Gaza: Franca hedh ndihma nga ajri

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot ka njoftuar se 40 ton ndihma humanitare u hodhën sot për të ndihmuar banorët e Gazës, të cilët po përballen me uri të madhe, teksa bëri thirrje që ky vend “të përmbytet me ujë, ushqim dhe ilaçe”.

“Nuk ka mbetur asnjë minutë për të humbur”, tha ai për Franceinfo, transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se jo ndihmë ishte “e pamjaftueshme” për të përmbushur nevojat e popullsisë, ndërsa përmendi katër fluturime që transportonin nga 10 ton ushqim secili.

Fluturimet e para nga ajri që shpërndanë ndihma të tilla u kryen nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Milorad Dodik dënohet me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim politik

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, është dënuar sot me vendim të formës së prerë, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim politik, për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë.

Gjykata sot konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë të datës 26 shkurt, me të cilin Dodik u dënua me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione politike teksa ky vendim është i pakontestueshëm, transmeton albinfo.ch.

Vendimi ndaj tij lidhet me dekretin e nënshkruar nga Dodik për shpalljen e disa ligjeve të cilat më parë ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt. Me këto ligje, autoritetet e Republikës Sërpska tentuan të bllokonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Përfaqësuesit të Lartë në këtë entitet, shkruan klix.ba.

I pandehuri tjetër në këtë çështje, Millosh Llukiq, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, u shpall i pafajshëm në shkallën e parë.

39 të vdekur dhe qindra të plagosur në ritualin e synetisë në Afrikën e Jugut

Ceremonia është e përgjakshme, e tmerrshme dhe shpesh fatale. 39 të rinj vdiqën këtë verë gjatë ritualit brutal të rrethprerjes Ulwaluko të popullit Xhosa të Afrikës së Jugut. Qindra u plagosën.

Në ritualin e fundit, 11 viktima mund të shpëtoheshin vetëm me anë të amputimit të penisit.

Kushdo që refuzon bëhet i huaj

Ulwaluko shënon kalimin nga fëmijëria në moshën madhore për fiset. Ata që nuk arrijnë ta përfundojnë atë bëhen të huaj, të ndaluar të marrin pjesë në takime fisnore ose martesë. Ceremonia tre-javore kryhet dy herë në vit në kasolle të largëta, të ndërtuara posaçërisht, të quajtura shkolla iniciative.

Bandat kriminale dhe profesionistët mjekësorë të patrajnuar

Ceremonia kulmon me një rrethprerje masive. Megjithatë, sipas qeverisë së Afrikës së Jugut, bandat kriminale drejtojnë qindra shkolla inicimi të paligjshme me personel nga profesionistë mjekësorë të patrajnuar, raporton Daily Mail, transmeton albinfo.ch

Ata e kanë shndërruar traditën në një biznes, duke rrëmbyer adoleshentë që zakonisht janë shumë të vegjël, duke i rrethprerë ata dhe më pas duke i detyruar prindërit të paguajnë për kthimin e fëmijëve të tyre.

Megjithatë, kirurgët amatorë do t’i rrethpritnin djemtë duke përdorur maja shtizash të mprehta, tehe të vjetra brisku ose thika të ndyra. Tehet e përgjakshme përdoren pa dezinfektim për disa rrethpritje radhazi.

Gangrenë, sepsë dhe dehidratim

Pothuajse çdo i ri vuan nga infeksione më pas; shumë sëmuren rëndë, shpesh duke kaluar javë të tëra në shtrat. Shumë nuk shërohen kurrë. Këtë verë, 39 të rinj vdiqën; në Ulwaluku-n e mëparshëm, numri u raportua të ishte deri në 93. Shkaqet më të zakonshme të vdekjes janë gangrena, sepsë dhe dehidratim. Në Afrikën e Jugut, ka gjithashtu raportime për të rinj të vrarë për shkak se refuzojnë të marrin pjesë në ritual.

Disa vjet më parë, qeveria filloi të mbyllte shkollat ilegale dhe të arrestonte operatorët e tyre. Qëllimi ishte të sigurohej që ceremonia të mos merrte më jetë deri në vitin 2025. Por me sa duket kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Vazhdojnë pritjet e gjata në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, në përditësimin e fundit të të dhënave ka njoftuar se po vazhdojnë pritjet e gjata në disa prej pikave kufitare për të hyrë në Kosovë.

Pritjet më të gjata janë te Dheu i Bardhë, 70 minuta në hyrje të Kosovës dhe dy orë në dalje, transmeton albinfo.ch.

Deri në një orë shkojnë pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikës në Jarinje dhe 30 minuta në dalje, ndërsa 20 minuta në hyrje të Kosovës përmes pikës në Muçibabë dhe 40 në dalje.

Çfarë duhet të dini lidhur me paketën e re të marrëveshjeve dypalëshe midis Zvicrës dhe BE-së?

Një pyetje e ndjeshme lind në lidhje me paketën e re të marrëveshjeve dypalëshe të lidhura midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian në dhjetor, me fjalë të tjera, a do të duhet Berna të miratojë të gjitha rregullat evropiane?

Dhe, a janë këto traktate të pajtueshme me demokracinë e drejtpërdrejtë zvicerane?

Këto pyetje shqetësojnë zyrtarët e zgjedhur nga disa parti, por ekspertët sigurojnë se “miratimi i ligjit evropian nuk do të jetë ‘pativ’; përkundrazi, Zvicra do të thotë fjalën e saj”.

Për shembull, për Liberalët e Gjelbër, ky mekanizëm  i quajtur “formësimi i vendimeve”  është thelbësor.

“Kur BE dëshiron të ndryshojë një ligj që ka të bëjë edhe me Zvicrën, Zvicra do të marrë pjesë në zhvillimin e tij”, tha deputetja Céline Weber. “Në këtë kuptim, ne do të ruajmë sovranitetin tonë”.

Një tjetër akt sabotazhi në hekurudhat gjermane, trafik i paralizuar në linjën veri-jug

Një tjetër incident i rëndë ka goditur hekurudhat gjermane, ku sot është raportuar për një sulm të ri në një nga linjat më të rëndësishme të Deutsche Bahn. Policia gjermane ka konfirmuar se një zjarr është vënë qëllimisht në linjën hekurudhore veri-jug në rajonin e Dyseldorfit, përcjell albinfo.ch.

Ky sulm i fundit ngjan me atë të së enjtes së kaluar, ku dëmet e shkaktuara në linjën ndërmjet Duisburgut dhe Dyseldorfit paralizuan ndjeshëm trafikun hekurudhor në atë segment.

Aktualisht, qarkullimi në zonë mbetet i ndërprerë, ndërsa mijëra pasagjerë janë prekur nga ndërprerjet dhe vonesat e shumta të trenave.

Një grup ende i paidentifikuar ka marrë përgjegjësinë për këto akte sabotazhi, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë në infrastrukturën hekurudhore gjermane.

Zvicër: Rrëshqitje shkëmbinjsh në autostradë, dy makina të shkatërruara

Të premten, një rrëshqitje shkëmbinjsh ndodhi në autostradën A3 pranë Filzbach në kantonin e Glarus. Katër makina u goditën nga fragmente shkëmbinjsh, transmeton albinfo.ch.

Nuk pati të lënduar, por infrastruktura rrugore u dëmtua.

Rreth orës 8 të mëngjesit, një shkëmb i madh u shkëput nga shpati jugor në zonën midis tuneleve Weisswand dhe Ofenegg.

Copëzat e gurëve goditën katër makina që po udhëtonin në autostradën A3 drejt Cyrihut.

Zvicra e tronditur pas rritjes së tarifave të SHBA-së në 39%

Zvicra mori një goditje të fortë të premten, ditë pushimi kombëtare, pasi Presidenti Trump vendosi një tarifë prej 39 përqind për mallrat e importuara nga kjo vend alpin, një nga normat më të larta për ndonjë shtet tjetër, përcjell albinfo.ch.

