Pse u rrëzua avioni Air India dhe debati mes pilotëve: “Pse e bëre?”

Një raport paraprak për aksidentin e Air India-s në qershor ka zbuluar se të dy çelësat e kontrollit të karburantit ishin në pozicionin “cut-off”, një hap që fik motorët, pak çaste para se avioni të përplasej në Ahmedabad. Audioja nga kabina e pilotëve tregon konfuzion mes dy pilotëve. Në regjistrim dëgjohet njëri duke pyetur kolegun pse “e bëri cut-off-in”, ndërsa tjetri përgjigjet se nuk e kishte bërë ai.

Siç thuhet në raport, sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve dhe rrjeteve televizive si BBC, Reuters dhe Sky News, çelësat e furnizimit me karburant të dy motorëve u zhvendosën nga pozicioni i funksionimit (RUN) në pozicionin e ndalimit (CUTOFF) njëri pas tjetrit, brenda vetëm një sekonde.

Dr. Mario Donadi ishte mik i Dr. Prateek Joshi, i cili po udhëtonte me familjen e tij në fluturimin e Air India drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Joshi kishte bërë një foto me veten, gruan dhe tre fëmijët e tyre në avion dhe e postoi pak para nisjes.

Donadi i tha programit Today të BBC-së se raporti është “një shuplakë e madhe në fytyrë” pas humbjes së “një kolegu shumë të dashur”.

“Si është e mundur që diçka kaq e thjeshtë, si çaktivizimi i një çelësi, të çojë në një humbje të tillë jetësh, ëndrrash kaq të mëdha?”, pyeti ai.

Joshi “ishte gjithmonë i qetë, shumë i thjeshtë” dhe profesionist, thotë Donadi.

Ai shpjegon se Joshi ishte në rrugën për të “përmbushur ëndrrën e jetës së tij”, duke u shpërngulur përfundimisht në Mbretërinë e Bashkuar me familjen. Radiologu kishte punuar aty prej disa vitesh dhe sapo kishte arritur t’i sillte bashkëshorten dhe fëmijët pranë vetes.

“Gjithçka u shkatërrua në atë mënyrë”, thotë Donadi.

Kantonet hapin klasa të reja të arsimit special

Gjithnjë e më shumë fëmijë po vendosen në shkolla speciale edhe kur në të vërtetë nuk kanë nevojë për këtë status. Ka arsye për këtë dhe njëkohësisht pasoja, përcjell albinfo.ch.

Në Burgdorf, Bernë, dita fillon me një këngë. Atmosfera në klasën e fëmijëve me nevoja të veçanta është e qetë dhe fëmijët janë shumë të ndryshëm. Disa kanë sindromën Daun, të tjerë ADHD ose autizëm. Jeta e përditshme në klasë është e vështirë. Mësuesja Franziska Oppliger e trajton këtë me pasion, siç thotë ajo. Por pas momentit të qetë fshihet një problem që shtrihet shumë përtej Burgdorfit.

Në kantonin e Bernës, vitin e kaluar shkollor u hapën 50 klasa të reja për arsim special. Një përjashtim? Aspak. Kantone të tjera gjithashtu po raportojnë një rritje të ndjeshme. Arsyeja është se shkollat gjithëpërfshirëse po arrijnë kufijtë e tyre.

Gjithnjë e më shumë fëmijë po ekzaminohen, shpesh jo për shkak të mangësive të qarta, por për të siguruar burime shtesë. Kjo vë në pikëpyetje parimin themelor të një shkolle për të gjithë.

Për Myriam Ziegler nga Zyra e Shkollës Fillore të Cyrihut, fenomeni ka një arsye të thjeshtë. Fëmijët me status të shkollës speciale marrin më shumë mbështetje shkollore.

Një fëmijë në një shkollë speciale të veçantë i kushton kantonit të Bernës rreth 86.000 franga zvicerane në vit. Në një shkollë speciale të integruar, kostoja është 45.000 franga zvicerane, krahasuar me 18.000 franga zvicerane për një fëmijë në një klasë të rregullt. Këto ndryshime nuk janë të rëndësishme vetëm në aspektin e politikës arsimore, por edhe financiarisht.

20 Minuten: Lidhja e veçantë e Riolës me vëllain binjak

Futbollistja shqiptare Riola Xhemaili ishte në disponim shumë të mirë pasi shënoi gol për suksesin historik të Zvicrës, të enjten mbrëma. Falë golit të saj, Zvicra për herë të parë do të luajë në çerekfinale të Kampionatit Evropian të futbollisteve. Do të përballet me superfuqinë Spanjën, shkruan 20 Minuten, përcjell albinfo.ch.

Pas golit dhe suksesit historik, Riola ka dhënë me durim intervista të shumta. Ka folur për momentin e jashtëzakonshëm dhe kohërat e vështira me Zvicrën. Në një moment futbollistja shqiptare ka dashur të jetë me familjen e saj, ndër të tjera me vëllain binjak Rionin, me të cilin flet çdo ditë.

Me Rionin, vëllain binjak të yllit të ri të Zvicrës, ka folur gazetari i mediumit zviceran 20 Minuten. Rioni është në pushim, por ishte në stadiumin e Gjenevës të enjten mbrëma. Ishte së bashku me pjesën tjetër të familjes.

“Kemi lidhje të veçantë. Ajo është motra ime, motra ime binjake”, thotë ai.

Për një kohë të gjatë, ndeshja ndaj Finlandës që përfundoi 1:1 nuk i është dukur shumë interesante atij.

“Por pas golit të Finlandës dhe ndryshimeve në përbërje, ka pasur shumë tension”, thotë Rioni.

Ndër të tjera u aktivizua motra e tij, që la gjurmë të pashlyeshme.

