Pas Osmanit, Sorensen në Qeveri për takim me Kurtin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po qëndron në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Vizitën në vend ai e nisi me një takim me presidenten Osmani në Presidencë. Pas takimit, nuk pati konferencë për media, por Sorensen u nis drejt objektit të Qeverisë, ku pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Nuk dihet nëse Sorensen do të deklarohet për media pas takimit me Kurtin.

Kjo është vizita e tretë e Peter Sorensen në Kosovë që nga emërimi i tij si përfaqësues i posaçëm i BE-së.

Gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë në mars, Sorensen kishte thënë se prioritet për të ishte të caktonte takime mes dy shteteve.

Takimi i fundit në Bruksel, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Fjalët e para të Ardon Jasharit pasi zbarkoi në Milano

Ardon Jashari zbarkoi mbrëmë në Milano pas arritjes së marrëveshjes mes Club Brugge dhe Milanit për transferimin e tij në “San Siro”, përcjell albinfo.ch.

Ylli shqiptar mbërriti në qytetin e modës rreth orës 23:00, ndërsa u prit nga gazetarët dhe nga disa tifozë kuqezi, të cilët i dhanë kurajë që nga momentet e para.

“Shumë i lumtur, shumë i lumtur”, ishin fjalët e para të Jasharit në Milano, teksa “Rossoneri” e fituan betejën dymuajshe për ta sjellë atë në ekip.

23-vjeçari thuhet se i ka kushtuar Milanit në total 39 milionë euro, përfshirë këtu edhe bonuset.

Ai do t’iu nënshtrohet kontrolleve mjekësore në mëngjesin e sotëm, ndërsa më pas pritet ta nënshkruajë kontratën pesëvjeçare me gjigantin italian, derisa rroga e tij vjetore pritet të jetë 2.5 milionë euro.

Milani ishte një ëndërr e Jasharit që nga vegjëlia, ndërsa refuzoi oferta nga klube të njohura vetëm e vetëm për të përfunduar në “San Siro”.

Deputetët u paguan mbi 530 mijë euro për seanca pa rezultat

Raportohet se mbi 530 mijë euro u paguan për tre muaj, për deputetët e legjislaturës së nëntë, që u mblodhën për pak minuta në 54 seanca ku dështuan ta konstituojnë Kuvendin, përcjell albinfo.ch.

Përveç kësaj, vetëm për muajin qershor, shteti pagoi rreth 77 mijë euro për asistentët e tyre. Monitorues të punës së Kuvendit thonë se edhe pse e ligjshme kjo nuk ishte aspak etike.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka vënë masë ndalese deri me 8 gusht çdo vendimi e veprimi të deputetëve, ata vazhdojnë të paguhen sipas Ligjit të Pagave. Për 54 tentimet për konstituim ata morën paga të plota që i kushtuan kuletës së shtetit më shumë se gjysmë milioni euro.

Përveç kësaj vetëm për një muaj asistentët e këtyre deputetëve u paguan 77 mijë euro.

Administrata e Kuvendit i ka konfirmuar  Radio Kosovës se pagesat e korrikut dhe javës së parë të gushtit nuk janë përfshirë në shpenzimet për paga e asistentëve dhe të deputetëve.

Sipas të dhënave të siguruara për pagat e 120 ligjvënësit që dolën nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për muajin prill u ndan 95 mijë e 633.93 euro, për maj 234 mijë e 998.98 euro, ndërsa për qershor 199 mijë e 907.67 €.

Megjithatë Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës, ka treguar se “deputetët nuk kanë përfituar benefite të tjera dhe asnjë prej tyre nuk ka hequr dorë nga paga”.

Për këto pagesa  të bazuar në Ligjin për Pagat në sektorin publik, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, një organizatë që monitoron punën e Kuvendit, thotë se nuk janë meritore.

“Këto paga nuk kanë ndonjë rëndesë ekonomike, përkundër gjendjes socio-ekonomike. Në kuptimin etik, po, është e padrejtë që të marrësh pagë pa punuar”, thotë Jakaj.

Megjithatë, Jakaj thotë se ata po arsyetohen me faktin se partia e parë nuk po e bënë pushtetin që i takon. “Rrjedhimisht thonë se jemi duke i ushtruar të drejtat duke marrë pjesë në çdo seancë”, tha ai.

Të njëjtën gjë e thotë edhe sociologu Artan Muhaxheri.

“E vetmja gjë e mirë që ka ndodhur gjatë këtyre 4 apo 5 muajve është që u është treguar fytyra e vërtetë këtyre politikanëve, të cilët janë të pa dijshëm, të pa guximshëm dhe të pa moralshëm”, thotë ai.

“Përderisa paguhen nga taksat e qytetarëve nuk bëjnë asgjë që ta konstituojnë Kuvendin”, tha Muhaxheri.

Megjithatë në këtë periudhë të stërzgjatur të konstituimit të Kuvendit, jo të gjithë 120 deputetët zgjodhën asistentë. Sipas Administratës së Kuvendit në listën e pagave janë 87 asistentë të deputetëve që vetëm për maj e qershor morën të paktën 136 mijë e 802 euro.

Emisari i BE-së për dialog takon Osmanin, më pas do ta takojë Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret në takim emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, përcjell albinfo.ch.

Mediat u lejuan të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, derisa nuk pritet të ketë deklarime.

Pas takimit me Osmanin, emisari Sorensen do të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në orën 11:00.

Sorensen ka marrë detyrën e ndërmjetësit të dialogut në shkurt të vitit 2025, derisa kjo është vizita e tij e tretë në Kosovë.

Një i vdekur në Francë për shkak të zjarreve

Raportohet se një person ka vdekur si pasojë e një zjarri në rajonin Aude, në Francën jugore, ka bërë të ditur autoriteti lokal të mërkurën, përcjell albinfo.ch.