Karin Keller-Sutter, presidentja zvicerane, tha se kishte biseduar me zotin Trump të enjten, por “nuk u arrit asnjë marrëveshje.”

Zviceranët ishin tashmë të indinjuar nga kërcënimi fillestar i zotit Trump, në prill, për të vendosur një tarifë prej 31 përqind mbi mallrat e tyre. Kur Shtëpia e Bardhë njoftoi normat e rishikuara të enjten vonë, zviceranët mbetën të habitur kur panë që tarifa tashmë e lartë u rrit më tej. Shumë tarifa të tjera mbetën të pandryshuara ose u ulën disi në rishikimet e zotit Trump.

Tani, produktet zvicerane të importuara në Shtetet e Bashkuara, përfshirë produktet farmaceutike, instrumentet precize dhe edhe kapsulat e kafesë, do të përballen me një tarifë prej 39 përqind nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje tregtare deri më 7 gusht.

Stefan Legge, kreu i politikave tatimore dhe tregtare në Institutin Zviceran për Ligjin dhe Ekonominë, tha se një marrëveshje mund të ndodhë në çdo moment, duke pasur parasysh historikun e njoftimeve surprizë të zotit Trump. “Por gjëja më shqetësuese është kjo situatë e pasigurisë që vazhdon,” shtoi ai.

Shoqatat e biznesit në Zvicër kërkuan negociata urgjente dhe paralajmëruan se pa një marrëveshje tregtare, mallrat zvicerane në Amerikë do të bëheshin ndjeshëm më të shtrenjta se ato të importuara nga Bashkimi Europian, i cili ka negociuar një tarifë prej 15 përqind, ose Britania e Madhe me një tarifë prej 10 përqind.

Aksionet e “Watches of Switzerland”, një shitës i orëve luksoze i listuar në Londër dhe një eksportues kryesor zviceran, ranë me mbi 6 përqind, duke arritur nivelin më të ulët në vite.

Zonja Keller-Sutter tha se për zotin Trump, deficiti tregtar i SHBA-së me Zvicrën ishte “një çështje kyçe” pas vendosjes së tarifës. Por më shumë se gjysma e deficitit tregtar të Zvicrës me SHBA-në vjen nga bullion dhe shufra ari të rafinuara në minierat zvicerane dhe të eksportuara në sasi të mëdha në Amerikë. Banka Qendrore Zvicerane ka sugjeruar që ari të mos llogaritet në bilancin tregtar. Importet e arit janë të përjashtuara nga tarifat e zotit Trump.

Duke përjashtuar arin, produktet farmaceutike janë eksporti më i madh i Zvicrës drejt SHBA-së. Industria farmaceutike, përfshirë gjigandët zviceranë Roche dhe Novartis, është në ankth pasi administrata Trump dërgoi të enjten letra të gjitha firmave kryesore farmaceutike duke kërkuar që të ofrojnë çmime më të ulëta për konsumatorët amerikanë.

Oda Amerikane mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifave doganore për produktet amerikane

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur endimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Në reagimin e OEAK-së thuhet se ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës.

Vendimi është edhe përgjigje në thirrjen e Odës Ekonomike Amerikane të para disa muajve, e cila rekomandonte një vendim të njëanshëm preferencial tregtar, për të nxitur tregtinë dypalëshe si dhe për ta pozicionuar Kosovën në mënyrë të favorshme për një Marrëveshje të ardhshme të Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara.

Duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese. Në të njëjtën kohë, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve”, thuhet në reagim.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përgëzon Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi duke shprehur gatishmërinë për promovimin e mundësive të shkëmbimit më të madh tregtar në të ardhmen.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe ata në Shtetet e Bashkuara”, thuhet tutje.