“Kur ajo shënoi, ishte një ndjenjë e pabesueshme. Kam kërcyer nga gëzimi dhe isha jashtëzakonisht i lumtur. Isha i lumtur për të dhe për gjithë Zvicrën.”

Ende në fushë, Riola bëri me shenjë drejt vëllait të saj binjak. Ata të dy kanë luajtur së bashku si fëmijë në qytetin Biberist.

“Gjithnjë i them asaj që është futbolliste e rrugës”, thotë Rion Xhemaili, që luan për ekipin U21 të Winterthurit.

Njësoj si motra binjake, ai ka nisur të luajë futboll te klubi Solothurn. Më pas së bashku me motrën u transferuan te Baseli. Te klubi i njohur, Rioni u zhvillua në grupmoshat e reja. Si fëmijë, ai i ka mësuar shumë gjëra për futbollin Riolës, që tani është dukshëm më e njohur.

Çerekfinalja mes Spanjës dhe Zvicrës zhvillohet më 18 korrik në Bernë. Spanja vlerësohet favorite, por Rioni është optimist. Ai i beson përfaqësueses së Zvicrës, e sidomos motrës së tij.

Mediumet e Zvicrës shkruajnë vazhdimisht për Xhemailin. Fjalët e mira për të nuk kanë të ndalur. Jo gjithnjë ajo e kishte besimin e plotë në përfaqësuese, por tashmë ka dëshmuar se është shumë e vlefshme, duke siguruar festë të madhe për gjithë Zvicrën.

Disa kantone kanë mungesë mësuesish


Për të parë se cilat kantone janë më të prekura nga numri i pamjaftueshëm i mësuesve të shkollave publike, platforma e lajmeve Nau anketoi disa kantone zvicerano-gjermane për të parë se sa mësues u mungojnë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ja çfarë zbuloi:

Bern ka nevojë zyrtarisht për 55 persona edukativ, Cyrihu 36, Basel-City 7, St. Galleni 33 dhe Lucerni 50.

Sa gjatë duan të jetojnë zviceranët?

Kjo pyetje konkretisht, deri në çfarë moshe do të donin të jetonin njerëzit në Zvicër nëse do të mund të zgjidhnin lirisht jetëgjatësinë e tyre , ishte thelbi i një ankete të kohëve të fundit të popullsisë të kryer nga firma konsulente Deloitte, përcjell albinfo.ch.

Rezulton se numri magjik është 93, gjë që e habiti udhëheqësin e studimit Marcel Thom.

“Ne nuk e prisnim që kjo moshë të ishte 93. Kjo është mjaft e lartë,” tha ai , veçanërisht pasi, sipas Zyrës Federale të Statistikave, jetëgjatësia në Zvicër është 84 vjet.

Osmani: SHBA, e përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB

Presidentja Vjosa Osmani është takuar të premten në New York me të ngarkuarën me punë të misionit të Shteteve të Bashkuara në OKB, ambasadoren Dorothy Shea, përcjell albinfo.ch.

Osmani ka thënë se në këtë takim me Shean është riafirmuar se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-së dhe se Amerika është e përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca, thuhet se në takim është diskutuar edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

“Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-së dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ndër të tjera, dje në New York, në takim me të ngarkuarën me punë të Misionit të SHBA-ve në OKB, Ambasadoren Dorothy Shea, diskutuam edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”, thuhet në njoftim.

Bajram Begaj sot në Maqedoni

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova sot në Ohër do të jetë nikoqire e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i cili do të qëndrojë në vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Presidenti i Shqipërisë do të pritet në vilën “Biljana” në Ohër, ku është paraparë takim dhe drekë pune me presidenten Sijanovska-Davkova.

Në orët e pasdites do t’i vizitojnë artizanalet kulturore-historike, ndërkaq në mbrëmje do të marrin pjesë në hapjen e festivalit “Vera e Ohrit”.

Bajram Begaj do të shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij, Armanda Begaj.

Kurti takohet sot me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan

Kryeministri Albin Kurti do të takohet sonte në mbrëmje në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, përcjell albinfo.ch.

Takimi do të zhvillohet në një darkë pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili bëri të ditur se takimi vjen në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerin kryesor ndërkombëtar të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndihmëssekretari i Shtetit Hanrahan, para mbërritjes në Kosovë, ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Sipas njoftimit nga presidenca serbe, në takim janë diskutuar temat globale, raportet Serbi-SHBA dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Vuçiq ka theksuar se në takim ka ripërsëritur qëndrimin e Serbisë për dialog si mënyrë të vetme për zgjidhjen e çështjeve me Kosovën dhe ka potencuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Zyrtari i DASH-it gjithashtu ka vizituar Bosnjën.

Hanrahan nuk ka karrierë të gjatë diplomatike, por konsiderohet si person i besuar i Marco Rubios, sekretarit të Shtetit, dhe pritet të luajë rol kyç në ripërcaktimin e qasjes së Amerikës ndaj Evropës, përfshirë gadishullin Ballkanik. Ardhja e tij do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në rajon që nga ndryshimi i qeverisë në SHBA në janar të këtij viti.

Presidentja Vjosa Osmani kishte zhvilluar një takim me Hanrahanin para tre ditësh në Uashington.

Zvicra përballet me Spanjën në çerekfinale

Zvicra për herë të parë u kualifikua në çerekfinale të një Evropiani.

Goli i Riola Xhemailit siguroi kalimin tutje, por tani e pret një sfidë shumë e vështirë, shkruan albinfo.ch.

Zvicra do të përballet me Spanjën, një nga favoritet për ta fituar këtë Evropian. Tradita është në anën e Spanjës, derisa përkrahja në anën e Zvicrës.

Ndeshja do të zhvillohet të premten nga ora 21:00.