Prefektura e Aude ka thënë në një deklaratë se zjarri po përparon “shumë shpejt” dhe se 1.820 zjarrfikës po përpiqen ta vënë nën kontroll, raporton Reuters.

Rreth 2.500 familje në zonë janë aktualisht pa energji elektrike, ka bërë të ditur prefektura.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shkruar në X vonë të martën se të gjitha burimet e qeverisë po mobilizohen për të luftuar zjarrin në Aude.

Ofendoi rëndë zyrtarët policorë, arrestohet mërgimtari

Në qytetin e Pejës, një shtetas amerikan, pasagjer në një veturë të ndaluar për kundërvajtje në trafik, ka kanosur dhe ofenduar rëndë zyrtarët policorë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tyre gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur më 5 gusht 2025, rreth orës 16:50, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, përballë Stacionit Policor të Pejës.

Veturës VW Passat, të cilën e drejtonte F. R., rreth 50-vjeçar, iu ndalua qarkullimi për mosrespektim të shenjës së trafikut. Teksa njëri nga zyrtarët po përgatitej të shkruante gjobën, pasagjeri Sh. B., rreth 54-vjeçar, i cili posedon edhe shtetësi amerikane, zbriti nga vetura dhe filloi të konfrontohet me policët.

Fillimisht kërkoi shpjegim mbi mënyrën e ankesës për gjobën, por, pavarësisht që iu dha informacion për rreth 7–8 minuta, ai vazhdoi të provokojë dhe pengojë zyrtarët policorë, duke refuzuar të largohej dhe të identifikohej.

Sh. B. nxori telefonin për të bërë fotografi të policëve, duke u drejtuar me fjalë fyese:

“Ju nuk po e dini ligjin, unë kam shtetësi amerikane… nuk e dini ju kush jam unë… ma zi se shkijet keni me ma pa sherrin!”

Për shkak të kanosjes direkte dhe refuzimit për t’u larguar, ai u arrestua në vendngjarje, ndërsa më vonë u intervistua në prani të hetuesve dhe u identifikua zyrtarisht si Sh. B.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është inicuar procedurë penale për veprën “Kanosje ndaj personit zyrtar”, ndërsa, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Rinor Kastrati diplomon në Londër, ngre flamurin shqiptar me krenari

Kompozitori i njohur Rinor Kastrati, me origjinë nga Peja dhe i lindur në Gjermani, ka diplomuar me sukses në Regent’s University London, një nga universitetet më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton albinfo.ch. 

Në një ceremoni madhështore të mbushur me emocion dhe solemnitet, Kastrati përfundoi studimet master në Fakultetin e Biznesit dhe Menaxhimit, me temën e diplomës: “Luxury Brand Management”.

I njohur gjithashtu si vëllai i këngëtares së suksesshme Donna Dafi, Rinori tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me një gjest simbolik dhe mbresëlënës: gjatë momentit të diplomimit, ai u paraqit duke mbajtur flamurin kombëtar shqiptar, krahas flamurit të Nigerisë, vendlindja e nënës së tij  dhe flamurit të Gjermanisë, vendi ku është lindur dhe rritur.

Ky akt që përfaqësonte identitetin e tij të shumëfishtë kulturor u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit dhe u vlerësua si një shprehje e fortë e krenarisë dhe përkatësisë.

Ceremonia u mbyll me urime të ngrohta nga familjarë, miq dhe të ftuar të shumtë, të cilët e shoqëruan Rinorin në këtë moment të rëndësishëm të jetës së tij personale dhe profesionale.

Regent’s University London është i njohur për standardet e tij të larta akademike dhe për frymën ndërkombëtare që kultivon tek studentët nga mbarë bota. /Albinfo.ch 

 

Përditësohen të dhënat, kaq po presin mërgimtarët për të hyrë në Kosovë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 20 minuta, dhe atë në pikën kufitare te Dheu i Bardhë.

Bazuar në këto të dhëna, 05-10 minuta po pritet në Merdarë, derisa pikat tjera kufitare kanë fluks edhe më të ulët të pritjeve.

Fruti më i shëndetshëm sipas shkencës, kushton lirë dhe gjendet gjithkund

Një studim i Universitetit William Paterson në New Jersey analizoi 41 lloje frutash dhe e renditi limonin si frutin më të shëndetshëm për shkak të përmbajtjes së lartë të lëndëve ushqyese për kalori.

Shumë njerëz mendojnë se frutat më të shëndetshme janë ato ekzotike dhe të rralla, por ky studim tregon se limoni, që ndodhet shpesh në kuzhinën tonë, është shumë i fuqishëm për shëndetin.

Shkencëtarët përdorën një metodë që mat “dendësinë ushqyese”, sa ushqyes ka një ushqim për çdo 100 kalori. Limoni u rendit i pari për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës C, e cila forcon sistemin imunitar dhe ndihmon në rigjenerimin e qelizave.

Përveç vitaminës C, limoni:

Redukton lodhjen dhe përmirëson lëkurën falë antioksidantëve.

Ndihmon tretjen duke stimuluar aciditetin e stomakut.

Pastron mëlçinë falë përbërësve bioaktivë.

Përmban kalium për mbajtjen e presionit të gjakut në nivele të shëndetshme.

Ka flavonoide që mbrojnë shëndetin e zemrës dhe fibra që ndihmojnë në uljen e kolesterolit.

Limoni gjithashtu ka pak sheqer dhe indeks glikemik të ulët, prandaj është i përshtatshëm për personat që kujdesen për nivelin e sheqerit në gjak.