Presidentja Osmani: Kosova është partner i besueshëm i SHBA-ve

Qeveria e Kosovës ka marr sot vendim për heqjen e tarifave për të gjitha mallrat amerikane.

Pas këtij vendimi, ka reaguar sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane e kishte propozuar muaj më parë, përcjell albinfo.ch.

Osmani theksoi se Kosova është partner i besueshëm i SHBA-së.

“Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin amerikan dhe dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, shkruan ajo.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani para disa muajve kishte propozuar heqjen e tarifave doganore për produktet e SHBA-së.

Kapet me katër orë luksoze në Aeroportin e Prishtinës

Një udhëtar që kishte udhëtuar nga Londra drejt Prishtinës është kapur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” me katër orë dore luksoze, të cilat nuk ishin deklaruar në kufi, siç kërkohet nga ligji. Vlera totale e orëve të sekuestruara kap shifrën prej mbi 45 mijë eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kosovës, ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 10:30, në pikëkalimin kufitar të aeroportit, gjatë kontrollit të pasagjerëve që kishin mbërritur me fluturim nga Londra. Udhëtari në fjalë kishte zgjedhur të kalonte nëpërmjet kanalit të gjelbër, i cili është i destinuar për personat që nuk kanë mallra për të deklaruar.

Megjithatë, pas analizës së rrezikut dhe kontrollit përmes skanerëve, doganierët zbuluan në bagazhin e tij katër orë dore me vlerë të konsiderueshme. Mallrat janë konfiskuar menjëherë, ndërsa ndaj udhëtarit është nisur procedura kundërvajtëse.

Dogana ka rikujtuar se të gjithë udhëtarët janë të obliguar të deklarojnë mallrat e vlefshme gjatë kalimit kufitar. Mosdeklarimi i tyre konsiderohet shkelje ligjore dhe mund të çojë në gjobitje, konfiskim të mallrave dhe masa të tjera ndëshkuese.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në të gjitha proceset kufitare”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar.

Ledia Xhoga në garë për “Booker Prize”, e dyta shqiptare pas Ismail Kadaresë

Shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga ka hyrë në mesin e emrave më premtues të letërsisë botërore, duke u përfshirë në listën e gjatë të pretendentëve për çmimin prestigjioz Booker Prize 2025 me romanin e saj debutues “Misinterpretation”, transmeton albinfo.ch.

Ky sukses shënon një moment historik për letërsinë shqipe, pasi Xhoga bëhet vetëm autorja e dytë shqiptare që arrin një nominim të tillë, pas kolosit Ismail Kadare, fitues i këtij çmimi në vitin 2005.

Romani “Misinterpretation”, i botuar në vitin 2024, ka bërë jehonë të madhe që nga publikimi, duke marrë vlerësime të shumta nga kritika letrare në SHBA dhe më gjerë. Veprës iu dha Çmimi i Librit të Qytetit të Nju Jorkut për autorë debutues dhe ishte gjithashtu finaliste për Çmimin për Novelën e Parë të Qendrës për Fiksion, një ndër institucionet më prestigjioze amerikane të letërsisë bashkëkohore.

Për më tepër, platforma letrare Debutiful, e njohur për promovimin e autorëve të rinj, e shpalli “ Misinterpretation” si librin më të mirë të vitit 2024.

Ledia Xhoga ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ndërsa prej vitesh jeton dhe krijon në Brooklyn, New York. Zëri i saj i veçantë letrar, që gërsheton realitetin shqiptar me tematika universale, duket se ka gjetur jehonë në arenën ndërkombëtare  dhe rruga drejt finales së Booker Prize sapo ka nisur.

Kurti: Popoviqi ka incizuar ilegalisht biseda gjatë dialogut në Bruksel

Në një deklaratë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se organet e drejtësisë kanë dëshmi që ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Igor Popoviq, ka lidhje me Agjencinë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA. 

Sipas Kurtit ai ka ushtruar aktivitete në dobi të BIA-s përfshirë incizimin e ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat janë zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. 

“Kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim BIA dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj e ndër to përfshihen edhe incizimi ilegal i bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat ajanë zhvilluar në Bruksel në objektin e BE-së në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pastaj përpjekje për pengim dhe sabotim të drejtësisë dhe aktivitete të tjera të cilat cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë. 

Incizimi i bisedave në Bruksel sipas Kurti është “rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaq një formë që nuk e kemi hasur më herët, qasjen sistematike destruktive, minuese e sabotuese të Serbisë në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”.

“Fqinji ynë agresiv Serbia po i vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë. Mirëpo institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës sikurse rastet e Bojan Jevtiq toger në Policinë e Kosovës dhe Igor Popoviq”, ka theksuar Kurti. 

Popoviqi dyshohet për veprën penale “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Ai dyshohet se më 18 korrik në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve. nën dyshimin se mbajti fjalim kundër UÇK-së.

Popoviqi ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak. 

Trumpi u vendos tarifa të reja disa shteteve, përfshirë Ballkanit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave që variojnë nga 10% deri në 41% për importet nga dhjetëra partnerë tregtarë, në përpjekjen e tij të fundit për të riformësuar ekonominë globale.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se këto masa do të hyjnë në fuqi brenda një jave, jo të premten, afati i caktuar më parë nga Trumpi.

Tarifat e reja, të cilat Trumpi i sheh si në dobi të eksportuesve amerikanë, lëshojnë një raund të ri pasigurie për dhjetëra shtete, përfshirë aleatët e hershëm të SHBA-së. Kjo ka rritur gjithashtu frikën e inflacionit në SHBA, raportoi Guardian. 

Tarifa u vendosën në 25% për eksportet e Indisë me destinacion SHBA-në, 20% për Tajvanin dhe 30% për Afrikën e Jugut. Zvicra përballet me një tarifë prej 39%. Afati i fundit për një marrëveshje tarifore me Meksikën u zgjat me 90 ditë të tjera.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se importet e Kanadasë do të përballen me tarifa 35%, jo me 25% sa janë aktualisht. Disa nga shtetet e varfra dhe të shkatërruara nga lufta u goditën po ashtu, përfshirë Sirinë me 41%, Irakun 35%, Shri Lankën 20%.

Trumpi ka thënë se tarifat e reja po shkojnë “shumë mirë”. Ai theksoi se është “shumë vonë” për shtetet që t’i shmangin tarifat, por se ai është i hapur për oferta.

Ndërkohë, Meksikës i ka dhënë afat 90 ditë për shkak të kompleksitetit në marrëdhëniet tregtare.

E, sa i përket atyre në rajon, Bosnja e Hercegovina nga 35% sa e ka pasur tarifën tani i është vendosur 30%; Maqedonisë së Veriut nga 33% në 15%; Serbisë nga 37% në 35%. Kosova dhe Shqipëria nuk figurojnë në listën e shteteve me tarifa të reja. Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ishin goditur me taksë bazë prej 10 për qind me urdhrin e parë që lëshoi Trumpi për tarifat në prill.

Tragjedi në Zvicër, 16-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident të rëndë trafiku në Wohlen

Një aksident tragjik ka ndodhur të premten herët në mëngjes në një zonë banimi të Wohlenit, kantoni Aargau, Zvicër, ku jetën e humbën dy të rinj, mes tyre një 16-vjeçar me prejardhje nga Kosova, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë, transmeton albinfo.ch.

Referuar Policisë Kantonale të Aargaut, automjeti i tipit Mercedes ka dalë nga rruga në një zonë të kufizuar me 30 km/h, duke u përplasur fillimisht me një pemë në një kopsht dhe më pas me murin e një shtëpie. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Në momentin e mbërritjes së ekipeve të emergjencës, dy të rinjtë  16-vjeçari shqiptar nga Kosova që drejtonte mjetin, dhe një 19-vjeçar zviceran që ndodhej në sediljen e parë,  ishin tashmë pa shenja jete. Një i ri tjetër, 19-vjeç, banor i Cyrihut, që gjendej në sediljen e pasme, është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.

