Kultura
Berlinale 2019: Kosova për herë të parë
Më 7 shkurt u hap në Berlin festivali i 69-të ndërkombëtar i filmit. Për herë të parë konkurron zyrtarisht në të një film nga Kosova. Karakteristika e këtij viti është pjesëmarrja e madhe e grave regjisore
Në Berlin hapet Berlinalja e 69-të. Gjithsej do të shfaqen 400 filma, 23 syresh, me metrazh të gjatë, në garën kryesore, 17 konkurrojnë për Ariun e Artë dhe të Argjendtë. Motoja e sivjetshme e festivalit është “Privatja është politike”.
Dieter Kosslick, i cili e drejton atë për herë të fundit, e ka huazuar titullin nga lëvizjes feministe të viteve 1960. Dhe duket se gratë nuk janë vetëm frymëzuese për moton, por pjesëmarrja e tyre është këtë vit shumë e madhe, raporton “DW”.
Festivali hapet me filmin e një gruaje, konkretisht me dramën “The Kindness of Strangers” të regjisores daneze Lone Scherfig.
Prej 17 filmave konkurrues, shtatë janë nga regjisore femra dhe dhjetë nga regjisorë meshkuj, e ku nuk mungojnë dhe emra të mirënjohur si François Ozon (“Grâce à Dieu”), Agnieszka Holland (“Z. Jones”) dhe regjisori kinez Zhang Yimou (“Yi miao zhong”), përcjell albinfo.ch.
Edhe regjisorët gjermanë marrin pjesë me tre filma. Nora Fingscheidt me filmin “Systemsprenger” (Shpërthyesi i sistemit), Angela Schanelec me “Ich war zuhause, aber” (Unë isha në shtëpi, por) dhe Fatih Akin – fitues i Ariut të Artë 2004 me “Gegen die Wand” (Përplasje në mur) – prezanton në Berlinale filmin e tij të ri “Der Goldene Handschuh” (Dorashka e artë), i cili bazohet mbi romanin me të njëjtin titull të Heinz Strunk-ut për vrasësin serial të grave, Fritz Honka.
Kosova në “Berlinale Shorts”
Prej 400 filmave që marrin pjesë në garat e ndryshme të një ndër tre festivaleve më të rëndësishëm të filmit në botë, 191 filma janë bërë nga regjisore gra. Kosova e cila merr pjesë për herë të parë zyrtarisht në Berlinale, me një film me metrazh të shkurtër në “Berlinale Shorts” përfaqësohet me Samir Karahodan.
Filmi i tij 14-minutësh “Në mes” është realizuar nga një ekip thuajse tërësisht mashkullor (vetëm një femër) dhe trajton një temë krejtësisht mashkullore, por tepër karakteristike për Kosovën: Solidarizimin ndërvëllazëror për ndërtimin e shtëpive të njëjta me ndihmën e të mërguarve. Premiera botërore e tij do të jetë më 12 shkurt në Berlin, por më 8 shkurt do të shfaqet për median dhe publikun.
Por Kosova e ka dërguar edhe një përfaqësuese të gjinisë femërore në Berlinale: Regjisoren e re More Raça, e cila ka ardhur aty në kuadër të programit Berlinale Talents, i cili u krijon mundësinë 250 kineastëve, regjisorëve, aktorëve të rinj e të talentuar nga e gjithë bota që të prezantojnë veten e tyre dhe të hyjnë në kontakt me kolegë të rinj e të vjetër të fushës së tyre.
Pas 18 vjetësh në krye të festivalit, figura e lashtë e Berlinales, 70-vjeçari Dieter Kosslick, alias Mr. Berlinale, i cili me kapelen dhe shallin e tij është bërë personifikim i festivalit të famshëm, do ta lëshojë postin e tij të plotfuqishëm. Vitin e ardhshëm, në edicionin e saj të 70-të Berlinalja do të drejtohet nga italiani Carlo Chatrian.
Të ngjashme
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar Lea Ypi prezanton librin “Të poshtëruar” në Stokholm... -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj -
Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles -
Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës -
Gjermani: Policia gjen mbi dy kilogramë kokainë në makinën e shqiptarit
Jeta në Austri
-
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 -
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese










