Kosova

Blinken i kërkon Kurtit shtensionim të veriut dhe kthim në dialog

Edhe një herë sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një bisede telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar depërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në veri, dhe zhvendosjen e katër kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, në lokacione alternative, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se në njoftimin e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Sekretari Blinken gjithashtu ritheksoi mbështetjen e SHBA-së për planin trepikësh të BE-së, teksa falënderoi Kurtin për pjesëmarrjen në takimin e 22 qershorit në Bruksel.

“Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, ka biseduar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të kërkuar depërshkallëzimin e menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë vazhdimin e thirrjes që kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative. Sekretari gjithashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe falënderoi kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në takimin e liderëve të 22 qershorit në Bruksel”, thuhet në njoftim.

Për bisedën me Kurtin ka njoftuar edhe vetë Blinken

“Sot fola me kryeministrin e Kosovës @albinkurti për të kërkuar de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe kthim të menjëhershëm në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara.

Për këtë telefonatë ka njoftuar mbrëmë edhe kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se e ka falënderuar Blinkenin për mbështetjen e vazhdueshme që ShBA-ja i ka dhënë Kosovës dhe se janë pajtuar që të qëndrojnë në kontakt.

“Kënaqësi për të folur me Sekretarin Blinken. E falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që ShBa’ja i ka dhënë vazhdimisht Kosovës. Diskutuam për situatën në veri, rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë. U pajtuam që të qëndrojmë në kontakt në vazhdim”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, sipas një njoftimi më të gjatë rreth kësaj bisede të lëshuar nga ZKM-ja, thuhet se kryeministri Kurti  po ashtu e ka njoftuar Blinkenin për takimin e se enjtes me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe se kanë folur për situatën në veri, zgjedhjet e reja, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policisë e gazetarëve, konfiskimin e armatimit në veturën me targa të Beogradit, zbatimin e marrëveshjes së Brukselit si dhe lirimin e tre policëve që u rrëmbyen nga forcat serbe me 14 qershor.

 

Në fund të njoftimit thuhet se të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”, u bë e ditur ndër të tjera një njoftim.

Po dje, Blinken ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Unë bisedova me presidentin serb Aleksandar Vuçiq sot për të nënvizuar rëndësinë e uljes së menjëhershme të tensioneve. Ne mirëpresim lirimin e sotëm të policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”, ka shkruar Blinken rreth telefonatës me Vuçiqin.