Presidentja e Kosovës: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi 2 Korrikun e vitit 1990 të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, duke vlerësuar se ishte akt historik, përcjell albinfo.ch.

“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë. Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë. Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë. Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”, tha Osmani.

Këto dy shtete evropiane regjistruan qershorin më të nxehtë ndonjëherë

Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin e tyre më të nxehtë ndonjëherë, ndërsa vala e nxehtësisë vazhdon të përhapet nëpër Evropë, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se qershori “jashtëzakonisht i nxehtë”, me një temperaturë mesatare prej 23.6 gradësh Celsius, “ka shënuar rekorde”, duke tejkaluar mesataren normale për korrikun dhe gushtin.

Në Angli, Zyra Meteorologjike tha se temperatura mesatare e qershorit prej 16.9 gradësh Celsius vendosi një rekord të ri për atë muaj, ndërsa Mbretëria e Bashkuar në tërësi regjistroi qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1884.

Portugalia kontinentale regjistroi gjithashtu një temperaturë rekorde ditore në qershor prej 46.6 gradësh Celsius. Të dhënat mesatare mujore nuk janë publikuar ende.

Në Turqi, zjarret detyruan dhjetëra mijëra njerëz të evakuoheshin, ndërsa në Itali dy persona humbën jetën për arsye që lidhen me nxehtësinë.

Në Francë, vala e të nxehtit vazhdoi në pjesën më të madhe të vendit edhe të martën, një ditë pasi shumë qytete përjetuan natën dhe ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në qershor.

Maja e Kullës Eiffel në Paris u mbyll për shkak të të nxehtit, ndërsa ministrja franceze e Klimës, Agnes Pannier-Runacher, e përshkroi këtë si një situatë “të paparë”.

Për herë të parë në pesë vjet, rajoni i Parisit e aktivizoi alarmin e kuq, që është paralajmërimi më i lartë për nxehtësinë ekstreme, së bashku me 15 rajone të tjera franceze.

Në Itali, rajoni i Toskanës shënoi rritje prej 20 për qind të pranimeve në spital, për shkak të problemeve që lidhen me nxehtësinë.

Rajoni i Ballkanit, po ashtu, është përfshirë nga temperaturat e larta

Evropiani i Femrave: Ceremonia hapëse me ndeshjen Zvicra-Norvegjia


Kampionati Evropian i Futbollit për Femra, UEFA 2025, do të zhvillohet nga 2 deri më 27 korrik në Zvicër, me tetë stadiume që do të presin ndeshjet.

Turneu me 16 ekipe do të luhet në katër grupe me nga katër pjesëmarrës, ku dy të parët në secilin grup kalojnë në fazën eliminatore.

Finalja do të zhvillohet në St. Jakob-Park, në Bazel, ku në ditën e hapjes Zvicra pritëse do të përballet me Norvegjinë, transmeton albinfo.ch.

Orari përfundimtar është konfirmuar pas shortit të mbajtur më 16 dhjetor në Lozanë.

Stadiumet:
St. Jakob-Park, Bazel
Stadion Wankdorf, Bernë
Stade de Genève, Gjenevë
Stadion Letzigrund, Cyrih
Arena St.Gallen, St. Gallen
Allmend Stadion Luzern, Lucern
Arena Thun, Thun
Stade de Tourbillon, Sion

E mërkurë, 2 korrik
Grupi A: Islanda vs Finlanda (18:00, Thun)
Grupi A: Zvicra vs Norvegjia (21:00, Bazel)

Trump thotë se Izraeli ka rënë dakord me një armëpushim 60-ditor në Gaza

Së fundmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje militantëve të Hamasit, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, që të bien dakord me atë që e cilësoi si “propozim përfundimtar” për armëpushim 60-ditor me Izraelin në Gazë, përcjell albinfo.ch.

“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë, vetëm do të përkeqësohet”, shkroi Trump në platformën sociale Truth Social.

Ai shtoi se Izraeli është pajtuar me kushtet për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë të cilit, siç tha, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”.

Trump tha se propozimi do t’i dorëzohet Hamasit nga përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit.

Sipas tij, propozimi doli pas një takimi “të gjatë dhe produktiv” në lidhje me Gazën, midis përfaqësuesve të tij dhe zyrtarëve izraelitë.

Ai nuk i identifikoi përfaqësuesit e tij, por i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidenti JD Vance duhej të takoheshin më 1 korrik me Ron Dermerin, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më 30 qershor se Trump dhe zyrtarët e administratës janë në komunikim të vazhdueshëm me udhëheqjen izraelite dhe se përfundimi i konfliktit në Gazë është përparësi për presidentin.

“Është rrëqethëse t’i shohësh pamjet që kanë dalë nga Izraeli dhe Gaza gjatë kësaj lufte, dhe presidenti dëshiron që ajo të përfundojë. Ai dëshiron të shpëtojë jetë”, tha Leavitt.

Propozimi i SHBA-së kërkon gjithashtu lirimin e gjysmës së pengjeve nga Hamasi, në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe mbetjeve mortore të palestinezëve të tjerë.

Trump u tha gazetarëve më herët se shpreson që marrëveshja për pengjet të arrihet javën e ardhshme midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gazë.

Ai do të takohet me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë më 7 korrik.

