza e të dhënave e transparencës, e cila do të jetë e azhurnuar dhe publike, nuk do të përfshijë individët privatë, por do të evidentojë të gjitha subvencionet e tjera publike mbi pragun e përcaktuar. Ajo gjithashtu do të lejojë ndarjen e të dhënave në rastet kur dyshohet për abuzim me fondet.

Ndërsa masa mbështetet nga partitë në koalicion, Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ) dhe të Gjelbrit kanë kritikuar disa aspekte të procesit të zbatimit, duke kërkuar më shumë qartësi dhe zbatim më efikas të rregullave të reja, transmeton albinfo.ch.

Fribourg miraton mocion për krijimin e ligjit kundër dhunës në familje

Deputetët e kantonit Fribourg votuan të premten në favor të një mocioni që kërkon krijimin e një ligji specifik mbi dhunën në familje, në përgjigje të shqetësimeve të ngritura pas vrasjeve të grave në Epagny më 10 prill. Me 81 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim, Këshilli i Madh miratoi mocionin, që u prit me duartrokitje nga të pranishmit, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Ky mocion, i paraqitur në nëntor 2023 nga deputetet Marie Levrat (Partia Socialiste) dhe Carole Baschung (Qendra), synon të ofrojë mjetet ligjore dhe financiare për t’u ardhur në ndihmë viktimave dhe për të ndëshkuar autorët e dhunës në familje, duke përfshirë edhe format e dhunës psikologjike, verbale dhe ekonomike, që aktualisht nuk mbulohen plotësisht nga ligji federal.

Deputetja Levrat theksoi se ekzistojnë shërbime për parandalimin e dhunës në familje, por ato nuk janë ligjërisht të detyrueshme dhe disa përballen me vështirësi financiare. Mocioni kërkon krijimin brenda një viti të një kornize ligjore kantonale, në përputhje me Konventën e Stambollit, e ratifikuar nga Zvicra në 2017, që do të mbështesë masat e parandalimit, mbrojtjes, ndjekjes penale dhe kriminalizimit të dhunës në familje.

Me këtë hap, Fribourg-u do t’i bashkohet kantoneve të tjera frëngjishtfolëse si Gjeneva, Valais, Vaud dhe Neuchâtel, të cilat tashmë kanë miratuar ligje të ngjashme për të mbrojtur më mirë personat e prekur nga dhuna në familje. Projekti i rajonit Jura për një ligj të tillë pritet të shkojë për konsultim gjatë vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Dallimet gjinore në paga në Zvicër, gratë vazhdojnë të fitojnë më pak se burrat

Në vitin 2024, një punonjës me kohë të plotë në Zvicër mori një pagë mesatare prej 81,500 CHF, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), bazuar në Anketën e Forcës Punëtore Zvicerane. Kjo tregon se gjysma e punonjësve fitonin më shumë se kjo shumë, ndërsa gjysma e tjerë më pak, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, dallimet gjinore në pagë mbeten të theksuara. Burrat me kohë të plotë fituan mesatarisht 90,800 CHF në vit, ndërsa gratë 80,000 CHF, që përkthehet në një diferencë prej rreth 12 përqind në disfavor të grave. Situata bëhet edhe më e theksuar tek gratë e vetëpunësuara, të cilat marrin mesatarisht 65,000 CHF, pothuajse një të katërtën më pak se burrat me 84,000 CHF.

Në nivele më të larta menaxheriale, burrat përfitojnë 139,000 CHF, ndërsa gratë 120,000 CHF, që tregon një diferencë prej rreth 14 përqind. Në profesionet intelektuale dhe shkencore, paga mesatare e grave prej 96,000 CHF është 18 përqind më e ulët sesa ajo e burrave që arrin 117,000 CHF.

Një përjashtim i vetëm në këto statistika janë pagat e praktikantëve me kohë të plotë, ku nuk ka dallime të mëdha gjinore, madje ndonjëherë gratë fitojnë pak më pak.

Këto dallime vazhdojnë edhe në punësimin me kohë të pjesshme, ku burrat fitojnë vazhdimisht paga më të larta, sipas Zyres Federale për Çështje Sociale, transmeton albinfo.ch.