Zëdhënësi i policisë, Bernhard Graser, ka konfirmuar se vetura i përkiste vëllait të shoferit 16-vjeçar, dhe se ende nuk dihet se si ai kishte siguruar qasjen në automjet. Mjeti u dogj tërësisht pas përplasjes, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit janë duke vazhduar.

Të dhënat fillestare sugjerojnë se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara për zonën. Policia po punon për të rindërtuar kronologjinë e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe më gjerë, veçanërisht për shkak të moshës së re të viktimave dhe rrethanave dramatike të aksidentit. /Albinfo.ch

Policia: Telat në Liqenin e Ujmanit nuk janë të lidhur me energji elektrike

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ka nisur hetim më 30 korrik nëse në Liqenin e Ujmanit ka tela elektrikë të zhytur nën ujë ose jo, përcjell albinfo.ch.

Hetimi ka nisur pas, siç ka thënë Policia, deklarimeve të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës për telat elektrikë. I njëjti gjatë intervistimit nga Policia e Kosovëse ka njoftuar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

“Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik. Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.

Kosova heq tarifën 10% ndaj produkteve amerikane

Bëhet e ditur se Qeveria në detyrë ka marrë vendim për heqjen e tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Deri tash, tarifa për produktete amerikane ka qenë 10 përqind, e prej sot Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo tarifë do të jetë zero.

“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shba. Nga tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA’të do të kenë tarifë zero përqind kur hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë shumë që kjo do të ndikojë nmë rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, deklaroi Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se ky hap dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe përkushtimin për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e Kosovës në Bernë uron Zvicrën me rastin e Festës Kombëtare

Me rastin e 1 gushtit, Ditës Kombëtare të Zvicrës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ka përcjellë një mesazh urimi për popullin dhe institucionet e Zvicrës, duke vlerësuar lart marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Në urimin e saj zyrtar, Ambasada ka theksuar rëndësinë që ka Zvicra si një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugëtimin e saj demokratik dhe zhvillimor.

“Me rastin e Festës Kombëtare të Zvicrës, shprehim urimet tona më të përzemërta për paqe dhe mirëqenie të vazhdueshme për popullin zviceran. Urojmë që Zvicra të qëndrojë edhe më tutje një shembull i stabilitetit, inovacionit dhe demokracisë”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

Zvicra, përveçse është një nga mbështetëset kryesore të shtetit të Kosovës në nivel bilateral dhe ndërkombëtar, është edhe vendi ku jeton një komunitet i madh i mërgatës shqiptare, të cilët kontribuojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike të dy vendeve.

Pritje deri në 2 orë në pikën kufitare Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 90 minuta, ndërkohë në dalje të saj 120 minuta në pikën kufitare Dheu i Bardhë, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë në pikën kufitare, Muçibabë pritjet për hyrje jane 45 minuta.

Bazuar në këto të dhëna, 30 minuta po pritet në dalje të pikës Merdarë, derisa pikat tjera kufitare kanë fluks edhe më të ulët të pritjeve.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë feston 734-vjetorin e Pavarësisë

Raporti i veçantë mes Kosovës dhe Zvicrës u theksua në një ngjarje të veçantë në Prishtinë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë organizoi mbrëmjen e kaluar një event solemn me rastin e 734-vjetorit të Pavarësisë së Zvicrës, një ndër festat më të rëndësishme kombëtare për shtetin helvetik, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja u mbajt në ambientet e restaurantit “Edhe” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00, dhe mblodhi një numër të madh të të ftuarve nga sfera të ndryshme.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë ndërkombëtarë, bashkëpunëtorë të afërt të ambasadës, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe miq të shumtë të Zvicrës.