Trump u tha gazetarëve se do të jetë “shumë i prerë” me Netanyahun për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gazë, duke shtuar se edhe vetë Netanyahu dëshiron që lufta të ndalet.

“Shpresojmë që kjo të ndodhë. Mezi presim që kjo të ndodhë javën tjetër. Duam t’i nxjerrim pengjet”, tha Trump.

Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë do të jetë e treta e tij që kur Trump u rikthye në detyrë në muajin janar.

Kjo vizitë vjen pas vendimit të Trumpit për t’u bashkuar me luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar centralet bërthamore iraniane.

Pasi ndërmjetësoi një armëpushim mes këtyre dy vendeve, Trump sinjalizoi se tani është duke e përqendruar vëmendjen te përpjekjet për t’u dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi tha se është i gatshëm t’i lirojë pengjet e mbetura në Gazë, në kuadër të çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa, sipas Izraelit, lufta mund të përfundojë vetëm nëse Hamasi çarmatoset dhe shpërbëhet.

Presidentja Osmani takon sot veç e veç krerët politikë, e nis me Kurtin

Edhe partitë e ish-opozitës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim me presidenten.

Sipas burimeve të mediave në Kosovë, takimet do të mbahen nga ora 10:00 deri në orën 16:00.

“Kam pranuar ftesë. Nesër është takimi dhe unë do të jem aty. Qëndrimi që e kemi pasur gjithmonë. Ne ka dy a tre muaj që po mundohemi të gjejmë zgjidhje për të ofruar kompromise dhe për të dalë nga kjo situatë. Nesër do të jem te presidentja. Ne kemi pasur kërkesë qysh herët që presidentja të involvohet”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka preferuar të flasë për takimin te presidentja, por ka kërkuar nga ajo që të ketë një qëndrim për bllokadën politike.

“Bën mirë nëse presidentja na fton, bën mirë të ketë qëndrim për këtë situatë”, ka thënë ai.

Bashkëpartiakja e Abdixhikut, deputetja Hykmete Bajrami, thotë se bllokada për konstituimin e Kuvendit duhet të marrë fund. Ajo shpreson në një zgjidhje pas konsultave me presidenten Osmani.

Pjesëmarrjen në takim me presidenten e kanë konfirmuar edhe nga AAK-ja. Takimi Osmani-Haradinaj do të mbahet në orën 16:00.

Takimi i presidentes Osmani me liderët e subjekteve politike mbahet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin u bëhet thirrje deputetëve që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin.

Angli: Sara me dy diploma ndërkombëtare për Arkitekturë

Bëhet fjalë për Sara Cenaj, një arkitekte shqiptare që mori diplomën e dytë master në Angli, në “Nottingham Trent University”, në programin Master Shkencor në Zhvillimin e Pronave dhe Planifikim, shkruan albinfo.ch.

Në fakt, Sara ka qenë një studente e shkëlqyer edhe në Tiranë, ku u diplomua në “Universitetin Polis” për Master Shkencor në Arkitekturë dhe Dizajn Urban.

“Jam jashtëzakonisht krenare dhe mirënjohëse që zyrtarisht mora titullin tim MSc në Zhvillimin dhe Planifikimin e Pronës me dallim dhe çmimin prestigjioz ‘RICS’. Përfundimi i dy diplomave të masterit ka qenë një udhëtim sfidues, por shpërblyes, dhe rezulton se kam një pasion të vërtetë për mbledhjen e diplomave dhe ndjekjen e ëndrrave. Këtu është për punën e palodhur, rritjen dhe kapitullin tjetër përpara”, është shprehur ajo. /Albinfo.ch

Angli: Vrau 27 vjeçarin shqiptar, dënohet me burgim të përjetshëm

Raportohet se 31 vjeçari shqiptar S.Sh, pjesëtar i grupit “Hellbanianz” është dënuar me burgim të përjetshëm në Londër, pasi akuzohet për vrasjen e 27-vjeçarit L.Z, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga mediat e huaja të cilat shkruajnë se fajtor për krimin është shpallur edhe vëllai i S.Sh, E.Sh, 30 vjeç, i cili është dënuar me 20 muaj burg.

S.Sh nisi sulmin mbrëmjen e 16 tetorit 2022 në Church Lane, Leytonstone.

L.Z po qëndronte jashtë një kafeneje me mikun e tij kur vëllezërit Sh mbërritën rreth orës 22:40 me dy makina. Vëllezërit shkuan në një kafene tjetër, por pak më vonë E.Sh u kthye në njërën nga makinat dhe filloi ta ngiste atë përgjatë rrugës.

 

Raport

“Shoku i Lumturiut iu afrua Emirlionit dhe i tha të ndalonte, por në vend që ta bënte këtë, Emirlioni doli nga makina dhe foli me vëllain e tij dhe të tjerët që ishin jashtë kafenesë. Situata u përshkallëzua shpejt pasi Emirlion Shuti e goditi me grusht shokun e Lumturiut. Gjatë grindjes që pasoi, Sabajet Shuti nxori një thikë dhe e goditi dy herë Lumturiun, dhe shokun e tij një herë.

Të dy vëllezërit Shuti ikën nga vendi i ngjarjes duke e lënë Lumturiun të vdekur në trotuar. Shërbimet e urgjencës mbërritën, por pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk mundën ta shpëtonin. Shoku i tij u dërgua në spital për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente dhe për fat të mirë i mbijetoi sulmit.