Ardon Jashari i bën të qartë Club Brugge dëshirën për t’u transferuar te Milani

Milani po përpiqet me ngulm të sigurojë shërbimet e mesfushorit me origjinë shqiptare, Ardon Jashari, i cili aktualisht aktivizohet te Club Brugge në Belgjikë. Futbollisti që përfaqëson kombëtaren e Zvicrës është shndërruar në objektiv të rëndësishëm për gjigantin italian në këtë afat kalimtar, raporton albinfo.ch.

Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, vetë Jashari ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me “kuqezinjtë”, dhe këtë qëndrim ia ka bërë të ditur edhe klubit të tij. Interesimi i Milanit është konkret: drejtori sportiv Igli Tare e sheh 22-vjeçarin si përforcim kyç për sezonin e ri.

Milani ka bërë dy tentativa për të finalizuar transferimin, duke ofruar deri në 27 milionë euro plus 5 milionë në bonuse, por Club Brugge ka refuzuar. Pavarësisht kësaj, bisedimet po vazhdojnë dhe klubi italian mbetet optimist për një marrëveshje përfundimtare.

Ardon Jashari iu bashkua Brugge nga Luzerni sezonin e kaluar për një shumë prej 6 milionë eurosh dhe në sezonin e tij të parë shkëlqeu, duke u shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Belgjikë. Ai ka katër paraqitje me Zvicrën, dy në ndeshje zyrtare dhe dy në miqësore, raporton albinfo.ch.

Pas sfidave, Riola Xhemaili po shkëlqen në prag të Kampionatit Evropian

Riola Xhemaili, 22-vjeçarja futbollistja shqiptare nga Solothurni, ka befasuar me paraqitjen e saj të fundit, duke u bërë një nga lojtaret kyçe të përfaqësueses zvicerane në prag të Kampionatit Evropian të femrave. Pas fitores së thellë 4-1 në ndeshjen miqësore kundër Republikës Çeke, Xhemaili u aktivizua në formacionin titullar dhe shfrytëzoi në maksimum rastin e saj, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Në atë ndeshje, ajo hapi rezultatin me një gol të qetë dhe më pas asistoi në mënyrë spektakolare për golin e dytë të shënuar nga Geraldine Reuteler, duke treguar bashkëpunimin perfekt në fushë me skuadrën. “Kam bërë një lëvizje të ngjashme në stërvitje këtë javë, dhe Geri e dinte se topi po vinte,” tha Xhemaili, e cila aktualisht luan për PSV-në.

Megjithatë, rruga e saj drejt ekipit kombëtar ka qenë e vështirë. Pavarësisht sezonit të shkëlqyer në Holandë, trajnerja Pia Sundhage kishte refuzuar të thërrasë Xhemailin për pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Në fillim të qershorit, ajo luajti për herë të parë në vit për Zvicrën në Ligën e Kombeve, duke treguar përkushtimin e saj.

“Viti i kaluar nuk ishte i lehtë për mua, kishte momente të vështira kur vetëm dëshiroja të isha pjesë e ekipit,” u shpreh Xhemaili, transmeton albinfo.ch.

Pas një përjashtimi të papritur nga lista për Botërorin 2023 nga ish-trajnerja Inka Grings, Xhemaili u përball me pasiguri për pjesëmarrjen në turneun vendas. Megjithatë, gjatë përgatitjeve të fundit ajo arriti të bindë Sundhagen me cilësitë e saj teknike dhe performancën në fushë.

Trajnerja Sundhage vlerësoi: “Sa më afër golit të jetë, aq më e mirë bëhet. Jam shumë e lumtur me performancën e saj.”

Xhemaili pritet të konkurrojë për një vend titullari në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian kundër skuadrës rivale, ku rivalja e saj më e fortë për këtë pozicion është Sydney Schertenleib nga Barcelona.

“Do të shohim se çfarë vendos Pia. Pavarësisht nëse do të jem titullare apo jo, do të jap gjithçka nga vetja,” përfundoi Xhemaili, duke treguar vendosmërinë dhe motivimin e saj për të dhënë më të mirën në skenën më të madhe evropiane, transmeton albinfo.ch.

Trump: Kosova e Serbia po shkonin drejt luftës, u thashë se nëse ndodh s’ka më tregti me SHBA-në

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer sërish temën e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se i ka kërcënuar të dyja palët me ndalim të tregtisë me SHBA-në në rast se do të shpërthente lufta mes tyre, transmeton albinfo.ch.