Në kohën kur shumë “superushqime” të shtrenjta reklamohen si më të shëndetshmet, ky studim na kujton se ndonjëherë më e mira është e thjeshta dhe e përditshmja. Limoni është i lirë, i lehtë për t’u përdorur dhe një burim i fuqishëm ushqyes për shëndetin tonë.

 

Wi-Fi 8 po vjen: Nuk sjell më shumë shpejtësi, por është më inteligjent

Kanë dalë të dhëna të reja rreth gjeneratës së ardhshme të rrjeteve pa tel, Wi-Fi 8, i cili nuk do të rrisë shpejtësinë, por do të përmirësojë sigurinë, stabilitetin dhe kohën e reagimit.

Ndryshe nga versionet e mëparshme që përqendroheshin në shpejtësi, Wi-Fi 8 (standardi 802.11bn) do të fokusohet në funksionimin optimal në situata të vështira, si rrjetet e mbingarkuara, sinjalet e dobëta dhe kur ka shumë pajisje të lidhura.

Sipas informacioneve të publikuara, Wi-Fi 8 do të ofrojë deri në 25% performancë më të mirë në kushte të pafavorshme, 25% më pak vonesë në përdorim real dhe 25% më pak humbje të paketave të dhënash, veçanërisht gjatë ndryshimit të lidhjes midis pikave të aksesit.

Kjo do të thotë se rrjetet do të jenë më të qëndrueshme dhe të besueshme, gjë shumë e rëndësishme për pajisje që kërkojnë lidhje të vazhdueshme, si telefonat inteligjentë, pajisjet IoT, realiteti i shtuar (AR) dhe sistemet industriale.

Wi-Fi 8 do të funksionojë në frekuencat aktuale (2.4 GHz, 5 GHz dhe 6 GHz), por do të integrojë teknologji të avancuara si drejtimi i rrezes së sinjalit, menaxhimi dinamik i nënkanaleve dhe përmirësimi i menaxhimit të pikave të aksesit.

Këto ndryshime do të përmirësojnë përvojën e përdoruesve, sidomos në vendet me shumë njerëz dhe pajisje si aeroportet, stadiumet, qendrat tregtare dhe zyrat.

Pajisjet e para me mbështetje për Wi-Fi 8 pritet të dalin në treg në fund të vitit 2027 ose fillim të 2028-ës, pasi certifikimi i Wi-Fi Alliance është planifikuar për janar dhe standardi pritet të finalizohet në mars të vitit 2028.

 

Cilat janë rregullat e reja për transparencën e modeleve të inteligjencës artificiale që kanë hyrë në fuqi në BE?

Në të gjithë Bashkimin Evropian janë zbatuar sot rregullat e reja të transparencës për modelet e inteligjencës artificiale me përdorim të gjerë, siç janë ChatGPT dhe Gemini. Këto rregulla janë pjesë e Aktit për Inteligjencën Artificiale, i cili u miratua vitin e kaluar.

Sipas rregullave të reja, zhvilluesit e këtyre modeleve duhet të bëjnë publike mënyrën e funksionimit të tyre dhe burimet e të dhënave që përdoren për trajnim.

Për modelet më të avancuara, të cilat mund të paraqesin rrezik për publikun, kërkohet gjithashtu dokumentimi i masave të sigurisë që janë marrë.

Inteligjenca artificiale me përdorim të përgjithshëm përfshin sisteme që mund të kryejnë funksione të ndryshme, si prodhimi i tekstit, përpunimi i gjuhës natyrale dhe programimi.

Qëllimi i ligjit është të forcojë edhe mbrojtjen e të drejtave të autorit. Kështu, zhvilluesit duhet të raportojnë burimet e të dhënave të përdorura dhe nëse kanë përdorur mënyra automatike për mbledhjen e informacionit nga interneti.

Ata duhet gjithashtu të tregojnë masat që kanë ndërmarrë për mbrojtjen e pronës intelektuale dhe të caktojnë persona kontaktues për çështjet e të drejtave.

Megjithatë, disa organizata që përfaqësojnë autorë, artistë dhe botues e kanë kritikuar këtë ligj, duke argumentuar se nuk është i mjaftueshëm.

Nisma gjermane “Initiative Urheberrecht”, një grup avokues për të drejtat e autorit, në një deklaratë të përbashkët tha se rregullat janë të dobëta në mungesë të detyrës për specifikimin e grupeve të të dhënave ose fushave të përdorura.

Ndërsa individët kanë mundësi të padisin ofruesit e IA-së sipas ligjit të ri, zbatimi i tij nga Zyra Evropiane e IA-së do të fillojë më vonë. Kjo zyrë do të monitorojë modelet e reja që nga gushti 2026 dhe modelet ekzistuese para 2 gushtit 2025 që nga gushti 2027.

Shkeljet mund të sjellin gjoba deri në 15 milionë euro ose 3% të të ardhurave vjetore globale.

Për ta bërë më të lehtë respektimin e ligjit, Komisioni Evropian ka publikuar edhe udhëzime vullnetare dhe një kod sjelljeje.

Google, kompania që zhvillon modelin Gemini, ka njoftuar se do ta nënshkruajë këtë kod, por ka shprehur shqetësim se rregullat mund të pengojnë zhvillimin e inovacionit.

 

Pavarësisht ndalimit për personat nën 18 vjeç, paketat me nikotinë po përhapen në Zvicër

Në një dyqan në Basel, çdo ditë adoleshentët përpiqen të blejnë produkte me nikotinë përmes gojës.

Snusi përdoret gjithashtu edhe në ambientet shkollore.

Ekspertët theksojnë se të rinjtë po shmangin ndalimin duke blerë online ose përmes miqve më të rritur.

Studimet paralajmërojnë për rreziqe shëndetësore si varësia, problemet dentare dhe rritja e rrezikut për kancer, transmeton albinfo.ch.