Detektivët filluan të mblidhnin prova dhe nga qasja në pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonave celularë arritën të identifikonin se kush ishte përgjegjës.

Një ditë pas vrasjes, Sabajet Shuti bëri plane për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Ai ndryshoi pamjen e tij duke rruar mjekrën dhe më pas udhëtoi për në Folkestone përpara se të kalonte Kanalin në Francë. U lëshua një urdhër arresti për të dhe rreth një vit pas sulmit, më 3 tetor 2023, Sabajet Shuti u arrestua në Suedi. Ai u ekstradua përsëri në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me pasojat e veprimeve të tij.

Gjatë periudhës ndërmjetëse, detektivët kishin arrestuar dhe të akuzuarin Emirlion Shutin për rolin e tij në sulm.” 

Fillon zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-Itali për pensionet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se nga sot ka filluar zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore.

Në një postim në Facebook, Rama theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë një lehtësim të madh për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet, pasi tani do t’u njihen çdo vit pensionet e tyre të plotë, edhe në vendin ku nuk jetojnë.

“Nderim dhe respekt për gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre”, shkruajti ai.

Polonia do të vendosë kontrolle në kufirin me Gjermaninë për të ndaluar migrantët e parregullt

Polonia të martën njoftoi se do të vendosë kontrolle të përkohshme nga data 7 korrik në kufijtë me Gjermaninë dhe Lituaninë për të ndaluar kalimet e parregullta të migrantëve, një temë e ndjeshme në marrëdhëniet me Berlinin.

“Konsiderojmë të nevojshme rikthimin e përkohshëm të kontrolleve në kufirin polako-gjerman për të kufizuar dhe ulur në minimum rrjedhën e pakontrolluar të migrantëve që kalojnë përpara e mbrapa,” tha kryeministri Donald Tusk për gazetarët.

Ai shtoi se do të vendosen kontrolle të ngjashme edhe në kufirin me Lituaninë.

“Jemi të vetëdijshëm se ky vendim sjell pasoja të caktuara në lirinë e lëvizjes së njerëzve. Nuk ka rrugë tjetër,” shtoi ai.

Gjermania kishte rivendosur kontrolle të përkohshme në kufirin me Poloninë në shtator dhe që atëherë Varshava ka akuzuar Berlinin për dërgimin mbrapsht në Poloni të migrantëve të parregullt që vijnë nga Polonia.

Imigracioni ishte një çështje kryesore politike në Poloni gjatë fushatës para zgjedhjeve presidenciale më 1 qershor, që u fituan nga kandidati nacionalist opozitar, Karol Nawrocki.

“Praktika në kufirin polako-gjerman ka ndryshuar dukshëm. Ana gjermane tani në fakt refuzon të lejojë hyrjen e migrantëve që synojnë të kërkojnë azil apo të marrin status tjetër,” tha Tusk.

“Ky ndryshim në praktikë në kufi ka sjellë tensione dhe një ndjenjë të drejtë asimetrie. Ne kemi mbrojtur Schengen-in dhe do të vazhdojmë të jemi mbështetës të një Europe pa kufij dhe kufizime, por duhet të ketë një vullnet të përbashkët dhe simetrik nga fqinjët tanë,” shtoi ai.

Tusk tha gjithashtu se rikthimi i kontrolleve në kufirin me Lituaninë është i nevojshëm për të ndaluar kalimet e migrantëve nga Bjellorusia.

Duke folur në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz mohoi se ka rikthime të azilkërkuesve nga Gjermania në Poloni.

“Nuk ka raste të tilla,” tha ai.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e qeverisë polake dhe dimë që tani Polonia dëshiron të kryejë kontrolle kufitare edhe me Lituaninë për të kufizuar kalimet e paligjshme nga Lituania në Poloni,” tha Merz.

Ai theksoi se ka një “bashkëpunim shumë të ngushtë, kolegjial dhe miqësor” me Tusk-un për këtë çështje.

“Kemi një problem të përbashkët. Po e zgjidhim së bashku,” përfundoi ai.

Temperaturat arrijnë deri në 46°C: OBSH paralajmëron për valën ekstreme të nxehtësisë në Evropë

Europa po përballet me një valë të nxehti rekord, me temperatura që shkojnë deri në 46 gradë Celsius në rajonin Huelva të Spanjës, duke thyer rekorde kombëtare për muajin qershor. Italia, Greqia, Portugalia dhe Ballkani Perëndimor po përjetojnë gjithashtu nxehtësi të lartë, zjarre të mëdha dhe viktima në radhët e civilëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim serioz, duke kërkuar veprime urgjente për të shmangur mijëra vdekje të parandalueshme që priten në ditët e ardhshme.

“Nuk është më pyetje nëse do të ketë valë të nxehti, por sa intensive dhe sa të zgjatura do të jenë,” tha Marisol Yglesias Gonzalez, eksperte e OBSH për ndryshimet klimatike dhe shëndetin.

Statistikat tregojnë se vetëm kjo valë e nxehtit mund të shkaktojë më shumë se 4,500 vdekje shtesë në periudhën 30 qershor – 3 korrik, me Italinë, Kroacinë, Slloveninë dhe Luksemburgun në rrezikun më të lartë.