Ky Evropian po zhvillohet në Zvicër. Filloi më 2 korrik dhe do të përfundojë më 27.

Deri më tani ishte një spektakël me stadiume të mbushura.

Osmani: Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, Trump njeri që kryen punë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit të 2020 është zbatuar, përcjell albinfo.ch.

Kështu u përgjigj Osmani kur u pyet në një diskutim në Institutin Hudson nëse Uashingtoni do të bëjë ndonjë lëvizje në raport me këtë marrëveshje, qoftë duke e ringjallur atë, qoftë pjesërisht apo tërësisht, dhe nëse kjo lidhet edhe me vizitën e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Brendan Hanrahan, në Kosovë.

Osmani u shpreh më optimiste se qasja e Administratës Trump ndaj Kosovës do të jetë më shumë sesa marrëveshja e para disa viteve.

“Epo, Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por aty ku shoh më shumë potencial është të shkosh përtej Marrëveshjes së Uashingtonit. Përvoja jonë me administratën Trump është se ata janë veprues, ata i kryejnë gjërat, kështu që mendoj se ka potencial për të bërë gjëra të rëndësishme, jo gjëra të parëndësishme, jo gjëra të vogla. Po flas për gjëra të mëdha, gjëra që do të kontribuonin vërtet në paqen afatgjatë, jo në zgjidhje të shpejta, por paqe afatgjatë në rajon. Dhe për këtë arsye, ne kemi ardhur në Uashington mjaft shpesh, duke folur me anëtarë të administratës së re për të diskutuar, së pari, potencialin në marrëdhëniet tona ekonomike. Dhe shpesh them se potenciali i një vendi nuk duhet të përcaktohet vetëm nga madhësia. Pra, pavarësisht se Kosova është një vend i vogël, mendoj, besoj se ne kemi disa ide të mira se si kjo marrëdhënie ekonomike mund të ecë përpara”, tha Osmani.

Osmani tha se ky bashkëpunim ekonomik “mund të jetë një shumëzues force” për lidershipin e Amerikës në botë në një kohë kur ekziston “kjo konkurrencë e madhe me Kinën, kur ka industri të caktuara që janë monopol i Kinës”.

“Ne duhet t’i ndihmojmë Shtetet e Bashkuara të rrisin rolin e tyre në ekonominë botërore. Dhe mendoj se kjo mund të bëhet përmes ndihmës së vendeve që janë pro-amerikane. Dhe siç e dini, Kosova është kombi më pro-amerikan në botë me mbi 97 për qind të popullit të Kosovës që i besojnë Shteteve të Bashkuara dhe lidershipit të tyre. Dhe nuk është vetëm një ideologji apo ideal që e shikon Amerikën si këtë demokraci ideale. Bëhet fjalë për një përvojë të gjallë. Ne kemi parë se si funksionon Amerika, kemi parë se çfarë mund të arrijë Amerika”.

Magjia e ngjyrave të shkrira në pikturat e saj ekspozohet në „Armaturen Flamatt“

Marigona Toma është emër suksesi në fushën e pikturës në Zvicër dhe ndër shqiptarët. Ajo është një artiste që shpalos zemrën e saj në pikturat shumëngjyrëshe.

Për Marigonën, arti në të vërtetë është pasqyrë e jetës, një dritë e hapur e mendjes që të shërben dhe të plotëson.

Kjo piktore vjen nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë dhe që nga vitet e hershme të rinisë është përqendruar rreth artit figurativ, ku ka arritur suksese të shumta.

Ajo është një piktore dhe artiste e përkushtuar, pjesëmarrëse në mbi 40 ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare.

Aktualisht ajo jeton dhe krijon në Zvicër, ku vazhdimisht prezantohet me vepra dhe aktivitete artistike, duke mos harruar kurrë vendlindjen e saj.

Punimet e saj prej disa ditësh janë pjesë e një ekspozite që po mbahet në Wünnewil-Flamatt.

“Jam pjesë e ekspozitës kolektive Kunst im Zeughaus ku prezantohem me disa nga punimet e mia bashkëkohore, bashkë me 40 artistë zviceranë.”

Vlen të theksohet se shumë artistë dhe disa klasa shkollore po shfaqin artin e tyre në Armaturën Flamatt, e organizuar nga Komisioni Kulturor Wünnewil-Flamatt.

Ndërkohë, ajo është e vetmja shqiptare që po prezanton 12 pikturat e saj në mesin e 40 artistëve zviceranë.

Zviceranët tregojnë interes të madh për pikturat e saj.

E pyetur se cila është një nga pikturat që është pëlqyer më së shumti nga audienca zvicerane, Marigona tregon se nuk mund të specifikojë njërën më shumë se tjetrën, pasi sipas saj të gjitha e kanë ndjeshmërinë e tyre.

Duke qenë se pikturimi është një profesion dhe në të njëjtën kohë një ndjenjë, për Marigonën të dyja janë të pranishme dhe e përmbushin atë personalisht.

Artistja gjithashtu ka bërë të ditur se kjo nuk është pjesëmarrja e saj e parë në ekspozitat në Zvicër dhe se në të ardhmen do të organizojë edhe shumë të tjera, si për publikun zviceran, ashtu edhe për artdashësit shqiptarë. /Albinfo.ch

Tragjedi në Itali: Një i ri hapi një gropë në plazh, rëra i ra sipër dhe e mbyti

Një rast i pazakontë ndodhi në plazhin në qytetin italian Montalto di Castro, kur një djalë 17-vjeçar vdiq, përcjell albinfo.ch.

Referuar informacioneve të mediave atje, djali nga Roma po hapte një gropë rreth një metër e gjysmë të thellë me vëllezërit e tij më të vegjël. Pasi vëllezërit u larguan, ai mbeti vetëm në gropë. Në një moment, rëra u shemb mbi të dhe e mbuloi plotësisht, shkruan Corriere della Sera.

