Kultura

Bushpepa ka frikë nga gjysmëfinalja në Eurosong

Eugent Bushpepa e bëri një hyrje “alla grande” në provën e parë në Lisbonë. Kështu shkruan sajti kushtuar Eurosong, Wiwiblogs.  Aty thuhet se “rokeri, zëri i të cilit nuk zbret asnjëherë nga niveli i përsosur, kapi notat e veta më të larta, ndërsa sytë e tij shihnin kamerën që nuk iu shqit asnjë çast”.

Në një shkrim pas provës së parë zyrtare në Lisbonë, Wiwiblog vëren se performancat e rokut kanë tendencën të jenë krejt të thjeshta dhe as kjo nuk përbën ndryshim, përcjell albinfo.ch.

“Ndriçimi  që përfshin të kuqen shqiptare, krijon një ambient të këndshëm që i shkon aq shumë këtij zhanri. Edhe më mirë: ata arrijnë ta mbushin gjithë skenën me instrumentet dhe karizmën e tyre. Eugent është i vogël, por nuk zhduket”, shkruan ky sajt duke përshkruar provat e para.

Bushpepa ka bërë për vete gazetarët në Lisbonë, jo vetëm me zërin dhe këngën. Ai ka plotësuar dëshirën e tyre duke kënduar për ta edhe në konferencë shtypi. Para pyetjeve, gazetari i Wiwiblogs e vlerësoi për zërin, një gazetar britanik e cilësoi këngën e tij si këngën më të mirë shqiptare në Eurosong, ndërsa një gazetar polak u shpreh se zëri i tij është fenomenal. “Konkurrojmë në gjysmë finalen e parë që vlerësohet si gjysmë finalja e vdekjes, sepse ka shumë shtete me këngë të mira që konkurrojnë me këngë shumë të mira”, tha ai.

Festivali Evropian i Këngës do të mbahet në datat 8, 10 dhe 12 maj këtë vit në Lisbonë të Portugalisë.