Çdo vit, mbi 175,000 njerëz vdesin nga nxehtësia në rajonin europian të OBSH-së. Një studim i fundit parashikon një rritje të ndjeshme të këtyre numrave nëse nuk merren masa për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike.

OBSH nënvizon se ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga djegia e karburanteve, po shtojnë frekuencën dhe intensitetin e valëve të nxehtit, duke sjellë pasoja serioze shëndetësore.

Në Spanjë, pothuajse dy të tretat e qyteteve janë nën paralajmërim për rreziqe shëndetësore, me 804 zona në alarm të lartë. Parashikohet që nxehtësia të vazhdojë deri më 3 korrik. Paralajmërime të ngjashme janë shpallur edhe në Francë, Itali, Portugali dhe Greqi.

Në Greqi, qeveria ka paralajmëruar për ndotje të ajrit për shkak të zjarreve pranë Athinës, ndërsa në Turqi janë evakuuar mbi 50,000 persona për shkak të një zjarri pranë Izmirit.

Edhe Shqipëria dhe Serbia po përjetojnë situata të vështira me shumë vatra zjarri dhe temperatura rekord.

OBSH rekomandon që njerëzit të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta dhe të ruajnë ambientet e brendshme të freskëta, sidomos grupet më të ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Gjithashtu paralajmërohet për kujdes të shtuar nga përdoruesit e medikamenteve që mund të ndikojnë në rregullimin e temperaturës trupore.

OBSH thekson se menaxhimi i valëve të nxehtit kërkon jo vetëm reagim të menjëhershëm, por edhe përgatitje afatgjatë. Aktualisht, vetëm 21 nga 57 vendet e rajonit europian kanë një plan kombëtar për valët e nxehtit.

Udhëzime të reja për qeveritë do të publikohen vitin e ardhshëm, duke përfshirë strategji për freskimin urban dhe mbrojtjen e popullsisë nga nxehtësia.

Rregullat për bagazhin e dorës në avion: Çfarë duhet të dini para udhëtimit

Pushimet e verës sjellin një valë të madhe udhëtarësh, por rregullat për bagazhin e dorës ndryshojnë shumë nga një kompani ajrore në tjetrën dhe mund të kushtojnë shtrenjtë. Disa kompani, si Ryanair dhe EasyJet, lejojnë vetëm një copë bagazh të vogël pa pagesë në biletën më të lirë, ndërsa të tjera, si Lufthansa apo British Airways, mund të pranojnë edhe një artikull shtesë.

Shoqata Evropiane e Mbrojtjes së Konsumatorit (BEUC) ka ngritur ankesë ndaj disa kompanive që marrin tarifa shtesë deri në 75 euro për bagazhin në kabinë. Në Parlamentin Evropian po diskutohet për rregulla më të lehta, që pasagjerët të mund të marrin dy copë bagazh pa pagesë – një çantë dhe një valixhe të vogël, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, kompanitë ajrore kundërshtojnë këto ndryshime, duke argumentuar se shumë pasagjerë zgjedhin bileta pa bagazh dhe nuk duhet të paguajnë për shërbime që nuk u duhen. Sipas tyre, mbingarkesa me bagazhe në kabinë krijon vonesa dhe stres në fluturime.

Për t’u shmangur surprizave, udhëtarët duhet të kontrollojnë me kujdes rregullat e bagazhit të dorës të kompanisë që do të përdorin.

 

 

Policia e qytetit të Cyrihut do të vazhdojë të përdorë fishekë gome në demonstrata

Megjithë incidentet ku disa persona humbën sytë, një raport rekomandon përdorimin e fishekëve të gomës për shkak të mungesës së alternativave.

Policia e qytetit të Cyrihut do të regjistrojë çdo ndërhyrje në të ardhmen. Qëllimi i përgjithshëm është të reduktohet përdorimi i fishekëve të gomës. Megjithatë, pa këtë mjet distancues, rreziku për lëndime do të ishte më i lartë nga të dyja palët, siç tha për mediat drejtoresha e Sigurisë, Karin Rykart (Partia e Gjelbër). Për shembull, nëse policia do të përdorte shkopinj.

Parlamenti i qytetit ka kritikuar shpesh “municionet e distancës”. Kohët e fundit, shumica kërkoi mbledhjen e të dhënave për ndërhyrjet në vitin 2024, që do të fillojë të zbatohet në mënyrë sistematike nga 1 shtatori 2025. “Duam që diskutimi rreth fishekëve të gomës të bëhet më objektiv,” tha Rykart.

Derisa në vitin 2000 policia regjistronte operacionet, sipas komandantit Beat Oppliger, ndërhyrjet ishin mbi 1,000 mes viteve 1980 dhe 2000. Pa regjistrime të sakta, policia llogariti 93 ndërhyrje midis 2013 dhe 2024. Nëse këto shifra janë të krahasueshme, mbetet për t’u parë. Megjithatë, numri i ndërhyrjeve ka rënë, tha Oppliger.

Rekomandim për forcat e tjera

Drejtoresha e Sigurisë shpreson që hulumtimi të ofrojë një “pamje gjithëpërfshirëse”. Në një letër drejtuar Konferencës së Drejtorëve Kantonale të Drejtësisë dhe Policisë, ajo rekomandoi që të gjitha forcat policore zvicerane të kryejnë një hulumtim të tillë.