Përmes kësaj ngjarjeje festive, jo vetëm që u kremtua Dita Kombëtare e Zvicrës, por edhe miqësia e fuqishme dhe bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Të pranishmit patën rastin të dëgjojnë fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të lartë diplomatikë, ku u theksua mbështetja e vazhdueshme që Zvicra ka ofruar për Kosovën në fusha si zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi dhe qeverisja e mirë.

Një histori e gjatë miqësie dhe bashkëpunimi

Zvicra është një ndër vendet më të rëndësishme për diasporën kosovare  me mbi 200 mijë qytetarë me prejardhje nga Kosova që jetojnë dhe kontribuojnë atje. Kjo lidhje njerëzore e ka forcuar edhe më shumë raportin mes dy vendeve, duke e kthyer Zvicrën në një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e Kosovës.

Festa e 1 gushtit, e njohur si Dita Kombëtare e Zvicrës, i referohet paktit të vitit 1291 mes tre kantoneve themeluese (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), që konsiderohet si lindja e Konfederatës Zvicerane. Sot, Zvicra feston 734 vjet shtetësi, neutralitet dhe stabilitet.

Karin Keller-Sutter i uron Zvicrës shumë fat në përvjetorin e saj

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter do të mirëpres të gjithë në qytetin e saj të lindjes, Wil, në Kantonin e St. Gallen.

Në një vend të dashur për të, Stadtweier (liqeni i qytetit), ajo flet për sfidat aktuale dhe të ardhshme të vajzës së ditëlindjes: Zvicrës.

Edhe në një moment kaq të ndërlikuar ndërkombëtarisht  na thotë ai: Zvicra nuk mund dhe nuk duhet të harrojë pikat e saj të forta. Është një vend i vogël, por ekonomikisht i rëndësishëm. Sigurisht, ajo nuk priste të ishte Presidente në një vit kaq të trazuar: midis luftërave dhe tarifave amerikane.

Viti presidencial i Karin Keller-Sutter

Duke bërë atë që mundemi, në një botë gjithnjë e më pak të sigurt. Dhe e drejta ndërkombëtare po shkelet gjithnjë e më shumë. Politika e ka kuptuar këtë. Po qytetarët? Sipas Karin Keller-Sutter, popullsia është në dijeni të situatës, por shpesh ndihet ende e pamposhtur.

Zvicra në një botë gjithnjë e më të pasigurt

Neutraliteti mbetet një aspekt i rëndësishëm i vendit tonë, thotë Karin Keller-Sutter. Edhe nëse neutraliteti është gjithmonë edhe “oportunist”. I shërben interesave tona. Dhe, për ta ruajtur atë, duhet t’u shërbejë edhe interesave të të tjerëve. Dhe këta të tjerët, sipas Presidentes së Konfederatës, duket se ende e vlerësojnë këtë veçanti tonën.

Zvicra dhe neutraliteti

Duke u kthyer te Zvicra dhe politika e saj e brendshme, një shqetësim i rëndësishëm për Karin Keller-Sutter është shëndeti i financave tona.

Zvicra dhe financat e saj

Mbi të gjitha, Karin Keller-Sutter i uron Zvicrës shumë fat në përvjetorin e saj. Sepse gjithmonë nevojitet pak fat.

Zvicra sot feston 734 vjetorin e Pavarësisë

Shteti i Zvicrës më 1 gusht mbushi 734 vjet.

Shtet ky, i cili sheh prapa një histori të bujshme përpjekjesh dhe suksesesh, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Zvicra është një ndër shtetet më të fuqishme ekonomikisht dhe më neutrale në gjithë botën.

Ky shtet zakonisht pothuajse në të gjitha fushat shquhet për renditjet e para, si shteti me performancat më të mira në të gjitha dimensionet, shkruan tutje albinfo.ch.

Zvicra është performuese e mirë jo vetëm e pagave të larta, ekonomisë së lartë, çokollatave dhe djathit, por edhe e demokracisë dhe tolerancës, që e shquan si shtet helvetik. /Albinfo.ch