Babai ishte nën një çadër, jo shumë larg fëmijëve, në kohën e aksidentit. Kur vuri re se djali i tij mungonte, filloi ta kërkonte. Të rinjtë treguan me gisht vendin ku vëllai i tyre ishte parë për herë të fundit dhe pushuesit e tjerë filluan menjëherë të gërmonin në rërë. Fatkeqësisht gjithçka ishte e kotë, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

Shërbimet e emergjencës mbërritën shpejt, por nuk pati asnjë shpëtim.

Sipas informacionit zyrtar të policisë, zjarrfikësit, policia dhe karabinierët mbërritën shpejt në vendin e aksidentit, si dhe u thirr edhe helikopteri i ambulancës dhe shpëtimit. Mjekët mundën vetëm të konstatonin vdekjen e të riut. Nuk dihet nëse kishte ndonjë roje bregdetare në kohën e aksidentit në atë plazh, i cili nuk është i organizuar dhe nuk ka mbikëqyrje zyrtare.

Karabinierët po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

Rita Ora performoi në finalen e ‘Wimbledon 2025’

Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora  u ngjit në skenë për një koncert falas dje më 11 korrik në Brooklyn Bridge Park, në kuadër të ngjarjes “The Hill in New York”, një organizim treditor që i’u kushtua transmetimit të finaleve të Wimbledonit.

Klubi i Tenisit “All England Lawn Tennis Club”, që organizon kampionatin prestigjioz të Wimbledonit, vendosi një ekran të madh televiziv në Brooklyn Bridge Park, për të transmetuar ndeshjet finale në një atmosferë që ngjason me një “kopsht anglez të Wimbledonit” me lule karakteristike, luleshtrydhe me krem, scone të sapopjekura, si dhe peshk me patate të skuqura, një klasik britanik.

Festimet zgjaten gjatë fundjavës, nga e premtja e deri të dielën më 13 korrik, ndërsa mbrëmja hapëse kulmojë me performancën e Rita Orës përpara rreth 5,000 pjesëmarrësve.

Presidentja Osmani flet për kërcënimet nga Serbia, Beogradi: Ajo akuzon rrejshëm

Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, “ka parandaluar së voni” një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë nga Serbia në Kosovë, Qeveria në detyrë e Kosovës nuk komenton, përcjell albinfo.ch. 

Pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, çfarë rreziku specifik për sigurinë ekzistonte dhe kur, nuk iu përgjigj as Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, thotë se presidentja Osmani po e akuzon rrejshëm Serbinë.

Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion, pasi në opinionin publik mungojnë detaje,  të tilla si periudha kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë.

Duke folur më 10 korrik në një ligjëratë në Uashington, presidentja Osmani tha se kjo deklaratë e presidentit Trump, qartazi, u referohet “javëve të fundit” dhe se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Jeta Loshaj, studiuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se ekziston një kërcënim real nga Serbia, sidomos në formën e operacioneve speciale dhe kërcënimeve hibride të sigurisë.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e fundit e presidentes Osmani në lidhje me sulmin e mundshëm nga Serbia, vetëm se konfirmon shqetësimet e hershme që kanë ekzistuar,  kryesisht brenda qarqeve të ekspertëve – bazuar në retorikën e zyrtarëve serbë, përfshirë edhe vetë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, për Loshajn është “e habitshme” që presidenti amerikan flet hapur për parandalimin e planeve të Serbisë për të sulmuar Kosovën,  veprim që në praktikë do të përkthehej sulm ndaj NATO-s  ndërkohë që aleanca ushtarake nuk ka dalë me asnjë reagim zyrtar.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se deklarata e presidentes së Kosovës se ka pasur një kërcënim sigurie nga Serbia në javët e fundit, është “joserioze”.

Ai beson se deklarata e Trumpit për këtë çështje i referohej Marrëveshjes së Uashingtonit midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e arritur në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Ai e akuzoi pasardhësin e tij të atëhershëm, ish-presidentin Joe Biden, se “ka dëmtuar perspektivën afatgjate me disa vendime shumë të pakuptimta”, por se ai “do ta rregullojë sërish”.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po luftonin ashpër, siç kishin bërë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë kërcënonte të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova atë”, shkroi Trump.

Pastaj, në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, tha Trump.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti se e kishte ndaluar luftën në rajon, duke kërcënuar se do ta pezullonte tregtinë.

“Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”, tha Trump.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, sidomos në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës kulmoi në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe vrau një rreshter policie.

Kosova e përshkroi sulmin si terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohoi.

Osmani e përmendi këtë sulm në Uashington, duke thënë se ngjarjet e tilla konfirmojnë se ekziston një rrezik real për incidente të ngjashme në të ardhmen, prandaj, tha ajo, është e rëndësishme që të ketë jo vetëm frenim ushtarak, por edhe politik të Serbisë nga planet e tilla.

Janjiq: Forcat serbe të sigurisë nuk merren me Kosovën prej muajsh

Janjiq thotë se publiku nuk është në dijeni të një tentative të re sulmi, të organizuar ndaj Kosovës, dhe se presidenti i SHBA-së, Trump, nuk kishte asgjë për të parandaluar.

“Qartazi, Vjosa Osmani nuk ndjek me vëmendje atë që po ndodh në Serbi. Këtu, me muaj, ushtria, forcat paraushtarake dhe madje edhe policia merren me gjëra të tjera, e jo me Kosovën. Kështu që kjo është një politikë joserioze, një përpjekje për t’i bërë përshtypje Trumpit dhe ambicies së tij për Çmimin Nobel për Paqe, por kjo nuk përputhet me faktet”, thotë Janjiq.