Oppliger theksoi se mjetet e tjera në dispozicion të policisë nuk janë të krahasueshme. Në Gjermani, policia përdor shkopinj dhe sprej piperi kundër tifozëve të dhunshëm apo demonstruesve. “Eksperienca tregon se kjo shkakton më shumë lëndime,” tha ai. Për më tepër, nevojiten më shumë policë në shërbim.

Oppliger tha se policia është e vetëdijshme për rreziqet që lidhen me përdorimin e këtyre mjeteve. Edhe nivelet e ulëta të energjisë mund të dëmtojnë sytë. Qëllimi duhet të jetë që të qëllohen pjesë më të thella të trupit. Çdo lëndim duhet të parandalohet nëse është e mundur, tha ai. Ai gjithashtu do të mirëpriste në të ardhmen regjistrimin e dëmtimeve nga oftalmologët.

Testohen lëshues të rinj

Rykart dha urdhër për një raport mbi armët e distancës, për të treguar pasojat e përdorimit të fishekëve të gomës dhe mënyrën se si policia e qytetit i përdor ato. Përveç rasteve të vetëmbrojtjes, policët duhet të përdorin fishekët e gomës nga një distancë prej të paktën 20 metrash.

Raporti vjen në një kohë kur Policia e Cyrihut ka nevojë për një armë të re, pasi lëshuesit aktualë janë 50 vjeç. Tani po testohen lëshues të rinj, tha komandanti. Lëshuesit e fishekëve të gomës do të mbeten zgjedhja kryesore.

 

Numri i kalimeve të paligjshme të kanalit të La Manshit do të shpërthejë në 2025

Qeveria britanike po përballet me vështirësi në reduktimin e kalimeve të paligjshme të Kanalit mes tensioneve politike.

Që nga 1 janari, afër 20 mijë migrantë kanë kaluar Kanalin, një rekord për gjysmën e parë të vitit, sipas shifrave të publikuara të martën nga qeveria britanike.

Të hënën, 879 migrantë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar pas kalimit të paligjshëm të Kanalit, duke e çuar numrin total të mbërritjeve në 19,982 në gjashtë muajt e parë. Kjo përbën një rritje prej 48 për qind krahasuar me 2024-n (13,489 kalime në gjashtë muaj), një rritje prej 75 për qind krahasuar me 2023-n (11,433), dhe rekord që nga viti 2018, kur filluan të regjistroheshin kalimet.

Këto shifra rrisin presionin mbi qeverinë e kryeministrit Keir Starmer, që ka premtuar përforcim të luftës kundër emigracionit të paligjshëm dhe përballet me rritjen e partisë anti-emigracion Reform UK. Aktualisht, Parlamenti po shqyrton një ligj për kontrollin e kufirit, që pritet t’u japë autoriteteve më shumë kompetenca kundër rrjeteve të trafikimit të njerëzve.

Parisi gati të rishikojë rregullat e ndërhyrjes

Londra ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi me vende të nisjes ose tranzitit (Irak, Gjermani, Serbi, Kosovë etj.). Në shkurt, Londra dhe Parisi zgjatën traktatin kundër emigracionit të paligjshëm deri në 2027, sipas të cilit britanikët financojnë pjesërisht kontrollet në anën franceze.

Qeveritë franceze dhe britanike pritet të njoftojnë masa të reja në javët në vazhdim. Nën presionin e Londrës, Parisi po konsideron ndryshimin e politikës së ndërhyrjes së policisë detare dhe xhandarmërisë për të mundësuar ndalimin e “taksive detare” (anije që çojnë migrantët direkt në det, duke shmangur kontrollet në plazh) deri në 300 metra larg bregut.

Sipas ligjit ndërkombëtar detar, në këtë zonë autoritetet kryejnë vetëm operacione shpëtimi. Po diskutohen gjithashtu eksperimentime për shkëmbim migrantësh nën kushte të caktuara.

Statistikat në rritje

Shumica e migrantëve që mbërrijnë me anije të vogla vijnë nga Afganistani, Siria, Eritrea dhe Irani. Shtatëmbëdhjetë persona kanë vdekur duke tentuar të arrijnë Anglinë me anije që nga fillimi i vitit, sipas Ministrisë së Brendshme franceze. Në vitin 2024 u regjistrua një rekord i zymtë prej 78 vdekjeve të tilla.

Në vitin 2022, vit rekord për mbërritjet e migrantëve nëpërmjet Kanalit, 45,774 persona arritën në Mbretërinë e Bashkuar. Pas një rënieje në 2023-n, kalimet e paligjshme u rritën ndjeshëm vitin e kaluar (36,800) dhe tendenca e këtij viti tregon për një rekord të ri.

“Shuhet” USAID

Pas më shumë se gjashtë dekadash, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pushoi sot zyrtarisht së ekzistuari, pasi administrata Trump e konsideroi atë si jo në shërbim të interesave të Shteteve të Bashkuara.

Kjo vjen në të njëjtën ditë kur një studim ndërkombëtar zbulon se rënia e fondeve amerikane për ndihmën ndërkombëtare mund të çojë në më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030 midis më të prekshmëve, një e treta e të cilëve janë fëmijë.