Rritje e frikshme, pavarësisht ligjit

Ligji që ndalon shitjen e snusit për të mitur hyri në fuqi në tetor 2024, por duket se ai nuk ka ndikuar shumë. Në oborret e shkollave zvicerane, produktet me nikotinë janë më të kërkuara se kurrë.

“Çdo ditë, disa të mitur përpiqen të blejnë snus tek unë  kërkesa është jashtëzakonisht e lartë,” tregon D.*, 30 vjeç, pronar i një dyqani në Basel.
Ai thotë se ka parë edhe fëmijë 13 dhe 14 vjeç që përpiqen të blejnë produkte të tilla. “Më i vogli ishte 11 vjeç. Kishte fotografuar kartën e identitetit dhe kishte ndryshuar datën e lindjes në telefon  por mashtrimi u zbulua kur zmaduam foton,” shpjegon ai.

“10% e nxënësve përdorin snus”

Në një intervistë për 20 Minuten, Leona dhe Tamara, të dyja 16 vjeç nga Appenzell, thanë se përdorimi i snusit është i zakonshëm në shkollën e tyre.

“Do të thosha se rreth 10% e nxënësve përdorin snus,” – tha Leona.
“Ne nuk dinim që ishte i ndaluar,” – shtoi Tamara.

Dennis, 15 vjeç, është më kritik:

“Është shumë e dëmshme, sidomos për të rinjtë. Unë nuk do ta provoja kurrë.”

Rritje e madhe e tregut të snusit

Sipas analizës më të fundit nga Grand View Research, tregu i produkteve orale me nikotinë në Zvicër arrin në rreth 54 milionë franga zvicerane (67 milionë dollarë). Parashikohet që nga viti 2025 deri në 2030 të ketë rritje vjetore prej 9.7%.

Pjesërisht, kjo rritje i atribuohet të rinjve. Një studim nga Lungenliga Aargau tregon se përqindja e të rinjve që konsumojnë snus u rrit nga 3% në 8% mes viteve 2021 dhe 2023.

Pse ligji nuk po funksionon?

Sipas Monique Portner-Helfer, zëdhënëse e organizatës Sucht Schweiz, të rinjtë vazhdojnë ta sigurojnë snusin përmes porosive online ose miqve të rritur.

Wolfgang Kweitel nga Tabakprävention Schweiz kritikon se:

Nuk ka kontrolle apo ndëshkime të reja pas futjes së ligjit.

Për shitjet online nuk ka fare kontroll.

Mungon vullneti politik për të përmirësuar situatën.-

A janë të dëmshme snusi dhe paketat?

Prodhuesit shpesh i reklamojnë si alternativa “të padëmshme” ndaj cigareve, por sipas ekspertëve, kjo është mashtruese.

Efektet anësore tipike përfshijnë:

Nervozizëm, probleme me përqendrimin, rrahje të shpejta të zemrës

Pagjumësi, probleme me tretjen, humbje peshe

Tërheqje e mishit të dhëmbëve, irritim i mukozës

Studimet tregojnë gjithashtu rrezik për:

Kancer në gojë dhe pankreas

Sëmundje kardiovaskulare

Ushtria zvicerane nuk arrin të përmbushë afatet për reduktimin e zhurmës në poligonet e qitjes

Ushtria zvicerane ka dështuar të përmbushë afatin ligjor të 31 korrikut për zbatimin e masave për uljen e ndotjes akustike në poligonet e saj të qitjes, siç parashikohet nga Rregullorja për Mbrojtjen nga Zhurma, në fuqi që nga viti 2010.

Sipas një raporti të publikuar nga mediat zvicerane, nga rreth 120 poligone të inspektuara gjatë viteve 2012–2014, 46 prej tyre kërkojnë ndërhyrje të domosdoshme për të përmbushur standardet ligjore të zhurmës, transmeton albinfo.ch.

Pse ka vonesa?

Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes (DDPS) kanë deklaruar se projektet për reduktimin e zhurmës janë komplekse dhe kërkojnë vlerësime të detajuara për çdo vendndodhje. Ndër faktorët që ndikojnë janë:

Përdorimi i ndryshueshëm i poligoneve gjatë vitit;

Nevoja për prioritizim për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare;

Vështirësitë në zonat e banuara, ku masat duhet të jenë të përshtatura dhe të justifikuara.

Aktualisht, situata e projekteve është si më poshtë:

Në fazën e konceptimit janë 16 poligone;

Në planifikim janë 15;

Në proces miratimi janë 7;

Në ndërtim janë 4;

Vetëm 4 poligone e kanë përfunduar procesin e përshtatjes.

Sa kushton kjo nismë?

Në total, për 5 deri në 10 vitet e ardhshme, pritet të shpenzohen rreth 50 milionë franga zvicerane për masa kundër zhurmës. Deri tani janë investuar rreth 25 milionë CHF, ku pjesa më e madhe (22,5 milionë CHF) është shpenzuar për ndërtimin e një poligoni të mbyllur në Sion (kantoni Valais)  projekti më i madh i këtij lloji deri më sot.

Përjashtime nga ligji?

Në raste kur masat teknike apo strukturore nuk janë të mjaftueshme për të ulur zhurmën nën kufijtë e lejuar, ligji parashikon përjashtime të kufizuara, të cilat duhet të jenë të justifikuara me vlerësime të sakta.

Sfondi ligjor

Që nga 1 gushti 2010, në kuadër të mbrojtjes mjedisore, ushtria ka zbatuar një sistem të standardizuar për vlerësimin e zhurmës, i cili përfshin regjistrimin e emetimeve të zhurmës dhe të gjitha të shtënave në poligone.