Qysh në nëntor të vitit të kaluar, në Serbi janë duke u organizuar protesta, që kërkojnë llogari për shembjen e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku mbetën të vrarë 16 persona.

Në fillim të korrikut, në rrjetet sociale u shfaqën disa fotografi me përshkrimin se anëtarët e grupit të armatosur nga Banjska, gjenden pranë Presidencës së Serbisë për të mbrojtur një grup studentësh që i kundërshton protestat, e që mbështeten edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar për kryerjen e sulmit në Banjskë.

Reagimet nga Beogradi

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Presidenca e Serbisë të komentonte deklaratat e presidentes së Kosovës, në lidhje me planet e Beogradit për të sulmuar Kosovën gjatë disa javëve të fundit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha përmes një deklarate se Osmanit “i janë errësuar sytë”, për shkak të krizës së brendshme politike dhe pamundësisë për të formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit.

Sipas tij, Osmani e akuzoi rrejshëm Beogradin për “planet e veta të dhunshme” dhe politikanët nga Prishtina “gënjejnë hapur”.

“Ne po e ruajmë paqen e brishtë në veri të Kosovës dhe Metohisë vetëm falë politikës së mençur dhe të matur të presidentit Vuçiq dhe përgjegjësisë së treguar nga populli serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në deklaratën e tij. REL 

DW: Zvicra në çerekfinale, Riola Xhemaili vendimtare në suksesin historik

DW EURO 2025: Riola Xhemaili e çon Zvicrën në eufori falë golit në minutat e fundit
Zvicra është për herë të parë në çerekfinalen e Kampionatit Evropian të Femrave. Lojtarja me origjinë nga Kosova përballet shpesh me armiqësi në rrjetet sociale.

“Ende nuk mund ta kuptoj plotësisht se si ndodhi. Pulsin e kisha ndoshta 200”, tha Riola Xhemaili pas fishkëllimës për përfundimin e ndeshjes. “Është një ëndërr.” Me golin e saj që e bëri në kohën shtesë 1-1 rezultatin në ndeshjen kundër Finlandës, lojtarja zvicerane me origjinë kosovare parandaloi eliminimin e Zvicrës në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian EURO 2025. Tani skuadra zvicerane e futbollit të femrave është për herë të parë mes tetë skuadrave më të mira në një Kampionat Evropian. Në çerekfinale ajo do të përballet me Spanjën ose Italinë. “Ky është moment historik”, tha trajnerja e kombëtares së Zvicrës, suedezja Pia Sundhage.

“Që kur po bëja nxehjen po mendoja: Pia, më fut në fushë, ndihem mirë”, tha Xhemaili. “E dija që do ta shënoja atë gol.” Trajnerja Sundhage e zëvendësoi 22-vjeçaren në minutën e 82-të. Në atë moment zviceranet ishin në disavantazh 1-0 kundër Finlandës. Humbja do të thoshte eliminim nga Kampionati Evropian. Dhjetë minuta pasi hyri në fushë, Xhemaili jo vetëm që i çoi në eufori 26.388 spektatorët në stadiumin e Gjenevës, por edhe të gjithë Zvicrën. Pas një krosimi të mprehtë të Géraldine Reuteler, ajo ishte në vendin e duhur dhe shënoi gol në portën finlandeze nga një distancë prej katër metrash.

Riola Xhemaili ka lindur në Solothurn në vitin 2003. Si shumë shqiptarë të Kosovës edhe prindërit e saj kishin emigruar në Zvicër. Shumë lojtarë kyç në ekipin kombëtar zviceran të meshkujve kanë gjithashtu rrënjë kosovare, ndër ta edhe yjet e Bundesligës Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

“Karriera ime filloi në volejboll dhe ishte rastësi që futbolli më hyri në zemër”, thotë Xhemaili. “Kjo ndodhi kur po shikoja vëllain tim binjak, Rion Xhemaili. E pashë kur luante me teknikën e tij të mirë dhe shpirtin e tij luftarak.”

Në fillim binjakët stërviteshin së bashku në një ekip fëmijësh të Solothurnit. Pastaj shtigjet e tyre të futbollit u ndanë. Vëllai Rion tani luan për ekipin e të rinjve të klubit zviceran të kategorisë së parë FC Winterthur.

Komente plot urrejtje në rrjetet sociale
Në vitin 2020 Riola Xhemaili debutoi për ekipin kombëtar të Zvicrës. Meqenëse ajo vendosi të luajë për Zvicrën, ku ishte lindur, në vend të ekipit të Kosovës, futbollistja ende sulmohet shpesh në rrjetet sociale.

Ajo kërcënohet rregullisht dhe familja e saj fyhet, shkroi Xhemaili në Instagram në gusht të vitit 2024. “Unë luaj për Zvicrën për të treguar se jam mirënjohëse që jam rritur në një vend kaq të mrekullueshëm.” Më tej ajo sqaron: “Rrënjët e mia janë nga Kosova. Kjo do të mbetet gjithmonë kështu dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Ne të gjithë duhet të ndajmë të njëjtat vlera dhe të mos përhapim urrejtje të panevojshme.”

Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/sq/euro-2025-riola-xhemaili-e-%C3%A7on-zvicr%C3%ABn-n%C3%AB-eufori/a-73248532

Bizneset zvicerane mbështesin marrëveshjen me BE-në

Organizata zvicerane e biznesit Economiesuisse dhe Shoqata e Punëdhënësve Zviceranë kanë shprehur mbështetje të qartë për paketën e re të marrëveshjeve të negociuara me Bashkimin Evropian, duke kërkuar një zbatim sa më të thjeshtë dhe miqësor ndaj bizneseve në ligjin zviceran, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten në Cyrih, përfaqësuesit e dy shoqatave vlerësuan pozitivisht përmbajtjen e traktatit të ri me BE-në, duke theksuar rëndësinë e tij për marrëdhëniet ekonomike dhe politike të Zvicrës me Evropën. “Qasja praktike dhe pa ngarkesa të panevojshme administrative është thelbësore për ruajtjen e konkurrueshmërisë së Zvicrës”, theksuan ata.