Ajo që mbetet nga USAID tani do të integrohet në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, nën udhëheqjen e sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

“Më 1 korrik, USAID do të ndërpresë zyrtarisht zbatimin e ndihmës së huaj. Programet e ndihmës së huaj që përputhen me politikat e administratës dhe u shërbejnë interesave të SHBA-së do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të zbatohen me përgjegjshmëri, strategji dhe efektivitet më të madh”, shkroi Marco Rubio në një mesazh të transmetuar nga zyra e tij, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Përveç krijimit, me shpenzimet e taksapaguesve, të një kompleksi industrial global të OJQ-ve, USAID ka pak për të treguar për veten që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, shtoi ai.

Në një mesazh lamtumire për stafin, të hënën, ish-presidentët George W. Bush dhe Barack Obama, si dhe këngëtari Bono, vlerësuan punën e USAID.

Eliminimi i USAID është “i pashpjegueshëm” dhe “do të mbetet një gabim kolosal”, deklaroi Barack Obama në një video të parë, ndërsa Bush mbrojti programin Pepfar AIDS që ai kishte krijuar.

Që kur u rikthye në pushtet në janar, Donald Trump ka filluar çmontimin e institucionit, duke shkurtuar masivisht ndihmën ndërkombëtare dhe duke eliminuar 83 për qind të financimit për programet jashtë vendit nga agjencia amerikane e zhvillimit, e akuzuar për shpërdorim dhe për përhapjen e vlerave në kundërshtim me interesat e SHBA-së.

Presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 20 janar, në ditën e tij të parë në detyrë, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditore të ndihmës së jashtme të SHBA-së, për të lejuar një rishikim të plotë që do të vlerësonte përputhshmërinë e saj me politikat e tij të synuara, veçanërisht ato që lidhen me programet që promovojnë abortin, planifikimin familjar ose promovojnë diversitetin dhe përfshirjen.

Rezultati nuk vonoi shumë dhe USAID, që kishte një staf prej mbi 10 mijë vetash, që atëherë ka parë numrin e tij të tkurret.

Serbët bllokojnë rrugën nga Rashka drejt Jarinjës, qarkullimi në kufirin me Kosovën thuajse është ndërprerë

Disa qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën kryesore që lidh Rashkën me Jarinjën, duke shkaktuar ndalesa të mëdha në qarkullimin e automjeteve drejt kufirit me Kosovën. Sipas raportimeve nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, trafiku në këtë pjesë është reduktuar ndjeshëm, përcjell albinfo.ch.

Në një komunikatë zyrtare theksohet se në hyrje të Kosovës numri i automjeteve është shumë i ulët për shkak të bllokadës. Autoritetet monitorojnë situatën dhe premtojnë të informojnë publikun për çdo ndryshim.

Kjo nuk është hera e parë që protestuesit serbë ndërmarrin masa të tilla; më parë ata kanë bllokuar edhe pikën kufitare në Merdarë. Ndërkohë, në Serbi po vazhdojnë protestat kundër qeverisë, të nxitura nga incidentet e fundit në Novi Sad.

Zvicra vendos në fund të nëntorit për 3 tema në referendum

Zvicra do të vendosë në fund të nëntorit për tre tema kryesore në një referendum popullor, njoftoi Këshilli Federal të martën. Qytetarët do të vendosin nëse do të futet një shërbim qytetar për të gjithë, nëse do të vendoset taksë mbi trashëgiminë për të financuar luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe nëse do të pranohen më shumë kontribute indirekte për mbështetjen e botuesve të mediave.

Iniciativa “Për një Zvicër të angazhuar” (shërbimi qytetar) që Parlamenti dhe Këshilli Federal rekomandojnë të refuzohet, kërkon që të gjithë të rinjtë zviceranë, burra dhe gra, të angazhohen në shërbim për komunitetin dhe mjedisin. Ky angazhim mund të bëhet në ushtri, shërbim civil, mbrojtje civile ose ndonjë shërbim tjetër vullnetar. Parashikohet gjithashtu kompensim financiar, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa popullore e Rinisë Socialiste “Për një politikë sociale klimatike, financuar drejtësisht përmes taksave” (Iniciativa për të Ardhmen) kërkon, ndër të tjera, një taksë 50 për qind mbi trashëgimitë dhe dhuratat për shuma mbi 50 milionë franga. Kjo taksë do të përdoret për financimin e masave klimatike.

Ligji nuk pati shanse në parlament, pasi ka frikë të gjerë se taksa e lartë do të vështirësojë ose pamundësojë trashëgiminë në bizneset familjare. Kundërshtarët paralajmëruan gjithashtu për humbje të të ardhurave nga taksat mbi të ardhurat dhe pasurinë, pasi taksa e re mund të largojë më të pasurit.

Referendum për ndihmën e medias

Nëse mblidhen 50 mijë nënshkrimet e nevojshme për referendumin deri më 10 korrik, votuesit do të kenë mundësi të votojnë më 30 nëntor mbi mbështetjen indirekte për median, e cila është rritur nga Parlamenti. Një komitet jopartiak i drejtuar nga “Team Liberté” ka nisur një referendum kundër këtij ndryshimi të propozuar në Ligjin për Shërbimet Postare në fund të prillit.

Shaqiri, gati për edicionin e ri me Baselin

Kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri ka folur para nisjes së edicionit të ri në Superligën zvicerane.