Vëllai dhe motra e boksierit Besar Nimani, në gjyq për hakmarrje

Disa muaj pas vrasjes së boksierit profesionist Besar Nimani, një vëlla dhe një motër e tij janë në gjyq. Çështja përfshin një gjakmarrje të dyshuar, transmeton albinfo.ch.

Vëllai i tyre u vra me 16 të shtëna në qendër të Bielefeldit. Muaj më vonë, ata dyshohet se morën armët për t’u hakmarrë ndaj familjes së autorit të krimit.

Procesi gjyqësor për një gjakmarrje të dyshuar filloi të martën (5 gusht 2025) në Gjykatën e Landit të Bielefeldit.

Prokuroria akuzon një vëlla dhe një motër të të ndjerit për tentativë vrasjeje. Në shkurt të këtij viti, vëllai dhe motra dyshohet se qëlluan mbi të afërmit e të pandehurit, jashtë gjykatës, pas një dite procedurash në gjyqin për vrasjen e vëllait të tyre, shkruan dpa.de.

Katër persona u plagosën, disa në gjendje kritike. Midis tyre ishin tre të afërm të një personi 34-vjeçar të dënuar për vrasje të fshehtë në prill të këtij viti.

Në një letër drejtuar familjes së tij nga paraburgimi, vëllai 41-vjeçar i Nimanit, tani i pandehur, deklaroi se nuk kishte pasur ndërmend të vriste me të shtënat e tij, por vetëm të plagoste. Ai beson se autoritetet hetuese nuk e kishin hetuar mjaftueshëm familjen e autorit të vrasjes. Babai dhe vëllai i të pandehurit në gjyqin rreth vdekjes së Besar Nimanit dyshohet se kanë qenë të paktën nxitës ose bashkëpunëtorë, transmeton albinfo.ch. Letra u lexua me zë të lartë ditën e parë të gjyqit.

Motivi për vdekjen e boksierit profesionist nuk mund të përcaktohej në ditën e parë të procesit. Vëllai dhe motra e tij 34-vjeçare janë shtetas të Gjermanisë dhe kanë lindur në Kosovë. Gjykata e Landit e Bielefeldit ka caktuar datat e procesit gjyqësor deri në tetor. Deri më tani, të pandehurit janë mbrojtur në heshtje.

Përfituesit nga Kosova të bursës “Swiss Excellence” festojnë suksesin në një mbrëmje të veçantë

Një mbrëmje festive është organizuar në nder të bursës “Swiss Excellence” dhe komunitetit të studiuesve nga Kosova që kanë qenë pjesë e këtij programi. Ngjarja mblodhi bashkë përfitues aktualë dhe ish-përfitues të bursës, duke vënë në pah rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional, njofton ambasada e Zvicrës në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë që ka pasur bursa në zhvillimin e tyre si studiues, kërkues dhe profesionistë. Programi “Swiss Excellence” shihet si më shumë se një mbështetje financiare, ai është konsideruar një platformë që krijon ura bashkëpunimi, mundësi të reja dhe lidhje ndërkombëtare.

Në fokus të mbrëmjes ishte rritja e komunitetit të studiuesve nga Kosova dhe ndikimi pozitiv që ata kanë pasur në fushat përkatëse të studimit. Organizatorët shprehën mirënjohje për përfaqësimin dinjitoz që këta studiues i kanë dhënë vlerave të ekselencës akademike.

Ndërkohë, është paralajmëruar se thirrja për aplikime në bursën “Swiss Excellence” për vitin akademik 2026–2027 do të hapet së shpejti. Kandidatët e interesuar ftohen të qëndrojnë të informuar për detajet dhe kriteret përmes kanaleve zyrtare.

 

Defekt teknik: Evakuohet treni në tunelin e Gotthard-it

Një tren i SBB-së u ndal papritur në mes të Tunelit të Gotthard-it të martën në mbrëmje. Dhjetëra pasagjerë u detyruan të qëndronin brenda për më shumë se një orë e gjysmë, përpara se të evakuoheshin dhe treni të tërhiqej jashtë.

Për pasagjerët që udhëtonin drejt Ticinës, mbrëmja e së martës ishte një sfidë e vërtetë. Siç tregon një lexues për redaksinë, treni u ndal papritur në mes të tunelit. “Vetëm pjesa e përparme kishte ende drita, ndërsa pjesa e pasme ishte në errësirë totale,” tha ai. Fatmirësisht, ndodhej në pjesën e përparme të trenit, transmeton albinfo.ch.

Pas rreth një orë e gjysmë, pasagjerët u shpëtuan. “Na evakuuan përmes tubit të mesëm në anën tjetër,” shpjegon ai. Aty pritën trenin zëvendësues, i cili u nis pak pas orës 20:30.

 

 

Presidentja Osmani pranon letër nga Presidenti Trump: Mikeshë e vërtetë e Shteteve të Bashkuara

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai shpreh mirënjohjen për lidershipin e saj dhe përkushtimin e palëkundur ndaj marrëdhënieve të forta me SHBA-të.

Në letrën zyrtare, Presidenti Trump e përshkruan Presidenten Osmani si një “mikeshë të vërtetë të Shteteve të Bashkuara”, duke theksuar se veprimet e saj pasqyrojnë lidership të guximshëm dhe një përkushtim të sinqertë për avancimin e vlerave të përbashkëta demokratike.

“Vendimi juaj për të pranuar shtetas nga vende të tjera tregon gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të. Ky lidership flet për forcën dhe dhembshurinë e popullit tuaj,” thekson Presidenti Trump në letrën e tij, transmeton albinfo.ch.

Ai nënvizon se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të bazuara në vlera të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe prosperuese.

“Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur. Së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” shkruan ai.