Megjithatë, komuniteti i biznesit kërkoi që marrëveshjet të implementohen në mënyrë të kujdesshme dhe të përshtatshme për realitetin ekonomik të vendit. Ata shprehën shqetësime për propozimet e qeverisë zvicerane në lidhje me përforcimin e mbrojtjes kundër pushimit nga puna për disa kategori punonjësish, duke i cilësuar këto masa si të tepërta dhe të papërshtatshme për një treg pune që karakterizohet nga fleksibiliteti.

Sipas propozimeve aktuale të qeverisë, mbrojtje shtesë nga pushimi nga puna do të aplikohej për përfaqësues të zgjedhur të punonjësve, anëtarë të bordeve të fondeve pensionale dhe të trupave kombëtare të industrisë që veprojnë nën marrëveshje kolektive pune me fuqi të përgjithshme. Shoqatat kundërshtojnë këtë qasje, duke theksuar se ajo mund të kufizojë ndjeshëm lirinë kontraktuale dhe të ndikojë negativisht në klimën e punësimit, transmeton albinfo.ch.

Paralajmërim në Schwyz: Email-e mashtruese në emër të prokurorit publik

Autoritetet në kantonin e Schwyz-it kanë lëshuar një paralajmërim për qytetarët, pas një vale email-esh mashtruese që po qarkullojnë aktualisht. Kriminelë kibernetikë po paraqiten si përfaqësues të zyrës së prokurorit publik dhe pretendojnë se marrësit janë të përfshirë në procedura penale, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Qëllimi i tyre është i qartë. Të marrin para ose të futen në kompjuterët e viktimave.

Mashtruesit kërkojnë që viktimat të bëjnë transferta parash në llogari të dyshimta ose i nxisin të instalojnë programe për mirëmbajtje në distancë, duke përdorur pretekste të rreme. Këto programe u japin kriminelëve qasje të plotë në pajisjet e viktimave, çka mund të çojë në vjedhje të dhënash, fshirje dokumentesh apo edhe bllokim të kompjuterit për qëllime zhvatjeje.

Çfarë duhet të dini:

  • Zyra e prokurorit nuk kërkon kurrë para përmes email-it.

  • Nuk do të kërkojë kurrë qasje në kompjuterin tuaj.

  • Njoftimet zyrtare dërgohen gjithmonë me postë të regjistruar ose dorëzohen drejtpërdrejt nga policia.

Çfarë të bëni nëse merrni një email të tillë:

  • Mos u përgjigjni.

  • Mos klikoni në lidhje dhe mos hapni bashkëngjitje.

  • Mos jepni të dhëna personale ose bankare.

  • Fshini email-in menjëherë.

  • Nëse keni dyshime, kontaktoni stacionin më të afërt të policisë dhe raportoni rastin.

Autoritetet kujtojnë qytetarët të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e këtyre skemave gjithnjë e më të sofistikuara që shfrytëzojnë frikën dhe mungesën e informacionit për të përfituar në mënyrë të paligjshme, transmeton albinfo.ch.

Berna hap konkurs për memorialin e parë për viktimat e Holokaustit në Zvicër

Qyteti i Bernës do të bëhet vendi i parë në Zvicër që do të ndërtojë një memorial zyrtar për viktimat e epokës së Nacional-Socializmit. Memoriali do të ngrihet në Tarracën e Kazinosë, pranë Pallatit Federal, dhe është projekt i mbështetur nga Këshilli Federal, i cili në pranverë të vitit 2023 ndau 2.5 milionë franga zvicerane për realizimin e tij, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Thirrja për propozime për dizajnin e memorialit u hap së fundmi në platformën zyrtare të prokurimit Simap.ch dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor. Qëllimi është që projekti të përkujtojë viktimat e nazizmit, të nxisë angazhimin me historinë zvicerane të asaj periudhe dhe të reflektojë mbi përgjegjësinë historike për të sotmen. Në thirrje kërkohet një dizajn bashkëkohor që të krijojë një hapësirë intelektuale dhe emocionale për vizitorët.

Nisma për ndërtimin e këtij memoriali nisi në vitin 2021 me dy mocione identike të paraqitura nga anëtari i Këshillit të Shteteve, Daniel Jositsch (PS), dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Alfred Heer (SVP). Në fokus qëndron ruajtja e kujtesës për katastrofën e shkaktuar nga Nacional-Socializmi, për shkak të zvogëlimit të numrit të dëshmitarëve bashkëkohorë.

Konkursi i hapur i fton artistë, arkitektë, ekspertë të arkitekturës së peizazhit dhe të historisë që të krijojnë projekte konkrete. Memoriali synon të jetë një vend i gjallë kujtese, që promovon dialogun, guximin civil, solidaritetin, të drejtat e njeriut dhe demokracinë, transmeton albinfo.ch.

Që nga viti 2019, nisma është mbështetur edhe nga Organizata e Zviceranëve Jashtë Vendit, e cila ka kontribuar në krijimin e konceptit që përfshin jo vetëm memorialin, por edhe një qendër edukimi dhe rrjetëzimi. Pritet që memoriali të përfundojë në vitet 2027-2028, ndërsa për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tij do të krijohet një shoqatë mbështetëse.

Në një fazë të mëvonshme, një qendër informimi për këtë temë do të krijohet edhe në Luginën e Rhine-it në St. Gallen, duke u përqendruar veçanërisht në historitë lokale të arratisjeve gjatë periudhës naziste.