“Gjendja është pozitive. Po punojmë me intensitet të lartë, dhe kjo është thelbësore. Synimi ynë është të arrijmë formën optimale për sfidat në kualifikimet e Ligës së Kampionëve”, është shprehur ylli shqiptar.

“Kur ke më shumë eksperiencë, fillon të kuptosh më mirë aspektet fizike dhe menaxhimin e energjisë. Lojtarët e rinj janë duke u zhvilluar mirë në këtë drejtim. Unë jam më tepër një lojtar kreativ, ndaj ndonjëherë duket sikur jam ende në kulmin tim si para dhjetë vitesh. Por pas ndeshjeve, rikuperimi është më i rëndësishëm se më parë”, shtoi ai, raporton 20min, transmeton albinfo.ch.

Edicionin e fundit, Baseli fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës, dy trofetë e futbollit zviceran.

Alarm nga vala e nxehtësisë në Itali: Një grua humb jetën, turistja alivanoset në Duomo

Në Itali po përjetohet një emergjencë nga temperaturat rekord të larta, që po shkakton pasoja serioze. Në Bagheria, pranë Palermos, një grua 53-vjeçare me probleme zemre rrëzohet dhe vdes papritur në rrugë.

Në Vicenza, dy punëtorë humbën ndjenjat duke punuar brenda një cisterne të nxehtë. Njëri prej tyre është në koma dhe po merr ndihmë intensive.

Në Milano, një turiste 66-vjeçare nga Shanghai humbi ndjenjat për shkak të vapës teksa qëndronte në Terrazën kryesore të Duomos. Ajo u ndihmua nga zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës.

Shërbimet e urgjencës raportojnë një rritje prej 20% të vizitave mjekësore, kryesisht nga të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje kronike. Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta dhe të merret kujdes i veçantë për personat e dobët.

Rajonet më të prekur nga sfida e plakjes në Zvicër, si po luftojnë disa komunat kundër plakjes së popullsisë

Afro një në pesë banorë zviceran është mbi 65 vjeç, një shifër që vazhdon të rritet. Në disa rajone, përqindja e të moshuarve është shumë më e lartë, me pasoja për politikat publike në të ardhmen.

Me pamjen e saj përballë liqenit të Neuchâtelit, Mauborget (VD) ka gjithë magjinë e një komune në mes të lartësive. Pavarësisht aseteve të saj, fshati ka vështirësi në rinovimin e popullsisë. Sot, është komuna frankofone me përqindjen më të lartë të të moshuarve: afro një në tre banorë është mbi 65 vjeç, dy herë më shumë se mesatarja kantonale prej 16 për qind.

Zgjedhjet dhe e ardhmja e Mauborget-it formohen padyshim nga kjo realitet. Një popullsi më e vjetër kërkon zhvillime të veçanta urbane dhe sociale. Sipas një studimi të Konfederatës Zvicerane, kjo gjeneron kosto shtesë për shtetin dhe kontribuon në borxhin komunal, transmeton albinfo.ch.

Shkolla e kërcënuar

Corbeyrier, në skajin lindor të liqenit të Gjenevës, po përjeton një situatë të ngjashme me Mauborget-in. Atje, hoteli është kthyer tashmë në një shtëpi pleqsh, e cila është plot. Megjithatë, shkolla kërcënohet nga mbyllja për shkak të mungesës së nxënësve. “Do të dëshironim shumë familje të reja me fëmijë, kjo është e sigurt, por nuk ka shumë hapësirë,” shpjegon Monique Tschumi, kryetare e fshatit.

Dallime ekstreme në Valais dhe Jura

Këto sfida përballohen edhe në disa fshatra në Valais. Saint-Martin (VS) ka mbi 30 për qind të banorëve që janë në moshë pensioni.

Ashtu si në Corbeyrier, edhe shkolla e Saint-Martin ishte në rrezik. Autoritetet morën iniciativën. Ata hapën një çerdhe dhe një program pas-shkollor. Komuna financon sigurimin shëndetësor për fëmijët deri në moshën 18 vjeç dhe shitet toka komunale.

Të gjitha këto përpjekje tregojnë se plakja shihet si një sfidë. Për këshilltarin komunal Gaëtan Rossier, situata është e qartë: “Të moshuarit janë të shkëlqyer, por për një komunë është e rëndësishme të tërheqë familje, që nuk janë domosdoshmërisht nga këtu, për të jetuar në male.” Saint-Martin duket se po e ndryshon gradualisht këtë trend natyror.

Në rajonin e Jurës, disa komuna si Bonfol dhe Fahy kanë gjithashtu një popullsi të moshuar mbi 30 për qind. Problemi i plakjes së popullsisë duket më i përhapur në këtë kanton, i cili ka nivelin e tretë më të lartë të pensionistëve në Zvicër, pas Ticinos dhe Basel-Landschaft. Mbi një në pesë persona kanë kaluar moshën simbolike të 65 vjetëve.

Neuchâtel dhe Gjeneva më të homogjenizuara

Në Neuchâtel, shpërndarja territoriale e të moshuarve është shumë më pak e diferencuar. Në skajet e kantonit, Val-de-Travers ka 23 për qind të banorëve mbi 65 vjeç, krahasuar me 16 për qind në Val-de-Ruz.

E njëjta gjë vlen për Gjenevën, ku raporti varion nga 12 për qind (Chancy) në 25 për qind (Presinge). Ky kanton është gjithashtu më i riu në gjithë Zvicrën sipas këtij treguesi, me 15.6 për qind pensionistë.