Gjatë një konference për shtyp të premten, Trump tha se situata ndërmjet dy vendeve ishte në pikën kritike dhe ndërhyrja e tij ishte vendimtare për të parandaluar përplasjen e armatosur.

“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: ‘Ndoshta nuk do të përplasemi’”, tha Trump.

Ai krahasoi këtë rast edhe me tensionet mes Indisë dhe Pakistanit, duke thënë se kërcënimi me izolim ekonomik kishte funksionuar edhe në atë rast, transmeton albinfo.ch.

“Ashtu ndodhi edhe me Indinë dhe Pakistanin që po shkonin drejt një konflikti bërthamor. Po negocioja me të dyja palët dhe u thashë ndihmësve të mi: Anuloni të gjitha marrëveshjet tregtare me Indinë dhe Pakistanin. Ata më telefonuan: ‘Çfarë të bëjmë?’ U thashë: Nëse doni tregti me SHBA-në, shumë mirë. Nëse doni të përdorni armë bërthamore, atëherë jo. Dhe të dyja palët ranë dakord”, shtoi presidenti amerikan.

Trump gjithashtu theksoi se përpjekjet e tij diplomatike shpesh janë nënvlerësuar dhe tha se “nuk e di nëse ka pasur president që ka bërë më shumë se kaq”.

Ai përmendi edhe një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin në lidhje me çështjen e Iranit, duke thënë se Putin e kishte kontaktuar për të ofruar ndihmë, por që Trump i kërkoi të përqendrohej në zgjidhjen e çështjes me Rusinë, transmeton albinfo.ch.

Taulant Xhaka nis karrierën si trajner te FC Dardania Basel në divizionin e 4-të

Ish-futbollisti i njohur shqiptar, Taulant Xhaka, po vazhdon karrierën e tij në futboll, por tani në rolin e trajnerit. Pas një karriere të gjatë me 407 ndeshje zyrtare, Xhaka vendosi të pensionohet më 24 maj në moshën 34-vjeçare, duke u konsideruar një legjendë e klubit të tij të fundit, raporton albinfo.ch.

Së fundmi, FC Dardania Basel nga divizioni i 4-të në futbollin zviceran, njoftoi se Taulant Xhaka do të marrë drejtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm. Klubi, i lidhur ngushtë me komunitetin shqiptar të Kosovës dhe themeluar në vitin 1993 nga refugjatë politikë, e mirëpriti ish-yllin me entuziazëm, duke e cilësuar atë një “profesionist shembullor dhe frymëzim për brezat e rinj”.

Sezoni i kaluar për Dardaninë përfundoi me një vend të tretë të ngushtë në ligë, dhe me ndihmën e Xhakës si trajner, klubi shpreson të arrijë ngjitje në nivele më të larta. Ndeshjet e sezonit të ardhshëm do të zhvillohen në kompleksin sportiv Bachgraben, ku Taulanti do të vazhdojë edhe procesin e përfundimit të licencës së tij si trajner.

Ky bashkëpunim është edhe një vazhdim i lidhjeve të forta mes familjes Xhaka dhe FC Dardania: kapiteni i kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, kohët e fundit sponsorizoi topa futbolli për ekipet e të rinjve, ndërsa babai i tyre, Ragip Xhaka, ka ndihmuar në stërvitjen e lojtarëve gjatë ndeshjeve të fundit, raporton albinfo.ch.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by FC Dardania Basel (@fcdardania_basel)

LVV-ja do t’i paraqesë tri propozime në takim me partitë politike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të zhvillojë këtë të shtunë në orën 16:00 një takim me liderët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvend. Në fokus të takimit do të jenë tri propozime lidhur me formimin e institucioneve pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, shkruajnë mediat në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Sipas burimeve nga Vetëvendosje, propozimet përfshijnë dakordimin e emrave të anëtarëve të kryesisë në pako, formimin e Komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, si dhe mbështetjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Vetëvendosje ka njoftuar se në rast të dështimit të zgjedhjes së Albulena Haxhiut në raundin e parë, do të jetë e gatshme të ndryshojë propozimin.

