Lajme
Biden: SHBA-ja është e vetmja që del më e fortë nga krizat
Duke qenë se e gjithë bota është futur në krizë ekonomike, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përshëndeti rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane dhe krijimin e, siç tha, 12 milionë vendeve të reja të punës.
Gjatë një fjalimi drejtuar kombit, Biden tha se SHBA-ja është vendi i vetëm në botë që del “më e fortë” nga krizat.
“Sot, [pandemia] COVID-19 nuk e kontrollon më jetën tonë. Dy vjet më parë, demokracia jonë është përballur me kërcënimin më të madh që nga lufta civile. Sot, edhe pse nën sulm, demokracia jonë mbetet e palëkundur dhe e pathyeshme”, tha ai.
Presidenti amerikan tha se në dy vjetët e fundit, administrata e tij ka arritur “të krijojë një rekord prej 12 milionë vendesh të reja pune”. Këtë, sipas tij, nuk e ka arritur asnjë president tjetër as brenda mandatit katërvjeçar.
“Plani im ekonomik ka të bëjë me investimet në vende dhe njerëz që janë harruar. Mes trazirave ekonomike të katër dekadave të fundit, shumë njerëz janë lënë pas ose janë trajtuar si të padukshëm”, tha Biden.
“Ne po ndërtojmë një ekonomi, ku askush nuk mbetet prapa”.
“Biznesi po kthehet. Krenaria po kthehet për shkak të zgjedhjeve që kemi bërë gjatë viteve të fundit”, tha ai.
Fokusi te prodhimet vendore
Presidenti paralajmëroi futjen e një standardi të ri në ekonominë amerikane, që kërkon që të gjitha materialet e ndërtimit, të përdorura në projektet federale të infrastrukturës, të prodhohen në SHBA.
“Druri, qelqi, gipsi, kabllot me fibra optike… rrugët dhe urat amerikane do të bëhen gjithashtu nga produktet amerikane”, tha Biden përpara Kongresit të ndarë – në Dhomën e Përfaqësuesve që udhëhiqet nga republikanët dhe në Senatin e udhëhequr nga demokratët.
“Për miqtë e mi republikanë: nëse kemi mundur të punojmë së bashku në Kongresin e fundit, nuk ka asnjë arsye që nuk mund të punojmë së bashku në këtë Kongres të ri”, tha Biden gjatë fjalimit të tij 72-minutësh.
Republikanët e kanë akuzuar Qeverinë e tij se është më e preokupuar me “fantazitë” sesa me “realitetet e vështira me të cilat përballen amerikanët”.
Mbështetje Ukrainës, “për aq kohë sa duhet”
Duke u ndalur te politika e jashtme, Biden tha se SHBA-ja është unanime në mbështetjen për Ukrainën – e cila ndodhet nën pushtimin rus – dhe se do të vazhdojë ta mbështesë atë “për aq kohë sa duhet”.
Biden tha se Qeveria e tij e bashkoi NATO-n, ndërtoi një koalicion global dhe u ngrit kundër agresionit të presidentit rus, Vladimir Putin.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s kanë ofruar miliarda dollarë ndihma ushtarake – përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore – për të forcuar ushtrinë ukrainase.
Biden kujtoi se fjalimi i tij para ligjvënësve amerikanë, vitin e kaluar, është bërë vetëm disa ditë pasi Putin ka nisur “sulmin brutal kundër Ukrainës”. Sipas tij, ky ka qenë edhe një test për botën.
“A do t’i mbështesim ne parimet më themelore? A do ta mbështesim sovranitetin? A do ta mbështesim të drejtën e njerëzve për të jetuar të lirë nga tirania? A do të ngrihemi për mbrojtjen e demokracisë?”, tha Biden.
Putin e ka kritikuar ndihmën e Perëndimit për Ukrainën, duke e konsideruar si kërcënim kundër Rusisë, dhe ka thënë se Rusia do të mbizotërojë në Ukrainë.
Për Kinën
Biden i kushtoi një pjesë të fjalimit edhe incidentit të javës së kaluar, kur një balonë e dyshuar spiunimi nga Kina ka kaluar territorin e SHBA-së, përpara se ushtria amerikane ta rrëzonte atë në brigjet e Karolinës së Jugut.
Biden tha se është i përkushtuar për të punuar me Kinën – konkurrenten kryesore të Amerikës – por shtoi:
“Mos u mashtroni – siç edhe e kemi bërë të qartë javën e kaluar – nëse Kina kërcënon sovranitetin tonë, ne do të veprojmë për ta mbrojtur vendin tonë. Këtë e kemi bërë”.
Disa republikanë e kanë kritikuar Bidenin që nuk ka urdhëruar rrëzimin e balonës më herët.
Biden tha se administrata e tij e ka ndryshuar narrativën se “Republika Popullore e Kinës po rrit fuqinë e saj” dhe se “Amerika po dështon në botë”.
“Jo më. E kemi bërë të qartë dhe e kam bërë të qartë në bisedat e mia personale, që kanë qenë të shumta me presidentin [kinez] Xi [Jinping], se ne kërkojmë konkurrencë, jo konflikt”, tha Biden.
Gjatë fjalimit, ai nuk e përmendi Iranin apo Afganistanin. Republikanët i kanë kritikuar politikat e administratës së tij në drejtim të ringjalljes së një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin, si dhe atë që ata e kanë cilësuar si “tërheqje të gabuar” nga Afganistani.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në Gjermani u mbajt promovimi i librit bestseller... -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës -
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj
Jeta në Austri
-
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri Rita Ora gati për skenën e madhe në Alpet austriake... -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025