Presidenti Trump e falënderon Presidenten Osmani për angazhimin në thellimin e partneritetit strategjik dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë në vitet në vijim.

Në përmbyllje të letrës, Presidenti amerikan i dërgon Presidentes Osmani edhe përshëndetjet më të mira nga Zonja e Parë, Melania Trump.

Edon Zhegrova drejt Marseille, Fabrizio Romano zbulon zhvillimet e fundit

Gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, ka zbuluar se Olympique Marseille ka hyrë zyrtarisht në bisedime me klubin Lille për transferimin e sulmuesit kosovar Edon Zhegrova.

Sipas raportimeve, negociatat janë ende në fazën fillestare, pa ndonjë marrëveshje konkrete, por burimet konfirmojnë se palët janë të përfshira në diskutime serioze për kushtet e marrëveshjes së mundshme.

Zhegrova, 26 vjeç, ka qenë një nga pikat kyçe të skuadrës franceze Lille gjatë sezonit 2024/25. Ai regjistroi 4 gola në 12 paraqitje në Ligue 1, me një saktësi gjuajtjeje prej 42.11%. Performanca që e bëri të njohur ndërkombëtarisht ishte ajo ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve, ku u shpall “Lojtari i Ndeshjes”.

I vlerësuar për teknikën, shpejtësinë dhe kontributin e tij në repartin ofensiv, Zhegrova shihet si një përforcim strategjik nga Marseille, sidomos nëse Mason Greenwood largohet nga klubi. Marseille është aktualisht me bilanc pozitiv në merkato prej +12.9 milionë euro, duke kërkuar alternativa cilësore në fazën sulmuese.

Zhegrova iu bashkua Lille në vitin 2022 për një shumë rreth 7 milionë euro. Ai ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve elitare evropiane dhe është një produkt i akademisë së njohur të Lille, që ka prodhuar talente si Eden Hazard.

SHBA kërcënon Zvicrën me tarifa deri në 250% për produktet farmaceutike

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur ndjeshëm presionin ndaj Zvicrës në lidhje me tarifat doganore, duke kërcënuar se do të vendosë tarifa deri në 250% mbi produktet farmaceutike që importohen nga ky vend. Kjo deklaratë vjen pas një telefonate të tensionuar më 31 korrik mes Trump dhe Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter.

“Nuk deshi të dëgjonte. I thashë që kemi një deficit tregtar prej 41 miliardë dollarësh me Zvicrën dhe ata duan të paguajnë vetëm 1%. Ata po bëjnë pasuri me produktet farmaceutike që prodhohen në Kinë, Irlandë dhe vende të tjera,” deklaroi Trump për CNBC, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, SHBA ka vendosur një normë doganore prej 39% për produktet zvicerane, shumë më e lartë krahasuar me tarifat ndaj vendeve me struktura të ngjashme ekonomike, si BE (15%), Britania e Madhe (10%) dhe Japonia (15%).

Objektivi kryesor i Trump është zhvendosja e prodhimit farmaceutik brenda territorit amerikan dhe ulja e çmimeve të barnave në SHBA, të cilat aktualisht janë dukshëm më të larta krahasuar me vendet e tjera të industrializuara. Ai ka paralajmëruar një skemë të përshkallëzuar tarifore: fillimisht tarifa të ulëta, pastaj 150% brenda një viti, e më pas 250% nëse industria nuk merr masa konkrete.

17 kompani farmaceutike kanë marrë letra nga Shtëpia e Bardhë, ku u kërkohet të ulin çmimet përndryshe do përballen me masa ndëshkuese. Afati i vendosur është data 29 shtator.

Përballë këtyre zhvillimeve, Presidentja e Zvicrës Karin Keller-Sutter dhe Ministri i Ekonomisë Guy Parmelin ndodhen në Uashington për bisedime me autoritetet amerikane. Delegacioni përfshin gjithashtu sekretarë shtetërorë për ekonominë dhe financat ndërkombëtare, ndërsa ende nuk dihet nëse do të zhvillohet një takim i drejtpërdrejtë me Trump.

Sipas ekspertëve, përpjekjet e Zvicrës për të zbutur qëndrimin amerikan mund të hasin në vështirësi, pasi shumica e opsioneve (si investimet private apo blerjet e gazit natyror amerikan) janë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë.

Megjithatë, sipas Georges Ugeux, ish-nënkryetar i Bursës së Nju Jorkut, kompanitë e mëdha si Novartis dhe Roche nuk do të preken në mënyrë katastrofike, pasi një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të tyre tashmë ndodh në SHBA.

 

BP rikthehet fuqishëm: Zbulon fushën më të madhe të naftës në një çerek shekulli

Kompania britanike e energjisë BP ka zbuluar një nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit të 25 viteve të fundit, duke sinjalizuar një rikthim të fuqishëm te burimet tradicionale të energjisë, pas viteve të orientimit drejt të rinovueshmeve.

Zbulimi gjigant është bërë në ujërat e thella të Atlantikut, rreth 400 kilometra nga bregdeti lindor i Brazilit, në zonën e pasur të pellgut Santos, raportoi BBC, transmeton albinfo.ch.

Zëvendëspresidenti ekzekutiv i BP-së, Gordon Birrell, e përshkroi zbulimin si “më të madhin e këtij shekulli” për kompaninë, duke theksuar se tashmë po shqyrtohet ndërtimi i një qendre të re prodhimi në atë rajon strategjik.

Aksionet e BP-së në rritje

Pas publikimit të lajmit, vlera e aksioneve të BP-së në Bursën e Londrës u rrit me mbi 1%, duke reflektuar besimin e tregjeve në rikthimin e kompanisë në sektorin tradicional të naftës dhe gazit.