Në takim kanë konfirmuar pjesëmarrjen përfaqësues nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate. Ky takim konsiderohet vendimtar për rrjedhën e mëtejshme politike në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Kompanitë e sigurimeve shëndetësore të shqetësuara nga rritja e kostove për shkak të ilaçeve kundër obezitetit

Që nga marsi i vitit 2024, siguruesit shëndetësorë në Zvicër kanë filluar të mbulojnë pjesërisht kostot e ilaçit të ri kundër obezitetit, Wegovy, i prodhuar nga kompania daneze Novo Nordisk. Gjatë vitit 2024, rreth 40,000 pacientë përfituan nga ky rimbursim përmes sigurimit bazë shëndetësor, duke gjeneruar një kosto prej 43 milionë frangash zvicerane, por tendenca e përdorimit të këtij ilaçi po rritet ndjeshëm në vitin 2025, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 janë rimbursuar 120,000 kuti Wegovy, që përbën gjysmën e dozave të rimbursuara për gjithë vitin 2024. Ky rritje e shpejtë po ngre shqetësime midis siguruesve shëndetësorë, të cilët parashikojnë një trefishim të kostove në periudhën afatmesme. Adrien Kay, zëdhënës i shoqatës së sigurimeve shëndetësore Prio, tha për SRF se në të ardhmen mund të jenë deri në 2% e popullsisë së rritur që do të përdorin këtë trajtim, me kosto që mund të arrijnë 300 milionë franga, transmeton albinfo.ch.

Sigurimi shëndetësor mbulon Wegovy për momentin deri në shkurtin e vitit 2027, ndërsa Novo Nordisk do të duhet të paraqesë një aplikim të ri në Zyrën Federale të Shëndetit Publik në vitin 2026. Megjithatë, shqetësimet politike dhe shëndetësore janë ngritur për efektivitetin afatgjatë të këtij ilaçi. Damian Müller, deputet në Këshillin Federal, ka kërkuar sqarime mbi qëndrueshmërinë financiare të mbulimit të injeksioneve për dobësim në sigurimin bazë.

Studimet tregojnë se pas ndërprerjes së trajtimit me Wegovy, pacientët shpesh rifitojnë peshën e humbur, duke vënë në dyshim përfitimet afatgjata të këtij ilaçi. Eksperti Philipp Gerber nga Qendra e Obezitetit në Spitalin Universitar të Cyrihut thekson se obeziteti është një sëmundje kronike që kërkon trajtim të vazhdueshëm, dhe ndërprerja e terapisë çon në humbje të efektit.

Në Zvicër, 43% e të rriturve janë mbipeshë ose obezë, dhe 12% vuajnë nga obeziteti. Kostot e drejtpërdrejta dhe indirekte të sëmundjes janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në disa miliarda franga zvicerane. Një vlerësim i ri pritet në gjysmën e dytë të vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Gjermania kufizon ribashkimin familjar për personat me mbrojtje plotësuese

Pavarësisht shpresës për një jetë më të sigurt në Gjermani, mijëra persona me status mbrojtjeje plotësuese po përballen me ndarje të zgjatur nga familjet e tyre për shkak të kufizimeve të reja të miratuara nga Bundestagu më 27 qershor. Ndër ta është edhe Mohammed, një azilkërkues nga Siria, i cili prej dy vitesh jeton vetëm me djalin e tij të sëmurë në Gjermani, ndërsa pjesa tjetër e familjes mbetet e bllokuar në Siri, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Ligji i ri pezullon për të paktën dy vjet të drejtën për ribashkim familjar për personat me mbrojtje plotësuese – një kategori që përfshin ata që nuk plotësojnë kriteret e plota të refugjatit, por që përballen me rrezik serioz në vendin e tyre të origjinës. Në vitin 2024, Gjermania lëshoi vetëm rreth 12,000 viza për familjarët e këtij grupi, nga gjithsej 120,000 viza për ribashkimin familjar.

Qeveria e koalicionit CDU/CSU-SPD e justifikon vendimin me vështirësitë e integrimit dhe kapacitetet e mbingarkuara të komunave. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt tha se “Aftësia e vendit për t’u integruar ka arritur në një pikë kthese”. Por organizatat e të drejtave të njeriut si Pro Asyl paralajmërojnë për pasoja të rënda psikologjike dhe sociale tek personat e ndarë nga të dashurit e tyre, që mund të çojnë edhe në emigrim të parregullt dhe rrezik të jetës.