Një rrjet kombëtar i vendeve të përkujtimit po formohet që nga fillimi i vitit 2025, me mbështetje nga Zyra Federale e Kulturës, Kantoni i St. Gallen, Federata Zvicerane e Komuniteteve Hebraike, Universiteti i Bazelit, ETH Zurich dhe Qyteti i Bernës, transmeton albinfo.ch.

Azilkërkues me probleme mendore, dëbimet që tronditin Zvicrën

Në Zvicër po ndodhin raste shqetësuese ku azilkërkues me probleme të rënda të shëndetit mendor, përfshirë edhe persona me tendenca vetëvrasëse, trajtohen në spitale, por më pas merren nga policia për t’u dëbuar. Ndërkohë që nuk ka shifra të sakta, ekspertët raportojnë disa raste të tilla në vit, veçanërisht në kantonet gjermanishtfolëse, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Shumë prej këtyre personave dërgohen në vende të tjera të Bashkimit Evropian ku më parë kanë aplikuar për azil ose janë futur në BE. Organizatat që punojnë me azilkërkuesit kritikojnë ashpër këtë praktikë, duke theksuar mungesën e kujdesit mjekësor dhe shkeljen e marrëdhënies së besimit midis pacientëve dhe stafit spitalor. Ata paralajmërojnë se ndërhyrjet policore në spital mund të shkaktojnë frikë dhe shqetësim për pacientët e tjerë.

Një rast konkret që ka tronditur është ai i një nëne afgane, e cila ka dy fëmijë dhe një gjyshe. Familja arriti në Zvicër në vitin 2022, por për shkak të problemeve të shëndetit mendor, gjyshja dhe më pas nëna u shtruan në spitale psikiatrike. Pas një tentative vetëvrasjeje, nëna u trajtua në një njësi trajtimi psikiatrik në Bernë. Në mars 2023, ajo u mor nga policia në mes të natës dhe u dërgua në Aeroportin e Cyrihut për t’u dëbuar, ndërsa fëmijët dhe gjyshja prisnin fluturimin.

Jürg Schneider, vullnetar për azilkërkuesit në Bernë, e përshkroi këtë ngjarje si një tronditje. Avokatja Elena Liechti dhe psikiatri Patrick Weihs kritikojnë mungesën e vlerësimit të saktë të situatës dhe konsiderojnë se këto veprime janë të papërshtatshme, duke theksuar se pacientët nuk po simulojnë simptomat, por janë në një gjendje të rëndë psikologjike, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet në kantonin e Bernës deklarojnë se situata shëndetësore e azilkërkuesve vlerësohet me kujdes dhe se veprimet bëhen në konsultim me spitalet. Megjithatë, për shkak të afateve të ngushta ligjore për rastet e Dublinit, ato janë nën presion për të kryer dëbime brenda gjashtë muajsh. Klinikat psikiatrike, për arsye konfidencialiteti, nuk komentojnë, por theksojnë se bashkëpunimi me autoritetet është në përputhje me ligjin.

Rasti i familjes afgane ka sjellë edhe pasojë konkrete. Gjykata Administrative e Bernës ka urdhëruar kantonin të rishikojë proporcionalitetin e dëbimit. Aktualisht familja është ende në Evropë, me dy gratë të stabilizuara shëndetësisht, por me një të ardhme ende të paqartë, transmeton albinfo.ch.

 

Deutsche Bahn përballet me rënie të ndjeshme të saktësisë së trenave

Saktësia e trenave të distancave të gjata të Deutsche Bahn (DB) pësoi një rënie të konsiderueshme në qershor, me rreth 43 për qind të trenave që mbërritën me vonesë në destinacionet e tyre. Ky është një ulje krahasuar me muajt e mëparshëm, pasi në maj saktësia ishte 62 për qind, ndërsa në mars 65.6 për qind, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Deutsche Bahn i konsideron trenat si të vonuar vetëm në rast se arrijnë të paktën gjashtë minuta pas orarit zyrtar, prandaj numri i trenave që nuk ishin plotësisht në kohë mund të jetë edhe më i madh. Ndërkohë, trenat rajonalë kanë performuar më mirë, duke arritur një saktësi prej 88.9 për qind në qershor, vetëm pak më ulët se në maj.

Sipas kompanisë, vonesat në rrjetin e distancave të gjata janë shkaktuar nga probleme teknike, punimet e paplanifikuara dhe moti i ashpër që ndikoi në infrastrukturën hekurudhore. CEO i Deutsche Bahn, Richard Lutz, ka pranuar se sfidat vazhdojnë dhe se infrastruktura e dëmtuar bashkë me volumet e larta të punimeve në terren do të vazhdojnë të shkaktojnë vonesa.

DB ka vendosur një objektiv vjetor saktësie prej 65 deri në 70 për qind për vitin 2025, megjithatë drejtuesi i kompanisë paralajmëron se arritja e këtij qëllimi do të jetë “një luftë e përditshme”. Projekti i rinovimit të infrastrukturës pritet të përfundojë në vitin 2035, duke sugjeruar se vonesat dhe ndërprerjet do të jenë pjesë e përditshme edhe në vitet e ardhshme.

Pasagjerët që përballen me vonesa prej 60 minutash ose më shumë kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim prej 25 për qind të çmimit të biletës, ndërsa për vonesa mbi 120 minuta rimbursimi arrin në 50 për qind. Kërkesat mund të dorëzohen në faqen zyrtare të DB, në aplikacion ose në pikat e shitjes së biletave.

Ndërkohë, këtë fundjavë disa ndërprerje priten për shkak të punimeve në Stacionin Qendror të Këlnit dhe në linjat rajonale të Frankfurtit dhe Gjermanisë veriore, ku disa shërbime do të zëvendësohen me autobusë, transmeton albinfo.ch.