Por ky nuk është zbulimi i vetëm: BP ka njoftuar gjithashtu për rezerva të reja edhe në Gjirin e Meksikës dhe në Egjipt gjatë këtij viti. “Ky është një tjetër sukses në një vit të jashtëzakonshëm për ekipin tonë të kërkimeve”, tha Birrell.

Një kthesë nga energjitë e rinovueshme

Në fund të shkurtit 2025, BP njoftoi shkurtimin e investimeve në projekte të energjisë së gjelbër dhe rishpërndarjen e buxhetit drejt prodhimit të naftës dhe gazit. Ky hap u interpretua si përpjekje për të stabilizuar kompaninë pas një periudhe të vështirë financiare.

Gjatë pandemisë në vitin 2020, BP raportoi humbje prej 5.7 miliardë dollarësh, ndërsa në 2022 humbi edhe 25 miliardë të tjerë për shkak të largimit nga tregjet energjetike ruse pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, rivalët që qëndruan të përqendruar te nafta, shënuan fitime rekord.

 

Metro: Tirana, qytet historik, me gjallëri dhe i natës

Në një artikull për të përditshmen “Metro”, gazetarja britanike Martina Andretta përshkruan një udhëtim në Tiranë, ku për vetëm 61 funte në ditë shijon një qytet të gjallë, me histori interesante, ushqim të shijshëm dhe jetë nate të larmishme.

“Tirana po zhvillohet me ritme të shpejta dhe ofron shumë për turistët, nga muzetë e periudhës komuniste te arkitektura moderne. Udhëtimi është i lirë, ushqimi cilësor dhe akomodimi i përballueshëm.

Një murale gjigante e një vajze të pikturuar me ngjyra toke, një bllok apartamentesh me vija të ndritshme apo një rrokaqiell i ri në formën e një koke.

Duke udhëtuar nëpër Tiranë, nuk mund të mos ngresh kokën. Shoferi im i taksisë, Erioni përkulet mbi timon dhe tregon ndërtesat përreth nesh.

“Kjo është e re, ajo tjetra është shumë e njohur për turistët, edhe kjo është e re”, thotë ai, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Një aromë joshëse përhapet nga një tezgë pranë xhamit të makinës. Një shitës po hap ballokume të freskëta, një ëmbëlsirë tradicionale, dhe kulaç. Në një cep, burrat po luajnë domino mbi një tavolinë të improvizuar.

Tirana ndihet e gjallë. Kryeqyteti shqiptar, me pothuajse 600 000 banorë, është pak a shumë sa madhësia e lagjes londineze “Brent”, por ajo ka plane ambicioze.

Dhe me historinë e saj të larmishme, klimën mesdhetare dhe kuzhinën e shijshme, është një zgjedhje e nënvlerësuar për një pushim të përballueshëm në qytet.

Gjëra për të bërë në Tiranë

Është e pamundur të vizitosh Tiranën pa u takuar me kujtimet e së kaluarës së saj komuniste. Jo shumë larg Sheshit “Skënderbej”, i njohur si zemra e qytetit, ndodhet një bunker nëntokësor i Luftës së Ftohtë.

“Bunk’Art 2” dhe “Bunk’Art 1”, i vendosur më larg  janë muze që i japin jetë paranojës së Enver Hoxhës.

Udhëheqësi komunist i Shqipërisë ishte aq i fiksuar pas pushtimit të huaj saqë vlerësohet se urdhëroi krijimin e më shumë se 170 000 bunkerëve  duke e bërë Shqipërinë vendin me më shumë bunkerë në botë.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Tirana përbëhej kryesisht nga ndërtesa gri të stilit sovjetik.

Në fillim të viteve 2000, Edi Rama – kryetari i atëhershëm i bashkisë dhe tani kryeministër – nisi një iniciativë për të injektuar ngjyra në kryeqytet.

Si rezultat, ka murale kudo që kthen kokën, nga cepat e banesave deri te stolat e parkut. Nëse planifikoni të qëndroni vetëm disa ditë, merrni në konsideratë t’i bashkoheni një turi arti rrugor që do t’ju çojë në vende të fshehura që ia vlejnë.

Atraksione të tjera që ia vlen të vizitohen përfshijnë Xhaminë e Et’hem Beut,  një monument i bukur kulturor që i shpëtoi shkatërrimit gjatë epokës komuniste  dhe malin e Dajtit, i cili mund të arrihet me teleferik.

Diçka që më habiti për Shqipërinë ishte ushqimi i saj eklektik dhe i shijshëm. Është një përzierje shijesh mesdhetare dhe ballkanike, me pjata të shijshme me mish dhe ushqime të shijshme vegjetariane.

Shijova ndoshta shumë byrek si dhe salca me bazë kosi dhe dollma.

Një nga vaktet e mia të preferuara ishte te Piceri Era Blloku, ku shërbehen qofte të shijshme shqiptare me një salcë kremoze me nardem kumbulle, një reçel tradicional.

Sigurisht, nuk mund të mos e vija në provë jetën e natës shqiptare.

Shkoni në Radio Bar Tirana për disa kokteje vërtet të lira me atmosferë retro.

Nëse po kërkoni diçka më luksoze, bari rrotullues 360° në Sky Club ofron një pamje të jashtëzakonshme dhe një atmosferë romantike. U ula atje për dy orë, duke pritur që dielli të perëndonte dhe të lyente horizontin të kuq duke pirë martini.

Megjithatë, i preferuari im ishte Bar Komiteti.

Vendi e quan veten një “kafe-muze” dhe është i dekoruar me objekte nga periudha komuniste. Në mure ka peceta të punuara me dorë, makina qepëse të përdorura dhe kostume tradicionale. Pas vizitës sonë të parë, kur pimë disa kokteje klasike, u kthyem përsëri, këtë herë të vendosur të provonim raki.