Ekspertët ligjorë theksojnë se ndonëse Direktiva e BE-së për ribashkimin familjar nuk i mbulon drejtpërdrejt këta persona, Gjermania është ende e detyruar të respektojë Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por një përjashtim kyç është njohur nga Gjykata Kushtetuese Gjermane: nëse një alternativë e arsyeshme për jetesën familjare ekziston në një vend tjetër, nuk ka të drejtë automatike për ribashkim në Gjermani.

Proceset burokratike mbeten gjithashtu pengesë: vonesa që shkojnë nga gjashtë muaj në dy vjet, testime ADN-je, mungesë ambasadash pranë vendbanimeve dhe lista të gjata pritjeje, e bëjnë ribashkimin një ëndërr të largët për shumë familje. Siç thekson juristi Thomas Gross, kjo nuk është “thjesht një fluturim”, por një proces kompleks, shpesh i pakapërcyeshëm për njerëzit që jetojnë në zona lufte, transmeton albinfo.ch.

Vala e të nxehtit në Austri nxit masa emergjente

Austria po përballet me temperatura të larta ditëve të fundit, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin publik, veçanërisht te grupet më të cenueshme si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët e shëndetësisë i kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa paraprake për të shmangur rreziqet nga nxehtësia ekstreme. Agjencia e shëndetit publik këshillon konsumimin e deri në tre litra ujë në ditë, shmangien e ekspozimit direkt në diell dhe kufizimin e aktiviteteve fizike intensive. Po ashtu, rekomandohet konsumimi i ushqimeve të lehta dhe të pasura me lëngje.

Përveç rreziqeve fizike, ekspertët paralajmërojnë edhe për ndikimet psikologjike. Sipas studimeve të fundit, vala e të nxehtit mund të përkeqësojë simptomat e ankthit dhe depresionit, veçanërisht në mesin e personave të ndjeshëm dhe atyre që vuajnë nga sëmundje mendore.

Për të ndihmuar komunitetin, organizata Caritas ka hapur 23 “oaze klimatike” në Vjenë dhe Austrinë e Poshtme, duke ofruar ambiente të freskëta për qytetarët. Ndërkohë, disa bashki po zbatojnë masa të tjera praktike si krijimi i zonave me hije dhe ridizajnimi i hapësirave publike për të lehtësuar efektet e të nxehtit, transmeton albinfo.ch.

KQZ: Lista e votuesve për zgjedhjet lokale, më pak votues se në zgjedhjet e shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 41-të të këtij viti, të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi. Mbledhja u zhvillua në mënyrë elektronike dhe kishte në fokus përgatitjet për Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe kuvendet komunale që do të mbahen më 12 tetor 2025, raporton albinfo.ch.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së janë njoftuar me raportin e Listës Preliminare të Votuesve (LPV), e cila përmban 2,067,998 emra, që është 7,870 më pak se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet e ardhshme 33,540 qytetarë do të votojnë për herë të parë, nga të cilët 26,654 janë të rinj që kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, ndërsa 6,886 janë të regjistruar rishtas në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rikthyer shtetësinë kosovare.

Nga ana tjetër, 41,410 votues janë larguar nga lista, për arsye të ndryshme, përfshirë:

6,276 persona të vdekur, të konfirmuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);

2,967 të tjerë, të larguar pas krahasimit të të dhënave me regjistrin e Departamentit të Pensioneve;

340 qytetarë, që kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës;

117 persona, të shpallur juridikisht të paaftë për të vepruar;

471 qytetarë mbi 100 vjeç, të larguar pas verifikimeve statistikore;

si dhe 31,239 persona të kategorizuar si të paverifikuar, që figurojnë në regjistrin e dokumenteve, por jo në regjistrin civil.

Gjithashtu, KQZ ka miratuar listën e Qendrave të Votimit, të cilat do të jenë aktive më 12 tetor. Në total do të jenë 945 Qendra të Votimit në të gjitha komunat e Kosovës: 907 për votim të rregullt dhe 38 për votim me kusht, nga një për secilën komunë, raporton albinfo.ch.