Si festuan personazhet e famshëm zviceranë pas suksesit të kombëtares së femrave?

Tifozët në stadiumin e Gjenevës dhe në të gjithë Zvicrën përjetuan një mbrëmje plot emocione të enjten, kur kombëtarja e grave arriti të sigurojë kualifikimin për çerekfinalet e Kampionatit Evropian pas një ndeshjeje të vështirë dhe një fundi dramatik. Goli në minutën e 92-të shkaktoi shpërthim festimesh në të gjithë vendin dhe ngjalli reagime të shumta nga figura të njohura të sportit, politikës dhe kulturës, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Adolf Ogi: “Ishte si një thriller”

Ish-këshilltari federal dhe dikur ministër i sportit, Adolf Ogi, përshkroi emocionet e përjetuara në fund të ndeshjes si një thriller të vërtetë. “Pas penalltisë mendova se gjithçka mbaroi. Por si ish-ministër i sportit duhet të besosh deri në fund. Dhe kur erdhi minuta e 92-të, ishte thjesht e pabesueshme.”

Mona Vetsch: “Njohja e afërt më bëri ta jetoj ndryshe”

Gazetarja dhe prezantuesja e SRF, Mona Vetsch, ka ndjekur kombëtaren për një vit përmes emisionit “Mona mitendrin” dhe e njeh ekipin nga afër. “Kur i njeh nga brenda, nuk e sheh ndeshjen vetëm si spektator, por e përjeton edhe më intensivisht. Kjo fitore është rezultat i shumë përpjekjesh dhe karakteri.”

Ivan Rakitić: “Një fitore që përçon frymëzim”

Ish-futbollisti i mirënjohur, Ivan Rakitić, përgëzoi ekipin dhe e vlerësoi ndeshjen si një moment kyç për zhvillimin e futbollit të femrave. “Vajzat e mia e duan futbollin dhe janë të frymëzuara. Jam i bindur se kjo fitore ka një ndikim të madh në perceptimin e futbollit të femrave në mbarë botën.”

Martin Pfister: “Emocione në një ekran të vogël”

Ministri i Sportit, Martin Pfister, e ndoqi ndeshjen përmes telefonit dhe u emocionua deri në sekondat e fundit. “Nuk e kam përjetuar kurrë një ndeshje në këtë mënyrë. Tani dua të ofroj një mbështetje të veçantë për këto lojtare që po shkruajnë histori.”

Bänz Friedli: “Mrekullitë ndodhin, unë kam bileta për gjysmëfinalen!”

Artisti dhe komediani Bänz Friedli, i njohur për dashurinë ndaj sportit, e përjetoi ndeshjen me entuziazëm dhe optimizëm. “Kam bileta për gjysmëfinalen, por kurrë nuk mendoja se Zvicra do të ishte aty. Tani besoj se gjithçka është e mundur. Kjo skuadër po mëson të përballojë presionin dhe ka mbështetjen e plotë të tifozëve. Gruaja e dymbëdhjetë është me to.”

Pas këtij suksesi emocional, Zvicra do të përballet me kombëtaren e fuqishme të Spanjës në çerekfinale, transmeton albinfo.ch.

Projekti i ambasadës së re zvicerane në Pekin dështon, 4 milionë franga të shpenzuara pa rezultat

Plani ambicioz për ndërtimin e një ambasade të re zvicerane në Pekin është braktisur në heshtje, pasi autoritetet kineze refuzuan të japin lejen e ndërtimit. Sipas një hetimi të SRF Investigativ, projekti u bllokua për shkak të mosrespektimit të standardeve të sigurisë dhe distancave ligjore, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Planet arkitekturore për ambasadën e re përfshinin beton të ekspozuar dhe fasada xhami, një ndërtesë përfaqësuese që duhej të përfaqësonte Zvicrën në një nga vendet më të rëndësishme partnere të saj. Megjithatë, ndërtimi nuk do të ndodhë. Autoritetet kineze nuk dhanë leje ndërtimi, ndërsa sipas burimeve të SRF, pala zvicerane kishte shpresuar se leja do të sigurohej “përmes derës së pasme”, një qasje që nuk funksionon më në Kinën e sotme.

Kostoja e fazës së planifikimit arriti në katër milionë franga. Kjo shumë u përdor për konkursin arkitekturor dhe dokumentacionin përgatitor. Megjithatë, siç zbulojnë dokumente të brendshme të siguruara përmes Aktit të Transparencës, projekti është braktisur. Zyrtarisht, ai figuron si i “shtyrë”, por në praktikë nuk do të realizohet në këtë formë.

FDFA (Departamenti Federal i Punëve të Jashtme) mbrohet duke thënë se “jo i gjithë investimi është i humbur”, pasi përgatitjet mund të shfrytëzohen për një projekt të ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Nevoja për një zgjidhje të re mbetet. Ambasada aktuale ka teknologji të vjetruar, mungesë sigurie ndaj tërmeteve dhe hapësira të pamjaftueshme për personelin që është në rritje. FDFA kishte parashikuar të rrisë kapacitetin në 132 vende pune, rreth 30 për qind më shumë se aktualisht.

Por një takim strategjik në mars 2025 e vuri në pikëpyetje edhe këtë. Zyrtarët nuk dinin saktësisht sa vende pune nevojiteshin. Tani, ideja është të zgjatet jeta e ndërtesës ekzistuese përmes mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve për të ulur rrezikun sizmik.

Kostoja e projektit ishte rritur nga 25 në 48 milionë franga, çka kishte sjellë edhe kritika nga Zyra Federale e Auditimit. Tani, në vend të një ndërtese të re moderne, Zvicra do të përpiqet të mbajë në funksion godinën ekzistuese edhe për 10 deri në 15 vjet, transmeton albinfo.ch.