Diku tjetër në Zvicër

Ndërsa disa komuna do të duhet të përballen me sfidën e plakjes së popullsisë, Zvicra frankofone nuk është rajoni më i prekur nga ky fenomen. Të dhënat sipas distrikteve tregojnë se qendra dhe lindja e vendit duhet të përgatiten për një ndryshim të madh demografik.

I gjithë rajoni i Ticinos, pjesa më e madhe e Graubünden dhe pjesa e Zvicrës qendrore kanë gati një pensionist për çdo katër banorë. Ky raport është shumë më i lartë se ai i regjistruar në shtratin zviceran dhe në qytete si Cyrihu, Lozana apo Gjeneva.

Dubai teston taksinë ajrore elektrike, fluturimi i parë i suksesshëm hap rrugën për transportin e së ardhmes

Kompania Joby Aviation realizoi këtë javë fluturimin e parë testues të taksisë së saj plotësisht elektrike në Dubai, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet e qytetit për të integruar transportin ajror në rrjetet ekzistuese të lëvizshmërisë që nga viti i ardhshëm, rapprton reuters përcjell albinfo.ch.

Ky test synon të përgatitë terrenin për nisjen e operacioneve komerciale të taksive ajrore elektrike, një inisiativë që pritet të revolucionarizojë mënyrën e lëvizjes urbane në Dubai.

 

Vendimi i Trumpit mund të shkaktojë më shumë se 14 milionë vdekje deri në vitin 2030

Një raport i botuar në revistën mjekësore “The Lancet” paralajmëron se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të reduktuar ndjeshëm financimet për ndihmën humanitare ndërkombëtare mund të çojë në mbi 14 milionë vdekje të parakohshme deri në vitin 2030. Sipas studimit, një e treta e këtyre viktimave të mundshme janë fëmijë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar më parë se administrata Trump ka anuluar më shumë se 80 për qind të programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke shkaktuar shqetësime të mëdha për ndikimin e këtyre prerjeve.

Davide Rasella, një nga autorët e raportit dhe studiues në Institutin për Shëndetin Global në Barcelonë, tha se pasojat e këtyre shkurtimeve për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të jenë të ngjashme me ato të një pandemie globale apo një konflikti të madh ushtarak.

Raporti thekson se këto prerje në financime mund të ndërpresin dhe madje të përmbysin përparimet dy dekadash në shëndetësi për popullatat më të rrezikuara. Analiza është bërë duke studiuar të dhëna nga 133 vende, duke treguar se mbështetja financiare nga USAID ka ndihmuar në parandalimin e 91 milionë vdekjeve midis viteve 2001 dhe 2021.

Nëse financimet zvogëlohen me 83 për qind, siç është raportuar, pritet që numri i vdekjeve të parandalueshme të rritet ndjeshëm, duke përfshirë mbi 4.5 milionë fëmijë nën pesë vjeç, ose rreth 700,000 vdekje fëmijësh çdo vit.

Administrata Trump, e cila ka synuar edhe reduktimin e stafit federal dhe kritikën ndaj projekteve liberale të mbështetura nga USAID, ka sjellë këto ndryshime në një kohë kur SHBA mbetet ofruesi më i madh i ndihmës humanitare në botë, duke vepruar në mbi 60 vende.

 

Britania i shpall luftë obezitetit, gjoba për marketet që nuk rrisin shitjen e ushqimeve të shëndetshme

Qeveria britanike ka nisur një ofensivë të re kundër obezitetit, duke detyruar supermarketet të ulin sasinë e kalorive në shportat mesatare të blerjeve.

Sipas planit të ri 10-vjeçar për përmirësimin e shëndetit publik, që pritet të bëhet publik këtë javë, supermarketet duhet të ulin deri në 100 kalori nga shporta mesatare e klientëve, duke reduktuar shitjen e produkteve të ëmbla dhe të kripura dhe duke rritur ato të ushqimeve të shëndetshme.

Zinxhirët e mëdhenj do të duhet të raportojnë rregullisht për llojin e ushqimeve që shesin dhe, nëse nuk i arrijnë objektivat e vendosura, do të përballen me gjoba.

“Ne duam ta bëjmë zgjedhjen e shëndetshme më të lehtë për qytetarët, sepse parandalimi është më i mirë se kurimi,” deklaroi Sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting, transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se shkalla e obezitetit në Britani është dyfishuar që nga vitet 1990, duke i kushtuar sistemit shëndetësor kombëtar (NHS) rreth 11 miliardë paundë në vit, një shifër trefish më e lartë se kostoja vjetore e ambulancave.

Britania ka shkallën e tretë më të lartë të obezitetit në Europë, ku një e treta e popullsisë është obeze dhe një e treta tjetër mbipeshë. Kjo epidemi është një nga shkaqet kryesore të diabetit, kancerit dhe sëmundjeve të zemrës.

Sipas qeverisë britanike, ulja e dietës ditore me vetëm 50 kalori mund të ndihmojë që rreth dy milionë të rritur dhe 340 mijë fëmijë të shpëtojnë nga obeziteti, edhe pse disa ekspertë paralajmërojnë se faktorët si mungesa e aktivitetit fizik kanë gjithashtu ndikim të madh.