Ekipi pas barit na priti me një buzëqeshje, duke bërtitur nga larg “u kthyet përsëri?!”.

Për shkak të disa vështirësive gjuhësore, vendosëm t’i besonim plotësisht kamerierit tonë për të zgjedhur një përzgjedhje pijesh me raki bazuar në opsionet “pikante, të ëmbla ose të tharta”.

Nuk u zhgënjyem kur morëm një infuzion freskues me bazë manaferrash dhe me shoqërimin perfekt të muzikës live në sfond.

Një qytet që ndryshon me shpejtësi

“Kudo në Shqipëri ka një kantier ndërtimi aktiv”, më thotë Arber Musabelliu, një guidë lokale nga Free Walking Tour Tirana.

Kur e vizitoi vitin e kaluar, Alice Murphy e ”Metro” vuri re gjithashtu se disa zona të vendit ishin të mbingarkuara dhe të mbipopulluara.

Përpara se të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë në vitin 1920, Tirana ishte një qytet relativisht i vogël, në një pozicion strategjik në qendër të vendit.

Tani, pak më shumë se 100 vjet më vonë, është një qytet modern evropian me plane të guximshme zhvillimi.

Një masterplan  i njohur si Tirana 2030  synon ta transformojë kryeqytetin në një qendër urbane më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe teknologjike.

I udhëhequr nga arkitekti italian Stefano Boeri, vizioni përfshin ndërtesa të çuditshme.

Disa nga ato që janë ngritur tashmë përfshijnë një hartë të pikselizuar të vendit, një rrokaqiell që duket se është frymëzuar nga një set Jenga dhe një bllok patriotik apartamentesh luksoze në formën e heroit kombëtar të Shqipërisë.

Dhe, për shkak se Tirana përbëhet kryesisht nga ndërtesa të ulëta të epokës komuniste, efekti është çorientues.

Arkitektura zakonisht nuk është gjëja ime, por në Tiranë, u fiksova.

Duke parë horizontin e qytetit, me malin Dajti në sfond, sytë e mi u magjepsën nga këto shtylla monumentale, që ngriheshin mbi peizazhin.

Ku të qëndroni në Tiranë

Krahasuar me kryeqytetet e tjera evropiane, Tirana është e vogël dhe e lehtë për t’u eksploruar në këmbë. Autobusët në qendër janë gjithashtu shumë të shpeshtë.

Për një pushim fundjave, qëndroni pranë Bllokut të gjallë ose Sheshit “Skënderbej” për të qenë afër atraksioneve kryesore dhe jetës së natës.

Qyteti ka shumë mundësi të përballueshme kur bëhet fjalë për akomodimin.

Meqenëse po udhëtoja me tre miq, zgjodhëm diçka me hapësira të përbashkëta. Për ne, shfrytëzimi maksimal i kohës sonë së bashku  qoftë duke vizituar një muze apo thjesht duke pushuar në divan pas një dite shëtitjeje  ishte gjëja më e rëndësishme.

Zgjodhëm një Airbnb me dy dhoma gjumi dhe dy banjo me një vlerësim 4,98 për 220 funte në total.

I vendosur pranë Bllokut, ishte vetëm katër minuta në këmbë nga rruga kryesore, që do të thoshte se mund të ktheheshim lehtësisht në shtëpi pas darkës dhe pijeve në një nga baret në modë të lagjes.

Apartamenti u certifikua si i Preferuari i Mysafirëve, që do të thotë se lista u vlerësua shumë nga mysafirët e mëparshëm.

Eltoni, pritësi ynë, ishte jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe u sigurua që të ndiheshim si në shtëpi.

 

Hyn në fuqi marrëveshja për emigrantët mes Britanisë dhe Francës

Marrëveshja për emigrantët, midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, ka hyrë në fuqi, me ndalimet që do të fillojnë deri në fund të javës.

Skema pilot “një brenda, një jashtë”, i lejon Mbretërisë së Bashkuar t’i kthejë disa njerëz që kanë kaluar Kanalin Anglez përsëri në Francë, në këmbim të azilkërkuesve që kanë lidhje me Britaninë. Partneriteti u nënshkrua javën e kaluar dhe tani është miratuar nga Komisioni Evropian.

Kjo do të zbatohet për hyrjet e reja, ndërsa ata që kanë kaluar tashmë territorin, do të “ndalohen menjëherë pas mbërritjes”. Ka pasur raportime se sipas skemës, vetëm 50 persona në javë do të kthehen në Francë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Në këmbim të atyre që kthehen, po aq njerëz do të jenë në gjendje të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar duke ndjekur një rrugë ligjore, me kusht që të mos kenë tentuar një hyrje ilegale më pare. Gjithashtu, ata do t’u nënshtrohen kontrolleve të rrepta të dokumentacionit dhe sigurisë.

Masa vjen ndërsa viti 2025 është në rrugën e duhur për të qenë një vit rekord për kalimet. Përafërsisht 25,436 persona e kanë realizuar tashmë udhëtimin këtë vit,49% më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Norma mesatare e kalimit është rreth 800 në javë, kështu që kjo shifër duhet të rritet ndjeshëm që mesazhi të fillojë të përhapet tek njerëzit që përpiqen të kryejnë atë kalim.

Qëllimi është që azilkërkuesit të besojnë se “rreziku i kthimit në Francë është aq i madh sa nuk ia vlen të shpenzojnë paratë e tyre dhe të paguajnë kontrabandistët” për të bërë kalimin.

Skema është vendosur të zgjasë deri në qershor 2026, në pritje të një marrëveshjeje afatgjatë. Konservatorët e kanë quajtur paktin një “marrëveshje dorëzimi” dhe thanë se nuk do të bëjë “asnjë ndryshim”.